Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet e CIA, ja pretendimet territoriale që kishte Greqia ndaj Shqipërisë më 1949, Zogu kërkoi dhe në Turqi mbështetje për të rrëzuar Hoxhën

Postuar: 31/07/2018 - 07:06

Amerikanët kanë zbardhur pretendimet e Greqisë në vitin 1949. Në një dokument ku një agjent i CIA, raporton ai tregon se Greqia kishte pretendime territoriale kundrejt Shqipërisë. Po ashtu theksohet se si Ahmet Zogu mundohej të gjente aleatë për të rrëzuar Enver Hoxhën.

Mars 1949

Gjendja para-operacionale në Shqipëri

I dashur Pelegrin: Që prej memorandumit tim të 22 janarit dhe 5 shkurtit, kam kaluar ca kohë në Itali, Egjipt, Greqi, dhe me Horatio në Turqi, duke studiuar situatën shqiptare. Në çdo vend kam preferuar të punoj me kontakte të njohur amerikanë ose vendas dhe jo duke kontaktuar direkt shqiptarët pasi rrezikohet një rritje e papritur publiciteti. Si rezultat i kësaj hetimet e mia kanë arritur deri këtu pa tërhequr shumë interes. Ajo që më habiti gjatë punës sime është sesa pak informacion kemi. Shërbimet tona të raportimit duket se kanë humbur shumë mundësi të cilat do i përmend në këtë raport së bashku me disa komente e rekomandime. Sa më shumë që hetoja aq më shumë isha i bindur për urgjencën dhe rëndësinë e përgatitjes së operacionit shqiptar. Ka ende shumë punë përgatitore për të bërë para se të nisim veprimin me shanse të konsiderueshme suksesi në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe zëvendësimin e tij me një që ne preferojmë. Veprimet tona duhet t’i koordinojmë me momentin kur Ushtria Kombëtare Greke të dalë fitimtare në Epir dhe kur qeveria e Athinës të mos jetë duke vluar nga urrejtja ndaj shqiptarëve. Kjo kërkon durim dhe shumë punë, pasi nëse do të provokonim tani ndryshim të dhunshëm të pushtetit në Shqipëri, kur një pjesë e madhe e veri-perëndimit të Greqisë mbetet thuajse jashtë kontrollit të Athinës, ne do të rrezikonim përhapjen e rrezikut që Shqipëria aktualisht përfaqëson për ne.

Situata rajonale

Kjo është e qartë se i kundërvihet interesave tona pasi blloku sovjetike aktualisht po përpiqet të zgjerohet me anë të lëvizjes guerile greke në zonën veriore të Maqedonisë. Fitorja e ushtrisë greke në Epir dhe armiqësia e Athinës ndaj shqiptarëve, nuk e ndihmojnë kauzën tonë. Ne duhet të punojmë drejt një panorame të favorshme në Greqi, duke vënë të paktën në dukje njëfarë uniteti mes refugjatëve shqiptarë. Për sa kohë që grupet shqiptare në vendet demokratike përdorin energjitë e tyre në luftën mes fraksioneve, ne nuk mund t’i ofrojmë popullit shqiptar një panoramë më të mirë nga sa e kanë tani, ndoshta me ndryshimin e vetëm të mungesës së metodave policore. Brenda vendit ne duhet të fokusohemi në zbutjen e programit, me anë të mediave radio si “Zëri i Amerikës”, radio-propaganda e Athinës si dhe radio e Selanikut që pritet të hyjë në funksion. Në të njëjtën kohet të përshkallëzojmë infiltrimet nga kufiri grek. Secili nga subjektet e mëposhtme duhet të rishikohet për t’i kursyer vetes surpriza të pakëndshme pas kalimit të fazës së parë të operacioneve.

Ushtria greke

Ushtria kombëtare greke është e organizuar në tetë divizione, katër njësi komando dhe 96 batalione të Gardës Kombëtare. Forca totale e ushtrisë llogaritet në rreth 190 000 njerëz nga të cilët rreth 40 000 janë personel administrativ dhe stërvitor jo-luftues. Pak pasi gjenerali Papagos mori drejtimin në janar morali i ushtrisë është përmirësuar ndjeshëm, duke përfshirë dhe goditjen e rëndë që forcat e Papagos i dhanë guerilasve komunistë në Florina. Më 5 shkurt, duke përshkruar qëllimet e taktikat e banditëve, Papagos tha se ata nuk kërkonin marrjen e pushtetit por vetëm të krijojnë një situatë të patolerueshme për të dobësuar besimin e popullit te regjimi. Ai shtoi se për të arritur këtë banditët kanë krijuar baza të shumta në vend për sabotimin e komunikimeve dhe prishjen e sigurisë në përgjithësi me taktika të tipit “godit e largohu” të cilat favorizojnë guerrilasit në terrenin malor. Në janar 1948 forca e banditëve ka qenë rreth 20 000 njerëz dhe disa mjete artilerie, ndërsa në janar 1949 ata numëronin 25 000 njerëz dhe një forcë rezervë prej rreth 6000 vetë në Shqipëri, Jugosllavi e Bullgari.

Qëndrimet greke

Qeveria greke mban qëndrimin se lufta e 28 tetorit me Shqipërinë vazhdon edhe sot, dhe asnjëherë nuk humbet rastin për të vënë në dukje pretendimet e saj ndaj vendit, që janë rreth një e pesta e territorit të Shqipërisë. Këto pretendime transmetohet vazhdimisht në radio e media dhe në raste të caktuara përmenden në fjalime të politikanëve të lartë të vendit. Ajo nuk bën dallime mes qeverisë së Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe në këtë mënyrë trajton edhe sot shqiptarët në Greqi, pra me aq tolerancë sa ndaj një armiku lufte. Raportohet se të gjithë shqiptarët e arratisur në Greqi tashmë janë larguar prej andej. Si shembull i kësaj qasjeje ju kujtoj rastin e disa muajve më parë kur një grup u transportua drejt Italisë sipas planit të IRO, të cilët në Greqi ishin lënë të flinin jashtë. Si rezultat i kësaj armiqësie dhe shqiptarët në emigracion e konsiderojnë Greqinë një armik dhe është e vështirë që dikush prej tyre të punojë nga Greqia për çlirimin e vendit të tij. Ata e konsiderojnë qeverinë greke si anti-shqiptare dhe kanë të drejtë. Prandaj ne duhet të tentojmë ndryshimin e kësaj qasjeje zyrtare të Athinës me qëllim krijimin e një atmosfere bashkëpunimi për ndryshimin e pushtetit në Shqipëri. Për më tepër shumë shqiptarë besojnë që ky qëndrim i Greqisë ndaj tyre mbështetet nga Shtetet e Bashkuara. (SHBA i ka njoftuar grekët se nuk e mbështet qëndrimin e tyre për pretendimet territoriale pasi ato nuk kanë baza të forta etnike, historike e strategjike). Me sa duket një ndryshim i mendësisë mund të vijë me mjete të buta bindjeje prej ambasadës sonë në Athinë. Ambasadori ynë ka udhëzuar kreun politik të operacioneve të takohet me zyrtarët grekë për çështjen e Shqipërisë ku të përsëritet qëndrimi i SHBA mbi çështjen. Ne shpresojmë gjithashtu të arrijmë një marrëveshje dhe për zbutjen e transmetimeve të radio Athinës për Shqipërinë mbi tipin e materialeve të përdorura, duke e përafruar atë me materialet e përdorura nga Zëri i Amerikës. Nëse funksionon jo qasje atëherë do të kompletohet një nga kushtet kryesore të operacionit shqiptar. Nëse jo, ne do të procedojmë duke përdorur metoda më të ashpra.

Refugjatët shqiptarë në lindje të Mesdheut

Shumica e refugjatëve shqiptarë që jetojnë në Turqi, Egjipt, Siri, Greqi e Itali sillen rreth tre grupimeve kryesore politike: Balli Kombëtar i drejtuar nga Mit’hat Frashri, partia monarkiste e ish-mbretit Zog dhe Blloku Kombëtar Indipendent i drejtuar nga Ismail Verlaci.

Turqia

Në Turqi llogariten rreth 300 refugjatë shqiptarë, me të cilët është aktualisht dhe Mit’hat Frashri, presidenti i Ballit Kombëtar, i cili po përpiqet të krijojë një front të bashkuar të refugjatëve shqiptarë. Nëse e arrin këtë ai shpreson të sigurojë njohjen nga fuqitë e mëdha, të ngjashme me njohjen e Dimitrov të Bullgarisë. Frashri dhe ndjekësit e tij besojnë se qeveria e Hoxhës nuk mund të përmbyset pa një përpjekje të gjerë e të organizuar. Ata besojnë se tentativa e përmbysjes së pushtetit duhet të mbështetet me një furnizim të gjerë armësh e municionesh, dhe një forcë e konsiderueshme nacionalistësh shqiptarë. Ata besojnë se çdo tentativë e tij do të hasë rezistencën e autoriteteve sovjetike dhe se masa e lartë të kontrollit të komunistëve në vend nuk lejon që rezistenca të nisë në Shqipëri, prandaj ajo duhet të nxitet dhe të përgatitet nga jashtë.

Lëvizjet e Zogut

Gazi Khan Bessolt pretendon dhe ndoshta është, përfaqësuesi kryesor i ish-mbretit Zog në Shqipëri, ndërsa policia sekrete turke për arsyet e tyre thonë se Avni Derella ish-koloneli i ushtrisë së Zogut, është përfaqësuesi i tij në Turqi. Gazi Khan thotë se Zogu e ka bërë vazhdimisht të qartë se do të pranojë mënyrën e qeverisjes së vendosur nga vetë shqiptarët në mënyrë plebiçitare, pas përmbysjes së regjimit të Hoxhës. Ai shton se ish-mbreti Zog është i gatshëm të bashkëpunojë me grupe të tjera patriotësh në ekzil për përmbysjen e qeverisë komuniste. Gaza Khan beson se aktualisht është momenti i volitshëm për të tentuar revolucionin në Shqipëri dhe ky revolucion do të fitonte edhe pa mbështetjen ushtarake të fuqive të mëdha Perëndimore. Kjo pikëpamje e tij optimiste ndoshta vjen prej karakterit aventurier të Khan dhe nuk mund të konsiderohet informacion i besueshëm. Një oficer i konsullatës së përgjithshme të cilit i kërkova informacione mbi shqiptarët, tha: “Nuk ka shumë për të mësuar, turqit u nxjerrin atyre çdo copë informacioni para se të lirojnë të sapoardhurit dhe refugjatët e vjetër janë vetëm të interesuar në mbështetjen e tyre financiare dhe vende pune për të afërmit”. Ky ishte opinioni i sinqertë i një oficeri por mua më duket se kemi nevojë të rivendosim zyrën tonë të raportimit në Stamboll, nën drejtimin e një oficeri me eksperiencë që të dijë të shfrytëzojë në maksimum burimet e informacionit. Mendoj se kjo është e rëndësishme dhe urgjente jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë vendet prapa Perdes së Hekurt. Për këtë detyre njeri i përshtatshëm është Roy Melbourne.

Egjipti

Këtu raportohet se janë 50 refugjatë kryesorë shqiptarë, thuajse të gjithë mbështetës të ish-mbretit Zog ose të zyrtarëve të tjerë që kanë marrë azil në Egjipt me ndërhyrjen e Zog. Nga emrat kryesorë janë Stir Martini, ministër i oborrit, kolonel Hysen Selmani, nipi i tij Princi Sali, Qemal Bej Mesaria, kolonel Abaz Kupi, lider gueril dhe themelues i partisë zogiste të Legalitetit; Abdul Scola ish-i dërguari shqiptar në Kairo para luftës; profesor Gogo Gago kujdestar i motrave të Zogut; Musa Juka ministër i brendshëm gjatë regjmi të Zogut, Mithat bej Frashëri, Mustafa Kraja, Xhafer Deva, ministër i brendshëm gjatë pushtimit gjerman, Koço Maha, Ali Këlcyra dhe Sali Myftia nga Shkodra. Që prej ardhjes së tij në Kairo në pranverë 1946 Zogu ka pasur marrëdhënie të mira me mbretin egjiptian Faruk dhe me familjet mbretërore italiane dhe bullgare që strehohen aty. Ai ka qenë aktiv në ndërtimin e reputacionit të tij mes elementëve shqiptarë të emigracionit, kryesisht duke u kujdesur për krijimin e kolonisë shqiptare në Lindjen e Afërt. Dëshira e Zogut është të formojë një qeveri mbretërore në emigracion ose në pamundësi të saj, një komitet kombëtar çlirimi nën dominimin e tij. Ai ka thënë se dëshiron të marrë pjesë aktive në luftën kundër komunistëve në Shqipëri dhe se do të linte në dorë të shqiptarëve të vendosnin se cili duhet të udhëheqë vendin. Por me gjithë fjalët e tij të bukura ai nuk ka treguar shumë vullnet për të ndihmuar në arritjen e një marrëveshjeje të gjerë mes grupeve të ndryshme shqiptare, sidomos me grupet ish-rivale. Miqësia e tij me mbretin egjiptian Faruk, aftësitë për intriga dhe prestigji i pozitës së tij të mëparshme duhet të merren në konsideratë në çështjen e influencave të ndryshme për lëvizjen e mundshme të revolucionit. Ambasada jonë në Kairo në një nga raportet e informacionit vjeshtën e shkuar ka thënë se “Asnjë nga shqiptarët e këtushëm nuk na ka kontaktuar në gjashtë muajt e fundit”. kjo do të thotë se ata nuk kanë qenë aktivë në ndjekjen e problemit shqiptar nga këndvështrimi perëndimor, ndoshta ngaqë kanë menduar se Departamenti nuk është i interesuar.

