Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet e CIA, ja si Enver Hoxha nisi përplasjet më vendet që u rreshtuan krah BRSS, jugosllavët arrestuan Destan Berishën për spiunazh

Postuar: 08/11/2018 - 07:12

CIA ka treguar detaje se si Shqipëria i shpalli armiq të gjithë shtetet që ishin krah Bashkimit Sovjetik. Në një dokument të deklasifikuar prej tyre, tregohen përplasjet me Çekosllovakinë në vitin 1963. Në një tjetër dokument tregohen detaje nga gjyqi që ju bë Destan Berishës në Jugosllavi, ku u arrestua për spiunazh.

Janar 1963

Situate ndërkombëtare

Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera socialiste e konsiderojnë si detyrë të ndihmojnë vendet më pak të zhvilluara. Ne mund të themi se marrëdhënia e tyre nuk bazohet në interes reciprok. Zhvillimi i debatit mes BRSS dhe Kinën pas kongresit të 22-të sovjetik po sjell detaje të reja mbi kundërshtimet e Shqipërisë dhe motivimet për ndihmën e huaj. Pas kongresit më 30 tetor 1961, Radio Praga akuzoi regjimin e Tiranës se po i tregonte BRSS, Çekosllovakisë dhe vendeve të tjera socialiste se cilët duhet të mbështesnin dhe cilët jo. Praga akuzonte më tej Shqipërinë se po kërkonte vetë izolimin e saj nga ndihma e bllokut socialist: “Duke marrë në konsideratë situatën ndërkombëtare, kritikat e tyre për ndihmat ndaj vendeve aziatike dhe atyre afrikane, tregojnë se nuk janë anëtarë të bllokut socialist”. Një javë më vonë (5 nëntor 1961) gazeta çekosllovake “Prace” raportonte për një takim mes ekonomistëve dhe sindikalistëve vendas, dhe riprodhonte komentet e mëposhtme: “Udhëheqësit shqiptarë kanë disa ide të çuditshme mbi socializmin ndërkombëtar. Mes të tjerave ata duan që ne të ndihmojmë për shembull, vetëm vendet në nevojë të kampit socialist ... dhe në të ardhmen, kur ata nuk kanë më nevojë për asistencë, të ndihmojmë vendet e tjera më në nevojë. Por gjithsesi asistenca ndaj vendeve socialiste të pazhvilluara është pjesë integrale e konceptit tonë të internacionalizimit”. Një tematikë e ngjashme u përshkrua dhe në artikullin e Konstantinov në të përditshmen “Kommunist” mbi marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike, ku Moska ngrinte kundërshtime të qarta antishqiptare dhe gjithashtu antikineze, në lidhje me ndihmën e bllokut për vendet e pazhvilluara. Autori kujton lexuesit e tij në Shqipëri se ndihma e marrë nga BRSS dhe vendet e tjera socialiste arrin në qindra milionë rubla, por shton se rrjedhimisht Shqipëria nisi të bënte kërkesa të paarsyeshme ndaj BRSS dhe vendeve socialiste dhe prej pakënaqësisë nisi të interpretonte asistencën vëllazërore ndërkombëtare si një përgjegjësi të njëanshme të vendeve socialiste për të kënaqur kërkesat e saj. Konstantinov vazhdon më tej: “Kjo mendjengushtësi nacionaliste dhe egotizmi i Hoxhës e Shehut gjetën gjithashtu shprehje në pakënaqësinë e tyre ndaj ndihmës së dhënë nga Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera socialiste për vendet e pazhvilluara të Azisë dhe Afrikës”. Ai shton më tej se udhëheqësit shqiptarë nuk e kuptojnë rolin e vendeve asnjanëse në përpjekjen për paqen, dhe as nuk kuptojnë se ndihma për vende të tilla zgjeron frontin tonë antiimperialist.

Akuzat

Edhe së fundmi në dhjetor 1962, e përditshmja “Pravda” përsëriti akuzat e saj kundër “dogmatistëve dhe sektarianëve” të cilët kërkonin të injoronin rëndësinë e vendeve socialiste të pazhvilluara, ose të shtrembëronin rezultatet e kësaj ndihme. Në atë që dukej si një reagim ndaj akuzave kineze për dallime në ndihmat e bllokut duke preferuar vendet borgjeze dhe jo ato më revolucionare, “Pravda” deklaronte se “vetëm njerëzit që nuk mund të dallojnë natyrën e ndryshimeve që po lindin në botë nga ngritja e sistemit socialist, argumentojnë se çdo vend i çliruar nga zgjedha koloniale e ku pushteti nuk është në dorë të klasës punëtore, do të shkojë drejt kapitalizmit dhe do të forcojë pozitën e tij. Ajo që këta njerëz nuk kuptojnë është inkurajimi aktiv i forcave të socializmit në këto vende me anë të asistencës efektive, shembullit të vendeve socialiste dhe kontradiktave që ekzistojnë mes borgjezive kombëtare dhe imperializmit. Kjo rrymë dytësore pakënaqësie ndaj barrës së ndihmave të jashtme ekonomike ekziston dhe disa vende të tjera të Evropës Lindore. Një artikull i kohëve të fundit në të përditshmen e partisë komuniste hungareze që i drejtohej “shokëve në partinë tonë që nuk e kuptojnë rëndësinë e asistencës ndaj shteteve të vogla kombëtare”. Duke mohuar në dukje pretendimet e “disave” në Bllok për detyrime ndaj ekonomive të bllokut (duke iu referuar debatit të Hrushovit me Shqipërinë) artikulli fliste gjithashtu për pasojat e këtyre politikave si ulje e konkurrencës me imperializmin dhe ndryshim i balancës së fuqisë në favor të imperializmit, prandaj autori kërkonte më shumë mirëkuptim në kuptimin e pasojave politike të asistencës. Në Çekosllovaki, e cila kishte nga përqindjet më të mëdha të ndihmave të jashtme të bllokut socialist, ka rregullisht raportime për pakënaqësi popullore ndaj ndihmave në dalje, veçanërisht ato ndaj Kubës. Dhe vërtet është raportuar me besnikëri se presidenti Novotni i është lutur Hrushovit që të reduktohen përkushtimet e ndihmës çekosllovake për vendet në zhvillim pasi gjendja e ekonomisë në vend ishte e pafavorshme.

Konkluzione

Opozicioni i heshtur ndaj programit sovjetik të ndihmave për vende të pazhvilluara jashtë bllokut socialist, është gjithsesi një çështje periferike për BRSS dhe me sa duket një reflektim i debatit thelbësor komunist mbi rishpërndarjen e burimeve dhe dyshimeve mbi strategjinë e përgjithshme komuniste. Por ky opozicion mund të përfshijë dhe interesat e përbashkëta të atyre që preferojnë prioritetin tradicional të industrisë së rëndë në krahasim me ata që kërkojnë reduktim të forcës ushtarake kundër frontit Perëndimor. Këto zëra disidentë mund të gjejnë ngushëllim te Kina e Shqipëria dhe disa liderë të tjerë komunistë që nuk kanë besim te qeveritë kombëtare borgjeze të vendeve të pazhvilluara që kanë dhënë vetëm kontribute minimale në përpjekjet socialiste. Nuk ka prova konkrete se udhëheqja aktuale sovjetike ka bërë ndryshime në politikat e saj për vendet e pazhvilluara. Dhe në fakt ajo ka kërkuar të riimponojnë me forcë doktrinën e saj të bashkë-ekzistencës duke e lidhur atë me idenë e lëvizjeve kombëtare çlirimtare. Gjithsesi në krahasim me përfitimet e vogla të ndihmës së huaj, Hrushovi duket se e ka kuptuar se sa e kufizuar është politika ekonomike në strategjinë komuniste të vendeve të pazhvilluara. Zvogëlimi i ndihmave të reja mund të ketë koinciduar me një vlerësim më kritik të programit nga udhëheqja sovjetike, ku llogaritjet e përfitimeve politiko-strategjike të kësaj ndihme janë bërë objekt i analizës rigoroze. Disa modifikime të programit të ndihmave sovjetike janë bërë tashmë të dukshme në një ashpërsim të linjës së saj disa udhëheqësve kombëtarë borgjezë nacionalistë si dhe me kërkesat që disa vendeve të pazhvilluara të mbështeten më shumë në ndihmat nga Perëndimi ose OKB. Në kontrast me rolin madhor që i është caktuar BRSS në bllok, propaganda sovjetike e kohëve të fundit po thekson se tregtia dhe jo grantet e ndihmave janë një faktor deciziv në sigurinë dhe ruajtjen e pavarësisë ekonomike të shteteve të reja.

20 qershor 1968

Shqiptarët e Kosovës dhe Destan Berisha

Disa nga grupet etnike të Jugosllavisë flasin më shumë nga të tjerët, por për minoritetin e saj shqiptar flitet shumë pak. Shqiptarë në Jugosllavi ka dy herë më shumë se malazezë në pjesën jugore që në leksikonin gjeografik të Jugosllavisë quhet rajoni autonom i Kosovës e Metohisë. Ekonomikisht Kosova është rajoni më i varfër i federatës dhe të ardhurat e një banori të saj janë sa një e pesta e një slloveni apo serbi. Por çfarë është nacionalizimi shqiptar? Përse një gjykatë shqiptare dënoi shqiptaro-amerikanin nacionalist Destan Berisha me tre vjet e gjysmë burg (dënim që çuditërisht u përshkrua si i butë) vetëm se ishte anëtar i Komitetit Lidhja e Prizrenit në Ekzil? Të dhënat e mëposhtme tentojnë të hedhin dritë mbi çështjen shqiptare në Jugosllavi, e cila megjithëse është injoruar nga zyrtarët botërorë, ekziston dhe duhet të shqetësojë të interesuarit e rajonit. Shqiptarët në Jugosllavi thonë se janë po aq sa dhe në Shqipëri, qeveria jugosllave thotë se janë 1.1 milionë ndërsa shifra më e pranueshme ashtë rreth 1.8 milionë. Megjithëse një pjesë e mirë e shqiptarëve jetojnë në rajonin e Maqedonisë shumica janë në Kosovë ku ata përbëjnë 80 për qind të popullatës. Në gjykatën e Prizrenit i akuzuari Berisha qëndron para tre gjykatësve shqiptarë, ndërsa prapa tij janë spektatorët e privilegjuar të UDB dhe konsulli amerikan. Në sallë janë disa spektatorë shqiptarë dhe të afërmit e tij nga fshati Bilusha. Shqiptarët dallohen nga qeleshet e tyre të bardha, por gjithashtu nga pantallonat e këmishat e pista e të njollosura, që janë ose të thurura vetë ose të blera nga materiali më i lirë në dyqan. Këmbët i kanë të mbështjella me rrecka dhe vetëm rrallëherë me veshje gome. Ata janë njerëz mbijetese që jetojnë në kasolle jo vetëm pa kushte higjiene e hidraulike, por shpeshherë dhe pa krevate.

Seanca

Në sallë ata duken si njerëz të egër, si karikatura të ardhura në jetë, që shikojnë gojëhapur me kuriozitet. Disa nga fytyrat me të reja tregojnë inteligjencë, por jo shumë. Destan Berisha përballet me dy akuza, spiunazh dhe konspiracion dhe nëse shpallet fajtor për të dyja mund të dënohet me vdekje. Sipas deklaratës së informatorit, në 1950 ai ka drejtuar një grup të armatosur për të hyrë në Jugosllavi nga Shqipëria, ku kishin luftuar kundër njerëzve të Enver Hoxhës. Sipas padisë, grupi ishte lëshuar me parashutë në Shqipëri për llogari të amerikanëve. Sipas një artikulli të fundit të “Der Spiegel” një në çdo dy shqiptarë është analfabet, shifër kjo që përputhem dhe me ato jugosllave teksa në 1961 shifra e analfabetë kishte rënë në 41 për qind. Pasi shërbimet perëndimore të inteligjencës dështuan në rrëzimin e pushtetit të Hoxhës, falë lojës së dyfishtë të Herbert Philby, grupet e infiltruara kaluan në Jugosllavi. Grupi i Berishës ishte stërvitur në Itali ku kishte marrë mësime nga Xhafer Deva, që kishte qenë ministër i Brendshëm gjatë pushtimit italian dhe kishte popullaritet në Kosovë. Kështu që lidhja me të ishte diçka serioze, edhe për një njeri të thjeshtë si Destan Berisha. Por ai kishte fat se provat për akuzat sensacionale ishin të vogla. Dëshmitari kryesor ishte Hajredin Vuçiterna që tha se edhe ai ishte anëtar i grupit. Vuçiterna është një 60 vjeçar pa flokë që shoqërohet gjithmonë nga policia pasi përveç bashkëpunimit me UDB është gjithashtu vrasës i dënuar. Konfrontimi i dëshmitarit me të akuzuarin është një nga pjesët më dramatike të procedurave jugosllave. Gjykatësi e prokurori bëjnë pyetjet e tyre pastaj dëshmitari thirret përpara për të folur lirshëm me të akuzuarin, ndërsa të tjerët vëzhgojnë.

Hajredini duket sikur thotë: Çkemi Destan, kemi kohë pa u parë.

Destani përgjigjet: S’të kam parë kurrë në jetën time.

Hajredini disi miqësisht: Hajde tani Destan, ti më njeh ... A e mban mend ...

Destai ia bën qetësisht me dorë: Si mund të shpikësh histori të tilla?

Dialogu vazhdon më tej me mohime ndërsa Destani nis të evidentojë krisjet në dëshminë e Hajredinit. Ky i fundit është i pasigurt veçanërisht në lidhje me qëllimin e grupit në Jugosllavi. Në hetimet para-gjyqësore ai ka deklaruar se grupi ka ardhur në Jugosllavi për objektiva spiunazhi, ndërsa në gjykatë e mohon këtë: “Po, grupi erdhi nga Shqipëria po ne nuk kishim asgjë në plan kundër Jugosllavisë. Nuk e kam thënë kurrë këtë”. Gjykatësi vazhdon të insistojë për deklaratën e shkruar të Hajredinit dhe të dëshmitarëve të tjerë që thonë se ka pasur spiunazh kundër Jugosllavisë. Një tjetër dëshmitar, shqiptari Hasan, rreth 50 vjeç mundohet të bëjë të qartë se deklaratat kundër Berishës nuk janë të vërteta. Ai flet thuajse me të gjithë anëtarët e jurisë duke hedhur poshtë akuzat e spiunazhit dhe arrin të tregojë se akuza nuk ka prova se Destani kërkonte të ngrinte një bazë në Kosovë, nga e cila të kryente sulme kundër Jugosllavisë. Akuza e konspiracionit kundër shtetit në Ballkan është diçka serioze. Destani ka pranuar anëtarësinë në organizatën e emigrantëve shqiptarë me bazë në Nju Jork, e cila kërkon një shtet ku të bashkohen të gjithë shqiptarët. Por Hasani argumenton se një njeri i vogël si Destan Berisha nuk ka bërë asnjë ditë shkollë nuk mund të kërcënojë shtetin, veçanërisht një shtet që toleron lëvizjen e lirë të një fashisti kroat si Krunislav Draganoviç.

Marrëdhëniet me BRSS, 1971

Pas lëvizjeve sovjetike në 1956 për përmirësimin e lidhjeve me Jugosllavinë, Moska raportohet të ketë ushtruar presion te liderët shqiptarë Hoxha e Shehu për të ndjekur edhe ata shembullin e saj. Në fjalimin e Hoxhës së vitit 1961, ai pranon se BRSS është përpjekur të bindë liderët shqiptarë të rehabilitojnë figurën e tradhtarit Koçi Xoxe. Hoxha thotë se kjo koinçidonte me një konferencë në Bashkinë e Tiranës në prill 1956 ku elementë oportunistë kishin tentuar të kryenin një “komplot” me inkurajimin e drejtpërdrejtë të revizionistëve jugosllavë. Por liderët shqiptarë me siguri i konsideruan këto lëvizje si tentativa të mundshme për përmbysjen e pushtetit të tyre , dhe zëvendësimin me persona më të pranueshëm ndaj Titos. Revolta hungareze në fund të 1956 dhe përkeqësimi i mëpasshëm i lidhjeve Jugosllavi-BRSS, rrjedhimisht zbutën dhe presionin sovjetik ndaj Hoxhës e Shehut. Në konferencën e 81 vendeve komuniste në Moskë në nëntor 1960, Hoxha deklaroi se BRSS ishte përfshirë në një komplot të brendshëm të zbuluar në gusht 1960. Ai shtoi se ambasadori sovjetik dhe stafi i tij në Tiranë po kryenin sulme mbi udhëheqjen me anë të elementëve të korruptuar, për të mbjellë panik brenda partisë. Për ta bërë më të qartë atë çka po thoshte ai shtoi se anëtarët e partisë Liri Belishova dhe Koço Tashko “kishin kapitulluar ndaj kërcënimeve të pandershme të Bashkimit Sovjetik”. Pas dështimit me përmbysjen e regjimit në Shqipëri, sovjetikët nisën të aplikonin presionin ekonomik, që kulmoi me ndalimin e plotë të ndihmës ekonomike e ushtarake. Kjo e vuri regjimin në një pozitë edhe më të vështirë. Qeveria e përballoi këtë me apel ndaj popullsisë për patriotizëm e sakrifica, deri në ardhjen e ndihmës kineze 1 vit më vonë. Kështu izolimi gjeografik që më parë ishte një pengesë për mbështetjen e plotë nga BRSS, tashmë funksionoi në favor të qeverisë shqiptare për përballjen me tentativat sovjetike për përmbysjen e pushtetit. Politikat e propagandës për ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit territorial kundër qëllimeve armiqësor të fqinjëve, mbeten ende nga linjat më të preferuara dhe më të suksesshme të qeverive shqiptare.

Policia sistemet e inteligjencës

Ministria e Brendshme e Shqipërisë është përgjegjëse për ruajtjen e rendit dhe shtypjen e opozicionit të brendshëm dhe mund të marrë kontrollin mbi agjencitë e inteligjencës. Kadri Hazbiu ka qenë në krye të saj që prej 1954 dhe ka lidhje fisnore me kryeministrin Mehmet Shehu. Para emërimit këtu, Hazbiu ishte drejtor i Përgjithshëm i Sigurimit. Numri i përgjithshëm i personelit të forcave të policisë dhe sigurisë është llogaritur në 1967 në 17.500, duke përfshirë rreth 7500 trupa kufitare, 5000 forca sigurie dhe 5000 policë. Shumë shqiptarë detyrohen të bëhen informatorë të organeve të sigurisë teksa besimi i përgjithshëm mes njerëzve është se 1 në çdo gjashtë njerëz është spiun. Ne nuk kemi prova të mjaftueshme të konfirmojmë apo të hedhin poshtë vlerësimet. Një dekret i majit 1966 që anuloi gradat e zakonshme ushtarake, u aplikuar dhe për organet e rendit, dhe raportohet se kishte si qëllim zbutjen e rivaliteti mes Ministrisë së mbrojtjes dhe ministrisë së brendshme. Ka pasur gjithashtu raportime të pakonfirmuara se Sigurimi shtonte artificialisht numrin e anëtarëve të tij për të konkurruar me forcat e armatosura. Por me gjithë rivalitetin dhe tensionet ushtria dhe forcat e sigurisë kanë qëndruar të stabilizuara.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 1

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 11/11/2018 - 07:35

Aktivitetet e CIA gjatë regjimit komunist, por dhe Komitetit për Shqipërinë e Lirë për rrëzimin e Enver Hoxhës, kanë bërë në atë kohë që pjesëtarët e Sigurimit të Shteti të dilnin edhe jashtë vendit.

Postuar: 07/11/2018 - 07:09

Amerikanët kanë dhënë detaje se si një numër i madh intelektualësh u bënë bashkë kundër regjimit

Postuar: 06/11/2018 - 07:10

Amerikanët i kanë kushtuar shumë rëndësi përplasjeve mes Enver Hoxhës dhe Koçi Xoxes.

Postuar: 04/11/2018 - 07:24

Regjimi komunist në Shqipëri lulëzoi për rreth 45 vjet falë ushtrisë, policisë dhe Sigurimit të S

Postuar: 03/11/2018 - 07:10

Për të rrëzuar regjimin komunist pati tentativa nga shumë individë dhe nga shumë grupe brenda e j