Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA zbardh të tjera detaje nga përplasjet mes Tiranës dhe Moskës, BRSS akuza Hoxhës se po dilte nga linja marksiste-leniniste

Postuar: 19/05/2018 - 08:20

Zbardhet pjesa e dytë e letrës së Komitetit Qendror Sovjetik, ku ju drejtohej gjithë anëtarëve dhe sulmohej Shqipëria. Në këtë pjesë akuzohet Enver Hoxha se po ndiqte linjën nacionaliste dhe po dilte nga linja leniniste.

19 janar 1962

Letër e Komitetit Qendror Sovjetik në lidhje me Shqipërinë

(Vijon nga numri i kaluar)

Në një raport të plenumit të 9-të të partisë së Polonisë në nëntor 1961, Gomulka denoncoi aktivitetet e partisë shqiptare duke thënë: “Politika aventuriere e udhëheqjes së partisë së Shqipërisë është në kundërshtim me parimet e marksizëm-leninizmit dhe me konkluzionet e konferencës së 1960”. M. Thorez gjithashtu dënoi aktivitetin e partisë shqiptare në fjalimin e tij me rastin e përvjetorit të revolucionit të tetorit, duke thënë se Hoxha, Shehu dhe udhëheqësit e tjerë shqiptarë po zbatojnë politika që vënë në rrezik lëvizjen ndërkombëtare punëtore dhe vetë të ardhmen e popullit heroik shqiptar. Në plenumin e partisë rumune në nëntor 1961, George Georgiu tha se udhëheqësit e partisë shqiptare po marrin mbi vete përgjegjësi të mëdha, të cilat dëmtojnë interesat e Shqipërisë dhe të kampit socialist. Por cila ishte përgjigja e udhëheqësve shqiptarë ndaj këtyre kritikave të forumit socialist? Ata nuk i vunë veshin fare kritikave vëllazërore. Megjithëse aprovuan formalisht deklaratën e konferencës së 1960 dhe deklaruan me hipokrizi mbështetjen e tyre për dokumentin, përsëri vazhduan aktivitetin e tyre antimarksist dhe e fshehën të vërtetën e konferencës së Moskës nga komunistët e tjerë shqiptarë. Ata mashtruan popullin dhe partinë e tyre duke kaluar një rezolutë që aprovonte qëndrimin e partisë shqiptare në Moskë, e cila thoshte: “Deklarata mbështet linjën marksiste-leniniste që partia jonë mbajti në konferencën e Moskës si për politikën e jashtme, për bashkë-ekzistencën paqësore dhe ndërtimin e socializmit”. Historia e lëvizjes punëtore komuniste nuk ka parë kurrë më parë një mashtrim të tillë brenda radhëve të saj. Konferenca e Moskës luajti një rol të rëndësishëm për unitetin e kauzës komuniste. Dokumentet e konferencës, të hartuara në një atmosferë bashkëpunimi shprehën qëndrimin e përbashkët të parive vëllazërore mbi çështjet kryesore botërore, dhe u aprovuan unanimisht nga pjesëmarrësit. Viti që kaloi ishte dëshmi e korrektësisë së konkluzioneve të konferencës dhe ka hedhur poshtë pikëpamjet e atyre që duke mos kuptuar tendencën e zhvillimeve botërore dhe ndryshimin e balancave të fuqisë, kanë mbetur të ngatërruar në teoritë dogmatike të nacionalizimit sektarian.

Arritjet e BRSS

Gjatë kësaj periudhe u bë e qartë se pika kryesore e zhvillimeve botërore është ruajtja e paqes dhe e konkurrencës paqësore mes dy sistemeve kryesore, socializmit dhe kapitalizmit, mes të cilave socializmi hap pas hapi po parakalon pozicionet duke u bërë faktor deçiziv në zhvillimin e shoqërisë njerëzore. Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera socialiste kanë marrë masa të rëndësishme për të siguruar superioritetin ushtarak të bllokut kundrejt vendeve imperialiste. Vendet socialiste kanë një forcë madhore që mund të mbrojë arritjet e mëdha të socializmit dhe të shkatërrojë skemat e agresorëve imperialistë. Qeveria sovjetike jo vetëm me fjalë por dhe me vepra ka mbështetur moralisht dhe materialisht lëvizjet nacional-çlirimtare dhe pavarësinë e popujve të dobët. Deklarata për dhënien e pavarësisë të gjitha vendeve koloniale e propozuar nga qeveria sovjetike dhe Kombet e Bashkuara, u prit me entuziazëm nga të gjithë popujt që luftojnë për pavarësinë e tyre. Konceptet e saj u bënë një forcë magnetike në mbështetje të popujve liri-dashës. Arritjet e popullit sovjetik kanë bërë të mundur pranimin e një programi të ri të partisë për ndërtimin e socializmit në BRSS dhe në kampin botëror socialist. Duke ndjekur kursin e parashtruar në konferencën e partive vëllazërore në 1957 dhe në 1960, lëvizja komuniste është bërë më e fortë dhe ka arritur sukses në ruajtjen e paqes botërore dhe zgjidhjen e problemeve kryesore sociale. A nuk janë të mjerueshme këto përpjekje të partisë shqiptare për të hedhur dyshime mbi politikën leniniste të lëvizjes ndërkombëtare komuniste, duke ndryshuar qëndrimin e saj mbi deklaratat e përbashkëta me partitë vëllazërore? Duke u fshehur në flamurin e revolucionarizmit të majtë dhe në dogmat e tyre, udhëheqësit shqiptarë po ndryshojnë qëndrim mbi tezat kryesore të marksizëm-leninizmit, duke i zëvendësuar ato me linjën nacionaliste të aventurës e përçarjes. Është tipike nga udhëheqësit shqiptarë të pretendojnë se kanë vetëm ndryshime opinioni për disa probleme me BRSS. Por në fakt ata kanë nisur një fushatë kundër qëndrimeve të pranuara nga lëvizja botërore socialiste. Teoricienët e kotë të Tiranës po përdorin fabrikacione të ndryshme për të nxjerrë nga dheu argumente, për sa kohë që ato i shërbejnë qëllimeve të tyre të pista të diskreditimit të Bashkimit Sovjetik dhe përçarjes së uniteti brenda kampit socialit. Ata po ekspozohen si zëdhënës të oportunizmit dhe nuk kanë asgjë të përbashkët me frymën e Leninizmit, i cili karakterizon deklaratat e bllokut komunistë të viteve 1957 dhe 1960. Rreziku i këtij qëndrimi të mbajtur nga udhëheqësit shqiptarë nuk ka të bëjë vetëm me problemet private por me problemet bazë të kohëve tona, nga të cilat varet e ardhmja e qindra miliona njerëzve. Le të shohim disa nga këto probleme.

Çështja e luftës e paqes

Partia sovjetike me partitë vëllazërore besojnë se problemi i parandalimit të luftës botërore, e cila do të sillte shkatërrim dhe vuajtje të pamasa për popujt, është problemi kryesor i kohës sonë. Me rritjen dhe forcimin e botës socialiste dhe arritjet e saj në fushat e ekonomisë, shkencës e teknologjisë, ne kemi kapacitete të reja për zgjidhjen e problemeve kryesore në interes të paqes, demokracisë e socializmit. Ne këtë ne si komunistë arrijmë në konkluzionin se me forca të bashkuara në kampin socialist mund të arrijmë ruajtjen e paqes dhe evitimin e luftës. Si rezultat i rritjes së superioritetit të forcave socialiste ndaj forcave të imperializmit, pra i forcave të paqes përkundër forcave të luftës po afrohet mundësia reale e evitimit të luftës botërore nga jeta shoqërore. Megjithë përpjekjet kundër skemave agresive të imperializmit, ne si marksistë-leninistë mbështesim luftërat e popujve për liri dhe pavarësi. Kampi socialist po bëhet gjithnjë e më shumë një mburojë e sigurt për vendet e lira dhe socialiste, ndaj aventurave ushtarake të imperialistëve. Kuptohet lehtë që për sa kohë të ekzistojë imperializmi burimi dhe rreziku i luftës do të mbetet, prandaj deri në çarmatimin universal e të plotë të arsenaleve, vendet socialiste duhet të ruajnë fuqinë e tyre mbrojtëse në nivelin e duhur dhe të rrisin vigjilencën. Të gjitha aktivitetet e partisë sovjetike tregojnë se kjo linjë leniniste po jep rezultate të mëdha, të cilat po njihen nga e gjithë bota. Konkluzionet për mundësinë e evitimit të luftës në epokën tonë, u arritën që në konferencat socialiste të vitit 1957 dhe 1960 dhe i dhanë zemër popujve liri-dashës të rrisin unitetin dhe vigjilencën kundër politikave agresive imperialiste dhe në veçanti ndaj imperializmit amerikan. tentativat e vazhdueshme të forcave agresive imperialiste për rindezjen e flakëve të luftës, me agresionet e tyre në Egjipt, Liban, dhe skemat e tyre në Irak, kanë dështuar prej qëndrimit të vendosur të Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të tjera socialiste paqe-dashëse. Fakti që lufta u evitua me sukses është rezultat i punës së komitetit qendror të partisë sovjetike dhe ndërtimit të forcës parandaluese, si dhe rezultat i punës së partive vllazërore me aktivitetin e tyre paqedashës. Vendet imperialiste e kanë pranuar se sistemi botëror socialit tashmë është kthyer në faktor vendimtar në zhvillimet botërore. As presidenti i SHBA nuk guxon të flasë për superioritetin ushtarak të forcave kapitaliste. Dhe në fakt ai përmend “balancën” mes forcave të kapitalizmit dhe socializmit, duke treguar që kapitalizmi ka humbur tashmë pozitën dominues në botën aktuale. Por megjithë këto fakte, Hoxha dhe Shehu shtrembërojnë pozitën e lëvizjes ndërkombëtare komuniste dhe refuzojnë idenë e shmangies së luftës botërore. Ata thonë se ai që pranon një mundësi të tillë e bën vetëm në mëshirën e banditëve imperialistë. Megjithëse verbalisht ata e pranojnë nganjëherë mundësinë e evitimit të luftës, shqiptarët mendojnë se çështja e nisjes apo jo të një lufte varet tërësisht nga imperialistët. Çfarë do të thotë një opinion i tillë për popujt? Kjo d të thotë të jesh i dorëzuar dhe i pashpresë, ky qëndrim tregon për mungesën e besimit nga Shqipëria në rritjen e forcës së socializmit dhe paqes, dhe gjithashtu tregon se të gjitha deklaratat e tyre janë një kapitullim ndaj imperializmit. Kështu në fjalët e tyre revolucionare ne gjejmë në fakt konfuzion dhe frikë prej mikroborgjezie. Udhëheqësit shqiptarë do të donin që komunistët dhe forcat paqedashëse të botës të pranojnë se lufta është e paevitueshme, duke dobësuar përpjekjet për arritjen e paqes. Në fjalë të tjera ata duan që gjërat të dalin jashtë kontrolli dhe zgjidhja e problemit t’i mbetet imperialistëve. Është e thjeshtë të kuptohet se partitë marksiste-leniniste nuk do t’ia bëjnë kurë këtë favor imperialistëve. Partia sovjetike dhe partitë e tjera vëllazërore do të zgjerojnë përpjekjet e tyre në kauzën e shpëtimit të njerëzimit nga një tjetër luftë botërore. BRSS do të përdorë të gjithë fuqinë e tij në drejtim të paqes dhe do të shtypë aspiratat agresive të imperializmit, në interes të paqes dhe sigurisë së popujve.

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 55

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/12/2018 - 07:11

CIA ka dhënë detaje nga misionet e saj për rekrutimin shqiptarëve, me qëllim përdorimin e tyre për të rrëzuar regjimin komunist.

Postuar: 14/12/2018 - 07:01

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin dhënë urdhër të prerë në vitin 1950 që Tito të mos kishte

Postuar: 13/12/2018 - 07:04

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi situatën pas çlirimi të Shqipërisë nga nazistët.

Postuar: 11/12/2018 - 07:08

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi arsyet që çuan në vendosjen e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe B

Postuar: 09/12/2018 - 07:10

Në vitin 1949 CIA po përdorte shumë tentativa për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës.

Postuar: 08/12/2018 - 07:17

Amerikanët kanë nxjerrë detaje se si regjimi komunist kishte në kontroll gjithçka.

Postuar: 07/12/2018 - 07:09

Edhe pse Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndërmarrë me dhjetra operacione gjatë regjimit komu