Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dëshmitë pranë CIA, zbardhen të fshehtat e themelimit të grupeve të para komuniste, ja si bëhej organizimi nga Korça në Shkodër dhe roli i jugosllavëve

Postuar: 16/10/2019 - 07:07

Në vijim të numrit të kaluar, gazeta po tregon të tjera detaje nga rrëfimi që një prej ish-anëtarëve të Partisë Komuniste ka bërë pranë CIA. Ai ka treguar të gjithë organizimin e PKSH, që nga themelimi i saj e deri në sundimin e Hoxhës. Sot po tregojmë rrëfimin e tij mbi grupet e para komuniste që u krijuan në vend, duke pasuar dhe krijimin e Partisë Komuniste.

31 janar 1957

Raport Partia e Punës

(Vijon nga numri i kaluar)

Grupet e para komuniste në Shqipëri ishin Grupi i Korçës, Grupi i të Rinjve, grupi komunist i Shkodrës, Grupi i Zjarrit dhe Grupi i Niko Xoxes. Grupi i Korçës ishte organizuar rreth vitit 1930 nga Ali Kelmendi, i arratisur nga Shqipëria në moshë të re me ardhjen e Zogut. Ai qëndroi në Shqipëri 2-3 vite dhe u arratis përsëri si anti-zogist dhe vdiq në Marsejë të Francës në 1937. Në varrimin e tij kishte kurorë nga Kominterni rus e Partia Komuniste e Francës, çka tregon se ishte njëfarë figure politike. Vendin e tij e zuri Koço Tashko, që me sa kam dëgjuar nuk i kishte meritat e Kelmendit. Grupi i Korçës përbëhej nga punëtorë dhe organizoi i pari grupet sindikale si bashkimin Punëtor të Marangozëve, bashkimin e rrobaqepësve etj. Megjithëse quhej grupi i Korçës, aktiviteti i tij shtrihej edhe në Tiranë, Gjirokastër dhe ndonjë qytet tjetër. Kjo bëri që Korça të pësonte goditje nga policia e Zogut, e cila arrestoi dhe internoi shumë pjestarë të grupit, pasi u tradhtuan nga një aleat i tyre, konkretisht Niko Xoxi. Grupi i këtij të fundit kishte celula me nga tre anëtarë dhe një përgjegjës, domethënë katër gjithsej. Çdo anëtar punonte ilegalisht me simpatizantë të grupit nga ku më pas rekrutoheshin anëtarë. Puna e tyre ishte aq konspirative saqë simpatizantëve u lihej të besonin se ishin anëtarë. Intelektualët ishin shumë të paktë dhe studentë nuk kishte fare. Koço Tashko ka qenë më pas shef i plotfuqishëm i Grupit të Korçës, me bashkëpunëtorë të afërt Stefo Grabocka, Llambi Dishnica, Pilo Peristeri, Koçi Xoxe, Gaqo Nasta. Grupi nuk kishte asnjë forum udhëheqës dhe kryetari ishte vetë Ali, vetë Kadi. Ky grup ka zhvilluar më shumë aktivitet me popullin se të tjerët dhe ka mbajtur pak a shumë vijë të drejtë si grup komunist. Ai e konsideronte fshatarësinë si aleate të mundshme, si një forcë rezervë të punëtorisë, ndërsa inteligjencën e konsideronte si forcë e dytë pas punëtorëve. Grupi konsideronte të domosdoshëm aktivitetin me masat për rritjen e autoritetit dhe radhëve të tij, për të zëvendësuar ata që do të kapeshin ose vriteshin nga policia. Grupi e konsideronte kallëzimin në polici si tradhti, sado të mëdha të ishin torturat. Konsideronte si armiq si regjimin e Zogut dhe pushtuesit fashistë. Ishin pikërisht meritat e këtij grupi që bënë që Miladin Popoviç t’i jepte anëtarëve të tij prioritet në postet udhëheqëse të partisë.

Grupi komunist i të Rinjve

Ky grup u organizua pas viteve 1930 si degëzim i shkëputur nga Grupi i Korçës, kreu i tij ishte Anastas Lula me pseudonimin Qorri. Quhej grupi i të rinjve sepse e konsideronte veten më të ri nga grupi i Korçës. Qendra e tij ka qenë në Tiranë, por ka pasur aktivitet dhe në Korçë e Shkodër. Nga organizimi ishte grup i izoluar, pa aktivitete dhe lidhje me punëtorët. Grupi nuk kishte celula, me një strukturë vertikale që nga kreu deri në bazë; domethënë Lula ishte shefi dhe kishte lidhje personale vetëm me Zef Malën dhe teorikisht vetëm ai duhet ta njihte. Nasi Mariani ishte numri 3. Baza e këtij grupi ishin intelektualët dhe studentët e klasave të larta të gjimnazit. Punëtorët ishin të paktë. Të rinjtë kishin më shumë anëtarë se grupi i Korçës, por ky i fundit bëhej më shumë duke llogaritur simpatizantët. Goditjet e Zogut e dëmtuan rëndë dhe këtë grup, por ata nuk u shpërndanë si grupi i Korçës. Ata nuk bashkëpunuan me grupin e Korçës para formimit të partisë, por kanë bashkëpunuar pak me grupin e Shkodrës dhe të Nike Xexit. Grupi i të rinjve e quante operacionin italian në Shqipëri si pozitiv për lëvizjen revolucionare sepse fashizmi do ta industrializonte Shqipërinë dhe do të eliminonte fermat feudale, që sipas tyre ishte një përparim shoqëror në vend. Kjo do të krijonte kushte për shpejtimin e revolucionit prandaj Grupi i të Rinjve besonte se fashizmi nuk duhej luftuar të paktën për disa vjet. Në krahasim me grupin e Korçës ata ishin më pak të varur nga Moska dhe Kominterni.

Grupi i Shkodrës

Grupi komunist i Shkodrës ishte grupi i tretë komunist që u shkri me formimin e Partisë Komuniste shqiptare. Ai lindi më vonë se Grupi i Korçës dhe si fraksion i shkëputur nga Grupi i të Rinjve. Kryetar i grupit ishte Zef Mala. Quhej kështu sepse qendra e aktivitetit të tij ishte Shkodra, por ka pasur influencë dhe në Tiranë e Durrës. Ishte një grup më i izoluar se i Korçës, por më i madh se i Të Rinjve. Grupi krijoi lidhjet e pra punëtore në Shkodër, por nuk kishte strukturë të organizuar. Celulat e tij ishin nganjëherë treshe e nganjëherë shtatëshe, nganjëherë kishte strukturë vertikale pa celula. Pësoi goditje të rënda nga milicia e Zogut në 1937. Nuk kishte më shumë se 100 anëtarë. Nën shembullin e grupit të të rinjve, pas goditjeve Grupi i Shkodrës refuzoi të shpërndahej, por bëri njëfarë spastrimi duke larguar elementët që nuk rezistuan para policisë. Në periudha të ndryshme bashkëpunoi me Grupin e Të Rinjve dhe grupin e Nike Xexit. Pas formimit të Partisë Komuniste ka qenë grupi i dytë më i rëndësishëm. Baza e tij ishin intelektualët e punëtorët. Ka qenë grup me aktivitetet të madh në popull, duke ruajtur një vijë politike të ndërmjetme e kompromisit. Ata kishin bërë për vete linjën e narodnikëve mbi “heronjtë”, por nuk mohonin rolin e fshatarësisë dhe të punëtorisë. Grupi i Korçës i jepte prioritet absolut praktikës, Grupi i Të Rinjve teorisë, ndërsa Grupi i Shkodrës i bashkonte të dyja duke mos njohur asnjërën si prioritare. Ata e konsideronin armik regjimin e Zogut, ndërsa ashtu si Të Rinjtë, pushtimin italian e konsideronin si pozitiv në teori, por jo në praktikë, pasi besonin se fashistët duheshin luftuar për të fituar kredi morale e politike. Këto të treja ishin grupet që pranuan të shkriheshin në një parti të vetme komuniste me platformë të përbashkët. Dy grupet e tjera, domethënë Grupi i Zjarrit dhe ai i Niko Xexit nuk pranuan të heqin dorë nga autonomia e idetë e tyre. Ata i përkisnin më shumë Internacionales së Katërt me më shumë simpati për Trotskin sesa Stalinin, dhe urrenin njëlloj si Rusinë sovjetike, ashtu dhe Anglinë, Francën e SHBA, me teori të theksuara anarki-narednike.

Grupi i Zjarrit

Grupi i Zjarrit ishte më i vjetri komunist, i krijuar para Grupit të Korçës, nga elementë që kishin kaluar kohë në Greqi, si studentë ose punëtorë. Ky grup kishte vetëm shefa e jo anëtarë. Shumica ishin intelektualë e autodidaktë. Mes tyre ishte Spiro Koleka, njëfarë Xhelal Rusi etj, se emrat e tyre janë harruar prej kohësh. Grupi pretendonte se kishte vulën e Kominternit, që ishte një gënjeshtër për ta vënë veten në pozita të privilegjuara. Ata nuk ishin asgjë më shumë se komunistë të sallonit, politikanë kafenesh apo përparimtarë, siç e kërkonte moda asokohe. Bagazhi i tyre politik përmbante tërë idetë e Trotskit dhe në të njëjtën kohë teoritë e “anarki-marksizmit grek”, rrymës së lindur brenda Partisë Komuniste greke në vitet 1930. Pas formimit të partisë ky grup u shpartallua. Shumë nga anëtarët e tij u bashkuan në Partinë Komuniste dhe më vonë arritën të marrin poste, si Spiro Koleka. Të tjerë si Xhelal Rusi e Andrea Varfi, u pranuan në parti gjatë luftës por pasi nuk arritën të forconin pozitat e tyre u përjashtuan si të padëshirueshëm. Ata që mbetën autonomë hoqën dorë nga aktiviteti prej frikës së arrestimit nga italianët apo vrasjeve misterioze nga vetë Partia Komuniste. Ata nuk kanë pasur ndonjëherë influencë, por i përmenda këtu për të plotësuar panoramën historike të lëvizjes komuniste në Shqipëri.

Grupi i Niko Xoxes

Grupi i Niko Xoxes u krijua thuajse në të njëjtën kohë me grupin e Të Rinjve nga titullari i tij, që ishte një punëtor autodidakt i kthyer në Shqipëri në 1932 pas disa vitesh në Greqi. Grupi kishte strukturë të thjeshtë vertikale, ashtu si Grupi i të Rinjve. Për saktësi duhet të theksoj se në origjinën e fraksionit të Anastas Lulës dhe ndarjes së tij nga Grupi i Korçës, qëndronte vetë Niko Xoxe, që ishte si të thuash eminenca e hirtë e “Qorrit”, sepse kërkonte të shtinte në dorë fraksionin e këtij të fundit, por Qorri preferoi të ruante shefllëkun për vete. Anëtarët e këtij grupi besonin se nëse dikush kapej nga policia duhet të tregonte gjithçka dhe më pas t’i mohonte në gjyq, duke e kthyer atë në një tribunë të komunizmit. Por e vërteta është se me këtë teori të çuditshme të shpikur nga Xoxe, ata tradhtojnë shokët e tyre. Kur më parë Xoxe ishte arrestuar nga xhandarmëria e Zogut kishte rrëfyer çdo gjë që dinte, edhe pse të tjerët i ngordhën në dru e nuk rrëfyen gjë. Niko që me kopaçen e parë i tregoi të gjitha dhe për të justifikuar sjelljen e tij në burg nxori dhe teorinë e tij. Duhet të theksoj se influenca e grupit të Niko Xoxes është pak më e madhe se ajo e Grupit të Zjarrit. Rekrutët e tij ishin studentë dhe aktiviteti përqendrohej në luftën ndaj grupeve të tjera për t’i rrëmbyer anëtarët. Ai nxirrte një buletin të shtypur ilegalisht gati çdo dy tre muaj, ku shante grupet e tjera. Xoxe u vra në mënyrë misterioze nga partia sepse ekzistonte frikë se mos shkonte në polici dhe i tregonte të gjitha. Studentët e grupit të tij shkuan me partinë ose rininë komuniste.

Përgjigje e pyetjes II:

Si filloi aktiviteti dhe cilat qytete u organizuan celulat?

Duke filluar aktivitetin e saj klandestin si organizatë unike pas 8 nëntorit 1941, Partia Komuniste shqiptare kishte mbështetjen kryesore në punën politiko-organizative-ushtarake dhe si krah të djathtë, rininë komuniste shqiptare. Më parë në Shqipëri nuk kishte organizatë të posaçme rinie dhe pa këtë Partia Komuniste nuk do të kishte mundur të zhvillonte aktivitetin e saj në shkallë të gjerë. Rinia komuniste i dha atëherë partisë numrin më të madh të viktimave, gjak të ri, energji dhe forcë. Rinia studentore ishte e lehtë për t’u organizuar sepse qe e grumbulluar gënjehej lehtë sepse i mungonte eksperienca e jetës dhe hidhej në aksion sepse e urrente Zogun dhe fashizmin okupator. Ajo bëhej shpejt revolucionare sepse të tilla janë aspiratat e moshës së re. Dua të theksoj se në nëntorin e 1941 Partia Komuniste nuk kishte më shumë se 240 anëtarë. Gjysma e tyre ishin në Tiranë dhe Korçë, ndërsa më pas vinin Shkodra, Durrësi, Vlora, Elbasani. Qarku i Beratit kishte vetëm një celulë komuniste, ndërsa në Peshkopi nuk kishte asnjë, ashtu si dhe në Kukës. Partia kishte komitete qarkore vetëm në Tiranë dhe Korçë. Në Shkodër, Durrës, Gjirokastër e Vlorë kishte në të dërguar të komitetit qendror që drejtonte celulat. Por megjithë numrin e kufizuar të aktivistëve, në fund të vitit 1941 influenca e partisë komuniste ishte shumë më e madhe se numri i anëtarëve. Kjo shpjegohet me faktin se kishte shumë simpatizantë, që më vonë u quajtën kandidat partie, si dhe me përfshirjen e rinisë. Kështu që dy muaj pas formimit të saj, partia drejtonte direkt ose tërthorazi mijëra njerëz, sidomos të rinj. Çdo komunist duhet t’u thoshte miqve e shokëve të tij të merrnin me vete miqtë e shokët e tyre në filan datë të mblidheshin në shtëpinë e vet në mbledhje. Nga këto grupe anëtari i partisë zgjidhte ata më të hedhurit, më revolucionarët dhe u linte takimin e radhës. Të rinjtë komunistë pas njëfarë stazhi, rekrutoheshin individualisht e jo në grup, si anëtarë të partisë. Kështu në fund të vitit 1942 numri i anëtarëve të partisë arriti në 400. Partia ishte në ilegalitet dhe ruhej shumë nga goditjet e policisë shqiptare e italiane. Kështu partia e bënte punën me levat e saj, pra me organizatën e rinisë komuniste dhe me simpatizantët. Deri në 1942, pra më pak se një vit pas formimit, partia komuniste kishte një strukturë të përshtatshme për punë klandestine. Komitetet qarkore lidheshin direkt me komitetin qendror. Menjëherë pas komiteti qarkor vinte komiteti qarkor i rinisë. Komiteti qarkor zakonisht përbëhej nga 7 veta; sekretari politik ishte i pari, i ndjekur nga sekretari organizativ, përgjegjësi ushtarak që merrej me çështjet e çetave partizane në mal, përgjegjësi i agjitacionit e financës që merrej me shtypjen e trakteve dhe administrimin e fondeve, përgjegjësi i simpatizantëve të partisë, përgjegjësi/përgjegjësja e grave.

Pranë Komiteti Qarkor të Partisë kishte 2 anëtarë partie që ishin 1) përgjegjësi teknik që merrej me sigurimin e bazave ilegale në qytet, përcjellja e ilegalëve jashtë qytetit, korrespondenca, ndërsa tjetri ishte komandant i njësiteve guerile në qytet. Siç thashë çetat partizane lidheshin me përgjegjësin ushtarak të qarkorit, ndërsa njësitet guerile me elementë ilegalë luftonin jo vetëm armikun por dhe kontrollonin anëtarët e partisë. Ata kryenin atentate e sabotazhe.

Celulat e partisë ishin të organizuara në 7 anëtarë, secili me përgjegjësi të caktuar. Celula lidhej me masën e grave, me masën e rinisë, me njësitet guerile dhe shtresa të tjera të popullsisë (grupet e simpatizantëve ishin në realitet celula partie, me të cilat kontrolloheshin elementët e rinj në parti dhe u pritej rruga provokatorëve e njerëzve të dyshimtë. Kjo ishte struktura organizative e partisë komuniste në 1941 e 1942, e cila me ndryshime shumë të vogla vazhdoi deri në fundin e luftës kur komunistët erdhën në pushtet. Do të shpjegoj tani asketin politik pasi nëse nuk shpjegova fillimisht formën e punës ana politike mund të mos kuptohet.

Grupet e vjetra

Grupet e vjetra komuniste para nëntorit 1949 kishin një vijë politike që nuk mund t’i afronte me popullin sepse ishin shumë të përçara. Në çështjet e moralit, parimet e vjetra moraliste të grupit të të Rinjve u dënuan nga partia. Komunistë me koral aq të degjeneruar ishin të urryer jo vetëm për shqiptarët por dhe për opinionin publik francez e italian, që njihen si mjaft ‘të lirë’ në këtë drejtim. Megjithë akuzat e Ballit Kombëtar për moralin e komunistëve, e vërteta është se partia deri në prag të çlirimit ka qenë tepër ekzigjente. Disa partizanë e anëtarë partie janë pushkatuar sepse kanë hyrë në marrëdhënie seksuale me forcë. grindjet familjare u ndaluan, përveç rasteve kur prindërit bëheshin pengesë për aktivitetin e të rinjve. Më përpara elementët e grupeve kishin detyrë të ndërprisnin lidhjet familjare me të vjetrit me qëllim që të tregonin ‘indipendencën’ dhe ‘revolucionarizmin’ e tyre. Në orientimin politik u vu në plan të parë propagandizimi i Bashkimit Sovjetik, duke dënuar opinionin e grupit të të rinjve që thoshte se marrëdhëniet e Shqipërisë duhet të ishin të njëjta si me ato në Bashkimin Sovjetik ashtu dhe në shtetet kapitaliste. Kjo pikëpamje u dënua rëndë dhe u tha se Rusia nuk mund të veprojë si shtet kapitalist.

Orientimi i vendit

Edhe orientimi brenda vendit ndryshoi thellësisht. Grupi komunist i Korçës bënte një politikë shumë krasiste me objektiv të afërt “Shqipërinë sovjetike”. Miladin Popoviç sipas udhëzimeve të tij nga jashtë futi në program “Shqipërinë demokratike popullore” që ishte një taktikë e re e nisur nga parimi se partia komuniste duhet të kamuflohej në mënyrë që të grumbullonte rreth vetes të gjitha forcat e vendit pavarësisht nga origjina e tyre, në një aleancë me shtresat e shtypura kundër elementit shfrytëzues. Fokusi po kthehej nga pushtimit fashist. Më tej partia premtonte se pas çlirimit nuk do të kishte diktaturë, por demokraci, reformat nuk do të bëheshin në rrugën sovjetike por liberale, etj. etj. Të gjitha klasat si gratë e rinia shikonin me shpresë këtë program, ku sipas fjalëve sektarizmi i vjetër i kishte lënë vendin liberalizmit të ri të ndritur, i cili në fakt maskonte qëllimet e vërteta të partisë komuniste, për ta paraqitur ujkun si qengj. Ky program i ndihmuar nga idetë e atdhedashurisë me luftën kundër okupatorit italo-gjerman, i dha të gjitha mundësitë partisë të afrohet me masat dhe të vihet në udhëheqje të tyre, me çetat partizane.

Rritja e autoritetet dhe e prestigjit të partisë ndodhi shpejt, aq sa 5 muaj pas themelimit të saj ajo organizoi njësitë e para partizane në mal. Duhet të shpjegoj se pushtimi fashist kishte sjellë një anarki në vend, karabinieria e okupatorit nuk mund të sillte siguri për fshatarin. Në mal kishin dalë hajdutë që sistematikisht grabisnin fshatarët, një traditë kjo e lënë në Shqipëri që prej pushtimit otoman. Pra atë që nuk mundën ta bënin xhandarmëria italiane, vendosjen e qetësisë dhe rendit, e bënë çetat partizane. Çetat komuniste u përpoqën që dhe çetat e hajdutëve të malit t’i kthenin në partizanë por ata nuk pranuan prandaj u ndoqën dhe u luftuan...

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/11/2019 - 07:14

Amerikanët kanë hedhur të tjera detaje mbi zhvillimet gjatë regjimit komunist.

Postuar: 13/11/2019 - 07:11

Shërbimi amerikan i CIA ka deklasifikuar të tjera dokumente për Shqipërinë.

Postuar: 12/11/2019 - 07:10

Amerikanët kanë hedhur sërish dritë mbi zhvillimet në sistemin komunist.

Postuar: 09/11/2019 - 07:09

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 08/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 05/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit