Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet e SHBA, Italia pushtoi lehtë Shqipërinë falë ambasadorit dhe disa zyrtarëve shqiptarë, ja emrat që braktisën Ahmet Zogun dhe refuzuan të arratisen

Postuar: 17/04/2019 - 07:02

Zbardhen të tjera detaje mbi pushtimin e Shqipërisë nga Italia. Sipas disa letërkëmbimeve të deklasifikaura nga Departamenti amerikan, Italia e mori Shqipërinë falë ndihmës që mori nga ambasadori i saj në Shqipëri dhe disa zyrtarëve shqiptarë. Po ashtu tregohen dhe zyrtarët që nuk e ndoqën pas Ahmet Zogun.

Beograd, 7 prill

Sapo jam informuar sa më poshtë, në lidhje me çështjen e Shqipërisë, nga asistent-minsitri I Jashtëm, Smiljanic, që konsiderohet si ekspert i fushës: Roma e ka mbajtur të informuar Beogradin për komunikimet me Tiranën dhe për “armiqësinë” e qeverisë shqiptare që ajo ka vërejtur. Pardje Beogradi u informua për dërgimin e luftanijeve italiane për të “vendosur paqen” në Shqipëri. Qeveria italiane i ka dhënë qeverisë jugosllave garancitë e mëposhtme: (1) garantimi i pavarësisë së Shqipërisë, (2) se veprimi i saj në Shqipëri është i përkohshëm; (3) se do të garantojë “interesat jugosllave” në Shqipëri. Është marrë vendimi për të pritur zhvillimet e tjera dhe deri tani nuk janë bërë hapa drejt mobilizimit. Informacionet e fundit nga Tirana thonë se deputetët janë takuar me një komandant italian me qëllim arritjen e kushteve për armëpushimi. Smiljanic ishte burimi i informacionit tim në paragrafin 62, 6 prill, çka e bën të qartë se nuk ka qenë tërësisht i sinqertë. Me sa duket qeveria jugosllave i trembet ndonjë lëvizjeje kundër Italisë apo shprehjes së përçmimit të saj ndaj veprimit italian. Atasheu ushtarak gjerman është takuar mbrëmë me atë italian “për të shpjeguar” nevojën e dërgimit të shumë trupave në Shqipëri (përkundër shifrës së mëparshme prej disa qindra trupash të transmetuar nga ambasadori italian). Atasheu gjermane tha se nga pikëpamja ushtarake pushtimi i Shqipërisë është vetëm një trampolinë për kalimin në Selanik. Italia gjithashtu duket e ka marrë kapital komentin e kryeministrit Chamberlain se lëvizja kundër Shqipërisë nuk përbën kërcënim ndaj interesave britanike, dhe se Jugosllavia është ushtarakisht e politikisht e dobët dhe s’mund të bëjë asgjë. Ende nuk ka komente në shtypin lokal. (Ambasadori në Jugosllavi(Lane) për sekretarin e shtetit)

Uashington, 8 prill, 1939.

Ambasadori shqiptar(Konica) për Sekretarin e Shtetit

Në vijim tëprotestës që kisha nderin të bëja te ju dje gojarisht në lidhje me agresionin brutal të paprovokuar të Italisë ndaj Shqipërisë, kam marrë udhëzime nga autoritetet shqiptare të protestoj sërish kundër shkeljes së traktateve ekzistuese të nënshkruara nga Italia e Shqipëria, një prej të cilëve është Pakti Kellogg. (Faik Konica)

Tiranë,8 prill 1939

Trupat italiane pushtuan Tiranën sot në ora 10 të mëngjesit dhe janë në kontroll të plotë, me asistencën e stafit dhe ambasadorit italian dhe disa zyrtarëve të qeverisë shqiptare. Rezistenca ndaj pushtimit italian ndaloi kur mbreti Zog braktisi Pallatin Mbretëror në Tiranë pak pas orës 18.00 dje pasdite, i shoqëruar nga një ose disa ministra dhe anëtarë të oborrit të tij, duke u nisur për në Greqi. Sot në mëngjes raportohet se mbretëresha Geraldinë u nis me një ambulancë me beben e saj 2-ditëshe dhe arriti mëngjesin e sotëm në Follorinë. Informacione të besueshme thonë se anëtarët katolikë të kabinetit kanë qëndruar në Tiranë, mes tyre Rrok Gera, ministër i Ekonomisë, i cili ka folur dje më një komandant të ushtrisë italiane pranë Shisk dhe Kol Thaci, Ministër i Financave. Ndoc Naraci, drejtori i komunikimeve gjithashtu ka mbetur në detyrë. Dr. Mihal Sherko, Sekretar i Përgjithshëm në ministrinë e Jashtme dhe drejtor i shtypit, është këtu dhe ka vizituar legatën italiane. Mbreti arriti të tregojë rezistencë dhe për këtë mbështetej nga shumica e kabinetit, por siç u tregua në audiencën e të mërkurën, rezistenca ishte vetëm një shfaqje simbolike pasi forcat e tij ishin shumë të pakta në numër. Sot në 6 të mëngjesit, kishte ende disa të shtëna sporadike në qendër të Tiranës, pas zjarrit të gjerë mbrëmjen e djeshme. Pashë rreth dymbëdhjetë xhandarë shqiptarë në rrugë, para legatës italiane, si dhe duke ruajtur ministrinë e brendshme. Këtu gjeta kolonel Stamati, kreun e xhandarmërisë, dhe ministrin e komunikimeve Naraci. Nga informacionet që mora duket se atasheu ushtarak italian kolonel Gabrielle, ishte në drejtim të kësaj zyre edhe pse trupat italiane ishin ende shumë kilometra larg në autostradën me Durrësin. Kreu i xhandarmërisë mori një shënim nga kolonel Gabrielle dhe tashmë duket se shumica e të shtënave të mbrëmshme ishin për të frikësuar popullatën pas daljes nga burgu të të dënuarve politikë, pas rënies së qeverisë. Pallati i mbretit Zog në qendër të kryeqytetit u grabit dje. Madhëria e tij gjithsesi raportohet se kishte marrë me vete sendet me vlerë. Unë nuk pashë shenja të dëmtimeve në ndërtesa dhe tashmë duket se nuk ka pasur trazira të përgjithshme. As demonstrata kundër mbretit nuk ka pasur para nisjes së tij, përkundër raportimeve në mediat italiane. Kjo duket se ishte thjesht për qëllime propagande dhe justifikimi të pushtimit italian të vendit. Shqiptarët në përgjithësi i urrejnë italianët përveç atyre që kanë përfituar materialisht nga prezenca e tyre dhe ndoshta popullata katolike e qendrave kryesore.

Nga informacionet e mbledhura këtë mëngjes duket se raportimet e luftimeve ishin të ekzagjeruara. Shpërthimet, bombardimet dhe viktimat nuk ishin aq të rënda sa u raportua në buletinet ushtarake. Nuk ka shifra zyrtare për viktimat. Portet e Sarandës, Vlorës, Durrësit e Shengjin janë pushtuar nga italianët pas një rezistence të vogël nga vendasit. Ushtarët italianë në motoçikleta dhe tanke të vogla hynë në Tiranë rreth orës 10:30 ndërsa bombarduesit fluturonin ulët dhe mbi ambasadat tona, megjithë flamurët që kishim ngritur dje për mbrojtje ndaj bombardimeve të mundshme. Një edicion i veçantë i gazetës së pasdites Shtypi nisi të shfaqej nëpër rrugë njëkohësisht me hyrjen e trupave italiane në qytet. Titujt e saj ishin si më poshtë:

“Trupat miqësore fashiste të drejtuara nga Gjeneral Guzzoni rivendosin rendin e ri në SHqipëri. Italianët i bëjnë apel popullit shqiptar. Ngjarjet e djeshme—plaçkitja e pallatit mbretëror nga autoritetet, të burgosurit lirohen. Kudo vendoset rendi, rivendoset jeta normale. Punonjësit e administratës, artizanët dhe profesionistët ftohen të rimarrin vendet e tyre të punës”.

Një delegacion i vogël nga parlamenti shqiptar tentoi të penalizmi mbështetësit e regjimit italian por përpjekja duket se dështoi. Ish-kryepeshkopi ortodoks i kishës Vissarion dha një fjalim ku nxiste bashkëpunimin me italianët, por nuk u prit mirë. Ministritë shqiptare janë të zbrazura përveç rojeve të derës dhe disa zyrtarëve që përpiqen të fshehin zhgënjimin e tyre. Raportohet se italianët do të përpiqen të formojnë së shpejti një qeveri shqiptare.

Konti Ciano ka mbërritur në bashkinë e Tiranës dhe përshëndeti turmat bashkë me sekretarin e jashtëm Mihal Sherko dhe drejtorin e zyrqës së shtypit Xhafer Ypi. Më pas Ciano shkoi me makinë drejt legatës italiane. Pati pak duartrokitje. (Ambasadorin SHqipëri (Grant) për Sekretarin e Shtetit)

Rome, 8 prill 1939

Duke parë pasigurinë e informacioneve zyrtare italiane nga burime të tjera përveç Ciano, Departamenti vlerëson vështirësitë në parashikimin e ngjarjeve dhe ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit të Shqipërisë. Një garanci formale se Italia do të respektojë pavarësinë dhe integritetin e Shqipërisë u dha nga kolegët britanikë kur kishin dorëzuar te Ciano një memorandum për situatën shqiptare dhe detyrimet e Italisë sipas paktit Anglo-Italian të 1938. Përshtypja ime është se fushata kundër Shqipërisë është bërë për disa arsye: (1) që Italia të sigurojë disa pika strategjike të bregdetit si Vlora dhe gadishulli pranë saj, i vendosur pranë ishullit italian të Sazanit, pasi me këto pika dhe mundësinë e marrjes së ishullit të Korfuzit, Itali mund ta konsiderojë Adriatikun si detin e saj; (2) me trupat italiane këtu dhe ato pranë kufirit italo-jugosllav, Jugosllavia mund të detyrohet të mbetet aleate e aksit Rome–Berlin; (3) Ciano thotë se situata në Shqipëri u vështirësua prej zemërimit të popullit ndaj keqqeverisjes së mbretit Zog i cili inkurajonte ndjenjat anti-Italiane dhe kjo po vinte në rrezik interesat italiane në vend, qofshin ato ushtarake, financiare e komerciale. Ndoshta fushata ushtarake italiane është kryer me këmbënguljen e Berlinit dhe si pjesë e programit të vendeve totalitare për ruajtjen e influencës në rajonin e Adriatikut. Sipas raportimeve të besueshme Itali po bën përforcime në disa poste ushtarake të jashtme si në ishullin Rodos, Libi, Spanjë, Marok dhe në kufijtë francezë e jugosllavë. Atasheu ushtarak raporton se të gjitha instalacionet kufitare janë në modalitet të plotë lufte dhe një raportim i fundit nga konsullata në Trieste thotë se 30,000 trupa të tjera shtesë kanë ardhur në kufirin Italiano-Jugosllav. Llogaritet gjithashtu se forca e ushtrisë qytetare, duke përfshirë dhe ato në Shqipëri e Spanjë, arrin në 950,000 burrë. 280,000 janë rekrutë të rinj të stërvitur pjesërisht, ndërsa 200,000 janë të vjetër me pak stërvitje. Me këtë organizim ushtria nuk është e përgatitur për luftë të menjëhershme sepse nuk ka rezerva për konflikt të gjatë. Por nuk duhet nënvlerësuar se masat e marra mund të jenë në natyrën e përgatitjes së makinerisë së mobilizimit të përgjithshëm që mund të kërkohet nga Gjermania. Pozicionet luftarake të Italisë janë tashmë të shpërndara në mënyrë të tillë që mund të krijojnë probleme në negociatat që mund të zhvillohen. Atasheu detar francez i ka thënë Kinkaid se pas veprimit të Italisë ndaj Shqiëprisë ka shumë pak ose fare mundësi që të nisin negociatat Franco-Italiane. (Ambasadorio në Itali (Phillips) për Sekretarin e Shtetit)

Paris, 8 prill, 1939

Ëilson bëri sot një bisedë me ambasadorin grek Politis, i cili tha se ishte i shqetësuar për situatën në vendin e tij pasi e konsideron agresionin italian kundër Shqipërisë si faza e parë e një programi totalitar për dominimin italian në lindje të Mesdheut. Ai tha radhën për t’u pushtuar e ka Greqia në ditët apo javët në vijim. Mussolini do të nxjerrë ndonjë pretekst për keqtrajtim të italianëve në Greqi dhe do të kërkojnë pushtimin e ishujve grekë. Greqia do të refuzojë dhe Italia do të dërgojë anijet e avionët e saj. Greqia do të luftojë por rrjedhimisht do të mundet dhe Itali do të instalohet në Selaik dhe në ishujt grekë. Politis i kërkoi Bonnet mëngjesin e sotëm se cila ishte mendësia franceze për sulmin italian në Shqipëri. Bonnet u përgjigj se qeveria franceze po mendonte për çështjen dhe do të konsultohet me britanikët. Politis pyeti: “Doni të thoni se francezët e britanikët nuk e kanë vendosur ende qëndrimin e tyre?” Bonnet u përgjigj se ishte e vështirë të përcaktoje qëndrimin britanik dhe se kryeministri Chamberlain ishte për peshkim në Skoci. Politis i tha Uilson se një perandori i madhe nuk mund të qeveriset duke bërë peshkim në një kohë si kjo. Politis tha se fillimisht as britanikët e as francezët nuk e besonin se Itali do të sulmonte Shqipërinë. Vetëm 3 ditë më parë ambasadori në Paris kishte thënë se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar, pasi Perth kishte marrë garanci nga Roma dhe britanikët ishin të sigurtë se garacitë do të respektoheshin. Politis tha se kur Bonnet e pyeti se çfarë do të bënte Greqia nëse sulmohet nga Italia, ai u përgjigj se Greqia do të luftonte edhe pse ishte një betejë e humbur. Bonnet tha se sigurisht Franca e Britania nuk do të qëndronin indiferente nëse Greqia sulmohet, se kjo do të ishte diçka e tmerrshme e tij. Politis tha se do të ishte i bindur për këtë kur të shihte anijet britanike që stacionoheshin në ishujt grekë. Politis tha më tej se me sa duket italianët nuk e kuptojnë se sa e rrezikshme ishte situata. Rreth 30 deri në 50,000 ushtarë italianë kishin ardhur deri tani në ishullin Rodes. Për ta atje nuk ka nevojë dhe shpjegimi i vetëm është se do të sulmojnë në Suez. Forcat britanike në Qiproi dueht të trefishohen dhe avionët më të mirë britanikë duhet të dërgohen atje, por Britania nuk po bën asgjë për këtë. Në anën tjetër të Mesdheut, në jug të Spanjës, italianët po përgatiten për sulm në Gjibraltar. Vendet demokratike kanë bërë shumë deklarata virtuoze por çështja është nëse ato do të pozicionohen për të mbështetur fjalimet e tyre me veprime? Si do të rezistojnë Franca e Anglia nëse Gjermania sulmon Poloninë? Çfarë mund të bëjë Anglia për të ndihmuar Greqinë apo Jugosllavinë, nëse ajo pret derisa Italia të bllokojë Adriatikun duke pushtuar ishujt dhe bregdetin grek? Politika britanike është evitimi i luftës me çdo kusht duke evituar dhe masat paraprake pasi diktatorët do t’i konsideronin si provokim. Dhe si rezultat i kësaj diktatorët po kapin njëra pas tjetrës të gjitha pozicionet, deri para deklaratës së sotme të Chamberlain mbi Poloninë. Sikur ajo të ishte bërë shtatorin e shkuar mund të kishte nxitur strukturën në shkatërrim të Evropës. Politis tha se lufta do të vijë në mënyrë të pashmangshme në momentin kur diktatorët ta konsdierojnë të përshtatshme për interesat e tyre. (Ambasadori në Francë (Bullitt) për Sekretarin e Shtetit).

Tirana, 8 prill 1939

Në një fjalim të shkurtër për shqiptarët dhe trupat italiane prezente, Ciano deklaroi se “trupat italiane kanë ardhur këtu për siguruar paqen, drejtësinë dhe unin në stilin fashist”. Ish-kryepeshkopi ortodoks Vissarion, duke iu përgjigjur Ciano, tha “ne i mirëpresim trupat italiane pasi u tradhtuam nga qeveria jonë që nuk është këtu”. Kësaj Ciano iu përgjigj “Kjo është pikëruisht arsyeja pse kemi ardhur. Për të çliruar Shqipërinë nga tirania e mëtejshme”. Rreth një orë pas ardhjes së Ciano në Tiranë, sekretari i parë erdhi në legatën italiane për të raportuar se mbretëresha Geraldinë dhe bebja e saj po merrnin kujdesin e nevojshëm në legatën amerikane. Sekretari tha se italianët nuk do të lëndonin mbretëreshën apo foshjën e saj dhe unë komentova se nuk do ta kuptoja nëse ata do ta detyronin të largohej në këtë situatë. Unë informova sekretarin e mbretëresha nuk është në ambasadën amerikane. Në lidhje me këtë dua të informoj Departamentin se kur u bë e ditur se do të ndodhte pushtimi, të afërm të mbretëreshës më kërkuan që ajo të strehohej në ambasadë në rast emergjence. Unë u përgjigja se do ta bëja me kënaqësi nëse Mbreti ma kërkonte. Lajmet e asaj pasditeje thoshin se mbretëresha kishte arritur ne Selanik ndërsa Mbreti ishte në Athinë. Në ora 4 atë pasdite rreth 2,000 trupa me motoçikleta e kamionë kaluan në legatën amerikanë në rrugën e Elbasanit. Ato besohet se po shkojnë në Elbasan ose në Korçë. Rreth 300 avionë transporti u ulën në aeroportin e Tiranës këtë mëngjes me rreth 1000 ushtarë. Në bisedat e mia me Sekretarin e legatës italiane këtë pasdite, kur ai shprehu mundësinë e veprimit ushtarak kundër shqiptarëve, unë shpreha çudi dhe shpresën se gjakderdhja mund të evitohet. Rrjedhimisht sekretari më informoi se qytetet kryesore të Shqipërisë kishin dërguar telegrame mirëseardhjeje për italianët dhe kishin deklaruar se do të zbatonin urdhrat e tyre. Ai sinjalizoi se trupat nuk po hasnin më rezistencë dhe se propaganda italiane kishte rezultuar në formimin e komiteteve të vogla miqësore, që tashmë flisnin për të gjithë popullatën. Në lidhje me këtë ai raportoi se konti Ciano kishte sjellë me vete shuma të mëdha parash për të shpërndarë. Gjeneral Zef Seregi ndihmësi personal i Zog, i emëruar së fundmi ambasador në Romë, u kthye në Tiranë me Kontin Ciano. Ambasadori gjerman Von Pannëitz dhe sekretari ishin sot prezentë me veshje zyrtare për të pritur Ciano. Zyrtarët italianë raportojnë se do të propozojnë së shpejti qeverinë e re. Mediat italiane thonë se ndërhyrja u bë për të ruajtur paqen prej zemërimit të shqiptarëve me qeverinë e Mbretit Zog, por këto janë të pavërteta deh refuzohen nga shqiptarët. Unë kam tre vjet në Shqipëri dhe i njoh sjelljen e zakonet e shqiptarëve. Shqipëria në fakt është pushtuar nga ai që hiqej si miku e aleati i saj. (Ambasadori i SHBA në Shqipëri).

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/08/2019 - 07:13

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi zhvillimet në Shqipëri pas vdekjes së Enver Hoxhës. Sipas disa shkrimeve të “New York Times”, jepen detaje mbi vdekjen e Hoxhës dhe marrjen e pushtetit nga Alia.

Postuar: 21/08/2019 - 07:35

Amerikanët kanë dhënë detaje nga kalimi i pushteti te Ramiz Alia.

Postuar: 20/08/2019 - 07:12

Amerikanët kanë nxjerrë në pah detaje të tjera sa i takon zhvillimeve në sistemin komunist.

Postuar: 18/08/2019 - 14:44

Amerikanët kanë zbardhur të tjera detaje nga vdekja e Mehmet Shehut.

Postuar: 17/08/2019 - 18:00

 Gazeta amerikane “New York Times” ka zbardhur të tjera detaje nga vdekja e Mehm

Postuar: 16/08/2019 - 07:14

Amerikanët kanë zbardhur të tjera detaje sa i takon përplasjeve në Shqipërinë komuniste.

Postuar: 15/08/2019 - 07:14

Pasi prishi marrëdhëniet me Kinën, Hoxha humbi të gjitha ndihmat ekonomike.