Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet e CIA, ja dëshmitë e të arratisurve për tmerret në kampet e përqendrimit dhe lufta ndaj “kulakëve” më 1952

Postuar: 11/10/2019 - 07:24

CIA ka deklasifikuar të tjera dokumente sa i takon zhvillimeve në Shqipërinë komuniste. Gazeta po tregon sot disa të dhëna sa i takon dëshmisë së disa personave të arratisur nga regjimi. Ata tregojnë situatën në disa zona dhe tmerret në kampet e përqendrimit.

 

22 maj 1952

Marrja në pyetje e Xhevdet Malos

Refugjati Xhevdet Malo, ish-punonjës i postës së Konispolit, raportoi sa më poshtë: Në 1951 në një fshat në Gjirokastër një person mori një pako nga i vëllai në Amerikë me vlerë rreth 20 dollarë, por autoritetet i vendosën një taksë doganore prej rreth 250 dollarë. Prandaj personi i shkruan përsëri të vëllait që t’i dërgojë shumën e dollarëve për të marrë pakon. I vëllai kur mori letrën u habit dhe i shkruan për sqarime mësuesit të fshatit. Ai i kërkonte nëse i vëllai nuk ndjehej mirë apo ishte çmendur pasi i kishte kërkuar 250 dollarë për të paguar doganën e pakos dhe 200 dollarë për të blerë një gomar. Sapo mësuesi mori letrën, ia tregoi atë vëllait të mikut të tij dhe i shkruan se vëllai i tij është mirë me shëndet por ishte situata në Shqipëri që ishte çmendur e jo vëllai i tij. Në 1951 Ahmet Abazi nga fshati Janjar Konispol i erdhi një pako me rroba nga Amerika me vlerë 14 dollarë, por qeveria i vendosi taksë dogane 360 dollarë. Ai nuk e mori kurrë pakon. Refugjati Mugarrem Mullaj nga fshati Flloq raporton: Arqile Gostivishti ka humbur një këmbë nga torturat e Sigurimit të Korçës. Nexhip Vincani i cili u shkarkuar nga Komiteti Qendror në 1951 dhe u dërgua si shef i rekrutimit të ushtrisë në Elbasan, është aktualisht komandant divizioni në Tiranë. Familjet e kulakëve duhet të kryejnë dy vjet punë të detyruar dhe dy vjet shërbim ushtarak. Në vitin 1951 përveç kuotave të detyruara të familjeve fshatare, komunistët i detyrojnë të japin sasi të tjera të papërfshira në detyrimet dhe masa të ashpra merren ndaj atyre që nuk plotësojnë urdhrat. Në 1951 u mbyt në lumin e Tiranës nga vuajtjet Bajram Kuci, i internuar me familjen në kampin e Kamzës. Për varrimin e tij komunistët nuk dhanë as arkivolin. Edibe Yzi, i internuar prej disa vitesh në kampin e Kamzës, u lirua në 1950 dhe tregon se nga mungesa e ushqimit dhe kushtet e rënda kanë vdekur në kamp rreth 40 fëmijë të vegjël, disa prej të cilëve ai u mban mend emrat; bija e Osman Pajakut nga Pogradeci, djali i Qamil Çollakur nga Bilishti, bija e Sabri Leminotit nga Korça, bija e Rrapo Selca nga Gora e Korçës, bija e Shero Tresova nga Korça, biri i Batire Oshafit nga Pogradeci, bija e Tosun Hoxhallarit nga Tresova, biri i Kasam Cerasa nga Pogradeci, dy vajza të vogla nga Halarupi dhe një djalë që vdiqën në të njëjtën ditë, Nizam Qazimi nga një tjetër fshat, nëna e Kajim Cerava të përmendur më sipër. Nga torturat e shumta ka vdekur në stacionin e policisë së Bilishtit, Isa Bilishti. Kadri Petri i ardhur në kamp më 16 mars 1952 raporton se në burgun e Korçës ka vdekur nga vuajtjet Baktash Panariti, nga fshati Panariti i Korçës.

