Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet e CIA, Enver Hoxha spastroi mbështetësit jugosllavë në PPSH me urdhër të Moskës, ja si u arrestuan Beqir Balluku dhe Pandi Kristo

Postuar: 16/08/2017 - 08:26

Maj 1949

Ndarja me Jugosllavinë

Duke zbatuar udhëzimet e grupit të Kominform për bllokadën ndaj Jugosllavisë, zyrtarët shqiptarë arritën të lëndonin vendin e tyre shumë më tepër nga mund të kenë bërë ndaj vendit të Marshall Titos. Kjo vlen si për sferën ekonomike ashtu dhe atë ushtarake. Para prishjes me Titon, stërvitja e ushtrisë shqiptare drejtohej nga dy oficerë jugosllavë (të dy të diplomuar në akademinë Funze në BRSS), gjenerali Jovan Kapiçitiç dhe Dimitri Gerorgeviç. Ndërsa zhvillimi i forcave ajrore shqiptare drejtohej nga major Kost Lekiç. Por mes korrikut dhe tetorit 1948 nisi fushata e spastrimit të elementëve pro-Tito, sipas urdhrave të Moskës. Ky spastrim u drejtua nga gjenerali Koçi Xoxe. Por në tetor, Moska shprehu pakënaqësi me rezultatet e fushatës së spastrimit, prandaj Xoxe u zëvendësua në rolin e ministrit të Brendshëm dhe si shef i policisë. Në nëntor, gjatë kongresit të Partisë Komuniste, që u bë pas kthimit të Tuk Jakovës nga Bashkimi Sovjetik, Xoxe dhe shumë zyrtarë të tjerë të rëndësishëm u përjashtuan nga partia dhe u arrestuan. Mes të burgosurve ishin gjithashtu Pandi Kristo, anëtar i komitetit qendror; Vasko Koleci, kandidat për Sekretar i Komitetit Qendror dhe drejtues i çështjeve politike të Ministrisë së Brendshme; Vanci Mitrojogli, shef sektori politik në Ministrinë e Brendshme; Muftar Tare, shef i sektorit të sigurisë në Ministrinë e Brendshme; Ismail Kuçi, sekretar politik i Komitetit Qendror; Kadri Hoxha, sekretar i Komitetit të Tiranës dhe Bibi Sima, presidenti i frontit popullor shqiptar. Gjenerali Beqir Balluku, komandant i ushtrisë, gjithashtu u arrestua. Delegacionet e mëpasshme sovjetike për zëvendësimin e stafit të larguar jugosllav, drejtoheshin nga dy persona; i pari është njëfarë Arbatov, që vepron si i pavarur nga ministri rus Çuvakin, dhe i dyti është koloneli Gorbatov i cili aktualisht drejton ministrinë e brendshme të Shqipërisë.

Informacione ushtarake 1949

Nuk kemi ende raportime për avionë sovjetikë në aeroportet shqiptare. Në disa pozicione strategjike në brigjet e Vlorës deri në Durrës po punohet në fortifikime, jo prej betoni por në dy radhë me fortifikime balte. 5 divizione këmbësorie janë vendosur në Gjirokastër, Delvinë, Përmet e Leskovik. Në këtë zonë ka gjithashtu disa regjimente artilerie të pajisur me mortaja, mjete antitank. Komandanti i regjimentit 7 është Pantelis Varenis. Më 21 janar 1949 ai u transferua në divizionin e Brotia me bazë në Tiranë. Batalione të tjera të ushtrisë gjenden në Përmet deri në Leskovik, një kompani artilerie në Konispol, ndërsa kompania Theollogo në kufirin grek mbulon hapësirën nga Piramida 49 deri te fshati mysliman Janari. Skuadra Sminesi mbulon sektorin nga Piramida 44 në Malin Steniko, deri te piramida 49 te lumi Panagia ose Pavla. Skuadra Seteniko gjatë ditës observon në pikën më të lartë të malit. Batalionet e Brotias komandohen nga kapiten Alush Sina nga Gjirokastra, kurse Theollogo komandohet nga Mufit Sinani. Çdo batalion ka tre kompani dhe çdo kompani tre skuadra. Çdo skuadër ka një tripod të lartë për të vendosur mitralozin kundër-ajror. Përgjatë kufirit jugor, çdo 100 metra ka një post mitralozi dhe pozicione të tjera ku mund të qëndrojnë dy vetë. Veshjet dhe këpucët e ushtrisë janë të cilësisë së dobët dhe gjatë dimrit ushtarët janë në gjendje të keqe. Ushqimi i tyre është gjithashtu i pamjaftueshëm dhe në përgjithësi ushtria është e zhgënjyer me regjimin prandaj dhe predispozita e saj për të luftuar është e vogël. Gjatë takimeve të partisë ushtarët luten për t’u liruar pasi kanë dy ose te vjet në shërbim, dhe e dinë se familjeve të tyre u mungon gjithçka.Tre urat e rrugës nga Konispoli drejt Delvinës janë prej druri (Bugazi në Konispol, dhe Hdia e Krania në Bistrana). Ato ruhen nga skuadra me gjashtë ushtarë dhe nuk ka punime mbrojtjeje. Në fshatin Hoxhë, pranë urës drejt Delvinës, një ndërtesë dy-katëshe është ndërtuar në mars 1949 që do të përdoret për ushtrinë e Konispolit dhe anën lindore të Vurkos.

