Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet, ja si SHBA ndryshoi qëndrim për anëtarësimin e Shqipërisë në OKB dhe manovrat që përdori Greqia gjatë tentativave për të marrë Sazanin

Postuar: 16/05/2019 - 07:14

Amerikanët kanë nxjerrë në pah të tjerë detaje mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë vitit 1946. Sipas disa letërkëmbimeve të deklasifikuara, tregohet se si SHBA vendosi që të jepte votën pro Shqipërisë për anëtarësimin në OKB. Po ashtu tregohen dhe përpjekjet e Greqisë për të rrëmbyer ishullin e Sazanit.

Uashington, 26 qershor 1946

Sekretari amerikan i shtetit për përfaqësuesin në OKB(Johnson): Departamenti ka rishikuar pozitën e tij për pranimin në Kombet e Bashkuara të Italisë e Austrisë dhe beson se duhen bërë përpjekje për pranimin e tyre pasi kjo do të jepte një nxitje morale e psikologjike për popujt e këtyre vendeve. Ne besojmë gjithashtu se Austria nuk duhet të pranohet para Italisë dhe nëse duhet të zgjedhim mes të dyjave ajo të mbetet jashtë. Ne e dimë se konferenca e Potsdam i jep sovjetikëve argumente të forta për të mos bërë përjashtime për Italinë. Nëse ne e propozojmë atë duhet të presim kundër-kërkesat e sovjetikëve për satelitët e tyre. Gjithashtu ne nuk jemi të lumtur për Shqipërisë pasi ka mangësi në marrëdhëniet e rregullta, por nëse është e nevojshme për programin tonë të gjerë do të votojmë me hezitim për të. Vota për Shqipërinë do të jepet në mënyrë që të kërkojmë aderimin e çdo vendi tjetër. Nëse është e nevojshme do ta bëjmë këtë pas dhënies së deklaratës për eksperiencën e pakëndshme që kemi kaluar atje dhe se po votojmë në favor të saj në interes të unanimitetit të OKB. Ju lutemi t’i kërkoni të kërkojë rishqyrtim për Shqipërinë.

New York, 3 korrik 1946

Përfaqësuesi në OKB (Johnson) për sekretarin e shtetit: Në një telefonatë sot në mëngjes me Cadogan mësova se nuk kemi instruksione të reja, por kishte kundërshtime për bisedën time informale me ambasadorin sovjetik Gromyko. Unë bëra një bisedë private me Gromyko pa përkthyes apo asistentë duke i kërkuar se çfarë mendonte për anëtarësimet e reja. Ai tha se qeveria e tij nuk mund të shprehej para prezantimit të aplikimeve zyrtare. Ai tha se ishte e rëndësishme që disa vende të diskutoheshin dhe iu referua Shqipërisë. Unë thashë se qëndrimi ynë për Shqipërinë ishte momentalisht negativ dhe se duhet të konsultoheshim ende me ta për çështjet e traktateve. Gromyko buzëqeshi dhe tha diçka në lidhje me Shqipërinë si komb i pavarur. Unë e pranova këtë dhe shtova se fuqitë e mëdha këshillojnë vendet e vogla për veprime që mund të ndiqen me politika. Duke diskutuar për Italinë dhe Austrinë unë pranova se këto vende janë të pranuara dhe ndryshimet e vendimeve nuk i përshtaten marrëveshjeve të Potsdam. Gromyko pyeti më pas për qëndrimin tonë në lidhje me shtetet e Ballkanit. Ai tregoi interes në komentet e mia dhe nuk më dha të kuptoja nëse Rusia do të ishte kundër tyre.

 

Uashington, 11 korrik 1946

Sekretari i shtetit për përfaqësuesin në Shqipëri (Jacobs): Në lidhje me aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në OKB ne besojmë se megjithë hezitimin duhet të votojmë pro, pasi kështu do të mund të marrim anëtarësimin e vendeve të tjera, të cilat i konsiderojmë aleate të menjëhershme. Kjo është e nevojshme për të marrë anëtarësimin e një ose dy vendeve të cilat do të votojnë në favorin tonë dhe në interes të unanimitetit të OKB. Ne ende nuk kemi përcaktuar pozitën që do të mbajmë në rast të aplikimit të shteteve që nuk kualifikohen, si Islanda apo Suedia. Është e vështirë të vendosen precedentët për ndalimin e aplikimeve me veto dhe ndoshta do të duhet të votojmë për pranimin e Afganistan. Pozita jonë do të varet nga udhëzimet e fundit të Cadogan. Pas një bisede personale me ambasadorin sovjetik Gromyko për anëtarësimet, Herschel Johnson i shpjegoi se SHBA do të votojë pro Shqipërisë edhe me vështirësi prej mungesës së garancive të kërkuara. Ne e bëmë ketë me mendimin se sovjetikët mund të kishin dëshirë për të diskutuar për Shqipërinë. Gromyko pranoi kërkesat e garancive por nuk dha më shumë të kuptohej.

Uashington, 27 korrik 1946

Zyra e çështjeve evropiane (Hickerson), për drejtorin e çështjeve evropiane (Mattheus), në Paris: Jam i pakënaqur prej kohësh për situatën e misionit të Jacobs në Shqipëri. Ne i kemi thënë vazhdimisht shqiptarëve të konfirmojnë qëndrimin e tyre ndaj traktateve të vjetra mes dy vendeve, por ata nuk kanë dhënë përgjigje të kënaqshme. Jacobs dhe stafi i tij siç keni dëgjuar nuk kanë marrë respektin duhur në Shqipëri dhe janë ankuar në disa raste për trajtimin. Siç kemi diskutuar më herët, është e këshillueshme që ne të ruajmë njëfarë përfaqësie në Shqipëri me qëllim raportimin kryesisht të informacioneve ushtarake, por burimet e informacionit të Jacobs gjithnjë e më shumë po shterohen. Me sa duket qëndrimi i Jacobs po bëhet jo vetëm i padobishëm, por dhe një humbje dinjiteti, prandaj unë besoj se copat e vogla të informacionit që po marrim nga Shqipëria nuk mund të justifikojnë vazhdimin e qëndrimit të tij atje. Paragrafët e mëposhtëm janë përmbledhja e informacioneve për t’u konsultuar para dhënies së rekomandimit te sekretari i shtetit për tërheqjen e Jacobs: FE dhe Hilldring më thanë se duan të propozojnë emrin e Jacobs te Presidenti si këshilltar politik i SHBA në Korea me rang ambasadori. Ata kanë nevojë për një zyrtar të lartë me eksperiencë në çështjet e Lindjes së Largët dhe për bashkëveprimin me Rusët kërkonin Jacobs. Nëse Jacobs merr lejen e tij verore mund të lëmë në mision Fultz. Nëse dhe ai nuk pranon të qëndrojë siç kemi sinjalizime, atëherë mund të përdorim Henderson duke e zhvendosur nga Roma në Tiranë. Presim mendimet tuaja mbi çështjen

Përplasjet Shqipëri-Greqi

Përfaqësuesi në Shqipëri për sekretarin e shtetit- Neni 22 i Draftit të Traktatit të Paqes me Italinë: “Italia pranon që ishulli i Sazanit është pjesë e Shqipërisë dhe heq dorë nga pretendimet për të”. Ky është dokumenti i delegacionit grek, që kërkon të tërheqë vëmendjen e Konferencës për sa më poshtë: Ishulli i Sazanit është një ishull i vogël i banuar në perëndim të Vlorës. Gjatë shekullit të 18-të e 19-të ishulli konsiderohej t’i përkiste nga ana gjeografike dhe politike ishujve të detit Jon. Traktati i Campo Formio më 17 tetor 1797, sipas të cilit ishujt e detit Jon iu dhanë Francës, vendosi parimet gjeografike e politike të unitetit të këtij grupi ishujsh duke caktuar se Korfuzi, Zante, Cephalonia, Leucas, Cythera dhe në përgjithësi pozitat ‘Veneciane’ të Shqipërisë, në jug të gjirit të gjirit të Drino, duhet të përfshihen në territorin që transferohet në sovranitet të Francës. Po ashtu Traktati i Konstantinopojës, i 21 marsit 1800, mes Rusisë e Turqisë parashikonte përfshirjen e shtatë ishujve të detit Jon në administrim të qeverisë Otomane. “Të gjithë ishujt, të vegjël a të mëdhenj, përballë Peloponezit, të cilët i hiqen republikës së Venecias, të fituar kohët e fundit”, thuhej në të. Traktati i Paris në 17 nëntor 1815, specifikon se autoriteti i qeverisë Joniane, në protektoratin britanik, përfshin ishujt e mëdhenj “me përkatësi sipas Traktatit të 21 marsit 1800, mes Rusisë e Turqisë”. Përveç instrumenteve ndërkombëtare të përmendura këtu, dy dokumente kushtetuese të qeverisë së Shtatë ishujve të Jonit, datuar respektivisht 30 nëntor 1883, dhe 28 gusht 1817, thonë qartësisht se “qeveria e shtatë ishujve” përfshin të gjithë ishujt e banuar dhe të pabanuar që deri së fundmi i përkisnin qeverisë veneciane dhe gjenden përballë Peloponezit dhe Shqipërisë …” Nga ky shpjegim rrjedh se ishulli i Sazanit duke qenë gjeografikisht pjesë e ishujve të Jonit, duhet të ketë të njëjtin fat me ishujt e tjerë. Sipas traktatit të 24 marsit 1864, Britania ia dha sovranitetin e ishujve Greqisë, bashkë me ishullin e Sazanit, i cili mbeti i tillë deri në 1914. Qeveria greke thotë më tej se nuk ka pretenduar më parë këtë territor për të evituar keqkuptimet. Në 1914 ishulli u mor nga italianët të cilët e kthyen në një fortesë. Por më 13 shkurt 1914, në një letër për qeverinë greke fuqitë e mëdha bënë të qartë se dhënia e ishujve të Egjeut për Greqinë varej nga tërheqja e trupave greke nga çdo territor jashtë linjës së rekomanduar nga Protokolli i Firences. Kjo linjë përcaktonte dhe kufirin e Shqipërisë dhe ishulli i Sazanit përfshihej në zonën për t’u evakuar nga grekët. Qeveria greke u ndje e detyruar të zbatonte rekomandimet dhe urdhëroi trupat të tërhiqeshin nga Epiri i Veriut dhe ishulli i Sazanit, i cili gjatë luftërave të Ballkanit ishte pushtuar nga marina greke. Iniciativa për këtë manovër i përkiste përsëri Italisë, e cila kështu i hapi rrugë depërtimit të saj në Ballkan me anë të Shqipërisë. Ajo më vonë u mbështete nga Austro-Hungaria, e cila po bënte plane të ngjashme për kryqëzatat e saj. Duke detyruar Greqinë jashtë territoreve që ishin pozita kuçe strategjike në Ballkan dhe në lindje të Mesdheut. Fuqitë e mëdha luajtën lojën e pritur nga imperialistët e Italisë dhe Austro-Hungarisë, duke kryer kështu një gabim dhe një padrejtësi. Në dhjetor 1914, duke përfituar nga situata ndërkombëtare e luftës së Parë Botërore që sapo kishte nisur dhe nga kaosi në Shqipëri prej largimit të Princ Vidit dhe kryengritjes së Esat Pasha, Italia pushtoi ishullin e Sazanit. Prej atëherë ishulli mbeti nën pushtimin italian. Duhet theksuar se në traktatin e nënshkruar mes Shqipërisë dhe Italisë në Tiranë në 2 shtator 1920, parashikohej evakuimi i ushtrisë italiane nga i gjithë territori i Shqipërisë, me përjashtim të ishullit të Sazanit. Italia pra u vendos aty dhe e ktheu ishullin në një fortesë të vërtetë. Kombet e Bashkuara që luftuan fashizmin në lindje të Mesdheut e paguan shtrenjtë këtë dhe Greqia e cila nuk ishte përgjegjëse për braktisjen e ishullit, gjithashtu e pagoi shtrenjtë.

V. Cili është statusi aktual ndërkombëtar i ishullit të Sazanit? Duhet bërë një dallim mes qëndrimit de jure dhe qëndrimit de facto.

a. Sa i takon qëndrimit de jure, kërkohen përpjekje për të thirrur përsëri Konferencën e Ambasadorëve që u mblodh në Londër në 1913 e cila vendosi ishullin e Sazanit brenda kufijve të Shqipërisë. Një komunikatë e 8 shtatorit 1913, nga fuqitë e mëdha drejtuar Greqisë, thotë se “linja bregdetare shtrihet deri në Ftoia dhe përfshin ishullin e Sazanit si pjesë integrale të Shqipërisë…” por ky qëndrim ndërkombëtar në favor të Shqipërisë nuk është aplikuar asnjëherë në praktikë. Shqipëria nuk ka ushtruar kurrë sovranitetin ndaj ishullit të Sazanit. Ai ka qenë prej tridhjetë vjetësh nën autoritetin italian deh Shqipëria e ka pranuar zyrtarisht këtë në traktatin e 1920 të sipërpërmendur, por që tashmë është shpallur i pavlefshëm.

b. Nga ana tjetër nuk mund të pranohet që pushtimi italian i Sazanit t’i japë të drejta ligjore Italisë pasi kjo nuk është njohur nga asnjë shtet tjetër përveç Shqipërisë.

Konferenca e Ambasadorëve në 1921, e cila ishte ngarkuar me problemin e vështirë të kufijve të Shqipërisë, thjesht konfirmoi vendimet e Konferencës së Londrës në 1913, dhe nuk njohu situatën de facto të krijuar si rezultat i luftës. Duke marrë parasysh rëndësinë e madhe të çështjes si nga pikëpamja ndërkombëtare dhe nga ajo greke, qeveria greke kërkon kthimin e ishullit të Sazanit te Greqia.

Tirana, 15 gusht 1946

Përfaqësuesi në Shqipëri (Jacobs) për sekretarin e shtetit: Në kërkesën për përgjigje u takova sot me Hoxhën, i cili më recitoi vështirësitë në lidhje me traktatet e vjetra dhe u përpoq t’i vinte fajin Shteteve të Bashkuara që nuk kishin bërë kundër-propozime. Unë protestova duke i kujtuar se në takimin e mëparshëm kishte thënë se qëndrimi i qeverisë së tij ishte i njëjtë me atë të nëntorit dhe se qeveria ime priste diçka që i ngjasonte pranimit të detyrimit të traktateve të shprehura në dokumentet. Ai tha më tej se pas njëfarë studimi qeveria e tij ishte e gatshme të pranonte vlefshmërinë e 11 traktateve multilaterale, kopjet e të cilave ishin dorëzuar në janar. Por në lidhje me katër traktatet bilaterale qeveria shqiptare do t’i merrte në konsideratë menjëherë pas njohjes dhe ardhjes së ambasadorit amerikan, me qëllim që të bëheshin korrigjimet e mundshme dhe njësimit të tyre me traktatet e tjera ndërkombëtare pas luftës anti-fashiste. Ai citoi si shembull faktin se në traktatin e ekstradimeve nuk përfshiheshin shkelësit politikë dhe kjo pengonte trajtimin e atyre që quante kriminelë shqiptarë të luftës, që mund të kërkonin strehim në Shtetet e Bashkuara. Në lidhje me traktatin e natyralizimit Hoxha tha se qeveria e tij nuk kishte kundërshtime për rastet e shkuara por kishte nevojë për korrigjime për të ardhmen. Ai tha se nuk kishte kundërshtime për tarifat e pasaportave. Më pas ia më dha një letër mbi Shqipërinë, të cilën më tha ta studioja dhe t’ia komunikoja qeverisë time dhe ta takoja përsëri nëse ishte e nevojshme për të evituar keqkuptimet. Në thelb letra përsëriste ato që Hoxha tha në lidhje me njëmbëdhjetë traktatet multilaterale dhe katër traktatet bilaterale, por nuk përmendte natyrën e korrigjimeve të dëshiruara apo dhe traktatin e tarifave të pasaportave, konventën e urdhër-pagesave dhe marrëveshjen e kombit të preferuar. Meqenëse regjimi në Shqipëri pranon vetëm marrëveshje dhe traktate multilaterale, besoj se ky zhvillim ka të bëjë me aplikimin e Shqipërisë për anëtarësi në Kombet e Bashkuara. Kështu që qëndrimi i Shqipërisë mbi traktatet bilaterale mbetet i njëjtë përveç atyre që dimë nga sa na ka thënë gojarisht Hoxha në lidhje me korrigjimet që ata kërkojnë. Nuk kam besim në lidhje me mbajtjen e premtimeve të Hoxhës pas dhënies së njohjes dhe këmbimit të përfaqësuesve diplomatikë. Një kurs veprimi do të ishte qëndrimi i vendosur, ku duke pranuar njohjen nga Shqipëria të traktateve multilaterale të kërkojmë garanci në lidhje me traktatet e tjera. Një tjetër mënyrë do të ishte studimi i listës së ndryshimeve të propozuar nga autoritetet para njohjes. Në diskutime duhen përmendur dhe trajtimi i misionit amerikan në Shqipëri në lidhje me legatën apo përfaqësuesit diplomatikë që do të vijnë në të ardhmen. Kjo është e detyrueshme sepse regjimi i kukullave aktuale ka një tendencë të jetë sadist dhe i lig. Nëse kjo pikë nuk saktësohet në detaje do të jetë shumë e vështirë që Departamenti të mbajë stafin e tij këtu. Ne duhet të insistojmë që për misionin tonë të së ardhmes të sigurohen mirësjellja dhe privilegjet standarde sipas praktikës ndërkombëtare, dhe të kërkohet:

1.      Veprim i shpejtë për kërkesat e hyrjeve e daljeve të stafit amerikan (në tre raste të kohëve të fundit janë vonuar 5 javë)

2.      Çeljen e përhershme të qëndrimit për inxhinierin Marinschak dhe lejen e hyrjes për gruan e tij (kjo është një punonjëse besnike e domosdoshme dhe qëndrimi i autoriteteve ndaj saj është i pajustifikueshëm: nuk mund të tërhiqemi).

3.      E drejta për të punësuar staf vendas pa ndërhyrje nga autoritetet para apo pas punësimit. Leja për vazhdimin e përdorimit të radiostacionit tonë dhe të dërgesave javore).

Nëse qëndrojmë të vendosur mbi këto pika deri në kërcënimin e largimit, besoj se autoritetet do të detyrohen të tërhiqen pasi ata nuk duan që ne të largohemi dhe nëse e bëjnë atëherë largohemi vërtet.

-Traktatet Multilaterale mes SHBA dhe Shqipërisë janë: Konventa e formimit të Unionit Ndërkombëtar të tarifave e rregullacioneve doganore 5 korrik 1890; Organizata Ndërkombëtare e Punës; Konventa e Kufizimit të prodhimit e shpërndarjes së lëndëve narkotike , 13 korrik 1931; Traktati i kufizimit të armatimeve detare Londër 22 prill 1930; Marrëveshja për eliminimin e publikimeve të pahijshme, 4 Maj 1910; Konventa e ndalimit të abuzimit me Opiumin dhe Drogat e tjera, 23 janar 1912 e 9 korrik 1913; Unioni Postar Universal i Kajros 20 nëntor, 1934; Traktati i dorëheqjes nga Lufta (Pakti i Parisit), 27 gusht 1928; Traktati i njohjes së sovranitetit të Norvegjisë për Spitzbergen, 9 shkurt 1920; Konventa e telekomunikimeve 9 dhjetor 1932; Konventa e përmirësimit të Kushteve të Ushtarëve të plagosur (Konventa Ndërkombëtare e Kryqit të Kuq), 6 korrik 1906.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/06/2019 - 07:08

Amerika kërkonte me ngulm të shfrytëzonte burimet natyrore të Shqipërisë.

Postuar: 21/06/2019 - 07:11

Departamenti Amerikan i Shtetit ka zbardhur së fundmi dokumente të tjera për Shqipërinë.

Postuar: 20/06/2019 - 19:58

Si pasojë e gazit helmues ka mbetur i lënduar edhe ish-deputeti demokrat Flamur Noka, i cili ka d

Postuar: 20/06/2019 - 07:17

Inteligjenca amerikane raportonte në vitin 1959 mbi një destabilizim të mundshëm të Ballkanit.

Postuar: 19/06/2019 - 07:19

Në 1949, SHBA po mendonte seriozisht formimin e Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë për rrëzimin

Postuar: 18/06/2019 - 07:17

“SHBA të veprojë në koordinim të plotë me Britaninë dhe Francën për situatën shqiptare, ash

Postuar: 16/06/2019 - 08:30

Në vitin 1949, Shqipëria shihej nga fuqitë e mëdha si një pikë e rëndësishme strategjike e sovjet