Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet, ja si u krijua Partia Fashiste dhe si italianët tentuan të mashtrojnë shqiptarët, Musolinit ju dha titulli “Qytetar Nderi” i Shqipërisë

Postuar: 20/04/2019 - 07:21

Amerikanët nxjerrin në dritë të tjera të dhëna sa i takon pushtimit të Shqipërisë nga Italia. Në disa letërkëmbime mes ambasadorit amerikan në Shqipëri dhe Sekretarit të Shtetit, tregohet se si italianët nisën të mashtrojnë shqiptarët. Po ashtu tregohet si u krijua Partia Fashiste dhe si Musolini u shpall “Qytetar Nderi”.

Tiranë, 22 prill 1939

Ambasadori amerikan në Shqipëri i shkruan DASH: “Në një takim informal me ministrin e ri të Jashtëm të vendit, Dino me priti me mirësjellje dhe më tha në mënyrë konfidenciale pikëpamjet e tij mbi situatën aktuale. Unë i bëra të qartë se vizita ime ishte tërësisht jozyrtare. Në thelb Dino pohoi se ai dhe kolegët e tij në Romë javën e kaluar i shprehën Mussolinit dëshirën e madhe të shqiptarëve për të ruajtur pavarësinë e tyre dhe Mussolini i kishte garantuar se do të respektonte sovranitetin e vendit. Dino shtoi se kishte besim te fjala e Mussolinit dhe mu lut ta besoja se kolegët e tij ishin “shqiptarë të vërtetë që e gjenin veten në një situatë të vështirë” dhe po përpiqeshin të shpëtonin sa mundnin nga situata e krijuar në vend. Ai tha se bashkë me kolegët kishin pranuar një plan për vazhdimin e qeverisë aktuale për dy ose tre muaj, deri në aprovimin e Kushtetutës së re nga Parlamenti. Ndërkohë qeveria aktuale do të funksionojë pa Kushtetutë, me ligjet e vjetra. Sipas tij, zyrtarët shqiptarë shpresonin se një shqiptar do të emërohej mëkëmbës i mbretit italian në Shqipëri, brenda kuadrit të buxhetit, dhe ndërkohë ambasadori italian këtu Francesco Jacomoni të emërojë si përfaqësues i mbretit. Në lidhje me marrëdhëniet me jashtë, ai tha se qeveria e tij dëshiron të ruajë të njëjtat marrëdhënie me qeveritë e huaja. Ai shtoi se dy poste ambasadorësh janë tashmë boshe, ai në Londër e Paris. Ai shtoi se qeveria dëshironte të vazhdonte punën e ambasadës në Uashington dhe për këtë i kishte dërguar ambasadorit Faik Konica një mesazh personal ku e nxiste të kuptonte situatën delikate të qeverisë aktuale shqiptare dhe t’i jepte mundësi të shpjegoheshin.

Në përgjigje të pyetjes time në lidhje me garancitë e mundshme italiane për tërheqjen e trupave, Dino tha se autoritetet shqiptare besonin se nuk ishte mirë që në këtë moment nxisnin për këtë. Ai tha se pretendimet italiane se objektivat e saj ushtarake nuk do të ndodhnin në Shqipëri por vendi do të ishte baza e operacioneve për depërtim në Jugosllavi, ishin vetëm propagandë për të kënaqur shqiptarët nacionalistë. Dino tha se besonte se në vend mund të kishte rreth 100,000 trupa italiane. Duke komentuar mbi Konventën e re doganore, ekonomike e monetare mes Italisë e Shqipërisë, të nënshkruar mbrëmë nga Jacomoni dhe ministri shqiptar i financave, Dino tha se Itali i jepte Shqipërisë shumën vjetore prej 15 milionë franga ari dh e gjithashtu zotohet të mos ndërhyjë në sistemin e taksimit. Gazetat vendase thonë se Konventa thotë që Italia e Shqipëria konsiderohen si një territor i vetëm doganor , i administruar nga doganat italiane. Franga e arit shqiptare do të vlejë 6.25 lira Italiane dhe do të krijohet monopoli i këmbimit që do të kontrollohet nga Banka Kombëtare Shqiptare. Marrëveshje të tjera do të ndërmerren në lidhje me sipërmarrjen dhe zhvillimin e ekonomik. Konventa thotë se sipas planit të përgjithshëm ekonomik të Duçes për zhvillimi e vendit importi i mallrave në Shqipëri do të varet nga obligacionet e këmbimit të Bankës Kombëtare Shqiptare si menaxhuese e këmbimit dhe valutave. Konventa thotë më tej se sipas planit ekonomik të Duçes për Shqipërinë, hapja e tregut italian për produktet shqiptare do të inkurajojjë ekonominë vendase me rritjen e fitimeve për produktet e saj”.

Tirana, 23 prill 1939

Ambasadori amerikan në Shqipëri i shkruan DASH: “Një marrëveshje është nënshkruar mes ambasadorit italian Jacomoni dhe qeverisë shqiptare, e cila parashikon të drejta të barabarta civile dhe politike për italianët në Shqipëri dhe për shqiptarët në Itali. Kërkesa për të drejta të barabarta civile e politike ishte një nga kërkesat fillestare që u refuzua nga Mbreti Zog, dhe besohet se është hapi i parë për programin e kolonizimit italian të Shqipërisë. Një celebrim i madh fashist u mbajt sot në Tiranë dhe në qendra të tjera të mëdha teksa prezent ishte sekretari i partisë fashiste. Në festime kishte flamurë shqiptarë dhe italianë ndërsa njësi ushtarake italiane demonstruan. Më informojnë me besnikëri se fshatarët shqiptarë që morën pjesë në festime me kostumet tradicionale kanë marrë 1 frangë ari secili për pjesëmarrjen e tyre”.

Tirana, 24 prill 1939

Ambasadori amerikan në Shqipëri i shkruan DASH: “Vendimet e fundit të Këshillit të Ministrave të njoftuar në shtyp janë si më poshtë:

1. Është formuar Partia Fashiste Shqiptare.

2. Rrugët kryesore të Tiranës kanë marrë emra italianësh, përfshi mbretin, mbretëreshën dhe Kontin Ciano.

3. Mussolinit i është dhënë titulli “qytetar i parë nderi i Shqipërisë” me argumentimin “Shkëlqesia e tij, kreu i qeverisë italiane, në momente historike për kombin shqiptar ka treguar dashurinë e tij për Shqipërinë, duke ruajtur të drejtën e shenjtë të pavarësisë dhe sovranitetit.

4. Kontit Cianoi jepet titulli “qytetar nderi i kryeqytetit pasi në momentet historike për Shqipërinë ka qenë bashkëpunëtor dhe interpretues i mendimit të thellë të Duçes, për ruajtjen e pavarësisë deh sovranitett të Shqipërisë.”

5. Të gjithë punonjësit e qeverisë duhet të bëjnë përshëndetjen fashiste.

6. Gjykatat dhe noteritë duhet të lëshojnë vendimet e tyre në emër të Madhërisë së tij Vittorio Emmanuel III mbreti i Italisë e Shqipërisë dhe perandor i Etiopisë.

7. Shqipëria do të marrë pjesë në ekspozitën e Budapestit.

8. Ministria dhe inspektori i gjykatës mbretërore anulohen”.

Tirana, 25 prill 1939

Ambasadori amerikan në Shqipëri i shkruan DASH: “Në 24 orët e fundit kam diskutuar situatën politike në Shqipëri me pesë nga kolegët e mi këtu, ambasadorët britanik, francez, grek, turk dhe rumun. Ne të gjithë ishim dakord se aktualisht pavarësia dhe sovraniteti shqiptar janë vetëm një trillim megjithë garancitë e Mussolinit se do të respektojë pavarësinë dhe me gjithë shpresën e disa politikanëve shqiptare se kjo do të realizohet sipas fjalëve të tij.

1. Ambasadori italian Jacomoni, i cili është emëruar si përfaqësues i Mbretit të Italisë në Shqipëri po nënshkruan me shpejtësi marrëveshje të shumta me autoritetet shqiptare. Brenda 3 ditëve të fundit janë nënshkruar marrëveshje për bashkimin doganor me Shqipërisë e Italisë gjë që zhduk çdo tregti tjetër përveç asaj Italo-shqiptare; për politikat monetar dhe të këmbimit është ngritur Banka Kombëtare e Shqipërisë e kontrolluar nga italianët; ndërsa vendosja e të drejtave politike e civile për italianët në Shqipëri besohet se është një kolonizim i shkallës së gjerë të Shqipërisë nga italianët.

2. Një qeveri kukull e drejtuar nga italianët duket se merr të gjitha urdhrat nga ambasadori italian Gjeneral Jacomoni.

3. Duket se italianët po gënjejnë qëllimisht shqiptarët që nuk dinë kuptimin e pavarësisë, me qëllim të marrin aprovimin e tyre dhe për të parandaluar kryengritjen (sugjeruar nga ambasadori turk).

4. Italianët po krijojnë një fasadë pavarësie për konsum të jashtëm, kryesisht për britanikët, duke pasur parasysh akordin me Italisë dhe Britanisë.

5. Një ushtri e madhe pushtuese zotëron çdo ndarje e sektor të vendit duke përfshirë të gjitha mjetet e komunikimit dhe ende nuk ka sinjale për tërheqjen e trupave, pro përkundrazi ato dhe materialet vijojnë të vijnë.

6. Deri sa të mblidhet parlamenti i ri për miratimin e kushtetutës “brenda një ose dy muajsh” siç është sinjalizuar nga autoritetet, italianët do të kenë siguruar kontrollin e plotë të me anë të “marrëveshjeve” të arritura me qeverinë shqiptare.

7. Makineria Italiane e propagandës po punon me të gjithë fuqinë deh dje organizoi themelimin e partisë fashiste shqiptare, që do të drejtohet nga një anëtar i rëndësishëm i parlamentit shqiptar. Një demonstrim gjigant ushtarak u mbajt dje në Tiranë me komandantin italian Guzzoni; me sekretarin e partisë fashiste Starace; zv. kreun e zyrës së çështjeve shqiptare Benini; ministrin italian të punëve publike Gjeneral, Jacomoni; kryemisnitrin shqiptar dhe ambasadorët gjerman e francez në Shqipëri, në podium”.

 

Tirana, 6 maj 1939

Ambasadori amerikan në Shqipëri i shkruan DASH: “Ajo që përshkruhet nga shtypi i Tiranës sot janë bisedat për rindërtimin e Shqipërisë që kanë nisur pas ardhjes së zyrtarëve të lartë italianë përfshi zv. ministrin për Shqipërinë, ministrin e Punëve Publike dhe dy senatorë. Francesco Jacomoni, Gjenerali përfaqësues i mbretit të Italisë në Shqipëri, ka marrë pjesë në konsultimet mbi politikat ekonomike e teknike për ndërtimin e rrugëve, ndërtesave e hoteleve. Ministri i punëve publike Gigli, u prit dje në portin e Durrësit me 19 të shtëna pushkësh, ndërsa sot u largua nga Tirana për të studiuar rrugët ndërlidhëse të Shqipërisë. Burime të besueshme më thonë se italianët do të nisin menjëherë përmirësimin e infrastrukturës së vendit për qëllime strategjike, me autostrada drejt Durrësit, Gjirokastrës, Korçës e qyteteve të tjera në jug pranë kufirit grek. Programi i ndërtimeve do të përfshijë gjithashtu tharjen e zonave të gjera kënetore për kolonizimin e ardhshëm italian. Nën-sekretari italian për Shqipërinë do të punojë me kushtetutën e re të propozuar të vendit.

Ai u kthye sot në Itali. Në një tjetër bisedë informale me ministrin e jashtëm shqiptar Dino, u informova se italianët me shumë gjasa do të kërkojnë të paktën dy marrëveshje të tjera, një për kontrollin e xhandarmërisë dhe një tjetër për bankën bujqësore. Është njoftuar zyrtarisht në shtyp se ambasadori shqiptar në Londër, Lie Kurti, përfaqësuesi në Paris, Princi Abid Hamid i martuar me bijën e mbretit Zog 2 vjet më parë dhe i dërguari në Kairo Abdul Sula, janë shkarkuar me një dekret të Gjeneral Jacomoni. Ka dalë edicioni i parë i Gazetës zyrtare shqiptare që prej pushtimit italian, ku gjendeshin tekstet e dy marrëveshjeve të cilave iu referova në telegram, përkatësisht bashkimi doganor, monetar dhe ekonomik, si dhe marrëveshja për të drejtat e qytetarëve italianë në Shqipëri dhe anasjelltas.

Konsiderohet me rëndësi fakti që Jacomoni i cili ka negociuar marrëveshjet me qeverinë shqiptare, ka nënshkruar më pas marrëveshjet si Gjenerali i Madhërisë së tij Victor Emmanuel III, së bashku me kryeministrin dhe ministrat përkatës shqiptarë. Të gjitha kartëmonedhat shqiptare me pamjen e mbretit Zog janë mbledhur nga Banka Kombëtare e kontrolluar nga italianët dhe janë ristampuar duke hequr pamjen e ish-mbretit. Disa legata të huaja përfshi ato amerikane, rumune, franceze e greke vëzhgohen nga spiunë me rroba civile për të identifikuar të gjithë personat që hyjnë e dalin. Sistemi besohet se është nisur nga zyrtarët italianë. Unë i kam sugjeruar kolegut deh fqinjit tim, ambasadorit grek që të bëjë një ankesë në lidhje me këtë çështje pasi po ndiqen metoda të pa parashikuara nga rregullat. Sipas shtypit shqiptar të kontrolluar nga italianët, 200 kryetarë fisesh shqiptarë nga Dibra i kanë bërë thirrje Jacomoni dhe kanë nënshkruar një pakt ku heqin dorë nga gjakmarrja dhe premtojnë të zgjidhin marrëveshjet e tyre sipas mbrojtjes së Fashizmit. Ata kanë prezantuar një peticion ku kërkohet reduktim i taksave. Jacomoni është takuar gjithashtu me figura të kishës katolike të Shqipërisë, duke përfshirë delegatin apostolik dhe kryepeshkopin e Shkodrës. Ministri shqiptar i financave.

 Ka shkuar në Romë në krye të një delegacioni për festën e Perandorisë më 9 maj. Është krijuar zyra e përgjithshme e Shtypit, Propagandës e Turizmit. Ndërkohë ka një ndalesë të përkohshme në ardhjen e trupave të tjera italiane, teksa nuk kanë parë transporte prej 3 ditësh në portin e Durrësit. Ambasadori turk, i cili më parë ka qenë zyrtar i lartë i ministrisë së jashtme në Ankara më tha se sipas informacioneve nga qeveria e tij ka mundësi që Turqia, Anglia, Franca e Rusia së shpejti do të bashkohen për të formuar bllokun ushtarak të ndalimit të agresorëve. Ai shtoi se në rast lufte vendi i tij do të lëvizë menjëherë kundër Bullgarisë nëse ai vend vendoset pranë forcave të Aksit. Ai ishte dakord me një opinion të shprehur nga ambasadori grek i sapo kthyer nga Athina, ku kishte mbajtur konsultime me kryeministrin Metaxas, se ishte tashmë e qartë se Gjermania ia kishte dalë të neutralizonte Jugosllavinë para nisjes së luftimeve, por tha se pas goditjes së parë jugosllavët do të bashkonin forcat kundër Fuqive të Aksit”.

Tirana, 9 maj 1939

Ambasadori amerikan në Shqipëri i shkruan DASH: “Nga një tjetër bisedë informale me ministrin e Jashtëm shqiptar Dino dhe me konsultimet me kolegët në 24 orët e fundit, duket se zhvillimet në Shqipëri janë si më poshtë:

1. Po vazhdon riorganizimi i ministrive nga italianët, përfshi dhe spastrimet e zyrtarëve shqiptarë.

2. Është arritur marrëveshja mes Gjeneral Jacomoni dhe qeverisë shqiptare për një xhandarmëri të re të drejtuar nga Gjeneral Pariani i cili ka drejtuar në Shqipëri disa vjet më parë. Xhandarmëria do të përfshijë dhe karabinierë italinë dhe ish-anëtarë të xhandarmërisë shqiptare.

3. Ministri i Jashtëm shqiptar në detyrë besohet se me sugjerimin e Jacomoni ka propozuar që shqiptarë të dërgohen si anëtarë të Senatit italian.

4. Një numër refugjatësh politikë të larguar jashtë vendit gjatë regjimit të zogut, janë rikthyer në vend me lejen e autoriteteve italiane.

5. Më 31 u urdhërua mbyllja e të gjitha shkollave shqiptare, gati gjysmë muaji më herët se zakonisht. Kjo pasi jo zyrtarisht raportohet se shkollat do të përdoren nga ushtria.

6. Është krijuar milicia fashiste shqiptare me italianë që banojnë në Shqipëri dhe shqiptarë anëtarë të partisë fashiste.

7. Zyra e jashtme shqiptare po përgatitet të dërgojë një ambasador në Berlin, Ekrem Vlora, ish-anëtar i parlamentit Republikan, duke pasuar në detyrë Rauf Fico i cili nuk e preferon regjimin aktual, si dhe një ambasador të ri në Sofie, Maliq Libohova, nip i ish-ministrit të Jashtëm të Zogut, Ekrem Vlora. Vende të tjera bosh mbeten në Londër, Paris e Kajro. Dino më ka thënë në konfidencë se ka hapur vështirësi me ambasadorin aktual në Kajro, Abdyl Sula, i cili refuzon daljen largimin. Ai thotë se nuk dëshiron të detyrohet të kërkojë autorizimin e ambasadorit italian në Kairo për të marrë kontrollin e legatës shqiptare, çka unë besoj se do të thotë se është sugjeruar nga italianët. Kur e pyeta Dinon për kredencialet që kërkohen për ambasadorët e Shqipërisë ai tha se kjo çështje nuk është vendosur ende por dokumentet duhet të çohen te përfaqësuesi i lartë italian. Unë thashë se kjo do të krijonte një situata të pazakontë sepse Gjeneral Jacomoni është ish-koleg me të gjithë ministrat e këtushëm. Dino tha se kishte menduar këtë dhe se shpresonte që së shpejti të gjendje një formulë më e përshtatshme. Ai sugjeroi se ministrat e huaj këtu që kanë qenë dhe më parë nuk u janë kërkuar të paraqesin përsëri letrat e tyre pasi qeveria shqiptare kërkoj të ruajë sa më shumë legata të huaja, në mënyrë që ato ta ndihmojnë të ruajë sado pak nga pavarësia e saj . Dino u shqetësua kur unë e informova për spiunët në rroba civile në ambasadat e huaja dhe tha se shqiptarët nuk janë përgjegjës për këtë, por unë e sigurova për të kundërtën. Ai tha se do të hetonte për çështjen por nëse rezultonte se ishin përgjegjës italianët nuk kishte çfarë të bënte për ta ndaluar. Ky incident është dhe tregues i kontrollit të ashpër të Gjeneralit italian Jacomoni mbi çështjet shqiptaare. Anëtarët shqiptarë të administratës janë vetëm kukulla të cilët po mbahen me shpresë se një luftë e përgjithshme mund të ndryshojë situatën. Plani i udhëheqësve shqiptarë për një kushtetutë të re duket se është ndaluar nga italianët.

8. Zyra e re e Shtypit, Propagandës e Turqizmit drejtohet nga një gazetar italian që ka qenë korrespondent i agjencisë United Press në Shqipëri. Raportime të pakonfirmuara nga një oficer shqiptar i lidhur me ushtrinë italiane, thonë se ka përqendrim trupash ushtarake në jug e juglindje të Shqipërisë, dhe se shqiptarëve në zonat jugore kufitare u është dhënë urdhër të largohen të paktën 6 km nga kufiri.

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 26/05/2019 - 08:23

Pretendimet territoriale nga Greqia nuk janë aktuale. Prej shumë vitesh Athina ka kërkuar që të marrë jugun e Shqipërisë dhe tentativat e saj janë dhjetravjeçare.

Postuar: 25/05/2019 - 07:10

 Zbardhen të tjera detaje mbi zhvillimet politike gjatë regjimit komunist.

Postuar: 22/05/2019 - 07:07

Dalin në dritë të tjera detaje mbi zhvillimet gjatë instalimit të regjimit komunist.

Postuar: 19/05/2019 - 07:47

Italia ka shkaktuar mbi 3 miliardë franga ari dëme gjatë pushtimit në Shqipëri.

Postuar: 18/05/2019 - 07:25

Dalin në dritë të tjera detaje sa i takon situatës në Shqipëri gjatë vitit 1946.