Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Detajet, ja reagimi i DASH për situatën në Shqipëri pas çlirimit nga nazistët, kërkesë Enver Hoxhës për të zhvilluar zgjedhje demokratike

Postuar: 06/10/2019 - 07:35

Gazeta amerikane “Nju Jork Times” ka hedhur detaje mbi marrëdhëniet mes SHBA dhe Shqipërisë pas çlirimit të vendit. Gazeta ka treguar qëndrimin e DASH, ku Shqipërisë dhe Enver Hoxhës i kërkohej mbajtje zgjedhjeve demokratike.

13 korrik 1945

Greqia pretendon zonën jugore të Shqipërisë

Situata në veri të Greqisë bëhet gjithnjë e më delikate dhe ndihmohet nga mungesa e unitetit politik në vend. Kryepeshkopi Demaskinos tha se megjithë kontributin e Greqisë në luftën anti-naziste, qytetarët e saj në Shqipëri, vend i cili ka luftuar për llogari të Aksit Nazist, po keqtrajtohen, prandaj një forcë ndërkombëtare duhet të dërgohet atje për të ruajtur rendin. Më tej ai shtoi: “Greqia ka gjithashtu pretendime të forta territoriale për Epirin e veriut, ose Jugun e Shqipërisë. Pro problemi është se shumë nga njerëzit tanë po vuajnë nga persekutimi. Me mijëra grekë ortodoksë po persekutohen, burgosen dhe ekzekutohen. Ne kemi dërguar një notë proteste për këtë te fuqitë e mëdha dhe kemi sugjeruar që trupat Aleate të vendosin kontrollin atje”. Ai theksoi se Greqia nuk ka lidhje me qeverinë e majtë të Hoxhës në Tiranë dhe se Jugosllavia e Marshall Titos gjithashtu ka sulmuar Greqinë. “Ne kemi pasur prej kohësh marrëdhënie të mira me Jugosllavinë, prandaj është shumë shqetësuese tendenca e tyre kohët e fundit. në lidhje me pretendimet e Titos se Greqia po terrorizon minoritetin sllav në Maqedoni, kam marrë një telegram nga Guvernatori i Maqedonisë. Ai thotë se jo vetëm që nuk ka maqedonas që po shkojnë nga Greqia drejt veriut por nuk ka pasur asnjë kalim në rajonin mes Kastoria, Follorina dhe Edesa. Gjithsesi banda sporadike sllavo-maqedonase kërkojnë të terrorizojnë fshatrat në anën tonë të kufirit. Duhet të disiplinohen bullgarët dhe shqiptarët të cilët nuk kanë luftuar me ne por me forcat e Aksit Nazist. Ata kanë pushtuar Greqinë nën mbrojtjen e gjermanëve dhe kanë vrarë e plaçkitur si njerëz të egër. Ata kanë ndryshuar dhe mbishkrimet e vareve të vjetra në tentativat e tyre për të sllavizuar rajonin”, tha ai.

11 nëntor 1945

Tre fuqitë e mëdha aprovojnë regjimin në Shqipëri

Shtetet e Bashkuara njoftuan zyrtarisht qeverinë e përkohshme të Shqipërisë për gatishmërinë e tyre mbi dhënien e njohjes sipas disa kushteve që iu njoftuan autoriteteve me anë të një letre në Tiranë të dorëzuar nga Joseph E. Jacobs, kreu i misionit informal amerikan atje, për kryeministrin Enver Hoxha. Veprimi i mor në përgjigje të kërkesës në fjalë nga Shqipëria dhe vetëm pas konsultimeve me qeveritë e fuqive të mëdha aleate. Britania i ka dërguar Shqipërisë një mesazh të ngjashëm dhe me sa kuptohej këtë kanë bërë dhe sovjetikët (Radio Moska tha se qeveria sovjetike kishte informuar Hoxhën për vullnetin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe këmbim të përfaqësuesve). Deri tani ne nuk kemi pasur marrëdhënie zyrtare me Shqipërinë që prej pushtimit të saj në 1939, por kemi deklaruar në disa raste mbështetjen për rivendosjen e pavarësisë së vendit. Misioni ynë informal atje është dërguar për të mbikëqyrur kushtet dhe zhvillimet para dhënies së njohjes.

Teksti i njoftimit të departamentit të Shtetit:

Që prej pushtimit fashist të Shqipërisë në vitin 1939, qeveria e SHBA megjithëse nuk ka ruajtur lidhjet zyrtare me qeveritë shqiptare ka shprehur vazhdimisht mbështetjen e saj për pavarësinë e vendit. Populli amerikan ka admiruar përpjekjen e gjatë e të guximshme të Shqipërisë për liri nga tirania e forcave të Aksit. Kjo përpjekje, e ndihmuar nga rritja e prezencës së forcave Aleate në vend, sollën mbylljen e suksesshme të përpjekjes në fund të 1944 me dëbimin e forcave pushtuese gjermane dhe krijimin e qeverisë së Tiranës që tashmë ushtron kontroll në të gjithë vendin. Më 8 maj 1945 një mision informal amerikan i drejtuar nga Joseph E. Jacobs erdhi në Shqipëri për të studiuar kushtet dhe zhvillimet para dhënies së njohjes dhe pas informacioneve të tyre dhe konsultimit me fuqitë e tjera aleate Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sot që me anë të përfaqësuesit të tyre të komunikojnë qëndrimin e tyre.

Teksti i deklaratës së SHBA

Pas marrjes në konsideratë të kërkesës së autoriteteve shqiptare qeveria e SHBA shprehet e gatshme të hyjë në marrëdhënie diplomatike dhe regjimin aktual në Shqipëri si Qeveria e Përkohshme e Shqipërisë. Për vendosjen e marrëdhënieve zyrtare diplomatike qeveria e SHBA dëshiron të veprojë sipas detyrimeve dhe parimeve të Deklaratës së Krimesë për Evropën e Çliruar dhe sipas garancive se në vend do të mbahen zgjedhje të të lira e të drejta, për të gjithë individët dhe grupet etnike, si dhe gazetarët e huaj të lejohen të hyjnë në Shqipëri për të ndjekur zgjedhjet dhe punën e parlamentit. Qeveria e SHBA dëshiron të konfirmojë gjithashtu se traktatet dhe marrëveshjet mes Shqipërisë dhe SHBA para pushtimit të 7 prillit 1939, mbeten të vlefshme. SHBA nga ana e saj e konfirmon vlefshmërinë e akordeve. Pas marrjes së sigurive të kërkuara SHBA është e gatshme të vijojë me këmbimin e diplomatëve zyrtarë. “Unë jam udhëzuar të sugjeroj se propozimi aktual i SHBA nuk duhet të konsiderohet si paragjykues dhe jam i lumtur t’i kaloj qeverisë sime përgjigjen tuaj ndaj propozimeve të mëposhtme.

Parashikohen protesta greke

Ende nuk ka konfirmime nga rrethet zyrtare për lajmet se në Greqi do të vijojnë protesta për njohjen e mundshme të Shqipërisë nga SHBA dhe Britania, por gjithsesi kjo do të ishte një lëvizje normale në lidhje me situatën në Greqi. Sipas burimeve të majta këtu, Moska ka reaguar ndaj kushteve këtu dhe e konsideron si jo-demokratike refuzimin e fuqive të mëdha ndaj pretendimeve greke.

30 janar 1946

Arrestohen figurat anti-Hoxha

Raportimet nga Tirana thonë se është zbuluar një komplot ‘fashist’ për përmbysjen e regjimit të kryeministrit Enver Hoxha dhe se disa drejtues të lëvizjes janë arrestuar. Sipas të dhënave Hoxha ka thënë: “Organet e sigurimit shtetëror prej shumë kohësh po mbanin nën mbikëqyrje lëvizjet e një grupi të njohur fashistësh që kishin nisur të riorganizoheshin me qëllim përmbysjen e regjimit të popullit dhe vrasjen e anëtarëve drejtues të qeverisë. Ata kishin arritur me sukses të formonin disa grupe të përbërë prej tregtarësh të pasur, spekulatorësh dhe ish-oficerë të mbretit Zog, apo të ashtuquajtur demokratë e intelektualë”.

2 dhjetor 1945

Opozita shqiptare e heshtur prej kërcënimeve

Shqiptarët do të votojnë nesër në zgjedhjet parlamentare me kandidatë vetëm nga Fronti Demokratik i kryeministrit Enver Hoxha, dhe ku votat negative nuk lejohen. Figurat e opozitës thanë se kishin tentuar të shpërndanin broshura ku kritikonin zgjedhjet si jo-demokratike, por më pas ishin tërhequr pasi çdo formë opozicioni do të rezultonte në kasaphanë. Ata thënë se broshurat e tyre shkruanin se Shqipëria tashmë dominohet nga gjenerali Stalin e Marshall Tito i Jugosllavisë, dhe se të gjithë kandidatët e frontit Demokratik ishin komunistë. Zgjedhjet shqiptare në Epirin e Veriut nuk duhet të lejohen deri në zgjidhjen e çështjes territoriale me Greqinë, tha dje në SHBA, ministri grek i informacionit , pasi sipas tij persekutimi i minoritetit grek atje vazhdon.

5 dhjetor 1945

Partia e Hoxhës fiton të gjitha vendet në Asamble

Fronti Demokratik i kryeministrit Enver Hoxha, konkurruesja e vetme në zgjedhjet e së dielës, ka fituar të gjitha 82 vendet në Asamblenë Kushtetuese shqiptare, siç tregonin sot rezultatet zyrtare. Fronti Demokratik mori më shumë se 95 për qind të votave. Nga 603 500 persona me të drejtë vote në zgjedhjet e para në 24 vjet në Shqipëri, 555 271 kishin votuar. Ende nuk është caktuar data e mbledhjes së Asamblesë kushtetuese, e cila do të hartojë draftin e kushtetutës dhe do të përcaktojë mënyrën e zgjedhjes së kreut të shtetit. Në një konferencë për shtyp gjenerali Hoxha tha se Shqipëria kërkon të drejtën për të marrë pjesë në organizatat ndërkombëtare.

12 janar 1946

Asambleja e shpall Shqipërinë republikë

Shqipëria është shpallur sot republikë nga Asambleja Kushtetuese, njoftonte radio e Tiranës dhe dy ditë pushim janë dekretuar për të festuar ngjarjen, e cila i jep fund monarkisë së shpallur nga Zogu në 1928, për të eliminuar republikën e mëparshme. Lajmi i Tiranës thoshte se shpallja është shoqëruar me 101 të shtëna armësh për të sinjalizuar kursin e ri të zgjedhur nga populli nën drejtimin e qeverisë së Enver Hoxhës. Nuk u përmend fare ish-mbreti Zog që ishte ngritur në fron duke anuluar republikën e mëparshme, në të cilën ishte president. Ai ka jetuar në Angli që prej largimit nga Shqipëria pas pushtimit të Shqipërisë nga Benito Musolini në 1939. Veprimi i sotëm vjen pas një hapi të ngjashëm nga Jugosllavia, e cila përmbysi mbretërinë në fundjavë, dhe vetëm një ditë pas vizitës në vend të ambasadorit të ri sovjetik Stepanoviç Chuvakin, i cili u prit në aeroport nga vetë kryeministri Hoxha. Qeveria e tij është njohur gjithashtu nga Britania de Shtetet e Bashkuara. Sonte në Londër pritej që ndryshimi i regjimit të njihej nga tre fuqitë e mëdha, ashtu siç ndodhi me Jugosllavinë. Ky veprim i Shqipërisë ishte pritur prej disa kohësh, ashtu siç u tha dhe në komentin e vetëm nga grupi i mbretit Zog në Londër. Sekretari i tij dha dje këtë deklaratë: “Mbreti nuk mund të pranojë që zgjedhjet që sollën në pushtet regjimin e ri, ishin të lira. Do të kishte qenë dëshira jonë që pas gjithë kësaj kohe të gjatë e tragjike, populli të kishte rivendosur situatën që dëshironte, por për ne shqiptarët jashtë vendit tashmë ka një tjetër rrezik akoma më serioz se regjimi i ri, ajo është çështja kombëtare dhe e integritetit territorial”.

7 shkurt 1946

Hoxha shtrëngon diktaturën, shtyp opozicionin

Qeveria shqiptare e kryeministrit Hoxha, tashmë që ka fituar njohjen e kushtëzuar nga Britania dhe Shtetet e Bashkuara dhe ka kompletuar zgjedhjet e Asamblesë, të cilat nuk i dhanë rëndësi pretendimeve për respektim të koncepteve demokratike elektorale. Vendi ka vendosur haptazi një diktaturë të majtë, e cila së bashku me policinë sekrete po zhduk çdo person apo formë opozicioni. Në të gjithë këtë influenca sovjetike është parësore. Një numër gjithnjë e më i madh rusësh po hyjnë në vend dhe për të akomoduar ata po sekuestrohen hapësira të mëdha. Oficerët e Ushtrisë së Kuqe qarkullojnë lirshëm tashmë dhe janë parë madje deri në Gjirokastër, pranë kufitar me Greqinë. Sipas standardeve të saj, Shqipëria po mban një ushtri të stërmadhe dhe mendësia e saj garantohet nga komisarët politikë që kanë ndërtuar një sistem të dendur në ushtri. Misionet amerikane dhe britanike në vend janë penguar me të gjitha mënyrat në punën e tyre; udhëtimi i është kufizuar dhe punonjësit e huaj janë dëbuar, ndërsa anëtarë të tjerë të stafit nuk i lejohet hyrja në vend. Ambientet e misionit amerikan në Shqipëri dhe Administratës së Rehabilitimit, mbikëqyren ashpër nga rojet e Hoxhës dhe materialet e saj shfrytëzohen nga qeveria në operacionet kundër disidentëve. Gjenerali Hoxha ka marrë pushtet të plotë dhe përndjekja e elementëve opozitarë është kulmin e saj. Në zonat veriore të distrikteve katolike rreth Shkodrës, elementë klerikë apo opozitarë po arrestohen masivisht. Shkollat fetare janë mbyllur dhe të gjithë priftërinjtë e murgeshat po dëbohen nga vendi. Në jug ku dominojnë grekët ortodoksë, Metropolitani Visarion po sulmohet ashpër si filogrek. Anëtarët e minoritetit grek të vendit po dëbohen nga shtëpitë e tyre megjithë garancive për të drejta të barabarta të minoriteteve në kushtetutën e vendit. Propaganda anti-fetare dhe veçanërisht anti-katolike është intensifikuar sipas linjave jugosllave e sovjetike. Pozita është bërë aq e rëndë për opozitarët sa që banorët nga Çamëria po bëjnë agjitacion për rikthim në Greqi, edhe pse keqtrajtimi i çamëve supozohet se ishte arsyeja ose justifikimi që Mussonili të niste luftën kundër Greqisë. Opozita liberal ose socialiste e mbledhur rreth ish-grupeve guerile është duke u shtypur dhe drejtuesit e saj po burgosen. Italianët po dëbohen nga vendi sado kohë të ketë ata që jetojnë aty, dhe pronat e tyre sekuestrohen nga komunistët dhe ushtria. Dy patriotë pro-britanikë, Gjergji Kokoshi dhe Suad Asllani u arrestuan me akuzat e rreme se donin t’i shisnin tokë Greqisë. Edhe ekonomikisht Hoxha po krijon një shtet autoritar socialist, me inkurajim të punës së përbashkët dhe nacionalizim të industrisë së vogël të vendit dhe ndërmarrjeve. Titulli “shok” përdoret në të folurin formal dhe deputetët i drejtohen njëri-tjetrit me “shoku asemblist”. Britania është veçanërisht e shqetësuar për rimarrjen nga Shqipëria të ishullit fortesë Sazani nga Itali, nga ku kontrollohet hyrja në Adriatik që është vetëm 45 milje e gjerë.

Moskë, 15 nëntor

Plani për të zbarkuar trupa amerikane dhe britanike në Shqipëri dhe vende të tjera të Ballkanit në rast të një lufte mes Shqipërisë dhe Greqisë, raportohet se është treguar nga Harry T. Fultz, asistenti i kreut të misionit amerikan në Shqipëri, te komplotuesi shqiptar Abdul Sharra. Sharra është tashmë në gjyq me akuza sabotazhi në Tiranë dhe e ka dëshmuar këtë më 14 nëntor, thuhej në një raportim të agjencisë Tass, që ishte shpërndarë në faqet e para të gazetave të Moskës sot. Sipas Tass, Sharra ka thënë se ngjatë një bisede me Fuptz prillin e kaluar, ky i fundit i ka treguar se “anglo-amerikanët nuk mund të tolerojnë më shumë situatën ekzistuese në Shqipëri”. I akuzuari shqiptar citohet të ketë thënë më tej se provokimet greke po bëhen për të nisur një luftë mes Greqisë e Shqipërisë që më pas trupat anglo-amerikane të kenë justifikim për të zbarkuar në Shqipëri dhe në Ballkan. Fultz i ka thënë gjithashtu Sharrës, sipas lajmit të Tass, të nisë sabotimet e kanalit që po ndërtohet në liqenin e Maliqit në Shqipëri, i cili po ndërtohet me ndihmat e agjencisë aleate UNRRA. Ata të dy ranë në marrëveshje se Sharra do të organizonte kabotazhin dhe do të krijonte një organizatë sekrete me intelektualë, që janë të pakënaqur nga regjimi aktual. Gjithashtu personeli i agjencisë Aleate është përdorur për të kryer direktivat e sabotazhit nga Fultz te Sharra, sipas dëshmisë së të akuzuarit. Departamenti i Shtetit thotë se 50 vjeçari Fultz, i cili u bë pjesë e misionit amerikan në Shqipëri në maj 1945, pas një periudhe në Zyrën Strategjike Amerikane në Itali gjatë luftës, nuk është arrestuar kurrë në Shqipëri dhe nuk ka të dhëna për akuza të bëra ndaj tij prej autoriteteve shqiptare. Mediat amerikane thonë se Fultz ka shpenzuar para në Shqipëri edhe para luftës dhe ka qenë drejtor i shkollës profesionale të djemve që operohej nga Kryqi i Kuq Amerikan në koordinim me qeverinë Shqiptare.

3 gusht 1945

Shqipëria nënshkruan për ndihmat e agjencisë aleate UNRRA

Është arritur së fundmi një marrëveshje mes kryeministrit të Shqipërisë, Enver Hoxha dhe kreut të agjencisë së ndihmës së OKB, ku kjo e fundit do të furnizojë Shqipërinë me tekstile, pajisje inxhinierike, mjekësore dhe bujqësore, e cila u nënshkrua dje. Roy Cocran, ish-guvernator i Nebraska dhe oficer ndërlidhjeje i agjencisë së OKB, dëshmoi nënshkrimin, sipas të cilit artikujt do të jepen nga agjencia aleate për t’u shpërndarë pa diskriminim nga autoritetet shqiptare. Ata që kanë mundësi të paguajnë, paratë e tyre do të përdoren për të siguruar të tjera ndihma dhe procese rehabilitimi brenda vendit. Ndërlidhja ushtarake ka sjellë deri tani në Shqipëri 9500 ton ndihma dhe 300 automjete prej 11 prillit deri më 30 qershor.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/10/2019 - 07:44

CIA ka treguar detaje mbi mënyrën se si rekrutonte agjentë në vendin tonë. Në një dokument tregohet rekrutimi i një doganieri në Portin e Durrësit.

Postuar: 11/10/2019 - 07:24

CIA ka deklasifikuar të tjera dokumente sa i takon zhvillimeve në Shqipërinë komuniste.

Postuar: 09/10/2019 - 07:27

Shërbimi informativ amerikan ka hedhur dritë mbi zhvillimet gjatë regjimit komunist.

Postuar: 08/10/2019 - 07:12

Gazeta po nis një tjetër cikël me dokumentet e deklasifikuara nga CIA sa i takon zhvillimeve gjat

Postuar: 05/10/2019 - 08:17

Gazeta amerikane “New York Times” ka treguar premtimet e Enver Hoxhës pas çlirimit.

Postuar: 04/10/2019 - 07:10

Gazeta amerikane “New York Times”, ka hedhur dritë mbi spastrimet që ndodhin në Parti

Postuar: 02/10/2019 - 07:12

Gazeta amerikane “New York Times” ka hedhur dritë  mbi zhvillimet në Shqipërinë