Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Gjyqet ndaj “armiqve” të partisë, CIA zbardh të fshehtat e procesit ndaj Koçi Xoxes, nga përplasja me Hoxhën, te akuzat për lidhje me jugosllavët

Postuar: 01/11/2019 - 07:15

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit komunist. Sipas raportimeve që janë bërë pranë CIA nga informatorët shqiptarë, janë treguar detaje mbi disa persona që janë burgosur nga sistemi. Në një dokument voluminoz, CIA tregon me detaje rrëfimin e një funksionari të partisë dhe që ka qenë pjesë e luftës, pa përmendur emrin. Në numrin e sotëm, ai tregon detaje nga gjyqi kundër Koçi Xoxes. Aty tregohen të fshehtat e akuzave ndaj tij.

31 janar 1957

Raport Partia e Punës

(Vijon nga numri i kaluar)

Periudha e katërt e gjyqeve politike nis në 1949 domethënë pak më vonë prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, e cila dominohet nga një gjyq i madh, ai kundër Koçi Xoxes dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë. Gjyqi u drejtua nga Bedri Spahiu. Të pandehur të tjerë përveç Xoxes ishin Pandi Kristo, Vasko Koleci, Vango Mitrojorgji, Nuri Huta, Niko Opari. Ky gjyq ishte një kopje e gjyqeve të Rajkut në Hungari, të Kostovit në Bullgari ose të Slansit në Çekosllovaki. Gjyqet kishin një karakter të theksuar anti-Tito. Gjyqi i Koçit ishte në një kuadër më të ngushtë, ndërsa gjyqi i Rajkut në Hungari ose Kostovit paraqiste Titon si agjent anglo-amerikan. Në gjyqin e Xoxes, Tito nuk përmendet fare, por përmenden anëtarë të partisë jugosllave si ish-ambasadori në Shqipëri, Velimir Stoiniç. Ky ishte një gjyq i Jugosllavisë më tepër se një gjyq ndaj Titos, ku dënohet kolonizimi i Shqipërisë dhe mungesa e pavarësisë. Pra kjo periudhë karakterizohet nga goditjet ndaj imperializmit jugosllav dhe jo atij amerikan.

Pra gjyqi kundër Koçi Xoxe në aspektin ndërkombëtar drejtohet kundër Jugosllavisë dhe agjentëve të titizmit në Shqipëri e jo ndaj imperializmit amerikan e britanik. Ai u shoqërua më vonë nga gjyqe kundër teknikëve të hekurudhave, ku u dënuan shefa të stacioneve apo teknikë hekurudhash, të akuzuar se kishin sabotuar sipas udhëzimeve të agjentëve jugosllavë. Ky gjyq u zhvillua në Durrës dhe i pandehuri kryesor e ndihmësi i tij u dënuan me vdekje.

Periudha e pestë e gjyqeve nis nga viti 1950 deri në fillim të 1954 dhe ka si karakteristikë kurdisjen e akuzave ndaj të pandehurve jo si agjentë të një fuqie por të të gjitha fuqive “armike” pra dhe të Jugosllavisë dhe të Greqisë, të SHBA dhe Anglisë. Të pandehurit këtu janë vetëm kukulla për të treguar se spiunazhi amerikan ka mobilizuar të gjithë armiqtë e popullit duke angazhuar edhe Romën edhe Beogradin edhe Athinën. Këtë frymë politike kanë gjyqet si ai i Et’hem Çakos dhe grupit të tij të lëshuar me parashutë në Shqipëri nga Italia; gjyqi i Esat Toptanit dhe shokëve të tij të ardhur në Shqipëri, disa nga Franca, disa nga Greqia e disa nga Jugosllavia; gjyqi i Hamit Matjanit i ardhur në Shqipëri nga Greqia, disa nga Gjermania Perëndimore e disa nga Egjipti. Të gjitha gjyqet u zhvilluan me bujë shumë të madhe dhe publicitet që kalonte çdo kufi. Kryetar i këtyre gjyqeve speciale ka qenë Shuaip Panariti dhe prokuror Siri Çarçani. Përveç imperializmit amerikan, këto gjyqe synonin të godisnin dhe emigracionin shqiptar (Komiteti Shqipëria e Lirë) duke e paraqitur jo si organizatë politike, por si agjenturë të thjeshtë spiunazhi. Pra më tepër se gjyqe ligjore ato ishin fushata propagande politike jo në plan kombëtar, por ndërkombëtar. Edhe në këtë rast Tirana ndjek orientimin e dhënë nga Moska në sferën ndërkombëtare. Ky orientim ishte paraqitja e SHBA si fuqi ndërhyrëse në punët e brendshme të demokracive popullore, me mjete agresive, domethënë me dërgime spiunësh, diversantësh, sabotatorësh etj., të rekrutuar nga vetë ata dhe të futur në Shqipëri nga Greqia, Jugosllavia, Italia, sipas planeve të koordinuara nga Uashingtoni. Nuk di ç’të them më gjatë për këtë pikë, sa për periudhën që pason vitin 1954, domethënë dy vitet e fundit nuk di gjë sepse ndodhem në Greqi prej atëherë.

Përshkrimi i çështjes Koçi Xoxe

Kësaj pyetjeje i jam përgjigjur disa javë më parë, por sidoqoftë përmend disa të dhëna të kufizuara. Këtë çështje do ta ndaj në katër pika.

Periudha e parë përfshin kohën prej formimit të partisë në nëntor 1941 deri në pragun e çlirimit të Shqipërisë, pra deri në Konferencën e Beratit në tetor 1944. Periudha e dytë përfshin kohën deri në Plenumin e 8 të Partisë në pranverë 1947. Periudha e tretë përfshin kohën nga këtu deri në Plenumin e XI në gusht 1948 dhe periudha e katërt deri në vdekjen e tij në maj 1949.

Koci Xoxe në periudhën e parë është vetëm sekretar organizativ i partisë dhe njeriu numër 2 i saj, pas Enver Hoxhës. Gjatë kësaj kohe ai nuk është akuzuar për asnjë gabim ose faj, por prej atëherë ishte njeriu që gëzonte besimin më të madh të jugosllavëve. Kjo sidomos me largimin e Popoviç, i cili preferonte Enver Hoxhën, ai mori përkrahjen e Velimir Stoiniç, që zëvendësoi Miladinin.

Pika e dytë nis në plenumin e Beratit ku kryesia jugosllave akuzon udhëheqjen e partisë shqiptare e sidomos Enver Hoxhën për gabime në orientimin politik sidomos në lidhje me organizatat e Ballit dhe Legalitetit (gabime të deviacionit të djathtë). Njeriu që e bëri këtë kundër Komitetit Qendror ishte Koçi Xoxe dhe siç u tha më vonë ai e bëri me sugjerimet e Velimir Stoiniç. Madje ky i fundit organizoi prapa shpinës së Enver Hoxhës një grup të veçantë të Komitetit Qendror të PKSH. Ky grup përbëhej nga Koçi Xoxe, Sejfulla Malishova e Nako Spiru. Velimiri raportohet të ketë thënë me këta persona se Enveri nuk është i përshtatshëm për të udhëhequr Partinë Komuniste Shqiptare prandaj duhej zëvendësuar. Sipas këtij rekomandimi Koçi Xoxe bëri kritikat ndaj Hoxhës në Berat dhe kjo dobësoi pozitat e Hoxhës dhe forcoi ato të Koçi Xoxes. Nga ky moment Xoxe me mbështetjen e Velimirit forcon pozitat, por humbet aleatë, siç ishte Sejfulla Malishova i cili u përjashtua nga Komiteti Qendror dhe më vonë dhe Nako Spiru, i cili u bashkua me grupin e Enverit dhe nisi të shprehë pakënaqësi për mënyrën si po e trajtonin Shqipërinë njerëzit e Beogradit. Pozita e Nakos në parti dhe influenca e tij e bënin lojën e Koçit dhe të jugosllavëve të vështirë. Prandaj udhëheqja jugosllave e Beogradit përgatiti në pranverën e vitit 1947 një goditje të plotë kundër Hoxhës dhe Nako Spirut, duke përdorur në këtë rast njeriun e tyre, Koçi Xoxe. Kjo goditje u dha në Plenumin e 8-të të Partisë, ku nis dhe pika e tretë e politikës së Xoxes.

Në plenumin e 8-të të PKSH Komiteti Qendror i partisë jugosllave akuzon elementin intelektual të PKSH se nuk i shikon me sy të mirë regatat Tiranë-Beograd, se ka bërë gabime të djathta në politikën ekonomike, ka ndikuar që të fuqizohet elementi intelektual në parti në dëm të elementit punëtor. Këto akuza ia solli Komitetit Qendror Velimir Stoiniç me udhëzime nga Beogradi dhe u përkrahën nga i gjithë fronti i Koçi Xoxes. Ky i fundit sipas sugjerimeve të Beogradit shkoi edhe më tej duke akuzuar në mënyrë indirekte Nako Spirun, se mund të jetë i lidhur me fuqitë imperialiste. Ai akuzoi gjithashtu se në krye të Komitetit Qendror nuk duhet të jetë një intelektual nga shtresat pasanike siç ishte Enveri, por një proletar i ardhur nga shtresa punëtore (siç ishte Koçi Xoxe) dhe u hodh prrulla: “Udhëheqja e partisë është bërthama proletare e Komitetit Qendror”. Kuptohet që Komiteti Qendror kishte shumë elementë të lidhur me miqësi personale me Koçi Xoxen, që ishin me origjinë punëtore dhe në këtë kohë Koçi si ministër i Brendshëm organizon një seri gjyqesh ku implikon sipas planit të tij elemente që më vonë kërkon t’i përdorë kundër Nako Spirut, Mehmet Shehut, Enver Hoxhës etj. Ai shkon edhe më tej duke organizuar gjurmimin e Bedri Spahiut, Liri Belishovës, Nako Spirut, Mehmet Shehut etj. Në një atmosferë të tillë Nako Spiru vret veten, gjë të cilën Koçi e përdor për të forcuar pozitat e tij duke thënë se me vetëvrasjen konfirmohet vërtetësia e akuzave të tij në Plenumin e 8-të të Partisë. Vetëvrasja e Nakos dobësoi pozitat e Enverit, mbështetësit e të cilit si Bedri Spahiu, Mehmet Shehu, Liri Belishova, Beqir Balluku etj. ishin izoluar dhe kishin humbur forcën në avantazh të mbështetësve të Koçi Xoxes (që ishin Kristo Themelko, Pandi Kristo, Nesti Kerenxhiu, Xhorxhi Blushi etj.) Situata ishte e tillë, që parashikohej se grupi i Xoxes do të jepte së shpejti një goditje të re që do të eliminonte Enver Hoxhën dhe mbeturinat e mbështetësve të tij nga udhëheqja. Por pikërisht në këtë kohë dalin letrat e Partisë Bolshevike Sovjetike për dënimin e Titos dhe përjashtimin e Jugosllavisë nga Kominform që i dha Enverit një ndihmë të papritur për të vepruar dhe për t’u hakmarrë ndaj Koçi Xoxes, duke shpëtuar pozitat dhe kokën e tij.

Tamam në kohën kur Koçi Xoxe ishte në vigjiljen e triumfit, fati e bën të falimentojë dhe në Plenumin e XI-të të Partisë vendos të mbajë anën e Bashkimit Sovjetik në vend të Beogradit.

Nga këtu, domethënë gushti i vitit 1948, nis faza e katërt me falimentimin e planit jugosllav që u zbatua në Shqipëri nga Koçi Xoxe. Enveri e paraqet veten si kundërshtar të Beogradit (në fakt kundërshtari i vërtetë i Beogradit ishte Nako Spiru) kur në fakt ishte vetëm një neutral në çështje. Enveri merr meritat e Nako Spirut si kundërshtar i hershëm i Beogradit dhe shpëtimtar i partisë, dhe nga ky moment pozitat e Koçit në parti barazohen me zero. Mbështetësit e tij izolohen politikisht dhe Xoxe akuzohet për tradhti ndaj partisë e popullit. Bashkë me të akuzohet dhe krahu i djathtë i tij Pandi Kristo, e me radhë Vaskë Koleci (drejtor i Sigurimit), Kristo Themelko (ministër i Luftës), Nesti Karenxhi (kreu i Komisionit të Planifikimit) dhe persona të tjerë të dorës së dytë si Vangjo Mitrojorgji, Nuri Huta, Niko Opari etj. Me pushkatimin e Koçi Xoxes në maj 1949, merr fund çështja Koçi Xoxe në kuptimin e ngushtë. Për hollësira më të gjera shih përgjigjen e mëposhtme.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/11/2019 - 07:14

Amerikanët kanë hedhur të tjera detaje mbi zhvillimet gjatë regjimit komunist.

Postuar: 13/11/2019 - 07:11

Shërbimi amerikan i CIA ka deklasifikuar të tjera dokumente për Shqipërinë.

Postuar: 12/11/2019 - 07:10

Amerikanët kanë hedhur sërish dritë mbi zhvillimet në sistemin komunist.

Postuar: 09/11/2019 - 07:09

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 08/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 05/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit