Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet sekrete, ja si nisi më 1946 beteja mes SHBA dhe BRSS për Shqipërinë, Enver Hoxha izoloi zyrtarët amerikanë, zbardhet letra për anëtarësimin në OKB

Postuar: 11/05/2019 - 07:06

Zbardhen të tjera detaje mbi zhvillimet në Shqipëri pas ardhjes në pushtet të komunistëve. Përmes disa shkresave të deklasifikuar nga DASH, tregohet se si SHBA dhe Bashkimi Sovjetik nisën një betejë mes tyre sa i takon ndikimit në Shqipëri. Po ashtu jepet dhe një letër që Hoxha dërgoi në OKB, ku kërkonte anëtarësimin tonë atje.

Tiranë, 21 dhjetor 1945

Përfaqësuesi në Shqipëri (Jacobs) për sekretarin e shtetit: Sipas burimeve të konsideruara të besueshme Major Gjeneral Mehmet Shehu që sapo është kthyer nga Moska, i ka raportuar sa më poshtë kabinetit shqiptar: Moska deklaron se Shqipëria nuk do të marrë dëmshpërblim lufte nga Italia prandaj këshillon regjimin të konfiskojë të gjitha pronat private italiane në Shqipëri; Moska pret që regjimi në pushtet në Shqipëri të lejojë shfrytëzimin e burimeve minerale dhe të naftës nga sovjetikët; Pronat private italiane në Shqipëri janë vetëm ato të kompanive të shërbimeve inxhinierike e teknike, të cilat shqiptarët nuk kanë me se t’i zëvendësojnë. Aktiviteti i tyre mbikëqyret tashmë nga komisarët e pushtetit ndërsa konfiskimi i tyre do të ishte vetëm formalizim i veprimit, përveç rastit kur pronarët italianë dhe punonjësit do të dëbohen. Mesazhi i Shehut mund të jetë baza e ekonomike e marrëveshjes së kërkuar nga sovjetikët sipas së cilës shfrytëzimi i burimeve shqiptare do të kompensojë ndihmat sovjetike.

Londër, 26 Janar 1946

Përfaqësuesi në OKB (Stettinius) për sekretarin e shtetit: Në një telegram të Gjeneral Hoxha për Presidentin dhe zv Presidentët kërkohet pranimi i Shqipërisë në OKB. Njoftimi është kaluar së fund i nga delegacioni jugosllav. Këshilli Sigurimit do të diskutojë të premten nëse çështja shqiptare duhet të futet në axhendë. Britanikët na kanë kërkuar jo vetëm çështjen shqiptare për dhe për pranimin e anëtarëve të tjerë të rinj dhe ne kërkojmë udhëzimet e Departamentit për të proceduar. Më poshtë kemi telegramin të Kolonel Gjeneral Enver Hoxha, për krerët e Asamblesë: “Shkëlqesisë së tyre Presidentit dhe zv. Presidentëve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Londër; Me rastin e hapjes së sesioni të parë të Asamblesë së OKB që shënon një fazë të rëndësishme në historinë e njerëzimit dua t’ju informoj për dëshirën e qeverisë demokratike të Shqipërisë për të treguar vlerësimin dhe për t’u bashkuar në këtë organizatë të bashkëpunimit të kombeve për qëllimet fisnike të paqes, sipas rregullave të kushtetutës së saj. Në aplikimin e saj për anëtarësim, qeveria demokratike e Shqipërisë është e bindur se Asambleja e Përgjithshme i njeh dhe i vlerëson sakrificat e bëra nga populli shqiptar kundër fuqive të Aksit, dhe do të pranojë kërkesën. Në të njëjtën kohë dua të deklaroj për llogari të qeverisë se vendi ynë është i gatshëm të marrë të gjitha përgjegjësitë që vijnë nga anëtarësia në Kombet e Bashkuara. Ju shpreh në emër të popullit shqiptar dhe Shqipërisë urimet më të ngrohta për punën e organizatës për të mirën e njerëzimit”.

Tiranë, 29 Janar 1946

Përfaqësuesi në Shqipëri (Jacobs) për sekretarin e shtetit: Kemi disa sinjalizime që tregojnë për qëndrim jo-miqësor të regjimit të Shqipërisë ndaj SHBA dhe ndryshime të rëndësishme që po ndodhin brenda qeverisë. Pas studimit të të gjitha informacioneve të gjindshme, situata përmblidhet si më poshtë:

1.      Ka rritje gjithnjë e më shumë të prestigjit të sovjetikëve në Shqipëri. Legata sovjetike është krijuar dhe drejtohet nga ambasadori Chuvakhin, sekretari i parë Pavlov-Razigraev, sekretari i dytë Ivan-Ivanov dhe atasheu ushtarak Nicolai-Grishin. Ambasadori dhe dy sekretarët flasin anglisht dhe kanë me vete gratë e tyre. Misioni ushtarak sovjetik ka tre oficerë, një kolonel, major, kapiten, dy prej të cilëve kanë gratë me vete. Përveç kësaj ka disa punonjës të tjerë sovjetikë ndërsa i gjithë misioni ka zënë pesë shtëpi dhe ndërtesa. Zyrtarët ushtarakë rusë shihen shpesh në vende publike me zyrtarë dhe ushtarakë shqiptarë gjatë pushimeve në parlament ose në vende të tjera për takime informale. Në Tiranë ka gjithashtu një numër rusësh që supozohet të jenë teknikë, por nuk dihet me siguri çfarë funksioni kanë. Thuhet se disa qindra prej tyre do të vijnë për të zëvendësuar stafin e dëbuar ose larguar italian. Këto janë vetëm zhurma por është e sigurt që personeli sovjetik po rritet.

2. Një tjetër zhvillim i dukshëm është dëbimi i misioni italian të drejtuar nga Turcato dhe marrjen e plotë të bizneseve dhe aseteve italiane përfshi dhe shtëpitë e tyre. Ky zhvillim përkon me udhëzimin e përmendur në komunikimin tim të cilin e ka sjellë Shehu nga Moska. Gjeneral Shehu që prej kthimit nga Moska po kujdeset për punën edukative dhe indoktrinimin e oficerëve dhe studentëve ushtarakë.

3. Ka nisur një lëvizje e qartë jo vetëm për eliminimin e klerit katolik me kombësi italiane por dhe për ndalimin aktiviteteve fetare katolike si shkollat, jetimoret, të cilat po mbyllen. Gjithashtu hapa janë marrë hapa për të kufizuar aktivitetin e komuniteteve të tjera fetare si ato ortodokse, Bektashi e muslimane.

4. Krijimi i legatës sovjetike duket se ka reduktuar prestigjin që kishte më parë legata jugosllave e cila nuk është më në qendër të vëmendjes edhe se ndoshta ato bashkëpunojnë prapa skene.

5. Brenda qeverisë ka një grup ekstrem radikal ekstrem pro jugosllav-sovjetik që po përpiqet të modifikojë Kushtetutën sipas linjave sovjetike. Kjo ka provokuar reagime nga disa prej radikalëve më të moderuar, por të cilët mbeten në minorancë dhe pritet të humbasin. Ky debat ka sjellë arrestime të një grupi opozitar me anëtarë si Kokoshi e Asllani, ndërsa raportohet se në veri të vendit ka luftime mes grupeve komuniste dhe atyre opozitare.

6. Kështu që pozita jonë është përkeqësuar me njëfarë ftohjeje të mirësjelljes që ka ekzistuar më parë dhe me injorimin e kërkesave tona për hyrje të bashkëshortes së përfaqësuesit Marinschak, për komunikimet në lidhje me vendndodhjen e mirëqenien e qytetarëve amerikanë si dhe me heshtjen e plotë mbi çështjen e traktateve të mëparshme, edhe pse kopjet e tyre më në fund iu dorëzuan Hoxhës më 16 janar. Këto kulminuan pasditen e 28 janarit kur të gjithë punonjësve e ndihmesave të huaj të Misionit, që paguhen nga qeveria, përfshi edhe Meno, iu njoftua të largohen nga vendi brenda 15 shkurtit. Këtu përfshihet dhe Rudolph Marinschak i punësuar prej vitesh nga qeveria jonë në mbrojtjen e pronave tona gjatë kohës së pushtimit.

Moskë, 1 shkurt 1946
Përfaqësuesi në Bashkimin Sovjetik (Kennan) për sekretarin e shtetit: Motivet e përshkruara në komunikimet e Jacobs për Departamentin tregojnë qartë se kush po e komandon lojën në Tiranë, prandaj unë mendoj të sugjeroj se nëse duhet të tregojmë rezistencë ndaj lëvizjeve për dobësimin e influencë së misionit tonë, duhet të veprojmë shpejt dhe me energji, duke dënuar çdo detaj të trajtimit që e konsiderojmë të papranueshëm. Prandaj bëhuni gati të protestoni menjëherë dhe me vendosmëri, me masa që janë të papëlqyeshme për regjimin shqiptar. Nëse mjetet e tjera të presionit nuk funksionojnë, ne nuk duhet të hezitojmë as nga mundësia e largimit të misionit, nëse nuk na jepet mundësia të punojmë me efektivitetet dhe nëse trajtimi konsiderohet i pasjellshëm. Këto rekomandime mund të duken ekstreme por unë mund të siguroj Departamentin se nuk ka njerëz që janë më të ndjeshëm ndaj çështjes së “fytyrës” sesa rusët që punojnë prapa skene në Shqipëri. Nëse ne veprojmë shpejt dhe me vendosmëri, këta persona mund ta gjejnë veten objekt kritikash nga vetë eprorët e tyre për veprime impulsive ose të ekzagjeruara. Nëse ne vazhdojmë ta bëjmë evidente se çdo lëvizje kundër nesh do të gjejë kundërshtim të ashpër, ndoshta rifitojmë trkatimin pozitiv. Por nëse pranojmë ngacmimet e vogla, ose ngaqë duken tepër të vogla ose për të ruajtur marrëdhëniet e mira, këto ngacmime do të rriten në mënyrë progresive dhe rezultati final mund të jetë që misioni ynë të bëhet krejt i paefektshëm.

 

Tiranë, 4 shkurt 1946

Përfaqësuesi në Shqipëri (Jacobs) për sekretarin e shtetit: Teksa lidhjet tona po përkeqësohen dhe prestigji sovjetik rritet, më poshtë janë zhvillimet, konkluzionet e rekomandimet e fundit:

1. Që prej takimit me Hoxha më 31 janar në lidhje me punonjësit e huaj, nuk kam dëgjuar më prej tij, por emrat e të gjithë punonjësve italianë janë shpallur për largim në kamp. Emri i Marinschak nuk ka dalë kështu që supozohet se Hoxha dhe autoritetet nuk duan të tregojnë më shumë nga sa sinjalizohet.

2. Shtypi dhe radio vazhdon kritikat indirekte ndaj SHBA. Në një program të së dielës në radio vihej në lojë emërimi i Stettinius në krye të OKB teksa komentatori tha se arsyeja e mundshme që OKB nuk e njeh Shqipërinë është se ka dëgjuar se shqiptarët “hanë njerëz”. I njëjti komentator vinte në lojë agjencinë tonë në Caserta duke thënë se kishte sjellë “bretkosa” (për automjetet) për të vrarë “qen”. Në edicionin e të dielës së Bashkimi me një ton serioz shprehej keqardhja e popullit shqiptar se amerikanët dhe britanikët po i jepnin azil neo-fashistave në Itali si Kadri-Cakrani e Xhelal Staraveci të cilët kanë kryer masakra në Tiranë në shkurt 1944. Personat e përmendur janë dy nga tre kriminelët më të kërkuar të luftës në Shqipëri ( Xhafer Deva?] i treti) të cilët Brig. Hodgson kishte rekomanduar më herët të dorëzoheshin te Shqipëria

3. Dallohet reduktim i ndjeshëm i vizitave në misionin tonë nga shqiptarë miqësorë, dhe sipas fjalëve që na kanë rënë në vesh, disa prej tyre janë paralajmëruar të qëndrojnë larg, ndërsa të tjerë kanë frikë prej fushatës mediatike kundër Britanisë dhe SHBA. Megjithëse misionet kanë qenë edhe më parë nën mbikëqyrje ajo tashmë është përforcuar.

4. Vazhdojnë kufizimet e vendosura ndaj anëtarëve të stafit tonë. Të gjitha lejet e kalimit për rrugën drejt Durrësit u anuluan në dhjetor dhe nuk janë rinovuar. Të shtunën, duke dalë në kodrat e Tiranës, Robinson, atasheu britanik i shtypit u arrestua nga ushtarët dhe pasi e çuan në seli e paralajmëruan të mos dilte më nga qyteti. Nëse jepen leje për udhëtim atëherë shoqërohen nga një partizan.

5. Duke komentuar për hapjen e çantave diplomatike të përfaqësuesit italian Turcato gjatë largimit të tij, gazeta Bashkimi argumentonte se autoritetet shqiptare mund të hapin çantat diplomatike për të përcaktuar nëse ka dokumente armiqësore ndaj Shqipërisë ose mallra kontrabandë. Kjo është e rëndësishme pasi një ditë rregulli mund të aplikohet kundër nesh.

6. Shumë nga revistat e fletushkat tona informative dhe ato të britanikëve nuk është vënë në shfaqje dhe dyshojmë se nuk do të lejohet të qarkullojë.

7. Ka lëvizje të konsiderueshme ushtarake në Tiranë dhe rreth saj, veçanërisht nga ana veriore. Këto mund të jenë manovra të udhëzuara nga oficerët rusë që janë tashmë këtu. Por mund të jetë dhe për të frikësuar forcat opozitare që janë në numër më të madh nga ana veriore.

8. Numri i rusëve në vend vazhdon të rritet dhe thuhet se deri tani kanë arritur në 300.

9. Ka një heshtje të dukshme në shtyp dhe radio mbi problemin e shqiptaro-grekëve dhe fjalimin e Bevin.

10. Deportimi i italianëve vazhdon. Besohet se do të largohen të gjithë përveç disa personave me njohuri teknike që do të mbahen deri në ardhjen e zëvendësimeve jugosllave ose sovjetike.

Jacobs

 

Tirana, 8 shkurt 1946

Përfaqësuesi në Shqipëri (Jacobs) për sekretarin e shtetit: Pranoj me kënaqësi rekomandimet e 1 shkurtit, pasi nëse nuk protestojmë me energji kundër autoriteteve sovjetike që disa ditë pas njohjes së një shteti ballkanik i ngjeshin atij në fyt ideologjinë e tyre, ndërsa me anë të kukullave të tyre nisin programin e frikës e hakmarrjes kundër të gjithë opozitarëve duke zhdukur çdo atribut të shtetit të lirë e demokratik. Mund të presim pa frikë se autoritetet Sovietike do të ndjekin të njëjtën linjë si në Rumani e Bullgaria e madje në Kore. Jam i sigurt se ajo që ka ndodhur këtu në një periudhë të shkurtër prej 6 javësh ka transformuar atmosferën e dashamirësisë dhe frymës demokratike të kohës së zgjedhjeve më 2 dhjetor, në një regjim të frikës e dyshimit që po imponohet ndaj qeverisë e popullit nga një grup i vogël komunistësh që janë bërë njësh me Moskën, edhe pse shumica e qeverisë nuk i simpatizon ato por i kanë duart e lidhura. Megjithëse mund të ndërmarrim veprime, qasja fillestare duhet të jetë ajo e mirësjelljes prej detyrimeve të marrëveshjes së Jaltës, ose vetëm të shprehjes së habisë për transformimet që po ndodhin në lidhje me fluksin e sovjetikëve dhe të armatimeve të tyre, duke kërkuar informacion për atë që po ndodh. Koha është thelbi i kësaj qasjeje. Nëse dhe në kohën që ne të bëjmë qasjen tonë, Moska do të reagojë me habi dhe do të mbrojë pafajësinë e saj ndërsa ne do të insistojmë se diçka nuk po shkon si duhet pasi legata sovjetike është hapur dhe ambasadori sovjetike duhet të takohet me mua dhe ambasadorin britanik për këmbimin e pikëpamjeve sipas detyrimeve të Jaltës dhe Potsdam, për të verifikuar nëse qeveria po ndjek kursin e vërtetë demokratik. Ky veprim që në fakt është dytësor ka dy aspekte: së pari ai lidhet me njohjen dhe së dyti me misionin tonë këtu. Në lidhje me njohjen ne kemi pritur përgjigjen në lidhje me çështjen e traktateve pasi prej 16 janarit kemi dërguar të gjitha kopjet e traktateve. Siç kemi sinjalizuar ne ndjehemi të sigurt se nuk do të marrim përgjigje deri sa kjo të vendoset nga Jugosllavia dhe përgjigja e saj do të jetë identike me atë të Shqipërisë. Sido që të jetë unë jam i bindur se ngjarje të tilla që tregojnë për drejtimin dhe kontrollin sovjetik në vend, sjellin nevojën që herët e vonë ne të kërkojmë qartësime të qëllimeve të tyre dhe garanci për respektimin e minoriteteve. Situata e misionit tonë është delikate dhe e paqëndrueshme. Ne jemi këtu për të studiuar kushtet dhe për hartimin e raportit dhe sipas marrëveshjes me Hoxhën, jemi një agjenci tranzicioni që pret të kthehet në një mision diplomatik. Jam i sigurt se autoritetet këtu, sidomos ato që janë më armiqësore ndaj nesh, e njohin statusin tonë të paqartë prandaj kufizojnë aktivitetet tona. Kjo sjellje frymëzohet nga sovjetikët pasi është shumë e huaj për mikpritjen e njohur të shqiptarëve. Nuk ka dyshim se autoritetet janë treguar të pasjellshme ndaj misionit tonë prej mesit të dhjetorit saqë tashmë nuk është çështja nëse jam një person non grata për ta, por nëse SHBA do të lejojë që përfaqësuesi i tyre të trajtohet pa respekt për të dhe misionin e tij. Prandaj besoj se duhet të marrim në konsideratë mbylljen e misionit me iniciativën tonë ose me kërkesën e autoriteteve këtu, në të dyja rastet një zhvillim për të ardhur keq. Nëse vendosim mbylljen atëherë ka dy alternativa: e para, mbyllja duke lënë pronat në ngarkim të britanikëve, ose e dyta tërheqja e personelit përveç Fultz, Stevens e Nicholas të cilët të lihen për të kaluar mesazhet mes nesh dhe autoriteteve këtu. Gjithsesi asnjë nga këta persona nuk dëshiron të mbetet këtu pasi situata duket e keqe. Ky mund të jetë shansi i fundit për t’u miqësuar me popullin e vogël punëtor që vuajti keqtrajtimin 300 vjeçar të pushtimit otoman, të intrigave jugosllave e italiane, të ndjekura nga pushtimi italian e gjerman, e që tani përballet me shfrytëzimin nga frika e terrori i sovjetikëve imperialistë.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 26/05/2019 - 08:23

Pretendimet territoriale nga Greqia nuk janë aktuale. Prej shumë vitesh Athina ka kërkuar që të marrë jugun e Shqipërisë dhe tentativat e saj janë dhjetravjeçare.

Postuar: 25/05/2019 - 07:10

 Zbardhen të tjera detaje mbi zhvillimet politike gjatë regjimit komunist.

Postuar: 22/05/2019 - 07:07

Dalin në dritë të tjera detaje mbi zhvillimet gjatë instalimit të regjimit komunist.

Postuar: 19/05/2019 - 07:47

Italia ka shkaktuar mbi 3 miliardë franga ari dëme gjatë pushtimit në Shqipëri.

Postuar: 18/05/2019 - 07:25

Dalin në dritë të tjera detaje sa i takon situatës në Shqipëri gjatë vitit 1946.