Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet e CIA, ja jeta luksoze që bënin sovjetikët në Shqipëri dhe krerët e qeverisë, Enver Hoxha porosiste rroba mëndafshi në Paris

Postuar: 28/08/2018 - 07:07

CIA ka zbardhur te tjera dokumente sa i takon jetës gjatë periudhës komuniste. Këtë herë amerikanët kanë deklasifikuar disa dokumente ku përshkruhen artikuj të mediave greke e turke gjatë vitit 1953. Ato tregonin jetën luksoze që bëhej nga drejtuesit e regjimit komunist. Sipas dokumenteve, më të privilegjuarit ishin përfaqësuesit e Bashkimit Sovjetik, të cilët merrnin një pagë disa fish më të lartë se ajo e zyrtarëve shqiptarë. Pro aty tregohet se dhe diktatori Enver Hoxha bënte jetë luksi. Duke ju referuar medieve fqinje, thuhet se ai e kishte mobiluar shtëpinë në mënyrë princërore. Po ashtu thuhet e rrobat i merrte nga Parisi dhe ishin kryesisht mëndafsh.

Shtator 1953

Aktivitete komuniste

Kampet e punës së detyruar

E përditshmja turke Cumhyriejet: Raportohet se 4500 anëtarë të Partisë Komuniste janë përjashtuar gjatë fushatës së pastrimit të drejtuar nga Sadi Bokaj. Fushata tashmë është mbyllur por Bokja ka sinjalizuar se në të ardhmen mund të ketë të tjera masa drastike. Ndërkohë numri i teknikëve sovjetikë në Shqipëri është shtuar. Raportohet se ata janë caktuar në vendet më strategjike, siç është baza detare e Vlorës, që është vënë në urdhrat e drejtpërdrejta të oficerëve sovjetikë dhe asnjë oficer shqiptar nuk lejohet të hyjë. Sovjetikët po transformojnë portet shqiptare Mesdhetar në baza detare teksa punime sekrete po kryhen në të gjitha vendndodhjet. Raportimet nga Shqipëria flasin se Hoxha ka humbur besimin e Moskës, i cili po shkon tashmë në favor të numrit 2 të qeverisë Mehmet Shehu. Këtë të fundit sovjetikët e udhëzuan pak kohë më parë të kryente spastrime të gjera të anëtarëve të partisë të cilët nuk reflektonin besim. Në të njëjtën kohë Shehu ka nisur nju fushatë të egër kundër grupit minoritar me influencë Liapidon, te të cilët mbështetej Hoxha. Disa të afërm të komunistit grek Leonidas Cingelis kanë marrë një letër për të nga Shqipëria me datë 20 gusht. Cingelis ka qenë oficer në ushtrinë guerile komuniste greke dhe u arratis drejt Shqipërisë pas betejës së Gramozit në 1949. Cingelis tregon se kur erdhi në Shqipëri nisi të punonte në një fabrikë dhe më pas në vende të tjera. Dy vjet më parë ai u dërgua në kampin e përqendrimit në Herk në veri të Tiranës. Ai thotë se në këtë kamp kishte dhe 83 grekë të tjerë ish-guerilë, burra dhe gra, të cilët sipas tij kishin hequr dorë të gjithë nga idetë komuniste dhe dëshironin të ktheheshin në Greqi. Një gazetë në Linz të Austrisë publikoi në tetor 1953 një studim mbi kampet e përqendrimit në Evropën lindore. Çekosllovakia kishte numrin më të madh të kampeve e burgjeve me 4 % të popullatës (600 000 njerëz) të mbyllur në 369 burgje dhe 372 kampe të punës së detyruar. Bullgaria kishte rreth 100 000 njerëz të mbyllur në kampet e burgjet e saj. Në Poloni shifra e të burgosurve arrinte në rreth gjysmë milioni, ashtu si dhe në Rumani. Në Shqipëri në kampet e përqendrimit dhe burgjet lëngonte rreth 4 për qind e popullatës.

Korrik 1953

Trazirat politike në mediat ndërkombëtare

Ethnos: Rritet paniku në Shqipëri

Një punonjës i një prej ambasadave perëndimore në Shqipëri, i kthyer pas një qëndrimi të gjatë në Tiranë, deklaron se paniku është gjithnjë në rritje dhe se shqiptarët presin nga njëra ditë në tjetrën që grekët ose jugosllavët të sulmojnë për të rrëzuar pushtetin, ose të paktën bazuar në propagandën e mediave vendase. Sipas kësaj të fundit, partizanë antikomunistë, spiunë, titistë, terroristë dhe agjentë të SHBA tentojnë të infiltrohen përditë në vend. Por aktivitetet e guerilasve shqiptarë antikomunistë janë reduktuar ndjeshëm prej mungesave në armë e municione, si dhe prej intensifikimit të aktiviteteve komuniste të ndjekjes. I njëjti zyrtar raportoi se një numër i madh këshilltarësh sovjetikë është vendosur në Shqipëri, edhe pse është e vështirë për të përcaktuar nëse fluksi i tyre është shtuar muajt e fundit. Konsulentët sovjetikë janë vendosur në zonat aristokratike të Tiranës dhe paguhen shumë mirë. Për shembull një kolonel sovjetik merr 60.000 lekë në muaj në një kohë që një kolonel shqiptar merr 12.000 lek në muaj dhe një punëtor shqiptar merr 3000 lekë në muaj. Kushte të tilla i lejojnë sovjetikëve të bëjnë jetë luksi në Shqipëri. Klasa komuniste gjithashtu adhuron jetën e luksit, me në krye udhëheqësin Hoxha i cili e ka veshur vilën e tij në mënyrë princërore. Hoxha merr nga disa diplomatë polakë mallra nga Parisi dhe qytete të tjera evropiane. Mes mallrave që ka porositur janë qindra rroba mëndafshi dhe najloni.

Akropolis, Athinë- Mars 1953

Kastoria, Greqi- Sipas raportimeve nga Shqipëria një grup i vogël guerrilësh ditët e fundit kryen një betejë me forcat komuniste në rajonin e Viglista (e përkthyer nga Greqishtja). Sipas raportimeve guerilasit kishin kapur disa ushtarë komunistë dhe një ndërlidhës sovjetik, ndërsa pranë zonës së Korçës ata kanë kapur komisarin politik të partisë. Gjithashtu një mjet ushtarak shqiptar hasi në një minë pranë Korçës, ku u vra shoferi dhe u plagos oficeri që udhëtonte me të. Autoritetet shqiptare morën menjëherë masa emergjente sigurie.

YeniMersin – Ekzekutimet komuniste kanë shkaktuar kryengritje

Sipas informacioneve nga Shqipëria menjëherë pas ekzekutimit të Sulejman Gjatës dhe Gjon Vuksanin, nacionalistët shqiptarë që ishin dënuar me vdekje, kryengritjet u shtuan një u shfaqën njësi të forta rezistence. Një nga betejat më të dhunshme të kryera prej tyre u bë në zonën e Gramshit.

Athinë, Eleftheris, 15 mars 1953

Kohët e fundit 15 refugjatë shqiptarë u dorëzuar te autoritetet greke të cilat i çuan në Janinë. Disa prej tyre raportonin se vdekja e Stalinit kishte sjellë konfuzion brenda partisë komuniste shqiptare, gjë që ishte shoqëruar me një valë të re terrori ndaj popullsisë në zonat rurale dhe urbane, ndërsa ushtria ishte vënë në gjendje emergjence. Në zonat rurale ishin ndaluar përkohësisht të gjithë lëvizjet e popullsisë. Disa prej refugjatëve që vinin nga Shqipëria e Jugut, thonin se trazirat ishin më të mëdha në Shqipërinë e veriut, ku ekzistojnë shumë grupe nacionaliste, ndërsa në Shqipërinë e jugut ndodhin vetëm raste të izoluara sabotazhi.

Asham, Stamboll, 19 shkurt 1953

Janë marrë raportime për disa shpërthime në seli të ndryshme të ushtrisë shqiptare. Sipas informacioneve të fundit, shpërthimi i fundit ndodhi javën e kaluar në Goricë, në selinë e divizionit të 8-të të këmbësorisë. Raportohet se komandanti i divizionit Aif Aska, i cili është arsimuar në Bashkimin Sovjetik, është plagosur rëndë gjatë shpërthimit. Pas incidentit në Goric u shpall gjendja e jashtëzakonshme dhe u kryen arrestime masive.

 Tetor 1953

Procedura e votës në qytetin e Gjirokastrës

Të gjithë njerëzit mbi moshën 18 vjeç, duke përfshirë dhe ata që nuk kanë anëtarësi partie, kanë të drejtë të votojnë dhe detyrohen të votojnë nga autoritetet. Gjatë zgjedhjeve të fundit në 1952, dy kuti votimi i ngritën në shkollën fillore të fshatit Glinë. Ato ishin lyer njëra me bojë të errët dhe tjetra ishte zbukuruar me foto të Enver Hoxhës, Stalinit dhe të kandidatit vendor të partisë komuniste. Kutia tjetër nuk ishte zbukuruar. Para vitit individi merr çertifikatën nga këshilli i fshatit dhe ia jep komisionit në qendrën e votimit. Komisioni e kontrollon nëse është i regjistruar më herët dhe nëse gjithçka është në rregull, komisioni i jep një top të zi pak më të madh se një kokërr ulliri, të cilin votuesi duhet ta mbajë në dorë dhe të afrohet te kutitë e votimit, për ta lëshuar me pas në kutinë e kandidatit që ai preferon. Për të mos treguar votën e tij individi duhet të ngrejë dorën mbi të dyja kutitë e votimit, dhe pasi ka lëshuar topin (votën) duhet të kalojë me dorë të hapur para komisionit në mënyrë që ata të shikojnë se vota është hedhur. Në votën e nëntorit 1952 asnjë nuk votoi kundër partisë komuniste, ndryshe nga zgjedhjet e vitit 1948 kur rreth 50 vota ishin hedhur në kutinë e zezë të votimit. Si rezultat i votës negative atëherë në Gjirokastër erdhën autoritete të larta të partisë duke mbajtur fjalime për popullin për t’i bindur të mos votojnë për fashistët. Në fjalimet e tyre ata kujtuan dëmet që i kishin bërë fashistët fshatrave të zonës gjatë luftës, si dhe shumë krime të tjera të kryera nga Balli Kombëtar në 1944. Ata deklaronin se do të hetonin të gjitha votat dhe do të merrnin masa të ashpra kundër atyre që votuan për fashistët. Në zgjedhjet e 1950, pas atyre të 1948, përsëri disa njerëz kishin votuar kundër partisë dhe për të ndaluar këtë sa herë që autoritetet dyshonin se dikush kishte votuar kundër kandidatit të partisë i thoshin të priste jashtë se kishte pasur një problem me kutitë e votimit. Pas rreth pesë minutash zyrtarët ktheheshin dhe i kërkonin personit të votonte përsëri. Votuesit tashmë dyshonin se do të zbuloheshin nëse votonin kundër dhe si rezultat i kësaj në zgjedhjet e vitit 1950 kishte vetëm 10 vota kundër partisë.

 

Prill 1954

Zbavitja e propaganda në forcat e armatosura

Informacioni i mëposhtëm mbi dëfrimin kulturor dhe propagandën në ushtrinë e SHqipërisë daton prej gushtit 1952. Organizimi i aktiviteteve kulturore në forcat e armatosura ndjek të njëjtin motiv me organizimin e aktiviteteve të tjera komuniste. Autoriteti kryesor për këtë është seksioni politik i ushtrisë në komitetin qendror të partisë. Ai kalon udhëzimet përmes seksioni të agjitacion-propagandës në ministrinë e mbrojtjes. Organe e larta të partisë kontrollojnë më tej degë më të vogla si Zyra Qendrore e oficerëve në Tiranë apo seksionet e agjitacion-propagandës në çdo divizion të ushtrisë. Më tej ka nënseksione të agjitacion-propagandës në seksionet politike të regjimenteve. Dega politike e divizionit drejtohet nga një oficer me gradë kapiten i parë ose i dytë. Ajo mbikëqyr aktivitetet kulturore të divizionit dhe ka të njëjtat nëndegë si ato të klubit të oficerëve në Tiranë. Grupi i Korit të Divizionit përbëhet nga 50 zërat më të mirë nga njësitë e divizionit, dhe drejtuesi i tij punon me drejtorin civil të Korit në teatrin Popullor të rajonit ku divizioni është vendosur. Në se ai rajon nuk ka grup Teatri popullor drejtuesit punojnë me një drejtues nga klubi i oficerëve. Grupi i baletit dhe valleve të divizionit përbëhet nga 20 kërcimtarët më të mirë të divizionit të cilët punojnë me degën rajonale të Teatrit Popullor ose me një drejtor nga shtëpia e oficerëve. Ushtria ka gjithashtu grupin teatral i cili punon me elementët më të mirë të dy grupeve të para. Pas vitit 1949 fondet për grupin e teatrit u reduktuan deh shkuan për armatime kështu që grupet mbetën të kufizuar në disa skeçe humoristike dhe komedi të shkurtra. Banda qendrore e Divizionit përbëhet nga 30 persona dhe luan me grupet e korit ose të kërcimit te Shtëpia e Oficerëve. Regjimentet nuk kanë të gjitha orkestra por kanë bandën e tyre. Shpeshherë regjimentet dërgohen pë të parë filma propagandistikë në kinematë vendore. Në disa raste regjimentet në zona të izoluara kanë parë filma në kinematë ambulante. Shtëpia Qendrore e Oficerëve në Tiranë është vendosur në një ndërtesë tre katëshe të ndërtuar gjatë pushtimit italian. Kori i ushtrisë përbëhet nga 70 ushtarë dhe oficerë dhe në vitin 1952 drejtohej nga kapiteni i parë Gaqo Avrazi. Në kinemanë e shtëpisë së oficerëve shfaqen vetëm filma që vijnë nga seksioni politik i ministrisë së mbrojtjes, i cili menaxhon gjithashtu kinemanë ushtarake të Brigadave. Çdo vit nga nëntori deri në maj grupet e korit, teatrit dhe valleve të ushtrisë japin shfaqje për personalin ushtarak. Grupet udhëtojnë në qytete të ndryshme të Shqipërisë nga maji deri në shtator. Në qershor 1952 një grup sovjetik shfaqjes bëri një turne në garnizonet shqiptare, me një repertor muzike dhe kërcimesh folklorike. Të vetmet privilegje të anëtarëve të grupeve artistike të ushtrisë janë më shumë leje dhe fletë-lavdërimi. Ata nuk marrin pagesë shtesë, por kanë prioritet për lirim në fund të shërbimit ushtarak. Ndërsa anëtarët e korit marrin rrogë mujore 5000 deri në 6000 lekë dhe racione më të mira ushqimi. Repertori i koreve të ushtrisë është 80 për qind shqiptar dhe 20 për qind rus dhe nga vendet satelite. Me urdhër të drejtorisë së minsitrisë së mbrojtjes 10 për qind e këngëve sovjetike duhet të këndohen edhe në rumanisht. Mes këngëve më të preferuara t korit të ushtrisë janë “Kënga e Stalinit” “Marshi i Ushtrisë së Kuqe” “Moskës fitimtare” “Katjushka” “traktoristja” Taksistat”. Rreth 80 për qind e valleve folklorike janë sovjetike, si për shembull kazake, Azerbajxhani apo Turkmenistani dhe një pjesë e vogël janë shqiptare. Në repertorin teatral përfshihen vepra anti-kapitaliste që janë performuar dhe në teatrot civile si “Piratët në Kore” apo “Shatërvani i Baçisarait” e cila drejtohet kundër regjimeve kapitaliste në Azi.

Filmat dhe botimet

 

Filmat e shfaqur për personalin e ushtrisë në vitin 1952 përfshijnë “Manovrat e ushtrisë së Kuqe” “Aktiviteti fizkultural në Ushtrinë e Kuqe” “Akademitë, shkollat dhe kuadrot e Ushtrisë së Kuqe” dhe “Ushtria e Kuqe, mbrojtëse e paqes në botë”. Shtypshkronja ushtarake boton organet e mëposhtme: revista e përmuajshme “Revista ushtarake” e cila shpërndahet për oficerët dhe instruktorët dhe jo për ushtarët e zakonshëm pasi në të mund të përbëhet informacione të rezervuara; gazetën çdo dyjavore “Luftëtari”, broshurën për agjentët e agjitacionit të partisë “Shënime për Agjitator”, dhe pamfletin e përmuajshëm “Punëtori i partisë”. Drejtoria politike e ministrisë së mbrojtjes menaxhon dhe “Dhomën e Kulturës” së ushtrisë në çdo qendër rajoni, e cila zakonisht është vetëm një dhomë me foto të Leninit, Stalinit dhe Enver Hoxhës, me mbishkrimin “Proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni”, si dhe me stenda fotosh të Kampit Socialist për Bashkimin Sovjetik ku përshkruhen uzinat industriale, kolkozet dhe aktivitetet kulturore të forcave sovjetike. Slogane të tjera kërkojnë “Mbrojtje të paqes në botë kundër luftënxitësve anglo-amerikanë. Materiale të tilla janë të detyrueshme për të gjitha Dhomat e Kulturës së ushtrisë. Në 1952 në to përfshiheshin dhe materiale për Luftën ne Kore, si dhe foto ku tregohet populli korean që arratiset në male apo ekzekutimet të njerëzve nga amerikanët, bombardimet konvencionale dhe me agjentë biologjikë. Dhoma e kulturës shfaq gjithashtu foto të anëtarëve të byrosë politike shqiptare si dhe tabelën e nderit me emrat dhe fotot e ushtarëve të dalluar, të zgjedhur nga organizata bazë e partisë. Disa nga sloganet e përdorura janë: Më shumë djersë për paqe e më pak gjak në luftë (Suvorov); Lirinë nuk e solla unë, por e gjeta në zemrat e shqiptarëve (Skënderbeu); Teoria marksiste nuk është dogmë fetare por udhëheqje për veprim (Lenin).

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 4. Total votes: 11

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/09/2018 - 07:12

CIA kishte menduar të gjitha alternativat për të rrëzuar regjimin komunist. Në një dokument të deklasifikuar nga amerikanët, thuhet se kishin një plan me 6 pika, ku një ndër to ishte dhe të dërgoheshin letra me helm.

Postuar: 21/09/2018 - 07:11

CIA amerikane ka pasur të dhëna të plota sa i takon zhvillime të Shqipërisë gjatë periudhës komun

Postuar: 20/09/2018 - 09:27

Në vitin 1947 CIA paralajmëroi se mund të krijohej Federata Ballkanike dhe Shqipëria të ishte pje

Postuar: 19/09/2018 - 07:18

Për amerikanët, komunistët erdhën në pushtet përmes dredhive.

Postuar: 16/09/2018 - 07:40

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë vitit 1955.

Postuar: 15/09/2018 - 08:25

CIA ka renditur 5 arsye kryesore q mund të kenë sjellë fundin e bashkëpunimit Shqipëri-Kinë më 19