Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet e CIA, SHBA dhe Jugosllavia kthyen sytë nga Ahmet Zogu dhe Fan Noli, ja si synohej të rrëzohej Hoxha përmes shqiptarëve në emigracion

Postuar: 12/06/2018 - 07:11

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Jugosllavia synonin të përdornin shqiptarët në emigracion për të rrëzuar regjimin komunist. Gazeta zbardh të tjera detaje nga takimi i mbajtur në 1953 mes agjentëve të CIA dhe agjentëve jugosllavë. Aty analizohet roli i të gjithë personazheve, ku më kryesorët ishin Fan Noli dhe Ahmet Zogu.

16-17 shkurt 1953

Takimi Kubark-PBERM në Beograd

Vlerësimi i Kubark i grupeve shqiptare të emigracionit

Në ora 10.15 të 17 shkurtit konferenca rinisi me diskutimin e çështjes së emigracionit shqiptar. Përfaqësuesi ynë deklaroi se ka ende lidhje të forta mes liderëve të emigracionit jashtë Shqipërisë dhe njerëzve në vend, prandaj ata nuk janë të parëndësishëm. Më tej ia nisi përshkrimin e Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, i formuar në Paris në 26 gusht 1949, nën drejtimin e Mit’hat Frashërit, udhëheqësit të Ballit Kombëtar, i cili vdiq më 3 tetor të të njëjtit vit. Ai u pasua nga Hasan Dosti dhe në krye të Ballit Kombëtar dhe të Komitetit Shqipëria e Lirë. Komiteti u krijua për të përfaqësuar të gjithë shqiptarët në emigracion që kërkonin një qeveri të lirë në Shqipëri. Komiteti zotohet të inkurajojë popullin trim shqiptar në rezistencën e tyre kundër regjimit tiran të Enver Hoxhës dhe të organizojë shqiptarët jashtë vendit në këtë rezistencë. Komiteti ka njoftuar qëllimin e tij për të punuar për rivendosjen e pavarësisë, sovraniteti dhe integritetit territorial. Komiteti Shqipëria e Lirë ka selinë e tij në Nju Jork, ku punon ngushtë me Komitetin Kombëtar Evropa e Lirë. Selia kryesore e propagandës së komitetit është në Romë, ku publikohet gazeta “Shqipëria” dhe një buletin me lajme nga Shqipëria, të cilat shpërndahen me postë në të gjithë shqiptarët në botë. Që prej formimit të tij Komiteti Shqipëria e Lirë ka punuar për bashkimin e grupeve shqiptare të emigracionit, të interesuar në çlirimin e vendit të tyre nga regjimi i Enver Hoxhës. Me anë të Radios Evropa e lirë ata transmetojnë rregullisht në Shqipëri dhe kanë gjithashtu një stacion klandestin radio. Partitë kryesore që nuk përfaqësohen në Komitetin Shqipëria e Lirë janë: Blloku Kombëtar Indipendent, e cila konsiderohet e papranueshme prej bashkëpunimit të disa elementeve të saj me fashistët gjatë pushtimit italian, DHE Lidhja e Dytë e Prizrenit që është përjashtuar prej bashkëpunimit me gjermanët të kreut të saj Xhafer Deva dhe prej natyrës delikate të çështjes së Kosovës. Në konkluzion themi se Komiteti nuk ka qëndrim armiqësor ndaj Lidhjes së Prizrenit që është organizuar nga jugosllavët, por për këtë mund të diskutojë shumë më mirë pala jugosllave. Partia e legalitetit është e drejtuar nga Abaz Kupi, një ish-ushtarak i lartë i mbretit Zog që gëzon prestigj të lartë mes shqiptarëve. Megjithse programi i kësaj partie bën thirrje për çlirimin e vendit dhe rivendosjen e mbretit në fron, vetë Zogu asnjëherë nuk e ka njohur zyrtarisht këtë parti si të tijën. Anëtarësia e saj llogaritet në rreth 500 shqiptarë në emigracion dhe ndoshta mëbshtetjen më të madhe brenda Shqiëprisë, sipas analizave dhe intervistave të Kubark. Legalistët Abas Kupi dhe Nuçi Kota janë anëtarë të Komitetit Shqipëria e Lirë.

Organizimi i Ballit Kombëtar

Partia Balli Kombëtar është organizuar si një lëvizje rezistence gjatë pushtimit italian dhe është krijuar pak para partisë komuniste të Shqipërisë. Ndryshe nga pretendimet e komuniste se ishin partia e parë me një program të qartë, pak e shumë socialist, të ngjashëm në shumë aspekte me programin e partisë jugosllave, veçanërisht për reformën agrare. Kjo partia ishte e krijuar nga njerëz me ndjesi kryesisht anti-italiane. Pas vdekjes së udhëheqësit të parë Mit’hat Frashëri dhe zgjedhjes së Hasan Dostit president, Balli Kombëtar u nda në fund të vitit 1950 në një fraksion të majtë, të përfaqësuar në Komitetin Shqipëria e Lirë, dhe në një degë tjetër konservatore të kryesuar nga Ali Këlcyra. Anëtarësia e ballit Kombëtar jashtë Shqipërisë tani llogaritet në 300 vetë. Bazuar në informacionet nga brenda Shqipërisë, besohet se ata kanë mbështetjen e dytë më të madhe në Shqipëri. Bali përfaqësohet në Komitetin Shqipëria e Lirë me kryetarin Hasan Dosti, Zef Palin, Abaz Ermenji, Vasil Andoni dhe Halil Maci.

Partia Agrare

Partia agrare e Said Kryeziut është një parti e vogël e organizuar në 1949 dhe tani llogaritet se ka rreth 100 mbështetës nga komuniteti i emigracionit shqiptar. Vetë Said Kryeziu është anëtar i komitetit qendror të Komitetit Shqipëria e Lirë, dhe partia e tij përfaqësohet gjithashtu nga Ekrem Telhaj dhe Hysni Mulleti.

Organizata Balli Kombëtar

Mes grupeve të rëndësishëm që nuk janë të përfaqësuar është kjo organizatë e krijuar nga ndarja me Ballin Kombëtar në fund të vitit 1950. Nën drejtimin e Ali Këlcyrës OBK tashmë llogaritet të ketë shtuar mbështetjen e saj në rreth 250.

Blloku Kombëtar Indipendent (BKI)

BKI përshkruhet si një parti e formuar në 1946 nga persona që i përkisnin rendit të vjetër feudal, një parti pro-italiane me mbështetje të konsiderueshme në komunitetin katolik në veri të vendit, ku mbetet i lartë prestigji i liderëve të saj veçanërisht i Gjon Markagjonit. BKI ka rreth 150 mëbshtetës në emigracion dhe rreth 300-400 kanë palikuar për anëtarësim në Jugosllavi. Presidentii saj Ismail Verlkaci konsiderohet me influencë por BKI ruan gjithsesi prestigjin e kreut të saj të vjetër fisnor Markagjoni.

KEVA

Ky është grupi i njohur si Komiteti i Përpjekjes për Epirin e Veriut dhe është një shoqëri pro-greke nën drejtimin e Evangjelos Kirkos, i cili predikon çlirimin e Epirit të Veriut dhe bashkimin e tij me Greqinë., kjo shoqëri thuhet se ka rreth 3000 anëtarë në Greqi dhe përbëhet nga shqiptarë greqisht folës ose me prejardhje greke që i përkasin kishës ortodokse greke, që kanë jetuar në Greqi prej shumë vitesh. Në plotësimin e kësaj panorame ne përmendëm shkurtimisht gjithashtu Xhafer Devën dhe shoqërinë e tij Lidhja e Dytë e Prizrenit me mbështetje në rreth 500, anëtarë të pavarur të Komitetit Shqiëpria e Lirë (Muharrem Bajraktari dhe Isan Toptani) si dhe kolonitë shqiptare në Boston, Nju Jork, Detroit, Paris, Marseille, Toronto, Stamboll, Australi, Brazil dhe Venevuelë.

Lidhja e Prizrenit

Komiteti i Prizrenit është një organizatë jo-partiake, e hapur për këdo që kërkon t’i bashkohet nga komuniteti i emigracionit shqiptar dhe ka një qëndrim armiqësor ndaj Komitetit Shqipëria e Lirë, për të cilin beson se është krijuar me grupe reaksionare që janë gati të shesin veten te fuqitë e huaja.

Ish-mbreti Zog

Ne komentuam se ish-mbreti shqiptar Zog ka mbetur jashtë Komitetit Shqipëria e Lirë si dhe nga Partia e Legalitetit, ndoshta për të shfrytëzuar mundësinë që të vërë njërin grup kundër tjetrit. Gjithsesi Zogu mbetet udhëheqësi individual më me influencë në Shqipëri. Ai merr mbështetje nga grupi Legaliteti dhe gjithashtu gëzon frikën e respektin e grupeve të tjera shqiptare në emigracion. Sipas informacioneve që vijnë nga Shqipëria, Zogu është ende një figurë që gëzon respekt të gjerë dhe mund të jetë me influencë. Ne përmendëm gjithashtu se gjeneral Rankovic ka sinjalizuar se ka pasur kontakte mes jush PBERM dhe Zogut, por tha se ish-mbreti nuk kishte shumë influencë mes shqiptarëve. Por Kubark mendon se ai gëzon influencë të konsiderueshme dhe kjo mund të jetë e dobishme për çlirimin e vendit, veçanërisht pas prononcimeve të tij publike se nuk kërkon rivendosjen në fron.

PBERM komenton mbi diskutimin e Kubark

Vlerësimi i mësipërm i partive shqiptare nga Kubark u përfundua rreth orës 11.30 dhe PBERN nisi komentet mbi vlerësimet, duke thënë se jugosllavët e pranojnë se në Shqipëri janë ende të forta lidhjet fisnore lokale, por dhe revolucioni komunist ka shkaktuar ndryshime në këtë drejtim. Ky fakt njihet nga jugosllavët prej eksperiencës së tyre, si në rastin e Malit të zi, ku tipe të njëjta influencash ekzistonin, por sot nuk kanë më rëndësinë e mëhershme. Edhe në Malin e Zi ndodhet që baballarët luftonin për njërën palë ndërsa bijtë e tyre për tjetrën, siç ka ndodhur dhe në Shqipëri. Por tashmë gjatë luftës kanë dalë heronj të tjerë që siç rezulton janë në të fortë dhe më me influencë se udhëheqësit lokalë. Për arsye të karakterit primitiv të popullit shqiptar, i cili i jep më shumë rëndësi trimërisë dhe krenarisë personale, këta individë morën popullaritet. Fakti që ata luftuan për Partinë Komuniste tregon se komunistët i zëvendësuan liderët lokalë në shumë zona me përfaqësuesit e tyre. Në lidhje me komentet e Kubark mbi influencën e grupeve të liderëve shqiptarë në emigracion, ata nuk mund të llogaritnin influencën që mund të kenë në masat në Shqipëri. Zoti B më tej komentoi mbi dy fakte që mund të merren si konkluzione nga prezantimi amerikan: a) se nuk ka një organizatë të vetme që mund të përfaqësojë të gjithë emigracionin shqiptar në Perëndim, dhe b) me gjithë përpjekjet e bashkimit të elementëve të ndryshëm ata kanë mbetur antagonistë. Kështu grupi i Zogut e konsideron grupin Komiteti i Shqipërisë së Lirë si të kompromentuar, prej tentativave të tij për të nxitur revolucion. Nga kontaktet e tyre me Zogun PBERM tha se zogistët nuk e konsiderojnë Komitetin Shqipëria e Lirë si një front të bashkuar, pasi mes grupeve të përfshira në komitet ka ndryshime të thella. Megjithëse ato janë në dukje të bashkuara në një fasadë, ka parti që janë pro mbretit Zog dhe parti të tjera që janë tërësisht kundër. Për më tepër, Komiteti beson se partia BVKI është totalisht e vdekur në Shqipëri, kurse ajo vetë thotë se ka influencë të fortë, bazuar në lidhjet tradicionale fisnore të udhëheqësve të saj.

Roli i Fan Nolit

Zoti B tha se shqiptarët janë të gjithë dakord se Fan Noli, megjithëse shumë i vjetër, ka respektin e të gjithë shqiptarëve, nga të gjitha linjat politike. Megjithëse vetë Fan Noli nuk është i aftë për aktivitet politik, çdo shqiptar mendon se do të ishte mirë ta kishin atë në anën e tyre, pasi shqiptarët të arsimuar në nivelin e Fan Nolit janë të paktë. Zoti B tha se Noli mund të pranojë para nga sovjetikët. Noli është aktualisht president nderi i organizatës shqiptare Vatra në Boston, SHBA, dhe ka mbështetjen e shqiptarëve ortodoksë megjithë tendencat e tij të majta. Në këtë pikë, palët kryen një pushim të shkurtër kur zoti B përmendi si ide se do të ishte me efekt të konsiderueshëm nëse Noli nxitej të jepte një deklaratë kundër Enver Hoxhës. Më tej fjalën e mori zoti C. i cili tha se do të fliste sinqerisht sipas eksperiencës së tij personale, edhe nëse të tjerët e pranonin apo jo. Ai tha se shpresonte që pikëpamjet e tij të mos ishin të ndryshme nga vlerësimet e situatës së paraqitur nga PBERM. Ai tha se e pranonte që traditat në Shqipëri janë ende shumë të rëndësishme, por shtoi se do të diskutohen traditat, kjo nuk mund të bëhet vetëm nga një këndvështrim. Në Ballkan çdo vend ka tradita të forta, dhe mes tyre nga më të fortat janë ato të lidhjes mes Shqipërisë e Jugosllavisë, gjë që mund të shfrytëzohet në rrethanat e duhura. Ne nuk duhet të harrojmë këto lidhje dhe as lidhjet tona me bullgarët e rusët pas traktatit të Shën Stefanit, siç mund të jenë gjithashtu lidhjet mes Greqisë dhe Britanisë së Madhe, apo antagonizmi mes Hungarisë e Rusisë. Të gjitha traditat duhen ekzaminuar me hollësi. Në lidhje me traditat në veri të Shqipërisë ne duhet të kemi parasysh se lufta çlirimtare e ka spastruar zonën nga liderët e vjetër pa ndihmë nga jashtë vendit, prandaj këto tradita mund të luajnë rol të ndryshëm nga sa kanë luajtur më parë. Për shembull Komiteti Shqipëria e Lirë ka ftuar Gjon Markagjonaj për t’u bashkuar si individ, por ai ka refuzuar. Në analizën e tij për Komitetin Shqipëria e Lirë, zoti C tha se kishte disa çështje që përfaqësuesit amerikanë duhet të dinë në lidhje me Rusinë Sovjetike. Megjithëse traditat në Shqipëri janë të forta, në Komitetin Shqipëria e Lirë ka disa rryma që janë akoma më të forta se thjesht antagonizëm. Ai tha se Komiteti është përbërë nga katër grupe kryesore: Legaliteti që mbështet mbretin Zog, Balli Kombëtar i lidhur me Të Gjelbrën ndërkombëtare, Partia Agrare e Said Kryeziut, dhe grupi i pavarur i Muharrem Bajraktarit. Për të theksuar antagonizmat ai përmendi faktin se regjimi i Zogut ka vrarë vëllain e madh të Said Kryeziut, dhe se gjatë regjimit të Zogut ai ka jetuar në Jugosllavi nën mbrojtjen e mbretit Aleksandër, dhe se armiqësia mes Kryeziut dhe Zogut nuk mund të shuhet kurrë. Gjatë regjimit të mbretit Zog, Muharrem Bajraktari ka qenë një nga të emigruarit kryesorë shqiptarë anti-Zog dhe ka jetuar gjatë jashtë vendit. Për më tepër njihet gjithashtu armiqësia mes Siad Kyeziut dhe Hasan Dostit, kryetarit aktual të Komitetit.

Roli Jugosllav

Jugosllavët e dinë se çdo grup i infiltruar në Shqipëri në emër të Komitetit Shqipëria e lirë, në fakt punon vetëm për partinë e tij, dhe çdo parti punon për veten e saj. Në fjalë të tjera çdo grup i infiltruar përfaqëson veten e tij, dhe i vetmi vend ku Shqipëria përfaqësohet e bashkuar janë ato ku nuk ka depërtuar Komiteti Shqipëria e Lirë. Ai tha hapur se shumica e informacionit që amerikanët kanë siguruar nga Komiteti është i rremë, si për shembull në rastet kur grupet e infiltruar kanë raportuar se po korrin sukses në Shqipëri, por ata në fakt kanë kontaktuar vetëm me miqtë e tyre të ngushtë. Problemi i informacionit të rremë ose të ekzagjeruar është një dobësi serioze e Komitetit. Zoti C tha se është e rëndësishme të bëhet dallimi mes Shqipërisë dhe Kosovës, pasi kjo e fundit është një zonë jugosllave me disa nga traditat më të vjetra serbe. Në Kosovë nuk ka pasur shqiptarë para luftës austriako-turke në shekullin e 17-të. Shqiptarët që jetojnë në Kosovë tashmë janë krejt ndryshe kulturalisht dhe ekonomikisht. Ata janë shumë më të avancuar dhe më të stabilizuar ekonomikisht pasi gëzojnë privilegjet që u ka dhënë Jugosllavia. Kjo është një arsye përse ka pasur lëvizje nga Shqipëria në drejtim të Kosovës dhe jo në drejtim të kundërt. Kjo ka qenë një e vërtetë e vjetër por është më e theksuar aktualisht. Said Kryeziu nuk ka fare influencë politike në Shqipëri. Ne e njohim mirë familjen Kryeziu dhe zoti C është mik me Gani Bej Kryeziun. Aktiviteti kryesor i Said kryeziut në Komitetin tuaj nuk ka qenë shumë pro-shqiptar por thjesht anti-jugosllav. Ndërsa Xhafer Deva nuk është fare një emigrant shqiptar, por një jugosllav që ka punuar për gjermanët gjatë kohës së luftës dhe prej atëhere e ka humbur influencën që ka pasur. Gjatë luftës ai u ngrit në detyrë duke u bërë ministër i brendshëm i qeverisë gjermane, prandaj është kriminel lufte.

Roli i Ballit Kombëtar

Duke folur për Ballin Kombëtar, zoti C pranoi se organizata është formuar gjatë Luftës së II Botërore (1940) por aktivitetet e tij u theksuan vetëm pas pushtimit të Jugosllavisë në 1941. Baza e programit të tij ishin spekulime politike për një sistem brenda aksit nazist me politika kryesisht anti-jugosllave dhe anti-Aleate. Kreu i tij Vasil Andoni mendonte se mund të bënte dy gjëra por në veprimet e tij ai ka ngjashmëri të madhe me Mihailoviç. Kur Italia kapitulloi, gjermanët donin paqe në një vend të Ballkanit dhe për këtë zgjidhën Shqipërinë. Ata krijuan një pseudo-qeveri dhe e shpallën vendin të lirë e të pavarur. Gjermanët deklaruan se Shqipëria ishte e nevojshme për lëvizjen e trupave gjermanë por thanë se nuk do të ndërhynin në punët e brendshme të vendit. Balli Kombëtar e pranoi deklaratën gjermane dhe i ftoi të gjitha ata që kishin rezistuar, të dorëzonin armët dhe të bashkoheshin në bisedime pasi tani Shqipëria ishte e lirë. Prandaj nëse flasim për përfshirjen e Ballit Kombëtar në luftën çlirimtare, kjo mund të ketë qenë vetëm kundër italianëve dhe jo kundër gjermanëve, sic demonstrohet nga marrëveshja e shkruar që Balli Kombëtar kishte me gjermanët. Ashtu siç thanë dhe vetë përfaqësuesit e Kubark, Balli Kombëtar tashmë është ndarë në disa fraksione, secila prej të cilave pretendon se ka trashëguar parimet bazë të lëvizjes, por në fakt asnjë nga këto grupe nuk është i rëndësishëm.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 11

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/10/2018 - 08:35

CIA në shumicën e rasteve ishte e përqendruar te konfliktet e brendshme në Partinë Komuniste.

Postuar: 20/10/2018 - 07:20

Shërbimi i Inteligjent Amerikan ka zbardhur prapaskenat e prishjes së bashkëpunimit mes Shqipëris

Postuar: 19/10/2018 - 07:16

CIA i ka kushtuar një rëndësi dhe situatës ekonomike në Shqipëri.

Postuar: 18/10/2018 - 08:07

Amerikanët kanë publikuar detaje nga zhvillimet në Shqipëri gjatë viteve 1951-1952.

Postuar: 17/10/2018 - 13:11

Ish-drejtori i Arkivit të Shtetit, Kastriot Dervishi, na ka shuar një kuriozitet në lidhje m

Postuar: 17/10/2018 - 07:16

Për shërbimin sekret amerikan, Tropoja ishte qendër e spiunazhit gjatë regjimit komunist.

Postuar: 16/10/2018 - 07:08

CIA ka deklasifikuar së fundmi një sërë dokumentesh sa i takon situatës së regjimit komunist pas