Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet, ja si justifikohej Italia në arenën ndërkombëtare për pushtimin e Shqipërisë, më 7 prill u alarmuan dhe SHBA me Jugosllavinë

Postuar: 16/04/2019 - 07:07

Zbardhen detajet e lojës diplomatike gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Italia më 7 prill. DASH ka deklasifikuar disa letërkëmbime me zyrtarët e saj dhe tregohet shqetësimi në Uashington dhe në jugosllavi nga sulmi italian. Po ashtu tregohet e si italianët justifikoheshin për pushtimin.

Beograd, 6 prill 1939

Zyra e punëve të Jashtme më komunikoi sot se Jugosllavia nuk e konsideron si serioze çështjen shqiptare dhe se zhurmat për zbarkimin e trupave italiane atje janë të rreme. Zyra pranoi gjithsesi se disa luftanije italiane kishin ardhur në portin e Vlorës për të mbrojtur interesat italiane në Shqipëri në rast trazirash. Informatori tha se qeveria jugosllave ka marrë garanci nga qeveria italiane se nuk do të merret asnjë masë ushtarake në lidhje me Shqipërinë. Ambasadori britanik më tha se Britania do ta konsiderojë pushtimin italian të Shqipërisë si një shkelje të akordit britaniko-Italian për ruajtjen e status quo në detin Mesdhe. Campbell tha se Perth kishte folur me Ciano disa ditë më parë në të njëjtën linjë, dhe se Lord Halifax i kishte shkruar Campbell që t’i jepte një shpjegim të ngjashëm princit Paul. Nëse nuk ka zhvillime të tjera mendoj se opinioni i shprehur në 21 mars është korrekt, pra se çdo veprim italian në lidhje me Shqipërinë nuk do të jetë në avantazh të Italisë por vetëm do të sjellë zemërim nga ana e Jugosllavisë e Greqisë, veçanërisht te kjo e fundit. Sipas ambasadorit grek një protokoll i fshehtë pjesë e paktit Italo-Jugosllav të 1937 parashikonte ruajtjen e status quo në rajonin e Adriatikut, veçanërisht në lidhje me pavarësinë e Shqipërisë, prandaj veprimi agresiv i Romës e vë Jugosllavinë kundër Italisë në një moment kur dy vendet kanë nevojë reciproke për njëra-tjetrën. Ne besojmë se deklarata zyrtare jugosllave e mëngjesit të sotëm ishte e frymëzuar nga Italia dhe kishte si qëllim të tregonte se marrëdhëniet mes Italisë e Jugosllavisë vazhdojnë në harmoni. Atasheut ushtarak gjerman, i cili zakonisht është i mirinformuar, më tha se Italia ende nuk e ka pushtuar Shqipërinë por pritet ta bëjë këtë së shpejti. Ky opinion nuk është konfirmuar nga burime të tjera. Ndoshta është një rast ku dëshira është nxitëse e mendimit.

Ambasadori në Jugosllavi (Lane) për sekretarin e Shtetit

Uashington, 7 prill 1939

Memorandum bisede për Sekretarin e Shtetit

Ambasadori i Shqipërisë më takoi me kërkesën e tij. Ai ishte i tronditur nga pamjet e pushtimit të vendit të tij nga trupat italiane dhe tha se kishte ardhur thjesht të protestonte kundër pushtimit të vendit të tij nga Italia. Unë më pas i bëra atij disa pyetje në përgjigje të të cilave ai tha se vendi i tij kishte 15,000 trupa ushtarake dhe rreth 100,000 reszrvistë; armatimet e tyre ishin të papërshtatshme; ai tha se kishin disa mjete artilerie në zonat bregdetare, kishte rrugë të mira deri në zonat malore nga bregdeti deri në Tiranë dhe se italianët kishin rreth 40,000 trupa dhe rreth 400 avionë bombardues; disa trupa gjermane ishin me ta në simbol të forcave të Aksit. Ai shtoi se rreth gjashtë apo shtatëqind italianë që ndodheshin në Shqipëri nuk do të lëndohen. Ambasadori tha se italianët po ofronin çdo ditë justifikime të reja për pushtimin e tyre, siç ishin ato për mbrojtjen e Shqipërisë, për mbrojtjen e italianëve në Shqipëri, etj. Ai shtoi se Shqipëria i ka Italisë një borxh prej 30 milionë dollarë, të marra hua për zhvillimin ekonomik, por në fakt ato ishin supozuar për ndërtimin e rrugëve ushtarake nga Shqipëria drejt Jugosllavisë, sipas interpretimit të Italisë se në këtë mënyrë Shqipëria mund të mbrohet nga Jugosllavia, kjo është zhvilluar në vitet 1930 deri në 1936. Unë pyeta nëse kishte marrëveshje të fshehta mes Italisë e Shqipërisë për pushtimin e kësaj të fundit. Ai u përgjigj se kishte një marrëveshje në rast të kërcënimit të pavarësisë së vendit, me ç’rast kërkonte ndihmën e ushtrisë së Italisë, por jo pa ftesën e autoriteteve shqiptare. Ai konfirmoi gjithashtu kluazolën e marrëveshjes së 1937 mes Italisë e Jugoslavisë se dy vendet pranonin ndihmën ekonomike italiane për zhvillimin e Shqipërisë. Unë shpreha surprizë dhe zhgënjim me këtë marrëveshje, e cila me siguri duket se kërcënon paqen botërore. Kur kërkova opinionin e tij mbi qëllimet e pushtimit me forcë të Italisë, ai u përgjigj se besonte se mund të ishte një trampolinë për lëvizje të ngjashme në Greqi, Turqi, Dardanele; dhe se kjo ndoshta përfaqësonte si Italinë dhe Gjermaninë. Në përgjigje të një tjetër pyetjeje, ambasadori tha se mendonte se kishte lidhje me lëvizjet e Britanisë, Polonisë e Francës, për të vendosur aleanca paqësore me vendet e Evropës juglindore, përfshi Greqinë e Turqinë. (Cordell Hull)

Romë, 7 prill 1939

Ambasadori britanik më tha sot se në bisedat e tij me Ciano ky i fundit tha se qeveria po përgatiste përgjigjen ndaj kërkesave të Mbretit Zog për të forcuar aleancën Italo-shqiptare dhe dërgimin e trupave italiane në vend. Kur qeveria u sigurua nga informatorët se mbreti Zog donte të merrte një copë nga territori i Jugosllavisë, ku jetonte një shumicë shqiptare, atëherë kërkesa u refuzua. Pas kësaj Zogu vendosi të niste një politikë të ashpër anti-italiane sa që interesat italiane në Shqipëri po rrezikoheshin. Qeveria italiane shpreson ta zgjidhë këtë me anë të negociatave. Kur Perth informoi Ciano se çdo ndryshim në statusin territorial të Shqipërisë do të prishte status quo-në e Mesdheut, të garantuar nga akordi Anglo-Italian i 1938, Ciano e siguroi se sovraniteti i Shqipërisë do të respektohet dhe se çështja ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e ineresave italiane atje. Garanci të ngjashme u dhanë dje dhe nga i dërguari italian në Londër. Perth është udhëzuar të takohet sot me Ciano për t’i kujtuar këto garanci dhe më tha se do të më informojë për rezultatet e bisedës. Komunikatat zyrtare të këtij mëngjesi thonë se trupat italiane kanë zbarkuar në Vlorë, Durrës, etj. E vetmja rezistencë është hasur në Durrës, por trupat po marshojnë drejt brendësisë së vendit ku janë pritur qetësisht dhe me mirësjellje nga popullata. Ndërkohë rreth 400 avionë italianë po fluturojnë mbi vendin me urdhër për të mos bombarduar në zonat e populluara. Manifeste po shpërndahen ku udhëzohet popullsia për të mos rezistuar dhe për të mos dëgjuar qeverinë që nxit gjakderdhje të panevojshme, pasi trupat italiane po vijnë dhe do të qëndrojnë për kohën e nevojshme të vendosjes së rendit, drejtësisë dhe paqes.

Romë, 7 prill 1939

U takova sot pasdite me Ciano dhe më dha të njëjtin shpjegim për ngjarjet në Shqipëri siç i kishte dhënë Perth, dhe më tej nisi një kritikë të ashpër ndaj mbretit Zog dhe keqqeverisjes së tij. Ai tha se Zogu duhet të largohej dhe se një qeveri e re do të krijohet, e cila të ketë simpati për qeverinë italiane. Ai më siguroi se Italia nuk për qëllim të prekë pavarësinë e Shqipërisë dhe se tashmë është njoftuar se trupat italiane do të tërhiqen sapo të vendoset rendi dhe qetësia. Ciano tha më tej se garnizonet italiane do të vendosen në pikat strategjike të vendit por pa cenuar integritetin dhe pavarësinë e Shqipërisë. Ai përmendi më tej rëndësinë e interesave italiane në Shqipëri duke përfshirë dhe naftën dhe tha se këto bashkë me traktatet e lidhjeve i jepnin çështjes një aspekt të brendshëm. Ai shpjegoi se natyrisht që Italia nuk dëshiron të bëjë asgjë për të zemëruar miken e saj Jugosllavinë dhe përsëriti se qëllimi i vetëm ishte vendosja e rendit e ligjit në Shqipëri dhe largimi i qeverisë që ishte armiqësore ndaj Italisë dhe e papreferuar nga popullata. Ai më siguroi se forcave ajrore u ishin dhënë urdhra për të mos bombarduar qytete dhe qendra civile dhe se deri tani nuk kishte pasur bombardime, por shtoi se nëse do të kishte sulme anti-ajrore ndaj italianëve ata do të detyroheshin të reagonin. Ciani shtoi se kishte fluturuar vetë mbi Shqipëri dhe nuk kishte shenja rezistence. (Ambasadori në Itali (Phillips) për sekretarin e shtetit)

Beograd, 7 prill 1939

Kabineti jugosllav është mbledhur për të diskutuar mbi situatën e krijuar nga pushtimi i Shqipërisë prej Italisë, por nuk ka informacione të mëtejshme. Nga një burim i afërt me Princin e Kurorës, mësohet se është interceptuar një telegram nga Mbreti Zog për Mussolini-n, ku i pari i kërkon ndalimin e luftimeve dhe marrëveshjen e kapitullimit ndaj kërkesave të Italisë. Në lidhje me paragrafin e fundit të telegramit tim Nr. 62, 6 prill, ku thuhej se autoritetet ushtarake gjermane kishin njohuri paraprake për sulmin italian ndaj Shqipërisë, besoj se verimi italian është bërë sipas linjave të marrëveshjes por me nxitjen e Gjermanisë, e cila kërkon ta përfshijë atë në fushata ushtarake në Ballkan për t’u siguruar që Italia nuk është në anën e armiqve të saj në rast të një lufte të përgjithshme; kjo gjithashtu dobëson prestigjin e Italisë në Ballkan, veçanërisht ndaj Jugosllavisë e Greqisë dhe bën më të thjeshtë depërtimin e mundshëm të Gjermanisë në rajon. Zhvillimi i jep gjithashtu Mussolinit operacionin e dëshiruar prej kohësh, aneksimin e një territori, për të treguar se po përfiton diçka nga bashkëpunimi me Aksin Nazist.

Në rrethet diplomatike thuhet se mundësia më e mirë e Gjermanisë për të goditur Anglinë dhe Francën ishte para se ato të merrnin masa për riarmatim. Cvetkovicinformoi sot ambasadorin britanik nga Berlini se gjermanët shihnin me shqetësim armatosjen e Britanisë dhe mund të veprojnë për të konsoliduar forcat e Aksit në Evropën Qendrore dhe në Ballkan. Tashmë besohet gjerësisht se ka ardhur ora kritike. Ndjesia ime personale është se Jugosllavia nuk do të hyjë në konflikt nëse ky lind, ose të paktën jo në fazat e hershme. Aktualisht e gjithë qeveria Jugosllave duhet e tmerruar nga Gjermania. Edhe Princi Paul e ka humbur energjinë e tij të zakonshme. Telegramet mbi çështjen e interesave amerikane të naftës tregojnë hezitimin e qeverisë, me gjithë faktin se popullata është armiqësore ndaj Italisë dhe Gjermanisë. Sulmi italian ndaj Shqipërisë do të krijojë zemërim edhe pse shqiptarët nuk janë të vlerësuar nga Jugosllavia, pasi Shqipëria ka synime territoriale ndaj saj për rajonin e Kosovës. Ashtu siç ka theksuar Andricnë bisedën me mua më5 prill, Jugosllavia në përgjithësi do të jenë në anën e armiqve të Gjermanisë, por vetëm në momentin e fundit. (Ambasadori në Jugosllavi(Lane) për sekretarin e shtetit)

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/08/2019 - 18:00

 Gazeta amerikane “New York Times” ka zbardhur të tjera detaje nga vdekja e Mehmet Shehut. Sipas saj, dyshimet se ai ishte vrarë janë të larta.

Postuar: 16/08/2019 - 07:14

Amerikanët kanë zbardhur të tjera detaje sa i takon përplasjeve në Shqipërinë komuniste.

Postuar: 15/08/2019 - 07:14

Pasi prishi marrëdhëniet me Kinën, Hoxha humbi të gjitha ndihmat ekonomike.

Postuar: 14/08/2019 - 07:09

Amerikanët i kanë kushtuar rëndësi edhe Familjes Mbretërore.

Postuar: 13/08/2019 - 07:11

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi përplasjet mes Shqipërisë dhe Kinës në vitet 1978.

Postuar: 11/08/2019 - 07:39

Amerikanët kanë zbardhur detaje sa i takon përfaqësimit të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të

Postuar: 10/08/2019 - 07:07

 Amerikanët kanë hedhur dritë mbi spastrimet në qeverinë e drejtuar nga Enver Hoxha.