Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet e CIA, ja si SHBA dhe Jugosllavia tentuan të mashtrojnë OKB për situatën në Shqipëri, planet që u diskutuan për rrëzimin e Hoxhës

Postuar: 13/06/2018 - 08:17

Dalin në dritë të tjera detaje nga takimi mes agjentëve jugosllavë dhe atyre të CIA më 1953 për rrëzimin e regjimit komunist. Prej disa ditësh gazeta ka sjellë informacione mbi takimin e tyre, ndërsa sot tregohet se si u ra dakord për të bashkëpunuar në rrëzimin e Enver Hoxhës, ndërsa u planifikua që kjo të mbahej e fshehtë nga OKB.

Viti 1953

(Vijon takimi CIA- Kubark)

Funksionimi i Ballit Kombëtar

Duke folur për Ballin Kombëtar, zoti C pranoi se organizata është formuar gjatë Luftës së II Botërore (1940) por aktivitetet e tij u theksuan vetëm pas pushtimit të Jugosllavisë në 1941. Baza e programit të tij ishin spekulime politike për një sistem brenda aksit nazist me politika kryesisht anti-jugosllave dhe anti-Aleate. Kreu i tij Vasil Andoni mendonte se mund të bënte dy gjëra por në veprimet e tij ai ka ngjashmëri të madhe me Mihailoviç. Kur Italia kapitulloi, gjermanët donin paqe në një vend të Ballkanit dhe për këtë zgjidhën Shqipërinë. Ata krijuan një pseudo-qeveri dhe e shpallën vendin të lirë e të pavarur. Gjermanët deklaruan se Shqipëria ishte e nevojshme për lëvizjen e trupave gjermanë por thanë se nuk do të ndërhynin në punët e brendshme të vendit. Balli Kombëtar e pranoi deklaratën gjermane dhe i ftoi të gjitha ata që kishin rezistuar, të dorëzonin armët dhe të bashkoheshin në bisedime pasi tani Shqipëria ishte e lirë. Prandaj nëse flasim për përfshirjen e Ballit Kombëtar në luftën çlirimtare, kjo mund të ketë qenë vetëm kundër italianëve dhe jo kundër gjermanëve, siç demonstrohet nga marrëveshja e shkruar që Balli Kombëtar kishte me gjermanët. Ashtu siç thanë dhe vetë përfaqësuesit e Kubark, Balli Kombëtar tashmë është ndarë në disa fraksione, secila prej të cilave pretendon se ka trashëguar parimet bazë të lëvizjes, por në fakt asnjë nga këto grupe nuk është i rëndësishëm. Zoti C tha se një nga gabimet e bëra nga Komiteti Shqipëria e Lirë është slogani i saj “Vdekje Komunizmit” i cili mund të distancojë shumë forca progresive në vend, të cilat mund të luajnë rol të rëndësishëm në çlirimin e vendit dhe mund të luajnë në favor të Hoxhës duke e vendosur Komitetin në krahun e elementëve të përjashtuar në vitin 1944. Në lidhje me BKI, zoti C pranoi se disa nga anëtarët e tij kishin ruajtur influencën në veri të Shqipërisë, megjithëse e kishin kompromentuar veten gjatë kohës së pushtimit. Gjithsesi ata kanë ndjekur politika më realiste se Komiteti Shqipëria e Lirë. Në lidhje me këtë nuk duhet të harrohen lidhjet tradicionale të princit Markagjoni dhe figurave të tjera të BKI me Jugosllavinë, ku ata janë strehuar në kohë të ndryshme. Letrat e anëtarëve të BKI për anëtarët e Komitetit të Prizrenit tregojnë se BKI e ka kuptuar korrektësisht rolin e Jugosllavia duhet të luajë në çlirimin e Shqipërisë nga skllavëria sovjetike. PBERM zotëron informacione se Kubark ka kontakte me BKI. Zoti C tha se dëshironte të përmendte politikën e mbretit Zog para pushtimit italian, duke komentuar se ai e kuptonte rëndësinë e miqësisë me Jugosllavinë, ose të paktën rëndësinë e marrëdhënieve me Jugosllavinë. Ne besojmë se Zogu kishte politika realiste deri në vitin 1944, periudhë pas së cilës ai shfaqi ndryshime të konsiderueshme.

Komiteti i Prizrenit

Në lidhje me Komitetin e Prizrenit, jugosllavët besojnë se ai nuk është i aftë të çlirojë Shqipërinë dhe as të zhvillojë vendin e prapambetur. Por ai duhet të shërbejë si një platformë e gjerë popullore kundër ndërhyrjeve të Rusisë dhe vendeve të tjera në punët e brendshme të Shqipërisë. Komiteti i Prizrenit pranon të gjithë elementët duke përfshirë dhe BKI dhe të pavarurit. Komiteti i Prizrenit nuk ka ndarje partiake, por vetëm mbi bazë të lëvizjes kombëtare çlirimtare. Komiteti nuk kryen aktivitete kundër grupeve të tjera të emigracionit por vetëm kundër atyre që mbrojnë ndërhyrjen e huaj në Shqipëri. Prononcimet tuaja se komiteti i Prizrenit nuk ka liderë apo persona me influencë në brendësi të tij, vijnë nga burime të gabuara që flasin vetëm nga interesa të ngushta vetjake. Në fakt Lidhja e Prizrenit ka shqiptarë të njohur si Lutfi Spahiu, Nik Sokoli, Ndue Gjonmarkaj dhe të tjerë që kanë influencë dhe kontakte si brenda dhe jashtë partisë komuniste shqiptare. Nëse i rikthehemi Komitetit tuaj Shqipëria e Lirë, slogani i tij në fakt godet kundër rreth 100 000 shqiptarëve që luftuan për çlirimin e vendit të tyre dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë. Nuk duhet harruar se minoriteti shqiptar në Jugosllavi ka një efekt të madh në Shqipëri dhe anëtarët e tij kanë arritur të vendosin kontakte me njerëz të Mehmet Shehut. Faktorët e mësipërm duhet të merren në konsideratë për zgjedhjen e kursit të përshtatshëm të përmbysjes së Enver Hoxhës, ashtu si dhe për bashkëpunimin mes nesh.

Diskutime e pyetje

Pas një ndërprerjeje të shkurtër për drekë, takimet rinisën me palën tonë, duke pyetur PBERM nëse besonin se BRSS mund të hynte në luftë për Shqipërinë, dhe nëse Jugosllavia kishte aktivitet të mjaftueshëm në Shqipëri sa për t’u kthyer në një justifikim për konflikt me Moskën. Zoti B u përgjigj se mesa kishte kuptuar Komiteti Shqipëria e Lirë ishte forca kryesore për përmbysjen e Hoxhës, dhe dëshironte të dinte sesi mund të arrihej kjo. Ne deklaruam se çdo që mund të thuhet në këtë drejtim është thjesht hipotetike. Nuk ka pasur diskutime mes Kubark dhe Komitetit Shqipëria e Lirë apo partive përbërëse mbi një plan të saktë për çlirimin e Shqipërisë. Ne thamë se mënyrat në të cilat mund të ndërmerret një veprim i tillë duhet të përfshijnë patjetër elementët që në aparencë të duket se është një revolucion spontan nga brenda vendit, me qëllim që të evitojmë akuzat e agresionit nga vende të ndryshme. Zoti S pyeti nëse në këtë rast, vendet fqinje të Shqipërisë do të përdoren si baza për përmbysjen e regjimit Hoxha. Ne u përgjigjëm se nëse një aktivitet i tillë nuk mund të bazohet brenda vendit, atëherë do të kërkojmë ndihmë nga vendet fqinje. Komiteti Shqipëria e Lirë do të shërbejë si një pikë bashkimi e elementëve shqiptarë dhe e inkurajimit të rezistencës së tyre. Ai do të përdorë për këtë të gjithë forcën e propagandës plus burime të tjera të shtuara gjatë fushatës. Zoti S shtoi se megjithëse Kubark mendonte se kjo mund të realizohet në kohë paqeje, PBERM nuk beson se kjo është e mundur. Ne u përgjigjëm duke thënë se kjo është e mundur dhe në kohë paqeje por kërkon përgatitje në terren dhe koordinim me vendet fqinje, në mënyrë që veprimi të kryet sa më shpejt dhe BRSS dhe bota të përballen me një fakt të kryer. Zoti S tha se PBERM beson se në kohë paqeje çdo tentativë e tillë do të shërbente në interes të sovjetikëve, pasi do u jepte atyre mundësinë për ta shfrytëzuar zhvillimin, jo për të mbrojtur Shqipërinë, por të ndjekur një politikë armiqësore ndaj Jugosllavisë, mundësisht dhe me ndihmën e vendeve të tjera fqinje. Një lëvizje e tillë do të provokonte një reagim të ashpër të sovjetikëve, të cilët do të forconin pushtetin e tyre në Shqipëri dhe do të bënin përpjekje të veçanta në spastrimin e elementëve që mund të punojnë për llogari të tyre. Ne besojmë se sovjetikët nuk do të toleronin lehtë veprimin kundër Shqipërisë në kohë paqeje por gjithsesi nuk është e sigurt mënyra se si do të reagonin.

Hoxha dhe Zogu

Më tej Zoti B përmendi se kur Zogu marshoi në Shqipëri nga Jugosllavia me tre autokolona të armatosura për të rimarrë pushtetin, iu desh të përballej me vetëm 8000 njerëz të armatosur në të gjithë vendin, ndërsa sot vendi mbrohet nga rreth 45 000 njerëz dhe forca të tjera të armatosura. Ai shtoi më tej se çështja e Shqipëri po diskutohet pa iu referuar vetë interesave të shqiptarëve. Çdo aktivitet i këtij lloji duhet të përfshijë një luftë civile dhe gjithashtu shumë gjakderdhje. Një situatë e tillë do të përfshinte dhe larje hesapesh mes komunistëve dhe jo-komunistëve, mes fshatarëve dhe ish-pronarëve të tokës, apo thjesht mes veriut dhe jugut. Një operacion i tillë me siguri që do të përshkruhej si agresion nga jashtë vendit, veçanërisht në një kohë kur brenda Shqipërisë është shumë e vështirë të organizohen aktivitetet të tilla. Në lidhje me qëndrimin e vetë Partisë Komuniste Shqiptare, zoti S tha se brenda partisë komuniste ka faktorë që e forcojnë regjimin e Hoxhës dhe faktorë të tjerë që e dobësojnë. Një nga dobësitë sipas tij është ndarja e partisë në fraksionet e Hoxhës dhe Shehut. Tashmë me anë të spastrimeve, disa elementë që kanë marrë pjesë në përpjekjen nacional-çlirimtare dhe kanë treguar opozicion ndaj rusëve janë larguar. Njerëz si Themelko apo Tuk Jakova përfaqësonin kërcënimin kryesor për regjimin e Hoxhës dhe ishin qendra opozitare shumë më tepër sesa grupet e emigracionit. Zoti C tha se me qëllim arritjen e suksesit, i gjithë operacioni duhet të prezantohet para Kombeve të Bashkuara si një kryengritje spontane e brendshme. Kështu do të duket si një përmbysje e qeverisë nga brenda Shqipërisë dhe jo si një tentativë për të vendosur kushtet e para-luftës.

Roli i rebelëve

Zoti S vazhdoi duke thënë se aleatët kanë nevojë të kenë brenda Shqipërisë njerëz si Tuk Jakova, ose dhe BKI, të cilët janë më me influencë në zonat e tyre sesa vetë princ Markagjoni. Shumë njerëz që janë përjashtua apo ulur në detyrë, përfaqësojnë asete me rëndësi për operacionin prandaj duhet të mbrohen e të zhvillohen. Ata janë një dobësi e vërtetë në parti, që duhet shfrytëzuar. Por vetëm kjo nuk është e mjaftueshme për të përmbysur regjimin. Nga pikat e forta të partisë ishte fakti se partia ishte drejtuese e luftës çlirimtare dhje Hoxha ende ka mbështetje të gjerë në masat. Edhe fakti që shumë nga të spastruarit nuk po largohen nga vendi tregon se janë ende të lidhur me partinë. Një tjetër pikë e fortë e regjimit është se rreth 70 000 familje tani zotërojnë tokë falë komunistëve. Atyre u janë dhënë tokat që më parë i përkisnin Verlacit, Zogut, Toptanit, Vrionit dhe pronarëve të tjerë feudalë. Nga këto familje, më shumë se 20 000 nuk zotëronin fare tokë para çlirimit dhe reformave agrare të partisë komuniste. Ai ofroi një shembull të mendësisë së fshatarit shqiptar mbi atë që ndodhi në BRSS kur erdhën gjermanët, duke thënë se fillimisht ata ishin pasivë, por kur gjermanët tentuan të vendosnin sistemin e vjetër feudal, fshatarët u kthyen kundër tyre. Pas luftës së Dytë Botërore, Shqipëria ishte në mëshirë të fatit sa i përket pavarësisë së saj, por në këtë periudhë partia komuniste rezultoi një mbrojtëse e denjë e integritetit të Shqipërisë deri në rezolutën komuniste të 1948. Në Partinë Komuniste Shqiptare ka faktorë të fortë ideologjikë e psikologjikë, të cilët dominojnë edhe sot në radhët e larta e të mesme të partisë. Edhe njerëz të spastruar kanë mbetur komunistë pasi ndjejnë lidhje të forta me të dhe ngaqë nuk duan të humbasin atë për çka kanë luftuar, ndoshta deri në pikën e vetësakrifikimit. Një situatë e ngjashme ka qenë dhe në Jugosllavi kur Lavrentiev i dorëzoi Titos letrën e komiteti qendror të partisë bolshevike me akuzat kundër Xhilas, Kidriç e Rankovic. Tito ia tregoi këtë letër anëtarëve të Byrosë Politike dhe të akuzuarit ishin të gatshëm të braktisnin skenën politike në favor të interesave të përgjithshme të partisë, aq të forta ishin lidhjet e tyre ideologjike.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 4

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/06/2018 - 07:10

Në vitin 1953 Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk ishin shumë të qartë mbi atë se çfarë kërkonin në Shqipëri.

Postuar: 21/06/2018 - 07:25

CIA pretendonte se mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut ka pasur gjithmonë përplasje.

Postuar: 20/06/2018 - 07:16

CIA jep detaje mbi operacionet që ajo nisi në Shqipëri me qëllim rrëzimin e regjimit komunist.

Postuar: 19/06/2018 - 07:15

Në vitin 1951 regjimi komunist nisi të blindonte kufijtë e Shqipërisë për të ndaluar arratisjen e

Postuar: 17/06/2018 - 07:15

CIA ka nxjerrë në dritë të tjera dokumente sa i takon situatës në Shqipërinë komuniste.

Postuar: 15/06/2018 - 07:26

CIA zbardh emrat e 33 agjentëve të saj dhe jugosllavë të vrarë më 1951 nga regjimi komunist shqip