Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ja furtuna që solli në qeverinë shqiptare prishja e marrëdhënieve me Kinën, Enver Hoxha spastrime masive ministrash

Postuar: 22/09/2019 - 07:47

Prishje  marrëdhënieve me Kinën solli furtunë në qeverinë shqiptare të asaj kohe. “New York Times” ka shkruar dhjetra artikuj, ku tregohet se shumë ministra u larguan nga detyrat. Sipas saj, shumë largime ndodhën për shkak të ftohjes së marrëdhënieve me Kinën. 

 

4 maj 1976

Spastrimet e ministrave lidhen me rënien e asistencës kineze

Shqipëria, vendi i izoluar evropiano-lindor aleat vetëm me Kinën, po kalon trazira të brendshme politike që me shumë gjasa janë të lidhura me zvogëlimin e asistencës ekonomike kineze, sipas zyrtarëve amerikanë të specializuar në çështjet shqiptare. Duke theksuar se ka pasur ndalim të zhvillimit ekonomik të Shqipërisë në vitet e fundit, zyrtarët amerikanë thonë se kjo rrethanë ka shkaktuar kërkesë për zgjerim të lidhjeve të jashtme të vendit, përtej mbështetjes te Kina. Kreu 66 vjeçar komunist Enver Hoxha, ka reaguar ndaj situatës së dy viteve të fundit me të tjera spastrime të zyrtarëve. Fushata e fundit u njoftua në një fjalim të tij të enjten në Tiranë. Zyrtarët amerikanë thonë se nuk dihet sesa ndihmë ka dhënë Kina për Shqipërinë që prej prishjes së saj me Bashkimin Sovjetik në 1960, por llogaritet se është më shumë se 100 milionë dollarë në vit. Kontrata e fundit ekonomike mes dy vendeve u nënshkrua në 1975, por shumat nuk u publikuan. Edhe zyrtarët e spastruar së fundmi nga Hoxha, duke përfshirë dhe një numër ministrash të kabinetit, kishin të gjithë lidhje me ekonominë. Vëzhguesit amerikanë ka në përjashtuar mundësinë e diskutuar nga diplomatët evropianë, se Hoxha është ende duke luftuar elementët pro-sovjetikë në parti. “Nuk besoj se kanë mbetur më zyrtarë shqiptarë pro‐sovjetikë. Ata vetëm janë të pakënaqur me atë që po marrin nga Kina. Ata janë pro-shqiptarë por të lodhur me Kinën dhe duan asistencë nga Perëndimi apo tjetërkund”, tha një zyrtar. Javën e kaluar Hoxha njoftoi spastrimin e ministrit të Bujqësisë Piro Dodbida dhe atë të Arsimit Thome Deljana. Mes atyre të shkarkuar më parë është dhe kreu i planifikimit ekonomik Abdyl Kellezi. Zyrtarët amerikanë besojnë se është domethënëse që Hoxha publikoi javën e kaluar shkarkimet në lidhje me pritjen për punëtorët kinezë që ndërtojnë kombinatin metalurgjik në Elbasan. Hoxha foli aty për ndihmën madhore ndërkombëtare të Pekinit dhe “miqësinë e pandashme” të Shqipërisë me Kinën. Ai foli gjithashtu për “armikun e brendshëm” ndërsa në lidhje me spastrimet tha se “këta tradhtarë duan të sabotojnë ndërtimin e socializmit dhe të dëmtojnë miqësinë tonë me motrën Kinë, për ta kthyer vendin në bllokun e Bashkimit Sovjetik”. Në fakt zyrtarët amerikanë i kanë hedhur poshtë supozimet për spastrime të elementëve pro-sovjetikë dhe komentet e Hoxhës i kanë quajtur tentativë mjegullimi. Ata thonë se spastrimi i fundit i elementëve pro-sovjetikë në Shqipëri ka ndodhur me eliminimin e ministrit të Mbrojtjes Beqir Balluku dhe një numër ndihmesash të tij në forcat e armatosura në 1974. Balluku kishte qenë aleat i ngushtë i Hoxhës që prej vitit 1941 por kishte gjithashtu lidhje të ngushta me Lin Piao, ministrin kinez të Mbrojtjes që u vra në aksident ajror në 1971 pas një tentative të dështuar grushti shteti kundër Mao CeDun. Prej atëherë, specialistët amerikanë thonë se Hoxha “e ka mbyllur Shqipërinë nga brenda” duke shtuar kufizimet me botën e jashtme, përveç Kinës. Zyrtarët amerikanë thonë se ngërçi ekonomik i Shqipërisë koincidon me atë që përshkruhet si rritje e zhgënjimit politik me Hoxhën e Shehun. Të dy udhëheqësit nuk kanë qenë mirë me shëndet së fundmi dhe studiuesit amerikanë sugjerojnë se mund të ketë përplasje mes udhëheqësve të rinj për pasuesit e tyre të mundshëm.

 

8 korrik 1976

Shqiptarët dërgojnë urime të vonuara për Pekinin

Udhëheqësi komunist shqiptar Enver Hoxha, ka dërguar urime të vonuara për kryetarin e ri të partisë kineze Hua Kuofeng, ku thoshte se dy vendet do të përpiqen së bashku në luftën kundër SHBA dhe BRSS. Një mesazh i shkurtër nga Hoxha u publikua nga agjencia zyrtare shqiptare e lajmeve, që ishte i ngjashëm me ato të dërguara atje nga vende të tjera miqësore komuniste. Vonesa e mesazhit reflektonte shqetësimin e Shqipërisë për atë që konsiderohet si eklipsim i fraksionit të majtë të udhëheqjes së Pekinit, me ardhjen në pushtet të krahut të Kuofeng. Shqipëria nuk ka komentuar mbi luftën dramatike për pushtet pas vdekjes së Mao Ce Dung dhe analistët amerikanë besojnë se një kthesë e mundshme e Pekinit, në një pozitë më të moderuar, do të dëmtonte shumë pozitën e Hoxhës në Shqipëri dhe në lidhje me Kinën. Marrëdhëniet mes dy vendeve janë ftohur vitet e fundit që kur Kina ka nisur politikën e afrimit me SHBA, si kundërpeshë ndaj Bashkimit Sovjetik. Mesazhi i Hoxhës i kujtonte Hua “miqësinë e madhe militante dhe bashkëpunimin vëllazëror” mes Shqipërisë e Kinës. Ai bëri thirrje për luftë të përbashkët kundër imperializmit amerikan, social-imperializmit sovjetik dhe revizionizmit e reaksionit modern.

 

2 nëntor 1976

Udhëheqësi shqiptar kërkon më pak varësi materiale nga Kina

Kreu komunist shqiptar Enver Hoxha, ka sinjalizuar se do të nisë të kërkojë më pak mbështetje dhe varësi ideologjike e materiale nga Kina. Hoxha i sugjeroi politikat e reja në fjalimin e hapjes së kongresit të shtatë të Partisë Komuniste të premten në Tiranë. Sipas Agjencisë Telegrafike Shqiptare ai ka thënë se “partia dhe populli ynë shprehin mirënjohje të thellë për partinë e popullin kinez për mbështetjen dhe ndihmën e tyre të çmuar. Gjithsesi, me gjithë rëndësinë e saj të madhe, faktori i ndihmës së jashtme internacionaliste është vetëm një element ndihmës dhe suplementar, e jo një faktor përcaktues”. Ai shtoi se është vitale për Shqipërinë që vendi të përqafojë parimin e mbështetjes në forcat e veta. Kongresi mbajti një minutë heshtje për vdekjen e Mao CeDung, i cili u përshkrua më tej si “Udhëheqës i madh i popullit kinez dhe mik i dashur i popullit shqiptar”. Hoxha nuk bëri lavdërime për udhëheqjen e re të Pekinit nën Hua Kua‐feng, dhe në perëndim kanë nisur spekulimet se Tirana anonte nga fraksioni i majtë i udhëheqjes kineze, që tashmë është spastruar. Kinezët nuk kanë dërguar një delegacion në kongresin e partisë shqiptare, por Hua dërgoi një mesazh për kongresin ku thuhej se miqësia shqiptaro-kineze “nuk mund të dëmtohet kurrë.” Hoxha ka refuzuar gjithashtu hapjet e fundit të Moskës për përmirësim të marrëdhënieve. Ai ka denoncuar sovjetikët dhe udhëheqësit evropiano-lindorë se po i hapin rrugë rivendosjes së kapitalizmit.

Shqipëria mbetet sfiduese

14 nëntor 1976

Siç e di mirë dhe presidenti Ford tashmë në Evropën Lindore janë dy vende që nuk varen nga dominimi sovjetik. Njëra është Jugosllavia e cila është studiuar gjerësisht nga perëndimorët që pas Luftës II Botërore dhe është vizituar nga miliona turistë perëndimorë gjatë dekadës së fundit, të cilët kanë thënë për të se është një nga shoqëritë komuniste më të hapura. Shteti tjetër në fjalë është Shqipëria, i cili është më pak i studiuari, dhe nga shoqëritë më të mbyllura në Evropë, prandaj dhe ruajtja e pavarësisë kombëtare për të është diçka e pazakontë. Shqipëria ka qenë subjekt i çdo lloj presioni aneksimi nga grekët, jugosllavët e italianët gjatë këtij shekulli. Ndërhyrjet e fuqive të mëdha (Franca, Austro‐Hungaria) e kanë zbutur presionin në vitet e hershme. Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore Shqipëria e gjeti veten nën dominimin jugosllav, por më pas kaloi në dominimin sovjetik pas vitit 1948. Me mënyrat e saj dhe me ndihmën e pazakontë të Kinës së largët, udhëheqja e Enver Hoxhës qëndroi si shtet i pavarur në vitet 1960-të pa toleruar asgjë ndaj fqinjëve të saj apo ndaj formës demokratike të jetës perëndimore. Shqipëria ishte i vetmi vend evropian që bojkotoi Konferencën e Sigurisë e Bashkëpunimit në Evropë dhe samitin e saj në Helsinki. Si, pse ndodhi kjo apo ku do të çojë, mund të jetë subjekti i një libri interesant, por duhet shumë studime për të zgjidhur çështje si karakteri “ilir” i shqiptarëve, pasojat e përzierjes së feve islame, katolike e ortodokse, apo dhe ndarjeve mes gegëve në veri dhe toskëve në jug, këta të fundit dominues nën regjimin e Hoxhës. Faktorë të tjerë të zhvillimit janë rreth 1 milionë shqiptarë përtej kufirit verior në Jugosllavi, zhvillimi i plotë i marrëdhënieve të vendit me Kinën, karakteri elitist i udhëheqjes komuniste të vendit dhe përplasjet brenda asaj hierarkie. Një studim i tillë do të ishte i vështirë dhe në rastin më të mirë jo vetëm prej barrierës gjuhësore por dhe prej Sigurimit, policisë sekrete të Hoxhës që e ka mbajtur vendin më të varfëruar të Evropës të izoluar hermetikisht. Shumica e atyre që dimë është nënkuptuar nga dokumentet jugosllave e sovjetike, nga studiues perëndimorë si R. V. Burks, William Griffiths e Paul Lendvai, por kushtet kryesore për këtë si liria e lëvizjes dhe e fjalës së lirë, nuk ekzistojnë. Mungesa e një studimi serioz për Shqipërinë nuk mbushet me shkrimet e tyre, të cilat japin teorinë shtetërore sipas dogmës së Hoxhës. Ato bazohen në një vizitë në Shqipëri në shtator 1968, dhe një tjetër në 1974. Por në asnjërën prej tyre autorët nuk kanë arritur t’i shmangen guidave turistike shqiptare të Sigurimit, drejtorëve komunistë të muzeumeve, kryetarëve të kooperativave bujqësore dhe të rinjve heroikë që ndërtojnë hekurudhat e rrugët. Autoritetet shqiptare u kanë dhënë atyre dokumente me fjalimet e Hoxhës e të Stalinit. Këndvështrimi i autorëve është admirues, jo për ashpërsinë e shqiptarëve por për “socializmin e vërtetë” që ata përpiqen të ndërtojnë, siç thonë ata vetë, në krahasim me revizionizmin e titistëve e sovjetikëve, apo ‘imperializmin amerikan’ (autorët i përdorin shpesh këto terma, madje pa i vënë fare në thonjëza).

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/10/2019 - 07:37

Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste të arratisur jashtë vendit, CIA ka treguar të tjera detaje nga themelimi dhe organizmi i saj i brendshëm.

Postuar: 19/10/2019 - 07:05

 Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste të arra

Postuar: 18/10/2019 - 07:09

Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste, CIA ka tregu

Postuar: 17/10/2019 - 07:13

Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste, CIA ka tregu

Postuar: 16/10/2019 - 07:07

Në vijim të numrit të kaluar, gazeta po tregon të tjera detaje nga rrëfimi që një prej ish-anëtar

Postuar: 15/10/2019 - 07:19

CIA amerikane ka deklasifikuar një dokument tepër voluminoz, ku jepen detajet e të dhënave që rap

Postuar: 13/10/2019 - 07:44

CIA ka treguar detaje mbi mënyrën se si rekrutonte agjentë në vendin tonë.