Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet, ja si u arrit traktati i paqes mes Shqipërisë dhe Italisë, Enver Hoxha i prerë kundër ndryshimit të kufijve, zbardhet letra për SHBA

Postuar: 18/05/2019 - 07:25

Dalin në dritë të tjera detaje sa i takon situatës në Shqipëri gjatë vitit 1946. Gazeta po tregon sot traktatin e paqes së arritur mes Shqipërisë e Italisë. Po ashtu, në sajë të disa dokumenteve të DASH, tregohet se si Enver Hoxha anuloi shumicën e marrëveshjeve të nënshkruar vite më parë me amerikanët.

Shënime të delegacionit SHBA në konferencën e Paqes

10 gusht 1946

Rezoluta jugosllave për pranimin e Shqipërisë në Konferencë u mbështet nga delegacioni i Polonisë. Përfaqësuesi britanik Alexander tha se propozimi ngrinte disa çështje detajesh dhe kërkoi që Komisioni i Përgjithshëm të bënte rekomandimin e tij. Përfaqësuesi grek Tsaldaris përsëriti opinionin se Shqipëria kishte qenë në luftë me Greqinë dhe se nuk kishte qenë një shtet aleat që kishte kontribuar për fitoren në Evropë. Delegacioni çekosllovak tha se Shqipëria plotësonte kushtet për të marrë pjesë sipas kushteve të vendosura nga konferenca, dhe propozoi rezolutën e mëposhtme: “Konferenca vendos të ftojë Shqipërinë në mënyrë që ajo të shprehë pikëpamjet e saj në lidhje me hartimin e traktatit të paqes me Italinë”. Zoti Pijade (Jugosllavia) foli ashpër kundër pikëpamjeve të delegatit grek dhe tha se disa ditë më parë Tsaldaris kishte propozuar ndarjen e Shqipërisë mes Greqisë e Jugosllavisë. Ai tha se Komisioni i Përgjithshëm nuk kishte kompetencë për të trajtuar ftesën e Shqipërisë. Tsaldaris mohoi akuzat se Greqia kishte kërkuar ndarjen e Shqipërisë. Vishinski (BRSS) vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë gjatë luftës dhe tha se nuk besonte se rezoluta e Jugosllavisë duhej të varej nga çështje të tjera, por duhet të vendoset menjëherë. Byrnes (SHBA) tha se emrat e Meksikës, Kubës e Egjiptit duhet ë futeshin në propozimin çekosllovak pas fjalës “Shqipëri”. Me këtë ndryshim rezoluta do të ishte e pranueshme për SHBA. Delegacioni çekosllovak e pranoi amendamentin. Hambro (Norvegji) tha se konferenca nuk mund të vendoset për këtë çështje para se të shoqërohej me dokumentet përkatëse, pasi delegacioni norvegjez nuk kishte parë dokumentet e ftesës së Meksikës, Kubës e Egjiptit. Alexandër propozoi pranim në pranim të rezolutës dhe kalimin e çështjes te Komisioni i përgjithshëm.

Letra e Hoxhës për SHBA

Tirana, 18 gusht 1946

“Me dëshirën për të shtrënguar marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Shqipërisë, në përgjigje të dëshirave dhe aspiratave të popullit shqiptar për të ruajtur frymën e re ndërkombëtare pas luftës së përbashkët kundër fashistëve italianë e gjermanë, të cilët shkatërruan vendin tonë dhe shumë vende të tjera, Republika Popullore e Shqipërisë ka marrë në konsideratë dhe ka studiuar traktatet e përbashkëta që ekzistonin mes Shqipërisë dhe SHBA para 7 prillit 1939. Shumica e këtyre traktateve, sidomos në rastin e Shqipërisë, janë nënshkruar nga qeveri anti-popullore që erdhën në fuqi me anë të forcës dhe mbështetjes së bajonetave të huaja, kundër vullnetit të popullit shqiptar. Traktate të tilla janë drejtpërdrejt ose tërthorazi kundër interesave dhe sovranitetit të vendit tonë. Fryma dhe aplikimi i shumicës së traktateve respekton interesa dhe aspirata inekzistente për popullin tonë, dhe e trajtojë atë si popull kolonial ose gjysmë kolonial. Ne nuk mund të themi se traktatet mes Shqipërisë dhe SHBA janë krijuar në frymën e bashkëpunimit të përmendur më sipër, por disa prej tyre me karakter bilateral të negociuara pas luftës së Parë Botërore, kanë nevojë për korrektime. Kjo vjen prej marrëdhënieve të reja të krijuara nga lufta antifashiste, në interes të dy vendeve tona dhe të interesit kolektiv të vendeve demokratike të botës, për të harmonizuar parimet për të cilat njerëzit luftuan heroikisht dhe derdhën gjak. Qeveria e Shqipërisë, duke pasur parasysh miqësinë dhe respektin reciprok mes dy vendeve tona dhe marrëdhënie të ngjashme me vende të tjera demokratike e progresive, pranon vlefshmërinë e traktateve me karakter ndërkombëtar. Në lidhje me traktatet bilaterale të listuara më poshtë: traktati i arbitrazhit, i rikëshillimit, natyralizimit dhe ekstradimit, qeveria shqiptare është e gatshme t’i marrë në konsideratë menjëherë me ambasadorin e ri që do të vijë në Tiranë pas njohjes së qeverisë sonë. Pasi të bëhen korrektimet e nevojshme nga të dyja palët traktatet do të hyjnë menjëherë në fuqi. Qeveria e Republikës Popullore të Shqipërisë përsërit gatishmërinë e saj për të vazhduar marrëdhëniet miqësore me Shtetet e Bashkuara dhe të gjitha vendet progresive të botës. kjo është një traditë e popullit shqiptar i cili derdhi gjakun për të fituar të drejtat e tij, e për të fituar vendin e tij në arenën ndërkombëtare në mbështetje të vendeve anti-fashiste. Populli ynë luftoi heroikisht për 6 vjet pa marrë parasysh humbjen e njerëzve ose materialeve. Duke shpresuar në rivendosjen e shpejtë të marrëdhënieve diplomatike mes vendeve tona pranoni vlerësimet e mia më të larta. Kryeministri dhe ministri i jashtëm i republikës Popullore të Shqipërisë, Gjeneral kolonel Enver Hoxha”.

Paris, 19 gusht 1946

Memorandum bisede nga kreu i zyrës evropiane (Mattheës)

Tsaldaris (kryeministër i Greqisë)më kërkoi të takoja me urgjencë sekretarin në lidhje me pretendimet e Greqisë për Shqipërinë dhe dëshirën e tyre për të negociuar një traktat paqeje me të. Pas një diskutimi të konsiderueshëm Tsaldaris me sa duket vendosi të jepte një rezolutë për Konferencën e Paqes së Parisit Conference duke kërkuar hartimin e një draft- traktat paqeje mes Greqisë e Shqipërisë. Ai propozoi futjen e fjalëve “e favorshme ndaj pretendimeve greke”, por sekretari i tha se kjo nuk do të ishte diçka e mirë. Më tej ne e mbështetëm rezolutën e Tsaldaris por treguam kujdes të mos tregonim mbështetje për pretendimet territoriale të Greqisë. Gjatë bisedës Tsaldaris tha se ndoshta do të ishte më mirë që ministrat e jashtëm të mos merrnin veprime deri në zgjidhjen e çështjes gjermane, por nuk i formuloi qartë pikëpamjet. Ai më tej ngriti çështjen e kufirit Greqi-Bullgari dhe pretendimet territoriale të të dyja vendeve. Ai tha se Greqia kishte tre linja të ndryshme dhe dëshironte të dinte nëse kishte mbështetjen e Britanisë ose SHBA në ndonjë prej tyre; në fjalë të tjera, nëse të nxiste në maksimum me të gjitha pretendimet ekstreme greke apo vetëm në një minimum. Sekretari i tha se SHBA me siguri do të kundërshtojë pretendimet bullgare ndaj Greqisë, ndërsa për pretendimet greke do ta marrë çështjen në konsideratë dhe do ta njoftojë. Në lidhje me çështjen e Shqipërisë, Tsaldaris përsëriti se në konceptin e tij ligjor, Greqia është ende në luftë me Shqipërinë dhe kjo mund të demonstrohet në Konferencë. Sekretari ishte dakord se Bishop duhet të kontaktojë me përfaqësuesin ligjor grek për të vlerësuar nëse Shtetet e Bashkuara pranojnë gjendjen e luftës që ekziston me Shqipërinë. Në konkluzion Tsaldaris ngriti çështjen e nevojës së vëzhguesve amerikanë dhe britanikë port zgjedhjet e pritura. Shënim: Përfaqësuesit e delegacionit grek Rendis e Spiropoulos u takuan me Bishop e Summers në 20 gusht; amerikanët e përshkruan takimin si një përsëritje të memorandumeve të mëparshme dhe në dokumentin e tyre thonin se “argumenti grek nuk ka arritur të përcaktojë nëse ka një manifestim të objektivit nga autoritetet greke dhe shqiptare për të qenë në gjendje lufte,dhe as që shqiptarët të kenë të drjetë të veprojnë për llogari të shtetit ose popullit shqiptar. “Vështirësitë në përcaktimin nëse Shqipëria e Greqia janë në luftë me njëra-tjetrën, nuk do të thotë se këto pengesa të ndalojnë traktatet për zgjidhjen e problemeve. Traktati tashmë ka klauzola në lidhje me Shqipërinë de të tjera mund të shtohen me pranimin e palëve”.

Klauzole e Traktatit të Paqes në lidhje me Shqipërinë

Nenet 21–26

Qeveria italiane njeh dhe pranon të respektojë pa rezerva sovranitetin dhe pavarësinë e plotë të republikës së Shqipërisë. Italia e re dënon pa dallim të gjitha shkeljet dhe dhunimet e kryra nga qeveria fashiste dhe ka dëshirë që marrëdhëniet e saj me Shqipërinë të jenë përsëri të sjellshme dhe besimplotë. Në këtë frymë dashamirësie Italia pranon linjat kryesore të draftit në lidhje me Shqipërinë. Amendamentet që propozon qeveria italiane në lidhje me disa klauzola bazohen në faktet se me punën dhe kapitalin italian në Shqipëri janë kryer shumë punime publike me rëndësi të konsiderueshme që kanë pasuruar territorin shqiptar. Prandaj do të ishte e drejtë që ato të merren në konsideratë. Qeveria italiane beson se të drejtat e qytetarëve italianë në Shqipëri duhet të ruhen për të mbrojtur rregullat ndërkombëtare që janë njohur në shumë raste të ngjashme. Në nenin 23 kërkohet që Italia të heqë dorë në favor të Shqipërisë, nga të gjitha pronat, të drejtat, interesat dhe avantazhet e fituara nga shteti italian para ose pas vitit, 1939. Në lidhje me këtë janë bërë vërejtjet e mëposhtme:

1.      Në këtë nen, drafti Traktatit ashtu si në raste të tjera vë barazi mes të drejtave të fituara nga Italia në Shqipëri si para ashtu dhe pas vitit 1939. Qeveria italiane dëshiron të komentojë se një qasje e tillë frymëzohet nga parimi se i gjithë aktiviteti i Italisë në Shqipëri prej vitit 1925 e më vonë, ishte kundër interesave të vendit. Por kjo nuk është e vërtetë as nga ana historike dhe as në lidhje me faktet e njohura.

 Në lidhje me këtë kujtojmë se aktiviteti italian në Shqipëri në fushën ekonomike dhe bankare pas vitit 1925, ndiqte nga afër rekomandimet e Ligës së Kombeve (siç tregohet në librin “Italia e Shqipëria”).

2.      Nga ana tjetër drafti nuk merr në konsideratë vlerën e veprave të konsiderueshme publike të ndërtuara nga Italia dhe pajisjet që vendi ka instaluar në Shqipëri me kosto të larta sakrificash ekonomik, të cilat do të kthehen në pronë shtetërore të Shqipërisë. Kontributi i Italisë në zhvillimin e Shqipërisë i kalon të gjitha shifrat që Shqipëria mudn të pretendojë si dëmshpërblim lufte nga Italia. Qeveria italiane ka depozituar tashmë një arkiv me prova për këtë.

Në formën aktuale, neni 23 mund të supozohet se kupton që Italia nuk pranon të plotësojë pretendimet e dëmshpërblimeve nga Shqipëria. Opinioni i qeverisë italiane është se këto kushte në formën e tyre aktuale nuk plotësojnë parimet e ligjeve ndërkombëtare dhe praktikat e ndjekura në proceset e mëparshme të traktateve të Paqes. Prandaj qeveria italiane sugjeron se neni 23 duhet të amendohet në mënyrë që vlera e pronave italiane, të drejtave, interesave etj. të përfshihet në balancimin e pretendimeve të Shqipërisë për dëmshpërblime lufte kur të vijë kjo çështje për zgjidhje.

Neni 24

Pjesë e parë e nenit 24 parashikon që qytetarët italianë në Shqipëri të gëzojnë të drejta të njëjta juridike si vendasit. Kjo pjesë nuk ka kundërshtime. Pjesa e dytë nënkupton që Italia pranon të gjitha masat që ndryshojnë ose anulojnë tolerimet për shtetasit italianë në Shqipëri, të cilat mund të hyjnë në fuqi brenda vitit të miratimit të traktatit. Por këto rregulla duket se janë në kundërshtim me parimet e marrëdhënieve mes kombeve pasi shkelin barazinë dhe ligjshmërinë mes palëve. Qeveria italiane beson se pjesa e dytë e nenit 24 duhet të anulohet. Në lidhje me të drejtat e qytetarëve italian në Shqipëri, është e nevojshme që:

a. Të modifikohen të drejtat e veçanta që iu dhanë qytetarëve italianë në Shqipëri pas 8 prillit 1939;

b. avantazhet e një kompensimi të drejtë duhet të njihen ndaj atyre personave interesat e të cilëve janë prekur nga lufta; traktati gjithashtu duhet të japë garanci për këta persona siç parashikohet në nenin 75.

Neni 25

Parashikimet e këtij neni mund të sjellin pasoja serioze. Marrëveshjet e kryera mes autoriteteve italiane e shqiptare pas vitit 1939 kanë sjellë ndërveprime të shumta dhe të drejta të shumëfishta. Nëse këto marrëveshje shpallen të pavlefshme, të drejtat dhe ndërveprimet e lidhura me to humbasin bazën e tyre juridike, prandaj qeveria italiane beson se termi “anulohen si të pavlefshme” duhet të zëvendësohet me “pushojnë së pasuri efekt”.

Neni 26

Qeveria italiane beson se parashikimet e nenit 26 (siç u theksua në lidhje me klauzola të ngjashme të nenit 24) vijnë kundër parimeve për marrëdhënie të mira mes dy vendeve. detyrimet e njërës palë për të pranuar paraprakisht interpretimin që i jepet traktatit nga pala tjetër, nuk korrespondon me parimet e drejtësisë. Kjo është më shumë serioze pasi sipas nenit 26, Shqipëria nuk ka detyrime për t’u përgjigjur ndaj palëve të tjera për ekzekutimin dhe interpretimin e traktatit. Qeveria italiane beson se neni 26 duhet të anulohet.

Amendamente të propozuara

Neni 23

1. Italia heq dorë nga pretendimet për interesa të veçanta apo influencë në Shqipëri.

2. Shqipëria do të marrë të gjitha pronat e shtetit italian në territorin Shqipërisë (përveç ambienteve diplomatike e konsullore) dhe të drejtat e interesat e shtetit italian në Shqipëri.

3. Çdo debat që lind nga interpretimi apo ekzekutimi i nenit do referohet te Katër Ambasadorët sipas nenit 75 të këtij traktati.

Neni 24

Qytetarët italianë në Shqipëri do të gëzojnë të gjitha të drejtat si qytetarët e tjerë të huaj në vend, dhe Shqipëria ka të drejtë të anulojë ose modifikojë të drejtat e veçanta për qytetarët italianë, që ata fituan pas 8 prillit 1939. Çdo debat që lind nga interpretimi apo ekzekutimi i nenit do referohet te Katër Ambasadorët sipas nenit 75 të këtij traktati.

Neni 25

Italia pranon se dekretet dhe marrëveshjet mes Italisë e Shqipërisë nga prilli 1939, deri në shtator 1943 anulohen si të pavlefshme.

21 gusht 1946

Ditari i delegacionit të SHBA

Kryetari (Bevin) i tha kryeministrit të Shqipërisë gjeneralEnver Hoxha, të paraqiste pikëpamjet e qeverisë së tij mbi traktatin e paqes me Italinë. Hoxha bëri një prezantim të gjerë të përpjekjeve të Shqipërisë gjatë luftës kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë, duke thënë se kjo e bënte atë një shtet Aleat që duhet të ulje në Konferencën e Parisit ashtu si dhe 21 shtetet e tjera. Hoxha përfitoi nga rasti për të mohuar disa deklarata të bëra në konferencë nga përfaqësuesi grek Tsaldaris, duke thënë se Shqipëria nuk ka qenë në luftë me Greqinë por kishin luftuar përkrah popullit grek kundër armiqve të Aksit dhe kundër kuislingëve shqiptarë dhe grekë. Ai gjithashtu denoncoi pretendimet territoriale greke kundër Shqipërisë dhe planet e Tsaldaris për ndarjen e Shqipërisë; Hoxha deklaroi se kufijtë aktualë të Shqipërisë janë të shenjtë dhe të pashkelshëm. Në lidhje me traktatin e paqes me Italinë, Hoxha tha se Shqipëria do të kërkojë që forcat e armatosura të Italisë të reduktohen më shumë nga sa mendohet në draft dhe kërkoi që traktati të caktojë shumën e reparacioneve që do t’i paguhet Shqipërisë. Shqipëria do të bëjë gjithashtu propozime për kthimin e kriminelëve të luftës dhe çështje të tjera që duhet të ekzaminohen. Më në fund ai propozoi që meqenëse traktati nuk përfshin të drejtat dhe detyrimet e Shqipërisë, të cilësohet si: “Në lidhje me nenin 26 Shqipëria të konsiderohet si Fuqi e Asociuar Aleate”.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/06/2019 - 07:19

Në 1949, SHBA po mendonte seriozisht formimin e Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë për rrëzimin e komunizmit. Plani po hartohej së bashku me britanikët.

Postuar: 18/06/2019 - 07:17

“SHBA të veprojë në koordinim të plotë me Britaninë dhe Francën për situatën shqiptare, ash

Postuar: 16/06/2019 - 08:30

Në vitin 1949, Shqipëria shihej nga fuqitë e mëdha si një pikë e rëndësishme strategjike e sovjet

Postuar: 15/06/2019 - 07:10

Në vitin 1949, Jugosllavia mendonte se Greqia duhet të bënte përpjekje realiste për rikëshillim d

Postuar: 14/06/2019 - 07:13

Enver Hoxha nuk pranonte të vendoste marrëdhëniet diplomatike me SHBA pasi pretendonte se po mban

Postuar: 13/06/2019 - 07:18

Amerikanët kanë zbardhur detaje nga përplasjet mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Postuar: 12/06/2019 - 07:14

Amerikanët kanë zbardhur detaje nga përplasjet mes Shqipërisë dhe Greqisë.