Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ja si Enver Hoxha më 1970 nisi të ndryshojë kurs, ktheu sytë nga Jugosllavia dhe tentoi të bashkëpunonte me disa shtete, vijonte përçmimi ndaj SHBA

Postuar: 08/08/2019 - 07:07

 Pas shumë përplasjeve të forta, më 1970 marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë nisën të ndryshojnë. Sipas disa raportimeve të “New York Times”, Hoxha nisi të qetësojë bashkëpunimin me Beogradin, ndërkohë që synonte të rriste bashkëpunimin dhe me shtete të tjera.

 

7 dhjetor 1969

Shqipëria raporton se lëvizjet maoiste janë aktive në Evropë

Kanalet shqiptare të mediave kanë thënë së fundmi se lëvizjet militante pro-Pekin janë aktive në Poloni dhe vende të tjera evropiano-lindore. Analistët thonë se ky pohim bie ndesh me përshtypjen e përgjithshme se Evropa Lindore është në anën e Bashkimit Sovjetik kundër frontit të Kinës e Shqipërisë. Radio Tirana dhe Agjencia Telegrafike Shqiptare citonin një ish-zyrtar polak Kazimierz Mijal, i cili zotohej me mbështetësit e tij të luftonte “terrorin” e kreut komunist Vladislav Gomulka si dhe imperializmin sovjetik. 58 vjeçari Mijal ka qenë për disa vjet ndihmës i Boleslav Bierut, stalinisti ish-shef i Partisë Komuniste Polake. Ai është përjashtuar nga komiteti qendror me akuza komplotesh ndaj Gomulkës dhe tre vjet më parë është larguar nga Polonia. Ai tashmë besohet se drejton sektorin e lajmeve polake të Radio Tiranës. Thirrja e tij për përmbysjen e udhëheqjes polake u bë në një mesazh të nëntorit 1969 për udhëheqësin shqiptar Enver Hoxha. Ekspertët perëndimorë thonë se Mijal nuk mund të kthehej në Poloni pasi u largua me dokumente false në 1966. Në mesazhin e tij Mijal përshkruante një pamje të zymtë të kushteve në Poloni. “Ashtu si në vende të tjera ku në pushtet janë revizionistët (pro-Moskës) standardet e jetesës së klasës punëtore po bien përditë dhe të ardhurat kombëtare po shpërdorohen nga borgjezia e re dhe e vjetër”. Radio Tirana transmetonte të tjera mesazhe që supozohej se dërgoheshin nga grupe komuniste pro-kineze në Evropën Lindore, një prej të cilave vinte nga Jugosllavia por kjo e fundit e shpalli si fabrikacion. Specialistët e çështjeve komuniste thonë se Pekini po financon grupet komuniste pro-maoiste në Evropën Lindore dhe së shpejti do të mbahet një konferencë e tyre në Tiranë. Ata thonë se ka prova se mes lëvizjeve pro-kineze në Evropë, Pekinit i duket më premtues grupi italian. Ekstremistët maoistë janë përfshirë kohët e fundit në disa protesta të dhunshme në Itali. Lideri i tyre është Fosco Dinuçi të cilit iu bënë nderime të veçanta gjatë një vizite në Shqipëri.

11 janar 1970

Nxitje e re bujqësore në Tiranë

Qeveria pro-kineze e Shqipërisë ka nisur një fushatë të detyruar veprimi masiv në mbështetje të bujqësisë, në përputhje me teorinë e “Kapërcimit të madh” që po aplikohet në Kinë dhe me brigadat e kallam-prerësve në Kubë. Radio Tirana dhe shtypi shqiptar kanë theksuar ditët e fundit atë që përshkruajnë se “valë e përqendruar e punës revolucionare” në pjesë të ndryshme të vendit. Deri tani 200 000 persona, një e dhjeta e popullsisë kanë marrë pjesë në fushatë për të paktën 1 ditë prej 1 janarit. Raportimet nga Tirana flasin për “entuziazëm revolucionar” për fushatën ku përfshihen gjithashtu adoleshentë dhe të vjetër, por të paktën nuk pretendohet se ka vullnetarë. Projekti është një sistem ujitjeje prej 11 miljesh në zonën e Dibrës, ku mijëra punëtorë gërmojnë tetë orë në ditë. Kreu komunist Enver Hoxha përmendi projektin e Dibrës në një fjalim të gjatë kësaj jave, duke e ngritur lart si një shembull të zhvillimit madhor ekonomik.

