Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet e CIA, zbardhen dëshmitë e të arratisurve nga regjimi, ja si Nexhmie Hoxha sulmonte Bashkimin Sovjetik

Postuar: 09/10/2019 - 07:27

Shërbimi informativ amerikan ka hedhur dritë mbi zhvillimet gjatë regjimit komunist. Gazeta po publikon të tjera dokumente të deklasifikuara nga CIA. Sot po tregojmë detaje nga sulmet që Nexhmie Hoxha nisi ndaj Bashkimit Sovjetik pas prishjes së marrëdhënieve. Në një tjetër dokument tregohen dëshmitë e të arratisurve të regjimit.

 

Mbështetja kineze për Shqipërinë

Partia kineze nisi tërthorazi të mbështeste Shqipërinë gjatë Kongresit të 22-të sovjetik, duke publikuar në shtyp deklaratat shqiptare si dhe me anë të deklaratave të solidaritetit me Shqipërinë nga zyrtarë të ulët të vendit. Gjatë javës së parë të kongresit deklaratat kineze ishin të kujdesshme, duke theksuar vetëm se Shqipëria ishte ende anëtare e kampit socialist, dhe duke theksuar unitetin brenda kampit, mes Kinës dhe BRSS. Në një koment mbi përvjetorët shqiptare dhe sovjetike më 8 e 7 nëntor, Pekini u ngrit në një fazë të re të mbështetjes së ideologjisë shqiptare në krahasim me mohimet e Hrushovit dhe zyrtarëve të tjerë sovjetikë. Pas një editoriali në formë hyrjeje ku lavdërohej Stalini, e përditshmja kineze përshkruante udhëheqjen korrekte 20-vjeçare të partisë shqiptare, duke komentuar Hoxhën si udhëheqës i sprovuar i popullit shqiptar, besnik ndaj marksizëm-leninizmit dhe i afërt me masat. Artikulli specifikon se Shqipëria i ka qëndruar besnike deklaratave të konferencave të 1957 e 1960 duke mbështetur unitetin e lëvizjes botërore socialiste dhe miqësinë me popullin sovjetik. Sipas saj, Kina e Shqipëria ishin të lidhura në zemër dhe ashtu si herë të tjera kujtohej se uniteti shqiptaro-kinez nuk mund të thyej nga asnjë forcë. Shumë nga këto pika u përsëritën në mesazhin e Pekinit për përvjetorin e partisë shqiptare. Partia kineze qëndroi e qetë për tre javë të tjera para se të bënte hapin e ardhshëm të rëndësishëm ndaj Shqipërisë. Më 17 nëntor një mision shqiptar erdhi në Pekin për të diskutuar marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike në 1962 dhe në të njëjtën ditë gazeta shtetërore kineze publikoi tekstin e plotë të fjalimit agresiv të Hoxhës më 7 nëntor. Disa raportime thonin se në këtë periudhë portrete të mëdha të Stalinit po vendoseshin në Pekin dhe po jepeshin instruksione për studimin e veprave të Stalinit. Zëdhënësit kinezë lavdëronin internacionalizmin proletar të Shqipërisë dhe përpjekjet e saj në ruajtjen e unitetit në lëvizjen komuniste, dhe në të njëjtën kohë dënonin zyrtarët jugosllavë duke i quajtur ‘renegatë’ të përfshirë në afera intriguese për nënshtrimin dhe aneksimin e Shqipërisë. Artikujt kinezë vërenin se ‘revizionistët modernë’ kundërshtoheshin nga shumica e partive socialiste, duke mbështetur linjën shqiptare për mungesën e mbështetjes nga Hrushovi. Më 28 nëntor sekretari i partisë kineze Tao Çu, i cili kishte qenë delegat në Kongresin e 22-të sovjetik, tha në një fjalim të partisë në Kuangtung se parashikonte prishjen e lidhjeve Shqipëri-BRSS. Ai akuzoi se BRSS po përpiqej të bindte Jugosllavinë të përmbyste regjimin në Shqipëri dhe tha se Çu Enlai ishte larguar herët nga kongresi sovjetik pasi tentoi dhe nuk arriti të zbusë qëndrimin e Hrushovit ndaj Shqipërisë. Ai tha më tej se, Pekini nuk kishte më nevojë për ndihmën ekonomike sovjetike dhe nuk i trembej as një sulmi të mundshëm sovjetik. Në këtë shprehje të parë të hapur të mendimit kinez ai pohoi se ka forca të konsiderueshme anti-Hrushov në partinë sovjetike dhe se sjellja e liderëve të tjerë në kongres të linte të besoje se së shpejti Hrushovi do të përmbyset.

Më 29 nëntor Mao Cedung dhe udhëheqës të tjerë kinezë në një mesazh për përvjetorin e çlirimit të Shqipërisë, e përshkruanin regjimin e Tiranës si “anëtarë të vlefshëm të familjes socialiste” dhe flisnin për shqiptarët e kinezët si “vëllezër në përpjekjen kundër imperializmit dhe revizionizmit modern”. Në të njëjtën ditë, një zëdhënës kinez tha se shqiptarët nuk ishin të izoluar siç pretendonin sovjetikët. Zonja Hoxha në Tiranë tha në një fjalim se Shqipëria do i tregonte BRSS se mund të avanconte pa ndihmën e tyre, ashtu si dhe kryeministri Shehu që deklaroi se “miqtë e Shqipërisë” kishin garantuar të gjithë ndihmën që nevojitet. Sipas disa raportimeve, i dërguari sovjetik u largua nga pritja kineze për ditën kombëtare të Shqipërisë, i ndjekur nga disa delegacione të tjera. Pekini zgjodhi përvjetorin e 1 dhjetorit të nënshkrimit të deklaratës së 81 partive në 1960, për të dhënë deklaratën më të rëndësishme mbi qëndrimin kinez për strategjinë, autoritetin e disiplinën. Pekini e dinte për tërheqjen e ambasadorit sovjetik nga Shqipëria në 25 nëntor. Pikësëpari ata theksuan se ishin jugosllavët dhe jo Shqipëria që ishte dënuar në konferencën e 1960, dhe shtoi se jugosllavët nuk ishin revizionistët e vetëm. Shtypi kinez tha se deklarata e 1960 vinte theks të veçantë te uniteti dhe detyra e lartë ndërkombëtare e çdo partie. Ai përsëriste se çdo parti është e pavarur dhe e barabartë, prandaj arritja e unanimitetit me anë të konsultimeve është mënyra më e mirë për zgjidhjen e konflikteve, prandaj konferencat e viteve 1956 dhe 1960 ishin shembulli më i mirë për konferencat multipartiake. Kjo do të thoshte qartazi se partia sovjetike duhet të kishte thirrur një tjetër konferencë para se të dënonte publikisht partinë shqiptare. Artikulli mbyllej me pohimin se “ne duhet të mbrojmë unitetin e kampit socialist që përbëhet nga 12 vende vëllazërore, përfshi dhe Shqipërinë”.

 

22 maj 1952

Marrja në pyetje e të arratisurve

Zenel Merxhani nga fshati i Konispol, thotë se në kampin e Tepelenës, sipas informacioneve që i kanë ardhur, të gjithë të internuarit janë liruar. Ai është takuar në Konispol me njerëz të kthyer nga ky kamp. Në Beden të Kavajës dhe në fshatin Lekaj, gjatë verës 1951, 880 njerëz që punonin në kanale janë burgosur. Peneli thotë se ka parë vetë njerëzit që udhëtonin me tren.

Muharrem Mulaj dhe Kadri Petriti deklarojnë se në fshatin Arantas në Mallakastër janë mbledhur të gjitha familjet anti-komuniste reaksionare nga vende të ndryshme, dhe janë vendosur në shtëpi të vjetra. Ata lejohen të punojnë në ndërmarrjet e Fierit, por nuk lejohet të dalin nga zona e tyre administrative. Familjet në fjalë janë të shumta dhe jetojnë në kushte të tmerrshme, fëmijët e tyre lypin në rrugët e Mallakastrës dhe natën kthehen në shtëpi. Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të rajonit të Kolonjës, Mitraq Vodica, i cili punonte më parë në rrobaqepësi, u dha urdhër vartësve se në rast se një familje ka të dënuar nga komunistët, ata nuk duhet të qajnë në shtëpitë e tyre. Ata që nuk zbatojnë urdhrin do të vuajnë pasojat. Sipas një ligji të ri, qeveria e Tiranës vendosi që atyre që nuk sillen mirë në burg do t’u dyfishohet dënimi. Kadri Petriti dhe Eqerem Frashëri, që ishin dënuar me pesë vjet në Korçë, sipas ligjit të ri nuk do të lirohen në 1952, por në 1957. Eqerem Frashëri nuk pranoi në burg asnjëherë t’i shërbente sigurimit duke spiunuar shokët e tij. Gjatë luftës ai ka qenë i ri dhe ka luftuar më Ballin Kombëtar, për çka dhe u arrestuar pas çlirimit. Me ligjin e ri, komunistët reduktojnë dënimin me tre ditë çdo muaj, për ata që bashkëpunojnë me sigurimin.

Pyetësori i Zenel Shaban Merxhanit

Në 15 prill 1952 Zenel Merxhani mbërriti në kampin Lavrion të Greqisë nga Konispoli i Shqipërisë. Ai është fshatar 53-vjeçar dhe kaloi kufirin në Verve më 17 mars 1952.

Merxhani bëri komentet e mëposhtme për situatën në Shqipëri:

Situata politike

Familjet më të besuara në Konispol janë ato të Mustafa Dajlani, Tefik Musa e Musaj. Një muaj e gjysmë më parë në Konispol, Skënder Plaku, Muço Kareci e Sulo Dajlani u arrestuan me pretekstin se kishin takuar Sali Djalanin (i cili gjendet në Greqi) kur e vërteta është se Sali gjendet në Siros. Pesëdhjetë ditë më parë një kompani këmbësorie erdhi në Konispol. Ajo u vendos në fund të fshatit, në shtëpitë e Nimet Malos, i cii është në Greqi, të Xhafer Sulos, Qaim Hodos e Avnio Malos. Kompania kishte rreth 100 ushtarë dhe 10 mushka. Agjentët e sigurimit në Konispol janë Izet Osmani, Kadri Rakipi, Hajri Mane e Seit Kurizo.

Forcat e sigurisë

Komandant i forcave të Konispolit është Seit Kurizo nga fshati Verve. Ai ka 15 policë nën komandë që rrinë të veshur me rroba civile. Ka një postbllok në urën e Bogazit me gjashtë policë dhe një rreshter, që përveç kontrolleve te njerëzit ruajnë urën dhe natën. Gjithashtu në rrugën Konispol-Sarandë ka një postbllok në fshatin Hoxhë dhe një tjetër në urën mbi lumin Bistrica, ku kontrollohen pasagjerët. Vështirësitë e udhëtimit mbeten të njëjta. Njerëzit duhet të presin me javë në agjencitë e udhëtimit për të marrë bileta. Letërnjoftimet nuk kanë ndryshuar.

Kushtet e jetesës

Ushqimi dhe veshjet janë të racionuara. Në kooperativën e Konispolit ka shumë pak gjëra dhe shumicën e kohës nuk ka asnjë produkt. Duke punuar për tre muaj si punëtor në hekurudhën e Rrogozhinës mësova se misri shitej për 70 lekë një kg, një dele kushtonte 3500 lekë dhe një litër qumësht 50 lekë. Shteti i blen qumështin nga fshatarët për 25 lekë litri.

Arratisja

Njëfarë Hasan Bello nga Konispoli pas persekutimit nga komunistët u largua për në Kavajë, kështu që u largova dhe unë pasi nuk kam anëtarë të familjes në Shqipëri dhe nisa punë në hekurudhë. Kur isha atje humba letërnjoftimin dhe bëra deklaratën përkatëse në zyrën civile të Kavajës dhe u ktheva në Konispol. Në Konispol punonjësit më thanë se duhet të shkoja përsëri në Kavajë për të marrë dokumentet nga seksioni i brendshëm. Teksa isha duke pritur rastin për t’u arratisur, më 16 mars shkova në një dasmë në fshatin Ninat. Prej andej, në ora pesë pasdite shkova në vendin e quajtur Shëndeli dhe kalova kufirin në Verve. Më pas iu dorëzova autoriteteve greke në fshatin Pleshavicë. Në zonën kufitare pashë që kishte mina, por kalova nga një gur te tjetri. Nuk pashë askënd gjatë arratisjes time. Autoritetet greke më sollën në Lavrion.

Shënim: Subjekti i mësipërm është fshatar që nuk mund të japë informacione të sakta prandaj iu bënë vetëm pyetje të përgjithshme.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/10/2019 - 07:44

CIA ka treguar detaje mbi mënyrën se si rekrutonte agjentë në vendin tonë. Në një dokument tregohet rekrutimi i një doganieri në Portin e Durrësit.

Postuar: 11/10/2019 - 07:24

CIA ka deklasifikuar të tjera dokumente sa i takon zhvillimeve në Shqipërinë komuniste.

Postuar: 08/10/2019 - 07:12

Gazeta po nis një tjetër cikël me dokumentet e deklasifikuara nga CIA sa i takon zhvillimeve gjat

Postuar: 06/10/2019 - 07:35

Gazeta amerikane “Nju Jork Times” ka hedhur detaje mbi marrëdhëniet mes SHBA dhe Shqi

Postuar: 05/10/2019 - 08:17

Gazeta amerikane “New York Times” ka treguar premtimet e Enver Hoxhës pas çlirimit.

Postuar: 04/10/2019 - 07:10

Gazeta amerikane “New York Times”, ka hedhur dritë mbi spastrimet që ndodhin në Parti

Postuar: 02/10/2019 - 07:12

Gazeta amerikane “New York Times” ka hedhur dritë  mbi zhvillimet në Shqipërinë