Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Dossier

Ja si CIA synonte të rrëzonte Hoxhën nga pushteti brenda vitit 1954, nga përdorimi i nëndetëseve, te rekrutimi i 1.500 shqiptarëve

Ja si CIA synonte të rrëzonte Hoxhën nga pushteti brenda vitit

Shërbimi informativ amerikan, CIA, gjatë periudhës komuniste bëri me dhjetëra e dhjetëra lëvizje për të rrëzuar Enver Hoxhën. Përmes planit të nisur në 1949 u bënë shumë lëvizje, por që dështuan. Sipas një dokumenti të vitit 1953, tregohen lëvizjet e fundit të amerikanëve, ku bie në sy se masat synoheshin të ashpërsoheshin së tepërmi. Një ndër lëvizjet kryesore do ishte që të merreshin peng ambasadorët shqiptarë në Roma dhe në Paris. Sipas dokumentit, ata do mbaheshin peng dhe në Shqipëri do përhapej lajmi se ata dezertuan dhe nuk pranonin më të ishin në shërbim të qeverisë shqiptare. Po ashtu një plan tjetër ishte që një agjent i lartë i CIA do të futej në Shqipëri dhe do i ofronte Enver Hoxhës ose Mehmet Shehut 500 mijë dollarë dhe siguri që ata të braktisnin pushtetin dhe të largoheshin. Ndërsa në një dokument tjetër po të viti 1953 tregohet një letër e anëtarëve të Komitetit të Shqipërisë së Lirë mbi planet për Shqipërinë, por dhe politikat e fqinjëve.

30 qershor 1953

Memorandum për krerët e divizioneve

Subjekti: Veprimi agresiv

Sipas rrethanave ideale të përshkruara, qëllimi ynë është përmbysja e regjimit të Enver Hoxhës deri në vjeshtën e vitit 1954. Duke hartuar veprimet paraprake për nisjen e grushtit të shtetit, ne kemi supozuar se Jugosllavia, Greqia dhe Italia do të kishin një mendësi krejtësisht bashkëpunuese se secila do të pranonte të mos prekte Shqipërinë nga ana territoriale, përveç rasteve kur thërritej për asistencë. Sipas këtyre kushteve rekomandimet tona janë:

Plani për vitin 1953

Zgjerim i menjëhershëm i Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë për të përfshirë të gjitha fraksionet politike veçanërisht BKI dhe grupin e Ali Këlcyrës; Të printohen mjaftueshëm Lek për të furnizuar operacionet e agjentëve; Të sigurohen shpejt 5 nëndetëse për nisjen e bllokadës totale të anijeve brenda e jashtë Shqipërisë. Nëndetëset nuk duhet të identifikohen si amerikane por duhet të operojnë si mjete pirate pa flamur. Ato të drejtohen nga staf vullnetar pa dokumente; Nëndetëset të veprojnë në ujërat e Greqisë e Italisë dhe bashke me këto vende të zbatohet ndalimi i gjithë tregtisë mes tyre dhe Shqipërisë; Të rekrutohen 1000 deri në 1500 shqiptarë si forcë goditëse në momentin e grushtit të shtetit. Forca goditëse do të hyjë nga Jugosllavia e Greqia, si dhe me mjete amfibe zbarkimi.

Plani për vitin 1954:

Sapo moti ta lejojë, të infiltrohen e të rekrutohen ekspertë amerikanë transmetimesh radio, për të drejtuar aktivitetet e rezistencës dhe të krijojnë një bërthamë të besueshme njerëzish të stërvitur që do të aktivizohen kur të jepet sinjali. Këto ekspertë të veprojnë kryesisht në veri të vendit ku kemi tashmë një organizatë fillestare rezistence. Ata do të furnizohen me lëshime ajrore ushqimesh, armësh e municionesh për revoltën. Ushqimi duhet të furnizojë edhe forcat e rezistencës që ato të mos vuajnë gjatë bllokadës ekonomike. Në fillim të verës të merren peng ambasadorët shqiptarë në Romë e Paris, dhe të njoftohet në radio dhe mjetet e propagandës se ata kaun dezertuar. Një program i zgjeruar me transmetime radio dhe lëshime broshurash të bëjë të ditur për afrimin e shumëpritur të ditës së zjarrtë të revoltës. Të paktën dy muaj përpara grushtit të shtetit broshurat të lëshohen me intervale të përjavshme. Të infiltrohet në Shqipëri në mënyrën më të sigurt të mundshme një agjent amerikan i nivelit të lartë, që do të kontaktojë me Enver Hoxhës ose me Mehmet Shehun për t’i ofruar deri 500.000 dollarë dhe siguri për të ardhmen në këmbim të dezertimit të tyre. Dezertimi duhet të përfshirë edhe urdhrin e dorëzimit të armëve për Ushtrinë dhe Sigurimin, në momentin e duhur. Të bëhen transmetime nga të gjithë liderët e emigracionit, për të nxitur mbështetësit e tyre t’i bashkohen lëvizjes së rezistencës. Anëtarët e juntës ushtarake të lëshohen në Shqipëri për drejtimin e revolucionit në ditën e caktuar

Deri në gusht 1954, operacionet simultane të forcave të rezistencës dhe forcave goditëse të kenë siguruar përmbysjen e suksesshme të regjimit komunist dhe vendosjen e një qeverie të përkohshme të pranueshme, nën drejtimin e Kombeve të Bashkuara.

Ndërhyrja nga fqinjët

Gjatë veprimeve të revolucionit forcat e stërvitura prej rreth 4000 shqiptarësh që pretendohet se ekziston në Jugosllavi dhe forcat ushtarake të Greqisë e Jugosllavisë duhet të qëndrojnë të gatshme për asistencë nëse lind nevoja. Forcat greke dhe jugosllave duhet të tërhiqen menjëherë prapa kufijve të tyre sapo revolucioni të ketë shpallur suksesin. Flota e gjashtë amerikane do të bëjë manovra në detin Adriatik e Jon gjatë revolucionit, për të mbuluar zbarkimet amfibe dhe për të ndihmuar revolucionarët në rast nevoje. Ajo nuk do të ketë një rol aktiv nëse nuk thërritet për këtë. Flota do të mbetet në zonë për disa javë për të shkurajuar dhe parandaluar veprime antagoniste nga Bashkimi Sovietik apo satelitët e tij. Të organizohen zgjedhje të lira për qeverinë demokratike. Teksa shumë nga rekomandimet individuale në paragrafët e mësipërm mund të mos jenë të nevojshëm, është me rëndësi të kërkohet neutraliteti miqësor i Italisë, Greqisë e Jugosllavisë për përmbysjen e qeverisë shqiptare, në mos bashkëpunimi i tyre aktiv.

27 maj 1953

Konfidenciale

Në lidhje me bisedën tonë telefonike të 27 majit 1953

Këtij memorandumi i bashkangjis tre pyetje për të cilat besoj se është e rëndësishme dhe urgjente të marr një përgjigje nga burime zyrtare, mundësisht nga një zyrtar i administratës që mund të nxitohet me emër. Është e dëshirueshme por jo esenciale që përgjigjet të jepen në kohën e përvjetorit tonë në Shqipëri më 1 qershor, por meqenëse çështja ka një rëndësi të përgjithshme, është po aq e rëndësishme që ne të marrin një përgjigje brenda dy ose tre javëve.

Bashkangjitur do të gjeni drafte të tipit të përgjigjes që do të preferonim, ose që ne shpresojmë të mund të na jepni. Megjithëse si në çdo situatë tjetër, konkluzionet tona duhet të mbështeten më shumë në mundësitë sesa në provat, ka gjithsesi disa tregues që na bëjnë të mendojmë se opinionet tona duhet të merren seriozisht dhe nëse meritojnë këtë seriozitet, ai duhet të jepet me urgjencë.

Rrëzimi i regjimit

Fillimisht dua të përmend mundësinë e çlirimit. Opinioni ynë ka qenë se mundësitë e çlirimit me një kryengritje të armatosur në Shqipëri kanë qenë shumë të vogla, dhe kjo gjithmonë në varësi të fqinjëve të saj. Greqia, Jugosllavia e Italia do të përfitonin menjëherë nga një trazirë në Shqipëri duke e eliminuar si një vend sovran. Disa kohë më parë italianët hoqën dorë nga ambicie të tilla kurse është ende e qartë se grekët nuk janë të kënaqur me situatën në Epirin e Veriut. Njoftimi italian u ndoq nga një qasje e zbutur edhe nga ana e Greqisë për Epirin e Veriut. Ndërsa kohët e fundit një prononcim i qeverisë turke për komentin e Moxhe Pijade (zëdhënës i Titos) thotë se Jugosllavia e ka braktisur krejt pretendimin e saj për të shtuar Shqipërinë si tjetër shtet brenda federatës së saj, duke pranuar pavarësinë e saj si një vend i çliruar. Ne besojmë se kjo do të jetë shumë inkurajuese për forcat çlirimtare të Shqipërisë brenda vendit, cilatdo qofshin opinionet e tyre politike. Kjo iniciativë do të kishte gjithashtu shumë përfitime për vetë Titon.

Sa i përket pikëpamjet tonë, do të ishte shumë më e dëshirueshme një Shqipëri që çlirohet nga forcat e brendshme me ndihmën e Perëndimit, sesa një Shqipëri që shikon nga Tito për mbështetje. Është tashmë e ditur se Tito ka idetë e tij dhe forcat e tij për një çlirim të mundshëm të Shqipërisë, dhe se më parë ai ka kundërshtuar aktivitetin nga vende të tjera fqinje. Që prej vizitës së Titos në Londër për pjekjet e Titos për çlirimin e Shqipërisë kanë treguar shenja të reja aktiviteti. Me shumë rëndësi besoj se është informacioni i marrë për një oficer titist në Itali që po kontakton me grupet shqiptare të emigracionit atje. Duket se amerikanët dhe Komiteti Kombëtar i Shqipërisë së Lirë po përjashtohen nga këto bisedime. Ne i konsiderojmë këto si kërcënuese, edhe përpara lajmit të deklaratës së Pijade në Stamboll, pasi këto të dyja krijojnë një motiv që është i vështirë të mos merret parasysh.

Propaganda

Unë kam të njëjtin opinion të stafit tim të radios dhe propagandës se fushata jonë kundër Shqipërisë tashmë po zhvillohet në pikën ku zyrtarët e lartë të SHBA të shtyjnë për çlirimin e Shqipërisë. Në këto rrethana të reja ne duhet të tregojmë jo vetëm se SHBA po mendon për Shqipërinë po aq sa Tito, por edhe mund të ofrojnë më shumë se ai. Duke transmetuar deklarata të tilla me anë të Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, ne mund të rrisim profilin e shqiptarëve me të cilët jemi në kontakt dhe që refuzojnë totalisht idenë e një Shqipërie të çliruar dhe përsëri komuniste, e cila ndërron besnikërinë nga Moska te Beogradi. Jam i sigurt se Shqipëria ka një vend të veçantë në sistemin e satelitëve të Moskës, edhe pse Moska ka evituar deri tani një përkushtim ushtarak atje. Në situatën e saj gjeografike Shqipëria është ndoshta për Kremlinin ajo çka është Berlini Perëndimor për Aleatët, por në dukje duke i paraprirë një humbjeje të mundshme, Moska nuk është përkushtuar plotësisht në Shqipëri duke mos dhënë garanci si ato që NATO ka dhënë por Berlinin Perëndimor. Po i përmend këto pika për të treguar sesa i vogël është rreziku i Shteteve të Bashkuara për t’i dhënë përgjigje pyetjeve që po bëjmë, kurse avantazhet që mund të kemi nëse publikojmë këto pyetje, mund të jenë shumë të mëdha. Për të bërë të besueshëm mitin e një ndryshimi në politikat sovjetike, Zakaria, posterat e të cilit shfaqeshin në Sofje edhe në festimet e fundit të 1 Majit, u desh të largohej. Edhe Li Li San, i cili kishte mbështetjen e Stalin sa kohë që diktatori ishte gjallë, avancoi derisa irritoi ish-vartësin e tij Mao Ce Dun, i cili e largoi nga qeveria pasi tani mund të negociojë vetë me Moskën. Raportimet e Ankarasë në lidhje me deklaratën e Mosa Pijade, zëvendës-president i Jugosllavisë, aktualisht në Turqi: “Ne nuk duam për përzihemi në çështjet shqiptare, por nuk duam që as të tjerët të përzihen në to. Një garanci për pavarësinë dhe integritetin territorial të Shqipërisë do të ketë rezultate të dobishme dhe i përshtatet parimit tonë kryesor për popujt e Ballkanit.