 

 

 

20 janar 1970

Shqipëria nënshkruan akordin e ri tregtar me Kinën

Shqipëria njoftoi sot nënshkrimin e akordit të ri tregtar me Kinën komuniste që forcon më shumë marrëdhënien mes dy vendeve. Shtypi shqiptar sulmonte gjithashtu Shtetet e Bashkuara për atë që përshkruante si komplot me Bashkimin Sovjetik për rrethimin e Kinës me “kordonin e zjarrit”. Analistët politikë e konsiderojnë të rëndësishëm njoftimin për akordin mes Kinës dhe aleatit të tij të vetëm evropian, në një kohë kur retorikat e tyre anti-amerikane përkonin me rinisjen e bisedimeve me SHBA dhe Polonisë. Ekspertët shprehin besimin se koha e zhvillimit është llogaritur me kujdes nga këshilltarët kinezë, dhe publikimi i akordit do të thotë se Kina kërkon të theksojë se i mbështet miqtë e saj. Duke autorizuar retorikën anti-amerikane të Tiranës, Pekini kërkon të theksojë ashpërsinë e doktrinës së tij dhe përçmimin e vazhduar ndaj SHBA, me gjithë kontaktet me Uashingtonin. Deri tani informacioni i mediave shqiptare nuk i ka përmendur bisedimet e Varshavës por citonte një artikull të gazetës “Bashkimi” ku presidenti Nixon akuzohej se po vinte aziatikët kundër njëri-tjetrit. Gazeta thoshte se Nixon fliste për tërheqjen e trupave amerikane nga Vietnami, por urdhëronte shtimin e trupave ushtarake në Laos e Tailandë për të mbështetur “fashistët indonezianë” dhe qeveritë reaksionare të Filipineve, Malajzisë e Singaporit. Gazeta shqiptare përsëriste gjithashtu akuzat se Uashingtoni po negocionte një marrëveshje armatimesh me Moskën për të bërë shantazh ndaj vendeve të tjera dhe për të realizuar ëndrrën e tyre të “hegjemonisë së dy fuqive”. Marrëveshja e re u nënshkrua nga ministri Tregtar kinez Lin Hai Jun, i cili ishte në Shqipëri me një delegacion të gjerë ekspertësh për disa javë. Nënshkrimi i akordit u shënua me një darkë zyrtare në Tiranë ku morën pjesë kreu i partisë Enver Hoxha dhe Mehmet Shehu. Sipas njoftimit Kina do të japë kredi të reja dhe dy vendet do të shtojnë volumin tregtar. Shqipëria nuk ka publikuar shifrat e saj të tregtisë së jashtme prej disa vitesh, por llogaritet se Kina përbën të paktën 70 për qind të volumit total prej rreth 200 milionë dollarë. Njoftimi tha se Kina do të furnizojë me traktorë dhe pajisje të tjera për bujqësinë, pesticide, pajisje për industrinë e naftës, produkte kimike, fletë e tuba metali dhe mallra të tjera. Shqipëria zotohej të eksportonte metale, produkte nafte, duhan, tekstile dhe artikuj lëkure. Një pjesë e madhe e artikujve kineze që vijnë në Shqipëri jepen sipas programit të ndihmës së këtij viti që arrin në 200 milionë.

7 qershor 1970

Jugosllavia studion ofertat shqiptare të hapjes

Kreu komunist shqiptar Enver Hoxha raportohet së fundmi të ketë thënë se vendi dëshiron marrëdhënie të mira me Jugosllavinë si dhe “ndjenja miqësie me popullin jugosllav”. Sipas burimeve jugosllave shprehja e një dëshire të tillë mund të jetë një sinjal për rinisjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve fqinje që mund të jetë një ndryshim i konsiderueshëm i politikave në Ballkan. Përmbajtja e fjalimit të Hoxhës u transmetua nga Radio shqiptare, e cila thoshte se fjalimi ishte dhënë gjatë një takimi në Tropojë, rajoni më verior i vendit. Ajo që mund të ketë shkaktuar ndryshimin spekulohet vetëm nga Beogradi, sipas të cilit është akumulimi i luftanijeve sovjetike në Mesdhe dhe kërcënimi i tij ndaj Shqipërisë, pasojat e mundshme të krizës së Lindjes së Mesme, frika pas pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë në 1968 dhe ndërgjegjësimi se izolimi në botën e sotme është i pamundur.

7 korrik 1970

 Jugosllavia e Shqipëria përmirësojnë lidhjet me anë të turizmit

Marrëdhëniet mes Shqipërisë e Jugosllavisë kanë variuar nga koha e bashkë-luftëtarëve në kohën e luftës, te armiqësia apo bashkëpunimi i kujdesshëm, ndërsa tani zyrtarët e dy palëve në një resort të mahnitshëm turistik shpresojnë se turizmi do i bashkojë me anë të udhëtimeve nga rrugët shqiptarë. “Dëshira jonë është ta hapim tërësisht kufirin me Shqipërinë”, thotë Jonce Filipovski, drejtori i çështjeve ekonomike të Ohrit. “Kështu do të ishim vetëm tre-katër orë larg detit Adriatik. Tashmë me makinë deti do të ishte vetëm 20 minuta larg”. Sipas tij një shkurtim i tillë do të joshte vizitorët nga Jugosllavia ose ata me anijet kroçerë në Adriatik, të vinin drejt Ohrit, duke u dhënë një rrugë të shkurtër drejt jugut dhe lidhje të kollajtë me Greqinë.

Të ardhurat e turistëve

Qyteti i Ohrit fiton 31 për qind të të ardhurave të tij nga turistët që vijnë për të parë afresket e mrekullueshme serbo-bizantine dhe ikonat e kishave të tij. Turistët vijnë për të bërë banjë në liqenin malor dhe të konsumojnë troftën që jeton në ujërat që ndajnë Jugosllavinë Jugperëndimore nga Shqipëri. Aeroporti i ri i hapur vetëm këtë muaj pritet të sjellë më shumë vizitorë nga jashtë, por Filipovski dhe miqtë e tij kërkojnë një autostradë të re. Mundësia për të pasur një rrugë të shkurtër drejt Adriatikut nuk është e mirë për momentin, por rruga prej 10 miljesh nga Struga drejt kufirit me Shqipërinë është duke u zgjeruar dhe shtruar. Filipovski thotë: “Së fundmi ka pasur përmirësime të marrëdhënieve të qeverisë sonë me tëtyren por ende nuk ka gjë konkrete”. Kamionët që kalojnë çdo ditë përmes Ohrit sjellin e çojnë mallra në Shqipëri dhe kjo është një shenjë e përmirësimit. Shumica e tyre shkojnë në Shqipëri nga Hungaria, Bullgaria e Rumania ose anasjelltas, por disa të tjerë kryejnë tregtinë me Jugosllavinë që arriti në 80 milionë dollarë këtë vit, një rritje prej 30 për qind nga vitit 1969.

Bashkëpunimi rritet

Dy fqinjët mbajnë legata në kryeqytetet e njëra-tjetrës por një fjalim afrues i udhëheqësit Hoxha këtë pranverë solli dhe përgjigjen e një zyrtari jugosllav i cili tha se “bashkëpunimi me Shqipërinë është orientimi afatgjatë i Jugosllavisë”. Fjalimi dhe gjithashtu përmbyllja e një marrëveshjeje tregtare prej 1.8 milionë dollarë mes Shqipërisë e Greqisë këtë muaj, edhe pse dy vendet mbeten teknikisht në gjendje lufte, konsiderohen nga jugosllavët dhe zyrtarët perëndimorë si provë e vullnetit të përmirësimit të lidhjeve mes fqinjëve ballkanikë. Analistëtbesojnë se motivi kryesor për këtë është se qeveria e Tiranës ka vendosur se aleanca me Kinën që tashmë është bërë ‘mbytëse’ ka nevojë të plotësohet me lidhje të tjera. Pushtimi i Çekosllovakisë nga sovjetikët në gusht 1968 dhe zgjerimi i fuqisë detare sovjetike në Mesdhe janë gjithashtu faktorë që kanë shtuar sikletin e Shqipërisë. Një tjetër shpjegim mund të jetë dëshira e thjeshtë komerciale për zgjerimin e tregjeve për akses më të mirë, të lehtësuar nga trafiku rrugor sipas konventës së vitit të kaluar me Jugosllavinë. Diplomatët jugosllavë besojnë se Tirana duhet të kufizojë bashkëpunimin e saj me Beogradin ose ndryshe ekspozon dy milionë qytetarët e saj të regjimentuar ndaj politikave jugosllave të ekonomisë së lirë. Një tjetër faktor është gjithashtu 1.2 shqiptarët myslimanë që jetojnë në jug të Jugosllavisë, të cilët jetojnë në prapambetje dhe shteti jugosllav nuk punon për ta zgjidhur.

Importohen librat e shkollave

Marrëveshja mes Shqipërisë e Jugosllavisë parashikon gjithashtu importin e librave shkollorë të Shqipërisë për shqipfolësit jugosllavë. Zyrtarë të doganave këtu thonë se kësaj radhe librat nuk kishin aq shumë propagandë maoiste në krahasim me vite të shkuara, kur ata ishin detyruar të kthenin mbrapsht ngarkesat. Me gjithë përpjekjet për të përmirësuar standardet e jetesës së shqiptarëve në Jugosllavi, në Jugosllavi ka përçmim të gjerë për ta. Shumica e tyre emigron brenda Jugosllavisë për të gjetur punë. “Disa prej tyre janë njerëz të mirë”, thotë një turist i ri maqedonas në liqenin e Ohrit, por shton: “Por shumica e tyre janë të këqij dhe të pandershëm. Vitin e kaluar në një fshat kufitar ata ringjallën një hakmarrje të vjetër dhe vranë 10 vetë para se policia të ndërhynte. Ata të gjithë mbajnë armë, dhe turqit i kanë mësuar si t’i përdorin kundër nesh”.

23 gusht 1970

Shqipëria kërkon zgjerim të lidhjeve diplomatike

Guaska që rrethon ishullin politik të Shqipërisë duket se po thyhet. Tirana, kryeqyteti i aleatit të vetëm evropian të Kinës ka lëshuar disa sinjale diplomatike muajt e fundit për ngrohjen e marrëdhënieve në disa fronte. Shqipëria ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Danimarkën e Zvicrën dhe ka bërë përpjekje për përmirësimin e marrëdhënieve me Jugosllavinë. Këmbimet kulturore e teknike me Republikën e Bashkuar Arabe dhe Turqinë janë negociuar dhe tregtia me Rumaninë është rritur. Surprizë është dhe nënshkrimi i një marrëveshjeje tregtare prek 1.8 milionë dollarë me Greqinë, vend me të cilin Shqipëria është teknikisht ende në luftë. Akordi është një akt i paprecedentë nga Shqipëria me një vend anëtar të NATO si Greqia, qeveria e të cilës denoncohet rregullisht në shtypin socialist si një “klikë fashiste ushtarake”. Kufijtë e Shqipërisë mbeten të mbyllur por është lejuar një numër i vogël vizitorësh të huaj që mbikëqyren nga afër gjatë qëndrimit të tyre. Shqipëria nuk merr pjesë në aktivitete të rregullta diplomatike apo politike në Evropë. Vendi ka qenë më parë pjesë e Paktit të Varshavës, por është distancuar nga orbita sovjetike pas prishjes me BRSS. Prej atëherë vendi ka forcuar lidhjet politike dhe ushtarake me Kinën komuniste, por diplomatët në Beograd thonë se lëvizjet e fundit të Tiranës tregojnë se vendi ka kuptuar se lidhjet e ngushta me Pekinin nuk nënkuptojnë nevoja të njëjta politike.

Diferencat

“Do të ishte e gabuar të mendoje se Kina e Shqipëria kanë pikëpamje të përbashkëta për problemet botërore”, shkruante e përditshmja e Zagrebit “Vjesitik”, duke shtuar: “Përkundrazi, ato kanë pasur diferenca të rëndësishme për çështjet ndërkombëtare. Edhe zhvillimet e brendshme në Shqipëri, sigurisht që nuk janë një imitim i socializmit të Kinës”. Në përputhje më këtë, Shqipëria ka qasjen e saj individuale në lidhjet me Greqinë e Jugosllavinë, po ashtu dhe me Bullgarinë e Rumaninë. Kreu i partisë shqiptare Hoxha ka vijuar linjën e artikujve miqësorë mbi fqinjësinë me Jugosllavinë teksa në një fjalim në Bajram Curri, pranë kufirit me Jugosllavinë  përsëriti vullnetin e Shqipërisë për lidhje të mira. Komentet e tij erdhën një javë pasi partia jugosllave përshpejtoi planin e zhvillimit për rajonin e Kosovës, provincës jugore me shumicë shqiptare. Por diplomatët paralajmërojnë se influenca e Kinës në mendësinë politike shqiptare nuk duhet të nënvlerësohet. Pekini ishte i pari që nisi një kthesë të përmirësimit të lidhjeve duke ridërguar në postet e tyre ambasadorët që u thirrën në Pekin gjatë Revolucionit Kulturor.

Faktori frikë

Arsyet për lëvizjet e fundit kineze e shqiptare nuk janë të qarta por diplomatët thonë se si Kina dhe Shqipëria i tremben Bashkimit Sovjetik dhe për to marrëdhëniet e mira aktualisht do të sillnin më shumë mbështetje. Nga të gjitha sinjalizimet sjellja e re diplomatike e Shqipërisë duket se po jep rezultate. Presidenti Tito i Jugosllavisë në përgjigje të sinjaleve shqiptare tha së fundmi në një miting në Zabljak në jug të vendit: “Ne nuk kemi interesa të tjera përveç marrdhëneive të mira me Shqipërinë. Ka qenë gjithmonë dëshira jonë të ruajmë këto marrëdhënie, megjithëse sistemet tona janë të ndryshme”. Ekspertët thonë se ky ishte një nga sinjalet më të ngrohta të Jugosllavisë në drejtim të Shqipërisë dhe se tashmë është në dorë të Tiranës të pranojë këtë ftesë.

14 nëntor 1971

Përmirësim diplomatik me Shqipërinë, Greqia heq dorë nga pretendimet për Jugun

Qeveria e Greqisë duket se ka lënë mënjanë pretendimin e vjetër territorial ndaj Shqipërisë edhe ka ngritur lart rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike me fqinjin e saj ballkanik. Zv. ministri i jashtëm Kristian Xanthopulos u tha sot gazetarëve pas pritjes me ambasadorin e parë shqiptar në Greqi, Lik Seiti: “Ne duhet të punojmë për rivendosjen e besimit dhe bashkëpunimit, meqënëse Greqia nuk komploton kundër territorit shqiptar”. Vëzhguesit diplomatikë thonë se ky zotim nënkupton se Athina ka hequr dorë për momentin nga pretendimet për atë që ajo quan Epiri i Veriut, zona rreth 2000 milje në jug të Shqipërisë mbi kufirin grek. Ky pretendim kishte ndaluar rivendojsen e marrëdhënieve mes vendeve që prej fundit të Luftës II Botërore. Zyrtarët grekë thonë se politikat e mëparshme ndaj Tiranës ishin jorealiste dhe se tashmë Athina e sheh se minoriteti grek  në Shqipëri. I cili ka sjellë dhe lindjen e pretendimeve, është trajtuar mirë. Denis Karajanis shkoi në Tiranë muajin e kaluar si ambasadori i ri grek. Ai është tashmë në Athinë për konsultime, ndërsa ambasadori i Shqipërisë Seiti pritet të dorëzojë kredencialet e tij të martën te kreu grek gjeneral George Zeitakis. Seiti i dha kopje të kredencialeve sot zv. ministrit të Jashtëm Xanthopulos. Ambasadori Seiti erdhi një ditë më parë në Athinë nga Shqipëria me automobil, nga rruga pranë Follorinës, ajo që trupat italiane kishin përdorur në 1940 për të pushtuar Greqinë. Asokohe qeveria kukull pro-fashiste shqiptare shpalli luftë ndaj Greqisë. Pas përfundimit të luftës regjimi komunist i Enver Hoxhës refuzoi të merrte përsipër përgjegjësinë e akteve të pararendësve të tyre fashistë, dhe gjithashtu refuzoi ftesat e Greqisë për të negozjuar një traktat paqeje dhe të diskutojë pretendimet territoriale. Greqia e Shqipëria ndajnë një kufi prej 155 miljesh dhe mbeten ende teorikisht në gjendje lufte. Xanthopulos tha sot se mes vendeve do të nënshkruhen një seri marrëveshjesh tregtare, një konventë konsullore dhe një traktat për bashkëpunim në turizëm.

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/08/2019 - 07:35

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi zhvillimet në Shqipëri pas vdekjes së Enver Hoxhës. Ato kanë hedhur dritë mbi betejën që nisi mes Alisë dhe Nexhmije Hoxhës.

Postuar: 22/08/2019 - 07:13

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi zhvillimet në Shqipëri pas vdekjes së Enver Hoxhës.

Postuar: 21/08/2019 - 07:35

Amerikanët kanë dhënë detaje nga kalimi i pushteti te Ramiz Alia.

Postuar: 20/08/2019 - 07:12

Amerikanët kanë nxjerrë në pah detaje të tjera sa i takon zhvillimeve në sistemin komunist.

Postuar: 18/08/2019 - 14:44

Amerikanët kanë zbardhur të tjera detaje nga vdekja e Mehmet Shehut.

Postuar: 17/08/2019 - 18:00

 Gazeta amerikane “New York Times” ka zbardhur të tjera detaje nga vdekja e Mehm

Postuar: 16/08/2019 - 07:14

Amerikanët kanë zbardhur të tjera detaje sa i takon përplasjeve në Shqipërinë komuniste.