Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet e CIA, ja shifrat që publikonte regjimi komunist për tejkalimin e planeve, Zogu tentoi aleanca me shumë shtete për rrëzimin e Hoxhës

Postuar: 10/10/2018 - 07:10

CIA i ka kushtuar një rëndësi të madhe dhe punëve publike gjatë regjimit komunist. Dihet nga të gjithë se në atë kohë kush nuk përmbushte planin përballej me pasoja. Sipas shifrave të publikuara nga amerikanët, pothuajse në të gjithë sektorët plani tejkalohej me shifra shumë të larta. Po ashtu jepen detaje në shumë qarqe mbi realizimin e punimeve.

Linja e naftës Cërrik-Qyteti Stalin

Më 24 korrik brigade e ndërtimit të linjës naftëmbajtëse Cërrik-Qyteti Stalin nisi shtrimin dhe izolimin e tubave. Prej ditës së parë, ku norma ishte 120 metra, brigade shtroi 189 metra tubacione. Deri në fund të gushtit pritet të shtrohen dhe të izolohen 6 km tubacione. Për transportimin e tubave po përdoren traktorë sovjetikë të tipit Stalinet. Ndërsa në rafinerinë e naftës Stalin kuotat kanë nisur të realizohen në masën 101-105 për qind. Në një periudhë prej 3 ditësh në qershor është prodhuar 9 ton naftë bruto më shumë se plani. Pusi nr, 165 i cili nuk punonte prej 2 muajsh, është vënë në prodhim në qershor dhe prodhon qindra litra naftë bruto në ditë. Naftëtarët që punojnë në këtë pus kanë shpuar 93 metra thellë në 6 orë dhe përfunduan punën e tyre 19 ditë para afatit. Për suksesin e tyre ata u shpërblyen me 25 000 lekë. Dy puse të tjerë u rivendosën në punë në qershor. Me anë të punës vullnetare punëtorët gjithashtu kishin mbledhur deri në 24 qershor 8 ton hekur skrap. Deri në 25 gusht njësitë e shpimit dhe nxjerrjes kishin realizuar 91 për qind të planit dhe shumë njësi kishin tejkaluar kuotat e tyre ditore. Reparti i makinerive të rafinerisë Stalin ka zbatuar kontratat kolektive të punës dhe ka krijuar kushte të shkëlqyeshme për punonjësit. Çdo makineri pakushtet e nevojshme të ndriçimit dhe sigurisë, ndërsa punëtorëve u jepen veshjet dhe ushqime suplementare. Në qershor administrata shpërndau 180 komplete me veshje pune ndërsa për të rritur nivelin e tyre kulturor drejtorët kanë krijuar një dhomë leximi me gazeta, libra dhe revista. Mijëra lekë janë shpenzuar gjithashtu për aspektin e kulturës fizike dhe sporte si volejboll, basketboll e futboll.

Apartamente të reja janë ndërtuar për shumë familje, ndërsa punëtorët po kryejnë detyrën e tyre duke realizuar planin. Ushtarët, teknikët, ndërtuesit dhe punonjësit e tjerë kanë tejkaluar planin e muajit maj me 9 për qind. Por gjithsesi ankesa janë shprehur mbi punonjësit e furnizimit për mangësi të mallrave të konsumit si fruta, perime dhe qumësht. Punëtorët kanë kritikuar shpesh ndërmarrjen për organizim të dobët ndërsa drejtuesit janë justifikuar me mungesën e mallrave të kërkuara në treg, edhe pse prodhimi i vitit 1953 ka qenë i bollshëm. Kooperativa Partizani pranë impiantit ka furnizuar qytetin me prodhime të bollshme bujqësore dhe blegtorale dhe thotë se nuk ka furnizuar impiantin për arsye organizimi. Cilësia e frutave dhe perimeve në treg nuk është gjithmonë e mirë, prandaj punonjësit e rafinerisë preferojnë ushqime të sjella në qytet nga kooperativa. Bukëpjekësit dhe restorantet në qytet kritikohen për mungesë pastërtie dhe cilësi të dobët. Autoritetet shëndetsore për shembull kishin ndaluar shitjen e birrës më 11 shtator, por restoranti vazhdoi shitjen e saj për të evituar rënien në deficit.

Qarku i Gjirokastrës

Fondet për ndërtime ekonomike dhe arsimore në qarkun e Gjirokastrës ishin 27 për qind më të mëdha në vitin 1953 në krahasim me 1952. Mes projekteve të përfunduara është kinemaja prej 4 milionë lekë në qytetin e Gjirokastrës, shtëpia e lindjes në Cepune, dhe shkollat 7-vjeçare në Golem e Peshkop. Në gusht 4 shkolla të tjera po zgjeroheshin dhe në të gjitha qarkun janë planifikuar tre biblioteka, një tjetër maternitet dhe disa shkolla. Puna për tharjen e tokave vazhdon dhe deri në gusht sasi të konsiderueshme toke ishin përftuar në kooperativat Arshi Lena dhe atë të Nepravishtës. Një hidrocentral i vogël është ngritur në Selo-Klishar. Fshatarët e Peshkopit dhe Glinës po ndërtonin një hidrocentral të vogël për ndriçimin e tre fshatrave.

Qarku i Korçës

Ndërmarrja lokale e ndërtimit të Korçës tejkaloi planin për 6 muajt e parë të vitit 1953 me 1 për qind në projektet kryesore të ndërtimeve në lumin Devoll, në punishtet e artizanëve të kooperativës dhe në ndërtimet për strehimin e punonjësve në qytetin e Korçës dhe në Voskopojë. Deri më 24 korrik puna po vazhdonte për ndërtimin e një kanali të ri për lumin drejt qytetit. Përdorimi i gjashtë metodave sovjetike i ka kursyer shtetit rreth 150 000 lekë duke reduktuar kostot me rreth 11.1 për qind.

Qarku i Kukësit

Ndërmarrja lokale e ndërtimit në qarkun e Kukësit ka plotësuar planin për gjashtë muajt e parë të 1953 vetëm me 75 për qind prej organizimit të dobët se sensit të përgjegjësisë nga drejtorët. Gjithashtu Kujtim Sabedini tekniku i ndërmarrjes ka bërë gabime në zbatimin e planit për kanalin e Orgjeshtës në Shishtavec, të cilat kanë kushtuar disa dhjetra mijëra lekë. Seksioni bujqësor i qarkut është gjithashtu përgjegjës për vonesat në punime e kanalit dhe projektet e tjera. Puna në kanalin e Brutit gjithashtu është vonuar me 3 muajt për arsye të planifikimit të dobët nga drejtuesit dhe mungesës së interesit nga autoritetet lokale.

Qarku i Beratit

Rrethi i Lushnjes tashmë ka një shkollë të re, apartamente të reja dhe një kinema. Por deri më 5 shtator kishte prapambetje në punë. Nga janari deri në prill ishte realizuar vetëm 31 për qind e planti të ndërtimeve ndërsa deri në qershor ishte realizuar 40 për qind e planit, kjo për arsye të mungesës së planifikimeve javore dhe ditore si dhe për arsye të mosshfrytëzimit të mjeteve të transportit. Përgjegjësitë për mangësitë qëndrojnë te komiteti ekzekutiv i rrethit, të cilët megjithë mungesat nuk kanë ushtruar kontroll mbi situatën. Dhe në fakt anëtarët e Komitetit kanë mbajtur një qëndrim sipërfaqësor ndaj projekteve të ndërtimit, në një kohë kur duhet të kishin kuptuar se thyerjet e disiplinës po pengonin realizimin e objektivave të planit pesë-vjeçar. Në 1953 ndërmarrja e ndërtimit të rrethit të Përmetit kishte në plan ndërtimin e katër shkollave fillore dhe në gjashtëmujorin e parë plani u realizua plotësisht. N

Zhvillimi i Tiranës

Në Tiranë ndërmarrja e ndërtimit Muhamet Gjollesha realizoi planin e ndërtimit për gjashtë muajt e parë të vitit me vetëm 68 për qind kurse prodhimi arriti në 91 për qind. Kjo për arsye të tepërt të formalizmit të drejtuesve të saj, të cilët kënaqen vetëm me dhënien e urdhrave për zbatimin e metodave sovjetike pa u kujdesur për mbikëqyrjen e ekzekutimit të tyre. Për shembull metoda Kulakov ishte zbatuar vetëm 2-3 orë në ditë në ndërtimin e mureve, dhe kjo ka reduktuar efikasitetin. Drejtorët janë përpjekur të shpjegojnë rendimentin e tyre të vogël me mungesën e materialeve të ndërtimit, por kjo nuk mund të shpjegojë se përse vetëm 37 për qind e punëtorëve përdorin metodën sovjetike Levçenko-Mukanov. Arsyeja e vërtetë e mangësive është fakti se drejtorët nuk i kanë dhënë rëndësinë e duhur metodave sovjetike dhe janë treguar indiferentë ndaj firove. Për shembull njësia e ndërtimit numër 1 nuk i ka mbrojtur materialet e saj dhe tulla të hedhura apo të thyera ishin parë në kantier ndërsa dhe druri i përdorur nuk është mbledhur për ripërdorim. Deri në 12 gusht ndërmarrja ishte angazhuar në projekte të rëndësishme si pallatet shtatë-katëshe me 76 apartamente, prandaj nëse drejtuesit nuk heqin dorë nga mefshtësia e tyre ata nuk do të mund të realizojnë planin.

Fabrika e mallrave të leshti Tiranë

Punonjësit e fabrikës së mallrave të leshit në kombinatin tekstil në Tiranë po përshkallëzonin punën dhe transportet e materialeve në qershor 1953. Në punishten kryesore punonjësit kanë montuar makineritë dhe pajisjet elektrike e hidraulike dhe tashmë makineritë mund të nisin prodhimin e mijëra metra copa e veshje në vit. Më 3 korrik teknikët kishin përfunduar instalimin e makinerive të larjes e ngjyrimit të leshit dhe ishin në përfundim të punës në repartet e tjera. Deri më 7 gusht punonjësit kishin përfunduar dhomat e veçanta të tjerrjes, pastrimit dhe përzierjes së materialeve. Mekanikët premtonin të përfundonin punimet deri më 16 tetor. Deri në 30 korrik kishte nisur ndërtimi i fabrikës së rakisë në fshatin Shëngjergj të Tiranës me iniciativën e kooperativës së zonës e cila po investonte 200 000 lekë në projekt. Fshatarë nga Përpunja, Fagu dhe Derje po ndihmonin në grumbullimin e materialeve.

Fshati Shënmëri e Shëngjergj po ndërtonin një hidrocentral të vogël për elektrifikimin lokal. Në qarkun e Vlorës ka nisur puna prej vitit të kaluar për ndërtimin e impiantit të nxjerrjes në Tanpin. Në fillim të vitit ishin mbledhur materialet e nevojshme për ndërtimin e rezervuarve, ndërtesave dhe stacioneve të pompimit. Kur u kuptua se kishte mangësi në materiale hekuri, drejtorët morën masa në mbledhjen e materialeve nga anijet e dëmtuara gjatë kohës së luftës, si dhe nga tanket gjermane e italiane të mbetura në Llogara. Duke u përpjekur të bëjnë sa më shumë ekonomi në përdorimin e hekurit për betonin e përforcuar, ata arritën të përdornin vetëm gjysmën e masës së lejuar me ligj, dhe si rezultat arritën të plotësonin nevojat e fabrikës.

Tullat, çimento

Deri më 17 shtator njësitë e fabrikës së tullave në Korçë kishin furnizuar fshatarët me 11-12 mijë tulla në ditë kur norma ishte 7500 tulla në ditë. Në shtator konsumatorët e kooperativës së Fierit kishin furnizuar fshatarët me 20 000 kg çimento, dërrasa dhe vegla bujqësore. Deri më 22 gusht zona e Elbasanit ishte furnizuar me 145 artikuj të ndryshëm ndërtimi duke përfshirë çimento, dërrasa, gozhdë, litar etj. dyqane të reja materialesh ndërtimi ishin hapur në Farret, Lunik, Shalës. Ndërmarrja e çimentos në Shkodër e ka realizuar vazhdimisht planin e saj gjatë 5 viteve të ekzistencës. Deri më 12 qershor reparti i saj i çimentos ishte zgjeruar dhe rritur ndjeshëm kapacitetin. Një fabrikë çimentojë ka nisur ndërtimin edhe në Vlorë në korrik 1952. Deri në 16 korrik në të ishin instaluar thyerset, vinçat e rripat transmetues. Ishin ngritur gjithashtu themelet për oxhakun e furrës dhe kishte nisur puna për rezervuarin e ujit. Tetë shtëpi po ngrihen për punëtorët e fabrikës dhe ato të administratës.

Industria e drurit

Në punishtet e sharrave në Hotolisht të Elbasanit plani i 6-mujorit të parë të vitit ishte realizuar plotësisht. Edhe kombinati i drurit Nako Spiru në Elbasan realizoi planin e gushtit me 105 për qind. Prodhimi i shtyllave për tensionin e lartë ishte shumë i mirë. Punonjësit e punishtes së drurit në Ballabanovë në Korçë realizuan planin vjetor më 102 për qind dhe prej korrikut nisën të punonin për llogari të planit të vitit të ardhshëm.

Importet

Në fillim të qershorit avullorja sovjetike Lermontov erdhi në portin shqiptar me mallra të ndryshme si grurë, misër, çelik, kopertona gome, makineri për industrinë e naftës, mjekime aparate mjekësore dhe pjesë makinerish e automobilash. Importe të mëtejshme nga BRSS për Shqipërinë përfshinin pjesë këmbimi. Çelik, torno dhe medikamente. Çekosllovakia ka furnizuar vendin me pajisje për industrinë e naftës si pompa elektrike, aparate telefonike e tekstile. Makineritë e tharjes e përpunimit të leshit për kombinatin tekstil erdhën me një ngarkesë 300 tonëshe për kombinatin. Në vitin 1953 Shqipëria nënshkroi marrëveshjet tregtare e financiare me BRSS, Hungarinë, Gjermaninë Lindore e Poloninë deri në vitin 1955. Importet kryesore të Shqipërisë ishin pajisje transporti, minierash dhe pajisje të tjera teknike. Veshjet, ushqimet e mallrat e konsumit përbënin vetëm 25 për qind të masës së importeve. Çekosllovakia ka dërguar shumicën e materialeve të transportit, Polonia pajisjet e minierave, lokomotivat e hekurudhat, Hungaria ka dërguar tuba, tela e kabllo, Bullgaria drithëra deh Rumania produkte për naftën. Ndërsa eksportet e Shqipërisë në këto vende ishin naftë, krom, lesh, lëkura, vaj ulliri dhe produkte të tjera bujqësore.

Tetor 1953

Kemi marrë raportime urgjente nga përfaqësues të ish-mbretit shqiptar Zog, se asetet e tij janë ngrirë në të gjitha bankat egjiptiane, dhe nuk asnjë lajm për bizhuteritë dhe 15 000 monedhat e arta që u sekuestruan nga policia egjiptiane. Ndihmësi i ti raporton më tej se ministria e Jashtme egjiptiane ka informuar Zogun se pasaporta e tij dhe vizat e largimit janë gati, por Zogu është detyruar të refuzojë pasi nuk mund të largohet nga vendi pa mjetet e tij të mbështetjes financiare. Prandaj Zogu i kërkon Shteteve të Bashkuara të ndërhyjë të qeveria egjiptiane për llogari të tij, që ai të mund të largohet nga vendi siç është planifikuar më 19 tetor. Sipas kontaktit të Zogut të dyja sulmet, si ai në shtëpinë e Zogut dhe bllokimet bankare, u shpjeguan nga ministria e jashtme si një përpjekje për mbledhjen e taksave të papaguara, akuza për të cilat Zogu thotë se janë të rreme.

Shtator 1953

Raport i zhvillimeve operacionale

1. Zhvillime të përgjithshme

Radio Greqia e Lirë më 14 shtator u bënte thirrje grekëve të vendosnin marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Nuk ka pasur tregues nga burime të tjera nëse grekët apo shqiptarët po merrnin në konsideratë një veprim të tillë. Më 28 shtator qeveria jugosllave raportonte zyrtarisht se negociatat e saj me Shqipërinë për zgjidhjen e incidenteve në kufi ishin ndërprerë në një atmosferë të akullt mosmarrëveshjeje. Takimi i parë i komisioneve shqiptare e jugosllave u mblodh më 17 gusht. U kompletuan në Nju Jork marrëveshjet për lejimin e ish-mbretit shqiptar Zog në SHBA. Por një prej vështirësive që ka lindur është bastisja e rezidencës së Zogut në Aleksandri teksa familja ndodhej në shtëpi, me urdhër të ministrisë së Brendshme egjiptiane, të cilët kryen një kontroll prej tre orësh.

Ata kanë konfiskuar një sasi dokumentesh financiare, por nuk kishin prekur dokumentet e tij mbi Shqipërinë. Një kontroll trupor mbi vetë Zogun dhe familjarët u kërkua por nuk u krye pas kërcënimit të tij me rezistencë të dhunshme. Besohet se qëllimi i aksionit ka qenë zbulimi i provave për kontrabandë apo të aktivitetit politik me elementë anti-Naguib, çka do të sillte veprim të autoriteteve deri në përjashtim të Zogut nga Egjipti, pa para apo prona. Me anë të kontakteve të tij Zogu ka kërkuar të merren masa për mbrojtjen e tij dhe të familjes. Ai besohet se është siguruar nga ministri i jashtëm i Egjiptit se nuk do të preken marrëveshjet për lëshimin e vizave dhe të transportit të parave, edhe pse kjo ishte jashtë jurisdiksionit të tij pasi veprimet u ndërmorën nga ministria e brendshme.

Gjatë muajit shtator Komiteti Kombëtar për Evropën e Lirë ka njoftuar anëtarët e NCFA se për arsye të shkurtimeve të buxhetit NCFA do të pushojë aktivitetet më 1 tetor 1953. Në të njëjtën kohë do të ndërpriten edhe programet në shqip të radios Evropa e Lirë. Megjithse ndihma financiare për NCFA do të vazhdojë me anë të kanaleve të tjera, rrogat dhe financat do të reduktohen. Ky ndryshim vjen në një kohë të përshtatshme edhe në formën e masës disiplinore të anëtarëve të padisiplinuar të komitetit të NCFA dhe të forcimit të kontrollit në të ardhmen.

Përmbledhje e planeve operacionale

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 1

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/10/2018 - 13:11

Ish-drejtori i Arkivit të Shtetit, Kastriot Dervishi, na ka shuar një kuriozitet në lidhje me mënyrën se si luheshin llotot në kohën e komunizmit.

Postuar: 17/10/2018 - 07:16

Për shërbimin sekret amerikan, Tropoja ishte qendër e spiunazhit gjatë regjimit komunist.

Postuar: 16/10/2018 - 07:08

CIA ka deklasifikuar së fundmi një sërë dokumentesh sa i takon situatës së regjimit komunist pas

Postuar: 13/10/2018 - 07:06

CIA ka treguar se vëmendja e saj ndaj Shqipërisë ka qenë që pak pasi mbaroi Lufta e Dytë Botërore

Postuar: 12/10/2018 - 06:58

Amerikanët i kanë kushtuar një rëndësi të madhe situatës para rrëzimit të regjimit komunist.

Postuar: 11/10/2018 - 07:05

CIA ka zbardhur detaje mbi kushtet me të cilat përballeshin personat që internoheshin në kampe pë