Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ja gjendja e arsimit dhe shëndetësisë gjatë sistemit komunist, në universitet shkonin të afërmit e zyrtarëve, zbardhen qëndrimet e Hoxhës dhe Shehut

Postuar: 22/04/2018 - 09:14

Gjatë periudhës komuniste arsimi dhe shëndetësia rilindën. Historiani amerikan James S O’Donnel ka nxjerr të tjera fakte si i takon pushtetit të Hoxhës në librin e tij: “A coming of age Albania under Enver Hoxha”. Një kapitull i është kushtuar shëndetësisë dhe arsimit, ku tregohet se gjatë Ahmet Zogut niveli i arsimit ishte në nivel minimale ndërsa gjatë komunizmit pati një zhvillim shumë të lartë.

Arsimi e shëndetësia

Para luftës së Dytë Botërore Shqipëria ishte i vetmi vend në Evropë që nuk kishte universitet, pasi i pari që u hap në Shqipëri ishte në vitin 1957. Arsimi i lartë ishte dhe është i rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë, por fillimisht institutet e larta të studimit ishin vetëm një ëndërr. Në 1938 më shumë se 80 për qind e popullsisë së Shqipërisë ishin analfabetë, ndërsa në rajonet malore përqindja e tyre arrinte në 95 për qind. Në 1938 në Shqipëri kishte vetëm 643 shkolla. Me gjithë masat e “detyrueshme” për shkollimin fillor nga mbreti Zog, vetëm 25 për qind e fëmijëve në Shqipëri shkolloheshin, çka ishte dhe sistemi arsimor i trashëguar nga qeveria e Hoxhës, nëse mund të quhej i tillë. Nevoja për të përmirësuar nivelin arsimor të popullatës u bë prioritet për partinë e Punës. Vladimir Misja dhe Yli Vejsiu përmbledhin qëndrimin e partisë ndaj arsimit, në librin e tyre “Zhvillimi Demografik në Shqipëri”: “Zhvillimi i pandalshëm i revolucionit socialist, si një proces i gjatë dhe kompleks, kërkonte detyrimisht rritjen e nivelit arsimor e kulturor të popullatës, e cila luante rolin kryesor ne forcimin e bazës teknike e prodhuese, e si rrjedhim rritjen e standardit të jetesës së masave. Prej fillimit arsimi është konsideruar një mjet i fuqishëm në tejkalimin e prapambetjes së trashëguar, në rrugën drejt socializmit”. Lufta kundër analfabetizmit ishte një sulm me dy fronte për të mësuar shkrimin e këndimin ndaj të gjithë njerëzve nën 40 vjeç, si dhe krijimin e institucioneve arsimore për parandalimin e lindjes së gjeneratës së re të analfabetëve. Në shtator 1949 doli një ligj që detyronte të gjithë analfabetët nën 40 vjeç të merrnin mësime pasditeje në klasat e posaçme në fshatra e qytete. Hoxha nisi sloganin e tij të famshëm frymëzues që thoshte: “Për të ndërtuar na duhen njohuri dhe për njohuritë na duhet të mësojmë”. Partia shqiptare pretendonte se analfabetizmi ishte eliminuar te të rriturit shqiptarë në vitin 1955. Theksi që iu vu kësaj çështjeje nuk u zbut as pas eliminimit të analfabetizmit teksa arsimi mbeti një nga objektivat kryesorë afatgjatë të qeverisë. Qeveria besonte se arsimi i punëtorëve jo vetëm rriste efektivitetin e tyre por siguronte që analfabetizmi të mos përhapej në brezat e ardhshëm. Në vitet e Enver Hoxhës ka pasur padyshim një zhvillim të konsiderueshëm sa i përket arsimit dhe kjo shihet në rritjen e investimeve të shtetit sipas planeve të ndryshme pesë-vjeçare. Nga viti 1950 deri në 1970 numri i shkollave dhe i kopshteve ishte rritur më shumë se dhjetë herë në Shqipëri, në një kohë kur popullsia e vendit ishte rritur vetëm tre herë. Numri i kopshteve parashkollore ishte rritur më shumë se 100 herë në krahasim me vitin 1938. Një nga hapat e parë më të rëndësishëm të Shqipërisë në fushën e arsimit ishte reforma arsimore në 1946 që bënte të detyrueshëm arsimin fillor të të gjithë fëmijve. Në vitin 1963 nga 7 vjet, arsimi i detyrueshëm për fëmijët u bë 8 vjet. Ndërsa për trajnimin e mësuesve u hapën institucione arsimore dy-vjeçare që në vitet e para pas çlirimit, siç ishte instituti “Aleksandër Xhuvani” apo instituti i shkencave në 1047, instituti bujqësor në 1951, instituti Politeknik në 1951, dhe instituti Juridik në 1951. Kulminimi i arritjeve të qeverisë në fushën e arsimit ishte hapja e Universitetit të Tiranës më 16 shtator 1957. Statistikat e regjimit të Hoxhës për arsimin janë impresionuese; nga 0 shkolla 8-vjeçare në 1938 (vetëm 643 shkolla 4-5 vjeçare), në 1980 kishte më shumë se 1600. Numri i nxënësve e studentëve në Shqipëri në 1938 ishte rreth 56300 ndërsa në 1983 ishte rritur në 713 600. Numri i mësuesve u rrit nga rreth 1500 në 1938 në rreth 40 000 në 1983. Një tjetër provë për kujdesin e treguar nga qeveria komuniste ndaj arsimit ishte rritja në 25 për qind e popullatës që mund të arsimohej. Gjithashtu rritja e përfshirjes së grave në nivele gjithnjë e më të larta në arsim, vinte paralel me përfshirjen e tyre në të gjithë shtresat e shoqërisë gjatë regjimit të Enver Hoxhës. Gratë nuk mund të arsimoheshin sipas Kodit të Lekë Dukagjinit madje arsimimi i tyre konsiderohej i rrezikshëm pasi “mund të harronin” rolin e tyre në jetë dhe në familje.

Mundësitë për arsimim

Në 1978, 15 herë më shumë gra e vajza merrnin pjesë në shkollat tetë-vjeçare, në krahasim me 1938. Por megjithëse suksesin e arsimit gjatë kohës së Hoxhës, ne duhet të konsiderojmë dhe mangësitë e tij. Që të shkoje në universitet duhet të kishte lidhje partiake, ashtu si dhe për të zënë vende pune pas studimeve. Dr. Ilia Çoka i cili erdhi si emigrant në Cleveland në 1992 për studime të mëtejshme thotë se ishte viktimë e këtij procesi në bazë të lidhjeve partiake. Në një seri intervistash ai thotë se zbuloi se mundësia për të studiuar nuk vinte vetëm nga notat e mira por kryesisht me lidhjet familjare dhe partiake. Për shembull çdo të diplomuari i caktohej një punë pas mbarimit të shkollës, nga të cilat më të dëshiruarat ishin ato në Tiranë. Por këto i merrnin studentët me lidhje partiake ndërsa të tjerëve si Çoka i jepeshin detyra në fshatra të largët në veri të Shqipërisë. Ai kujton tetë vitet që kaloi atje duke e quajtur “Siberinë e tij”. “Nëse thoshe nuk dua të shkoj atje, ata thoshin ‘kush je ti që thua kështu?”, thotë Çoka. Roli i ideologjisë dhe i propagandës komuniste ishte një kufizim serioz në sistemin shqiptar, siç thuhet në një publikim zyrtar: Sistemi i arsimit në Republikën e Shqipërisë synon arsimimin e gjithanshëm të gjeneratës së re dhe përgatitjen e saj për të marrë pjesë aktive në ndërtimin e shoqërisë së re socialiste. Detyra e tij është ngulitja e të rinjve e të rejave me njohuri shkencore të natyrës marksiste-leniniste, me njohuri e aftësi profesionale, në frymën e patriotizmin socialist, në arsim të përgjithshëm moral, estetik e fizik”. Rrënjosja ideologjike e fëmijëve niste që në parashkollor, teksa direktivat e partisë thoshin se “fëmijët që në moshat 3 deri në 6 vjeç nisin zhvillimin mendor e fizik, prandaj duhet të pajisen me tiparet elementare të etikës komuniste, që më pas të jenë të gatshëm për shkollën”. Gjatë kohës së revolucionit ideologjik e kulturor të nisur në fund të 1966 u reklamuan iniciativa “spontane” të dala nga shkollat për studimin sistematik të dokumenteve të partisë dhe veprave të Enver Hoxhës. Ky i fundit dha një fjalim për rëndësinë e mësimin e njerëzve drejt krijimit të mendësisë komuniste: “Arsimi i njerëzve me moralin komunist është një nga gjërat më të rëndësishme. Ai që vjedh apo që thyen ligjet e shtetit, të partisë, ai që gënjen etj. nuk ka lindur i tillë, por ndërgjegjja e tij është dëmtuar nga morali borgjez. Prandaj detyra e partisë është te edukojë njerëzit e t’i riedukojë ata për parandalimin e degjenerimit të mëtejshëm he infektimin e të tjerëve. Është detyrë parësore e partisë të spastrojë mendjen e njerëzve nga të gjitha djallëzitë e trashëguara nga borgjezia. Ne i edukojmë njerëzit me moralin komunist me qëllim ndërtimin e socializmit e komunizmit, dhe për të kompletuar me sukses këtë ndërtim ne i arsimojmë ata ideologjikisht, moralisht, teknikisht në të gjitha fazat. Ku ndërtim ndjek ligjet bazë të Marksit, Engelsit, Leninit e Stalinit, që janë teoria bazë e cila duhet mësuar përmendësh nga çdo komunist. Studimi dhe asimilimi natyral i saj ka vështirësitë e saj, prandaj partia ka hapur shkollat dhe ka përgatitur librat dhe mësuesit e teorisë”.

Kufizimet

Një tjetër nga kufizimet e sistemit arsimor shqiptar ishte gjetja e mësuesve të përshtatshëm dhe kriteret e zgjedhjes së tyre. Normalisht në nivelet më të larta arsimore duhet të ishin mësuesit më të kualifikuar, por ideologjia kishte ngritur kokën e saj të shëmtuar jo vetëm mbi kurrikulën e studimit por dhe mbi zgjedhjen e mësuesve. Kjo ishte edhe më problematike në Shqipëri ku njerëzit vërtet të kualifikuar ishin shumë të paktë. Hoxha dhe partia zbatuan doktrinën e Karl Marks në librin “Tezat e Feuerbach” sa i përket doktrinës së zgjedhjes së mësuesve: “Doktrina materialiste thotë se njerëzit janë produkt i rrethanave të tyre prandaj njerëzit e ndryshuar janë produkt i rrethanave të tjera të fëmijërisë, të cilët nganjëherë harrojnë se vetë edukatori ka nevojë të edukohet”. Në fjalë të tjera, vetëm, mësuesi ideologjikisht i shëndoshë duhet të mësonte mendjet e impresionueshme të rinjve. Ndërsa ata më të kualifikuarit që kishin studiuar brenda ose jashtë vendit, mund të ishin produkt i shkollave imperialiste apo kishtare dhe mund të risjellin vlerat borgjeze nëpër shkolla. Ky “kërcënim” i ashpër për regjimin e Enver Hoxhës nuk mund të tolerohej nga organet vigjilente të partisë, prandaj mësuesit duhet të riedukoheshin me metodat socialiste të Marksit. Në një intervistë me profesorin e kimisë Kosta Koci tregohet masa e kontrollit të partisë ndaj institucioneve arsimore. Ai thotë se të gjithë librat e Kimisë duhet të kishin citime nga Enver Hoxha mbi ndonjë aspekt të shkencës, ose ndryshe nuk botoheshin. Prandaj me këto manifestime të mbështetjes për ideologjinë e Enver Hoxhës dhe partinë e punës, që depërtonin në çdo shtresë të arsimit shqiptar, shoqëruar me mësuesit “ideologjikisht korrekt” por më pak të kualifikuar, sistemi i arsimit kishte mangësi të thella.

Shëndetësia

Sistemi shqiptar i shëndetësisë është sigurisht nën-standard sipas specifikave perëndimore, por ashtu si në shumë sfera të tjera të jetës shqiptare kjo nuk duhet të shihet në lidhje me standardet ndërkombëtare por me vetë eksperiencën e kaluar shqiptare. Nëse shikojmë gjendjen e shëndetësisë shqiptare në vitin 1938, ajo ishte inekzistente. Para luftës së II Botërore në Shqipëri kishte e\vetëm një institucion të quajtur Drejtoria e Përgjithshme e Shëndetësisë, por kujdesi i saj ishte primitiv dhe shumë i kufizuar. Në vitin 1920 në Shqipëri kishte vetëm 51 doktorë, 25 farmaciste dhe 5 dentistë që kishin shkuar në universitet, ndërsa në 1938 numri i doktorëve kishte arritur në 102. Në 1939 llogaritet se në të gjithë Shqipërinë kishte 800 krevate spitali, ndërsa vdekjet foshnjore arrinin në 20-30 për qind dhe pritshmëria mesatare e jetës ishte 38 vjeç. Prandaj dhe sistemi i ri shëndetësor duhet të niste thuajse nga zero, dhe nuk kishte mundësi të avanconte në drejtim tjetër përveçse të përmirësohej. Megjithëse avancimet e sistemit komunist në shëndetësi, statistikat e arritjeve shpesh keq raportoheshin qëllimisht nga zyrtarët. Në një intervistë doktori shqiptar Ilia Çoka thotë se për shembull vdekjet foshnjore në vend raportoheshin në masën 2 % por në të vërtetë shifra arrinte diku te 10 për qind. Shifrat reale nuk raportoheshin nga zyrtarët pasi ata kërkonin emërime në poste më të mira, ose në raste të tjera prindërve të foshnjës së vdekur u thuhej të prisnin dy muaj për të denoncuar vdekjen, në mënyrë që të mos përshkruhej si vdekje foshnjore. Nëse fëmija i vdekur ishte mbi 1 vjeç atëherë nuk përfshihej në statistikat e foshnjave. Një nga statistikat që tregon për progresin e mjekësisë gjatë epokës së Hoxhës është numri i doktorëve për banorë; nga 1 doktor për rreth 8000 banorë që llogaritej në 1950, në 1983 llogaritej se kishte 1 doktor por çdo 583 banorë. Kjo rritje në numrin e doktorëve e dentistëve ishte edhe më impresionuese kur mendojmë se Shqipëria kishte një nga rritjet më të mëdha të popullsisë në Evropë. Para Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri kishte tre sëmundje kronike të përhapura thuajse në të gjithë vendin që ishin sifilis, malaria e tuberkulozi. Malaria ishte më e përhapura prej tyre dhe llogaritet të ketë prekur rreth 500 000 banorë, ose gjysmën e popullsisë së vendit. Malaria u çrrënjos nga vendi dhe në vitin 1985 qeveria raportoi se asnjë rast malarieje nuk ishte parë në vend prej 20 vjetësh. Kjo erdhi prej përmirësimit të procedurave mjekësore dhe gjithashtu si rezultat i punës për tharjen e kënetave. Sifiliz ishte një tjetër sëmundje e rëndë në Shqipëri që u pretendua të ishte zhdukur përgjithmonë. Sipas shifrave të qeverisë në vitin 1944 rreth 10 për qind e testeve rezultonin pozitive me sifiliz, ndërsa në 1959 shifra ishte ulur në 0.19 për qind. Tuberkulozi gjithashtu ishte kthyer në një sëmundje të kontrollueshme.

Deklarimet e Shehut

Një përshkrim i lavdishëm i bëhet sistemit shëndetësor shqiptar në një fjalim të Mehmet Shehut në 1979: “Shërbimi shëndetësor është falas për të gjithë dhe është shtrirë deri në fshatrat më të largëta. Në vitin 1960 ne kishim 1 doktor për çdo 3300 banorë, kurse në 1978 kemi 1 doktor për çdo 680 banorë me gjithë rritjen e madhe të popullatës. Rritja natyrale e popullsisë sonë është 3.5 herë më e lartë se mesatarja e vendeve të Evropës, kurse mortaliteti është 37 për qind më i ulët sesa në vendet e Evropës. Pritshmëria e jetesës është rritur nga 38 vjeç në vitin 1938, në 69 vjeç. Kjo do të thotë se çdo vit pritshmëria e jetës së popullit shqiptar rritet me 11 muaj. Kjo është çka socializmi bën për njeriun! A ka humanizëm më të lartë se humanizmi socialist, ku për 35 vjet dyfishohet pritshmëria e jetës së popullatës së një vendi?” Statistikat vendase tregojnë se numri i krevateve të spitaleve ishte rritur nga 86oo në vitin 1960, në 18 100 në vitin 1985, ndërsa numri i doktorëve për 1000 banorë ishte rritur për të njëjtën periudhë nga 3 në 17.2. Gjithsesi spitalet e ndërtuara nga autoritetet kishin kushte të rënda krahasuar me standardet evropiane ndërsa kishte ripërdorim të aparateve injektuese pas metodave të dyshimta të “sterilizimit”. Në një vlerësim të sistemit shqiptar të shëndetësisë, dr. Kastriot Melyshi i spitalit infektiv në Tiranë tha se gjatë regjimit të Enver Hoxhës Shqipëria kishte për herë të parë doktorë dhe infermierë për t’u kujdesur për popullin në të gjithë vendin. Melyshi ankpohej se doktorët në zona të largëta nuk kishin mundësi të zhvilloheshin profesionalisht dhe të arrinin potencialin e tyre si doktorë. Një nga aspektet negative të sistemit shëndetësor që doli në dritë gjatë fjalës së Melyshit ishin burokracitë e shumta për zhvendosjen e të sëmurëve nga zonat e thella drejt atyre qendrore.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 8

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/05/2018 - 07:27

CIA zbardh të tjera detaje nga marrëdhëniet e Shqipërisë komuniste me Bashkimin Sovjetik. Gazeta “SOT” zbardh pjesën tjetër të letrës që Partia Komuniste e BRSS u dërgonte përfaqësuesve të saj, ku kritikohej Enver Hoxha.

Postuar: 19/05/2018 - 08:20

Zbardhet pjesa e dytë e letrës së Komitetit Qendror Sovjetik, ku ju drejtohej gjithë anëtarëve dhe sulmohej Shqipëria.

Postuar: 18/05/2018 - 07:18

Në vitin 1962 Moska nisi luftën e hapur kundër Shqipërisë.

Postuar: 17/05/2018 - 07:39

CIA ka dhënë detaje mbi përplasjet Shqipëri-BRSS. Në vitin 1960 marrëdhëniet mes dy vendeve ishin në ditë më të zeza dhe kulmi arriti në konferencën e Moskës.

Postuar: 16/05/2018 - 07:20

CIA ka zbardhur të tjera detaje sa i takon komplikimit të marrëdhënieve të Shqipërisë Komuniste me Bashkimin Sovjetik.

Postuar: 13/05/2018 - 08:49

Amerikanët e kanë cilësuar Enver Hoxhën stalinist të thekur, ndërsa për Mehmet Shehun janë shprehur se ishte i shqetësuar për të ardhmen.