Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet e CIA, ja si Enver Hoxha shkarkoi Tuk Jakovën dhe Hysni Spahiun, prapaskenat e ekzekutimit të Dali Ndreut dhe Liri Gegës

Postuar: 19/08/2018 - 07:45

CIA ka hedhur dritë mbi spastrimet që ndodhën gjatë regjimit komunist. Sipas një dokumenti të deklasifikuar tregohen se si u shkarkuan nga detyra në vitin 1957 një sërë figurash të rëndësishme. Po ashtu amerikanët kanë hedhur dritë dhe mbi ekzekutimin e Dali Ndreut dhe Liri Gegës. Sipas tyre, arsyeja e ekzekutimit të tyre nuk ishin lidhje me BRSS.

Maj 1957

Metodat e rekrutimit të partisë

Në verën e 1948 organizatat komuniste në të gjithë Shqipërinë nisën fushatën për rekrutimin të punëtorëve vullnetarë për ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës. Delegatët u dërguan në të gjitha fshatrat dhe u organizuan takime sensibilizimi për çështjen. Përpjekjet e komunistëve hasën rezistencën e fshatarëve. Fshatarët e Shalës nxorën justifikime të të gjitha llojeve për të evituar të ashtuquajturën punë vullnetare. Në Shalë mbahen takime të shpeshta ku zyrtarët e partisë diskutojnë për tema si situata politike, realizimi i planit apo ndihma ndaj autoriteteve për mbledhjen e taksave të fshatarëve, zbulimi i armiqve të regjimit etj.

Shkarkime, spastrimet

Ministri i Arsimit dhe anëtari i komitetit qendror Bedri Spahiu është përjashtuar nga partia dhe qeveria në 1955, ashtu si dhe ministri Tuk Jakova, gjenerali Hysni Spahiu, Tahir Kadare, Veip Demi, kreu i seksionit ekonomik të gazetës “Zëri i Popullit”, dhe shumë zyrtarë të tjerë komunistë. Këto figura u shkarkuan dhe përjashtuan nga partia me argumentimin se kishin kontaktuar me legata të huaja të akredituara në Tiranë dhe ishin përpjekur të krijonin keqkuptime dhe konfuzion brenda partisë. Në takimin e Komitetit Qendror të mbajtur në Tiranë një muaj para Kongresit, këta njerëz kishin kritikuar udhëheqjen për disa gabime. Ta kishin përgatitur një listë dhe shumë pyetje për udhëheqjen e partisë. Beqir Balluku dhe Fiqirete Shehu të cilët ishin prezentë nuk mundën t’i jepnin përgjigje të kënaqshme prandaj Beqir Balluku paraqiti kërkesë të Byroja Politike për instruksione. Në sesionin e mëpasshëm Mehmet Shehu u përpoq ta zgjidhte çështjen me qetësi, por edhe ai nuk arriti t’iu përgjigjej të gjitha pyetjeve të ngritura nga të ashtuquajturit “komplotues”. Gjatë kësaj kohe Enver Hoxha ishte në Vlorë dhe byroja i kishte dërguar fjalë për atë që po ndodhte në Tiranë. Enver Hoxha u kthye menjëherë dhe mblodhi anëtarët e Byrosë, me të cilët analizuan një për një pyetjet e ngritura në letër dhe i dhanë përgjigje të gjithave. Pas kësaj komplotuesit u kritikuan ashpër dhe veprimet e tyre u konsideruan një tentativë për të krijuar konspiracion brenda partisë. Gjenerali Hysni Spahiu, pas shkarkimit u dërgua të punonte në ndërtimin e digave në Tërbuf, ku u caktua përgjegjës i brigadës së punës. Një ushtar nga Shala i quajtur Shaban Xhemali e kishte parë ish-gjeneralin në detyrën e ti të re në Tërbuf vjeshtën e shkuar. Tahir Kadare u transferua në një detyrë të parëndësishme civile të Tiranë. Ndërsa Taho Sejko u zhvendos në detyrë si përgjegjës për parkun e automjeteve.

Ekzekutimet

Dali Ndreu, Liri Gega dhe një tjetër person me orgjinë jugosllave u ekzekutuan në nëntor 1956, pasi ishin dënuar si agjentë jugosllavë, por sipas zhurmave në të gjithë vendin arsyet ishin krejt të ndryshme nga versioni zyrtar. Sipas thashethemeve këta persona ishin përpjekur të bindnin të rinjtë, intelektualët dhe anëtarë të tjerë të pakënaqur të partisë, të organizonin një kryengritje duke marrë shembullin e të rinjve hungarezë, dhe ky version ishte më i besuar mes shqiptarëve në krahasim me atë të publikuar në “Zërin e Popullit”. Në transmetimet e Radio Tiranës dhe të Zërit të Popullit për ngjarjet në Hungari thoshin sa më poshtë: Vendet kapitaliste dhe imperialistë po ndihmojnë elementët tradhtarë hungarezë dhe gjermanët nazistë të hyjnë ilegalisht në vend për të përmbysur regjimin popullor. Këta elementë kanë arritur me sukses të shfrytëzojnë pakënaqësinë e studentëve dhe punëtorëve hungarezë që kërkojnë ndryshme në udhëheqjen e partisë. Në këtë mënyrë demonstratat paqësore të studentëve dhe punëtorëve u kthyen në një gjakderdhje dhe regjimi i popullit u përball me një situatë të rrezikshme. Prandaj qeveria hungareze u detyrua t’i kërkojë ndihmë Bashkimit Sovjetik. Trupat sovjetike dhe patriotët hungarezë i mundën kriminelët dhe kapitalistët dhe shpejt rendi u rikthye në vend. Gjatë revolucionit hungarez populli shqiptar jetoi në ankth të madh. Komunistët dhe jo-komunistët ishin të sigurt se një tjetër luftë do të shpërthente në çdo moment. Nacionalistët ishin të luftuar për luftën që do të shpërthente sepse do të largonte komunistët nga pushteti. Por kur u njoftua se patriotët hungarezë ishin mundur një zhgënjim i madh përfshiu popullatën nacionaliste. Asnjë nuk mund të shpjegonte se përse bota e lirë nuk e kishte ndihmuar popullin hungarez në përpjekjen e tij për liri. Në të njëjtën kohë morali i komunistëve u rrit pasi ata e panë se asnjë vend nuk guxon të vihet kundër forcës së madhe sovjetike. Përkundër njoftimeve zyrtare në mediat komuniste, shqiptarët besojnë se revolucioni hungarez u organizua nga populli hungarez dhe erdhi si rezultat i pakënaqësisë ndaj regjimit totalitar komunist.

Morali i popullatës

Pas 12 vjet dominimi të regjimit komunist popullata shqiptare duket se është ndarë në dy grupe, i pari është ai që mbetet besnik ndaj regjimit komunist, por grupi më i madh është ai që ka humbur besimin në sistemin komunist dhe kërkon ndryshim. Me gjithë propagandën e tij të fuqishme, regjimi komunist nuk ka arritur të bindë popullatën për avantazhet e sistemit. Besnikët e regjimit komunist janë shtresa si anëtarët e lartë të administratës së ushtrisë, Sigurimit dhe Policisë, shumica e oficerëve të Sigurimit, veçanërisht ata që kanë kryer krime dhe kanë torturuar njerëz. Këtu përfshihen gjithashtu anëtarë të partisë që i tremben hakmarrjeve në rast të ndryshimi të pushtetit, ose njerëz që kanë punuar më parë si spiunë për Sigurimin. Pjesa tjetër e njerëzve e urrejnë regjimin komunist, qofshin ose jo anëtarë të partisë, punëtorë, ish-pronarë apo të shtresave të tjera sociale. Kjo sepse njerëzit normalë që nuk kanë jetuar më parë në komunizëm nuk kanë si të jenë komunistë. Por gjithsesi shumë njerëz përpiqen të bëhen anëtarë të partisë jo sepse e pëlqejnë komunizmin por se karta e anëtarësisë është një garanci për punë më të mirë dhe trajtim më të mirë nga autoritetet. Llogaritet se rreth 75 % e anëtarëve të partisë nuk janë komunistë të ndërgjegjshëm dhe e dinë se regjimi bazohet në gënjeshtra dhe fakte të rreme. Të gjithë e dinë se statistikat e publikuara në gazeta dhe media për prodhimin bujqësor dhe industrial janë në shumicën e rasteve të rreme.

Kur gazeta me shifrat e prodhimit erdhi në fshatin e Shalës të gjithë vrisnin mendjen se kush e kishte shkruar artikullin. Disa anëtarë të kooperativës i kërkuan drejtorit se përse organi i partisë jepte këto shifra të gabuara, prandaj drejtori u konsultua me sekretarin e partisë dhe më në fund thanë se ka mundësi që komiteti i rrethi të Delvinës të kishte dhënë shifrat gabimisht. Por rasti bëri të qartë gënjeshtrat e paturpe që bëhen ndaj popullit të varfër për të promovuar kolektivizimin, duke ekzagjeruar shifrat për t’i treguar fermerëve të pavarur se prodhimi është më i madh kur punohet në mënyrë kolektive.

Anëtarët e partisë janë të vetmit elementë që kanë mundësi të shkaktojnë probleme në parti. Provë për këtë janë ngjarjet e fundit në takimin e komitetit të partisë në Tiranë. Vetëm disa javë para kongresit të 25 majit 1956, udhëheqja komuniste u shokua nga ky incident mosbindjeje dhe mungese disipline. Ata duhet të merrnin masa drastike për të mbajtur situatën nën kontroll si dhe spastronin partinë nga elementët e dyshimtë ose të rrezikshëm. Ndërsa popullata e thjeshtë jo-komuniste e urren regjimin por mund të bëjë shumë për këtë.

Kolektivizimi

Kooperativa e fshatit të Shakës u ngrit në fund të 1950 por fushata ideologjke për kolektivizimin kishte nisur që në pranverën e 1949, kur erdhën delegatët nga komiteti i partisë së Sarandës dhe mbajtën disa takime me fshatarët. Disa komunistë thanë se kolektivizimi duhet të shtyhej deri në vjeshtën e vitit që vjen pasi tokat ishin mbjellë nga pronarët e tyre dhe nuk ishte e drejtë që të ndahej prodhimi i tyre me njerëz që nuk kishin punuar në fushat. Ndërsa anëtarët e partisë që kishin fusha jopjellore kërkonin kolektivizmin e menjëhershëm pasi në këtë mënyrë do të merrnin më shumë prodhim nga ndarja kolektive. Pas disa debateve fshati votoi për kolektivizmin e menjëhershëm. Në mbledhjen finale të partisë delegati nga Tirana i shpjegoi fshatarëve të Shalës avantazhet e kooperativës, mjete te punës, taksat e ulëtadghe mëbshtetjen e qeverisë. Ai e mbylli fjalimin duke theksuar se asnjë nuk do të detyrohet të futet në kooperativë. Por sapo fshatarët e dëgjuan këtë ata të gjithë thanë se nuk e duan kooperativën, kështu që përpjekja për kolektivizim në Shalë atë vit dështoi.

Një tjetër takim i Organizatës Bazë u mbajt disa ditë më vonë, ku sekretari tha se duhet të merren masa drastike për t’iu kundërvënë disa ideve regresive të disa fshatarëve. Ai tha se nuk ka zgjidhje tjetër por që fshatarët që i rezistonin ndryshimi do të etiketohen si kulakë dhe armiq të partisë. Propozimi i tij u pranua dhe 9 familjet që refuzuan u quajtën kulakë dhe armiq.

Sekretari ia arriti qëllimit të tij dhe familjet kulake mbetën në një gjendje të tillë që askush nuk guxonte të kundërshtonte më regjimin komunist dhe kolektivizimin. Taksat e vendosura mbi kulakët ishin aq të larta sa ata duhet të shisnin çdo gjë përfshi dhe shtëpitë e tyre, për të siguruar shumat e kërkuara nga qeveria. Më në fund ato familje u zhvendosën në vende të tjera pasi nuk mud të jetonin më në fshat. Dy nga familjet u zhvendosën në Durrës, ku jetojnë në barak druri të mbuluara me llamarinë. Pjesa tjetër e fshatarëve u bashkua në kooperativë “vullnetarisht”.

Për të plotësuar normat e kooperativës familjet duhet të nxirrnin në punë dhe anëtarët e vjetër ose të sëmurë. Gratë që tradicionalisht qëndrojnë në shtëpi, duhet t dilnin për të punuar si skllave në fusha, madje dhe disa ditë para se të lindnin.

Si rezultat i kushteve të rënda të gjithë fshatarët detyroheshin të vidhnin. Ata shonin natën në fusha dhe merrnin grurë e misër fshehtësisht, pastaj me mjete primitive e qëronin dhe e çonin në mulli po natën. Edhe drejtuesit e kooperativës vishnin sa të mundnin. Kooperativa e Shalës nuk ka arritur ende të paguajë borxhin te stacioni i traktorëve për shërbimet e dhëna në vitin 1956.

21 mars 1957

Progres raport i aktiviteteve të vitit dhe i planeve

Monitorimet e transmetimeve përgjatë kufirit grek kanë raportuar për një dëgjim të mirë të tyre shumicën e vitit 1956. Edhe nga raportimet e refugjatëve shqiptarë mësohet se programet dëgjohen në Shqipëri dhe po bëhen gjithnjë e më të ndjekura. Shumica e refugjatëve raportojnë të kenë parë fletushkat e propagandës dhe raportojnë se ato dhe pakot e lëshuara kanë ngritur moralin e popullatës anti-komuniste. Gjatë vitit 1957 është vështirësuar më shumë ardhja e inteligjencës nga brenda Shqipërisë si dhe nga ministritë franceze e italiane. Sa i përket broshurave, mungesa e grupeve në terren, e avionëve dhe mungesa e motit të favorshëm për shpërndarje me anë të erës, po vazhdon të reduktojë efektin e fletushkave, të paktin deri në nga fundi i 1957, kur do të jenë ta gatshëm të tjerë avionë për lëshimin e fletushkave në Shqipëri. Të tjera plane madhore për 1957 përfshijnë nisjen e transmetimeve nacional komuniste dhe intensifikimi i fushatës së letrave ndaj zyrtarëve të mesëm të partisë. Gjatë vitit 1956 janë bërë transmetime të përditshme propagande dhe sipas informacioneve të marra nga refugjatët programet dëgjohen gjerësisht. Dy ish-anëtarë të partisë komuniste shqiptare që janë arratisur në Greqi thanë se tekstet e propagandës së transmetuar kanë influencuar jo vetëm anti-komunistët por edhe anëtarët e partisë, dhe po shpërndahen me anë të gojëdhanës. Sipas raportimeve të refugjatëve nga zonat jugore, transmetimet dëgjohen mirë dhe megjithë tentativat për zhurmim të tij, ato nuk kanë funksionuar për arsye të transmetimit në disa frekuenca njëherësh dhe në frekuenca të afërta me Radio Tiranën, apo me teknika të tjera për shmangie të zhurmuesit.

Shumica e refugjatëve raportonin se lëshimet e broshurave dhe artikujve të tjerë kishin efekt pozitiv te popullata, duke i bërë të mendonin se bota nuk i kishte harruar, teksa nxiteshin të rezistonin ndaj regjimit apo të largoheshin drejt Greqisë. Kemi pasur shumë pak raportime për efekt negativ të broshurave, pasi në shumicën e rasteve njerëzit i interpretojnë ato si një premtim për “çlirim” nga vendet Perëndimore.

Pengesat e hasura

Pengesa kryesore për vitin 1956 ka qenë mungesa e inteligjencës së freskët nga Shqipëria. Megjithë kërkesën tonë për bashkëpunim nga ambasada Italiane dhe ajo më pak e njëanshme franceze, është marrë shumë pak apo fare informacion. Gazetat apo publikimet e tjera ng Shqipëria na vijnë disa javë apo muaj me vonesë, kështu që jemi të varur nga transmetimet e Radio Tiranës për lajme nga brenda vendit. Gjatë vitit 1956 ka pasur shumë më tepër refugjatë sesa vitet e tjera, dhe kemi pasur disa vështirësi nga autoritetet greke për marrjen në pyetje të refugjatëve. Gjendja e keqe e vazhduar shëndetësore e disa prej agjentëve tanë vendas dhe nevoja për të shkuar në SHBA e dy prej nesh, ka na lënë disi me mungesë stafi.

Aktivitetet

Grupi ynë transmetoi një program 16 minutësh, katër herë në ditë, në dy frekuenca njëherësh gjatë vitit 1956. Rreth tre programe të reja shkruhen çdo javë. Secili prej tyre përsëritet disa herë dhe në këtë mënyrë arrijmë deri në 185 orë transmetim në muaj. Me rastin e revoltave në Poloni dhe Hungari, kemi transmetuar disa programe të veçanta pa planifikim me slogane patriotike dhe literature nacionaliste, çka e ka çuar kohën tonë të transmetimit në rreth 220 orë në muaj. Prej prillit 1056 kemi zvogëluar promovimin e NCFA deri në mospërmendjen e tij krejtësisht. Temat tona janë bërë më pak militante e anti-komuniste, ndërsa sulmet ndaj personazheve komuniste i kanë lënë vend gradualisht vënies ë dukje të dështimeve të komunizmit shqiptar, duke e ilustruar kë të me shembuj konkrete. Duke besuar se shumica e audiencës tonë janë komunistët shqiptarë, kemi nisur të vëmë theksin mbi paragrafin 6 të direktivave, duke sinjalizuar se nuk jemi absolutisht kundër qëndrimit të tyre në pushtet por vetëm kundër disa prej politikave komuniste. U kemi bërë apel për të dezertuar me premtime sigurie, mbrojtjeje dhe ndihme ekonomike. Tema jonë kryesore e propagandës ka qenë fushata e “presionit nga poshtë”, ku ne përpiqemi të bindim popullin shqiptar për rezistencë me anë të mjeteve jo të dhunshme dhe metodave për vënien nën presion të regjimit, në mënyrë që ai të nisë të bëjë lëshime. Në vend që të përsërisim linjën e programeve të Zërit të Amerikës dhe BBC, të cilët japin lajme të brendshme, programi ynë përbëhet nga galmet e Shqipërisë dhe interpretimi i lajmeve nga bota, sa i përket interesit të tyre për popullin shqiptar.

Programi i broshurave

Sipas programit të broshurave janë bërë tre lëshimë mbi Shqipëri gjatë vitit 1956, me rreth 8 milionë fletushka. Një tentativë për mision lëshimi me shpërndarjen e erës u desh të braktisej prej kushteve të motit. Në fletushka u jemi përmbajtur kryesisht temave të përsëritjes së ofertës së ushqimit, denigrimin të Stalinit dhe përmbledhjeve të lajmeve nga bota e vendi. Morëm në pyetje disa refugjatë në vitin 1956 të cilët raportuan se i kishin parë broshurat, por shumica e tyre njihnin më mirë broshura të lëshuara para vitit 1956.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 1. Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/09/2018 - 07:33

CIA ka treguar detaje nga përplasjet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik më 1992 sa i takon marrëdhënieve me Jugosllavinë. Moska ktheu sërish sytë nga Beogradi dhe kjo nuk u kapërdi nga Enver Hoxha.

Postuar: 22/09/2018 - 07:12

CIA kishte menduar të gjitha alternativat për të rrëzuar regjimin komunist.

Postuar: 21/09/2018 - 07:11

CIA amerikane ka pasur të dhëna të plota sa i takon zhvillime të Shqipërisë gjatë periudhës komun

Postuar: 20/09/2018 - 09:27

Në vitin 1947 CIA paralajmëroi se mund të krijohej Federata Ballkanike dhe Shqipëria të ishte pje

Postuar: 19/09/2018 - 07:18

Për amerikanët, komunistët erdhën në pushtet përmes dredhive.

Postuar: 16/09/2018 - 07:40

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë vitit 1955.