Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet e CIA, ja si nisi bashkëpunimi me jugosllavët për krijimin e Partisë Komuniste, anëtarët e parë të Komitetit Qendror dhe lufta ndaj rivalëve

Postuar: 30/10/2019 - 07:08

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit komunist. Sipas raportimeve që janë bërë pranë CIA nga informatorët shqiptarë, janë treguar detaje mbi disa persona që janë burgosur nga sistemi. Në një dokument voluminoz, CIA tregon me detaje rrëfimin e një funksionari të partisë dhe që ka qenë pjesë e luftës, pa përmendur emrin. Në numrin e sotëm, ai tregon themelimin e Partisë Komuniste, që nga hyrja në lojë e jugosllavëve dhe fitimi i zgjedhjeve.

31 janar 1957

Raport Partia e Punës

(Vijon nga numri i kaluar)

-Organizimi i shtetit menjëherë pas luftës, cilat ishin vështirësitë që u hasën, ekzekutimet e para sipas listave të parapërcaktuara?

Motori i vetëm në organizimin e shtetit menjëherë pas luftës ishte Partia Komuniste. Rruga e ndjekur prej saj në këtë periudhë përfshin dy drejtime kryesore, atë të pushtetit legjislativ dhe të pushtetit ekzekutiv. Në fushën e pushtetit legjislativ që në tetor 1944, domethënë një muaj para se të çlirohej Shqipëria, në Berat, siç kam përmendur më herët, Këshilli Nacional-Çlirimtar u kthye në organ legjislativ, natyrisht formalisht. Që ky grup të ishte sa më përfaqësues, Partia Komuniste pranoi në gjirin e saj si në Berat dhe në vende të tjera, një sasi elementësh të parive të qarkut, që kishin influencë dhe njiheshin atëherë si të ndershëm e neutralë. Të përforcuar me këta persona të rinj, këshilli i përgjithshëm i FNÇ u shndërrua gradualisht në një asamble legjislative. Me këtë cilësi, në vitin 1945 kjo “asamble” nxori shumë dekrete e ligje të reja, të bazuara në vendimet e Kongresit të Përmetit. Konkretisht u bë shtetëzimi i Bankës Shqiptare duke u kthyer në Bankën e Shtetit Shqiptar, shtetëzimi i pyjeve, kullotave, ujërave, ligji mbi konfiskimet e pasurisë së “tradhtarëve të popullit”, ligji i taksimit të fitimit të tregtarëve gjatë luftës, ligji i reformës agrare, etj. Në të njëjtën kohë asambleja aprovoi dhe ligjin mbi zgjedhjet e ardhshme kushtetuese republikane. Pas aprovimit të këtij ligji dhe caktimit të datës së zgjedhjeve, Asambleja Legjislative (në fakt Këshilli i Përgjithshëm i Frontit) pushoi së qeni organi i përkohshëm legjislativ. Sipas këtij ligji elektoral u bënë zgjedhjet e para të Asamblesë Kushtetuese në fillim të 1946. Këta deputetë aprovuan dhe Kushtetutën duke e shpallur Shqipërinë “Republikë Popullore”. Asambleja Kushtetuese u kthye në Kuvend Popullor, domethënë në Parlamentin e zakonshëm të vendit. Thashë se brenda një viti trupi fillestar legjislativ aprovoi një seri ligjesh dhe reformash, të cilat duheshin zbatuar nga pushteti ekzekutiv. Ky pushtet ishte i nevojshëm për të përballuar situatën, për të ruajtur rendin dhe për t’i dhënë zgjidhje problemeve të shumta. Ministrat e zgjedhur më pas në pushtetin ekzekutiv i ruajtën postet e tyre për një periudhë të gjatë dhe me kalimin e kohës u krijuan ministri të reja si ajo e Minierave, e Industrisë, e Tregtisë e Komunikimeve etj. Qeveria provizore e Shqipërisë, që u vendos në Tiranë në nëntor 1944, drejtoi aktivitetin ekzekutiv në të gjitha fushat, por kjo ishte shumë e vështirë prej anarkisë e shkatërrimit të luftës. Partia bëri përpjekje në disa drejtime. Në sektorin financiar shteti nuk dispononte asnjë kilogram flori në bankë pasi ishte marrë nga italianët, më vonë gjermanët e më pas anglezët, prandaj reformat e shtetit nuk mund të evitonin inflacionin. Sidoqoftë po të mos ishte bërë barazimi i lekut me dinarin jugosllav sipas udhëzimeve të Beogradit, monedha shqiptare nuk do të kishte rënë aq shumë. Në bujqësi problemi kyç ishte reforma agrare zbatimi i së cilës u ndoq me kujdes. Në drejtësi u aprovuan një varg ligjesh kundër kundërshtarëve politikë dhe u krijuan gjykata speciale që kanë dhënë shumë dënime me vdekje (nën diktatin e Ministrisë së Brendshme). Në sektorin e Ministrisë së Brendshme parësore ishte lufta kundër kundërshtarëve politikë të komunistëve, por fillimisht zhdukja e individëve ishte në kompetencë të Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit që ishte e pavarur nga ministria, thuajse ministri më vete. Kjo drejtohej nga zv. kryeministri Koçi Xoxe dhe nëntitullar Nesti Karenxhi. Pikërisht kjo drejtori më vonë u quajt Drejtoria e Sigurimit, kur iu atashua Ministrisë së Brendshme me ministër Koçi Xoxe (rreth vitit 1946). Ajo ka zhvilluar luftën shfarosëse kundër mbeturinave të Ballit e Legalitetit, si dhe ndaj elementëve të dyshimtë (hollësirat që nuk i përmend këtu i gjen në përgjigjen e pyetjes Historiku i Sigurimit). Seksionet e mbrojtjes së popullit nëpër rrethe kishin listat e përgatitura paraprakisht nga partia me personat që duheshin arrestuar si “armiq”. Këta i përkisnin dy kategorive; atyre që duheshin arrestuar, hetuar e gjykuar dhe atyre që duheshin kapur, gjykuar e pushkatuar shpejt e shpejt. Tirana dhe Shkodra kishin listat me emrat më të shumtë. Dua të theksoj se, viktimat e brigadave të mbrojtjes popullore në ditët e para të çlirimit ishin oficerë të xhandarmërisë e të trupave të tjera kuislinge, komandantë të vegjël të Ballit që u kapën rob dhe elementë të njohur si kundërshtarë të partisë.

-Cilët ishin anëtarët e parë të Komitetit Qendror dhe sa prej tyre janë akoma gjallë?

Para se të jap listën e emrave e quaj të nevojshme të jap disa sqarime. Komiteti i parë Qendror quhej provizor prej nëntorit 1941 deri në shkurtin 1943. Ai u zgjodh nga Miladin Popoviç nga krerët e grupeve komuniste në themelimin e partisë. Komiteti i dytë u zgjodh nga delegatët e partisë në Konferencën e parë të Labinotit në mars 1943, i cili qëndroi deri në Kongresin e Parë të partisë në dhjetor 1948, pra në prishjen me Jugosllavinë. Komiteti Qendror i tretë u zgjodh në Kongresin e Parë të partisë dhe qëndroi deri nga viti 1951 dhe në këtë mënyrë deri në Kongresin e III të partisë. Komiteti Qendror përbëhej nga Ymer Dishnica, Enver Hoxha, Vasil Shanto, Kristo Themelko, Qemal Stafa, Koçi Xoxe, Pilo Peristeri, Ramadan Çitaku, Liri Gega e ndonjë tjetër që nuk i di. Komiteti i dytë Qendror i Konferencës së I-rë përbëhej nga të gjithë të lartpërmendurit me përjashtim të Vasil Shantos e Qemal Stafës të vrarë nga italianët dhe Pilo Peristerit të përjashtuar për paaftësi. Ndërsa u shtuan Nako Spiru, Bedri Spahiu, Hysni Kapo, Tuk Jakova, Sejfulla Malishova i ardhur nga jashtë, Pandi Kristo, Mehmet Shehu, Gogo Nushi, Gjin Marku. Me kalimin e kohës në verë 1948 u shtuan me urdhër nga lart Dali Ndreu (i përjashtuar në 1947) Nesti Karenxhiu (i përjashtuar në Kongresin I-rë) Vaskë Koleci, njëfarë Dhimitri mbiemri i të cilit nuk më kujtohet, Fadil Pacrami. Komiteti i katërt i partisë u zgjodh nga Kongresi i II i partisë dhe kishte shumë elementë të rinj.

-Cilët ishin organizatorët e huaj në periudhën e pasçlirimit (emra, pseudonime, përshkrimi i tyre)?

Organizatori kryesor në këtë periudhë në Shqipëri nuk ishte më Miladin Popoviç pasi u largua pak para çlirimit me urdhër të Beogradit dhe vendin e tij e zuri një anëtar i Komitetit Qendror të Jugosllavisë, Velimir Stoiniç, i cili erdhi në Shqipëri si shef i misionit ushtarak jugosllav pranë shtabit të përgjithshëm partizan. Më vonë me vendosjen e marrëdhënieve diplomatike Tiranë-Beograd, Stoiniç (atëherë me gradën kolonel) u emërua në krye të legatës jugosllave në Tiranë me gradën i dërguar i jashtëzakonshëm i Jugosllavisë në Shqipëri. Në këtë kohë lidhjet e Tiranës me Beogradin ishin shumë të ngushta e të shpeshta, jo si në kohën e luftës ilegale kundër pushtuesve italianë e gjermanë. Lidhjet mes tyre nuk mbahen më vetëm me anë të një personi siç ishte Miladini, por me shumë persona e delegacione. Velimir Stoiniç ishte vërtet i plotfuqishëm, por për shkak të konditave të reja, fuqitë e tij ishin më të kufizuara se dikur të Miladin Popoviç. Ashtu sikurse merita e organizmit të Partisë Komuniste shqiptare në 1941 bie mbi Popoviç, edhe merita e organizimit të krejt aparatit shtetëror komunist shqiptar pas vitit 1945, bie mbi Velimir Stioniç (natyrisht sipas udhëzimeve të Beogradit, pasi Tirana nuk bënte gjë tjetër, por kopjonte si majmuni çdo gjë nga Jugosllavia e Titos). Të dhëna mbi Stoiniç di shumë pak. Ka qenë i rrethuar nga një shtab i tërë me jugosllavë, secili me specialitetin e tij të veçantë, për shembull Niazi Dizdareviç ka qenë i dërguari i Beogradit për çështjet e rinisë komuniste në Shqipëri, njëfarë kolonel Velo (mbiemri nuk më kujtohet) ishte i deleguar për çështjet e ushtrisë dhe një tjetër me mbiemër Koshiç kujdesej për çështjet e tregtisë, etj. Të gjithë këta ishin nën urdhrat e Stoiniç, i cili ishte personi politik dhe anëtar i Komitetit Qendror të Jugosllavisë. Ky person u largua nga Shqipëria në fund të 1946 për t’u emëruar si shef i Komisionit të Kontrollit në Jugosllavi. Opinioni i atyre që e njihnin nga afër ishte se Stoiniç nuk ishte aq i aftë sa Popoviç, por ndryshe nga ai, ishte më brutal me ndërhyrjet në Komitetin Qendror të partisë shqiptare dhe shumë më intrigant se Miladini. Me largimin e Stoiniç nga Shqipëria, vendin e tij e zuri njëfarë Josip Gjergja, jo anëtar i Komitetit Qendror të Jugosllavisë, por në mos gaboj, kandidat. Ky ishte akoma më i paaftë siç thuhej dhe nuk gëzonte autoritet. Ndoshta arsyeja që me kalimin e kohës Beogradi dërgonte persona të paaftë, ishte se Tito në atë kohë po u kufizonte kontaktet të deleguarve të vet në Tiranë pasi tashmë kontaktet e rëndësishme bëheshin me vajtje-ardhjet e shpeshta të delegacioneve në Tiranë e Beograd. Josip Gjergja ka qëndruar në Tiranë deri në 1950 domethënë deri pas prishjes së marrëdhënieve Shqipëri-Jugosllavi. Më vonë ai u emërua ambasador i Jugosllavisë në Indi. Tjetër person i huaj që ndërhynte në organizmin e shtetit shqiptar, në një masë më të kufizuar, ishte atëherë përfaqësuesi i Bashkimit Sovjetik, emri i të cilit nuk më kujtohet. Ky person para se të vinte si ambasador në Shqipëri ishte këshilltar në Ambasadën e Beogradit të BRSS. Pasi u largua nga Shqipëria rreth vitit 1950 ai u dërgua si ambasador në Kanada. Përkrah ambasadorit sovjetik të atëhershëm, një tjetër organizator i huaj ishte në Tiranë, koloneli sovjetik që më pas u bë gjeneral-major Sokolov. Dua të shtoj se ndërhyrjet e zyrtarëve sovjetikë u shtuan pas prishjes së marrëdhënieve me Beogradin dhe pas shkëputjes së Titos nga Kominform. Në këtë kohë erdhi në Shqipëri si kryeorganizator Dmitri Leviskin, i cili u zëvendësua nga një tjetër në 1955. Në këtë pikë dua të shtoj se vazhdimisht në Shqipëri ata që kanë bërë ligjin ishin në fillim jugosllavët deri në vjeshtën 1948 e më pas sovjetikët. Se kush do të sundojë në të ardhmen me kthesën që po marrin ngjarjet tani pas vizitës së Krushov e Bulganin në Beograd, është vështirë të parashikohet. Këtë do ta tregojë e ardhmja.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/11/2019 - 07:14

Amerikanët kanë hedhur të tjera detaje mbi zhvillimet gjatë regjimit komunist.

Postuar: 13/11/2019 - 07:11

Shërbimi amerikan i CIA ka deklasifikuar të tjera dokumente për Shqipërinë.

Postuar: 12/11/2019 - 07:10

Amerikanët kanë hedhur sërish dritë mbi zhvillimet në sistemin komunist.

Postuar: 09/11/2019 - 07:09

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 08/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 05/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit