Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet, Enver Hoxha refuzonte lidhjet diplomatike me SHBA në 1946, akuza amerikanëve se mbështesnin grekët në pretendimet për territorin shqiptar

Postuar: 14/06/2019 - 07:13

Enver Hoxha nuk pranonte të vendoste marrëdhëniet diplomatike me SHBA pasi pretendonte se po mbanin anën e grekëve në pretendimet e tyre për territorin shqiptar. Dokumentet e zbardhura nga Departamenti Amerikan i Shtetit e konfirmojnë një gjë të tillë.

Tiranë,10 tetor 1946

Përfaqësuesi në Shqipëri(Jacobs) për sekretarin e shtetit: Më 8 tetor Hoxha prezantoi para Frontit Kombëtar prioritetet e politikës së jashtme. Ai akuzoi Britaninë se po përdorte incidentin e Sarandës si një pretekst për të mos vendosur marrëdhëniet diplomatike. Në lidhje me SHBA ai tha atë që Departamenti di tashmë për Shqipërinë, pra se Tirana është e gatshme të njohë traktatet ndërkombëtare me SHBA dhe për të diskutuar miqësisht traktatet bilaterale pas dhënies së njohjes nga Uashingtoni, si dhe shtoi se Shqipëria po priste përgjigje për çështjen nga qeveria amerikane. Më 9 tetor bëmë vizitën e lamtumirës te Hoxha i shoqëruar nga Henderson dhe rreth 2 orë diskutuam për problemet tona. Në thelb ai përsëriti sa është thënë më sipër në lidhje me traktatet, pra se po priste përgjigje nga qeveria e SHBA. Diskutuam gjithashtu çështjet e punësimit të përkthyesve dhe rastin e bashkëshortes së Marinschak për të cilat më në fund tha se do të bëhej diçka. Gjatë bisedës ai bëri argumentime të gjata për çdo çështje, veçanërisht atë që quante keqtrajtim të Shqipërisë në konferencën e Parisit dhe të Neë York. Shumica e kohës sonë të bisedës u shpenzua duke i prezantuar atij faktorë të tjera që Hoxha nuk kishte ndërmend të dëgjonte. Henderson do të dorëzojë raportin me detajet sapo të mbërrijmë në Uashington.

Tiranë, 16 tetor 1946

Përfaqësuesi në Shqipëri(Henderson) për sekretarin e shtetit: Jacobs deklaroi se unë do të marr drejtimin e misionit të SHBA në Shqipëri gjatë mungesës së tij. Më pas ai i shprehu Hoxhës falënderimet e rastit për bashkëpunimin me misionin gjatë qëndrimit të tij. Ai shtoi se megjithëse kishte pasur disa vështirësi mes dy palëve, thuajse të gjitha ishin zgjidhur (me përjashtim të dy prej tyre të përmendura më poshtë), dhe shtoi se tashmë shpresonte të t’i kushtonte vëmendjen e tij të plotë punës për Shqipërinë në Uashington. Ai tha më tej se shpresonte që dy problemet e mbetura, çështja e bashkëshortes së përfaqësuesit dhe e përkthyesit të burgosur të misionit të zgjidheshin para mbërritjes së tij në Uashington. Edhe pse çështjet janë relativisht të vogla nga pikëpamja ndërkombëtare ato ishin domethënëse nga pikëpamja e tij personale pasi lehtësonin funksionimin e misionit. Ai përmendi më tej përpjekjet e mëparshme për të sjellë gruan e Marinschak nga Italia dhe përsëriti lutjen për lejimin e saj. Jacobs përmendi gjithashtu vështirësitë e mungesës së një përkthyesi vendas, i cili ishte arrestuar disa javë më parë dhe nuk ishte dëgjuar më asgjë për të. Hoxha nga ana e tij falenderoi Jacobs me fjalë të ngrohta me rastin e mbylljes së misionit duke dërguar fjalë të mira për Departamentin, nuk përmendi asgjë për problemet e hapura dhe tha se po priste njohjen e SHBA për të nisur diskutimin e traktateve bilaterale dhe vendosjen e marrëdhënieve zyrtare mes vendeve. Në këtë pikë, Jacobs tërhoqi vëmendjen te fakti se ishte duke pritur përgjigjen e qeverisë shqiptare në lidhje me bisedën e Tuk Jakovës dhe zyrtarëve të Departamentit, ndaj së cilës Hoxha u përgjigj se vizita e Jakovës në Departament ishte thjesht për mirësjellje në lidhje me problemin e hapur të traktateve dhe shtoi se Jakova nuk ka autorizim për të folur zyrtarisht apo për të marrë vendime. Jacobs tha se pretendimet e SHBA për vlefshmërinë e traktateve bilaterale ishin minimale dhe pasi SHBA e kishte treguar vullnetin e saj për të njohur qeverinë e Shqipërisë një vit më parë. Ai tha se kishte besuar se marrëdhëniet diplomatike do të vendoseshin që në fillim të 1945, dhe u çudit që çështja e traktateve pengoi papritur lidhjet, sa bashku me njëfarë kthese të politikës nga autoritetet shqiptare që rezultoi jo e favorshme ndaj SHBA. Hoxha e kaloi më tej çështjen e traktateve dhe se nuk ka pasur kthesë të politikës së Shqipërisë në dëm të SHBA por ide të tilla provokohen nga elementë armiqësorë, pasi mendësia shqiptare ndaj SHBA prej fillimit ka qenë vetëm miqësi dhe lidhje të shumta. Hoxha tha më tej se i dukej se SHBA kishte nisur të tregonte mungesë miqësie ndaj Shqipërisë duke mbështetur pretendimet greke për territorin shqiptar në Konferencën e Parisit, një rrethanë që ishte e pashpjegueshme për “Shqipërinë e Re” e cila ka derdhur gjakun e partizanëve për të njëjtën kauzë si dhe SHBA. Në këtë pikë unë me mirësjellje kundërshtova Hoxhën duke thënë se në asnjë moment SHBA nuk ka mbështetur pretendimet territoriale greke kundër Shqipërisë për Epirin e Veriut, por Hoxha replikoi duke thënë e sipas burimeve të tij dhe zhvillimeve në Konferencën e Parisit SHBA kishte mbështetur hapur Greqinë. Unë u përgjigja se ne nuk i dimë burimet e tij por thashë se mund ta siguroja që i kanë ndjekur zhvillimet e Konferencës së Parisit në lidhje me Shqipërinë dhenë asnjë moment SHBA nuk është shprehur në mbrojtje të pretendimeve greke. Hoxha tha se jam i keqinformuar pasi SHBA ka votuar për vendosjen e pretendimeve greke në axhendën e konferencës dhe kjo thuajse e njëjtë me votën kundra Shqipërisë. Gjatë 45 minutave të ardhshme ne bëmë disa tentativa të kota për të bindur Hoxhën se vota në favor të futjes së çështjes greke në axhendë ishte vetëm për të realizuar politikën e deklaruar të mbrojtjes së pavarësisë së Shqipërisë. Pranimi i çështjes së kufijve me Greqinë nuk do të thoshte në asnjë moment se SHBA e mbështet atë. Departamenti i Shtetit mund të jetë i interesuar në reagimin e Hoxhës ndaj dy analogjive që unë bëra për të ilustruar këtë pikë: 1) Unë thashë se në SHBA koncepti i drejtësisë ndaj kujtdo që ngre akuza ndaj dikujt tjetër bën që akuzat të dëgjohen pavarësisht nëse janë të drejta apo jo; nëse akuzat janë të pabaza gjyqi i hedh poshtë ato dhe nuk i diskuton më. Pra nëse Hoxha akuzon dikë se është hajdut, ai ka të drejtë ta çojë çështjen në gjyq, ku akuzat e tij do të merren në konsideratë pavarësisht nëse jam hajdut apo jo. Hoxha komentoi me shaka se analogjia nuk mund të aplikohet pasi unë nuk jam hajdut. 2) Më tej duke tentuar ta sulmoja më nga afër thashë: “Gjeneral, cili do të ishte reagimi juaj nëse, marrim si shembull, në Konferencën e Parisit hedh pretendimin për Kosovën, dhe SHBA ose konferenca të vendosë se çështja nuk duhet dëgjuar fare? A nuk besoni se të paktën pretendimi duhet të diskutohet? Hoxha tha: “Ky nuk është një rast analog pasi ne nuk pretendojmë për Kosovën nga aleati ynë Jugosllavia”. Duke mos dashur të heq dorë menjëherë thashë se sa për rastin e aleatëve, Greqia kishte luftuar shumë tepër përkrah Aleatëve kundër forcave të Aksit, sesa Jugosllavia, Shqipëria e vende të tjera. Ai u përgjigj se kjo është e vërtetë dhe se shqiptarët kishin bashkëpunuar me Greqinë në luftën kundër Aksit, por qeveria aktuale greke e kishte harruar këtë fakt dhe tani po denonconte Shqipërinë se është pjesë e forcave të Aksit apo satelit i tyre me qëllim për të grabitur gjysmën e territorit të saj të vogël e të cunguar. Në këtë pikë Jacobs ndërhyri duke thënë se të mendosh se SHBA mbështet pretendimet territoriale greke është kontradiktore me faktin se SHBA gjithmonë ka mbështetur pavarësinë e Shqipërisë dhe e di se nëse gjysma e saj i jepet Greqisë, Shqipëria nuk mund të jetë një vend i pavarur. Jacobs tha se sinqerisht dhe personalisht, mendonte se ishin bërë gabime si nga Shqipëria dhe SHBA gjatë vitit të fundit. Shqipëria ishte e preokupuar me çështjet urgjente si ndërtimi i shtetit dhe qeverisë dhe ndoshta ka lënë pas dore problemet ndërkombëtare, ashtu si dhe SHBA që ka marrë pjesë në konferenca të shumta ndërkombëtare dhe ndoshta kishte lënë pas dore vende të vogla edhe pse strategjike si Shqipëria. Ai shtoi se sido që të jetë shpresonte që çështja e traktateve të merrte fund shpejt dhe të vendoseshin marrëdhëniet diplomatike. Ai u rikthye më pas te çështja e bashkëshortes së Marinschak dhe përkthyesit të misionit, duke kërkuar si favor personal nga Hoxha zgjidhjen e dy problemeve. Në lidhje me përkthyesin Hoxha tha se nuk ishte në dijeni të detajeve, por arrestimi i tij nuk kishte lidhje me faktin që ishte përkthyes i misionit të SHBA. Ai shtoi se kuptonte problemin e mungesës së përkthyesit dhe tha se do të kujdesej për zëvendësimin e përkthyesit sa më shpejt. Në lidhje me zonjën Marinschak, tha se vështirësia qëndronte në faktin se nuk ishte qytetare e SHBA pro nga një vend ish-satelit i Aksit. Ai shtoi se Marinschak nuk duhet të ndjehet shumë keq për mungesën e gruas pasi shumë shqiptarë nuk i kishin takuar familjet e tyre prej vitesh. Gjithsesi ai tha se do të shikonte çështjet për të gjetur zgjidhjen. Takimi u krye në tone miqësore dhe përfundoi me fjalë optimiste.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/10/2019 - 07:37

Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste të arratisur jashtë vendit, CIA ka treguar të tjera detaje nga themelimi dhe organizmi i saj i brendshëm.

Postuar: 19/10/2019 - 07:05

 Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste të arra

Postuar: 18/10/2019 - 07:09

Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste, CIA ka tregu

Postuar: 17/10/2019 - 07:13

Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste, CIA ka tregu

Postuar: 16/10/2019 - 07:07

Në vijim të numrit të kaluar, gazeta po tregon të tjera detaje nga rrëfimi që një prej ish-anëtar

Postuar: 15/10/2019 - 07:19

CIA amerikane ka deklasifikuar një dokument tepër voluminoz, ku jepen detajet e të dhënave që rap

Postuar: 13/10/2019 - 07:44

CIA ka treguar detaje mbi mënyrën se si rekrutonte agjentë në vendin tonë.