Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ja si Enver Hoxha më 1970 ktheu sërish sytë nga Jugosllavia, Tirana e shqetësuar nga afrimi i Kinës me amerikanët

Postuar: 15/09/2019 - 07:34

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi zhvillimet në Shqipërinë komuniste. Sipas disa shkrimeve të “New York Times”, Enver Hoxha më 1970 ktheu sërish sytë nga Jugosllavia. Po ashtu afrimi i Kinës me SHBA shtoi ankthin në Tiranë.

7 qershor 1970

Jugosllavia studion ofertat shqiptare të hapjes

Kreu komunist shqiptar Enver Hoxha raportohet së fundmi të ketë thënë se vendi dëshiron marrëdhënie të mira me Jugosllavinë si dhe “ndjenja miqësie me popullin jugosllav”. Sipas burimeve jugosllave shprehja e një dëshire të tillë mund të jetë një sinjal për rinisjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve fqinje që mund të jetë një ndryshim i konsiderueshëm i politikave në Ballkan. Përmbajtja e fjalimit të Hoxhës u transmetua nga Radio shqiptare, e cila thoshte se fjalimi ishte dhënë gjatë një takimi në Tropojë, rajoni më verior i vendit. Ajo që mund të ketë shkaktuar ndryshimin spekulohet vetëm nga Beogradi, sipas të cilit është akumulimi i luftanijeve sovjetike në Mesdhe dhe kërcënimi i tij ndaj Shqipërisë, pasojat e mundshme të krizës së Lindjes së Mesme, frika pas pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë në 1968 dhe ndërgjegjësimi se izolimi në botën e sotme është i pamundur.

7 korrik 1970

 Jugosllavia e Shqipëria përmirësojnë lidhjet me anë të turizmit

Marrëdhëniet mes Shqipërisë e Jugosllavisë kanë variuar nga koha e bashkë-luftëtarëve në kohën e luftës, te armiqësia apo bashkëpunimi i kujdesshëm, ndërsa tani zyrtarët e dy palëve në një resort të mahnitshëm turistik shpresojnë se turizmi do i bashkojë me anë të udhëtimeve nga rrugët shqiptarë. “Dëshira jonë është ta hapim tërësisht kufirin me Shqipërinë”, thotë Jonce Filipovski, drejtori i çështjeve ekonomike të Ohrit. “Kështu do të ishim vetëm tre-katër orë larg detit Adriatik. Tashmë me makinë deti do të ishte vetëm 20 minuta larg”. Sipas tij një shkurtim i tillë do të joshte vizitorët nga Jugosllavia ose ata me anijet kroçerë në Adriatik, të vinin drejt Ohrit, duke u dhënë një rrugë të shkurtër drejt jugut dhe lidhje të kollajtë me Greqinë.

Të ardhurat e turistëve

Qyteti i Ohrit fiton 31 për qind të të ardhurave të tij nga turistët që vijnë për të parë afresket e mrekullueshme serbo-bizantine dhe ikonat e kishave të tij. Turistët vijnë për të bërë banjë në liqenin malor dhe të konsumojnë troftën që jeton në ujërat që ndajnë Jugosllavinë Jugperëndimore nga Shqipëri. Aeroporti i ri i hapur vetëm këtë muaj pritet të sjellë më shumë vizitorë nga jashtë, por Filipovski dhe miqtë e tij kërkojnë një autostradë të re. Mundësia për të pasur një rrugë të shkurtër drejt Adriatikut nuk është e mirë për momentin, por rruga prej 10 miljesh nga Struga drejt kufirit me Shqipërinë është duke u zgjeruar dhe shtruar. Filipovski thotë: “Së fundmi ka pasur përmirësime të marrëdhënieve të qeverisë sonë me tëtyren por ende nuk ka gjë konkrete”. Kamionët që kalojnë çdo ditë përmes Ohrit sjellin e çojnë mallra në Shqipëri dhe kjo është një shenjë e përmirësimit. Shumica e tyre shkojnë në Shqipëri nga Hungaria, Bullgaria e Rumania ose anasjelltas, por disa të tjerë kryejnë tregtinë me Jugosllavinë që arriti në 80 milionë dollarë këtë vit, një rritje prej 30 për qind nga vitit 1969.

14 nëntor 1971

Përmirësim diplomatik me Shqipërinë, Greqia heq dorë nga pretendimet për Jugun

Qeveria e Greqisë duket se ka lënë mënjanë pretendimin e vjetër territorial ndaj Shqipërisë edhe ka ngritur lart rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me fqinjin e saj ballkanik. Zv. ministri i jashtëm Kristian Xanthopulos u tha sot gazetarëve pas pritjes me ambasadorin e parë shqiptar në Greqi, Lik Seiti: “Ne duhet të punojmë për rivendosjen e besimit dhe bashkëpunimit, meqënëse Greqia nuk komploton kundër territorit shqiptar”. Vëzhguesit diplomatikë thonë se ky zotim nënkupton se Athina ka hequr dorë për momentin nga pretendimet për atë që ajo quan Epiri i Veriut, zona rreth 2000 milje në jug të Shqipërisë mbi kufirin grek. Ky pretendim kishte ndaluar rivendojsen e marrëdhënieve mes vendeve që prej fundit të Luftës II Botërore. Zyrtarët grekë thonë se politikat e mëparshme ndaj Tiranës ishin jorealiste dhe se tashmë Athina e sheh se minoriteti grek në Shqipëri.

4 dhjetor 1972

Shqipëria thotë se sovjetikët kërkonin të ndërtonin baza në 1969

Bashkimi Sovjetik kishte marrë në konsideratë ndërtimin e bazave raketore në Shqipëri në 1959 gjatë epokës së Nikita Hrushov, raporton agjencia kineze e lajmeve Xinhua. Ajo shtonte se shqiptarët kishin mësuar për planet e Krushov kur ai vizitoi Shqipërinë në 25 maj deri në 4 qershor të atij viti. Sipas kreut komunist shqiptar Hoxha, ministri sovjetik i Mbrojtjes Malinkovski në një fjalim në qytetin port të Vlorës duke parë habinë e Krushovit me gjirin e Vlorës, tha: “Ju e kuptoni Nikita Sergejeviç se me raketat në Berlin ne mund të godasim edhe Gjibraltarin, ndërsa nga gjiri i Vlorës kemi në pëllëmbë të dorës të gjithë Mesdheun”. Por plani nuk u zbatua asnjëherë pasi sipas Hoxhës, “partia dhe qeveria jonë i shkatërroi planet e tyre”. Gjatë vizitës së tij Krushovi kishte dënuar ashpër ndërtimin e bazave amerikane në Itali, ndërsa BRSS trembej se SHBA do të ndërtonte baza ushtarake dhe në Greqi. Pas kthimit në Moskë, Krushovi deklaroi publikisht se propozimi që kishte bërë për zonën pa raketa në Ballkan ishte refuzuar prandaj BRSS do të krijojë baza raketore në Shqipëri dhe në Bullgari.

13 shtator 1973

Shqipëria e shqetësuar nga afrimi Kinë-SHBA

Informacionet e fundit që sinjalizojnë politikat e administratës Nixon për afrimin e SHBA me Kinën duket se po shkaktojnëtrazira serioze në politikën e brendshme shqiptare, vendi i vetëm evropian aleat me Kinën. Burime të informuara për Shqipërinë thonë kjo vjen pasi shumë zyrtarë të vjetër të partisë shqiptare dhe shumë shqiptarë të rinj po nxisin që vendi të ndjekë shembullin e Kinës në afrimin me Shtetet e Bashkuara. Por kreu 64 vjeçar i partisë, Hoxha, dhe byroja e tij politike me 10 persona, raportohet se ka etiketuar politikën e zbutjes së tensioneve Lindje-Perëndim të rrezikshme për sigurinë e vendit. Hoxha thuhet se e ka përshkruar atë si një tentativë detyrimi për të pranuar dominimin e superfuqive nga vendet e vogla komuniste. Ai ka thënë se marrëdhëniet normale që kërkon SHBA me vendet e vogla do të thotë se kërkon që ato të ulin vigjilencën e tyre. Këto fraza kanë dalë që prej botimit të artikullit të Hoxhës në gazetën ideologjike Rruga e Partisë. Menjëherë për një mbledhjeje të byrosë politike në mars, zyrtarët kryesorë të propagandës u larguan nga postet e tyre dhe u dërguan në Koplik, në veri të vendit për të kryer punë krahu. Të dëbuarit ishin Fadil Pacrami, anëtar i Komiteti Qendror të partisë prej 20 vitesh, kryetar i Parlamentit, si dhe Todi Lubonja, drejtori i radio-televizionit që është rreth 48 vjeç. Spastrimet u bënë të ditura vetëm pas një mbledhjeje sekrete të Komitetit Qendror në qershor. Më 28 korrik Zëri i Popullit denoncoi Pacramin si “armik i partisë e i popullit” ndërsa Lubonjën si “devijacionist i djathtë dhe element anti-parti”. Në të njëjtën kohë gazeta Bashkimi shkruante për spastrime në grupet e të rinjve komunistë, ku sekretari i parë Rudi Monari dhe zëvendësi i tij Asim Bedalli ishin larguar nga postet. Në një takim të 29 korrikut të Lidhjes së Shkrimtarëve e artistëve shqiptarë, u votua për shkarkimin e kryetarit të organizatës Dhimitër Shuteriqi dhe sekretarit të përgjithshëm Vilson Kilica, të cilët bashkë me të tjerë u denoncuan si nxitës të revizionizmit borgjez dhe të tendencave dekadente. Sipas informatorëve spastrimet erdhën në një kohë me fushatën kundër atyre që dëgjonin stacionet e huaja radio e televizive. Vendi në fakt kap transmetime të thuaja, disa prej të cilave edhe në shqip, nga Bari, Italia, Shkupi, Prishtina në Jugosllavi dhe veriu i Greqisë. Fushata kundër transmetimeve të huaja nisi në janar dhe është tashmë në forcë të plotë, me grupe të rinjsh komunistë që dalin nëpër qytet dhe shkatërrojnë ato që mund të duken si antena të dyshimta televizioni. Parulla në mure dhe artikuj në shtyp vijojnë të denoncojnë ata që shikojnë programet e huaja duke i quajtur “armiq të maskuar të popullit”. Fushata është zgjeruar për të përfshirë dhe veshjet e stilit “ekstravagant, apo modelet e shëmtuara të flokëve të gjata dhe muzikës moderne”. Dënohen gjithashtu ‘barsoletat me fjalë të pista’. Është ironike që spastrimet dhe fushata anti-dekadencë po kryhen në Shqipëri në një kohë kur vendi po kërkon të zgjerojë kontaktet me jashtë. Shqipëria ka krijuar tashmë marrëdhënie diplomatike me 55 vende dhe ka rreth 100 studentë që studiojnë në Evropën Perëndimore. Zv. Sekretari i Shtetit Keneth Rush tha në fjalimin e 4 prillit se SHBA është e gatshme të përgjigjet ndaj një shprehjeje të Shqipërisë për hapjen e marrëdhënieve. Por tashmë duket se kjo ka ndodhur në kohën kur Hoxha nisi spastrimet e zyrtarëve të dyshuar për tendenca perëndimore.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/10/2019 - 07:05

 Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste të arratisur jashtë vendit, CIA ka treguar të tjera detaje nga themelimi dhe organizmi i saj i brendshëm.

Postuar: 18/10/2019 - 07:09

Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste, CIA ka tregu

Postuar: 17/10/2019 - 07:13

Në vazhdën e të dhënave të mbledhura nga informatorët në radhët e Partisë Komuniste, CIA ka tregu

Postuar: 16/10/2019 - 07:07

Në vijim të numrit të kaluar, gazeta po tregon të tjera detaje nga rrëfimi që një prej ish-anëtar

Postuar: 15/10/2019 - 07:19

CIA amerikane ka deklasifikuar një dokument tepër voluminoz, ku jepen detajet e të dhënave që rap

Postuar: 13/10/2019 - 07:44

CIA ka treguar detaje mbi mënyrën se si rekrutonte agjentë në vendin tonë.

Postuar: 11/10/2019 - 07:24

CIA ka deklasifikuar të tjera dokumente sa i takon zhvillimeve në Shqipërinë komuniste.