Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Historia e Pal Mëlyshit dhe dyshimet për vrasjen e tij në 12 prill të vitit 1950

Historia e Pal Mëlyshit dhe dyshimet për vrasjen e tij në 12 prill të vitit 1950

Postuar: 15/02/2014 - 11:12

Ai ishte një i ri 23 vjeçar kur shprehu dëshirën për të lënë gjithçka dhe për t’u “arratisur”. Në një takim me vetë Ministrin e Punëve të Brendshme të asaj kohe, Mehmet Shehu si dhe në prezencën e Kadri Hasbiut, etj., Pal Mëlyshi kërkoi të përfshihej në bandat e "Komitetit të Maleve" për t’i shërbyer Sigurimit të Shtetit. Kërkesa e tij ishte miratuar dhe nën pseudonimin “Furtuna” ai do të shërbente deri në 12 prill të vitit 1950, kur dhe u vra pas një rrethimi nga forcat e ndjekjes. Vëllai i tij, Lek Nikoll Mëlyshi rrëfen historinë e vërtetë rreth Pal Mëlyshit, si u rekrutua ai në forcat e Sigurimit të Shtetit, e njëkohësisht në bandat e maleve... 
 
*Kush është Pal Mëlyshi 
 
Pal Nikoll Mëlyshi lindi në lagjen Serrisht të Rrëshenit, me datë 15 prill 1926, me arsim të mesëm, profesional, me profesion agronom i mesëm dhe nëpunës... Në kohën kur brigadat partizane erdhën në krahinën e Mirditës, Pali u lidh me to, fillimisht si udhërrëfyes dhe informues duke dhënë informacione mbi forcat e armikut, e më pas është inkuadruar partizan në brigadën e 7-sulmuese dhe ka marrë pjesë në çlirimin e Shënpalit, Gëziqit, Shkodrës, Reçit dhe me kërkesën e Bardhok Bibës është kthyer në Shënpal të Mirditës. Aty u emërua në komandën e vendit me detyrë Intendent i rrethit, Mirditë. Që në aktivin e parë të rinisë së rrethit është zgjedhur Sekretar i Rinisë Komuniste. Me rekomandim të Bardhok Bibës është pranuar kandidat partie me 5 janar 1945 dhe anëtar i Partisë Komuniste në prill 1945. Në pranverën e vitit 1946 u dërgua në një kurs 3-mujor partie në shkollën e Dakës, në Kodër Kamëz Tiranë dhe me mbarimin e tij në fillim të korrikut u transferua në nënprefekturën e Koplikut me detyrë sekretar i II i Komitetit të Partisë së rrethit. Në pranverën e 1946, Pali është transferuar në Komisionin e Planit të Shtetit me detyrë ekonomist dhe pas gjashtë muajsh u transferua në Mirditë me detyrë Shef i agit-propit në Komitetin e Partisë së Rrethit. 
 
“Arratisja”
 
Në fillim të vitit 1949 u transferua në Komitetin e Partisë në Shkodër me detyrë shef për ekonominë ku shërbeu deri në fillim të shtatorit të po këtij viti. Në këtë kohë, me kërkesën e tij Pal Mëlyshi është “arratisur”. Ai ka vepruar në bandat e armatosura duke bashkëpunuar me organet e Sigurimit të Shtetit derisa me datë 12 prill 1950 ra heroikisht në krye të detyrës. Me datë 4 shkurt 1956, Pal Mëlyshi me dekret ligjin nr. 2405 u dekretua me titullin “Hero i Popullit”, dekret që u shpall pas 13 muajsh me datë 5 mars 1957...
Pal Mëlyshi i takonte botës së re dhe duke arritur shumë shpejt të krijonte një botëkuptim të qartë për rrugën që duhej të ndiqte u përgatit e u kalit si revolucionar i paepur e konseguent deri në fund të jetës së tij. Ai nuk i ka fshehur asnjëherë idetë dhe pikëpamjet e tij. Në një takim me Ministrin e Punëve të Brendshme të asaj kohe, Mehmet Shehu si dhe në prezencën e Kadri Hasbiut, Ilmi Seitit e Rasim Dedës, Pali parashtroi kërkesën e tij për tu futur në bandat e armatosura si dhe synimet e tij, legjendën e arratisjes e të depërtimit në to etj. Për ruajtjen e sekretit të punës, Pali zgjodhi pseudonimin “Furtuna”. Që e kishte jetën të shkurtër në këtë mision, Pali e kishte të qartë që në fillim. Këtë ai e ka shprehur edhe në vjershën e tij si më poshtë:
 “Por ata që ikën e shkuan të rijt’ e tyre nuk e gëzuan”...
 
Rrethimi në Ujë-Lurth të Mirditës 
 
 Ishte fillimi i muajit prill 1950. Ndihej kudo era e pranverës që po vinte. Kudo të zinte syri blerim e në livadhe e lëndina kishin çelur petalet, lulet shumëngjyrëshe. Pranvera kishte ardhur me të gjitha shenjat e saj. Ditët e Pashkëve, me datë 10 e 11 prill, çeta e Kthellës i kaloi për bukuri në pyllin e Ujë-Lurthit, me raki, meze e ushqime që u kishin dhënë fshatarët e vendit. Ato dy ditë kishin pasur edhe 2 mysafirë nga çeta e Kurbinit si Luk Përzefin dhe Ndue Lalën. 
 Sapo errësira e natës mbuloi vendin, dy mysafirët kërkuan leje për tu larguar se do të shkonin në çetën e tyre në Kurbin. Iu ngarkua Pal Mëlyshit, detyra e përcjelljes së tyre për ti nxjerrë nga kufiri i krahinës së Kthellës. Të tre së bashku u nisën për rrugë. Pasi kaluan lumin e Matit e hynë në fshatin Gallatë të Malit të Bardhë – Kurbin, Pali është kthyer duke përshkuar përsëri rrugën nga kishte ardhur e kur ka mbërritur në Ujë-Lurth kishte filluar të agonte dita. Pasi ai u kthye përsëri në çetën e Kthellës, ishte tepër i lodhur nga rruga e largët dhe e vështirë e menjëherë ra të pushonte. Në këtë kohë po ngushtohej rrethimi i çetës nga forcat e shumta të ndjekjes. Roja i kësaj çete, Preng Brozi, konstatoi rrethimin dhe dha alarmin. Prenga dhe një pjesëtar tjetër i çetës gjetën një shteg të pa zënë mirë dhe me pak vështirësi munden të çajnë dhe të largohen, ku Prenga u plagos e u kap pas disa kohësh. Gjashtë të tjerët zunë pozicionet e tyre për luftim. Pas një beteje të ashpër mbeten të vrarë të gjashtë e në mes tyre edhe Pal Mëlyshi. 
 
Varrimi 
 
Të gjashtë kufomat janë sjellë tek mani i Lal Ndreut, aty ku ndodhet sot Muzeu dhe janë ekspozuar për gjithë ditën. Udhëtarët dhe banorët përreth Rrëshenit vinin dhe i shihnin ata . Ato hidhnin sharje dhe ofendime në adresë të tyre duke i thënë kriminelë, të poshtër etj. Por më tepër nga të gjithë këta, ofendonin Palin duke i thënë se pse tradhtove Bardhok Bibën, kriminel etj. Një kuadër me rëndësi në Komitetin e Partisë së Mirditës iu afrua kufomës së Palit e i tha: “Edhe i vdekur ke vënë buzën në gaz” dhe e ka qëlluar me shkelm në kokë. Në çast ka reaguar energjikisht i nderuari Sotir Vaso duke thënë se mirditorët nuk e kanë zakon për të ofenduar dhe keqtrajtuar kufomat. Po të jesh i zoti, hajde e merr pjesë në luftën që bëjmë me ta atje në mal. Në muzgun e datës 12 prill 1950 me porosi të Sotir Vasos, ka shkuar në breg të përroit të Zmesë, punëtori i Ndërmarrjes Komunale të Rrëshenit i quajtur Hysni, i cili ka hapur një gropë dhe pasi janë sjellë aty gjashtë kufomat janë hedhur brenda në të, duke lënë trupin e Palit sipër të tjerëve. Hysniu ka prerë disa degë e ua ka hedhur sipër kufomave. Dy oficerë të Degës së Punëve të Brendshme kanë shkuar tek shtëpia e kushëririt tonë Ndrek Zefit, që ndodhej aty afër dhe e kanë marrë këtë si një ndër Mëlyshët më të vjetër duke e sjellë tek gropa, e pasi kanë larguar degët, kanë ndriçuar gropën me një elektrik dore dhe e kanë pyetur Ndrekën se cilët janë këta dhe a i njeh. Ky u është përgjigjur se ai që është mbi të tjerët është Pal Mëlyshi. Oficerët e kanë pyetur edhe një herë se kush është ky dhe a e njeh mirë? Ndreka u ka thënë se e kam djalin e kushëririt tim dhe e njoh mirë se ky është Pal Mëlyshi. Aty pranë gropës ishte e ndalur një makinë ushtarake e mbuluar me mushama dhe në këtë kohë e kanë marrë me një barrelë kufomën e Palit, e kanë vendosur në këtë makinë dhe e kanë sjellë në Tiranë. Këto veprime janë kryer në mes të natës. Pas sjelljes në Tiranë, i janë bërë të gjitha shërbimet e duhura, qethje, krehje flokësh, ndërrim i veshmbathjeve etj., dhe i është shpalosur flamuri kombëtar në gjoks e është fotografuar. Të nesërmen me datë 13 prill është vendosur në arkivol dhe është përcjellë për tek Varret e Bamit. Aty është varrosur me ceremoni në heshtje ku janë fotografuar pjesëmarrësit në varrim si: Kolonel Rexhep Kolli, Ibrahim Dervishi dhe tre oficerë të tjerë të degës së Bandave në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit. Brenda në arkivolin e Palit është futur një shishe qelqi bosh me pseudonimin e shkruar të Palit: “Furtuna”.
 
Kush është e vërteta 
 
Në vitin 1956, në muajin qershor unë jam thirrur dhe çuar në zyrën e Kryetarit të Degës së Punëve të brendshme të Vlorës ku ishte i pranishëm edhe Kolonel Rexhep Kolli etj. (Unë bashkë me nënën time Davën dhe vëllain tim Franin jetonim në Pusin e Mezinit në Vlorë ku punonim në Ullishten e Vlorës deri në mars të 1957. Aty ishim me statusin e të dëbuarve pasi u liruam nga internimi shumëvjeçar i kampeve famëkeqe të Tepelenës, Lezhës, Beratit, Lushnjes etj.) 
Pra siç shkrova më lart, isha bërë problem deri në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit për shkak të veprimtarisë time armiqësore kundër regjimit pasi zhvilloja agjitacion e propagandë. Kolonel Rexhep Kolli që e dinte njëkohësisht edhe punën e Pal Mëlyshit ka anulluar propozimin e arrestit duke e refuzuar atë dhe ka ardhur në Vlorë ku bëri këshillimin tim, duke më porositur të mos flisja më kundër regjimit, sepse Pali ishte dëshmor i pashpallur dhe se nuk do të vononte shumë akoma për tu legalizuar puna dhe aktiviteti i tij në shërbim të atdheut. 
Me datë 4 mars 1957, me një xhip të Degës së Punëve të Brendshme Vlorë, kemi ardhur unë, nënë Dava dhe Frani në Ministrinë e Punëve të Brendshme ku na kanë pritur Zv/Ministri Gjeneral Mihallaq Ziçishti dhe tre gjeneralë të tjerë; Qazim Kondi, Halim Xhelo e Xhule Çiraku.
 Në muajin janar 1960 u emërova referent në Degën e Parë të Drejtorisë së Sigurimit të shtetit ku punonte Fadil Pineti. Ky, pasi erdhi në zyrë e m’u prezantua më tha se mora vesh që je vëllai i Pal Mëlyshit. Po, i thashë unë. Ai më tregoi se në fillim të muajit mars 1957 i ishte ngarkuar detyra e gjetjes së varrit të Palit tek Varret e Bamit, ku i ishte dhënë skica e varrit. I kishin thënë se në arkivolin e Palit i ishte futur një shishe qelqi ku ishte shkruar pseudonimi i Palit “Furtuna”. Pas kësaj i kemi marrë eshtrat e Palit një e nga një, i kemi pastruar e vënë në një arkivol të vogël të cilin e lamë në sallën e mbledhjeve në Drejtorinë e Punëve të Brendshme, Tiranë tek Selvia që më pas do të rivarrosej në Rrëshen tek Varrezat e Dëshmorëve të Mirditës. 
 
Është shkruar nga autorë inkompetentë se kufoma e Pal Mëlyshit dhe e pesë të vrarëve të tjerë me 12 prill 1950 janë lënë tek mani i Lal Ndreut për 10 dite rresht deri sa aty janë dekompozuar aq sa nuk njiheshin më. Kjo dhe shumë thënie të tjera nuk janë aspak të vërteta. 
“E vërteta duhet të përsëritet shpesh që gënjeshtra të mos besohet”; ka thënë Gëte. 
 Në tregun e fjalëve qarkullojnë dy mendime të pabaza si: 
1- Pal Mëlyshin e vrau udhëheqja e Ministrisë së Punëve të Brendshme duke përmendur edhe ish Ministrin Mehmet Shehu me shokë, nga frika se mos Pali zbulonte veprimtarinë e tyre armiqësore
2- Vrasja e Palit mbetet akoma mister. 
 
Instancat më të larta që vlerësonin veprimet e “Furtunës” e të tjerë ishin Rexhep Kolli, Kadri Hasbiu, Mehmet Shehu. Instanca te tjera sipër këtyre që të merreshin me punët agjenturore nuk ka patur. Kush tjetër përveç Kadri Hazbiut do të paraqiste propozimin dhe faktet e argumentet në Presidiumin e Kuvendit Popullor për shpalljen e Pal Mëlyshit hero? 
II – Vrasja e Pal Mëlyshit nuk është e vërtetë që është akoma mister. Ajo është reale dhe e dokumentuar me prova të pakontestueshme. 
 Ai, Pal Mëlyshi, Hero i Popullit u vra për neglizhencë, (mospjesëmarrje) të oficerëve të Sigurimit të Degës së Punëve të Brendshme të Mirditës në rrethimin e bandës me 12 prill 1950 në Ujë-Lurth. Ata e kishin për detyrë që të shkonin në vendngjarje dhe ta nxirrnin Palin nga rrethimi. Për këtë neglizhencë e papërgjegjshmërie humbi jetën në moshën 23 vjeçare i lavdishmi Pal. 
Pal Melyshi si bir i një familjeje të madhe me besë, nder, burrëri e trimëri nuk bëri ndonjë gjë që s’ia kishin bërë të parët e tij... 
 
 Homazh 
 
... Pali ishte dëshmor, e dëshmorët e atdheut janë yje, e yjet nuk janë as blu, as të gjelbër e as të kuq, por janë fanarë që ndriçojnë lart, të paarritshëm e të pashuar. Janë yje në qiellin e lirisë të këtij vendi në pluralizëm, në lirinë e fjalës, të mendimit të lirë ku çdo njeri ka diçka që i përket, ose ia lanë trashëgim të parët e tij... 
 Ashtu si pema hedh rrënjët thellë në tokë edhe heroizmi në histori ka hedhur rrënjët e veta, veç këto rrënjë janë vaditur me gjak trimash. Për trimat nuk mund të flasim ne, por vetëmohimi e vetëflijimi i tyre, flet ideali që ata i përkasin. Ne jemi të vegjël përpara tyre dhe nuk mundemi dot t’u heqim as t’u shtojmë asgjë se ata e thanë vetë fjalën e tyre, pra na mbetet veç ti nderojmë e ti lartësojmë për heroizmin e pamatë dhe veprën e tyre legjendare. Ne duhet të jemi krenarë për ta pafundësisht...
 Lavdi dëshmorëve të atdheut! *Marrë nga libri: “Krahina e Kthellës dhe bajraktari Gjon Mëlyshi”, shkruar nga Lek Nikoll Mëlyshi 
 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/02/2019 - 07:05

Ishte Kongresi i Partisë Komuniste të Rumanisë në qershor 1960, vendi i planifikuar nga Shqipëria

Postuar: 13/02/2019 - 07:16

CIA ka treguar se si Shqipëria ishte kthyer në atraksion të shërbimeve inteligjente.

Postuar: 10/02/2019 - 07:41

 Dalin në dritë të tjera detaje mbi lëvizjet e shërbimit inteligjent amerikan gjatë regjimit

Postuar: 09/02/2019 - 09:00

Agjencia Qendrore e Zbulimit amerikan, CIA ka dhënë një kontribut të paçmueshëm në përpjekjet për