Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet e CIA, ja si ambasadori sovjetik i shpëtoi atentatit më 1951, Hoxha sherr të ashpër me Tuk Jakovën, më 1950 u ekzekutuan me qindra persona

Postuar: 26/08/2018 - 07:00

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi najë atentat të përfolur ndaj ambasadorit sovjetik në Shqipëri më 1951. Sipas dokumenteve të CIA, ai u tentua të eliminohej dhe pas kësaj nis një sherr i ashpër mes Hoxhës dhe Tuk Jakovës, gjë që solli dhe arrestimin e këtij të fundit. Por CIA kishte dyshime se atentati ndaj ambasadorit ishte një shpikje për të sjellë spastrime në parti.

Shkurt 1950

Të dhëna biografike mbi personalitetet pro-sovjetike

Gjenerali i ushtrisë Beqir Balluku është një nga eksponentët e aktiviteteve dhe intrigave të klanit sovjetik sa i përket personalit ushtarak. Balluku thuhet se ka vizituar disa herë Moskën ku është takuar me përfaqësues ushtarakë sovjetikë dhe të vendeve satelite, me të cilët ka biseduar për luftën guerile me Greqinë dhe Jugosllavinë. Admirali i flotës sovjetike Lesnikov, specialist i mbrojtjes bregdetare, ka qenë në Shqipëri që prej fillimit të vitit 1949 duke u kujdesur por fortifikimet detare. Ka qenë ai që ka sugjeruar fortifikimet në ishullin e Sazanit dhe ka hartuar planin e furnizim të nëndetëseve apo dhe kalimin e furnizimeve për guerillasit grekë në Peloponez, por ky plan nuk u realizua kurrë. Ai besohet se është një specialist i Adriatikut dhe ka një rrjet të mirë informacioni në Mesdhe. Koloneli i ushtrisë sovjetike Mitsenov ishte dërguar fillimisht në Jugosllavi për riorganizimin e ushtrisë së vendit. Në korrik 1948 ai tentoi të hynte në një zonë të kontrolluar nga guerilasit grekë pranë kufirit Greqi-Jugosllavi por u kthye mbrapsht prej tyre dhe u dërgua te autoritetet jugosllave në Beograd. Mitsenov u largua më pas për në Hungari dhe më në fund në Shqiëpri, gjatë kohës kur qytetarët sovjetikë në Jugosllavi ishin të survejuar. Mitsenov besohet të ketë drejtues i 3 zyrave të operacioneve të ushtrisë sovjetike në Ballkan. Koloneli i forcave ajrore sovjetike Artimov është përgjegjës për furnizimin ajror të gruerilasve grekë, me materiale nga Hungaria. Bashkëpunëtorët e tij grekë janë oficerët guerilë Tsirinokos dhe Gigopulos.

Janar 1950

Rezistenca nacionaliste në Shqipëri

Raportime të kohëve të fundit thonë se lajmet për aktivitet të gjerë rezistence në zonën e Mirditës ishin shumë të ekzagjeruar. Vrasja e Bardhok Bibës është ndjekur nga ekzekutimet e 17 personave të tjerë me influencë dhe largimet e rreth 200 familjeve nga zona. Në fillim të këtij viti rreth 20 persona të kërkuar nga komunistët, megjithëse ende nuk ishin kapur, gjendeshin në një situatë të dëshpëruar. Mes të larguarve drejt Jugosllavisë është dhe Bajraktar Marko, Bajraktar Ndue Lufi dhe Marka Bib Vokri. Ata të cilët nuk arritën të largoheshin janë tashmë në burgje ose në kampet e përqendrimit. Nga zona e Lumës që ka qenë nga zonat më pak rezistente në veri të Shqipërisë, rreth 300 familje kanë kërkuar tashmë azil në Jugosllavi. Në to përfshihen familja e Hazbi Dane, Mal Hoxha Mehmeti dhe Lutfi Spahiu, ky i fundit ka qenë më parë mbështetës i regjimit të Hoxhës. Në zonën e Lumës influenca e Gani Bej Kryeziut po rritet dita-ditës, teksa besohet se ai ofron të vetmen shpresë ndryshimi të situatës në Shqipëri. Shumica e banorëve në veri të Shqipërisë janë nacionalistë dhe pak prej tyre janë zogistë, ndërsa për Ballin Kombëtar nuk ka simpati. Një ndjesi e përgjithshme është se çdo parti ose qeveri tjetër do të sillte përmirësime në krahasim me qeverinë aktuale komuniste. Personat e mëposhtëm besohet se kanë qenë aktivë në rezistencën ndaj qeverisë aktuale por janë vrarë nga autoritetet gjatë vitit 1948: Frrok Melyshi, Bardhok Marka Gjoka, Pjetër Lleshi, Marka Cara, Ludovik Saragi, Pjetër Paloka, Ded Vila, Nikollë Gjeta, Ndue Preng Gjini, Gjok Doda, Ded Kaziu, Frano Zeimiri, Zef Dodë Pervuka, Dod Bib Prendoca. Shumica e tyre kishin qenë kryetarë të bandave të rezistencës dhe përshkruheshin si me shumë influencë në lëvizjen kombëtare të rezistencës. Përveç emrave të përmendur më sipër edhe lideri i rezistencës Preng Gjergj Kegi dhe nipi i tij raportohen të kapur nga forcat e sigurisë në 1948. Burimet raportojnë gjithashtu ekzekutimin e Bajram Bajraktarit dhe vdekjen e Bajraktar Marka Ndue. Krerë të tjerë të opozicionit që besohet se janë ende në Shqipëri përfshijnë Ndue Bajraktari, Ndue Bib prendoca, Marka Juka Bajraktari, Ded Kol Belshi, Ded Vuka, Preng Dod Gjini Kegi, Llesh Mluyshi, Mark Mlyshi. Përveç dyqaneve shtetërore ka dhe dyqane private të cilët përfitojnë nga kushtet e mjerueshme të popullit, i cili nuk ka veshje dhe këpucë. Qeveria kërkon që të gjithë të kontribuojnë me hua të detyruara prej 1000 lekë ose më shumë në varësi të aftësisë së tyre për të paguar. Huat e detyruara duhet të kthehen me interes brenda 20 vjetëve. Autoritetet i kanë kaluar funksionet e policisë disa civilëve të fshatrave të cilët shërbejnë vullnetarisht, pa uniformë apo pa këpucë. Më 5 janar 1950 ra një zjarr në sharrën e fshatit Kryezi dhe fshatarët që duhet ta shuanin i hodhën qëllimisht vajguri në vend të ujit. Autoritetet thanë se dëmi kishte arritur në 10 milionë lekë.

Tetor 1951

Të dhëna politiko-ekonomike

E përditshmja e Stambollit “Jeni”: “Diktatori i Shqipërisë Enver Hoxha ka qenë më parë i kënaqur me planin 2-vjeçar, por ka njoftuar së fundmi se do të hyjnë në fuqi planet 5-vjeçare me qëllim rritjen e prodhimit bujqësor. Meqenëse ndihmat që BRSS dhe vendet satelite i japin Shqipërisë po zvogëlohen dita-ditës, atëherë vendi duhet të nxjerrë maksimumin nga burimet e tij të pakta. Dhe në fakt sovjetikët nuk duken më të interesuar për Shqipërinë si më parë kur numri i personelit të tyre në vend arriti në rreth 5000. Tashmë numri i teknikëve dhe drejtuesve sovjetikë nuk i kalon 1000 në të gjithë vendin. Ndihma direkte gjithashtu është zvogëluar teksa këmbimet mes Shqipërisë dhe Çekosllovakisë, Hungarisë e Polonisë kanë rënë në minimum. Tanimë edhe mbërritja e një traktori t vjetër nga Rusia është një rast i veçantë. Interesi sovjetik është tashmë minimal dhe kufizohet vetëm në masat e parandalimit të rënies së Shqipërisë në duar të titistëve. Aktualisht Tito po përmbahet nga ndërhyrjet në punët e brendshme shqiptare, edhe pse në fakt nuk kanë shumë shanse ta bëjnë këtë as ai e as të tjerë. Drejtuesit e Shqipëria e Lirë nuk kanë vendosur të evitojnë rreziqet e një revolte të hapur dhe të kufizohen vetëm në rezistencën e fshehtë, dhe i kanë dërguar urdhra mbështetësve të tyre të veprojnë me përmbajtje. Por me gjithë këto urdhra shpeshherë dëgjohen incidente lokale si ekzekutime të drejtuesve lokalë ose bomba të hedhura ndaj objekteve të partisë komuniste. Aktivitetet anti-komuniste janë kufizuar në incidente të tilla. Meqenëse Shqipëria është një vend kryesisht bujqësor edhe përpjekjet sociale të propagandës fokusohen te masa e fshatarëve. Këta të fundit ftohen të dëgjojnë mësimet e marksizëm-leninzimit dhe gjithashtu të shijojnë kënaqësitë e konfiskimeve. Asambleja popullore në çdo fshat vendos taksat dhe meqenëse në to nuk ka asgjë që mund të quhet e drejtë ose e arsyeshme, ka një lojë të vazhdueshme ku-ka-fshehti mes fshatarëve që përpiqen të fshehin prodhimet e tyre dhe autoriteteve që nuk arrijnë të mbledhin produktet e kërkuara. Në këtë lojë qeveria duket se është gjithmonë humbëse prandaj shpeshherë fshatarë të caktuar vendosen në listën e zezë të elementëve politikisht të rrezikshëm, dhe më pas ata dërgohen në kampet e përqendrimit, ku di dënim punojnë në miniera ose në tharjen e kënetave. Fshatarët e pafat që nuk arrijnë të dorëzojnë produktet e caktuara nga komiteti i konfiskimit, dorëzohen te sindikata lokale e cila i dërgon ata në kampet e sipërpërmendura. Zbatimi i planit të ri 5-vjeçar kërkon një fuqi të madhe krahu të lirë pune, të cilat do të mblidhen vetëm me anë të policisë dhe sigurimit.

Prill 1951

Pasoja të tentativës së vrasjes së ambasadorit sovjetik

Në lidhje me tentativën e përfolur për të vrarë anëtarë të kabinetit të Enver Hoxhës, informacione të datës 20 mars 1951 thonë se një atentat është bërë kundër ambasadorit sovjetik në Tiranë, i cili shpëtoi pa u lënduar. Pas këtij incidenti 30 persona janë ekzekutuar dhe shumë të tjerë janë arrestuar nga autoritetet. Arrestimet vazhdojnë ende dhe masa të ashpra priten si në qytete dhe në zonat malore. Masat e ashpra reaguese kanë të bëjnë dhe me fshehtësinë e operacioneve. Raportime të 22 marsit, të cilat llogariten si të besueshme, thonë se Enver Hoxha dhe zv. kryeministri Tuk Jakova janë konfliktuar dhe se më pas Jakova është burgosur. Nuk duhet nëse arrestimi i tij ka lidhje me tentativën kundër ambasadorit sovjetik në Tiranë. Sipas burimeve zyrtare italiane, bazuar në raportimet e italianëve të sapoardhur nga Shqipëria, ka besim të gjerë se atentati ndaj ambasadës sovjetike është një sajesë për të justifikuar masat e ashpra represive të qeverisë dhe forcimin e kontrollit sovjetik. Sipas italianëve të vetmit persona të vrarë nga bomba në ambasadë ishin zyrtarë të ulët (nuk tregohet kombësia e tyre). Informacionet e datës 29 mars thonë se arrestimi i Jakovës është tashmë i sigurt dhe është mbajtur sekret nga qeveria për disa kohë. Deri në 5 prill të gjithë anëtarët e partisë raportohet të jenë thirrur në qendrat e tyre respektive për të diskutuar situatën e krijuar nga bomba në ambasadën sovjetike dhe arrestimi i Jakovës. Në kundërshtim me raportimet për burgosjen e Jakovës, Radio Tirana deklaroi në 29 mars 1951 se Tuk Jakova ka vizituar Durrësin për të pritur dërgesën e 10.000 ton grurë që erdhën me anijen sovjetike Nikolajev. Këto shifra duken të ekzagjëruara dhe nuk është e qartë nëse përfaqësojnë masën totale të dërgesave apo ndoshta kanë dashur të thonë vetëm 1000 ton.

11 Janar 1950

Operacioni BGFIEND

Dyshime mbi britanikët për "marrëveshje" me grekët e jugosllavët

 

Lleëellyn Thompson më informoi sot se ka kryer një bisedë me përfaqësues të ambasadës britanike, përfshi edhe Lord Jellico, dhe tha se përfaqësuesit u sforcuan shumë për të justifikuar qëndrimin e tyre kur ai i përmendi një qëndrim “të paqartë” të tyre në lidhje me situatën. Produkti i takimit është se përfaqësuesit e ambasadës pranuan se ishte e nevojshme që ata të komunikonin me Lodrën për sqarime të mëtejshme, dhe më pas të mbanim një tjetër bisedë. Sipas zotit Thompson, përfaqësuesit e ambasadës treguan në një farë mënyre se ishin në dijeni të dyshimeve italiane mbi ta, dhe spekulonin se kjo mund të ishte arsyeja përse ministria e Jashtme britanike donte të ruante një profil të ulët. Zoti Thompson premton të na dërgojë një memorandum të bisedës së tij sapo të kompletohej. Ai raportonte më tej se një përfaqësues i ambasadës greke kishte ardhur kohët e fundit te Departamenti për të shprehur shqetësimin mbi propozimin italian për një diskutim të “katër fuqive” për Shqipërinë, i cili do të përjashtonte Greqinë (Departamenti i Shtetit nuk favorizon një diskutim të tillë për momentin, qoftë me apo pa palën greke). Duke reflektuar për gjithë këtë çështje, zoti Thompson tha se besonte se me sa di deri tani ambasada britanike, britanikët nuk janë të angazhuar në një marrëveshje tre-palëshe me grekët e jugosllavët, për Shqipërinë. Britanikët janë të shqetësuar për pozicionin e Titos dhe zoti Thompson beson se një marrëveshje e tillë tre-palëshe po fshihet. Një arsye për dyshimin e tij është fakti se çështja është diskutuar me zotin Bevin dhe nëse do të kishin marifete ndaj Shteteve të Bashkuara nuk do t’i diskutonin me të për arsye të karakterit të tij të hapur e të drejtpërdrejtë

Llojet e operacioneve

a) Operacionet paraprake – Zhvillimi, organizimi, pajisja dhe trajnimi në Jugosllavi, Greqi e vende të tjera të huaja i forcave të përbashkëta që nevojiten për fazën paraprake të grushtit të shtetit. Zhvillimi i njësive të forta të rezistencës brenda Shqipërisë, që do të mbështesin dhe do të shtojnë numrin e forcave që vijnë nga jashtë Shqipërisë. përfitimi i të gjithë inteligjencës operacionale që nevojitet për kryerjen e suksesshme të grushtit.

b) Operacionet sulmuese nga pikat e selektuara në Jugosllavi e Greqi dhe pikat e përbashkëta të komandës, të nisin lëvizjet operacionale të natës, drejt objektivave në Shqipëri bashkë me dërgesat e furnizimeve. Forcat e përbashkëta në terren të sulmojnë gjatë natës për të kapur dhe siguruar zonat e synuara. Elementët e sulmit të neutralizojnë ushtarët e kufirit dhe të marrin kontrollin e instalacioneve ushtarake, të ndërpresin komunikimet dhe të shkaktojnë dezertimin ose izolimin e forcave kundërshtare ushtarake dhe të sigurisë. Të gjitha fushat ajrore dhe avionët bashkë me qendrat e transportit të sigurohen. Më tej të kapen dhe të mbahen të gjithë liderët e rëndësishëm të qeverisë. Qeveria e përkohshme të përbëhet nga liderët e NCFA( Komiteti për Shqipërinë e Lirë). Ata të njoftojnë publikisht krijimin e qeverisë së lirë e të pavarur të Shqipërisë, dhe të detyrojnë liderët e regjimit Hoxha të pranojnë publikisht largimin nga pushteti në mënyrë që të nxitet mbështetja për qeverinë e përkohshme. Me anë të qelizave të organizuara paraprakisht dhe me grupet e terrenit të bëhet ngritja e grupeve të rezistenës vendase për kompletimin e grushtit të shtetit.

c) Kosolidimi i operacionit. Të eliminohen elementët e mbetur të opozicionit. Të riorganizohen e të forcohen forcat e qeverisë së përkohshme dhe agjencitë e forcat e tjera mike.

 

Mënyra për rekrutimin e agjentëve brenda vendit

OBOPUS- është emri për projektin e përgjithshëm të plotësimit të këtyre objektivave në Shqipëri. OBHUNT është nën-projekti sipas të cilit kryhet operacionet e kalimeve kufitare. Për momentin kemi 18 agjentë të gatshëm në Greqi (7 prej të cilëve të trajnuar në komunikime radio) të cilët mund të vazhdojnë programit gjatë sezonit operacional 1954. Besohet se këto operacione do të vazhdojnë në dy vitet në vijim për plotësimin e detyrave operacionale. OBOPUS/OBTEST është një projekt për një radio-stacion klandestin anti-komunist që transmeton me valë të shkurtra në Shqipëri, për llogari të Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë (NCFA). Ky stacion vepro në Athinë që prej shtatorit 1951.

Konkluzione

Pengesat sovjetike për aksesin e SHBA te Shqipëria nuk kanë shkaktuar disavantazhe strategjike apo ushtarake të rëndësishme. Burimet ekonomike të vendit kanë vetëm avantazhe lokale të kufizuara. Aksesi në terren, i cili është një bregdet i gjerë parësor në Ballkan, në rast konflikti madhor do të ishte gjithashtu i parëndësishëm për arsye të mungesës së porteve të përshtatshme, pistave ajrore dhe komunikimeve të dobëta në vend. Po ashtu, kontrolli sovjetik ndaj Shqipërisë i jep asaj vetëm një avantazh të dobët në rast konflikti madhor. Burimet ekonomike të vendit nuk mund të arrihen me rrugë tokësore, dhe zhvillimi i tyre do të kërkonte investime të mëdha në njerëz dhe makineri, që do të ishin jashtë proporcioni në lidhje me përfitimet, prandaj edhe BRSS nuk mund t’i kryejë. Megjithëse përdorimin i bazave të avancuara së nëndetëseve apo aeroporteve të përshtatshme do të kishte avantazhe në kohë lufte, vendet e mundshme për to janë të kufizuara në numër dhe kapacitet, dhe do të ishin të papërdorshme përballë një force ushtarake superiore ajrore apo detare. Dhe në fakt, rëndësia e Shqipërisë për Fuqitë e Mëdha është kryesisht negative dhe përbëhet nga mundësitë për përdorim si bazë guerile për ngacmime ushtarake në operacionet e mëdha.

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 15

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/09/2018 - 07:17

CIA ka nxjerrë në dritë të tjera informacione sa i takon zhvillimeve në Shqipërinë Komuniste.

Postuar: 23/09/2018 - 07:33

CIA ka treguar detaje nga përplasjet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik më 1992 sa i takon mar

Postuar: 22/09/2018 - 07:12

CIA kishte menduar të gjitha alternativat për të rrëzuar regjimin komunist.

Postuar: 21/09/2018 - 07:11

CIA amerikane ka pasur të dhëna të plota sa i takon zhvillime të Shqipërisë gjatë periudhës komun

Postuar: 20/09/2018 - 09:27

Në vitin 1947 CIA paralajmëroi se mund të krijohej Federata Ballkanike dhe Shqipëria të ishte pje

Postuar: 19/09/2018 - 07:18

Për amerikanët, komunistët erdhën në pushtet përmes dredhive.