Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet e CIA, ja si u lëshua në Shqipëri agjenti T5, përplasjet me armë me jugosllavët dhe grekët, si shfrytëzoheshin nga UDB shqiptarët e arratisur

Postuar: 12/07/2018 - 07:12

Dalin në dritë të tjera detaje mbi lëvizjet e shërbimit inteligjent amerikan gjatë regjimit komunist, për rrëzimin e Enver Hoxhës. Në disa dokumente të deklasifikuara tregohen detaje nga misionet. Në një dokument të vitit 1951 tregohet se si një agjent i CIA, i njohur si “T5” u dërgua në vendin tonë bashkë me një grup tjetër. Aty tregohen detaje nga aktivitetit i tij. Sipas dokumentit, agjenti gjatë lëshimit humbi kontaktet me grupin tjetër dhe u detyra të operonte i vetëm. Bëhet fjalë për një agjent me origjinë nga Kosova. Aty tregohet se si ai u detyrua të luftonte me ushtarë jugosllavë dhe grekë, teksa tregohen dhe kontaktet e tij me fshatarë të ndryshëm. Po ashtu tregohet se një pjesë e madhe e shqiptarëve që arratiseshin drejt Jugosllavisë kryesisht dërgoheshin për të punuar për hapje rrugësh dhe ndërtime, ose bëheshin agjentë të UDB.

23 nëntor 1951

Raport teknik i operacionit të lëshimit Thunderclap

Për arsye të frikës e nervozitetit të agjentit T5 para lëshimit, ai nuk mori rrahjen në shpatull që është sinjali i kërcimit, para se të hidhej, megjithëse T5 insiston se është prekur nga dispeçeri. Ndryshimi i planeve të grumbullimit nga agjenti T1 gjatë rënies në zonën e lëshimit është i vështirë për t’u kuptuar, pasi grupi është stërvitur për grumbullime nate dhe ka performuar shumë mirë. Ishte ky ndryshim i minutave të fundit në grumbullim që bëri që T5 të mendonte se ishte braktisur nga grupi. Në fakt të lëshuarit ishin shpërndarë aq shumë gjatë lëshimit sa që trajnimi i tyre nuk do të vlente gjithsesi pasi bazohej në sinjale zanore. Taktikat e grumbullimit kanë funksionuar mirë me grupe të tjera sa herë që trupat kanë rënë në distancë të dëgjueshme nga njëri tjetri. T1 dhe pjesës tjetër të grupit u është thënë vazhdimisht për rëndësinë e vendosjes së shpejtë të komunikimeve radio prandaj është vështirë të besosh se ata mund të kenë menduar të braktisin qëllimisht T5, veçanërisht kur vareshin prej tij për mbështetjen tonë. T1, T2 e T3 e njihnin zonën e tyre operacionale dhe rrjedhimisht ishin të bindur se mund të gjenin T5, sido që të binin në tokë. Ky është një gabim gjykimi që ka ndodhur dhe herë të tjera me grupet prandaj është vënë theks i veçantë në stërvitjet e grumbullimit pas lëshimeve, në mënyrë që grupi të ketë planin e tij të përcaktuar.

Përplasja me jugosllavët

Tre të shtënat e dëgjuara nga T5 mund të kenë qenë të shtëna pistolete që përdoren nga grupi si mundësi emergjence. Ky është vetëm një supozim pasi nuk janë dëgjuar të shtëna të tjera. Duhet theksuar se T5 ka pasur disa përplasje me patrullat jugosllave, në të cilat ai ka vrarë disa ushtarë jugosllavë dhe një informator civil. Autoritetet jugosllave do të kenë menduar me të drejtë se T5 është një agjent shqiptar i regjimit komunist që hynte ilegalisht në Jugosllavi. Gjithashtu veprimet e T5 në Jugosllavi tregojnë urrejtjen e tij të thellë ndaj regjimit të Titos, dhe kjo mund të ketë ndikim dhe në informacionet e tij mbi Jugosllavinë. Për arsye të veprimeve të T5 në Jugosllavi ai nuk duhet të dërgohet më në operacione pranë kufirit jugosllav, pasi në rast kapjeje jugosllavët do të nxirrnin dhe të vërtetën e shpëtimit të tij të fundit. Në lidhje me këtë do të ishte interesante të dëgjonim ndonjë opinion të mundshëm të UDB mbi incidente të ngjashme. Ky është vetëm një sugjerim pasi në asnjë mënyrë nuk nënkupton se duam të informojmë UDB për rrugëtimin e T5. Disa nga fshatrat e vizituara prej tij nuk janë të listuara në hartat tona por meqenëse nuk ishte i sigurtë se ku ndodhej, nuk mund t’i listonte me saktësi për ne. Aktualisht T5 është disi më i qetë dhe do të jetë normal brenda një kohe të shkurtër. Grupi u nis në fluturim më 16 gusht 1951 nga Athina në avionin klandestin të OPC. T5 nuk mban mend detajet e fluturimit por raporton disa incidente të vogla që mund të hedhin dritë mbi mungesën e koordinimit në lëshim. T5 thotë se ishte ndjerë i hutuar pas hapjes së derës, dhe kjo nuk vinte vetëm ngaqë po shikonte jashtë derës së hapur të avionit por dhe ngaqë dalloi disa gjurmë plumbash që po qëlloheshin drejt avionit. Gjatë fluturimit, T1 bëri disa ndryshime të rëndësishme në udhëzimet e grupit. Përkundër udhëzimeve paraprake, T1 u tha T3 e T5 të qëndronin aty ku i ulte parashuta, dhe se ai (T1) do të vinte për t’i gjetur. T1 gjithashtu anulloi zonën dytësore të rënë dakord të takimit, në rast dështimi me të parën. Në lidhje me ndryshimin e parë, grupi është stërvitur në terren për t’u bashkuar drejt T1. Sinjalet gojore zanore të grupit janë ndryshe nga ato që përdoren nga T1. T5 raporton se ndryshimi i vendtakimit nga T1 u bë i njohur vetëm për T2 e T3. Në rast se ata nuk arrinin të takohen në zonën e caktuar, T1 udhëzoi 2 e 3 ta kontaktonin me anë të miqve të përbashkët në zonë. Por T5 nuk u përfshi në këtë plan, aq më shumë që nuk ishte i njohur me zonën. Kur e thirri dispeçeri se ishte radha e lëshimit, T5 u vendos te dera e avionit, dhe do të lëshohej kur dispeçeri ta prekte në shpatull. T5 raporton se po merreshin mendtë duke qëndruar te dera deh po sforconte veten të mos shihte jashtë. T5 nuk mban mend të ketë dëgjuar zilen apo sinjale të tjera, por kujton se T2 ishte rreth 2 metra larg prapa tij, në një kohë kur duhet të qëndronte më afër. Më tej T5 thotë se ndjeu prekjen në shpatull dhe menjëherë u lëshua nga avioni. Pas hapjes së parashutës T5 raporton se u trondit shumë kur preku tokën, e cila kishte një pjerësi prej rreth 20-30 gradë. Parashuta e mbështolli dhe e rrotulloi në drejtim të rrëpirës. Rreth dhjetë minuta pas rënies, T5 dëgjoi tre të shtëna pushke. Ai mbështolli parashutën në çantë dhe u ngjit rreth 50 metra më lart në terren. Fshehu parashutën në gëmushë dhe priti deri në ora 0300. Thirri disa herë më sinjalet zanore dhe nuk e kuptonte përse T1 nuk vinte drejt tij. Rreth orës 0315, T5 nisi të ecte drejt asaj që ai besonte si drejtimi verilindor. Rreth një orë ecje larg nga vendi i programuar i takimit ai fshehu radion. T5 thotë se shkatërroi gjeneratorin e radios pasi besonte se fshehja e tij nuk ishte e sigurtë. Gjithashtu nuk mund të vazhdonte të transportonte çantën e rëndë duke kërkuar një vend të sigurtë për t’u fshehur. T5 vazhdoi të ecte deri rreth orës 0600. Ai nuk e njihte këtë zona prandaj nuk e di se ku ka qenë. Sipas llogarive të tij ka qëndruar brenda rrezes prej pesë deri dhjetë km larg vendit të takimit. Ai nuk kërkoi për anëtarët e tjerë të grupit pasi mund të dukej i ekspozuar nga terrenet më të larta. Duke qëndruar në këtë zonë T5 shkatërroi letrën e planit të sinjaleve dhe objekte të tjera që i konsideroi të panevojshme.

Takimi me banorët

Rreth shtatë ditë pasi ishte lëshuar në Shqipëri (më 23 gusht) T5 i foli një gruaje jashtë një fshati për t’i kërkuar për të ngrënë. Gruaja e paralajmëroi se në fshat kishte një patrullë ushtarësh prandaj ishte e rrezikshme që ai të shkonte te shtëpia e saj. T5 ndoqi me sy gruan që hynte në fshat dhe pas muzgut shkoi te shtëpia e saj ku gruaja i dha pak bukë e djathtë. Një ditë më vonë T5 vendosi se duhet të kthehej në Greqi, prandaj nisi të ecte në drejtim të asaj që besonte se ishte Gostivari. Gjatë rrugës ai ndaloi në një strehë barinjsh për të kërkuar ushqim. Dy burrat që ishin aty e pyetën nëse ai ishte Liman Peposi. Fillimisht T5 i tha se ishte Peposi por kur u bë e dukshme që nuk ishte e vërtetë, i tha se ishte një nga njerëzit e Peposit. Barinjtë e vjetër thanë se nuk kishin dëgjuar prej kohësh për Peposin dhe vrisnin mendjen çfarë kishte ndodhur me të.

Përplasja me grekët

Dy ditë para se të kalonte kufirin jugosllav, ai hasi rreth orës 1700 tre patrulla që vinin në drejtim të tij. Njëra ishte në nivel të njëjtë me të ndërsa të tjerat në terren më të lartë. T5 thotë se ushtarët kishin të gjithë uniforma të ngjashme me ato të ushtarëve grekë. Një orë pasi hasi tre patrullat, T5 u afrua në një zonë të hapur ku katër ushtarë ruanin një kryqëzim. Teksa tentonte të kalonte në të djathtë të tyre, T5 u pikas dhe një nga ushtarët hapi zjarr. T5 u plagos në kofshën e majtë por plumbi duket se kishte kaluar tej për tej. Pak pas nisjes së zjarrit, T5 hyri në një zonë pyjore dhe i shpëtoi patrullës. Më 30 gusht, ai kaloi kufirin jugosllav dhe takoi një burrë të vjetër në zonën e ndaluar kufitare. Ai i tha se Gostivari ishte gjashtë orë larg në këmbë në juglindje. Kështu për tre ditë T5 vazhdoi këtë kurs. Ditën e parë ndaj tij hapi zjarr një patrullë që ishte shumë larg. Ndërsa ditën e dytë e të tretë ai vërejti dy ose tre patrulla të tjera me njerëz me uniformë dhe me civilë. Në këtë pikë ai nuk kishte ushqim dhe trembej se plaga në këmbën e tij nuk do të shërohej. Në vend që të vazhdonte drejt Greqisë T5 u nis drejt fshatit Gjilan në Kosovë ku ishte i sigutë se do të gjente strehë dhe ushqim. Ai vuri re diku se data ishte 5 shtator. Sipas llogaritjeve më 6 shtator, T5 hasi në ushtarët jugosllavë që po bënin manovra në një vendndodhje të paditur, të cilët i llogariti në më shumë se 100. Një nga ushtarët e pikasi dhe e urdhëroi të ndalonte në serbisht dhe në shqip. T5 raporton se me shumë gjasa ushtarët nuk po përdornin municion të vërtetë pasi nuk hapën zjarr ndaj për afro 15 minuta. Më në fund pesë-gjashtë prej tyre qëlluan ndaj tij dhe plumbat goditën pistoletën e tij Schmeisser. Një tjetër plumb e preku shkarazi në gjoks T5 u plagos në këmbë. Ai qëlloi disa herë dhe nisi të tërhiqej, ndërsa ushtarët po e ndiqnin. Kur ata u afruan shumë T5 lëshoi një granatë, e cila plagosi disa prej tyre, dhe ushtarët nuk e ndoqën më. Kur T5 ishte larguar në një farë distance mbi u qëllua me murtaja. Një nga shpërthimet e plagosi në këmbë. Ai nuk mund të ecte më me shpejtësi dhe hyri në fshat rreth 15 minuta larg. Atje ai vodhi një kalë dhe u largua me shpejtësi. Rreth një orë distancë nga fshati T5 takoi një burrë të moshuar të cilit i mori këpucët dhe duhanin dhe i dha një napolon floriri. T5 raporton se u ndoq për rreth 15 minuta nga tre njerëz në kalë të cilët qëlluan mbi të. Një ditë më vonë ai la kalin e tij kur gjeti një tjetër me shalë dhe vazhdoi kalërimin deri në afërsi të Frizar. Më tej ai vazhdoi rrugën në këmbë deri në Pleshin, ku u qëllua nga dy patrulla. Ai kaloi më tej në Varosh, Mali i Sejevës, Mali i Smirës dhe arriti në fshatin Kabash rreth 11 shtatorit.

Kur arriti aty rreth orës 2100, shkoi në shtëpinë e Xhemal Azizit. Ai zgjodhi Azizin se e dinte që nuk mbante qen në shtëpi. Gruaja e Azizit kishte njëfarë frike për të pranuar T5 por Azizi i tha se mund të qëndronte sa të donte. T5 qëndroi në stallë në mënyrë që fëmijët e Azizit të mos mësonin për prezencën e tij. T5 qëndronte në stallë gjatë ditës dhe hynte në shtëpi kur fëmijët kishin rënë në gjumë.

Kampet jugosllave

Rreth pesë ditë pasi kishte ardhur në Kabash, T5 i tha Azizit të njoftonte Jani Selimanin, me të cilin kishte lënë për të ruajtur një revolver dhe municion, gjatë një misioni të mëparshëm. Selitmani e kishte me vete revolverin kur erdhi të vizitonte T5, dhe e kishte mbajtur në gjendje të mirë. Selitmani dhe Azizi sollën për T5 municion, mjekime dhe rroba civile. Disa ditë pas vizitës së Selimanit, T5 i tha atij të sjellë kunatin Rexhep Terpeza, i cili është kryetar i Komunës në Tërpezë ose në Pozhren. Tërpeza e informoi T5 se shqiptarët në Kosovë janë fuqimisht anti-Tito dhe dëshirojnë bashkimin me Shqipërinë. Tërpeza tha se kosovarët janë të gatshëm të bashkohen me Shqipërinë edhe nën regjimin e Enver Hoxhës, por jo se janë pro-Hoxhës. Kosovarët thonin se nëse bashkohen me Shqipërinë do të mund të luanin rol më të madh kundër regjimit të Hoxhës. Tërpeza informoi gjithashtu se janë të çuditur nga marrëdhëniet aktuale Jugosllavi-Shtetet e Bashkuara. Ata nuk mund të kuptojnë se përse SHBA po ndihmon Titon, i cili pretendon se është komunist i vërtetë. Kosovarët kanë parë shumë produkte amerikane, por ato ende shiten përmes kooperativave. Tërpeza tha se vetëm një pjesë e vogël e produkteve amerikane shiten në treg të hapur, dhe kjo ndodh kryesish në qytet e mëdha ku ka dhe amerikanë. Tërpeza informoi se grupet e shqiptarëve që arratisen në Jugosllavi caktohen për të punuar në riparimet e rrugëve. Në disa raste ndonjë grup dërgohet përsëri në Shqipëri me mision zbulimi dhe pjesa tjetër e tij mbahen si pengje nga qeveria. Tërpeza tha se një grup britanik kishte ardhur kohët e fundit në Jugosllavi nga Shqipëria. Këtij grupi u ishte thënë të largoheshin në Jugosllavi nëse ishte e nevojshme nga ku më pas britanikët do të siguronin lirimin e tyre. Pasi u vendosën për të punuar me rrugët disa anëtarë të grupit britanik u larguan përsëri në Shqipëri, me qëllim të ktheheshin në Greqi. T5 mësoi nga Tërpeza se jugosllavët kanë një kamp refugjatësh shqiptarë në Vuçiturna, ku refugjatët shqiptarë ndahen në dy kategori: një kategori përfshin ata që punojnë për Jugosllavët, dhe në tjetrën janë ata që marrin ushqim strehim e mbështetje pa punuar. Tërpeza nuk e dinte se përse bëhej kjo ndarje.

Ambjentet e instalacionet

Me marrjen në 3 prill të qendrës së re të stërvitjes në Gjermani në 3 prill, kushtet e organizimit janë përmirësuar ndjeshëm. Qendra është vendosur nën kontrollin e njësisë EE, e cila organizon alternimin e stërvitjes së refugjatëve shqiptarë dhe atyre bullgarë. Të dy grupet e refugjatëve duhet të përdorin ambientet dhe për momentin objektivat po realizohen, në rast problemesh mendohet që operacionet të zhvendosen në Greqi, por asnjë vendim nuk është marrë.

Mjeti detar i transmetimeve klandestine Juanita, u detyrua të shtyjë operacionet deri në mes të majit, kryesisht si rezultat i dëmeve që pësoi gjatë kalimit trans-Atlantik, pas pesëmbëdhjetë ditë lundrim-testimi në detin Jon ne vendosëm të pezullonim operacionin prej vështirësive teknike, të cilat nisën në qershor.

Marrëveshjet me fuqitë aleate

Në prill është rënë dakord në Athinë mes nesh, grekëve dhe britanikëve për planin e përgjithshëm të infiltrimeve të shqiptarëve nga kufiri grek. Përfaqësues tanë kanë diskutuar gjithashtu mbi mundësinë e shfrytëzimit të situatës shqiptare dhe në veçanti të zgjerimit të Komitetit Shqipëria e Lirë. Më 7 prill është kryer një takim me oficerët tanë në Gjermani, ku u vendos për zgjerimin e planit origjinal me infiltrime grupesh prej tetë deri në dhjetë agjentësh, plus grupe më të vogla për detyra të veçanta. Një konferencë e operacionit BGFiend u mbajt në Athinë në 7-8 maj për rishikimin e statusit aktual të aktiviteteve mes degëve të Romës dhe Athinës. Degët kanë forcuar koordinimin me Komitetin Shqipëria e Lirë me anë të disa vizitave në Nju Jork. Parakushti i selisë drejtuese që thotë se duhet të ketë koordinim të ngushtë politikash mes Komitetit, Departamentit të Shtetit dhe shërbimeve britanike, përfaqëson njëfarë vështirësie në koordinimin e shpejtë mes Uashingtonit dhe Komitetit Shqipëria e Lirë. Hapja e zyrës së Komitetit në Uashington ka sjellë disa përmirësime në vënien nën kontroll të padurimit të tij.

Operacionet subversive

Një këmbim idesh u zhvillua në qershor OPC dhe Departamentit të Shtetit dhe EE-1 për operacione subversive kundër Shqipërisë nga Greqia, por kjo mund të shkaktojë probleme si për ne dhe Greqinë. Megjithëse rritja e interesit për aktivitete të tilla nga disa anëtarë të grupit UNSCOB në Greqi përbën rrezik për operacionet e OPC, përfaqësuesi ... beson se situata ende nuk është kritike. Departamenti i Shtetit ka kërkuar bllokohen hetimet serioze dhe të merret në konsideratë pezullimi i UNSCOB. Projekti i mjetit lundrues për transmetimet klandestine radio është quajtur BGSpeed dhe parashikon blerjen, pajisjen dhe operimin e mjetit me lajme propagande të drejtuara nga brigjet shqiptare. Kjo është një sipërmarrje e OPC, ku përfshihet gjithashtu përgatitja, përpunimi editorial dhe transmetimi i “propagandës së zezë” në Shqipëri. Siç u tha më sipër mjeti është detyruar të shtyjë operacionet deri në eliminimin e të gjitha vështirësive teknike, që pritet të ndodhë në korrik.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 3

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/07/2018 - 07:08

CIA ka zbardhur detaje se si agjentë të shërbimeve të saj dhe të Britanisë së Madhe tentuan të infiltrohen në territorin shqiptar.

Postuar: 18/07/2018 - 07:08

 CIA ka zbardhur emrat e shqiptarëve që bashkëpunuan me të për rrëzimin e regjimit komunist.

Postuar: 15/07/2018 - 07:38

CIA ka zbardhur detaje për negociatat mes Ahmet Zogut dhe Titos me qëllim rrëzimin e regjimit kom

Postuar: 14/07/2018 - 08:16

CIA i ka kushtuar një vëmendje të veçantë gjendjes shëndetësore të diktatorit Enver Hoxha.