Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA zbardh të tjera detaje, ja si vepronin komunistët gjatë luftës me nazifashistët, nga atentatet, te djegia e depove të armëve dhe zhvillimet e Konferencës së Pezës

Postuar: 19/10/2019 - 07:05

 Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste të arratisur jashtë vendit, CIA ka treguar të tjera detaje nga themelimi dhe organizmi i saj i brendshëm. Në këtë cikël, tregohen të dhënat për individë të caktuar që u angazhuan në parti. Në dokumentin e mëposhtëm jepen të dhëna për Dushan Mugoshën, ndërsa tregohen dhe lëvizjet e komunistëve gjatë pushtimit italian dhe atij nazist më pas.

 

31 janar 1957

Raport Partia e Punës

 

(Vijon nga numri i kaluar)

 

Dushan Mugosha nuk ishte një figurë politike, ishte topall, i zbehtë, ndryshe nga kolegu i tij që kishte prezencë fizike, por fliste mirë shqipen. Në fakt Dushani ishte ndihmës i Popoviç dhe nuk përfillej shumë. Ka qëndruar edhe ky pranë Shtabit të Përgjithshëm e Komitetit Qendror të Partisë, për një periudhë të shkurtër verë-vjeshtë 1943 qe i atashuar pranë Brigadës I-rë që komandohej nga Mehmet Shehu. Më 1947 kur isha në Jugosllavi para se të arratisesha, ishte anëtar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Maqedonisë. Sot duhet të jetë diku 45-50 vjeç. Cili ka qenë qëndrimi i partive komuniste shqiptare gjatë dy lëvizjeve anti-zogiste? Siç thashë dhe më herët, gjatë këtyre lëvizjeve Partia Komuniste nuk qe organizuar akoma. Në atë kohë pra në vitet 30-40 ekzistonin vetëm grupe komuniste, autonom në veprimtarinë e tyre. Konkretisht, Grupi i Jeshilët i Niko Xoxit nuk mori asnjë qëndrim, ashtu dhe lëvizja e Fierit dhe ajo e Ethem Totos. Ato ishin lëvizje të parëndësishme dhe nëse do të kishin kërkuar të bashkëpunonin, krerët e dy lëvizjeve anti-zogiste nuk do të pranonin. Disa anëtarë të Grupit të Fierit morën pjesë në lëvizje, si Zylyftar Zeleshnja. Lëvizja e Ethem Totos konsiderohej si lëvizje e djathtë e financuar nga Italia, me qëllim të zëvendësonte Zogun me një tjetër diktator republikan.

-Sa anëtarë kishte Partia Komuniste shqiptare gjatë periudhës 1934-1939 dhe cili ka qenë aktiviteti i tyre?

Kësaj pyetjeje i jam përgjigjur më herët; nuk ka pasur parti në atë kohë, kishte grupe komuniste. Grupi komunist i Korçës kishte numrin më të madh të anëtarëve në vitin 1937 me rreth 250, përveç këtyre kishte një sasi simpatizantësh, ndoshta rreth 200. Nuk kishte forum udhëheqës. Kryetari Koço Tashko qëndronte në Tiranë si qendra politike e vendit. Nënkryetari Miho Lako qëndronte në Korçë. Grupi kishte celula me tre vetë, një përgjegjës dhe dy anëtarë. Grupi komunist i të Rinjve kur u shpërnda kishte rreth 300 anëtarë në tërë Shqipërinë që ishte maksimumi, nuk ka pasur një formë organizative, por një strukturë vertikale. Domethënë Anastas Lulo ishte shefi dhe kishte lidhje vetëm me ndihmësin e tij, ndihmësi i tij me vartësin e kështu me radhë litar, nga kreu te baza, pra çdo anëtar kishte një përgjegjës dhe një vartës. Siç shihet ishte një strukturë shumë pak elastike, jo efikase, por shumë konspirative. Grupi komunist i Shkodrës ka pasur jo më tepër se 130 anëtarë partie dhe me sa di një numër të njëjtë simpatizantësh. Herë kishte celula treshe dhe herë të tjera shtatëshe. Shef i grupit ishte Zef Mala me ndihmësin kryesor Vasil Shanto. Të dy qëndronin në Tiranë dhe Shkodër, përgjegjës i grupit ishte Kristo Themelko.

-Cili ishte aktiviteti i Partisë Komuniste shqiptare nga prill 1939 deri në tetor 1940 (periudha e pushtimit italian)?

Nga prilli 1939 deri në tetor 1940 nuk ka pasur Parti Komuniste në Shqipëri. Sa për periudhën e okupacionit italian, kjo zgjati nga prilli 1939 deri në shtator 1943, domethënë deri në kapitullimin e Italisë dhe shpalljes së Republikës Italiane me kryetar Benito Musolinin. Okupacioni gjerman në Shqipëri fillon nga mesi i shtatorit 1943 deri në mbarim të nëntorit 1944. Para shtatorit 1943 nuk kishte asnjë repart gjerman në Shqipëri. Do të flas pra për aktivitetin e Partisë Komuniste të Shqipërisë gjatë pushtimit italian 1939-1943. Kjo periudhë ndahet në dy pjesë; e para është koha e grupeve komuniste prill 1939 deri në nëntor 1941, që ishte një periudhë sporadike, e paorganizuar, e kufizuar vetëm në disa demonstrata patriotike në raste përvjetorësh si 28 Nëntori. Herë pas here hidheshin trakte kundër Italisë fashiste, kryesisht nga Grupi komunist i Korçës. Anëtarët e grupeve kishin nisur më shumë propagandë verbale për Shqipërinë e pavarur sesa në kohën e Zogut. Nuk kishte aktivitet praktik me sabotazhe, atentate apo luftë. Aty këtu rrihej me grushte ndonjë njeri i italianëve nga të panjohur, por nuk ka vrasje (të panjohurit janë anëtarë të grupeve, sidomos të Korçës, Shkodrës dhe deri diku të Të Rinjve). Niko Xoxi dhe Grupi i Zjarrit qëndrojnë spektatorë të thjeshtë.

Viti 1941

Periudha nëntor 1941 deri në shtator 1943 është koha pas formimit të Partisë Komuniste kur brenda tre muajve situata ishte pjekur në veprime praktike. Nis rekrutimi në masë i rinisë komuniste dhe rekrutimi i kufizuar në parti. Krijohen njësitet guerile dhe nisin aktivitetet e sabotazhit. Nisën atentatet ndaj personave me influencë në organet e policisë italiane dhe sulmet me djegie të depove ose objekteve të fashizmit, prerje linjash telefonike. Agjitacioni verbal që më parë ishte bërë në formë individuale tashmë organizohej në grupe brenda 5 muajve u krijuan njësitë e para të armatosura partizane në mal dhe njësitet guerile në qytet. Nisën luftime të vogla ditën nëpër linjat rrugore, ose postet e izoluara të karabinierisë në fshatra. Nisi formimi i ushtrisë së vogël të malit, e cila në prag të çlirimit kishte arritur në rreth 75 mijë vetë, që ishte një numër shumë i madh për një popullsi prej rreth 1.2 milionë banorë. Në më pak se një vit pas formimit të partisë nisi krijimi i Këshillave Nacional-Çlirimtare, që ishin organet e pushtetit komunist në zonat e çliruara dhe filizat e pushtetit komunist në qytete. Në shtatorin 1943, domethënë para kapitullimit të Italisë, këto këshilla ishin ngritur në pjesën më të madhe të Shqipërisë së Jugut. Komunistët me ushtrinë partizane kishin dominuar që atëherë shumicën e katundeve të Korçës, Vlorës, Beratit, Gjirokastrës etj. Zona e kontrolluar nga Balli Kombëtar atëherë ishte shumë e kufizuar. Italianët, me përjashtim të qyteteve që ishin vitale për transportin, nuk okuponin thuajse asgjë. Zonat gjeografike të mbushura me katunde fushore pranë rrugëve ishin tërësisht neutrale. Këtu trupat partizane qëndronin në ilegalitet. Popullsia njihte si pushtet Këshillat Nacional Çlirimtare. Marrëdhëniet e fshatit ku sundonin partizanët dhe qyteteve ku komandonin italianët, ishin vetëm për shkëmbime tregtare mallrash ose produktesh. Në një situatë të tillë kuptohet se aktiviteti i komunistëve ishte i gjithanshëm, administrativ, ushtarak, politik e organizativ.

 

-Cili ka qenë qëndrimi i Partisë Komuniste gjatë luftës italo-greke?

Atëherë nuk ka pasur Parti Komuniste, po shpjegoj qëndrimin individual të grupeve komuniste.

Grupi i Zjarrit nuk ka mbajtur asnjë qëndrim zyrtar kundër lëvizjeve apo evenimenteve politike. Anëtarët e këtij grupi, pa ndonjë disiplinë partiake, i komentonin ngjarjet si të mendonin vetë.

Grupi i Niko Xoxit e studioi situatën dhe arrti në konkluzionin se duhet të qëndronin neutralë. Lufta mes Italisë e Greqisë qe diçka që nuk i përkiste proletariatit shqiptar. Sipas tyre, përfshija e tyre do të vinte vetëm për krijimin e Shqipërisë komuniste. Italianët e grekët mund të vrisnin veten sa të donin. Edhe Grupi i Shkodrës nuk e mori në studim situatën. Ndërsa Grupi i Korçës, i cili ishte më pranë luftimeve, u detyrua të mbajë një qëndrim, duke thënë se qeveria e Mataksait ishte kapitaliste, por se lufta kundër italianëve u interesonte komunistëve të Shqipërisë prandaj vendosën t’i vijnë në ndihmë popullit grek duke bërë propagandë për ta. Ata thonin se populli grek lufton për lirinë e tij edhe pse ka qeveri fashiste dhe është aleat i imperialistëve. Grupi priti me entuziazëm disa deklarata të qeverisë greke, se nuk hynte në Shqipëri për ta pushtuar, por për të dëbuar italianët. Grupi krijoi gjithashtu disa njësi roje të qytetit pas largimit të italianëve, me qëllim që depot dhe materialet t’u dorëzoheshin të paprekura grekëve. Ata mendonin se grekët do të ishin mirënjohës dhe do t’i vendosnin në poste në prefekturë e bashki, por ata nuk i përfillën fare. Kur u duk se grekët do të vendoseshin në Korçë e Gjirokastër si krahina të Vorio Epirit, qëndrimi i tyre u ftoh pak. Ata nisën parullën e re, se populli grek lufton për lirinë e tij kurse qeveria greke për të pushtuar Shqipërinë e Jugut, por në përgjithësi nuk u sollën pengesa trupave greke. Grupi komunist i të Rinjve qëndroi indiferent, por më vonë u bashkua me pikëpamjet e Grupit të Korçës. Revolucioni i partisë para themelimit të saj (i pranuar nga mbledhja që vendosi shkrirjen e grupeve) kritikon Grupin e Zjarrit e sidomos grupin e Niko Xoxit se vepruan si anti-marksistë e jo si revolucionarë. Grupi i Korçës u kritikua sepse u besoi premtimeve të grekëve për kufij, sipas atyre të njohur nga Konferenca e Londrës. Ky besim naiv dhe papjekuria politike e grupit e bënë të gabojë në çështjen e depove që ruajtën për grekët, në vend që të shpërndanin ushqimin për popullin, çka do ta kishte afruar atë më shumë me komunistët.

Kur u themelua Fronti Nacional-Çlirimtar, nga cilët dhe cili ishte aktiviteti?

Platforma organizative dhe bazat e para të Frontit u hodhën në shtator 1942 në mbledhjen e quajtur Konferenca e Pezës. Iniciatorja ishte Partia Komuniste Shqiptare, sipas direktivës së Miladin Popoviç nga partia jugosllave. Dhe në fakt Fronti u krijua me të njëjtën procedurë, strukturë e platformë politike me ato që në Jugosllavi quheshin Naredni OSlobodilacki Front, pra një kopje identike e frontit jugosllav.

Qëllimet

Qëllimet e partisë për krijimin e organizatës ishin grumbullimi, organizimi dhe nënshtrimi i të gjitha forcave nacionaliste shqiptare në një organizatë të vetme, nën kontrollin e partisë komuniste. Mobilizimi dhe aktivizmi i këtyre forcave, kanalizimi i veprimtarisë së tyre në orientimin politik të partisë. Një tjetër qëllim ishte zhvillimi i luftës së armatosur kundër okupatorit të huaj dhe më pas kundër bashkëpunëtorëve të tij të brendshëm.

Në prapaskenë të kësaj ishte qëllim kthimi i Partisë Komuniste në motorin udhëheqës të popullit shqiptar. Kjo do të krijonte filozofinë e patriotizmit të frontit dhe çdo organizatë jashtë tij do të cilësohej lehtësisht “tradhtare”. Me anë të parullave si “demokratike” e “patriotike”, Fronti do të përdorej si mashë për qëllimet e partisë që shkonin përtej kufijve të luftës së thjeshtë patriotike, duke shënjestruar kështu të gjithë nacionalistët (ose të paktën ata që mundi të shtinte në grackë). Në këtë mënyrë pas largimit të okupatorëve partia do të mund të realizonte programin e vendosjes së diktaturës së proletariatit, që do të thotë diktaturën e saj, duke e kthyer luftën patriotike në revolucion komunist. Siç shihet një taktikë e tillë ishte shumë e përshtatshme për atë kohë dhe i jepte mundësinë partisë të fshihte qëllimet finale. Del pyetja: A mund të kishte hedhur partia parullën për bashkimin e të gjitha forcave nacionaliste në një organizatë të vetme para vjeshtës 1942? Kam bindjen që jo, sepse zëri i saj nuk do të dëgjohej nga nacionalistët dhe as nga njerëz që nuk kishin marrë vendimin e qëndrimit të tyre, pasi partia ishte e re. Por në vjeshtën 1942 ajo ishte njohur si forcë politike e organizuar dhe numëronte shumë suksese, si mbështetja e rinisë, kryerja e disa aksioneve të armatosura, prezenca e shumë reparteve në mal dhe nënshtrimi i disa çetave të pavarura të malit, si ajo e Myslym Pezës. Ishte pra një forcë e cila duhej llogaritur. Kështu që hedhja e parullës në Konferencën e Pezës ishte momenti më i mirë. Me idenë e frontit Nacional Çlirimtar partia synote të afronte e më pas të nënshtronte këto forca: Nacionalistët e vjetër me traditë nga e kaluara e vjetër, por me figura të njohura kombëtare si Mithat Frashëri, Ali Këlcyra, etj. Ajo synonte të afronte nacionalistët e vjetër që ishin figura në shkallë krahinore, si për shembull Nepsi Kerenxhiu në Korçë, apo dhe klerikët ortodoksë, katolikë, bektashinj dhe myslimanë; persona me poste të rëndësishme për nga pasuria dhe me influencë në popullatë; krerë fisesh e bajraqesh në veri, si dhe parinë e krahinave në jug.

Konferenca e Pezës

Për të diskutuar nëse partia ia arriti qëllimti të saj le të shqyrtojmë Konferencën e Pezës. Aty u përfaqësuan Partia Komuniste me eksponentët e saj, si Enver Hoxha, Nako Spiru, Koçi Xoxe, Kristo Themelko, Gjin Marku, Bedri Spahiu, Koço Tashko, Mustafa Gjinishi, Liri Gega, Pilo Peristeri, Ramadan Çitaku, Hysni Kapo e të tjerë. Nga nacionalistët e vjetër me traditë nuk kishte shumë dhe për këtë partia pësoi një disfatë. Nga kjo kategori ishin Omer Nishani, Koste Boshnjaku e ndonjë tjetër. Nga nacionalistët e vjetër krahinorë kishte shumë, si Nepsi Kerenxhiu, Ollga Plumbi, gruaja e Themistokli Gërmenji, etj. Nga grupi i klerikëve mungonin vetëm katolikët. Kleri ortodoks përfaqësohej nga Pashko Vodica (kryepeshkop i sotëm), kishte një përfaqësues të klerit mysliman, ndërsa bektashinjtë kishin më shumë përfaqësim me Baba Faje Martaneshi, Bab Dud Karbunara e ndoshta ndonjë tjetër. Partia shënoi njëfarë suksesi duke afruar Shefqet Beja nga Durrësi, Sami Baholli nga Elbasani, Medar Shtylla nga Korça, Myslim Peza nga Tirana, Riza Dani nga Shkodra, Spiro Moisiu nga Kavaja. Nga krerët e veriut në mos gaboj, partia afroi Ali Gegën nga Peshkopia, Avaz Kupin nga Kruja, e ndoshta ndonjë tjetër. Nga paria krahinore e jugut u afruan Kasem Radovicka, Selaudin Toto. Pra rezultati nuk ishte ai që partia shpresonte të arrinte, por qëllimi propagandistik u arrit. Konferenca miratoi programin e paraqitur dhe strukturën organizative të partisë. Konferenca e Pezës bëri jehonë të madhe dhe menjëherë pas mbarimit të saj nisi një operacion me 30 000 trupa italiane avionë e autoblinda, që sulmuan Pezën sikur të ishte Stalingrad, duke rrënuar katunde të tëra, ndërsa partizanëve nuk iu shkaktua asnjë dëm. Sapo u tërhoqën italianët ata rifilluan aktivitetin atje, kështu që Konferenca e Pezës u kthye në simbol. Fronti Nacional-Çlirimtar ishte krijuar dhe epiqendra e Partisë Komuniste u shpërngul nga qyteti në mal e në fshatra. Eksperienca e mësoi partinë se me krerët e njohur shumë, nuk kishte më sukses dhe se ishte më e rëndësishme puna me krahinat dhe fshatarësinë që ishin forca e gjallë e popullit. Këtë partia do ta bënte me anë të këshillave çlirimtare të fshatrave, njësitë vullnetare partizane të fshatrave (ku përfshiheshin adoleshentë, jo të përhershme, thirreshin vetëm për aksione të caktuara).

Faza e dytë

Faza e dytë e Frontit Nacional-Çlirimtar fillon në pranverën 1943, pra kur u mblodh Konferenca e Labinotit. Figurat nacionaliste në këtë konferencë ishin akoma më pak (Abaz Kupi për shembull ishte tërhequr). Mirëpo humbjet në elementët nacionalistë partia i kishte zëvendësuar me rekrutimin e parive krahinore dhe me forcimin e lidhjeve me masat fshatare, si dhe me krijimin e këshillave nacional-çlirimtare që ishin leva të vërteta të komunistëve. Ishte ngritur një aparat i tërë administrativ dhe nga çetat partizane ishin krijuar batalione. Në këtë kohë Balli Kombëtar nisi veprimtarinë organizative. Por dhe nacionalistë si Myslym Peza që nuk ishin të sqaruar politikisht për komunizmin, por kishin njerëz ta armatosur, kishin kaluar megjithë bagazhin e tyre në kampin komunist, sëbashku me të tjerë si Kasem Radovickën në Gjirokastër, Mestan Ujkanin në Berat, Reshit Çollakun në Korçë e të tjerë.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/11/2019 - 07:14

Amerikanët kanë hedhur të tjera detaje mbi zhvillimet gjatë regjimit komunist.

Postuar: 13/11/2019 - 07:11

Shërbimi amerikan i CIA ka deklasifikuar të tjera dokumente për Shqipërinë.

Postuar: 12/11/2019 - 07:10

Amerikanët kanë hedhur sërish dritë mbi zhvillimet në sistemin komunist.

Postuar: 09/11/2019 - 07:09

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 08/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 05/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit