Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet e CIA, SHBA shihte Hekuran Isain si pasardhës të Enver Hoxhës, ja pse Mehmet Shehu u përjashtua si alternativë

Postuar: 26/07/2017 - 08:55

Zbardhen të tjera dokumente të CIA mbi Shqipërinë komuniste. Sipas të dhënave më të fundit, amerikanët prisnin që Hekuran Isai të merrte drejtimin e Partisë Komuniste pas vdekjes së Enver Hoxhës. Dokumenti bën fjalë për vitin 1997. Në atë kohë flitej dhe për Mehmet Shehun, por amerikanët e përjashtonin si alternativë, me argumentin se ai nuk kishte shëndet të mirë për këtë post. Nga ana tjetër jepet dhe një pasqyrë e situatës së vështirë ekonomike në vend.

Evropa Perëndimore

Shqipëria ka tashmë marrëdhënie me të gjithë vendet Perëndimore përveç Spanjës, Gjermanisë Perëndimore dhe Britanisë, por po punon për forcimin e kontakteve ekzistuese. Tirana po kultivon lidhje jo vetëm me qeveritë e paanshme por dhe me vende anëtare të NATO-s, të cilat shqiptarët i perceptojnë si të pavarura nga SHBA. Me burimet e tyre të dobëta ekonomike dhe me humbjen e ndihmës së kinezëve, Shqipëria mund vetëm të rrisë shumë pak eksportet e saj me vendet e industrializuara, të cilat nuk e kaluan shifrën e 50 milionë dollarëve në 1975. Gjithashtu, për sa kohë që ekstremizmi ideologjik do të komandojë politikat, Shqipëria nuk do të bëjë marrëveshje financiare me Perëndimin. Kushtetuta ndalon huat nga vendet “kapitaliste” si dhe formimin e ndërmarrjeve të përbashkëta me interesa të huaja. Këto kufizime pengojnë importimin e pajisjeve të rëndësishme për vazhdimin e procesit të industrializimit. Me reduktimin e importeve të makinerive, Shqipëria ndoshta do të detyrohet të importojë vetëm pajisjet bazë industriale dhe bujqësore, por në terma afatgjatë kjo do të ndikojë negativisht në zhvillimin ekonomik. Planifikuesit shqiptarë janë gjithashtu në dijeni se Perëndimi nuk do të ketë leverdi të zëvendësojë asistencën ekonomike dhe teknike kineze në Shqipëri. Përjashtim këtu bën vetëm Italia, e cila ka ruajtur një lidhje të veçantë me Shqipërinë që prej viteve 1950-të, dhe lidhjet e tyre historike e gjeografike nuk janë ndikuar aq shumë prej partneritetit të Italisë me SHBA. Ka gjithashtu prova se hapjet e Shqipërisë ndaj Perëndimit kanë dhe dimension politik. Duke parë papërkulshmërinë ideologjike të regjimit shqiptar, nuk është e qartë se cilat mund të jenë akordet politike që Tirana mund të kërkojë nga Perëndimi, por gjithsesi ata mund të kërkojnë ndonjë formë garancie për mbrojtje nga vendet e Mesdheut nga agresione të mundshme të Bashkimit Sovjetik. Ndërsa në lidhje me SHBA, mendësia e regjimit është shumë armiqësore. Hoxha dhe liderët e tjerë e përshkruajnë Washingtonin si fuqia kryesore reaksionare e botës dhe si një kërcënim direkt i sovranitetit të vendit. Retorika e tyre përfshin elemente të një armiqësie pa kompromis ndaj SHBA, përveç konfrontimit ideologjik. Tirana ka refuzuar në mënyrë flagrante afrimin me SHBA në fillim të vitit 1970, dhe deri tani nuk po shohim ndryshime të kësaj mendësie. Sigurisht që do të ishte e sikletshme për shqiptarët që të tentonin të afroheshin me SHBA në një kohë që kritikojnë Kinën për të njëjtën gjë. Një lidhje mundshme me SHBA, ose sinjalizimet për diçka të tillë, mund t’i shërbejnë Tiranës për të mbajtur larg ndonjë perceptim kërcënimi nga Jugosllavia apo BRSS. Megjithëse shqiptarët nuk kanë gjasa të kërkojnë lidhje me Washingtonin për sa kohë që Hoxha është gjallë, ata mund të sinjalizojnë në mënyrë të tërthortë hapje në qëndrimin ndaj SHBA, ose duke reduktuar kritikat ndaj tyre. Shqipëria mund të ketë vullnetin për të blerë pajisje amerikane nga vendet perëndimore, duke u hequr sikur nuk i njohin lidhjet e tyre me SHBA. Ata gradualisht mund të modifikojnë tonet ekstreme të kritikës dhe propagandën anti-SHBA, pa ndryshuar opozicionin ideologjik ndaj tyre.

Pasardhësi i Hoxhës

Kryeministri Mehmet Shehu, që është konsideruar si pasues i Hoxhës, tashmë është 64 vjeç. Fuqia e tij u shtua kur u bë ministër Mbrojtjeje në 1974, por edhe ai ka probleme shëndetësore të cilat e s’kualifikojnë nga marrja e postit të Hoxhës. Nuk kemi shumë informacion mbi funksionarët e rinj në vende kyçe në aparatin shtetëror. Byroja politike ka dy persona më të rinj dhe disa të tjerë janë në komitetin qendror të partisë. Ata me shumë gjasa janë zgjedhur nga vetë Hoxha në bazë të performancës apo besnikërisë së tyre personale. Origjina e tyre nuk njihet por kanë të përbashkët eksperiencën në aparatet krahinore të partisë. Dy të rinjtë në Byronë Politike janë Hekuran Isai dhe Pali Miska që besohet se janë në të 40-at e tyre. Ata erdhën në qeveri pas spastrimeve dhe po ngrihen me shpejtësi. Prej vitit 1975 kanë qenë 4 ndërrime në Byronë Politike. Ndërsa në Komitetin Qendror të zgjedhur në Kongresin e vitit 1976, 43 nga 77 anëtarët janë të rinj.

Raport i lidhjeve financiare

Lidhjet tregtare e financiare të Shqipërisë janë të kufizuara, ashtu si dhe informacioni ynë për to. Shqipëria refuzon të pranojë kreditim nga bankat e qeveritë e huaja, dhe transaksionet i kryen thuajse të gjitha me këmbime mallrash. Tirana punon me disa banka të huaja për lehtësimin e tregtisë, por nuk kemi informacione për lidhje të saj me banka qendrore shtetërore. Që prej mbylljes së tregtisë dhe asistencës ekonomike të Kinës në 1978, Shqipëria me ndrojtje ka zgjeruar disi lidhjet tregtare me vende të tjera për promovimin e zhvillimit ekonomik, duke minimizuar sa më shumë varësinë nga një partner i vetëm. Jugosllavia fqinje është aktualisht partneri më i rëndësishëm tregtar me rreth 21 për qind të tregtisë totale. Pjesën tjetër Tirana e ka ndarë mes vendeve të bllokut sovjetik dhe vendeve perëndimore. Megjithëse Shqipëria nuk ka lidhje tregtare me BRSS që prej daljes nga grupi tregtar komunist CEMA në 1961, shqiptarët kanë negociuar me vende lindore të saj si Bullgaria, Çekoslovakia e Rumania. Kohët e fundit regjimi i Hoxhës ka treguar më shumë interes në rritjen e importeve nga vendet perëndimore në makineri dhe teknologji ekonomike, për të arritur rritje ekonomike me anë të industrializimit. Italia, Gjermania Perëndimore, Greqia e Suedia janë partnerët kryesorë tregtarë të Shqipërisë në Perëndim. Duke reflektuar planet ambicioze të regjimit për modernizim, importet e vendit nga vende të zhvilluara perëndimore përqendrohen në hekur e çelik, makineri transporti e nxjerrjeje mineralesh, dhe telekomunikacione. Regjim i Hoxhës mbështet në zhvillimin e kapaciteteve  minerare me anë të pajisjeve të importuara. Eksporti kryesor i Shqipërisë mbetet kromi, i cili ka sjellë rreth 44 për qind të të gjithë valutës së vendit në 1979. Karburantet si nafta dhe energjia elektrike, janë gjithashtu eksporte të konsiderueshme por vlera e tyre ka qenë e paqëndrueshme. Meqënëse Kushtetuta e Shqipërisë ndalon huamarrjen nga jashtë, Tirana mund të ruajë balancat e tregtisë së saj me jashtë dhe importon vetëm kur mund të mbulojë kostot, në tregtinë me Perëndimin ajo mbështetet shumë në këmbimin e mallrave. Tregtia organizohet nga agjencitë shtetërore të tregtisë me jashtë, sektor pas sektori. Një gazetë perëndimore ka raportuar se disa agjenci shtetërore tregtare mund të përfshihen nganjëherë në një transaksion të vetëm.

Lidhjet me kompani të caktuara

Ne nuk kemi informacion të gjerë mbi lidhjet me kompani të caktuara të huaja, por më poshtë kemi renditur disa nga lidhjet e njohura: Në nëntor 1982, kompania e Gjermanisë Perëndimore, Salzgiter AG pranoi të zgjerojë një minierë nikeli në Shqipëri, në një projekt me vlerë 23 milionë dollarë, që pritet të financohet me këmbime tregtare. Kompania japoneze C. Itoh po negocionte në vitin 1982 për ndërtimin e një uzine çeliku në Elbasan, pagesa për të cilën do të bëhej në krom. Konsullata amerikane në Trieste raportoi në korrik 1984 se kompanitë e mëposhtme italiane po negociojnë ose po punojnë me Shqipërinë: FIAT, Italimpianti, ITALTEL, Montedison, Danieli, EFIM dhe FATME. ITALTEL raportohet se ka pranuar të modernizojë linjat telefonike shqiptare në Tiranë dhe dy qytete të tjera, ndërsa Danieli do të asistojë në rritjen e kapaciteteve të përpunimit të çelikut në një uzinë çeliku. Nuk njihen kushtet e shpërblimit.

Lidhjet financiare

Nuk kemi asnjë informacion për rezerva valute të jashtme të Shqipërisë, dhe besojmë se ato janë të pakta. Nuk ka prova se Shqipëria ka lidhje me banka të huaja qendrore dhe besojmë se ideologjikisht Shqipëria kundërshton diçka të tillë. Me sa jemi në dijeni, Shqipëria nuk është përfshirë në skandale financiare që prej Luftës së Dytë Botërore. Nuk kemi informacion sesi qeveria e Tiranës apo ambasadat e saj transferojnë fondet dhe nuk e dimë sesi financohen ambasadat e saj. Shqipëria ka tashmë lidhje formale me rreth 100 shtete, por në shumicën e tyre nuk ka ambasadorë rezidentë. Shqipëria përdor akreditime të shumëfishta për të mbajtur të ulëta kostot e shpenzimeve në valutë.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/05/2019 - 07:15

Amerikanët në vitin 1946 nisën luftën me Enver Hoxhën. Deri në nëntor të 1946 ata kishin diplomatët e tyre në Tiranë, por pas instalimit të regjimit komunist, situata ndryshoi.

Postuar: 22/05/2019 - 07:07

Dalin në dritë të tjera detaje mbi zhvillimet gjatë instalimit të regjimit komunist.

Postuar: 19/05/2019 - 07:47

Italia ka shkaktuar mbi 3 miliardë franga ari dëme gjatë pushtimit në Shqipëri.

Postuar: 18/05/2019 - 07:25

Dalin në dritë të tjera detaje sa i takon situatës në Shqipëri gjatë vitit 1946.

Postuar: 17/05/2019 - 07:10

Zbardhe diskutimet e vitit 1946 për anëtarësimin e Shqipërisë në OKB.

Postuar: 16/05/2019 - 07:14

Amerikanët kanë nxjerrë në pah të tjerë detaje mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë vitit 1946.