Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet e CIA, më 1985 Hoxha nisi të qetësojë marrëdhëniet me Greqinë, ja si SHBA parashikoi marrjen e pushtetit nga Ramiz Alia

Postuar: 07/10/2018 - 07:24

Vitit 1985 ishte një pikë kthese për Shqipërinë. Në këtë vit jo vetëm vdiq diktatori Hoxha, por dhe u dhanë sinjalet e para të rrëzimit të regjimit. Në një dokument të deklasifikuar nga CIA, tregohet se si nisi hapja drejt vendeve perëndimore. Një rëndësi i kushtohet marrëdhënieve me Greqinë dhe pasardhësit që do linte Hoxha.

Mars 1985

Mundësi për kontakte perëndimore në Shqipëri

Që prej prishjes së lidhjeve ekonomike e politike me Kinën në 1978, Shqipëria ka ndjekur një rrugë graduale dhe selektive të kontakteve me vende të reja shumica e tyre evropiano-perëndimore, duke vazhduar në të njëjtën kohë armiqësinë me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Sovjetik. Kjo hapje e matur ndaj perëndimit është e motivuar nga ekonomia dhe deri tani nuk ka pasur ndikim në politikat e brendshme radikale të regjimit. Duke parë kufizimet e regjimit me kontaktet e jashtme nuk duket se ka gjasa për zgjerim të ekonomisë së gjymtuar të vendit, ose të paktën në mandatin e parë të pasuesit të Hoxhës. Gjatë dy viteve në vijim pritet që BRSS dhe satelitët e tij të përshkallëzojnë tentativat për të rifituar influencën në Tiranë teksa afron rotacioni i regjimit. Hoxha u prish me Republikën e Kinës në 1978 në një kohë kur shumë ekspertë besojnë se Shqipëria ishte vendi më i varfër e më i prapambetur në Evropë, prandaj ai ose duhet të gjente një tjetër mirëbërës komunist për të ruajtur një rritje minimale ekonomike, ose të kërkonte marrëdhënie të hapura ekonomike me vendet e zhvilluara. Shumë analistë parashikuan me saktësi se Hoxha nuk do të reagonte ndaj hapjeve të vendeve si BRSS e SHBA. Shqipëria nuk preferonte më lidhjet me vende të Evropës Lindore dhe tentoi më shumë drejt vendeve të Lindjes së Mesme si Libia, Irani e Algjeria. Megjithëse mekanizmat e vendimmarrjes shqiptare nuk janë shumë të qarta, Hoxha me shumë gjasa ka vendosur ose ka toleruar hapjet e Tiranës me vendet perëndimore. Kjo pasi megjithëse Hoxha nuk merret me menaxhimet e përditshme të punëve të Shqipërisë, nuk ka shumë gjasa që ndonjë nga vartësit e tij të ketë vendosur për politika në kundërshtim me linjën e përgjithshme të diktatorit. Deklaratat e pakta publike të Hoxhës mbi këtë subjekt kanë qenë të paqëndrueshme edhe pse kanë pranuar fleksibilitetin.

Lidhjet me Perëndimin

Tashmë duket se Shqipëria do të kërkojë lidhjet me Perëndimin për të marrë teknologji prodhimi. Përveç teknologjisë bota e industrializuar perëndimore përfaqëson një partner neutral tregtar për një vend të varfër me të ardhura mesatare vjetore për kokë më pak se 800 dollarë. Marrëveshjet tregtare të njoftuara publikisht kanë të bëjnë si gjithmonë me këmbimin e lëndëve të para shqiptare me mallra industriale perëndimore. Që prej vitit 1981 Tirana duket se ka blerë makineri dhe pjesë këmbimi nga Belgjika, Italia dhe Gjermania Perëndimore. Megjithëse nuk kemi informacione të sakta mbi mendësinë e udhëheqjes shqiptare, ne besojmë se një numër faktorësh të tjerë përforcojnë këtë afrim të kujdesshëm të Tiranës me Perëndimin: Politikisht Tirana mund të jetë më e qetë me pushtetin e saj dhe me lidhjet evropiane. Shtypi shqiptar, i cili kontrollohet ashpër nga udhëheqja, tregon se shqiptarët i konsiderojnë vendet evropiane si objektiva të influencës së superfuqive por gjithashtu paksa më të pavarur sesa vendet e bllokut sovjetik. Ideologjikisht Tirana është e shqetësuar për influencën e kulturës perëndimore te të rinjtë e saj por po aq kërcënuese për linjën e saj të komunizmit radikal ajo konsideron influencën e vendeve evropiano-lindore që kanë devijuar tashmë nga marksizëm-leninizmi. Në sulmet e tij shtypi shqiptar e ndan në mënyrë të barabartë mes perëndimit dhe bllokut sovjetik. Nga pikëpamja e sigurisë së brendshme, Shqipëria prej kohësh i trembet Jugosllavisë për ndërhyrje në punët e brendshme. Prandaj dhe lidhjet me Evropën perëndimore mund të mendohen si një mundësi ndikimi për konflikte të ardhshme me Jugosllavinë.

Vizitat

Vitet e fundit Tirana ka pritur vizita nga një numër zyrtarësh perëndimorë tregtarë, por vëmendja është përqendruar të Greqia e Italia, pas tyre Turqia. Kontaktet më të rëndësishme kanë qenë me Greqinë, me gjithë tensioneve për minoritetin grek në Shqipëri dhe ligjin e luftës që është ende në fuqi mes vendeve. Dhjetorin e shkuar ministri i Jashtëm grek Papulias ktheu vizitën e homologut shqiptar dhe erdhi në Shqipëri për të nënshkruar akorde tregtare, transporti dhe kulturore. Në tetor një delegacion i drejtuar nga një zyrtar i lartë tregtar shqiptar udhëtoi për në Greqi ku u takua me qeverinë, ndërsa në janar 1985 ministri shqiptar i tregtisë shkoi në Athinë. Kohët e fundit dy vendet kanë hapur dy pika kufitare kalimi dhe kanë rënë dakord për një linjë tragetesh mes Shqipërisë dhe ishullit grek të Korfuzit. Në kontaktet me Italinë, zv. ministri i Jashtëm shqiptar ishte në Romë në dhjetor, ndërsa në shkurt 1985 ministrat shqiptar dhe italianë të Kulturës u takuan në Romë për zgjerimin e bashkëpunimit. Italia ka pranuar gjithashtu të furnizojë me materiale fabrikat industriale të Shqipërisë, impiantet e çelikut dhe minierat. Shtypi raporton se në gusht kryeministri i Bavarisë Franz Josef Straus edhi në Shqipëri për një vizitë të shkurtër, ku u takua me zv. kryeministrin. Ndërsa në nëntor zyrtarët e të dy vendeve u takuan në Vienë për të diskutuar vendosjen e marrëdhënieve. Gjermania Perëndimore raportohet se i ka ofruar Shqipërisë ndihmë teknike por refuzon kontrata deri në heqjen dot të pretendimeve të Shqipërisë për dëmshpërblime lufte. Në mesin e shkurtit ministri turk i shtetit Mustafa Tinaz Titiz erdhi në Tiranë për një protokoll të ri tregtar. Vizita ka ringjallur disi marrëdhënien mes dy vendeve që deri tani kishte qenë minimale. Shqipëria ka treguar gjithashtu fleksibilitet për çështjen e floririt prej rreth 35 milionë dollarë që mbahet nga SHBA, Britania e Franca që prej Luftës II Botërore. Sipas burimeve diplomatike, Tirana për herë të parë në 1983 vendosi një dialog të rregullt për çështjen me anë të ndërmjetësve me tre vendet. Në fund të muajit të kaluar regjimi pranoi negociata direkte dhe hoqi dorë nga pretendimi që ari të kthehet në Shqipëri para nisjes së diskutimeve për kompensimin e dy luftanijeve britanike në 1946.

Kufizimet

Megjithë këtë zgjerim të kontakteve Tirana mbetet e mbyllur prej kufizimeve të saj ideologjike me Perëndimin. Regjimi refuzon të pranojë kredi të huaja dhe kjo kufizon ndjeshëm marrëveshjet tregtare. Sasia e vogël e mallrave shqiptare që mund të shiten në tregun evropian, kryesisht minerale dhe ushqime bazë, kufizon mundësitë e Tiranës për të zgjeruar lidhjet tregtare. Zhvillimet e fundit sugjerojnë se udhëheqja është e shqetësuar për përftimin e teknologjive perëndimore. Në dhjetor në një editorial të shtypit shtetëror shpreheshin ankesa se vendi nuk p përdorte si duhet teknologjinë e marrë nga jashtë dhe kritikonte zyrtarët që kërkonin më shumë teknologji. Shifrat e tregtisë sugjerojnë se ekonomia ka absorbuar një volum në rritje të mallrave e makinerive perëndimore. Italia si partner kryesor i Tiranës nga Perëndimi, raporton për një rritje prej 60 për qind të tregtisë mes të dyjave nga viti 1981 deri në 1983, që pritet të arrijë në 35 për qind në 1984. Edhe Franca ka raportuar rritje të ngjashme. Por importet e teknologjisë nuk kanë arritur të nxisin ekonominë e dobët dhe investimet e mëtejshme po evidentojnë problemet me absorbimin e teknologjisë së re dhe vënien në punë të fabrikave e makinerive të reja. Plani shqiptar i vitit 1985 vendos gjithashtu një barrë të rëndë mbi investimet e teknologjisë, të cilat parashikohen të përbëjnë gjysmën e rritjes ekonomike. Plani i ri kërkon rritje më të vogël industriale dhe investimesh sesa plani i 1984, duke reflektuar njohjen e problemit nga autoritetet.

Lindja dhe BRSS

Bashkimi Sovjetik dhe aleatët e tij lindorë e kanë njohur prej kohësh dobinë politike të miqësisë së qeverisë së Tiranës dhe vlerën strategjike të porteve shqiptare për interesat mesdhetare të Traktatit të Varshavës. Përpjekjet e tyre për të joshur përsëri Shqipërinë duket se kanë rifilluar teksa 76 vjeçari Hoxha është tashmë i moshuar dhe pritet të lirojë postin në vitet në vijim. Liderët sovjetikë kanë komplimentuar Shqipërinë në komente publike, siç ishte ai i liderit Gorbaçov në verë. Në dy vitet e fundit Bullgaria dhe Gjermania Lindore kanë qenë në krye të iniciativës sovjetik për reduktimin e armiqësisë me shqiptarët. Bullgaria është më e përshtatshme për këtë rol pasi si ajo dhe Tirana ka probleme me Beogradin për trajtimin e minoriteteve të tyre respektive. Në prill 1984 dy vendet nënshkruan një marrëveshje rritje të tregtisë bilaterale, pas një rënie në 1983. Në dhjetor sipas ambasadës amerikane ne Sofie, zv. ministri i Jashtëm bullgar Ganev besohet se ka ardhur në Tiranë për tregti. Nëse kjo është e vërtetë, do të ishte takimi i nivelit më të lartë në dy dekada. Ndërkohë edhe shtypi shqiptar ka ndaluar sulmet ndaj Bullgarisë që më parë ishin thuajse të përditshme. Ndërkohë Tirana ka refuzuar hapjet nga vende të tjera të lindjes dhe shtypi shqiptar nuk ka kthyer urimet e disa mediave evropiano-lindore për 40-vjetorin e regjimit komunist.

Perspektiva

Panorama botërore e Shqipërisë është formuar nga shekuj të tërë eksperiencash në duar të fqinjëve si turqit, serbët, grekët, italianët apo malazezët. Kohët e fundit dhe dy aleancat e tyre të mëdha me BRSS dhe Kinën i prishën në mënyrë të papritur dhe mbrojtja nga kontaktet e huaja me shumë gjasa do të vazhdojë dhe pas vdekjes së Hoxhës. Në të njëjtën kohë Shqipëria po vazhdon zgjerimin e vogël të lidhjeve me vende perëndimore dhe të botës së tretë të cilat po japin disa rezultate. Një regjim i ri mund të ndjehet më i sigurt duke kërkuar kontrata pa frikë se mund të humbasë pavarësinë apo të bëjë ndryshime të madhe në sistemin e tij të brendshëm. Por do të ishte e vështirë të avancohej një politikë e tillë pa lejuar që influencat perëndimore kulturore e ideologjike të arrijnë te popullata. Edhe gjatë kohërave të izolimit më të madh, Tirana gjithmonë është ankuar për influenca të tilla.

Pasuesit e mundshëm

Për sa kohë që Hoxha mbetet në kontroll gjendja aktuale pritet të mbetet e njejtë. Diktatori nuk do të lejojë rinisjen e lidhjeve me dy superfuqitë dhe do të vazhdojë të konsiderojë fqinjët e tij të Traktatit të Varshavës si vegla të Moskës. Kur ai të besojë se ndodhet në krizë, Hoxha do të sakrifikojë lidhjet ekonomike në favor të izolimit dhe forcimit të kontrollit të brendshëm absolut. Ka pak sinjalizime për drejtimin e mundshëm që do të marrë regjimi pas Hoxhës, por duke u bazuar në eksperiencën e regjimeve të ngjashme, ka mundësi lirimi e ndoshta dhe të trazirave të brendshme. Në një situatë të tillë Beogradi e Moska do të mundohen të përfitojnë sa më shumë për të influencuar ngjarjet. Moska do të tregohet e kujdesshme të mos duket shumë e zellshme për lidhjen me Shqipërinë prej frikës mos mërzitet Jugosllavia, e cila mbetet ende e ndjeshme për motivet sovjetike.

Udhëheqja kolektive

Në rast të vdekjes ose paaftësisë së Hoxhës për të udhëhequr, fillimisht kontrollin do e merrte një qeveri e përkohshme kolektive rreth kryetarit të Parlamentit Alia, kryeministrit Çarçani, ministrit të Industrisë e minierave Çeliku dhe krerëve të sigurisë. Raportohet se një grup i tillë është i gatshëm teksa Hoxha gradualisht po tërhiqen nga detyrat e përditshme të udhëheqjes. Me siguri Alia do të imponohet ndaj të tjerëve si pasues fillestar i Hoxhës, por ndoshta mund të zhvillohet një luftë relative për pushtet bazuar në ndryshimet ideologjike antagonizmat e interesat personale. Gjithsesi nuk pritet që asnjë individ të arrijë të riprodhojë kontrollin absolut të ushtruar nga Hoxha. Me ato informacione që kemi, duket se ndryshimet e ideologjisë në udhëheqje janë mes atyre që kërkojnë lidhjet me jashtë për kapërcimin e vështirësive ekonomike, dhe atyre që favorizojnë izolimin e mëtejshëm në mbrojtje të teorisë politike komuniste marksiste. Të paktën për momentin këto mosmarrëveshje nuk kanë krijuar çarje të thella në favorizimin e Lindjes apo Perëndimit. Provat tregojnë se udhëheqja shqiptare kërkon pavarësi si nga blloqet lindore ashtu dhe nga ato perëndimore. Ato llogarisin se asistenca ekonomike nga Pakti i Varshavës është e kufizuar dhe vjen me kushtëzime të tjera politike, kurse shumica e teknokratëve të rinj favorizojnë politikën aktuale të Alias krijimin e lidhjeve perëndimore ekonomike, të paktën për terma afatshkurtër. Ne nuk e përjashtojmë mundësinë e rifitimit të influencës së Moskës në Shqipëri, veçanërisht nëse udhëheqja post-Hoxha ndahet në fraksione të parikëshillueshme me njëra-tjetrën. Në rast të luftës për pushtet radikalët mund të vendosin të kthehen nga Moska për ndihmë, duke llogaritur se ky është një çmim që duhet paguar për t’u ngritur në pushtetin e brendshëm.

Vdekja e Hoxhës

Përveç problemeve me importet nga Perëndimi, Tirana kufizohet dhe nga ideologjia e saj e refuzimit të kredive nga jashtë, që do të mundësonte pagesat sipas dërgesave ose me këste. Kjo prej bindjes së Tiranës se kompanitë perëndimore nuk mund të veprojnë jashtë influencës së qeverive të tyre. Por gjithsesi Shqipëria ka pak mallra që mund të shiten në tregun perëndimor. Një rritje modeste është shënuar në tregtinë mes dy palëve në vitet 1981-1983. Importet në teknologji nuk kanë arritur të ringjallin rritjen ekonomike në Shqipëri dhe qeveria vendore duket e shqetësuar për këtë. Në fund të dhjetorit partia u ankua në shtyp se industria nuk po merrte teknologjinë e përshtatshme dhe kritikoi zyrtarët përgjegjës për punën e tyre. Sipas shifrave zyrtare, prodhimi industrial është rritur vetëm me 3.3 për qind në 1984, nga parashikimi prej 8.5 për qind. Plani i vitit 1985 parashikonte një rritje më të ulët, gjë që reflekton problemet me përshtatjen dhe zëvendësimin e teknologjive. Bashkimi Sovjetik dhe aleatët e tij janë përpjekur vazhdimisht të joshin Shqipërinë në një riafrim dhe tani me vdekjen e Hoxhës hapjet e tyre mund të intensifikohen. Në deklaratat e tyre publike BRSS përpiqet të bëjë lajka ndaj Shqipërisë, siç ishte fjala e sekretarit të përgjithshëm Gorbaçov në verë dhe mesazhet e ngushëllimit të partisë sovjetike dhe disa satelitëve të tjera për vdekjen e Hoxhës. Gjatë dy viteve të fundit në krye të ofensivës së joshjes kanë qenë Bullgaria dhe Gjermania Lindore, ndaj të cilave Tirana duket se po lejon një farë hapjeje të kujdesshme. Në prill 1984 Tirana dhe Bullgaria nënshkruan një traktat të rritjes së tregtisë dypalëshe, pas rënies me rreth 19 për qind gjatë viteve 1982-1983. Tirana refuzoi publikisht mesazhet e ngushëllimit të BRSS për vdekjen e Hoxhës dhe gjithashtu nuk i ka njohur publikisht mesazhet nga vende të tjera të Evropës Lindore, kështu që politikat e saj nuk pritet të kenë ndryshime drastike në regjimin post-Hoxha. Lideri i ri Alia me shumë gjasa do të nisë punën për konsolidimin e pushtetit të tij, çka mund të sjellë një luftë pushteti të bazuar në ndryshimet ideologjike, interesat personale dhe luftat mes klaneve. Nga informacionet e pakta që kemi duket se diferencat në politikën e jashtme do të reflektohen mes atyre që kërkojnë hapjen dhe lidhjet me vendet e huaja për të kaluar vështirësitë ekonomike, dhe atyre që favorizojnë izolimin e mëtejshëm në mbrojtje të politikave tradicionale radikale. Të paktën për momentin, ndryshimet e ideologjive nuk kanë dhënë shenja të dukshme, por liderët shqiptarë kanë preferuar pavarësinë nga fuqi të mëdha për të siguruar pushtetin e tyre personal. Ndoshta ata kuptojnë se hapjet ndaj Moskës do të nxisin ndërhyrje të mundshme nga Beogradi, prandaj teknokratët e rinj në pushtet favorizojnë njëfarë tendence të Alias për orientim nga Perëndimi. Gjithsesi ne nuk përjashtojmë mundësinë që Moska të rifitojë influencën e saj në Shqipëri, sidomos në rastin kur lufta mes fraksioneve të pushtetit ashpërsohet, dhe radikalët të kthehen nga sovjetikët për ndihmë.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/10/2018 - 07:10

CIA punoi për vite e vite me radhë për të rrëzuar regjimin komunist në Shqipëri, pro në fund dështoi.

Postuar: 21/10/2018 - 08:35

CIA në shumicën e rasteve ishte e përqendruar te konfliktet e brendshme në Partinë Komuniste.

Postuar: 20/10/2018 - 07:20

Shërbimi i Inteligjent Amerikan ka zbardhur prapaskenat e prishjes së bashkëpunimit mes Shqipëris

Postuar: 19/10/2018 - 07:16

CIA i ka kushtuar një rëndësi dhe situatës ekonomike në Shqipëri.

Postuar: 18/10/2018 - 08:07

Amerikanët kanë publikuar detaje nga zhvillimet në Shqipëri gjatë viteve 1951-1952.

Postuar: 17/10/2018 - 13:11

Ish-drejtori i Arkivit të Shtetit, Kastriot Dervishi, na ka shuar një kuriozitet në lidhje m

Postuar: 17/10/2018 - 07:16

Për shërbimin sekret amerikan, Tropoja ishte qendër e spiunazhit gjatë regjimit komunist.