BREAKING NEWS

Vijon rënie drastike e kurbës së të infektuarve në vend me koronavirus, Ministria zbardh të dhënat e fundit

Vijon rënie drastike e kurbës së të infektuarve në vend
x

Dossier

Dokumentet e CIA, Mehmet Shehu ishte kundër Jugosllavisë, kërkonte bashkëpunim me Perëndimin, detajet e vizitës së tij dhe Hoxhës në Moskë

Dokumentet e CIA, Mehmet Shehu ishte kundër Jugosllavisë,

Amerikanët kanë nxjerrë të tjera detaje nga zhvillimet gjatë regjimit komunist. Në disa dokumente të CIA tregohet situata pas prishjes së bashkëpunimit me Moskën. Nga ana tjetër, thuhet se Shehu ishte që të përmirësoheshin marrëdhëniet me Perëndimin. Po ashtu, janë treguar detaje nga vizita e Hoxhës dhe Shehut në Moskë.

Lëvizjet e Mehmet Shehut

Ishte e qartë se Hoxha dhe partia e tij në 1958 po kërkonin të siguronin Moskën se e kaluara mund të harrohej dhe se besnikëria e tyre ishte e plotë. Gjatë këtyre muajve udhëheqësit shqiptarë u munduan të mbështesnin me zë të gjitha iniciativat sovjetike në politikën e jashtme, duke përfshirë dhe vendimin e tyre për pezullimin e testeve bërthamore apo për reduktimin e forcave të armatosura. Pas fjalimit të Hrushov në Berlin në korrik, ku ai bëri thirrje për kufizimin e polemikave me Jugosllavinë, shtypi shqiptar mbeti për njëfarë kohë i heshtur. Por “vrasja” e një shqiptari në Jugosllavi në fillim të gushtit u dha atyre justifikimin e duhur për rinisjen e akuzave. Në ditëlindjen e tij të 50 më 16 tetor, Hoxha mori urime nga partia sovjetike, e cila e quante “militant i madh i socializmit dhe udhëheqës i shquar i partisë shqiptare”. Mehmet Shehu i bëri gjithashtu homazhe Hoxhës dhe ndihmave të Bashkimit Sovjetik, që sipas tij e kishin shpëtuar dy herë Shqipërinë, në vitin 1944 dhe në 1948. Folës të tjerë vlerësuan ndihmën e BRSS dhe vetëm pak herë iu referuan personalisht Hrushovit. Në rrethet private shqiptarët kishin rezerva në mbështetjen e tyre të plotë ndaj Moskës. Në një bisedë të kryeministrit Shehu me... më 29 gusht, ai sulmoi revizionizmin jugosllav dhe foli për dëshirën e përmirësimit të marrëdhënieve me Perëndimin. Gjatë gjithë bisedës Shehu nuk iu referua asnjëherë Bashkimit Sovjetik dhe bashkëfolësi i tij kishte përshtypjen se Shehu po kërkonte një politikë të jashtme disi të pavarur nga Bashkimi Sovjetik. Bashkëfolësi i tij komenton se me gjithë anësinë staliniste të udhëheqjes shqiptare, faktori dominant i mentalitetit të tyre ishte nacionalizimi dhe jo ideologjia, prandaj ai shtoi se Shqipëria nuk duhet të konsiderohej e pandryshueshme. Në dhjetor Hoxha e Shehu ishin përsëri në Moskë për të negociuar ndihmën afatgjatë ekonomike sovjetike për planin e 3-të 5-vjeçar. Një ditë para kthimit të tyre ata morën pjesë në një sesion të plenumit të Komitetit Qendror të Partisë Sovjetike, për të cilin “Zëri i Popullit” tha se ishte një nder i madh.

Rritja e rolit të Shqipërisë

Në gjashtë muajt e parë të vitit 1959, marrëdhëniet Shqipëri-BRSS arritën kulmin dhe Shqipëria mori rëndësi në çështjet e bllokut sovjetik. Hoxha e Shehu drejtuan një delegacion shtetëror në Gjermaninë Lindore dhe Çekosllovaki nga 5 deri në 7 janar, ku ata vazhduan zotimet për besnikëri ndaj Moskës. Më 16 janar Hrushovi i dërgoi një letër Hoxhës ku e njoftonte për vendimin e Komitetit Qendror sovjetik për të ndërtuar një pallat kulture dhe një qendër radio-transmetimi si dhuratë për popullin shqiptar. Pas dy javësh Hoxha e Shehu ishin përsëri në Moskë për të marrë pjesë në Kongresin e 21-të të partisë sovjetike. Në fjalimin e tij në kongres Hoxha iu referua Hrushovit si “miku ynë i dashur Nikita Hrushov” dhe e përshkroi kongresin si një kontribut i vlefshëm për thesarin marksist-leninist. Ndërsa në raportimin për popullin shqiptar pas kthimit, Hoxha ngriti lart kongresin si një bazë e re për ndërtimin e socializmit në BRSS. “Kjo bazë e re hap perspektiva për ndërtimin e shpejtë të socializmit në vendin tonë dhe transformimin e Shqipërisë në një kopsht të lulëzuar, siç ka thënë shoku Hrushov”, tha Hoxha. Në fillim të pranverës 1959 shqiptarët dhanë shenja për përmirësim të konsideratës së tyre ndaj udhëheqësit polak Gomulka, të cilin nuk e shikonin me simpati prej viti 1956. Hoxha e Shehu kishin rënë në sy që nuk kishin vizituar Poloninë gjatë turneut europian të janarit, prandaj në mars një delegacion i drejtuar nga anëtari i byrosë Koleka vizitoi Varshavën dhe Pragën në mars. Më 4 prill Këshilli i Ministrave lëshoi një dekret ku mbështeste të gjitha iniciativat sovjetike të politikës së jashtme. Në mesin e majit Shqipëria u nderua me të drejtën e organizimit në Tiranë të dhjetë-vjetorit të Konferencës së Bashkëpunimit ekonomik të bllokut, që i hapi rrugë vizitës së Hrushov në Shqipëri dhjetë ditë më vonë.

Sulmet e Hoxhës

Në fjalimin e 20 shtatorit të Hoxhës, që ishte i pari në gati tre muaj, u dallua se me vizitën e Hrushovit në maj jo të gjitha problemet ishin zgjidhur mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Megjithëse Hoxha kishte mbrojtur propozimet e Hrushovit për çarmatimet dhe takimin Hrushov-Ajzenhauer, në këtë fjalim ai paralajmëroi se me gjithë përmirësimin e situatës ndërkombëtare “është e nevojshme rritja e urrejtjes ndaj armiqve tanë kryesorë, imperialistëve amerikanë dhe shërbëtorëve të tyre revizionistëve jugosllavë”. Ai tha gjithashtu se Shqipëria nuk mund të relaksohej derisa të gjitha vendet të çarmatoseshin pasi imperialistët “mesi presin mundësinë për të na ngulur thikën pas shpine”. Më 15 tetor Radio-Tirana për herë të parë në një vit iu referua komunave kineze duke i lavdëruar për transformimet dhe duke i përshkruar ato në mënyrë ofenduese për Moskën. “Zhvillimi i komunave kineze është shembulli më i mirë organizativ për ndërtimin e socializmit dhe kalimin drejt komunizmit”, thuhej në artikull, ku gjithashtu lavdërohej ndihma e dhënë nga Kina për Shqipërinë. Në një letër të hapur të Hoxhës për rojet kufitare kërkohej rritje e vigjilencës kundër imperialistëve luftënxitës dhe zagarëve të tyre. Letra thoshte se “bazat atomike të ndërtuara në Itali e Greqi drejtohen kundër Shqipërisë” dhe se jugosllavët janë armiq të betuar të marksizëm-leninizmit që po blejnë avionë nga amerikanët dhe po stërvisin spiunë dhe diversantë kundër Shqipërisë. Në përvjetorin e 15-të të çlirimit të Shqipërisë më 28 nëntor Hoxha dha një fjalim ku theksoi ngrohjen e lidhjeve me Kinën dhe quajti regjimin e Titos “ujk i maskuar si dele”. Edhe Kina nga ana e saj përshëndeste mirënjohjen e Shqipërisë dhe mbrojtjen që ajo i bënte marksizëm-leninizmit kundër revizionizmit modern. Por në të njëjtën kohë udhëheqësit shqiptarë vazhduan një marrëdhënie të sjellshme me BRSS dhe këmbyen disa vizita në dukje të suksesshme me Moskën.

Marrëdhëniet me Kinën

Në vjeshtën e 1956 kinezët ishin të shqetësuar për ruajtjen e solidaritetit në bllok, e cila po dobësohej nga politikat arbitrare sovjetike. Kinezët kishin reaguar dhe më parë me rezerva ndaj uljes së figurës së Stalinit në shkurt 1956 dhe po bëheshin gjithnjë e më të alarmuar ndaj zhvillimeve të verës në Europën Lindore. Në kongresin e shtatorit Liu Shaoqi duke propozuar linjën që Kina duhet të ndiqte për marrëdhëniet në bllok deri në fund të 1956, tha: “Nga njëra anë Partia Komuniste Kineze shpreson dhe punon për solidaritetin e madh ndërkombëtar të proletariatit dhe do të vazhdojë të forcojë solidaritetin mes tyre. Por në marrëdhëniet tona me partitë vëllazërore duhet të tregojmë ngrohtësi dhe të kemi qasje modeste. Ne duhet të kundërshtojmë me vendosmëri çdo tendencë negative drejt shovinizmit të kombeve të mëdha apo të nacionalizimit borgjez”. Kjo linjë e dyfishtë kineze, me theksin të solidariteti i bllokut nga njëra anë dhe te dënimi i shovinizmit të kombeve të mëdha nga ana tjetër, ishte një mesazh për udhëheqësit polakë dhe shqiptarë. Kjo sepse në një kohë kur liderët e tyre nuk kishin ndërmend të tërhiqeshin nga blloku, ata kishin kundërshtuar politikat e BRSS për destalinizimin. Udhëheqësit po kundërshtonin shtytjet e BRSS drejt liberalizimit, më shumë nga sa ato dëshironin. Prandaj duket e arsyeshme se shqiptarët ashtu si dhe polakët, gjenin mbështetje të Kina për rezistencën e tyre ndaj presionit sovjetik në vitet 1955-1956. Kështu që dhe afrimi Kinë-Shqipëri ishte një lëvizje paralele me zhvillime të ngjashme në Europën Lindore dhe mori domethënie të vërtetë vetëm me dallimin e diferencave Kinë-BRSS dhe me identifikimin e interesave të udhëheqjes shqiptare sipas pikëpamjes së strategjisë ndërkombëtare kineze. Kur një delegacion kulturor erdhi në Kinë në fund të vitit 1956, ndryshe nga pritjet e zakonshme për delegacione të tilla të një viti më parë, të ardhurit u pritën nga kryeministri Shehu dhe anëtarët e Byrosë Politike (Hoxha në këtë kohë nuk ishte në Shqipëri). Delegacione kineze tani priteshin me turma njerëzish me lule nëpër rrugë dhe përcilleshin në aeroport nga e gjithë byroja politike. Në shkurt një delegacion tregtar shqiptar i drejtuar nga ministri Ngjela shkoi në Pekin për të nënshkruar një marrëveshje kredie afatgjatë. Në pranverën e 1957 influenca që Kina po fitonte në Shqipëri dhe në Europën Lindore po bëhej e dukshme. Ndoshta shqiptarët duke qenë gjithnjë në përpjekje kundër turqve e sllavëve po e gjenin të leverdishme aleancën me Kinën e largët, edhe nuk mund ta konsideronin atë si zëvendësim ndaj BRSS.