Dëmshpërblimet nga Jugosllavia, shtator 1950

Agjencia telegrafike shqiptare

Një notë e dërguar së fundmi nga legata shqiptare në Beograd për ministrinë e Jashtme të Jugosllavisë akuzon se kjo e fundit është vonuar në dërgesat e dëmshpërblimeve gjermane për Shqipërinë. Shënimi e përshkruan situatën si më poshtë: Më 10 qershor 1950 Banka e Shqipërisë ka depozituar kredit 106.123 dollarë në bankën Chase në New York në favor të Bankës së Popullit të Beogradit, me qëllim mbulimin e shpenzimeve të transportit të materialeve të dëmshpërblimit nga Gjermania drejt Jugosllavisë në vitet 1947-1948. Megjithëse këto materiale janë dërguar drejt Shqipërisë, ato po mbahen arbitrarisht në Jugosllavi nga qeveria e vendit. Krediti është depozituar në përputhje të plotë me kushtet e caktuara nga qeveria jugosllave, me telegramin e saj të 9 qershorit 1950 nga Banka Popullore Jugosllave drejt Bankës Shtetërore Shqiptare. Qeveria jugosllave bëri kërkesën që Banka Shqiptare të caktojë një afat kohor. Por kjo nuk u bë pasi qeveria jugosllave nuk mund të garantonte kohën se kur do të bëhej transporti i materialeve, me gjithë kërkesat e përsëritura nga komisioni shqiptar i çështjes. Kërkesa u bë nga qeveria e Jugosllavisë me qëllimin e vetëm shtyrjen e nisjes së anijes Nikola Vapzarov, e cila ishte e ankoruar në portin e Split, e ngarkuar me materialet e dëmshpërblimeve të destinuara për Shqipëri, çka sillte shtim të madh të shpenzimeve për Shqipërinë. Qeveria shqiptare i plotësoi dhe kushtet e shtuara, edhe pse ato nuk ishin propozuar drejtpërdrejt por me anë të bankës Chase në Neë York. Më pas më 16 qershor, Komisioni i Dëmshpërblimeve të Split i kërkoi zyrtarisht komisionit shqiptar të anulonte disa nga kushtet e kreditimit, duke përfshirë dhe prezantimin e dokumenteve. Me gjithë protestat e vazhdueshme të legatës shqiptare në Beograd dhe ato të komisionit shqiptar të dëmshpërblimeve ndaj komisionit jugosllav, qeveria jugosllave nuk urdhëroi nisjen e anijes Vapzarov nga Spliti deri në 22 qershor 1950. Më 23 qershor në ora 17.30, pasi Vapzarov ishte nisur nga porti i Split me të gjitha dokumentet në rregull, një barkë e armatosur jugosllave e ndaloi atë, duke e kërcënuar se në rast të kundërt do të hapte zjarr. Për arsye se qeveria jugosllave shkaktoi shtyrjen prej 11 ditësh të dërgesës së dëmshpërblimit, qeveria shqiptare e mban përgjegjëse Jugosllavinë për dëmet e shkaktuara nga bllokada e Vapzarov dhe kërkon që të paguhet në shumën 6160 dollarë me anë të bankës Chase në Neë York, deri më 15 korrik 1950.

 

Rezistenca aktivitetet Jugosllavi tetor 1951

Shqiptarët në Jugosllavi kohët e fundit kanë marrë lajme për humbje mes operacioneve të tyre brenda Shqipërisë. Mes personave që dihet se kanë vdekur janë Shpend Sadiku, dhe Nik Dedja që u vranë pranë Grizhës në zonën e Krasniqit, si dhe Prend Koqiani, të vrarë në fund të 1951 në Raje, në zonën e Nikaj-Mertur. Si rezultat i persekutimit të qeverisë, shumë njerëz janë larguar nga zona e Bajrakut në Lezhë dhe zona e Mirditës është strehuar në male. Ded Gjonmarkaj, i biri i Gjon Markagjonit është larguar në mal në Mirditë pas lirimit nga burgu. Kur u lirua pas përfundimit të dënimit, ai mësoi se do të burgosej përsëri prandaj u largua nga Tirana për t’u fshehur në Veri. Thuhet se mund të ketë tentuar të largohet në Jugosllavi. Preng Mark Hila, ish-refugjat që hyri në Shqipëri me një mision të sponsorizuar nga jugosllavët më 10-12 gusht 1951, raportohet se ishte i gatshëm të rikthehej në një tjetër mision, gjatë të cilit do të kontaktonte me Gjonmarkajn. Një tjetër provë e rezistencës së shpërndarë në veri të Shqipërinë është vdekja më 10 gusht 1951 e liderit të rezistencës Nikoll Mjeku, pas një përleshjeje me forcat qeveritare. Mjeku ishte nga Bajraku i Dibrës, por vendndodhja e përleshjes aktualisht nuk njihet. Në Kallmet, në zonën Zadrime, vrasja e një oficeri të sigurimit raportohet të jetë ndjekur nga masa të ashpra shtypjeje kundër popullatës. Grupe të vogla rezistence në veri të Shqipërisë vazhdojnë të kalojnë kufirin drejt Jugosllavisë. Mes të ardhurve të fundit është dhe një grup prej tetë personash i drejtuar nga Ndue Vata, një ish-bashkëluftëtar i Llesh Gjonmarkaj në rezistencën antikomunsite të pas-luftës. Ardhja më e rëndësishme deri tani është ajo e Pal Bib Mirakaj. Pritja e mriz që iu bë atij nga jugosllavët rezultoi në dhënien e garancive për mbështetjen e Imer Imerit për Kol Bib Mirakajn në Romë. Imeri është në mysliman me influencë në zonën e Pukës dhe rival i vjetër i familjes Mirakaj. Ai është vëllai i madh i Rustem Thacit, sekretar i komitetit të refugjatëve shqiptare të sponsorizuar nga qeveria jugosllave.

Marrëdhëniet Shqipëri-Jugosllavi, 1952

Gjatë vitit të fundit politika jugosllave për Shqipërinë duket se po merr në konsideratë zhvillimet e mundshme të së ardhmes atje. Në deklaratat e tyre publike liderët jugosllavë, duke përfshirë dhe Titon, kanë thënë se duan në Shqipëri “të lirë e të pavarur”, në kufijtë e saj aktualë, si dhe politika mos-ndërhyrjeje nga fqinjët ballkanikë, veçanërisht Italia. Ata besojnë se vetë populli shqiptar kur t’i vijë koha do ta rrëzojë regjimin e Hoxhës. Aktualisht, Beogradi vazhdon të ruajë presionin e tij fizik dhe psikologjik ndaj Shqipërisë. Grupet jugosllave të shqiptarëve në emigracion duket se kanë si qëllim rritjen e presionit politik ndaj Shqipërisë por dhe ndaj grupeve politike shqiptare të Perëndimit, veçanërisht atij të sponsorizuar nga SHBA, Komiteti i Shqipërisë së Lirë. Aktualisht nuk ka gjasa që Jugosllavia të bëjë lëvizje të hapura kundër Shqipërisë, pasi për momentin Beogradi favorizon ekzistencën e Shqipërisë, edhe pse e komanduar nga sovjetikët dhe vetëm “de jure” e pavarur. Në propagandën e drejtuar si ndaj Lindjes dhe ndaj Perëndimit, Tito vendos kthesë të madh në aspektin jo-agresiv të socializmit të tij. Kjo fushatë shpjegon se qeveria e tij është paqësore dhe se është e mundur se socializmi mund të jetojë në paqe në fqinjët, përfshi edhe ato jo-socialistë. Tito thotë se përshtypja e krijuar nga Perëndimi se socializmi është sinonim i agresionit, e ka origjinën te sjellja e Bashkimit Sovjetik. Prandaj sipas tij, vazhdimi i mbijetesës së regjimit Hoxha është një dëshmi e qëllimeve jo-agresive të regjimit të Titos. Që Beogradi të tentojë përmbysjen e regjimit Hoxha, ai duhet të nisë një fushatë të gjerë propagande për të shpjeguar dhe justifikuar kushtet që e bëjnë diçka të tilla të detyrueshme. Ai gjithashtu duhet të bjerë dakord me Greqinë për çështjen e Epirit të Veriut dhe të nisë trajnime të gjera të shqiptarëve të Kosovës, pranë kufirit me Shqipërinë. Gjithsesi një agresion i mundshëm i Jugosllavisë do të sillte probleme dhe me fuqitë perëndimore, veçanërisht me Britaninë dhe SHBA. E vetmja situatë që mund të ishte e justifikueshme në përdorimin e forcës klandestine në Shqipëri do të ishte shpërthimi i konfliktit të brendshëm, ku Jugosllavia do të ndërhynte për të mbrojtur kufijtë e saj. Ndërkohë në Shqipëri pakënaqësia ndaj regjimit vazhdon, si mes popullsisë së varfëruar dhe mes elementeve të ndryshme të partisë, të nivelit të mesëm dhe të ulët. Ndër aspektet e pakta pozitive në Shqipëri përmendim zgjerimin e kapaciteteve industriale prej rritjes së ndihmës nga vendet e orbitës sovjetike, dhe rrjedhimisht shtimin e aftësive ushtarake dhe mundësive të regjimit për t’u përballur me rezistencën. Një revoltë e brendshme në Shqipëri do të ishte e pamendueshme pa dezertime të gjera mes forcave ushtarake dhe të sigurisë, të cilat duket se kontrollohen ashpër nga udhëheqja sovjetike dhe oficerët shqiptarë të trajnuar në BRSS. Raportimet për rreth 6000 refugjatë shqiptarë në Jugosllavi duket se janë të ekzagjeruar. Zyrtarët jugosllavë në mars 1952 kanë dhënë shifrat prej 3100 refugjatë dhe rreth 3500 në gusht.

Synimet e SHBA, Shtator 1953

Siç është deklaruar më 1947, politika e Shteteve të Bashkuara në lidhje me Shqipërinë ka si qëllim mbrojtjen e pavarësisë së vendit dhe të sigurojë lirinë e popullit shqiptar për të kryer punët e tij pa ndërhyrje nga shtet apo grup-shtetet e huaja. Nga ana tjetër, është deklaruar gjithashtu se “influenca politike e Shqipërisë, burimet ekonomike, ushtarake janë të pakta sa i përket sigurisë së SHBA. Domethënia e saj strategjike qëndron vetëm në vendndodhjen e saj, si bazë e mundshme operacionesh, si hyrje në detin Adriatik dhe si hyrje në Greqi nga veriu. Pra interesat e SHBA në Shqipëri janë vetëm rrjedhime të interesave në Itali, Adriatik dhe Greqi. Pozita e marrë nga President Ëilson kundër propozimeve për ndarjen e Shqipërisë në konferencën e paqes në Paris më 1919 siguroi mbijetesën e pavarur të vendit. Në vazhdim të kësaj tradite të caktuar tashmë, Shtetet e Bashkuara nuk njohën aneksimin e Shqipërisë nga mbretëria Italiane dhe rrjedhimisht pushtimin e saj në prill 1939, por e konsideruan Shqipërinë si një viktimë të aksit të agresionit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore SHBA ka inkurajuar dhe mbështetur rezistencën vendase kundër forcave naziste e fashiste. Më 10 dhjetor 1942 Sekretari i shtetit Hull deklaroi rivendosjen e Shqipërisë së pavarur sipas parimeve të kartës Atlantike. SHBA nuk ka njohur regjimin e Hoxhës. Më 8 maj 1945 një mision informal shkoi në Shqipëri për të vëzhguar kushtet dhe zhvillimet për njohjen e mëpasshme të regjimit të Hoxhës.

Kushtet për Enver Hoxhën

Megjithëse marrëdhëniet tona informale me autoritetet shqiptare u përkeqësuan pas vendosjes së marrëdhënieve me BRSS, ne vazhduam të kërkojmë mirëkuptim sipas linjave tona të propozimit për njohjen e regjimit. Ishte parashtruar plotësimi i dy kushteve për njohjen; e para mbajtja e zgjedhjeve të lira, dhe së dyti qëndrimi në fuqi i traktateve në fuqi mes Shqipërisë dhe SHBA prej prillit, 1939. Kushti i parë u plotësua me mbajtjen e zgjedhjeve në dhjetor 1945, kurse kushti i dytë po zvarritej nga autoritetet, kohë gjatë së cilës misioni amerikan në Shqipëri po bëhej objekt trajtimesh jo-miqësore, të pasjellshme dhe dyshuese. Më në fund, më 13 gusht, 1946, nëntë muaj pas ofertës amerikane për njohje, regjimi shqiptar sinjalizoi pranimin e traktateve dhe marrëveshjeve multilaterale ku Shqipëria dhe SHBA ishin pjesë, por nuk pranoi marrëveshjet bilaterale mes dy vendeve. Duke mos marrë këto garanci nga regjimi, SHBA tërhiqi misionin e saj më 14 nëntor 1946. Një tjetër çështje lindi mes Shqipërisë dhe qeverisë së SHBA dhe lëvizjes guerile komuniste në Greqi, teksa kjo e fundit po mbështetej nga Shqipëria, Jugosllavia dhe Bullgaria. Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë aventurë, si dhe pengimi i Shqipërisë, i punës së komisionit të veçantë të OKB për Ballkanin, janë kritikuar disa herë nga Shtetet e Bashkuara. Më 1948 Departamenti i Shtetit informoi lidhjet e tij në Ballkan se objektivat amerikane në lidhje me vendet satelite të BRSS ishin identifikimi i vende demokratike që nuk siguronin të drejtat e njeriut për popullin e tyre dhe vendet që diskriminonin kundër interesave të SHBA dhe shteteve të tjera miqësore. Në direktiva thuhej se megjithëse SHBA pranonte pjesëmarrjen e Shqipërisë në marrëveshjet e përgjithshme rajonale e Ballkanike për mirëqenien e shteteve, ne do të kundërshtonim aderimin e saj në federata bilaterale apo grupime të gjera shtetesh që krijonin unione ideologjike, pasi një zhvillim i tillë ishte në kundërshtim me vullnetin e popullit shqiptar.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 17

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/09/2017 - 08:54

Shërbimi sekret amerikan vijon të deklasifikojë dokumente për Shqipërinë. Në një përmbledhje që është bërë për zhvillimet politike nga 1949 tregohet për të gjithë zhvillimet politike. Mirëpo në një dokument për vitin 1950 tregohet se CIA ka pasur informacione për arrestim të Enver Hoxhës.

Postuar: 17/09/2017 - 09:18

Enver Hoxha tentoi që t’i jepte fund izolimit të Shqipërisë në vitin 1969.

Postuar: 15/09/2017 - 08:42

Për amerikanët, Dushan Mugosha është personi që e futi Enver Hoxhën në rrugën e regjimit komunist.

Postuar: 14/09/2017 - 08:56

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë kushtuar një rëndësi shumë të madhe marrëdhënieve mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut.

Postuar: 08/09/2017 - 08:56

Prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe bashkëpunimi me Kinën solli që liderët shqiptarë të shpërthenin në akuza ndaj Moskës.

Postuar: 07/09/2017 - 09:02

Në vitin 1950 qeveria e Enver Hoxhës i trembej një sulmi nga vendet fqinje.