Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ja si CIA mblidhte informacione mbi çdo gjë që ndodhte gjatë regjimit komunist, nga kultura, te zhvillimi bujqësor dhe industrial në Shqipëri

Postuar: 03/11/2019 - 07:32

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit komunist. Sipas raportimeve që janë bërë pranë CIA nga informatorët shqiptarë, janë treguar detaje mbi disa persona që janë burgosur nga sistemi. Në një dokument voluminoz, CIA tregon me detaje rrëfimin e një funksionari të partisë dhe që ka qenë pjesë e luftës, pa përmendur emrin. Sot po tregojmë se si amerikanët kërkonin informacion për çdo gjë ndodhte në Shqipëri, nga kultura te bujqësia dhe industria.

 

 

31 janar 1957

Raport Partia e Punës

(Vijon nga numri i kaluar)

 

 

-Cilat janë veprat e ngritura sot nga pushteti komunist? Ç’rezultate ka arritur deri më sot ky regjim?

 

...Realizime të mira në kulturë (si sasi, jo në cilësi) ishin krijimi i grupeve artistike, nga ku përmend Teatrin e Shtetit (si grup artistik, jo si objekt material) pasi më parë Shqipëria nuk kishte grup teatral profesionist. Filarmonia e shtetit (si grup artistik, jo si objekt), ku përfshihen rreth 60-70 instrumentistë. Kjo është orkestra e parë simfonike në Shqipëri. Baleti i shtetit përfshin gjithashtu 40-50 të rinj e të reja, të cilët më tepër se dans klasik, bëjnë gjimnastikë suedeze. Por megjithatë ky grup ka vënë në skenë disa shfaqje klasike si “Esmeralda”, “Shatërvani i Bahçi Sarajt” etj. funksionon mirë si grup folkloristik. Estrada e shtetit përfshin maksimumi 40 vetë. Është njëfarë cirku në embrionet e saj. Korri i shtetit, përfshin rreth 60-70 vetë dhe është ndoshta realizimi më me cilësi nga krijimet e tjera në këtë fushë. Opera e shtetit, përfshin disa solistë dhe ka dhënë e vazhdon të japë shfaqje lirike në bashkëpunim me korrin. Ka vënë në skenë “Rusalka”, “Ivan Susanin” e opera të tjera të lehta ruse. Krahas këtyre grupeve artistike janë krijuar gjithashtu Muzeumi i Shkencave të Natyrës, Muzeumi Etnologjik-Arkeologjik, Muzeumi i Luftës Nacional-Çlirimtare, galeria e skulpturës e pikturës, Biblioteka Qendrore Shtetërore e Tiranës. Janë krijuar gjithashtu disa institucione të tjera kulturore si Instituti i Shkencave që merret me kërkime në fushat e klimës së Shqipërisë, gjuhës së Shqipërisë, historisë dhe bujqësisë. Janë krijuar fakultete të arsimit të lartë si Politeknikumi, fakulteti i Mjekësisë, pedagogjisë, shkencave politike etj. Këto janë shkollat e para të larta në Shqipëri, kanë nisur funksionimin në 1950 dhe frekuentohen shumë. Gjithashtu është zgjeruar rrjeti arsimor i mesëm e fillor, janë shtuar sallat kinematografike dhe janë ndërtuar disa stadiume moderne sportive (në Tiranë, Korçë, Shkodër), janë bërë botime e përkthime më të shumta se në të kaluarën dhe janë krijuar shumë kurse kundër analfabetizmit. Në përgjithësi në fushën e kulturës realizimet janë të mëdha e të rëndësishme në Shqipëri edhe pse janë vetëm në sasi e jo në cilësi.

Propaganda

Ka shumë shkolla, grupe artistike, qendra kulturore, por edukata që merret në to është e njëanshme. Ato janë mjete propagande për edukimin e masave në vijën e partisë dhe jo burime reale arsimimi. Çdo gjë në këtë front i nënshtrohet interesave të partisë dhe vijës së saj politike.

Në fushën e bujqësisë politika e partisë që prej çlirimit ka qenë e paqëndrueshme, hezituese. Shteti herë tërheq fondet e parashikuara për industrinë e i kalon te bujqësia dhe herë të tjera anasjelltas duke investuar në objekte industriale. Nganjëherë e konsideron sektorin e bujqësisë të dorës së parë dhe herë tjetër e lë në plan të dytë (kjo e fundit ka ndodhur më shpesh së fundmi) duke zbatuar udhëzimet sovjetike për të bërë prioritar sektorin e industrisë. Këto luhatje kanë pasur pasoja të rënda për bujqësinë shqiptare, aq më shumë sepse programi i kulturave bujqësore që duheshin mbjellë nganjëherë i jepte prioritet bimëve industriale (pambuku, luledielli, duhani, panxhar-sheqeri) dhe herë të tjera i jepte prioritet drithërave si gruri, misri, thekra. Pa këto sondazhe të dëmshme herë djathtas e herë majtas kam bindjen që një politikë më serioze dhe e studiuar do të jepte rezultate më të mira në Shqipëri. Sado që është vend malor, Shqipëria nuk është e varfër në toka pjellore. E keqja është se shumica e tokave të përshtatshme për bujqësi (Vurgu, Myzeqeja, Zadrima, Durrësi etj.) janë të mbuluara me këneta ose pa kanale kullimi, gjë që shkakton përmbytje të shpeshta në zonat më pjellore.

Zhvillimi bujqësor

Ndërtimet më të rëndësishme në këtë drejtim janë: Tharja e kënetës së Maliqit në Korçë, e cila i dha bujqësisë në mos gaboj rreth 2500 hektarë tokë të re shumë pjellore. Hapja e kanalit vaditës Vjosë-Levan-Fier, rreth 60 km i gjatë në jug të Shqipërisë. Punimet në vazhdim të kanalit të Gjadrit në Zadrimë (qarku i Shkodrës) nga i cili do të përftohen 2000 ha tokë të reja. Punimet në vazhdim për tharjen e kënetës së Tërbufit në qarkun e Beratit. Kanali ujitës Naum Panxhi në Elbasan. Nuk më kujtohen shifra për dobitë e tij. Kanale të tjera më të vegjël në qarkun e Tiranës, Kukësit, Dibrës, Gjirokastrës, Durrësit e Beratit. Përveç punimeve në fushën e bonifikimit në bujqësi duhet të përmenden dhe krijimi i fermave shtetërore, disa prej të cilave të pasura si ato të Kamzës e Sukthit, krijimi i disa stacioneve zooteknike për përmirësimin e racave të bagëtive (më i madhi ai i Shkodrës), krijimi i fidanishteve pemëtore si në jug dhe në veri të vendit, si dhe programi i pyllëzimeve që ka qenë i studiuar mirë dhe është i vetmi i realizuar më shpejt se parashikimet, pa pësuar ndryshime apo zvogëlime në prapaskenë. Duhet pranuar se në ndryshim me kohën e Zogut, prodhimi bujqësor në Shqipëri është shtuar shumë, sidomos sa i përket bimëve industriale (edhe gruri e misri kanë pësuar rritje), por duhet ditur se bujqësia shqiptare ishte shumë e prapambetur dhe primitive në kohën e Zogut prandaj nuk mund të shërbejë si krahasim. Të gjitha vendet e botës kanë shënuar përparime pas mbarimit të luftës, por prodhimi në Shqipëri do të kishte qenë më i madh po të mos ishte influencuar nga interesat e huaja.

Industria

Në fushën e industri-minierave sukseset janë shumë më të mëdha se në sektorin bujqësor. Kjo për arsye se i tillë ka qenë orientimi i Partisë Komuniste në fushën e ekonomisë dhe sepse nëntoka e Shqipërisë është e pasur. Gjatë viteve të pushtetit komunist në Shqipëri janë ndërtuar gjithashtu 2-3 fabrika për zhveshjen e orizit, të cilat me kapacitetin e tyre mbulojnë të gjithë nevojën për orizin shqiptar; 2-3 fabrika të rëndësishme vaji, pa përmendur punishtet e vogla, të cilat plotësojnë kërkesën e përpunimit të vajit shqiptar të ullirit dhe të farërave oleogjinoze të vendit; 2-3 fabrika për zhveshjen e pambukut në Shqipërinë e Mesme, të cilat plotësojnë nevojat e vendit dhe të eksportit; 1 fabrikë çimentoje në Vlorë e cila sëbashku me fabrikën e vjetër në Shkodër sipas parashikimeve plotëson nevojat e vendit. Fabrika e konservave në Vlorë parashikohet si objekt i rëndësishëm, por jo i aftë të plotësojë nevojat e popullsisë. Fabrikë sheqeri nga panxhari në Maliq me kapacitet 100 000 ton në vit, domethënë e aftë për konsumin e tërë popullsisë shqiptare. Kombinati i drurit në Elbasan konsiderohet si një nga veprat më të mëdha që ka nisur të funksionojë; kombinati i tekstilit Stalin në Tiranë me kapacitet 20 000 metra të pambukta në vit; uzina mekanike Enver me reparte saldimi, tornitorësh, shkrirjeje etj.

Ndërkohë e gjithë industria e vogël e kohës zogiste e italiane që ishte pronë private është shtetëzuar dhe u janë shtuar mjete apo reparte të reja, ku përfshihen disa fabrika këpucësh, lëkurësh, marmelatash, cigaresh, porcelani, ofiçina apo qendra riparimi.

 

-Si e shikojnë masat e gjera gjendjen e krijuar nga regjimi aktual?

Para se t’i përgjigjem kësaj pyetjeje duhet të theksoj se Lufta Nacional-Çlirimtare kundër okupatorit italo-gjerman bëri atëherë që Partia Komuniste të fitonte prestigj dhe besim nga populli. Dhe në fakt fitorja e frontit komunist nuk ishte vetëm një imponim i Partisë Komuniste mbi popullin shqiptar për nga forca ushtarake. Unë besoj se para se të ishte një fitore ushtarake, një diktaturë e vendosur me anë të forcës, ardhja e komunistëve në Shqipëri pas largimit të gjermanëve ishte një fitore e madhe politike, një pushtet i pranueshëm me vullnet të lirë nga shumica e popullit. Kjo do të thotë se propaganda e partisë në atë kohë dhe programi i saj ishin të përkrahur nga populli dhe në radhë të parë nga forcat e avancuara të shoqërisë, të cilat kanë peshë në çdo regjim. Fshatari mori tokë me reformën agrare, ndërsa pakica e prekur nga shpronësimet e reformës ishin një pikë uji në oqeanin e fshatarëve. Si rezultat kjo masë nuk mund ta dëmtonte partinë, por i shtoi mbështetjen në fshat. Punëtoria u bë klasa shoqërore më e preferuar. Kështu që në 1945 partia kishte përkrahjen morale e materiale të shumicës dërmuese të shtresave të shoqërisë. Por a mund të thuhet e njëjta gjë dhe sot? Aspak. Baza e Partisë Komuniste është zvogëluar shumë në krahasim me atë kohë dhe humbjet e saj në fushën morale e politike janë të ndjeshme. Kjo vjen si pasojë e orientimit ekstremist që ka ndjekur në të gjitha fushat e jetës, si pasojë e reformave ekstremiste të majta në 1945 dhe detyrimeve të mëdha në natyrë ndaj fshatarësisë. Ky është opinioni im personal dhe nuk mund të them se nëse partia mbahet sot në Shqipëri vetëm me anë të terrorit. Ajo mund të jetë akoma mbështetje morale në disa shtresa të caktuara. Punëtoria është një shtresë që shtohet vazhdimisht me dekompozimin e fshatarësisë, e cila po grumbullohet në kantiere ndërtimi e prodhimi dhe mbetet një mbështetje e madhe për Partinë Komuniste. Rastet e veçanta që bëjnë përjashtim nga ky rregull nuk i zbresin vlerat asaj. Partia mbështetet gjithashtu nga fshatarësia më e varfër, e cila në të kaluarën rronte edhe më keq. Mendoj se ndoshta rinia, kjo forcë e gjallë e çdo shoqërie, është më shumë pro regjimit sesa kundër. Unë besoj se nuk duhet harruar fakti i rëndësishëm që populli shqiptar ka qenë gjithmonë shumë i varfër dhe ka qenë në anakronik me Evropën e shekullit të XX-të. Regjimi i Zogut që pasoi krijimin e Shqipërisë si shtet i pavarur, nuk i dha asgjë popullit shqiptar. Deri në vitin 1945 një e treta e tokës së punueshme ishte pronë e familjeve të mëdha si Toptanasit, Vrionasit, Verlacët etj. Më shumë se 50 për qind e fshatarësisë nuk zotëron asnjë metër tokë dhe gjysmetarë mbi të cilët rëndonte taksa e “të dhjetës”, xhelepi apo taksa të tjera mesjetare feudale. Edhe punëtoria sado e vogël që ishte vuante nga papunësia.

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/11/2019 - 07:14

Amerikanët kanë hedhur të tjera detaje mbi zhvillimet gjatë regjimit komunist.

Postuar: 13/11/2019 - 07:11

Shërbimi amerikan i CIA ka deklasifikuar të tjera dokumente për Shqipërinë.

Postuar: 12/11/2019 - 07:10

Amerikanët kanë hedhur sërish dritë mbi zhvillimet në sistemin komunist.

Postuar: 09/11/2019 - 07:09

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 08/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 05/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit