Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet, ja si britanikët dhe amerikanët hezitonin të njihnin Shqipërinë, më 1922 nisën tentativat për të marrë nën kontroll rezervat e naftës

Postuar: 07/06/2019 - 07:01

Departamenti Amerikan i Shteti ka deklasifikuar disa dokumente për Shqipërinë e viteve 1922, ku tregohet se si amerikanët dhe britanikët tentonin që të përvetësonin rezervat e naftës në Shqipëri. Po ashtu, tregohen detaje mbi skepticizmin për të njohur pavarësinë e Shqipërisë.

Nju Jork, 26 prill 1922
Presidenti i grupit të naftës Sinclair (A. C. Veatch) për sekretarin e shtetit: Në qershor të vitit të kaluar Kompania e Eksplorimit Sinclair është këshilluar se populli dhe qeveria shqiptare preferojnë investimet amerikane ndaj kapitaleve të kombeve të tjera; kjo është më shumë e vërtetë për çështjen e shfrytëzimit të naftës dhe megjithëse qeveria ka diskutuar koncesionin me kompaninë Anglo-Persiane, vendi beson se do të ishte më mirë të mos i jepeshin të drejtat qytetarëve të vendeve evropiane. Pas takimeve në qershor 1921 me përfaqësuesit e qeverisë shqiptare në SHBA në përputhje me marrëveshjet e bëra, ne dërguam përfaqësuesin në Shqipëri. Pas kryerjes së hetimeve paraprake ne e autorizuam atë të kontaktonte me qeverinë shqiptare në lidhje me koncesionin e naftës. Për arsye të çështjeve të lidhura me kufijtë e vendit apo zgjedhjes mes influencës britanike dhe asaj italiane, shqiptarët besonin se nuk do të ishte e sjellshme që koncesioni t’i jepej një kompanie amerikane në këtë moment të caktuar, por u këshilluam nga qeveria se në disa muaj kohë nuk do të kishte më kufizime të tilla. Ne jemi këshilluar tashmë se Parlamenti do të mblidhet muajin e ardhshëm dhe jo në qershor siç ishte parashikuar fillimisht, dhe ndoshta do të zgjidhë çështjen e naftës. Për këtë jemi duke dërguar një përfaqësues në Shqipëri. Interesat amerikane, jo vetëm ato në lidhje me naftën pro dhe në fusha të tjera , janë aktualisht në një disavantazh të madh në Shqipëri, dhe kjo prej faktit se SHBA nuk ka ndjekur shembullin e vendeve të tjera të mëdha evropiane që kanë njohur shtetin e Shqipërisë. Ambasadori britanik ka qenë veçanërisht aktiv që prej ardhjes në Tiranë, dhe ka rekomanduar fuqimisht njohjen e Shqipërisë nga SHBA dhe dërgimin e përfaqësuesve të saj atje.

Londër, 26 maj 1922

Ambasadori në Britani (Harvey) për sekretarin e shtetit: Më 18 maj Këshilli i Lidhjes së Kombeve ka pranuar në takimin e fundit rezolutën që në përmbledhje thotë:- Me kërkesën e qeverisë së Shqipërisë, një anëtar dhe një sekretari Komisionit të Hetimit do të ruhen për momentin. Oferta e Profesor Sederholm për t’u rikthyer në Shqipëri si anëtar i Komisionit është pranuar. Kërkesa e qeverisë shqiptare për asistencë ekonomike do të komunikohet për komisionin financiar për marrje të favorshme në konsideratë, duke dërguar ekspertët në Shqipëri për të përcaktuar masat mbi nxitjen e investimeve të kapitalit të huaj atje. Gjithashtu me dëshirën e qeverisë shqiptare, Komiteti Financiar është kërkuar të propozojë në sesionin e ardhshëm një listë kandidatësh për postin e këshilltarit financiar në qeverinë e Shqipërisë. Këshilli i Sigurimit do të marrë në konsideratë kërkesën e Shqipërisë për këshilltarë teknikë. Çdo sugjerim i Lidhjes së Kombeve për vendosjen e protektoratit në Shqipëri, konsiderohet si “fantastik” edhe nga zyra britanike.

Londër, 8 qershor 1923
I dërguari në Britani për sekretarin e shtetit: Në lidhje me situatën e naftës në Shqipëri dhe koncesionin e fituar nga kompania Anglo-Persiane Oil Company, kam nderin të njoftoj se intervistuam L. I. Thomas, Esquire, zv. President i kompanisë Standard Oil nga Nju Jork, dhe Montague Piesse, avokat biznesi nga Londra. Avokati shprehu dëshirën se informacioni i dhënë gjatë intervistës të mos dërgohej në Uashington pa lejen e zotit Thomas. Ky i fundit dha thuajse të njëjtin informacion me avokatin dhe se do të jepte detajet e situatës në Shqipëri kur të kthehej në SHBA. Informacioni i dhënë nga zyrtarët e Standard Oil nuk dukej se kishte natyrë konfidenciale prandaj ne besojmë se Departamenti nuk ka kundërshtime që ne të respektojmë dëshirën e tyre, veçanërisht prej faktit se Thomas do të takohet me Harrison kur të vijë këtu.

Uashington, 26 prill 1922

Sekretari i tregtisë (Hoover) për sekretarin e shtetit: Kam mësuar nga përfaqësuesit e grupit energjitik Sinclair Oil se kompania është e interesuar në kërkimet e naftës në Shqipëri. Duket se kompania po përpiqet të sigurojë të drejtat e naftës me objektivin e nisjes së operacioneve aktive, por është duke u penguar në marrjen e lejeve nga qeveria shqiptare prej faktit se si britanikët dhe kompanitë italiane po përpiqen të sigurojnë koncesione të tilla. Ata po ndihmohen nga fakti se e kanë njohur qeverinë e Shqipërisë dhe kanë dërguar atje përfaqësuesit qeveritarë që po promovojnë pretendimet. Duke parë këtë situata po mendoja nëse ju mund të merrni në konsideratë njohjen e shtetit të Shqipërisë, ose nëse njohja e plotë nuk është e këshillueshme, të dërgojmë një agjent amerikan në vend për të shfaqur interesin e kompanisë Sinclair Oil. Kjo duket se është një rast i qartë i asistencës së qeverisë për sipërmarrjet legjitime amerikane jashtë vendit.

Uashington, 27 prill 1922

Sekretari i Shtetit për konsullin e përgjithshëm në Tangier(Denning): Departamenti po merr seriozisht në konsideratë njohjen e Shqipërisë, por para vendimit dëshirohet që ju të raportoni mbi kushtet në vend, stabilitetin e qeverisë aktuale dhe interesat e mundshme amerikane atje, ekzistuese ose të prespektivës. Udhëzoheni të vijoni sa më shpejt për në Romë për konsultime me ambasadën dhe ekzaminimin e korrespondencës me Shqipërinë. Nga Roma udhëzoheni të vijoni për në Shqipëri, duke përfshirë Tiranën dhe vende të tjera që konsideroni të nevojshme për hetimet tuaja. Departamenti do t’ju njoftojë për udhëzime të tjera nga Roma. Informoni Departamentin me telegram për nisjen nga Tangier dhe arritjen në Romë. Statusi juaj do të jetë konsull i përgjithshëm i përkohshëm. Transporti i dietat ju lejohen sipas rregullave të udhëtimit duke mos kaluar 600 dollarë për shpenzime të zakonshme.

Bernë, 20 maj 1922
Ambasadori në Zvicër për sekretarin e shtetit

Në një telegram nga Parisi të marrë këtë mbrëmje, informohem me besueshmëri si më poshtë: As pavarësia e Shqipërisë dhe as barazia e mundësive për SHBA dhe qytetarët e saj nuk do të dëmtohen nga veprimi i Lidhjes së Kombeve. Shqipëria është mirënjohëse ndaj lidhjes së Kombeve për ndihmën e mëparshme dhe caktimin e komisionarëve ekonomikë, financiarë e gjyqësorë, të cilët janë ekspertë të paanshëm në qeverinë e Shqipërisë, me qëllim për ta ngritur atë në këmbë dhe të promovojnë zhvillimin e kombit me ardhjen e kapitalit të huaj. Italia ka protestuar me arsyetimin se Shqipëria është vend i interesit të veçantë për të dhe ka vendosur veton ndaj ekspertëve të emëruar. Këshilltari financiar do të zgjidhet i pari me rekomandimin e komitetit financiar të Lidhjes së Kombeve. Këta këshilltarë nuk do të lejojnë trajtim preferencial të vendeve të caktuara në Shqipëri siç është dhe dëshira e Lidhjes së Kombeve. Asnjë ide dominimi por më shumë bashkëpunim i ngushtë për të bërë sa më efektive pavarësinë e vendit bazuar në besimin e Shqipërisë në mosinteresim e Lidhjes së Kombeve. Shpresoj të marr tekstet e diskutimit javën që vjen dhe t’ia kaloj Departamentit për qartësime.

Tirana, 22 dhjetor 1922

Ambasadori në Shqipëri (Grant-Smith) për sekretarin e shtetit: Kam nderin t’ju informoj se E. K. Soper, përfaqësues i grupit Sinclair Oil Company në Shqipëri, ka diskutuar me kryeministrin Ahmet Bej Zogu, se do të kthehet së shpejti në Nju Jork; ai thotë se kompania e tij nuk po largohet nga terreni por po përgatitet të hyjë më thellë në çështjen e huasë së propozuar, dhe do të kthehet në Tiranë në kohë për hapjen e Parlamentit në mars, kur dhe pritet të bëhen propozimet konkrete të huasë. Ahmet Bej e siguroi atë se asnjë koncesion nuk do të jepej nga Asambleja Kombëtare para pranverës. Kjo do të lejonte që Sinclair Company të përfitonte nga kthesa e favorshme në tregjet amerikane për investime në Evropën Lindore dhe zbulimin e sasive komerciale të naftës në Shqipëri.

Ambasadori në Britani(Harvey) për sekretarin e shtetit

Londër, 5 tetor 1923

Ambasada jonë ka kontaktuar me zyrën e Jashtme britanike për të shpjeguar pikëpamjet e Departamentit. Britanikët mohuan çdo raportim se qeveria e tyre apo përfaqësia në Shqipëri kanë bërë presion për marrjen e koncesionit nga kompania Anglo-Persiane e naftës. Ambasadori britanik e ka mbështetur nismën, e cila nuk ka karakter monopolistik, si çdo propozim tjetër biznesi nga kompanitë amerikane të interesuara në një vend të huaj. Qeveria britanike ka qenë në koordinim me pikëpamjen amerikane të Dyerve të Hapura dhe të mundësive të barabarta. Ambasada mori sot një letër nga zyra britanike përmbajtja e së cilës është si më poshtë: Marrëveshja me të cilën kompania e naftës Anglo-Persiane po negocion me qeverinë shqiptare, lejon ratifikimin e akordit për eksplorimin e 200,000 hektarëve të kësaj zone brenda katër muajsh, 50 000 prej të cilave për shfrytëzim. Prandaj është e qartë se në vend të krijimit të një monopoli kompania do të fitojë të drejtën e eksplorimit të rreth 1 për qind të Shqipërisë. Zyra britanike e kupton se aktualisht janë dy kompani amerikane që kërkojnë të drejta shfrytëzimi në Shqipëri, njëra për 150,000 hektarë, e tjetra për 35,000 hektarë. Argumenti se kompania britanike po kërkon të fitojë monopol duket rrjedhimisht i pabazë. Qeveria britanike ka besim se qeveria e SHBA, pas fakteve të prezantuara, është dakord se nuk ka shkelje të parimeve të Dyerve të Hapura dhe as kërcënim të integritetit territorial të Shqipërisë.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/08/2019 - 07:35

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi zhvillimet në Shqipëri pas vdekjes së Enver Hoxhës. Ato kanë hedhur dritë mbi betejën që nisi mes Alisë dhe Nexhmije Hoxhës.

Postuar: 22/08/2019 - 07:13

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi zhvillimet në Shqipëri pas vdekjes së Enver Hoxhës.

Postuar: 21/08/2019 - 07:35

Amerikanët kanë dhënë detaje nga kalimi i pushteti te Ramiz Alia.

Postuar: 20/08/2019 - 07:12

Amerikanët kanë nxjerrë në pah detaje të tjera sa i takon zhvillimeve në sistemin komunist.

Postuar: 18/08/2019 - 14:44

Amerikanët kanë zbardhur të tjera detaje nga vdekja e Mehmet Shehut.

Postuar: 17/08/2019 - 18:00

 Gazeta amerikane “New York Times” ka zbardhur të tjera detaje nga vdekja e Mehm

Postuar: 16/08/2019 - 07:14

Amerikanët kanë zbardhur të tjera detaje sa i takon përplasjeve në Shqipërinë komuniste.