Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet e CIA, ja si Tito nxiste shqiptarët të krijonin qeveri paralele kundër Enver Hoxhës, amerikanët i trembeshin sigurisë kufitare në Shqipëri

Postuar: 08/02/2019 - 07:11

CIA ka treguar se si Tito punonte për të goditur Enver Hoxhën. Në një dokument të deklasifikuar, thuhet se Tito tentoi madje që të krijonte një qeveri paralele më atë të Hoxhës, me qëllim rrëzimin e tij. Po ashtu, tregohen detaje dhe mbi operacionet e CIA në vendin tonë, ku thuhet e regjimi komunist kishte një siguri tejet të lartë në kufi.

25 mars 1949

Njësi antiqeveritare në Shqipëri

Marshall Tito ka liruar nga burgu myslimanët në Kosovë me qëllim formimin e një qeverie paralele anti-Hoxha në Dhivri. Qeveria e drejtuar nga Mit’hat Frashri ka njësitë e saj ushtarake që kanë hyrë në Shqipëri dhe kanë pushtuar vargun malor Qafë Shtama. Ushtria shqiptare ka tentuar pa sukses rimarrjen e kontrollit të zonës. Ata organizuan mbrojtjen duke hedhur ne erë urën e Zogut në rrugën Krujë-Qaf Thanë, ndërsa të tjera forca nga jugu i Shqipërisë erdhën për sprapsur sulmet e njësive të Frashrit. Ka një rritje të aktivitetit të grupeve të rezistencës në zona të ndryshme dhe qeveria ka rritur kohëzgjatjen e shërbimit ushtarak nga dy në katër vjet. Gjatë një zënkë mes Hoxhës dhe gjeneralit Tuk Jakova për politikat ushtarake, përfundoi plagë pistolete për ministrin e Brendshëm Mehmet Shehu, i cili ndërhyri për t’i ndarë. Ndërsa Jakova u arrestua. Enver Hoxha i ngjit në një luftanije në portin e Vlorës dhe nuk u pa të zbriste nga anija kur ajo u kthye, çka i dha zhurmë zërave se ai mund të ketë shkuar në Bashkimin Sovjetik. Deri në mes të shkurtit nuk ka pasur zbarkime trupash ushtarake. Misioni sovjetik është rritur vetëm me 40-50 persona kryesisht teknikë, të cilët e çojnë numrin total të personelit në rreth 200. Ardhja e trupave sovjetike në janar për të mbushur luftanijet italiane mund t’i ketë dhënë zë raportime për ardhje trupash. Fortifikimet e vjetra italiane në ishullin e Sazanit po riparohen dhe po hapen hendeqe të reja. Po ndërtohen rreth njëzet poste per topa kundërajrorë.

Mars 1950

Le Monde: Hoxha është një peng në duart e Titos

Që prej prishjes së Beogradit me vendet sovjetike dhe vendosjes së Shqipërisë në krahun e Moskës, kanë qarkulluar vazhdimisht zhurma se rënia e regjmi të Hoxhës do të jetë e shpejtë, si rezultat i revoltës së brendshme me mbështetjen e huaj. Por regjimi shqiptar vazhdon të mbetet në fuqi dhe gjithnjë e më pak po dëgjojmë për lëvizjet e rezistencës. Vitin e kaluar një kryengritje kundër Enver Hoxhës ishte duke u përgatitur nga shërbimet sekrete britanike, të cilat kishin ngritur bazën e operacioneve të tyre të ishullin e Korfuzit. SHBA ishte e informuar por u kufizua në veprime me mbështetjen e Komitetit Shqipëria e Lirë i cili ishte duke u formuar jashtë vendit. SHBA e mbajti tërësisht jashtë qeverinë e Athinës edhe pse kjo e fundit kishte interes në një operacion të tillë. Athina përdori veton kundër çdo veprimi të Papagos, i cili dëshironte të shkatërronte menjëherë çdo fole rebelësh komunistë në Shqipëri dhe të rikthente Epirin e Veriut te Greqia. Qeveria jugosllave me maturi qëndroi e distancuar, duke u preferuar të presë rezultatin e operacioneve. Ajo nuk dëshironte të hiqte dorë nga avantazhi i saj ndaj britanikëve e grekëve në rast të suksesit të revoltës, por gjithsesi Beogradi nuk dëshironte t’i jepte një pretekst Moksës për veprime të dhunshme. Agjentët e shërbimeve britanike u braktisën nga të gjitha palët, u kapën dhe u varën në sheshin kryesor të Vlorës. Mbështetësit e tyre u shpërndanë nëpër male dhe nuk mund të bënin rezistencë, ndërsa qeveria e Hoxhës fitoi avantazh dhe prestigj. I gjithë operacioni dështoi, siç ishte destinuar të dështonte, pasi jugosllavët nuk e mbështetën. Ata kërkonin në fakt ta mbanin Shqipërinë si një peng ndaj Moskës. Shumë mbështetës jugosllavë në Shqipëri janë në kontakt me komitetin e Kosovës në Jugosllavi dhe marrin prej tyre udhëzime dhe armë. Ku komitet është formuar në tokën jugosllave pranë kufirit me shqiptarët, nën drejtimin e Frashërit, ish ambasadori shqiptar në Francë. Prandaj jugosllavët janë të vetmit që mund të shkaktojnë trazira serioze ose një kryengritje me shanse serioze suksesi. Komiteti Shqipëria e Lirë, i cili fillimisht e vendosur në Paris, tashmë ka kaluar në Nju Jork, dhe nuk mund të luajë rol të njëjtë me komitetin shqiptar të Jugosllavisë. Padurimi i britanikëve në operacionet e tyre erdhi prej raportimeve për fortifikimet në gjirin e Vlorës dhe ishullin e Sazanit, lajme të cilat tashmë duket se ishin të ekzagjeruara. Raportimet e publikuara shtatorin e kaluar në SHBA dhe më vonë të mbështetura nga parlamenti britanik, flisnin për fortifikime masive që do të transformonin Vlorën në një bazë të fuqishme detare e ajrore nën kontrollin sovjetik. Por me sa duket projekti ishte i një grade shumë më të vogël. Anijet e furnizimeve nuk janë parë të sjellin çeli, beton apo makineri të rënda, por vetëm rroba dhe ushqim për punëtorët e zonës (disa prej të cilëve janë gjermanë). Supozohet se rusët që drejtojnë projektin kërkojnë riparimin e moleve dhe përmirësimin e fushave ajrore. Ata do të vendosin gjithashtu bateri anti-ajrore por nuk po ndërtojnë fortifikime të reja. E rrethuar siç është aktualisht, Shqipëria nuk mund të kthehet në një bazë serioze për sulme. Ajo nuk është anëtare e shteteve komuniste te Cominform dhe ka traktat asistence të ndërsjellë vetëm me Bullgarinë. Kohët e fundit mbyllja e marrëveshjes mes Jugosllavisë e SHBA për fluturimet mbi territorin jugosllav nga linjat amerikane, i dha zë zhurmave se Jugosllavia mund të ndalojë fluturimet sovjetike dhe të vendeve të Cominform. Nëse kjo do të ndodhte, Shqipëria do të mbetej e lidhur me vendet e bllokut sovjetik vetëm nga deti. Por gjithsesi kjo masë mbetet vetëm për përdorim të mirëllogaritur. Regjimi i Hoxhës, më shumë i kërcënuar sesa kërcënues do të mbetet në pushtet për sa kohë që blloku sovjetik të mos bëjë veprime të dhunshme ndaj Jugosllavisë. Qeveria e Titos, duke mos dashur t’i japë Moskës një pretekst për luftë ose të përfshihet në akuzat e bashkëpunimit me “monarko-fashistët” në Athinë (të cilët nuk humbasin asnjë rast për të kënaqur pretendimet e tyre territoriale), po e kufizon veten për momentin vetëm te lufta e propagandës dhe incidentet e izoluara, të cilat supozohet të mbajnë lart temperaturën politike në Shqipëri. Por nëse ndonjë ditë Cominform vendos të marrë veprim deçiziv ndaj Jugosllavisë titiste, siç pretendohet nga zhurmat kësaj pranvere, fati i Enver Hoxhës dhe i regjimit të ti do të vendoset brenda pak javëve. Tani ata janë të vlefshëm për Beogradin, por në rast të kundërt Tito do të mirëpriste zhdukjen e një pengu që nuk ka vlerë e perspektivë për të.

Memorandum për: Kreun e Divizionit 5E

Kushtet e operimit

Pas shpërthimit të bombës në legatën sovjetike në Tiranë më 19 shkurt 1951, janë shtuar masat e ashpra të sigurisë dhe janë kryer reprezalje të shpejta, prandaj prej atëherë kanë qenë të pakta aktet e rezistencës së hapur. Shtrëngimi i masave të kontrollit ka vazhduar. Një dekret i kaluar në fillim të vitit 1953 kërkon leje të veçantë për mungesë në shtëpi për më shumë se 48 orë, por grupet e refugjatëve thonë se rregulli nuk respektohet gjithmonë. Ka pasur raportime të pakonfirmuara për përforcime të kufirit Shqipëri-Jugosllavi, por Jugosllavia duket se nuk ka pasur vështirësi në dërgimin e agjentëve para e prapa. Si dhe ka pasur një kalim të vazhdueshëm të refugjatëve drejt Jugosllavisë. Edhe kontrollet në kufirin grek duken të buta dhe agjentët apo refugjatët kanë kaluar pa vështirësi gjatë muajve të verës. Disa zona të kufirit grek janë të minuara, edhe një i arratisur tha se kishte kaluar në një zonë të shënuar si të tillë, pa incidente. Anëtarët e grupeve ashtu si dhe refugjatët kanë raportuar edhe për raste kur patrullat kufitare kanë kthyer kokën në anën tjetër kur kanë pikasur njerëz. Vetëm një raportim është marrë për përdorim të telave me gjemba; kjo barrierë ishte rreth 4 km larg kufirit grek. 1 metër e lartë dhe gati 1 kilometër e gjatë. Nuk janë dalluar deri tani qen kufiri, zona me tokë të punuar, projektorë drite apo mjete të tjera.

Siguria në kufi

Me gjithë lehtësinë relative me të cilën kanë kaluar kufirin shqiptar agjentët dhe refugjatët, siguria e brendshme në Shqipëri është efektive, edhe jo aq sa në vende të tjera komuniste. Kjo kontradiktë në dukje shpjegohet me prapambetjen e vendit dhe izolimin e komuniteteve rurale. Udhëtimi i brendshëm është shumë minimal dhe të huajt dallohen menjëherë. Masa që ende nuk janë zbatuar në lidhje me shtrëngimin e kontrollit të brendshëm e kufitar janë: Toka e punuar përgjatë kufirit. Thuajse e pamundur për arsye të terrenit malor; Largimi i popullsive nga zonat kufitare; Tela me gjemba dhe zona të minuara. Të dyja të vështira për arsye të terrenit të ashpër në vend; Përdorini i qenve nga patrullat; Instalimi i dritave dhe kullave të vrojtimit përgjatë kufirit. Kjo ka pak gjasa për arsye të rrjetit të kufizuar elektrik në terrenin malor dhe rural; Shtrëngim i rregullacionit të lejeve të udhëtimit;Dokumentacioni i ri.

Numri i refugjatëve

Nuk mund të jepet një llogaritje e saktë e efektit të kontrolleve mbi numrin e kalimeve kufitare të grupeve për konspiracion kundër regjimit. Shërbimi shqiptar i sigurisë ka rezultuar mjaft efektiv duke eliminuar grupe të njohura të rezistencës apo duke detyruar të tjerë të largohen në Jugosllavi. Por një grup agjentësh të sponsorizuar nga CIA në vitin 1952, ka raportuar krijimin e rrjeteve me rreth100-300 njerëz (këto ishin pretendime të pakonfirmueshme dhe përkufizimi i “rrjeteve” ishte i pasaktë. Më saktë ato ishin grupe njerëzish, besnikë ndaj liderëve individualë, që mbanin lidhje me kontaktin, i cili nuk ishte agjentë rezident). Ekziston informacion i konfirmuar se grupe që veprojnë jashtë Jugosllavisë kanë krijuar kontakte në rajonet veriore malore, dhe janë përdorur, në një prej rasteve për lëvizjen e të arratisurve nga Shkodra drejt kufirit jugosllav. Besohet se “grupet e rezistencës” janë vetëm sporadike, duke përfshirë pesë deri në njëzet persona në një fshat, të cilët nuk janë të varur nga njëri-tjetri.

Natyra dhe masa e grupeve për rekrutim

Ish-klika e mbretit Zog, tre apo katër njerëz që mund të përdoren si drejtues grupi, që mund të na japë Zogu nëse vazhdon bashkëpunimin dhe nëse vështirësitë aktuale me egjiptianët zgjidhen. Kampi i refugjatëve, Lavrion, Greqi: Nuk ka njerëz të kualifikuar për drejtues por ka rreth 75-100 të rinj që mund të punojnë si anëtarë grupi në ndihmë të liderit të kualifikuar. Janina e Trieste: Qendrat e interrogimit në Ianina e Trieste kanë pika zbulimi e rekrutimi për refugjatët që mund të bëhen agjentë në të ardhmen. Garda shqiptare në Gjermani, e cila ka rreth 200 shqiptarë (tashmë në kontroll të plotë të ushtrisë amerikane) dhe konsiderohet si një grup ku mund të gjenden agjentë të nivelit të ulët që mund të përdoren në raste emergjence, apo si anëtarë të forcës së sulmit.

Potencialet për agjentë

Ekzistojnë kontakte mes disa oficerëve dhe dy anëtarëve të legatës shqiptare në Romë. Disa takime nuk kanë dhënë shumë shpresa për një dezertim të mundshëm, edhe pse njëri ka treguar mundësi të konvertimit. Ekzistojnë mjetet për përgjime audio, por infiltrimi i fshehtë në ambasadat e Romës apo Parisit nuk është i mundur aktualisht. Në Paris mund të kryejmë përgjime, por personel amerikan nuk ka të gatshëm. Zakonisht në operacione të tilla nevojitet një pikë ndërlidhjeje, dhe jemi të informuar se mund të ketë komplikime. Ndërsa në Romë kemi pajisjet dhe personalin, por për arsye të prioritetit të ulët të caktuar për Shqipërinë, në krahasim me zona të tjera, ka pak shanse të shfrytëzimit të tyre. Zakonisht kërkimi i agjentëve kushtëzohet nga mungesa apo lindja e mundësive të rastit. Ne do të vazhdojmë të kërkojmë dhe të shfrytëzojmë çdo mundësi që do të lindë. Në një periudhë, ekzistonin shpresa për kryerjen e operacioneve nga Jugosllavia me mbështetjen e UDB. Shpresat bazoheshin në premtimet e UDB për këmbimin e informacioneve, por rrjedhimisht ata nuk treguan përmirësime në sjelljen e tyre të përgjithshme dhe nuk u arrit asnjë operacion i përbashkët në praktikë.

Kërkesat për degën

Marrja e informacionit për zonat e mëposhtme: Durrës- Informacion mbi trafikun e anijeve; Kukës- Informacion mbi mbrojtjen ndaj infiltrimeve jugosllave, mbi rojet kufitare dhe ushtrinë;) Tirana- Informacion mbi zyrtarët dhe funksionimin e partisë komuniste; informacion mbi misionin sovjetik; Vlorë- Informacion mbi instilacionet detare dhe aktivitetet, anijet tregtare, instilacionet e naftës, dhe bazën e mundshme të nëndetëseve në ishullin e Sazanit.

Detyra Operacionale

1. Sipas kuadrit të përcaktuar, urdhërohet që operacionet e CIA në Shqipëri të kryhen sipas instruktimeve të mëposhtme. Këto detyra operacionale do të reflektojnë kërkesat e vëna mbi CIA nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe Departamenti i Mbrojtjes. Këto do të marrin në konsideratë kapacitetet e CIA, të interpretuara sipas disa parimeve bazë:

a. prioritetet shtetërore tregojnë sesi duhet të vihet theksi i veprimeve. Të mos neglizhohen detyrat e prioritetit të ulët gjatë kryerjes së detyrave me prioritet të lartë.

b. Gjatë mbledhjes së inteligjencës, duke përfshirë vëzhgimet dhe lëvizjet e tipit veprues, veprimet duhet të ndahen nga njëri-tjetri gjatë gjithë kohës, dhe burimet të përdoren sipas radhës së përcaktuar të prioriteteve në politikën kombëtare.

Prioriteti I

A. Zhvillimi i kontakteve të sigurta dhe i komunikimeve të shpejta në zonën e shënjestruar.

B. Zhvillimi i një mekanizmi mbështetës për kalimin e sigurt të agjentëve brenda dhe jashtë zonës së shënjestruar.

C. krijimi i një klime të përshtatshme psikologjike me anë të broshurave dhe mjeteve të tjera.

Prioriteti II

A. Mbledhja e të dhënave të brendshme politike.

B. Mbledhja e të dhënave mbi organizatën, metodat, personelin e shërbimeve shqiptare të inteligjencës dhe shërbimeve të sigurisë.

C. Ndërmarrja e hapave paraprake gjatë dy viteve të ardhshme për lejimin dhe plotësimin e kërkesave të ushtrisë mbi mbështetjen klandestine të SHBA dhe nisjen e planeve të luftës, të cilat duhet të fokusohen fillimisht në detyra të veçanta: Vazhdim i pengesave për naftësjellësin Perhond-Vlorë; Vendosja dhe trajnimi i një agjenti rezident në Vlorë e Tiranë për rekrutimin e mundshëm të agjentëve sabotatorë; Vendosja dhe trajnimi i një agjenti rezident secilën prej zonave me qëllim krijimin e njësive guerrile: Zona e lumit Erzen, 10 milje në Jug të Tiranës; Çamëria: 12 milje larg Sarandës; Alpet e Shqipërisë: 18 milje në veri të Shkodrës; Vendosja dhe trajnimi i një agjenti rezident për qëllime zbulimi të agjentëve, shtëpive të sigurta, zonave të sigurta, pikave të kalimit kufitar, infiltrimit dhe eksfiltrimit, si dhe pikave të uljeve të mundshme ajrore; Një mekanizëm të aftë të mbështesë një lëvizje në drejtim të Jugut në katër zonat guerrilase; Një pikë ndalimi detare pranë zonës së ishullit të Korfuzit; Këto objektiva janë zgjedhur mbi bazat e mëposhtme:

a. Secila prej tyre konsiderohet mjaftueshëm e rëndësishme për planet e luftës së SHBA, për të justifikuar shpenzimin e aseteve operacionale, sipas kushteve aktuale të operimit.

b. Në total ato konsiderohen si përbërës të programit operacional ushtarak brenda kapaciteteve të CIA. Stacioni ynë në terren duhet të autorizohet t’i rekomandojë selisë kryesore zëvendësimin e objektivave të listuar në këtë dokument, në rast se faktorë të tjerë e bëjnë të nevojshme.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/04/2019 - 07:21

Amerikanët nxjerrin në dritë të tjera të dhëna sa i takon pushtimit të Shqipërisë nga Italia.

Postuar: 19/04/2019 - 07:07

Amerikanët kanë treguar të tjerë detaje nga pushtimi italian në Shqipëri.

Postuar: 18/04/2019 - 07:05

Dalin në dritë të tjera detaje nga sulmi ushtarak i Italisë ndaj vendit tonë më 1939.

Postuar: 16/04/2019 - 07:07

Zbardhen detajet e lojës diplomatike gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Italia më 7 prill.

Postuar: 14/04/2019 - 07:33

Italia i kishte vënë 6 kushte Ahmet Zogut para se të bëhej pushtimi ushtark.