Siria

Këtu besohet se ka rreth 150 refugjatë politikë shqiptarë, shumica e të cilëve janë myslimanë që kanë ardhur nga Italia dhe janë pranuar me ndërhyrjen e ish-mbretit Zog. Ata raportohet se nuk janë të lumtur me vendin e ri he dëshirojnë të kthehen në Itali për të emigruar në vendet Perëndimore.

Greqia

Në Greqi aktualisht ka rreth 500 refugjatë shqiptarë, nga të cilët 350 priten të largohen drejt Italisë. Në Greqi do të mbeten të moshuarit dhe të sëmurët. Aktualisht nga emrat më të rëndësishëm mes tyre është figura e Ballit Kombëtar, Abaz Ermenji. Ndërsa mes zogistëve të njohur janë major-gjeneral i ushtrisë pro-gjermane Previsi, koloneli Hysni Duma dhe kolonel Fikri Dine. Nëse qeveria Greke përpiqet të ndalojë largimin e figurave të rëndësishme shqiptare ambasada jonë do të ndërhyjë në mbrojtje të tyre.

Itali

Në Itali besohet se jetojnë rreth 1500 refugjatë shqiptarë, gjysma e të cilëve në kampet e pas-luftës. Të tre grupet kryesore politike janë të përfaqësuar aty. Balli Kombëtar përfaqësohet nga sekretari Vasil Andoni, Halil Maçi, Jani Doli, Siad Kryeziu, Zef Pali e Hasan Dosti. Blloku Kombëtar Indipendent përfaqësohet nga Islamil Verlaci, Ali Vrinoi, Zhemil Doni, Ernest Koliqi dhe Kol Markaj. Zogistët përfaqësohen nga Ferid Dervishi e Zef Skrexhi. Fatmirësisht në Itali ne kemi oficerë me eksperiencë që janë vigjilentë ndaj mundësive që hapen, dhe me marrjen e instruksioneve janë aktivë ndaj zhvillimeve.

Rekomandime

Nuk ka gjasa që drejtuesit e tre grupeve kryesore të refugjatëve shqiptarë të gjejnë vetë një marrëveshje afatgjatë. Ata mund të bashkohen përkohësisht nga urrejtja për armikun e përbashkët, që janë komunistët që tashmë udhëheqin vendin, por ata nuk do të harrojnë kurrë se janë përfaqësues të grupeve që kanë lindur vetëm nga urrejtja për njëri-tjetrin. Prandaj ne besojmë se uniteti mes tyre nuk do të arrihet shpejt me konsensus të përbashkët, por ndoshta duke ngritur një grup të fuqishëm ku dhe grupet e tjerë të bëhen pjesë thjesht për të mbijetuar. Mendoj se kjo mund të arrihet nëse qeveria jonë sinjalizon se megjithëse jo zyrtarisht dëshiron që një grup të marrë drejtimin e përpjekjes anti-komuniste, ajo kërkon të shohë të gjitha grupet e unifikuara me të përkohësisht, deri në largimin e komunistëve nga pushteti dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Zgjedhja e grupit që dëshirojmë të mbështesim do të bëhet duke peshuar opsionet mes tre grupeve kryesore, si reagimet në Shqipëri dhe në botën demokratike. Opsioni më i mirë për ne duket Mit’hat Frashri, presidenti i Ballit Kombëtar. Nëse zgjedhim atë është e rëndësishme të kujtojmë se prej moshës dhe karakterit të tij duhet të shndërrohet në një figurë simbolike udhëheqjeje dhe jo si mendja aktive e lëvizjes. Ky funksion mund t’i lihet një prej zëvendësve të tij si Jani Doli e Abaz Ermenji. Nëse jemi të gatshëm të ndjekim këtë linjë logjike atëherë unë jam i gatshëm të udhëtoj drejt Egjiptit për ta prezantuar problemin te ambasada jonë në Kairo, në mënyrë që ata të mos kenë kundërshtime për të dërguar Horatio në takim me përfaqësuesit e Zogut. Me të ne do të shpjegojmë pozitën e SHBA dhe do i ofrojmë mundësinë për të vënë në zbatim fjalët e tij të bukura për luftën kundër komunizmit. Ky veprim do të shënonte plotësimin e kushtit të dytë fillestar të përgatitjes së operacionit të suksesshëm shqiptar

 Radio

Deri tani nuk ka programe të Zërit të Amerikës që mund të dëgjohen në Shqipëri, por kjo është diçka e nevojshme dhe duhet të realizohet menjëherë. Është e nevojshme të rrënjosim dhe të zhvillojmë te populli shqiptar mendësinë se ata janë jashtë botës demokratike vetëm përkohësisht, dhe se bota e njeh të drejtën e tyre për ekzistencë të pavarur dhe se ka simpati për katastrofën që e ka pllakosur vendin që prej vitit 1939. Përvjetori i dhjetë i pushimit fashist do të ishte një datë e përshtatshme e nisjes së transmetimeve shqiptare të Zërit të Amerikës. Më vonë tekstet e tyre mund të përdoren dhe nga radio Selaniku e radio Athina. Një vit më parë u hartua plani për Radio Selanikun dhe verën e shkuar u dërguan pajisjet nga Italia në Greqi. Por përgatitjet kanë ndaluar pasi kur arritën pakot e pajisjeve me emrin në kod “Dora” autoritetet refuzuan kalimin e tyre. Me sa duket një punonjëse e re e konsullatës sonë në Senanik quhet Dora dhe priste t’i vinin disa sende personale nga SHBA. Kështu që kur erdhën kullat e dinamor e radios me emrin Dora zyrtarët e doganave u habitën dhe kërkonin informacione të detajuara për të lejuar kalimin e tyre. Dërgesa u vonua disa muaj deri autoritetet kuptuan se “Dora ishte një emër në kod për një projekt qeveritar dhe nuk kishin lidhje me punonjësen e re amerikane. Është zgjedhur toka e përshtatshme dhe arkitekti i qendrës së transmetimit. Disa vonesa të tjera administrative pasuan por pengesa kryesore ka qenë një “Moratorium për ndërtimin e stacioneve radio në Selanik” për të cilin nuk kemi marrë ende përjashtim. Vendasit kërkojnë që ne të sjellim pajisjet teknike dhe të ruajmë pronësinë, ndërsa grekët të furnizojnë me materialet dhe shërbimet lokale. Një komitet i përbashkët greko-amerikan do të operojë stacionin pas një periudhë fillestare testimi. SHBA do të ketë kontrollin e përmbajtjes së programeve. Me sa kuptojmë pengesa e nënshkrimit nga ministri i financave vjen pasi ata dëshirojnë që pajisjet të mbeten pronë e qeverisë greke pas përdorimit të stacionit. Ambasadori është interesuar për projektin dhe shpresojmë që marrëveshja të arrihet së shpejti dhe stacioni të nisë transmetimet brenda katër muajve.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 7

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/09/2018 - 07:18

Për amerikanët, komunistët erdhën në pushtet përmes dredhive. CIA ka deklasifikuar disa dokumente për vitin 1947 dhe aty tregohet se si Hoxha dhe njerëzit pas tij arritën të ngjiten në pushtet.

Postuar: 16/09/2018 - 07:40

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë vitit 1955.

Postuar: 15/09/2018 - 08:25

CIA ka renditur 5 arsye kryesore q mund të kenë sjellë fundin e bashkëpunimit Shqipëri-Kinë më 19

Postuar: 14/09/2018 - 07:11

CIA i ka kushtuar një rëndësi edhe marrëdhënieve me Kinën.

Postuar: 13/09/2018 - 07:06

 CIA tregon me detaje se si qeveria komuniste nisi të përçahej në fillimet e saj.