Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet, ja kush ishin agjentët e CIA që u dërguan për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës dhe si nisi nga jashtë beteja kundër diktatorit

Postuar: 23/06/2018 - 07:18

CIA ka zbardhur identitetet e agjentëve të saj që u dërguan në Shqipëri për të rrëzuar regjimin komunist. Sipas një dokumenti të deklasifikuar, tregohet se si nisën operacionet në vendin tonë. Po ashtu, janë pasqyruar dhe përmbajtjet e disa fletëpalosjeve që do të hidheshin nga ajri në vendin tonë, ku bëhej thirrje për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës.

Dhjetor 1951

Më 24 tetor radio-Tirana njoftoi likujdimin e “13 spiunëve të lëshuar me parashutë në territorin shqiptar spiunazhi i Shteteve të Bashkuara”. Nga tetë agjentë të përmendur me emër në transmetim janë identifikuar tashmë si agjentët tanë të grupeve të OPC. Njoftimi së bashku me lajmet nga Tirana për gjyqet e spiunëve, sugjerojnë se impianti i fshehtë i stërvitjes për të infiltruari shqiptarë dhe bullgarë në Munih të Gjermanisë, është shënjestruar nga shërbimet komuniste të zbulimit. Gjithashtu ka mundësi që junta ushtarake brenda Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë të jetë depërtuar nga komunistët. Për këto arsye në kërkojmë që të merret në konsideratë: a) nëse impianti stërvitor të mund të zhvendoset diku tjetër, b) marrja në testim e anëtarëve të komitetit drejtues të Komitetit Shqipëria e Lirë dhe zyrtarët ushtarakë që janë në dijeni të operacioneve të projektit BGFIEND. Është e mundur që një nga anëtarët e grupit prej dy veta, Pine Tree, të lëshuar në Shqipëri në maj 1951 dhe që është furnizuar më vonë me ushqime e municione, të jetë tashmë në kontroll të forcave shqiptare. Ne do të bëjmë çdo përpjekje për të konfirmuar ose mohuar këtë dyshim. Lista e agjentëve të OPC në Shqipëri, sipas grupeve: Pine Tree: Tahir Vata, Liman Peposhi, Kaik Dalipi (radio), Dule Koçi; Chestnut Tree: Hysen Salku, Hysen Bajrami, Ramazan Dalipi, Abdullah Fejzulla (radio) Hajrulla Terpeza; Valnut Tree: Nuredin Luashi, Kalem Hebexhiu, Dilaver Kacuqi (radio); Olive tree: Muhamet Hoxha, Kasem Shehu, Fidas Veki, Riza Zyberi; Oak Tree: Rifat Zyberi, Ded Hili, Aziz Rusta, Hamid Tosha;

Dhjetor 1952

Broshura e lëshuar nga Komiteti Shqipëria e Lirë

Berati: Kongresi i premtimeve të pambajtura

Motra e vëllezër shqiptarë! A e mbani mend Kongresin e Beratit, të mbajtur nga Enver Hoxha dhe ortakët e tij më 22 tetor 1944? A i mbani mend të gjitha ato premtime të reklamuara nga Enver Hoxha dhe rrethi i tij në atë ditë turpi? Vëllezër e motra, ne jemi të sigurt se ju e mbani mend 22 tetorin po aq mirë se dhe ne në emigracion. Në atë kohë ishte e qartë se ushtria naziste do të tërhiqej shpejt nga Ballkani dhe se Hitleri ishte në prag të disfatës. Kishte ardhur koha për Enverin dhe ortakët e tij të vinin në punë fazën finale të planit të tyre për të çliruar atdheun, që t’ia dorëzonin atë një pushtuesi tjetër: Sovjetikëve. Ata prej nesh që e kanë kundërshtuar planin e poshtër e djallëzor të Stalinit dhe zagarëve të tij, u likuiduan, u detyruan të largoheshin jashtë atdheut ose të dilnin në mal, teksa trimat e Enverit mundoheshin t’i asgjësonin. Tash të gjithë këta kusarë e bandita ishin në pritje të rënies së Hitlerit, për të hipur në fuqi. Ndërkohë ata bënë atë që bëjnë gjithmonë komunistët: mbajtën një kongres për me shpik e me trillue disa premtime të rreme që tingëllonin në veshët e shumëkujt tërheqëse dhe përkëdhelëse. Nuk kemi hapësirë këtu për të botuar të gjitha premtimet e gënjeshtrat e tyre, por le të lexojmë disa nga premtimet në deklaratën dhe rezolutën e kongresit, e cila garantonte: “Të drejta të barabarta para ligjit për çdo shtetas shqiptar, liri besimi e ndërgjegje për të gjitha fetë, liri grumbullimi, liri fjale e shtypi, garantimi i pronës private dhe i sigurisë personale të çdo qytetari, të drejta të barabarta të grave me burrat në jetën politike dhe në veprimtari shoqërore, e drejta e votës së fshehtë në bazë të sistemit universal, e drejta e ankimit kundër vendimeve të pushtetit dhe e apelimit në gjyq ndaj organeve të pushtetit shtetëror”. Motra e vëllezër, çfarë ka ndodhur me deklaratën e shpallur në Berat nga pushteti i Enver Hoxhës? Ku shkuan të drejtat e besimit fetar të premtuara në atë dokument të turpshëm e të gënjeshtërt? Ku shkuan të drejtat e mbledhjes, të fjalës e të shtypit, apo e drejta e ankimit ndaj vendimeve të qeverisë? Do t’ju tregojmë ne se çfarë ka ndodhur. Rreth 10.000 nga vëllezërit tanë, motrat, nënat, djem e vajza të reja janë duke u tretur në fushat e vdekjes. Fshatra e familje të shumta janë shfarosur dhe asgjësuar. Një forcë sigurimi dhe një ushtri prej 50. 000 vetash, të mbajtur me shpenzimet tuaja, janë duke spiunuar dhe duke pritur urdhra nga padronët e tyre të Tiranës për t’ju arrestuar e për t’ju vrarë. Atdheu ynë është i shkelur nga ekspertët sovjetikë të cilët drejtojnë plaçkitjen që po kryejnë kukullat e tyre të Tiranës. Këto janë vetëm një pjesë e dhunimeve të të drejtave dhe lirive të deklaratës së Beratit, që Shqipëria dhe shqiptarët po durojnë. Ky është një nga ligjet e dekretuara nga presidiumi i Enver Hoxhës në qershor 1952: Neni 1. Ndëshkohet me dënim të rëndë ai që cenon pasurinë e popullit, që është baza e ekonomisë socialiste; Neni 2. Akuza i njoftohet të pandehurit një dita para nisjes së procesit gjyqësor; Neni 3. Gjyqi zhvillohet edhe pa praninë e të pandehurit; Neni 4. Ndalohen rekurset kundër vendimeve të gjyqit dhe ndalohet kërkesat për falje; Neni 5. Vendimet e dënimeve të rënda ekzekutohen menjëherë; Popull shqiptar! Regjimi komunist përfaqësohet vetëm me gënjeshtra dhe tortura. Këto janë gjërat e vetme që Stalini, Hoxha e Shehu i kanë dhënë popullit. Por ju mos u dëshpëroni. Ne nuk kemi pushuar dhe nuk do të pushojmë kurrë luftën derisa Shqipëria jonë të jetë përsëri e lirë, dhe kur të vijë kjo ditë deklarata e rreme e kongresit të Beratit do të zëvendësohet nga e drejta e vërtetë.

Mars 1954

Teksti i broshurës për t’u lëshuar në gjysmën e dytë të prillit

Faqja e parë

A e patë “Zërin e Popullit” më 21 shkurt? Aty thuhej se çështjet ndërkombëtare mund të zgjidhen vetëm me mjete paqësore, dhe në mënyrë të pranueshme për të gjithë të përfshirët. Por në konferencën e Berlinit Molotov tregoi se BRSS nuk do të lejojë që çështjet ndërkombëtare të zgjidhen, përveçse sipas mënyrave të tij. Përse Molovov ka frikë të takohet në gjysmë të rrugës dhe me kushte të barabarta me fuqitë perëndimore? Perëndimi la bërë tolerime të mëdha për të siguruar marrëveshjen, duke arritur traktatin me Austrinë, për ta çliruar atë nga pushtimi ushtarak. Molotov ka frikë sepse e di se çdo qetësim i shtypjes sovjetike në Evropë do të lejonte që popujt e skllavëruar të thonë hapur mendimin e tyre për komunistët. Nëse ju nuk e mbani mend mirë 17 qershorin në Gjermani, Molotov nuk e harron kurrë. Molotov nuk lejon zgjedhje të lira sepse kjo do t’i mohonte arsyen për të mbajtur trupat sovjetike në Hungari e Rumani. Molotov nuk guxon të tërheqë trupat nga Evropa Lindore pasi populli do të përmbyste qeveritë komuniste. Ai nuk lejon zgjedhje të lira në Gjermani pasi komunistët nuk do të merrnin asnjë vend në zgjedhjet e Gjermanisë Perëndimore.

Molotov nuk rrezikon të mbajë zgjedhje të lira në asnjë vend, kështu që Hoxha gënjen me zgjedhjet e tij të këshillave në Shqipëri, për t’u siguruar që shqiptarët të mos e përmbysin ashtu siç e meriton.

Faqja e dytë

Tradhtarët po dridhen!

Në të gjithë Evropën goglat e Kremlinit po ndjejnë erën e vdekjes kur dëgjuan se Beria, ish-ministri i brendshëm i plotfuqishëm sovjetik, është vrarë pas një gjyqi sekret, së bashku me rrethin e tij. Që prej vdekjes së vrasësit masiv Stalin, Malenkov, i cili është “Hoxha” i Rusisë, dhe Beria, “Shehu” i Rusisë, kanë bërë duelin e vdekjes. Malenkov goditi i pari dhe Beria shkoi drejt vdekjes. Po në Shqipëri kush do të godasë i pari? Malenkov-Hoxha apo Beria-Shehu? Cili do t’i marrë dhe mbështetësit e tij me vete drejt vdekjes? Kjo është pyetja që po bën të dridhen shefat komunistë, të cilët e dinë se jeta e tyre nuk do të jetë e gjatë. Cili e ka radhën të ndjekë shembullin e Koçi Xoxe me shokë? Në më pak se njëzet vjet katër drejtues të ministrisë së brendshme janë ekzekutuar, 60 prë qind e marshallëve dhe gjeneralëve të byrosë politike të Leninit të vitit 1917 janë vrarë dhe e gjithë byroja politike u riformua, me përjashtim të njërit, vrasësit masiv Stalinit. Le t’i mendojnë mirë këto shifra krerët komunistë të Shqipërisë, dhe të reflektojnë për shanset e tyre të mbijetesës!

23 mars 1953 lufta psikologjike

Një referencë është bërë ndaj një artikulli të Neë York Times me titull “Guerilasit raportojnë planin e grushtit të shtetit në Shqipëri”. Ne nuk kemi informacione për të mbështetur informacionet për aktivitete guerile të shkallës së gjerë të kryera nga Apostol Tenefi dhe ato që deklarohen si 50 000 mbështetësit e tij. Përkundrazi, përfaqësuesit e CIA që u takuan me përfaqësues të UDB më 16-17 shkurt 1953, u këshilluan se Komiteti i refugjatëve shqiptarë të Prizrenit (kreu i të cilit është Tenefi) nuk i kalon më shumë se 5000 vetë. Më tej zyrtarët e UDB thanë se Komiteti i Prizrenit nuk pritet që në të ardhmen e afërt të ketë forcë të mjaftueshme për çlirimin e Shqipërisë. Brenda Shqipërisë, sipas UDB, nuk ka rezistencë të organizuar dhe regjimi i Hoxhës është në kontroll të plotë të vendit. Edhe nga agjentët tanë nuk kemi lajme se gueriles kanë në kontroll zona të Shqipërisë. Apostol Tenefi është një ish-komunist i arratisur nga Shqipëria në 1946, i cili në maj 1951 u zgjodh president i komitetit të Prizrenit të sponsorizuar nga qeveria jugosllave. Si një titist i betuar, Tenefi ishte ndjekës i afërt i ish-ministrit të brendshëm shqiptar Koçi Xoxe, i cili u ekzekutua si titist në 1949. Tenefi raportohet të jetë inteligjent, i arsimuar dhe tërësisht besnik ndaj regjiit jugosllav, i cili i ka dhënë azil politik. Në disa raste ai është raportuar si i alkoolizuar. Gazetari francez Jean-francois Devay, i cili raportoi për planet e Tenefit në gazetën e Parisit javën e kaluar, ka një reputacion për sensacionalizëm. Sipas një burimi ai është ish-anëtar i partisë komuniste franceze dhe vitet e fundit ka qenë në kontakt me udhëheqësit e partisë jugosllave. Devay raportohet se ka shkruar artikuj në udhëzimin e ambasadës jugosllave në Paris, me qëllim diskreditimin e ish-mbretit Peter dhe të rretheve jugosllave opozitare të emigracionit. Megjithëse ne nuk i besojmë lajmit në fjalë, na tërhoqën vëmendjen komentet e UDB mbi lajmin dhe autorin.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 9

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/07/2018 - 07:08

 CIA ka zbardhur emrat e shqiptarëve që bashkëpunuan me të për rrëzimin e regjimit komunist. Në një dokument të deklasifikuar, tregohen të dhënat e secilit emër.

Postuar: 15/07/2018 - 07:38

CIA ka zbardhur detaje për negociatat mes Ahmet Zogut dhe Titos me qëllim rrëzimin e regjimit kom

Postuar: 14/07/2018 - 08:16

CIA i ka kushtuar një vëmendje të veçantë gjendjes shëndetësore të diktatorit Enver Hoxha.

Postuar: 13/07/2018 - 07:17

Amerikanët kanë nxjerrë në ditë të tjera detaje sa i takon situatës në Shqipërinë komuniste.

Postuar: 12/07/2018 - 07:12

Dalin në dritë të tjera detaje mbi lëvizjet e shërbimit inteligjent amerikan gjatë regjimit komun

Postuar: 11/07/2018 - 07:11

Agjencia Qendrore e Zbulimit amerikan, CIA ka dhënë një kontribut të paçmueshëm në përpjekjet për