Marrja në pyetje e Mefail Totlaku

Totlaku 45 vjeçar i lindur e banor në fshatin Tren në Bilisht, u intervistua më 6 dhjetor. Ai raporton: Në rajonin tonë nuk ka rezistencë të organizuar. Banorët kanë dëgjuar për krijimin e Komitetin e Shqipërisë së Lirë të mbështetur nga Perëndimi. Jugosllavia konsiderohet si përgjegjëse për vuajtjet e shqiptarëve nga regjimi komunist. Askush nuk beson se Greqia do të pushtojë jugun e Shqipërisë pasi fuqitë e mëdha nuk do ta lejonin. Njerëzit e urrejnë rusët dhe Rusinë. Ata thonë se Kremlini e ka skllavëruar vendin duke i marrë pavarësinë dhe duke shkaktuar krizë urie. Italia gjithashtu konsiderohet armike pasi dhe ajo kërkon të pushtojë Shqipërinë. Në rajonin tonë ka disa komunistë që janë më të mirë se të tjerët. Unë nuk kam parë kurrë gjurmë të trakteve të Komitetit Shqipëria e Lirë, por kushëriri im Nazif Kape ka parë një të tillë të lëshuar nga një aeroplan, ku thuhej se duhet të jemi të durueshëm sepse Shqipëria do të çlirohet me ndihmën e fuqive të huaja. Ushqimi dhe rrobat në Shqipëri janë të racionuara. Produkte janë racioneve është e vështirë të gjesh, por anëtarët e partisë marrin gjithçka lehtësisht pasi mbështeten nga dyqanet. Tregu i zi i produkteve praktikohet nga shteti me anë të dyqaneve të veçanta.

Marrja në pyetje e Xhevdet Malos

Më 27 nëntor 1951 erdhi në kampin e Lavrion Xhevdet Malo, bir i Omer e Qazime Malo nga Konispoli. Ai është 25 vjeç dhe ka mbaruar shkollën fillore. Duke qenë kundërshtues i regjimit ai u hoq nga puna që kishte në postë më 25 maj 1951. Ai deklaron sa më poshtë mbi situatën politike: Nuk di grupe të organizuara kundër regjimit përveç disa personave që në një formë ose në një tjetër janë kundër regjimit. Në Konispol natën e Bajramit në 1951 komunisti Laze Badeja i hodhi domate në publik myftiut mysliman Hafiz Fuati me qëllim ta tallte. Njerëzi i mbajnë shpresat e tyre te Komiteti i Shqipërisë së Lirë pasi njohin disa nga liderët e tij. Kryetari Hasan Dosti dhe Abaz Kupi janë të njohur dhe përmenden në fletushkat e lëshuara të Komitetit. Ata janë përmendur dhe në transmetimet e radiove të huaja por jo të gjithë fshatarët kanë mundësi t’i ndjekin. Asnjë në Shqipëri nuk ka simpati për Jugosllavinë dhe nuk presin çlirim prej andej, por përkundrazi e mbajnë atë përgjegjëse për fatkeqësitë e regjimit aktual, aq sa dhe vetë Enver Hoxhën. 95 për qind e njerëzve urrejnë gjithashtu Rusinë ndërsa dhe propaganda qeveritare në favor të Rusisë ka pasur një reagim armiqësor te masat e popullit, veçanërisht te fshatarët. Ne e dimë që ka mosmarrëveshje mes anëtarëve të lartë të partisë por ato nuk shprehen lirisht prej diktaturës së rëndë. Ka anëtarë të partisë që nuk janë të kënaqur me regjimin por ata nuk flasin. Në mars 1951 sigurimi arrestoi Hasim Moderizin me akuzën se dinte për arratisjen e një unonjësi të postës. Ai u dënua me dhjetë vjet burg nga gjykata ushtarake e Korçës. Në prill 1951 Zejno Malo u arrestua me akuzën se kishte tentuar të arratisej në Greqi dhe u dënua me 10 vjet burg. Në zonën e Konispolit nuk janë lëshuar fletushka të Komitetit Shqipëria e Lirë.

Komunikimet

Megjithëse në Shqipëri nuk ka ligj për censurën, agjentët e sigurimit kontrollojnë të gjitha letrat që shkojnë jashtë shtetit apo dhe letrat e pakot që vijnë nga jashtë. Komunikimi me telefon është falas pro përgjohet fshehtësisht nga agjentët. Të gjithë janë të lirë të dërgojnë telegrame ku nuk sulmohet qeveria ose që nuk janë të dyshimta. Nëse punonjësi i postës dyshon për diçka në telegram ai informon menjëherë zyrën lokale. Shqiptarët dëgjojnë rregullisht BBC ose Zërin e Amerikës. Derisa unë u largova asnjë nuk kishte dëgjuar radion e Komitetit Shqipëria e Lirë. Nmga radiot e huaja Zëri i Amerikës dëgjohet më shumë prej komenteve të përditshme për Shqipërinë. Nuk kam dëgjuar për urdhra të konfiskimit të radiove. Të gjitha prodhimet bujqësore dhe industriale janë me racione. Mallrat e racioneve mund të përfitohen me ‘bileta reciproke’ për fshatarët dhe fletë racionesh për punonjësit shtetërorë. Eksponentët e partisë gjithnjë gjejnë mallrat më të mira. Vetë shteti drejton tregun e zi por mallrat atje kushtojnë shumë dhe njerëzit nuk mund t’i blejnë. Në zonën tonë ka një magazinë ku mund të këmbehen mallrat, fshatarët sjellin prodhimet bujqësore për të marrë mallra industriale por trajtohen shumë padrejtësisht. Për shembull një fshatar sjell 50 kg drith për të marrë një biletë për një palë këpucë, ose sandale. Rrobat, sheqeri, orizi, makaronat, vaji i ullirit e konservat e ushqimeve mungojnë në rajonin tonë prej vitesh.

 

20 gusht 1954

Projekt i intensifikimit të përpjekjeve kundër Shqipërisë

Sipas informacioneve që i vijnë zyrës, pranverën e shkuar ka pasur sinjalizime se ka një rritje të aktivitetit politik e ushtarak. Kjo situata i jep mbështetje tezës se sovjetikët kërkojnë të shfrytëzojnë Shqipërinë më shumë nga sa besohej fillimisht. Gjatë muajve maj-korrik 1954 ka pasur rritje të trafikut detar të BRSS dhe satelitëve të tij me Shqipërinë. Ka pasur rritje të materialeve të luftës të transportuar drejt Shqipërisë, siç konfirmohet nga burimet e reja. Ambientet e portit të Durrësit janë përmirësuar ndjeshëm dhe janë përforcuar. Fotot e fundit tregojnë vazhdimin e punës në instilacionet ushtarake të mbrojtjes së portit. Janë pikasur tre mjete të reja detare, një në afërsi të Durrësit e dy pranë Vlorës, sipas raportimeve të vëzhguesve në anijet italiane S. Francesco dhe Maria Chjristina. Rritje të aktivitetit ka pasur dhe në qiejt e Shqipërisë, duke përfshirë manovra mbrojtëse në Durrës gjatë ditës, siç raportohet nga mjetet italiane të kapura nga autoritetet shqiptare dhe më pas të liruar pas marrjes në pyetje.

Personali ushtarak sovjetik në Shqipëri është rritur në rreth 400. Një grup personeli shqiptar është dërguar në Odesa, ndërsa personeli ajror e të marinës janë dërguar në Sevastopol për kurse speciale ushtarake. Luftanija Transilvania në muajt qershor korrik 1954 ka transportuar rreth 2000 njerëz nga Shqipëria, sipas burimeve nga Durrësi. Riorganizimi ka nisur në forcat e armatosura. Një numër i konsiderueshëm personeli ushtarak nga Gjermania Lindore ka ardhur në Shqipëri nga Gdynia e Polonisë. Është raportuar gjithashtu prezenca e tre nëndetëseve të vogla sovjetike dhe thuhet se BRSS do të dislokojë së shpejti një luftanije me silura, tre korveta dhe tre barka lufte për marinën shqiptar. Mes informacioneve plotësisht të besueshme është fakti që Enver Hoxha me urdhër të sovjetikëve është zëvendësuar nga Mehmet Shehu. Duket se ka një zhvendosje të kontrollit të organeve shqiptare të mbrojtjes dhe sigurisë drejt autoriteteve sovjetike. Komanda e këtyre zyrave është tashmë totalisht në duar të sovjetikëve, edhe të atyre të rangut më të ulët. Duke parë situatën e mësipërme besohet se mund të jepen konkluzionet e mëposhtme: BRSS nuk e konsideron më Shqiëprinë si një vartëse të largët e të pambrojtshme; përkundrazi, ata po e forcojnë vendin ushtarakisht e politikisht, për ta kthyer në një mjet të shfrytëzueshëm ushtarakisht e politikisht në zonën gjeografike të Aleancës së re të Ballkanit.

Sipas konceptit se strategjia e luftës justifikon çdo akuzë për ekonominë e përgjithshme, duket se BRSS ka vendosur që BRSS të shfrytëzojë Shqipërinë si objektiv sulmues. Kjo është në kontrast të plotë ritmin e vogël ekonomik e politik fillestar që të bënte të besoje se qëllimet sovjetike ndaj Shqipërisë ishin vetëm ruajtje aleance. Duhet të kujtojmë se informacioni ynë vjen vetëm për një pjesë të vendit dhe kufizohet në periudha të ndryshme kohore. Prandaj është e logjikshme të supozohet se rritja e aktivitetit sovjetik mund të vlejë për të gjithë Shqipërinë por jo të merret si e mirëqenë.

Programi i operacioneve

Përpjekjet tona aktuale kundër Shqipërisë janë sipas linjave të mëposhtme, disa prej tyre në fazat e para; Shfrytëzimi i një mjeti detar për ruajtjen e shërbimeve diplomatike të korrierëve; ruajtja e komunikimit detar të Italisë me mjete drejt Durrësit për mbulim të mundshëm zbulimi nga pikëpamja jonë. Kjo përpjekje bazohet në marrëdhëniet me pronarët e anijeve dhe kapitenët e tyre dhe ka lejuar rreth 54 ditë observimi në Durrës në një periudhë 90 ditore. Shfrytëzimi i mjeteve detare për transportimin e agjentëve të trajnuar për observim, si dhe depërtimi i sektorit në Bari që mban kontrakte me Shqipërinë. Duke parë këtë rritje të interesit sovjetik për Shqipërinë, propozohet rritja e përpjekjeve tona kundër atij vendi. Për këtë jepen opinionet dhe rekomandimet e mëposhtme: Të shtohet personeli për të shpërndarë sa më shumë riskun e zbulimit të agjentëve observues, mjeteve apo ekuipazheve; rritje e sigurisë së përgjithshme të operacioenve të zbulimit e observimit. Prandaj rekomandohet që të paktën katër njerëz të kualifikuar si marinarë, makinistë apo operatorë detarë të caktohet në zyrë për trajnim, me anijet që do të ndalojnë në portet shqiptare. Hapa duhet të merren për intensifikimin e kontakteve dhe përmirësimin e marrëdhënieve me pronarët dhe operatorët e anijeve në fjalë. Sugjerohet që zyra të shprehet e gatshme të paguajë kostot të shërbimeve për këto anije, përkundër riskut të përfshirë. Deri tani pagesat e vetme ndaj tyre kanë qenë karburant nga pikat e furnizimit.

Sugjerohet gjithashtu përdormi i një anijeje me instilacione speciale dhe ekuipazh të zgjedhur, për të vepruar kundër Shqipërisë në Vlorë dhe Porto Palermo. Një mjet e tillë mund edhe t’i lejojë vetes të kapet nga autoritetet shqiptare për shkelje të vogla, me qëllim studimin e metodave të tyre të sigurisë dhe teknikave të marrjes në pyetje. Burime të reja informacioni në Durrës duhet të shfrytëzohen intensivisht, duke garantuar shpërblime financiare për familjen. Agjenti ynë në Bari duhet të vendoset në bordero me rrogë mujore, siç është pritur nga bisedat në rekrutimin e tij.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/11/2019 - 15:50

Lufta e Tiranës ka hyrë në histori si momenti i kalimit të forcave partizane në formacione të rregullta luftarake dhe është mbajtur si baza e krijimit të ushtrisë së rregullt shqiptare.

Postuar: 17/11/2019 - 10:30

Profesori dhe historiani Bernard Zotaj, ka hedhur dritë mbi betejën që u bë për Çlirimin e Tiranë

Postuar: 14/11/2019 - 07:14

Amerikanët kanë hedhur të tjera detaje mbi zhvillimet gjatë regjimit komunist.

Postuar: 13/11/2019 - 07:11

Shërbimi amerikan i CIA ka deklasifikuar të tjera dokumente për Shqipërinë.

Postuar: 12/11/2019 - 07:10

Amerikanët kanë hedhur sërish dritë mbi zhvillimet në sistemin komunist.

Postuar: 09/11/2019 - 07:09

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit