Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ja si Enver Hoxha eliminoi rivalët edhe mori pushtetin, zbardhet ndikimi i jugosllavëve dhe si nisën përplasjet me Titon

Postuar: 14/04/2018 - 08:40

Zbardhen tët tjera detaje se si Enver Hoxha arriti të marrë pushtetin pas përfundimit të Luftë së Dytë Botërore dhe si më pas nisi përplasjet me Jugosllavinë. Historiani amerikan James S O’Donnel ka nxjerr fakte si i takon pushtetit të Hoxhës në librin e tij: “A coming of age Albania under Enver Hoxha”. Ai aty tregon se si nisën përplasjet me Titon.

Ardhja në fuqi e komunistëve

Mbreti italian Victor Emanuel III krijoi një qeveri kukull në Shqipëri në 1939 të drejtuar nga fisniku feudal Shefqet Vërlaci. Shqipëria dhe Itali u deklaruan të jenë “një shtet i vetëm”. Natyrisht që Shqipëria nuk kishte autonomi për punët e saj të brendshme pas aneksimit nga Italia. Shqipëria nuk kishte më pushtete sovrane ndërsa unioni nën një mbret të vetëm ishte një farsë kushtetuese. Kjo situatë ku Shqipëria ose humbiste pavarësinë ose e ruante atë në një lëkurë bananeje, bëri dhe që qëllimi kryesor i udhëheqësit të mëpasshëm Enver Hoxha të ishte ruajtja e integritetit territorial të vendit. Disa fakte historike që duhen marrë në konsideratë janë abuzimi italian me sovranitetin e Shqipërisë, traktati sekret i Londrës në 1915 ku fqinjët e Shqipërisë ranë dakord pa dijeninë e vendit të marrin territore prej saj, dominimi disa-shekullor Otoman dhe arbitrariteti i Enver Hoxhës për ta zgjidhur shpejt çështjen e sovranitetit. Saga e trishtë e historisë së Shqipërisë është ajo e një dominimi të përjetshëm nga fuqitë e huaja. Në fakt edhe pavarësia e saj që nisi në 1912 ishte shumë e dobët dhe vendi mund të rikthehej në çdo moment në traditën e vjetër të varësisë. Prandaj dhe qëllimi i Enver Hoxhës për ruajtjen e pavarësisë ishte kaq i rëndësishëm për të.

Ardhja në pushtet i Hoxhës

Ardhja në pushtet e Enver Hoxhës nisi gjatë luftës së II Botërore dhe pushtimit gjerman e italian të Shqipërisë. Nga viti 1939 deri në 1941 Italia ndërtoi impiante të rëndësishme ushtarake, në përgatitje për fushatën e saj në Ballkan. Disa shqiptarë krijuan grupe të vogla rezistence ndaj pushtuesve. Kjo rezistencë ishte e tipit gueril që sulmonte nga prapa pushtuesin dhe largohej për t’u strehuar në bazat e saj në male. Problemi kryesor me këto grupe në vitet 1941 dhe 1942 ishte se nuk kishin organizim. Ata kishin gjithashtu kontradikta me njëri-tjetrin dhe refuzonin të punonin bashkë, pasi të gjitha kishin si qëllim të merrnin pushtetin pas luftës. Pengesa kryesore për grupet politike ishte se nuk kishte sistem që të merrte kontrollin pas largimit të mbretit Zogu I. Grupet e rezistencës rezultuan se ishin mjeti politik i përpjekjes së brendshme për pushtetin pas luftës. Tre ishin grupet kryesore politike: Legaliteti i drejtuar nga Abaz Kupi, që mbronte rivendosjen e mbretit Zog dhe sponsorizohej nga britanikët, Balli Kombëtar i drejtuar nga Mit’hat Frashri, grup i djathtë antifashist, antikomunist e antizogist; si dhe Partia Komuniste e drejtuar nga Enver Hoxha, që ishte formuar në 8 nëntor 1941. Kjo e fundit mori asistencë të madhe për bashkimin e saj nga Partia Komuniste Jugosllave, ndihmë e cila u kthye në një mollë sherri në marrëdhëniet e tyre të pasluftës. Rezistenca Komuniste u bë më e organizuar pas konferencës së Pezës në 16 shtator 1942, në të cilën morën pjesë grupe Komuniste dhe nacionaliste të tjera. Aty u krijua gjithashtu një këshill i përgjithshëm me qëllim bashkimin e të gjitha grupeve anti-fashiste shqiptare, pa dallim klase, krahine feje apo bindjesh politike.

Mbledhja e Mukjes

Një takim sekret u mbajt më 3 gusht 1943 në Mukje mes delegatëve të Ballit Kombëtar dhe Partisë Komuniste për të diskutuar dhe tejkaluar diferencat mes dy grupeve, nga i cili u shpall një deklaratë e përbashkët për të lënë mënjanë diferencat dhe për të bashkëpunuar për largimin e pushtuesve. Aty thuhej gjithashtu se pas luftës do të krijohej një Shqipëri e Madhe duke përfshirë Kosovën në veri dhe Çamërinë e Greqisë. Deklarata parashikonte zgjedhjet pas luftës, të cilat do të vendosnin tipin e qeverisë që do të vinte në pushtet. Marrëveshja e Mukjes dukej si një kompromis i realizueshëm që kishte si prioritet nevojat nacionaliste të vendit dhe më pas interesat e grupeve të veçanta, por gjithsesi kjo qasje nuk zgjati shumë. Një javë pas nënshkrimit të saj kreu komunist Enver Hoxha e denoncoi marrëveshjen si një kompromis me idealet Komuniste dhe si kapitullim ndaj pikëpamjeve balliste. Një tjetër arsye e Partisë Komuniste ishte se delegatët kishin marrë pjesë në konferencë pa autorizimin e Partisë. Arsyeja kryesore e vendimit të Partisë Komuniste ishte influenca e elementëve jugosllavë në parti, të cilët kundërshtonin idenë e Shqipërisë së Madhe, pasi kjo përfshinte humbjen e rajonit të Kosovës prej tyre. Kreu jugosllav, kroati Tito, e kuptoi se ruajtja e Kosovës do i jepte kredi me serbët për t’i afruar ata në Lëvizjen e tij Komuniste, prandaj refuzoi idenë e lëshimit të Kosovës. Pas refuzimit të deklaratës u kryen sulme ndaj komunistëve të kishin marrë pjesë në konferencë, dhe ish-komunisti Abaz Kupi u nda për të formuar lëvizjen Legaliteti. Tashmë Balli Kombëtar dhe Partia Komuniste ishin më shumë armiq mes tyre, sesa me fashistët pushtues. Italia kapitulloi më 8 shtator 1943 dhe rreth 15.000 trupa italiane iu dorëzuan partizanëve në vend të gjermanëve, pasi këta të fundit vranë shumicën e atyre që kapën. Trupat italiane formuan batalionin e veçantë “Antonio Gramshi” dhe luftuan përkrah partizanëve kundër nazistëve dhe kundër Ballit Kombëtar. Balli Kombëtar e pa se sulmet e partizanëve ishin të ashpra dhe për të mbijetuar nisën të bashkëpunonin me nazistët duke luftuar me ta kundër partizanëve. Këtë bashkëpunim partizanët e përdorën me zgjuarsi si një mjet të fuqishëm propagande me popullin shqiptar, dhe kështu fituan mbështetjen e tij. Enver Hoxha e ka përmbledhur strategjinë e tij të luftës në këtë mënyrë: “Partia duhet t’i thotë popullit se po lufton për të ardhur në pushtet, dhe se kur kjo të ndodhë do të kryejë reforma të mëdha ekonomike, kulturore dhe shoqërore. Partia duhet t’i thotë popullit se liria duhet fituar, pasi askush nuk ta jep. Ky duhet të jetë misioni i përgjithshëm i Partisë”.

Roli i komunistëve

Pasi kishin fituar betejën e propagandës me Ballin Kombëtar, komunistët nisën sulmet kundër Lëvizjes Legaliteti të Abaz Kupit. Kjo lëvizje ishte më pak e organizuar dhe nuk përbënte konkurrencë të madhe për Partinë Komuniste dhe shpejt komunistët ishin grupi i vetëm i organizuar i rezistencës në vend. Kapja e pushtetit komunist erdhi në Kongresin Kombëtar të Përmetit në 24 deri në 28 maj 1944, ku morën pjesë delegatë nga i gjithë vendi. Kongresi vendosi të krijojë një “Shqipëri të re demokratike për të gjithë popullin” dhe se tipi i qeverisë do të vendosej pas luftës me zgjedhje “të lira”. Kongresi vendosi gjithashtu se mbreti Zog nuk do të kthehej kurrë në Shqipëri dhe se marrëveshjet e qeverisë së tij janë të pavlefshme. U krijua Komiteti Antifashist Nacional Çlirimtar (i frymëzuar nga jugosllavët) me në krye Enver Hoxhën, dhe në tetor 1944 në konferencën e Beratit ai u shndërrua në qeverinë e përkohshme të Shqipërisë.

Qeveria e re

Me çlirimin e vendit në fund të nëntorit qeveria e përkohshme u vendos në Tiranë dhe gjëja e parë që bëri ishte krijim i policisë dhe gjykatave për eliminimin e kundërshtarëve. U krijuan gjykatat e veçanta për “kriminelët e luftës” dhe “armiqtë e popullit”. Këto drejtoheshin nga ministri i Brendshëm Koçi Xoxe, por gjykimet bëheshin nga njerëz pa asnjë eksperiencë ligjore dhe vendosej me reagimin e popullit. Spektatorët nxiteshin nga policia të jepnin dënime sa më të rënda. Mijëra njerëz u dënuan me vdekje ose me burgime të gjata. Qeveria e re e Shqipërisë u njoh e para nga Jugosllavia më 28 prill 1945, e ndjekur nga BRSS dhe më vonë nga Britania e SHBA. Zgjedhjet e para “të lira” në Shqipëri u mbajtën më 2 dhjetor 1945, ku komunistët fituan me 90 për qind të votave. Parlamenti i parë u mblodh në janar 1946 dhe e shpalli Shqipërinë jo më monarki por “Republikë Popullore”, me një Kushtetutë të modeluar nga afër sipas asaj jugosllave, por duke hequr vetëm strukturën e federatës. Një padrejtësi ndaj Shqipërisë ishte mohimi i pjesëmarrjes së plotë si palë e dëmtuar në Konferencën e Paqes në Paris në 1946, pasi nuk mund të mohohet se Shqipëria ishte viktimë e agresionit italian dhe gjerman. Në fjalimin e tij në 21 gusht 1946 në Konferencë Enver Hoxha tha: “Sakrificat e popullit tonë ishin të mëdha. Nga një popullatë prej 1 milionë u vranë 28 000 vetë. 10 000 u bënë të burgosur politikë në Itali e Gjermani. 800 fshatra u dogjën e u rrafshuan, bashkë me portet, minierat dhe strukturën e komunikimit”. Kjo politikë i shërbeu mosnjohjes së dëmeve dhe të asistencës së kombeve të vogla për përpjekjen e luftës. Historianët nuk duhet të përfshihen kurrë në hipotezat se çfarë do të kishte ndodhur me një vend nëse zbatohej e drejta, por në këtë rast çdokush mund të hipotezojë se një politikë më njerëzore ndaj Shqipërisë do të kishte ndikuar shumë në të ardhmen e saj. Po të ishte njohur kontributi i saj në përpjekjen e luftës, në Shqipëri do të ishte krijuar një atmosferë më pak anti-perëndimore dhe më pak e izoluar.

Aleanca me jugosllavët

Jugosllavia ishte aleati më i ngushtë i Shqipërisë në vitet 1944 deri në 1948. Kjo prej afërsisë së Partisë Komuniste Jugosllave me partinë shqiptare në vitet e saj të formimit gjatë luftës. Jugosllavia ishte gjithashtu nga të parat që njohu qeverinë e Hoxhës dhe vendosi marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë në 28 prill 1945. Jugosllavia ndihmoi Shqipërinë në dy fusha të rëndësishme, në Kombet e Bashkuara dhe në Konferencën e Paqes në Paris. Kreu i delegacionit jugosllav në OKB, Eduard Kardelj lexoi këtë mesazh në Londër në 1945: “Delegacioni i Republikës Federale të Jugosllavisë dëshiron t’i japë mbështetjen më të madhe kërkesës së republikës popullore të Shqipërisë. Duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit ne kërkojmë që ai të pranojë kërkesën për anëtarësim në OKB të republikës së Shqipërisë. Unë gjithashtu përfitoj nga ky rast për t’i tërhequr vëmendjen Këshillit të Sigurimit te fakti se Shqipëria ka qenë një nga viktimat e para të agresionit fashist në Evropë, dhe se populli shqiptar me Ushtrinë e tij Çlirimtare ka luftuar me vetëmohim përkrah Kombeve të Bashkuara, dhe në përpjesëtim me forcat e tij, ka kontribuar në fitoren tonë kundër agresorëve, si një aleat besnik i vendeve demokratike”. Një fjalim të njëjtë, përfaqësuesi jugosllav në Konferencën e Paqes në Paris, Mosa Pijade mbështeti interesat e Shqipërisë: “Delegacioni jugosllav e konsideron të pajustifikueshme mungesën e ftesës për Shqipërinë në konferencë, si një vend me të drejta të barabarta si të gjithë ne. Shqipëria nuk është një vend armik që të mos ftohet në Konferencë për t’u dëgjuar por është një end aleat që meriton respektin dhe mirënjohjen e të gjitha vendeve demokratike.” Gjenerali i ushtrisë shqiptare Bedri Spahiu ka thënë në një prononcim për Jugosllavinë: “Populli ynë nuk do ta harrojë kurrë ndihmën që na ka dhënë gjatë luftës ushtria e udhëheqësit të madh Tito, e cila sulmoi hordhitë armike në Shqipëri. Ne nuk do të harrojmë kurrë ndihmën materiale që na dhanë pa kushte në pjesën e parë të luftës çlirimtare, për problemet tona ndërkombëtare dhe për njohjen e qeverisë sonë. Populli ynë e shikon rolin paqedashës të Jugosllavisë si një garanci të pavarësisë së tij. Për këto arsye emri i Titos jehon në Shqipëri njësoj si emri i Enverit, dhe ne mbajmë foton e tij si atë të Enverit”.

Ftohja e bashkëpunimit

Por besimi i Shqipërisë në rolin e Jugosllavisë si garantuese e pavarësisë së saj, rrjedhimisht do të ndryshonte krejtësisht. Thelbi i prishjes mes dy grupeve nisi në sesionin e dytë plenar të partisë komuniste në Berat, në tetor 1944. Sesioni duhet të diskutonte problemet e çlirimit të pritur të Shqipërisë, por në fakt u kthye në një sulm të delegacionit jugosllav të kryesuar nga Velimir Stoiniç, ndaj Partisë Komuniste shqiptare dhe Enver Hoxhës. Stoiniç akuzoi partinë shqiptare se po qëndronte në vend numëro dhe po lëkundej mes sektarianizmit dhe oportunizmit, duke shtuar se burimi i problemeve ishte udhëheqësi Enver Hoxha. Por lëvizja çlirimtare në Shqipëri ia detyronte suksesin e saj ndihmës së Jugosllavisë. Ky sulm mund të mos ishte marrë parasysh nëse vinte nga një i jashtëm, por u mor shumë seriozisht nga anëtarët e partisë shqiptare pas një pune propagandistike të anëtarëve si Koçi Xoxe e Sejfulla Malishova dhe pjesës së tjetër të fraksionit pro-jugosllav. Qëndrimi jugosllav ishte se Shqipëria ishte tepër e vogël për të rezistuar e vetme pas luftës. Ajo mund të ishte një kafshatë e shijshme për fuqitë e mëdha imperialiste, prandaj ishte e rëndësishme që Shqipëria të pranonte t’i bashkohej federatës jugosllave, në mënyrë që dhe Tito të kthehej në një simbol të unionit ballkanik dhe të çlirimit të Evropës. Periudha mes viteve 1945-1947 u shënua nga presioni i vazhdueshëm i Titos nga brenda partisë shqiptare për ta bërë vendin sa më të varur nga Jugosllavia. Më 9 korrik 1946 u nënshkrua një traktat miqësie, bashkëpunimi e ndihme mes dy vendeve. Presioni jugosllav ushtrohej me anë të maskimit të “forcimit të marrëdhënieve”. Marrëveshjet mes dy vendeve ishin teorikisht me leverdi por gjithsesi të njëanshme dhe të ngjashme me marrëveshjet e paraluftës mes qeverisë së mbretit Zog dhe qeverisë italiane. Sipas këtyre marrëveshjeve leku shqiptar i rivlerësua sipas dinarit jugosllav, u bë bashkimi doganor dhe plani ekonomik i Shqipërisë u përshtat sipas atij jugosllav. Ekonomistët shqiptarë H. Banja dhe V. Toçi e përshkruanin si më poshtë analizën e qëllimeve jugosllave: “Sipas tyre, Shqipëria nuk kishte nevojë të krijonte industrinë e saj kombëtare por kufizohej vetëm në prodhimin bujqësor dhe nxjerrjes së mineraleve, që do të dërgoheshin për përpunim në Jugosllavi. Në fjalë të tjera ata donin që ekonomia e Shqipërisë të ishte një shtojcë e ekonomisë jugosllave.

Deklarata e Hoxhës

Enver Hoxha ka komentuar më tej mbi shtimin e lidhjeve ekonomike me Jugosllavinë: “Ne nuk e diskutuam siç duhej kuptimin e vërtetë të koordinimit të planeve, unifikimin e valutës dhe çmimeve, heqjen e barrierave doganore, dhje nuk diskutuam as për kreditë. Ne kishim besim te jugosllavët, ndërsa ata kishin qëllime të caktuara të natyrës ekonomike. Politika e partisë jugosllave ishte anti-marksiste, shfrytëzuese dhe kolonialiste, pra ishte në dëm të popullit tonë”. Por me gjithë qëllimet e tyre të fshehta që mund të kenë pasur ndaj Shqipërisë, Jugosllavia i dha asaj ndihma të konsiderueshme financiare novitet e para të pasluftës. Shembuj të saj janë 20 000 ton grurë të dhëna falas nga Jugosllavia në 1946. Zv. ministri i financave Abdyl Këllezi (i spastruar nga Hoxha në 1975) deklaroi në parlament në 17 korrik 1947 se “asistenca e çmuar e popullit të Jugosllavisë arin në 2 miliardë lekë dhe përbën 57.7 për qind të buxhetit të Shqipërisë”. Një vit më vonë, ministri i Financave Ramadan Çiraku, tha të njëjtën gjë: “Jugosllavia po i jep Shqipërisë 3 miliardë lekë në kuadër të zhvillimit ekonomik, në formën e planeve të koordinuara të këmbimeve, dhe kjo përbën 48.1 për qind të buxhetit të vendit”. Jugosllavia i dha gjithashtu Shqipërisë rreth 700 milionë dinarë për forcimin dhe pajisjen e ushtrisë. Por me gjithë ndihmën bujare që po i jepej, dy ekonomitë po bëheshin gjithnjë e më të integruara me njëra-tjetrën, një fakt që gradualisht po e furte Shqipërinë në kurthin e kthimit në republikën e shtatë të Jugosllavisë. Ndërlidhja e ekonomive nuk po i pëlqente Hoxhës. Ai i përshkruan si më poshtë gabimet në aspiratat e Jugosllavisë drejt Shqipërisë: Ne pritet të prodhojmë për Jugosllavinë të gjitha materialet bazë për të cilat ata kanë nevojë. Pambuku, nafta, bitumi, asfalti e kromi do të përpunohen në fabrikat jugosllave, ndërsa në Shqipëri do të vijnë mallra të gatshëm konsumi më çmime të larta, si shembull pe, gjilpëra, apo nafta e tokës sonë që na shitet me çmim të lartë. Prandaj qëllimi i Jugosllavisë ishte parandalimi i zhvillimit të vendit tonë dhe rritja e varësisë nga Jugosllavia.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 8

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/04/2018 - 08:44

Zbardhen detajet e ndalimit të fesë nga Enver Hoxha. Historiani amerikan James S O’Donnel ka nxjerr të tjera fakte si i takon vendimit të hoxhës. Ai ka treguar se si u prishën kisha e xhamia, ndërsa po ashtu janë zbardhur dhe fjalimet e diktatorit kundër fesë.

Besimi fetar

Postuar: 24/04/2018 - 08:23

Zbardhen goditjet që regjimi komunist i Enver hoxhës bënte ndaj fjalës së lirë.

Postuar: 20/04/2018 - 08:41

Zbardhen detajet e plota se si u arrit marrëveshja mes Shqipërisë dhe Kinës më 1966 dhe arsyet që më pas sollën fundin e këtij pakti.

Postuar: 19/04/2018 - 08:54

Dalin detaje të reja sa i takon prishje së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik.

Postuar: 18/04/2018 - 08:33

Dalin detaje të reja sa i takon prishje së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik.

Postuar: 17/04/2018 - 09:04

Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë, Enver Hoxha largoi nga Shqipëria brenda 48 orëve të gjithë njerëzit e Titos.