Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Detajet, ja si përfaqësuesit e Shqipërisë gjatë regjimit komunist rrinin të izoluar në OKB, asnjë bisedë e shoqërim me anëtarët e tjerë

Postuar: 11/08/2019 - 07:39

Amerikanët kanë zbardhur detaje sa i takon përfaqësimit të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Sipas “New York Times”, përfaqësuesit e Shqipërisë në OKB rrinin gjithmonë vetëm. Nuk bisedonin dhe shoqëroheshin me anëtarë të tjerë.

8 tetor 1977

Shqiptarët ulin perden e sekretit në OKB

Kësaj jave shqiptarët kanë dalë disi nga natyra e tyre e sekretit dhe izolimit teksa delegacioni i tyre ka mbajtur fjalimin në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara. Ministri i Jashtëm Nesti Nase në fjalën e tij ka sulmuar të dy ish-aleatët e vendit BRSS dhe Kina. Sulmi ndaj Bashkimit Sovjetik ishte i parashikueshëm pasi dy vendet janë prishur prej kohësh. Por diplomatët këtu besojnë se sulmi i tërthortë ndaj Kinës në fjalimin e Nases, sugjeron se konflikti i muajve të fundit me dy ish-aleatëve të ngushtë, është zgjeruar shumë. Anëtarët e misionit shqiptar të drejtuar nga Abdi Baleta, dëgjonin fjalimin e Nases, ndërsa në intervistat e tyre ofruan perceptimin për jetën nëNju Jork. Ata kanë zgjedhur ta izolojnë veten hermetikisht nga jeta e qytetit, duke zgjedhur të qëndrojnë vetëm në zyrat e tyre në katin e 21-të në 250 East 87th Street in Manhattan, ndërsa jeta e tyre sociale kufizohet vetëm me anëtarët e tjerë të misionit. “Privatësia jonë është shumë e rëndësishme për jetën tonë personale”, thotë Muhamed Kapllani, sekretari i misionit shqiptar. Dhe vërtet shqiptarët e kanë fituar reputacionin për izolim dhe diplomatët i konsiderojnë si ekscentrikë që zhduken si nga rrethet zyrtare dhe ato sociale në Nju Jork. Kjo duket se është përkeqësuar që prej nisjes së zhurmave të prishjes me Kinën. Më parë delegatët e dy vendeve shiheshin shpesh me njëri-tjetrin, veçanërisht në mbrëmjet diplomatike.

Pak kontakte me kinezët

Këtë vit thuajse nuk ka pasur fare komunikim mes shqiptarëve, të cilët janë pranuar në OKB në 1955, dhe Kinës që ka aderuar në 1970. Gjithashtu për herë të parë sipas diplomatëve këtu, shqiptarët nuk ishin në aeroportin Kennedy International për të pritur delegacionin kinez. Duke folur për Asamblenë e Përgjithshme në frëngjisht, ministri Nase tha: “Nëse Shqipëria ka marrë ndihma internacionaliste nga vendet socialiste, kjo nuk është decizive për fatin e ndërtimit socialist të vendit dhe në asnjë rrethanë nuk mund të bëhet shkak për shkeljen e pavarësisë apo sovranitetit të vendit”. Ky aludim me siguri bëhej ndaj Kinës, e cila ka dhënë miliona dollarë në ndihma për Shqipërinë dhe vitet e fundit ka qenë e vetmja që tregtonte me regjimin e Enver Hoxhës, udhëheqësit absolut të vendit. “Askush nuk duhet të mbrojë iluzionin se Shqipëria është një vend i izoluar, se ne nuk mund të jetojmë pa ndihma të huaja apo se do t’i shtrijmë dorën ndokujt,” tha Nase, duke shtuar se vendi i tij do të mbetet i lirë, i pavarur dhe i vendosur. As delegatët kinezë dhe as ata sovjetikë nuk duartrokitën fjalimin 30 minutësh të ministrit shqiptar. Pasi Nase u ul, delegatët e Greqisë, Turqisë, Benin, Mauritania, Pakistanit dhe disa vendeve afrikane, erdhën te tryeza e Shqipërisë dhe i shtrënguan dorën atij. Sekretari i delegacionit Kapllani, dukej i shqetësuar gjatë intervistave për raportimet se Shqipëria i ka kërkuar Kinës të largojë këshilltarët dhe teknikët nga vendi, që sipas raportimeve do të thotë se marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve po marrin fund. Kapllani tha: “Absolutisht të rreme. Ambasada jonë në Beograd i ka mohuar raportimet. Ne kemi ende personel dhe staf teknik në Shqipëri”. Edhe shqiptarë të tjerë ashtu si Kapllani, refuzonin të përfshiheshin në biseda politike por ishin të gatshëm të flisnin për çështje si arsimi dhe ekonomia. Për shembull një nga delegatët tha se në arsimin shqiptar tashmë kërkohej mësimi i një gjuhe të dytë, anglisht, frëngjisht, gjermanisht ose rusisht, duke nisur nga klasa e dytë dhe jo më nga klasa e katërt si më parë. Ai shtoi se kishte tashmë në vend shkolla profesionale pas përfundimit të shkollës së mesme në klasën e 12-të. Një tjetër delegat tha se Universiteti i Tiranës i krijuar 20 vjet më parë, tashmë kishte tetë degë të ndara dhe 16,000 studentë, si dhe fakultete të reja po krijoheshin në të gjithë vendin. Shqiptarët tregonin me entuziazëm se ishin elektrifikuar edhe fshatrat më të largëta shtatë vjet më parë, dhe se plani i ri pesë-vjeçar përqendrohej në industrinë e rëndë dhe në infrastrukturën. Ata tregojnë se në Shqipëri nuk ka taksa apo tarifa të tjera dhe se gratë përbëjnë 48 për qind të forcës punëtore, dhe rreth një të tretën e deputetëve të parlamentit. Në aeroportin e Tiranës punojnë linja nga Gjermania, Hungaria e Kina. Së shpejti nis punën dhe linja ajrore greke Olympic Airways. Nga shqiptarët e intervistuar këtu, ministri Nase ishte më i heshturi. Kur u pyet të detajonte më shumë nga fjalimi i tij, ai tregoi nga fleta e fjalimit e tha: “Është e gjitha këtu”.

30 korrik 1978

SHBA tenton hapjen me Shqipërinë pas prishjes së saj me Kinën

Administrata e presidentit Carter po merr në konsideratë hapjen e diskutimeve me qeverinë komuniste shqiptare, njoftonin burime të brendshme të qeverisë së SHBA. Ata thonë se mund të jenë pjekur kushtet për diçka të tillë, sidomos pas njoftimit të Kinës më 13 korrik se ka ndaluar ndihmën ushtarake dhe ekonomike për ish-aleatin e saj politik e ideologjik, dhe se ka tërhequr të gjithë personelin e asistencës teknike që arrinte mbi 500. Lëvizja e Kinës i jep fund miqësisë që fortë që nisi në 1961, kur Shqipëria prishi lidhjet me Bashkimin Sovjetik, çka e la vendin të bllokuar ekonomikisht. Tashmë Shqipëria shpreson të marrë ndihmë nga tregtia me partnerë perëndimorë, edhe pse tregtia me Francën, Italinë e Greqinë nuk mund të plotësojë boshllëkun e lënë nga ndihma e Kinës, thonë zyrtarët e administratës së SHBA. Kina llogaritet se ka dhënë rreth 5 miliardë dollarë ndihmë ekonomike dhe ushtarake për Shqipërinë gjatë viteve dhe ka qenë partneri kryesor tregtar. Zyrtarët e administratës thonë se me gjithë sulmet e vazhdueshme të Shqipërisë ndaj “social-imperializmit” sovjetik, ata mund të detyrohen të kapërdijnë krenarinë dhe të rinisin marrëdhëniet me ta. Ata besojnë se dhe BRSS ka sinjalizuar javët e fundit se mund të jetë i gatshëm për të mbajtur anën e Shqipërisë në debatin e saj me Kinën. Specialistët amerikanë shqetësohen se Bashkimi Sovjetik do të kërkojë dhe do të marrë si çmim për rinisjen e lidhjeve të drejtën e bazave detare në ishullin e Sazanit në Gjirin e Vlorës, siç kishte bërë dhe në 1961. Një forcë detare aty do të dominonte detin Adriatik, duke qenë vetëm 45 milje larg bregdetit italian dhe mund të ndryshonte panoramën strategjike në Mesdhe. Ndryshimi mes situatës tani dhe asaj në 1961 është se BRSS është fuqi më e madhe detare e sipërfaqes dhe e nëndetit. Edhe pse prishja Shqipëri-Kinë kishte gjashtë vjet që pritej dhe ishte parë si e paevitueshme në 12 muajt e fundit, analistët besojnë se realizimi i saj i ka zënë në befasi shqiptarët. Agjencia Telegrafike Shqiptare dhe Radio Tirana e kanë raportuar prishjen, por nuk ka pasur prononcim nga kreu komunist Enver Hoxha.

Asistenca e pamjaftueshme

Kundërshtimet e Shqipërisë në nivel material ishin se Kina nuk po jepte një masë të përshtatshme asistence që prej vitit 1975. Në nivelin politik ato kundërshtonin përmirësimin gradual të marrëdhënieve të Kinës me Shtetet e Bashkuara. Ndërsa kinezët nga ana e tyre kanë akuzuar shqiptarët për praktika të gabuara në disa projekte ndërtimi, duke përfshirë kombinatin metalurgjik dhe rafineritë e naftës, si dhe për mungesë njohurish në kompletimin dhe menaxhimin e tyre pas përfundimit. Politikisht Pekini ka shprehur keqardhje për sulmet e Shqipërisë ndaj asaj që kanë quajtur “oportunizmi” kinez për afrimin me Shtetet e Bashkuara, si dhe kohët e fundit për qëndrimin negativ ndaj Vietnamit. Specialistët amerikanë pranojnë se nuk mund të llogarisin nëse Hoxha do të jetë i gatshëm të rihapet me rusët, të cilët i ka denoncuar për vite me radhë, dhe as sesa tunduese mund të jetë për sovjetikët hapja e një baze detare në Shqipëri. Por ata janë të sigurt se ndryshimet në Shqipëri, ndoshta në udhëheqje do të ndodhin së shpejti. Një sinjalizim për spastrim të elementëve pro-kinezë jepej në një artikull të Nexhmije Hoxha, gruas së shefit komunist, në organin partiak Rruga e Partisë. Gjithashtu nëntorin e kaluar ministri i Financave Haki Toska, i cili dyshohej për tendenca pro-kineze, u zhduk papritur nga jeta publike. Spastrimet e Hoxhës eliminuan figurat pro-jugosllave të udhëheqjes në 1948, ato pro-ruse në 1961 dhe 1974, si dhe zyrtarët pro-perëndimorë në 1973. Shumë nga të spastruarit janë ekzekutuar si tradhtarë, ka thënë vetë Hoxha. Në lidhje me spastrimet e fundit kulturore, ushtarake, ekonomike, arsimore e bujqësore, specialistët amerikanë thonë se Hoxha po e rrethon veten gjithnjë e më shumë me zyrtarë të rinj të partisë nga provincat, të cilat nuk i kanë jetuar konfliktet e vjetra me Jugosllavinë e Bashkimin Sovjetik. Ata thonë se këta të rinj gjithsesi mund të ndryshojnë kursin e vendit. Analistët përjashtojnë mundësinë e përmirësimit të lidhjeve me Jugosllavinë fqinje, pasi qeveria e president Titos ka përmirësuar ndjeshëm marrëdhëniet me Kinën, në të njëjtën periudhë që Shqipëria është duke i prishur. Interesi i Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë fokusohet kryesisht në arsye strategjike. Një tjetër faktor do të ishte hapja e konsullatës për të siguruar akses në kërkimin e disa qytetarëve amerikanë që janë zhdukur në Shqipëri vitet e fundit, tha një zyrtar i Departamentit të Shtetit. Herën e fundit që SHBA kërkoi dialog me Shqipërinë ishte në prill 1973, kur ish-Sekretari i Shtetit Kenneth Rush, tha në një fjalim në Uashington se vendi është “i gatshëm të përgjigjet” ndaj një oferte të Shqipërisë për rivendosjen e marrëdhënieve të prishura që prej fundit të Luftës II Botërore. Kjo ofertë u refuzua me tallje nga kreu komunist Enver Hoxha dhe prej atëherë qëndrimi ka qenë i ftohtë. Shqipëria ka vijuar sulmet verbale ndaj SHBA dhe Bashkimit Sovjetik.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 12/11/2019 - 07:10

Amerikanët kanë hedhur sërish dritë mbi zhvillimet në sistemin komunist. Në kuadër të disa dëshmive nga një ish-funksionar i PKSH, sot tregohet mbi organizmin e partisë dhe numrin e anëtarëve.

Postuar: 09/11/2019 - 07:09

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 08/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 05/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 03/11/2019 - 07:32

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 02/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit