BREAKING NEWS

Restoranti ku u infektuan me koronavirus 90% e të prekurve, dalin përgjigjet për 18 persona në Elbasan

Restoranti ku u infektuan me koronavirus 90% e të prekurve, dalin
x

Dossier

CIA zbërthen ndikimin që kishte Nexhmija te Enver Hoxha, roli i saj në Partinë Komuniste dhe hipotezat mbi pasojat e vdekjes së saj

CIA zbërthen ndikimin që kishte Nexhmija te Enver Hoxha, roli i saj

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi marrëdhëniet mes diktatorit Enver Hoxha dhe bashkëshortes së tij Nexhmijes. CIA ka publikuar rrëfimin e një bashkëpunëtori të saj në Shqipëri, i cili pyetet nëse do të kishte ndikim te Hoxha vdekja e bashkëshortes. Nuk kuptohet nëse CIA po mendonte eliminimin e saj, por dyshimet janë të mëdha.

24 shkurt 1964

Në përgjithësi X thotë se do të ishte e padrejtë të mos pritej prekja e Enver Hoxhës nga vdekja e bashkëshortes së tij, kur kanë kaluar thuajse 20 vite të martuar. Gjithsesi X shpreh se gjithsesi nuk mendon se do të ketë një ndryshim thelbësor e të konsiderueshëm qoftë në rrafshin psikologjik apo në çdo anë tjetër të Enver Hoxhës si person apo si lider i Partisë së Punës së Shqipërisë. Nga analiza e X del se Hoxha është një person që nuk njihet për anën e tij emotive dhe sentimentale, ai ka qenë mësues i vetvetes në rrugën e pushtetit, por gjithsesi padyshim që ka pasur edhe mbështetjen dhe inkurajimin moral të bashkëshortes së tij në rrugën drejt pushtetit.

Sipas opinionit të X, mungesa e gruas, do ta shtynte Enver Hoxhën të kërkonte një suport psikologjik nga Mehmet Shehu, të paktën në të ardhmen e afërt.

 

Rrëfimi i subjektit X

Në ngjarjen e vdekjes së Subjektit (Nexhmije Hoxhës), rezultati përfundimtar do të ishte krijimi i një marrëdhënieje më të afërt mes Enverit dhe Mehmetit. 20 vite të jetesës sëbashku, është një periudhë mjaftueshëm e gjatë në jetën e një çifti dhe është normale që vdekja e një partneri do të ketë ndikimin e vet tek partneri tjetër. Në rastin specifik të Enverit dhe Nexhmijes, kjo bashkëjetesë ka përveç anës sasiore (periudhë 20-vjeçare), edhe anën cilësore (një periudhë me turbulenca që automatikisht e bashkon çiftin në një bashkëjetesë simbiotike më të fortë). Në këtë lidhje, është e rëndësishme të theksohet se faza e parë e kësaj simbioze i përket viteve të fundit të pushtimit dhe luftës partizane; faza e dytë i përket viteve të vështira për Enverin (1945-1948) kur presioni Jugosllav ishte gjithmonë në rritje dhe po synonte zëvendësimin e tij si numri 1 në Partinë Komuniste Shqiptare me Koçi Xoxen; në këtë fazë të dytë ndikimi kryesisht moral i Nexhmijes për bashkëshortin e saj Enverin, ka qenë ekstremisht i rëndësishëm. Sipas lidhjeve në Tiranë, thuhet se letra e Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Bolshevike lidhur me situatën në Partinë Komuniste Jugosllave, që parapriu rezolutën e qershorit 1948 Beograd-Moskë, iu dorëzuar në një mënyrë tejet konfidenciale Enverit nga ambasadori sovjetik në Shqipëri. Detajet e letrës i ishin bërë të njohura Nexhmijes nga Enveri madje edhe më parë se t’ia bënte të ditura Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Shqiptare. Letra fillimisht iu tregua Nexhmijes, më pas Mehmet Shehut e Bedri Spahiut dhe në fund e shfaqi hapur dhe e hodhi për diskutim në Komitetin Qendror.

Triumfi mbi Xoxen

Faza e tretë përfshin padiskutim triumfin e Enver Hoxhës mbi Koçi Xoxen, që është koha që kaloi nga Kongresi i Parë i Partisë Komuniste Shqiptare, por në të njëjtën kohë kjo fazë përfshinte rivalitetin e Enver Hoxhës me Mehmet Shehun (Në këtë lidhje është e rëndësishme që të theksohet që elementet “Mehmetistë” nuk janë emëruar kurrë në aparatin e Agjitacionit dhe Propagandës të Komitetit Qendror, e cila gjatë të gjithë kohës drejtohej nga Nexhmije Hoxha, në fakt janë mbajtur qëllimisht të ndarë nga ky sektor i rëndësishëm). Faza e katërt i përket periudhës që fillon me konfliktet mes Moskës dhe Tiranës, periudhë kjo kur rivaliteti mes Enverit dhe Mehmetit e humbet intensitetin. Në këtë fazë gjithashtu të gjitha të dhënat çojnë në përfundimin që Nexhmija ka qëndruar krah bashkëshortit të saj dhe e ka mbështetur atë. Në simbiozën Enver- Nexhmije, sipas opinionit tim, sa më shumë i madh ka qenë problemi, aq më shumë i fuqishëm është bërë Enveri, kjo për shkak të natyrës së tij këmbëngulëse dhe personalitetit të tij që kërkonte gjithmonë të binte në sy. Pas maskës së shokut të mirë, të cilën dinte ta mbante shumë mirë, Enveri ka vepruar gjithmonë, çka përshtatet me natyrën e tij të vërtetë. Një diplomat anadollak me kapacitet të madh për të manovruar mes anëtarëve të partisë; një politikan i zgjidhjeve ekstreme; edhe pse në pamje i dobët, ai ka qenë gjithmonë një burrë i cili ka marrë vendime shumë të guximshme (edhe pse nuk zotëron nxitimin, ekspresivitetin dhe kapriçot e Mehmetit); thyerja (prishja) e marrëdhënieve gjatë luftës; braktisja e Titos dhe hapja e luftës kundrejt tij; përçarja e fundit me Moskën,- të gjitha këto i atribuoheshin kryesisht insistimit personal të Enverit.

 

Roli i Nexhmijes

Nga ana e saj, bashkëshortja e tij, Nexhmija nuk ka qenë kurrë e dalluar për marrje të vendimeve të guximshme si burri i saj, ajo ka qenë një person e cila bie shpejt nën ndikimin e presionit të të tjerëve. Gjithsesi përveçse një grua në politikën reale dhe me prirje në biznes, ndoshta ajo ka qenë një nga gratë më intelektuale që ka pasur ndonjëherë Partia Komuniste Shqiptare. Shkollimi i saj ka qenë më shumë autodidakt, por gjithsesi ka qenë shumë e dhënë pas leximit të librave. Gjatë fazës së dytë (të përmendur më lart), Naxhie Duma ishte ajo që kishte marrë të gjithë fuqinë. Ajo ishte anëtare e Komitetit Qendror, e para ministre femër dhe e preferuara e Koçi Xoxes. Gjithashtu në kohën e përçarjes mes Tiranës dhe Moskës, disa të dhëna tregojnë se ajo dhe gruaja e Mehmetit, Fiqrete Shehu, ishin të tronditura dhe tregonin shenja frike dhe ishin të gatshme të braktisnin postet. Si konkluzion del se në marrëdhënien simbiotike Enver-Nexhmije, Enveri ishte anëtari vendimmarrës i çiftit. Kështu që unë nuk besoj që vdekja e Nexhmijes nuk do të sillte asnjë ndryshim në pozicionin e Enverit pasi kohët e fundit gjithmonë e më shumë Enveri po shfaqet i ftohtë dhe aspak sentimental.

Karteri i Hoxhës

Karakteristikat e Enverit për të rënë në sy janë në proporcion me egon e tij për tu ndjerë i adhuruar. Kjo ego e tij nuk lë shumë vend për të tjerë, edhe nëse këta të tjerë do të përfshinin edhe gruan e tij me të cilën ka 20 vite që jeton, mes ditësh të mira e të këqija, në trazira dhe paqe, në rrezik dhe triumf. Gjithsesi vdekja e Nexhmijes do të ketë paksa efekt tek Enveri, si të ishte Nexhmija një person i dorës së dytë apo tretë. Qenia për thuajse çerek shekulli në krye të Partisë, si numri një i saj, Enveri gjithmonë është përballur, edhe pse ndonjëherë nuk e ka dëshiruar, me nje rreth intrigash dhe rivalitetesh, divergjencash dhe armiqsh, të hapur ose të fshehur, ambicie personale apo pasione, xhelozi apo smirë. Enverit i është dashur të hapë ndonjëherë zemrën, ndonjëherë ka pasur nevojë për mbështetje morale, ndonjëherë të mbante zi për humbjet e tij, ose të diskutonte planet dhe dëshirat. Për këtë nuk mund të gjendej një person më shumë i përshtatshëm se bashkëshortja e tij Nexhmija. Duhet të mos harrojmë në këtë lidhje faktorin e mirënjohur psikologjik: e keqja, errësira dhe ndjesinë e pronësisë. Është natyrale që Nexhmija ka qenë për 20 vite personi i vetëm ku Enveri besonte rrëfimet e tij dhe mbajtësja unike e sekreteve të tij. Vetë natyra e Nexhmijes duket se ka ndihmuar në rrëfimin e Enverit tek ajo. Në të vërtetë, sipas opinionit tim, Nexhmija ka qenë një person, i cili tregonte një kuptueshmëri dhe ndjeshmëri ndaj problemeve të të tjerëve. Në biografinë e dorëzuar më parë nga unë për personin e saj, kam nënvizuar mes të tjerash: “Konsiderohet si një nga anëtarët më liberale të Komitetit Qendror.. e sjellshme dhe e afrueshme. Ndryshe nga shumica e kolegëve të saj, të krijon eupati dhe një ndjenjë shoqërueshmërie dhe afërsie mes Komunistëve, të cilët e kanë njohur anën e saj të ndjeshme... dhe ka merita intelektuale”. Kjo butësi e Nexhmijes, edhe pse nuk ishte vendimtare, gjithsesi ndikonte në një sasi tepër të vogël edhe tek bashkëshorti i saj dhe politikat e tij të mëvonshme. Kur njerëzit jetojnë bashkë për një kohë të gjatë, ato marrin nga njëri-tjetri një gjë sado të vogël. Me zhdukjen e Nexhmijes, mendoj se karakteri më i egër që ka brenda tij Enveri, do të dalë në pah dhe do të bëhet më i dukshëm e i spikatur. Ndoshta, në mungesë të një personi që ishte shumë e afërt me të (me zhdukjen eventuale të Nexhmijes), Enveri do të kërkojë diku tjetër mbështetje morale dhe psikologjike. Natyrisht hë për hë unë personalisht e përjashtoj mundësinë që këtë mbështetje ai ta kërkojë në elementin femër. I mbeten për të kërkuar mbështetje, në moshën e tij të sotme mbi 50-vjeçare, fëmijët që ka nga Nexhmija (3 djem, më i madhi i të cilëve rreth 15 vjeç ). Por fëmijët kurrë nuk mbushin, sidomos kur janë të vegjël, boshllëqe të tilla. Personi tek i cili, sipas opinionit tim Enveri do të kërkojë në të ardhmen imediate mbështetje psikologjike, është Mehmeti. Dhe natyrisht ky i fundit do të bëjë çmos që të përfitojë nga situata e favorshme për të. Kështu pra, pranohet si e vërtetë hipoteza e mësipërme se vdekja e Nexhmijes do të ketë si pasojë afrimin e madh të Enverit me Mehmet Shehun (jo të Mehmetit me Enverin). Sa për aparatin e Agjitacion Propagandës pranë Komitetit Qendror, unë mendoj se ky aparat (Drejtoria Qendrore e tij) edhe pa praninë e Nexhmijes, do të vazhdojë të mbetet kryesisht një organ i Enverit.