Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA zbardh të fshehtat e Konferencës së Pezës dhe biografinë e anëtarëve të LANÇ, nga Myslim Peza e Haxhi Lleshi, te Omer Nishani

Postuar: 20/10/2019 - 07:37

Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste të arratisur jashtë vendit, CIA ka treguar të tjera detaje nga themelimi dhe organizmi i saj i brendshëm. Në këtë cikël, tregohen të dhënat për individë të caktuar që u angazhuan në parti. Rrëfyesi i CIA ka treguar në këtë seri detaje nga Konferenca e Pezës dhe jep biografinë e disa individëve që ishin pjesë e LANÇ.

31 janar 1957

Raport Partia e Punës

(Vijon nga numri i kaluar)

Del pyetja: A mund të kishte hedhur partia parullën për bashkimin e të gjitha forcave nacionaliste në një organizatë të vetme para vjeshtës 1942? Kam bindjen që jo, sepse zëri i saj nuk do të dëgjohej nga nacionalistët dhe as nga njerëz që nuk kishin marrë vendimin e qëndrimit të tyre, pasi partia ishte e re. Por në vjeshtën 1942 ajo ishte njohur si forcë politike e organizuar dhe numëronte shumë suksese, si mbështetja e rinisë, kryerja e disa aksioneve të armatosura, prezenca e shumë reparteve në mal dhe nënshtrimi i disa çetave të pavarura të malit si ajo e Myslym Pezës. Ishte pra një forcë e cila duhej llogaritur. Kështu që hedhja e parullës në Konferencën e Pezës ishte momenti më i mirë. Me idenë e frontit Nacional Çlirimtar, partia synon të afronte e më pas të nënshtronte këto forca: Nacionalistët e vjetër me traditë nga e kaluara e vjetër, por me figura të njohura kombëtare si Mithat Frashëri, Ali Këlcyra, etj. Një fuqi e jashtme që kontribuoi në krijimin e frontit Nacional-Çlirimtar me orientimin e njerëzve të saj, ishte Partia Komuniste e Jugosllavisë. Më vonë në Shqipëri erdhën forca ndërlidhëse nga Britania e Madhe pasi partia kishte nevojë për armë e të holla. Në mos gaboj, misioni i parë anglez në Shqipëri erdhi në pranverë 1943, pak pas Konferencës së Labinotit. Grupi anglez erdhi jo direkt në Shqipëri me parashutë, por nga Greqia në zonën e Gjirokastrës. Grupi kryesohej nga majori Mc Clean, të cilin e mbaj mend mirë. Edhe një grup i dytë erdhi nga Greqia në zonën e Leskovikut dhe drejtohej nga kapiten Devid. Dy grupet u bashkuan në verë 1943 në Skrapar, për t’u vendosur më vonë në Shtyllë, pranë shtabit të përgjithshëm të ushtrisë Nacional-çlirimtare.

Shënim: Nga forcat që u përfaqësuan në Konferencën e Pezës, ku u hodhën themelet e frontit Nacional Çlirimtar, vetëm Partia Komuniste ishte e përfaqësuar si organizatë, personat e tjerë ishin aty si individë. Abaz Kupi për shembull ishte si “zogist”, por jo përfaqësues i Legalitetit sepse nuk ishte themeluar ende, po ashtu dhe Myslym Peza, Shefqet Beja, intelektual pasanik, dhe individë të tjerë. I vetmi përjashtim ishte delegacioni i Partisë Komuniste. Por shumë anëtarë kryesorë të delegacionit komunist e fshihnin përkatësinë e tyre në Partinë Komuniste dhe pretendonin se vinin nga krahina të ndryshme apo forca të tjera patriotike. Pra dhe në Konferencën e Pezës komunistët paraqitën një maskë nacionaliste, ndërsa ata që u paraqitën si delegacioni i Partisë Komuniste ishin një pakicë e parëndësishme. Dua të shtoj se pas Konferencës së Labinotit, Fronti pati dhe tri etapa të tjera:

Etapa e Përmetit në maj 1944; një mbledhje ku u mor vendimi për regjimin e ardhshëm në Shqipëri; Zogut iu ndalua hyrja, dhe u vendos se shteti i ardhshëm nuk do të njihte marrëveshjet “skllavëruese” të nënshkruara, qoftë me Italinë, Anglinë apo me SHBA. Dokumentat e kësaj mbledhjeje, kishin në embrion farën e regjimit të ardhshëm komunist. Por vetëm farën ama pasi partia vazhdonte të maskohej, dhe maskën e hoqi vetëm kur mori krejt pushtetin në dorë.

Etapa e Beratit (tetor 1944), Këshilli përgjithshëm i Frontit Nacional Çlirimtar zgjodhi qeverinë e parë shqiptare, anëtarët e të cilës ishin zgjedhur nga plenumi i Komitetit Qendror. Mbledhja nuk bëri gjë tjetër, por vulosi vendimin e marrë më herët nga partia.

Ndërsa etapa e fundit e frontit që vijon deri aktualisht është ajo ku partia e vendosur mirë në pushtet, heq maskën e saj pasi nuk ia kishte më nevojën. Elementët e fundit nacionalistë që kishin mbetur në kryesinë e Frontit, që tashmë ishin të bezdisshëm për partinë, e kuptuan që ishin përdorur si mashë dhe duhet të zhdukeshin. Ata kishin filluar të ktheheshin në rrezik se kishin nisur të flisnin dhe të kundërshtonin hapur deputetët e zgjedhur në Kuvend dhe reformat ekstremiste të komunistëve në fushën ekonomike dhe politike. Kështu që u vu në zbatim politika brutale komuniste e “limonit të shtrydhur” dhe dhuna e ashpër revolucionare. Organet e Sigurimit sajuan një proces gjyqësor të grupit të deputetëve, gjoja të lidhur me agjentë të imperialistëve për rrëzimin e pushtetit, ku të gjithë deputetët nacionalistë që ishin bërë pengesë u eliminuan, shumë prej të cilëve ishin në kryesinë e Frontit në Konferencën e Pezës, si Riza Dani, Shefqet Peja, Ali Gega, Kosti Boshnjaku, Selaudin Toto, Bab Dud Karbunara, e të tjerë që nuk më kujtohen. Shumica dërrmuese u dënuan me vdekje.

Aneks pyetja IX

Në këtë aneks dua të jap shënime biografike të disa personave të Frontit Nacional Çlirimtar që kam lënë pa përmendur më herët.

Gjin Marku ka lindur në Krujë dhe është rritur si jetim, duhet të jetë rreth 40 vjeç. Ka mbaruar studimet si agronom. Ka dalë në ilegalitet si anëtar i Grupit të Korçës që para formimit të partisë sepse do të arrestohej nga karabinieria italiane. Bëri karrierë të shkëlqyer në fillim të luftës partizane, nga partizan i thjeshtë në përgjegjës i partisë në Skrapar. Sukseset e reparteve ku Gjini ishte komisar politik (komandant ishte Mestan Ujaniku) i ngritën prestigjin, kështu që në konferencën e marsit 1943 u zgjodh anëtar i Komitetit Qendror. Mirëpo nuk qëndroi shumë në këtë post sepse 6 muaj më vonë kur ndodhej në Berat, ra në një kompromis jo-zyrtar me gjermanët dhe u dëbua nga Komiteti Qendror. Sot është gjeneral major i ushtrisë shqiptare, me funksione që unë nuk i njoh. Në shtatorin e vitit 1943, kur u përjashtua nga Komiteti Qendror, u caktuar përgjegjës partie në Berat.

Haxhi Lleshi, 48 vjeç, lindur në Peshkopi, nga familje bajraktare me influencë. Ka lidhje fisnore me krejt veriun dhe familja e tij respektohej si pasanike anti-zogiste. Për këtë arsye, partia e çoi në Pezë si delegat dhe më vonë u bë komandant i forcave partizane në qarkun Peshkopi-Dibër. Gjatë luftës forcoi pozitat e tij duke u bërë anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Sot është kandidat për Komitetin Qendror të partisë. Në qeverinë e parë komuniste në 1944 kryesonte ministrinë e Brendshme, por më vonë u hoq për t’u zëvendësuar më vonë nga Koçi Xoxe. Ka ushtruar funksione të ndryshme dhe në 1954 u bë president i Kuvendit Popullor, post në të cilin e lashë kur u arratisa.

Mustafa Gjinishi – Anëtar partie në formimin e saj, pak i kaluar nga mosha. Është përfshirë gjithmonë në lëvizjet anti-zogiste dhe kishte njëfarë influence prej lidhjeve me nacionalistët shqiptarë dhe dërgohej në negociatat e partisë me ta. Për ta lehtësuar këtë detyrë, partia e emëroi komisar politik pranë Myslym Pezës. Çdo nacionalist që vinte për bisedime me Myslymin gjente Mustafa Gjinishin. Myslymi kishte simpati për të dhe i kishte dhënë liri të plotë veprimi. Më vonë u dyshua për lojë të dyfishtë sepse ishte i pakënaqur që nuk e futën në Komitetin Qendror. U vra në mënyrë misterioze nga Liri Gega (ose nga partia) në veri të Shqipërisë, ku ishte dërguar si ndërmjetës me nacionalistët pranë shtabit të Divizionit të I-rë. Ka qenë komunist me funksione me rëndësi po jo me shumë besim të partia.

Kasem Radovicka; oficer i Zogut, por i lidhur që në fillim me partinë. Njeri me influencë në zonën e Gjirokastrës. U bë anëtar i partisë vetëm nga fundi i 1944. Partia e dërgoi në Konferencën e Pezës si element të saj nacionalist. Gjatë luftës ka qenë komandant i zonës së parë operative Vlorë-Gjirokastër (ku ishte komisar Bedri Spahiu, pas “çlirimit” ishte deputet në Kuvendin Popullor. U pushkatua në Tiranë në 1950, si pjesëtar i grupit të deputetëve “armiq”. Edhe pse hyri në parti, shikohej shtrembër.

Myslim Peza; duhet të jetë rreth 60 vjeç, njeri me influencë në Shqipërinë e Mesme. I arratisur në kohën e Zogut dhe i kthyer ilegalisht në kohën e pushtimit. Ishte nga të parët që krijoi çetën e tij prandaj partia u nxitua që t’i dërgonte si komisar politik Mustafa Gjinishin e më vonë Kristo Themelko. Peza ishte i dëgjuar në vitet 1942-43 për njësitin e tij të armatosur, që ishte më i madhi i asaj kohe. Ishte i lidhur me partinë edhe pse shpeshherë hidhte vickla. Të gjitha funksionet e tij që nga 1944 e më tutje ishin funksione nderi. Vetë është analfabet. Sot është president i Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Omer Nishani; vdiq më 1953 kur sapo ishte larguar nga posti i kryetarit të Kuvendit Popullor. Politikan dallkauk dhe servil i partisë. Njeri që tërë jetën e tij është marrë me politikë në emigracion, si kur ishte Zogu në fuqi dhe më vonë, duke u bërë herë me njërën rrymë herë me tjetrën. Ishte një nga ata që i çuan kurorën e Skënderbeut, Viktor Emanuelit III dhe që firmosën dekretin i cili vendoste Shqipërinë në suazën e perandorisë italiane në 1939. Partia e ka përdorur kurdoherë si ndërmjetës sepse njihte shumicën e nacionalistëve, por duke i fshehur të palarat e tij në sy të popullit. Që me krijimin e Frontit Nacional Çlirimtar është emëruar kryetar i përgjithshëm dhe më vonë kryetar i Kuvendit, deri pak para vdekjes.

Nepsi Kerenxiu; nacionalist që ka qenë në çetat e para të krijuara në Korçë, për një Korçë shqiptare e jo greke. Sot duhet të jetë rreth 85 vjeç. U dërgua në Pezë sepse ishte i lidhur me partinë nga të bijtë që ishin bërë anëtarë. Roli i tij falimentoi shumë shpejt sepse nuk kishte ç’t’i jepte partisë përveç emrit të tij. E lashë në Korçë, ku shteti i kishte lënë një fidanishte të madhe personale me pemë.

Ollga Plumbi; grua intelektuale me emër në shtresat e larta shqiptare të atëhershme. Ishte përparimtare, por jo komuniste. Komunistët në fillim e përkrahën shumë, duke e bërë presidente të grave shqiptare dhe anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të Frontit N.Ç. ndërsa ajo u dha emrin e saj. Kur nuk ia patën më nevojën i dhanë drunë. Nga viti 1949 ka mbetur rrugëve.

Gruaja e Themistokli Gërmenjit (emri i saj në mos gaboj është Ollga) meritat e saj ishin vetëm si guraja e bashkëshortit të saj, nacionalist i vjetër i vrarë nga francezët sepse u dyshua se bashkëpunonte me austriakët për një Korçë shqiptare e jo greke. Ajo u dërgua në Pezë si simbol dhe roli i saj mbaroi aty. 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/11/2019 - 07:14

Amerikanët kanë hedhur të tjera detaje mbi zhvillimet gjatë regjimit komunist.

Postuar: 13/11/2019 - 07:11

Shërbimi amerikan i CIA ka deklasifikuar të tjera dokumente për Shqipërinë.

Postuar: 12/11/2019 - 07:10

Amerikanët kanë hedhur sërish dritë mbi zhvillimet në sistemin komunist.

Postuar: 09/11/2019 - 07:09

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 08/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 05/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit