Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Incidenti në zyrën e ministrit të Brendshëm, gazetarit iu drejtua arma në kokë

Postuar: 29/08/2018 - 08:43

NJË GAZETAR PARA KOBURES SË QEVERISË

Në fillim të shtatorit 1928, kur Shqipëria sapo ishte shndërruar në mbretëri dhe Presidenti Ahmet Zogu ishte shpallur Mbret, në Tiranë ndodhi një incident.

Konstandin Çekrezi, profesor filozofie që drejtonte gazetën Telegraf, pati një grindje me ministrin e drejtësisë Hiqmet Delvina, i cili u irritua aq shumë saqë e kërcënoi me revolver. Ngjarja ndodhi në zyrat e ministrisë së brendshme, ku në ato çaste gjendej edhe Kryeministri Koço Kotta, i cili i ndali dorën Delvinës.

Arsyeja e grindjes ishte se në një editorial të Telegrafit, 36-vjeçari Çekrezi kishte sharë qeverinë, duke e quajtur “një kabinet të përkohshëm.”

Nuk vonoi dhe qeveria e mbylli gazetën.

Kostë Çekrezi, nga Ziçishti i Korçës, ishte një burrë i ditur me diplomë Harvardi. Ai kishte shkuar në Tiranë në fillim të viteve 1920 nga Uashingtoni, ku kishte shërbyer rreth dy vjet si komisioner i Shqipërisë (ambasador pa akreditim zyrtar) dhe ku kishte dhënë lëndën e historisë në Universitetin Kombëtar. Ishte edhe autor i librit në anglisht për historinë e Shqipërisë Albania Past and Present, botuar në Nju Jork në 1919.

Ëndrra e Çekrezit ishte të përhapte në Shqipëri parimet amerikane të lirisë së shtypit; ai kërkonte një gazetari të lirë nga censura e qeverisë.

Menjëherë pas mbylljes së gazetës Çekrezi i dërgoi telegram agjencisë së lajmeve Associated Press në Vjenë, të cilën e njoftonte për aktin e qeverisë dhe thoshte se jeta e tij ishte në rrezik.

Të njëjtën ditë ai shkoi në Legatën e SHBA në Tiranë, ku kërkoi strehim politik me arsyen se kishte shërbyer për një kohë si jurist i emëruar nga Prokurori i Përgjithshëm amerikan për të ndërmjetësuar blerjen e truallit të ndërtesës së re të Legatës, aty ku sot ndodhet ambasada amerikane.

Ministri fuqiplotë i SHBA në Tiranë, Charles Hart, i tha se nuk mund ta ndihmonte dot. Ai e mori Çekrezin mënjanë dhe në një bisedë miqësore i kujtoi këshillën që i kishte dhënë më parë se, nëqoftëse do të përpiqej me çdo kusht të menaxhonte në Shqipëri një gazetë sipas idealeve të tij amerikane, do të përfundonte pas hekurave ose do të flakej në rrugë.

Në fakt, rebeli Çekrez ishte shumë përpara kohës së tij. Ai u arrestua dhe gjykata e Tiranës e dënoi me një vit burg, megjithëse sipas atyre që e dëgjuan në sallën e gjyqit ai u mbrojt mjaft mirë dhe me elokuencë. Sipas ministrit amerikan Hart, kur Çekrezi u arrestua, Kryeministri Koço Kotta donte që kundërshtari i tij të ndëshkohej me ekzekutim, siç ishte vepruar një vit më parë me dy bullgarë dhe një shqiptar që ishin dënuar me varje, edhe pse provat kundër tyre nuk kishin qenë bindëse.

Kryeministri Kotta dhe ministri Delvina ishin ata që e ndienin veten më të fyer në këtë histori. Dhe ja sepse. Kur Çekrezi deklaronte në editorialin e tij se qeveria e Kottës sipas ligjit ishte e përkohshme, ai kishte përdorur për kabinetin shqiptar shprehjen frëngjisht “Cabinet de Service”. Ministri fuqiplotë i Italisë në Tiranë, Ugo Sola, i shkoi në zyrë Kryeministrit Kotta, të cilit i tha se Çekrezi e kishte fyer rëndë qeverinë, sepse “Cabinet de Service” në shqip përkthehej “nevojtore”. Kryeministri nuk dinte frëngjisht dhe u irritua shumë pas asaj që i tregoi Sola. Aq i zemëruar ishte saqë nuk donte t’i dëgjonte fare ministrat e tjerë të kabinetit që i thoshin se Çekrezi nuk e kishte përdorur shprehjen në kuptimin e nevojtores.

Çekrezi bëri vetëm tre javë burg dhe u fal nga Mbreti Zog nga mesi i tetorit 1928.

Por rebeli mbeti rebel. Në vitin 1932, ai u burgos përsëri për pjesëmarrje në një kryengritje kundër Mbretit, u arratis në Itali, kaloi në Francë dhe përfundoi përsëri në SHBA.

Kostë Çekrezi vdiq në Arlington pranë Uashingtonit në vitin 1959.

(Dokumentet janë nxjerrë nga arkivi amerikan)/ Nga Ilir Ikonomi, gazetar i VOA-Zëri i Amerikës

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 16

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 26/09/2018 - 07:15

Amerikanët kanë zbardhur detajet e operacioneve të vitit 1955 për rrëzimin e regjimit komunist.

Postuar: 25/09/2018 - 07:17

CIA ka nxjerrë në dritë të tjera informacione sa i takon zhvillimeve në Shqipërinë Komuniste.

Postuar: 23/09/2018 - 07:33

CIA ka treguar detaje nga përplasjet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik më 1992 sa i takon mar

Postuar: 22/09/2018 - 07:12

CIA kishte menduar të gjitha alternativat për të rrëzuar regjimin komunist.

Postuar: 21/09/2018 - 07:11

CIA amerikane ka pasur të dhëna të plota sa i takon zhvillime të Shqipërisë gjatë periudhës komun

Postuar: 20/09/2018 - 09:27

Në vitin 1947 CIA paralajmëroi se mund të krijohej Federata Ballkanike dhe Shqipëria të ishte pje

Postuar: 19/09/2018 - 07:18

Për amerikanët, komunistët erdhën në pushtet përmes dredhive.