Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ja si Enver Hoxha nisi transferimet në fshat të zyrtarëve që nuk e pëlqenin aleancën me Kinën, regjimi jetonte me frikën e pushtimit nga jashtë

Postuar: 07/08/2019 - 07:06

 Amerikanët kanë nxjerrë në pah të tjera detaje nga jeta në regjimin komunist. Sipas disa shkrimeve të “New York Times”, Hoxha nisi të transferojë në fshat të gjithë ata që nuk e mbështesnin aleancën me Kinën.

21 shkurt 1967

Në Shqipëri afron përsëri koha e spastrimeve

Kreu i Partisë Komuniste Shqiptare Enver Hoxha tha sot se rotacion madhor në radhët e partisë dhe roleve qeveritare po afrohet. Hoxha citohej nga mediat vendase të thoshte se rotacioni do të ndodhë së shpejti sepse “ka disa zyrtarë që prej 10-15 vjetësh flenë gjumë në postet e tyre”. Dy javë më parë burimet jugosllave thoshin se në Partinë Komuniste Shqiptare do të kryheshin ndryshime madhore zyrtarësh duke i larguar nga qyteti drejt fshatrave përreth. Arsyetimi i tyre ishte se struktura e partisë ishte rënduar shumë, dhe gjithashtu kishte si qëllim largimin e zyrtarëve që nuk preferojnë aleancën e ngushtë të Shqipërisë me Kinën.

2 prill 1967

Jugosllavia thotë se Shqipëria po përdor posterat

Postera të mëdhenj në mure të stilit kinez kanë nisur të shfaqen në Shqipëri, teksa regjimi po nxit masat për të ruajtur vrullin e fushatës. Agjencia jugosllave Tanjug citonte gazetën kryesore komuniste shqiptare të thoshte se posterat nisën të shfaqen në fillim të muajit dhe sulmonin manifestimet negative që janë të huaja për ideologjinë tonë dhe jetën socialiste. “Posterat janë bërë një platformë e masave kështu që siç ka thënë udhëheqësi Enver Hoxha të gjithë mund të shkruajnë me shkronja të mëdha e pa asnjë frikë atë që mendojnë për punën dhe njerëzit”, tha “Zëri i Popullit”.

1 qershor 1969

Në Shqipëri shprehet frika e pushtimit

Shqipëria është sot një kamp i vogël i armatosur që shpreh vazhdimisht frikën e pushtimit nga Bashkimi Sovjetik revizionist ose nga SHBA imperialiste. Rrugët në Tiranë janë të veshura me parulla e postera ku thuhet se kufijtë e Shqipërisë janë të paprekshëm, dhe se “Ata që na frikësojnë, nuk kanë lindur akoma”. Nëpër kodra e male janë shpuar bunkerë ku janë vendosur raketa kineze përgjatë gjithë bregdetit me Greqinë dhe rreth portit të Durrësit, zyrtari i partisë u thotë në anglisht vizitorëve se vendi është i sigurt: “Shqipëria nuk është vetëm. Miqtë tanë kinezë na kanë dërguar një armë të re që ka kryer mrekullia në kufirin sovjeto-kinez”. Tela me gjemba të elektrifikuar ndajnë kufirin por roli i tyre duket se është parandalimi i spiunëve dhe eksodi i refugjatëve. Kjo ndihmon që vendi të kthehet në një ishull ndaj asaj që konsideron ‘botë armiqësore’. Mikja e saj e vetme është Kina 6200 milje larg. Mësimet ushtarake janë të detyrueshme që në shkollën fillore, fëmijët bëjnë duele me pushkë druri dhe vajzat marrin pjesë në parada me armë në krahë. Mbrojtja e vendit duket se është e përqendruar në fushat bregdetare dhe në bazën detare të Vlorës ku ushtarakët rusë u zëvendësuan nga ata kinezë në 1963. Por burimet e informuara thonë se kinezët nuk kanë ndërtuar bazë luftanijesh në Shqipëri dhe as në Mesdhe. Portreti i udhëheqësit kinez Mao Ce Dung shihet përkrah atij të Enver Hoxhës në rrugë e kafene, ndërsa kamionët kinezë kanë nisur të zëvendësojnë ata rusë nëpër rrugë. Ambasada Kineze gjendet në një vilë të bukur me një transmetues të fuqishëm radio me pesë antena në kopsht. Ambasadori kinez Keng Piao, anëtar i Komitetit Qendror të partisë, është kthyer në Tiranë në 9 maj dhe është ambasadori i parë pas revolucionit kulturor të Pekinit.

Uzina emërtohet Mao Ce Dung

Edhe zyrtarë të lartë të institucioneve shqiptare kryejnë gjimnastikën e mëngjesit në ora 6.30, një orë pasi personeli i Ambasadës Kineze kryen ushtrimet e tyre në kopshtin e ambasadës. Në marrëveshjen e tyre më të fundit Kina plotëson thuajse të gjitha kërkesat e Shqipërisë, mes të cilave uzina gjigante e fertilizuesve bujqësorë në Fier dhe hidrocentrali elektrik Mao Ce Dung në lumin Drin. Shifrat për vitin 1967 tregojnë se borxhi i Shqipërisë ndaj Kinës komuniste ka arritur në rreth 200 milionë dollarë. Kina është gjithashtu pjesë e 40 për qind të eksporteve shqiptare dhe 60 për qind e importeve. Mes dërgesave kineze janë rreth 5000 traktorë çdo vit, me të cilët po zëvendësohej rreth 2000 traktorë sovjetikë për të cilët nuk ka pjesë këmbimi. Shumica e ambasadorëve thonë se ekonomia e vendit është përmirësuar në vitet e fundit. Një biznesmen zviceran lavdëronte cilësinë e kabllove të metalta shqiptare. Porti i Durrësit është pajisur me 14 vinça të mëdhenj, të cilët ishin duke shkarkuar një transportuese të madhe kineze, ndërsa shtatë anije të tjera me kombësi të ndryshme po prisnin në radhë. Politika ekonomike e vendit është e thjeshtë; importo sa më pak është e mundur, kryesisht makineri, tekstile dhe prodhime bujqësore, dhe eksporto sa më shumë pambuk, oriz, duhan, asfalt, bakër, krom dhe naftë. Por për vizitorin normal nuk ka asnjë ndryshim spektakolar. Pluhuri mbulon të gjithë artikuj e shfaqur në vitrina në kryeqytetin me 200 000 banorë. Në një ekspozitë të përhershme tregohen disa stile të ndryshme furçash, një automjet me tre rrota, dy soba të vogla qymyri, disa lodra dhe disa artikuj leshi. Vendasit thonë me krenari se të gjitha këto janë prodhuar në Shqipëri. Vendi duket se ka ndërmend të mbështetet vetëm te vetja dhe të zëvendësojë makineritë që nuk arrin dot, me punën e krahut. Pas versionit shqiptar të ‘revolucionit kulturor’ që nuk është reklamuar shumë, toka është kolektivizuar e gjitha, duke përfshirë dhe parcelat e vogla individuale. Por mbetet ende tregu i zi i prodhimeve bujqësore, ndërsa dhe dyqanet e artizanatit po zhduken.

29 shtator 1969

Vizitorët në Shqipëri shohin statujën e Stalinit në qytete

Një grua gjermane bionde zbriti nga autobusi dhe në një farë distance ndërroi fundin e saj me një palë pantallona të shkurtra që ia mori një shoqeje. Rojet jugosllave të kufirit qëndronin duke bërë shaka teksa gjermania u kthye në autobus, i cili më pas vazhdoi drejt kufirit me Shqipërinë. Në Shqipëri mbizotëron ende morali dhe ideologjia staliniste prandaj ka shumë gjëra të ndaluara siç janë minifundet, rusët apo amerikanët. Shqipëria është një komb prej 1.8 milionë banorësh dhe aleate e ngushtë e Kinës që prej prishjes me Bashkimin Sovjetik në 1961. Për të huajt i vetmi shans për të udhëtuar në Shqipëri ofrohet nga një agjenci jugosllave udhëtimi, e cila sjell çdo javë udhëtarët e brigjeve dalmate në një shëtitje me autobus në Tiranë dhe Durrës.

Udhëtim i pazakontë

Kur autobusi mbërrin në postbllok, grupit i bashkohet guida shqiptare. Ai është miqësor e i sjellshëm dhe e bën të qartë se udhëtimi në Shqipëri nuk është diçka e zakonshme. Ai shton se mund të bëhen fotografi por jo të njerëzve me uniformë, të instilacioneve ushtarake, urave, hekurudhave dhe zonave e njerëzve të varfër. Në vend shumica e popullsisë së meshkujve përbëhet nga policë në uniforma blu dhe ushtarak në jeshile të errët, veshjet janë të rreckosura e shumica e shtëpive anës rrugës të rrënuara. Por guida jonë Harri tregohet bujar. Duke marrë leje, ai i lejon turistëve të largohen nga grupi e të dalin vetëm nëpër Tiranë. Të shëtitësh në Tiranë do të thotë të kërkosh prova të prezencës kineze. Kjo përbëhet nga makina kineze, traktorë kinezë në fusha apo ushqime në kanoçe në dyqane. Tekstilet kineze janë veshje të gatshme, teksa shihen gjithashtu lodra dhe çakmakë. Kinezët mund të shihen në rrugë, duke shëtitur në grupe pas orëve të gjata të punës. Në shenjë të miqësisë shqiptaro-kineze turistët lejohen të vizitojnë fabrikën e telave në Shkodër. Portrete të madhe me ngjyra të udhëheqësve Enver Hoxha e Mao Ce Dung janë vënë në hyrje të fabrikës. Harri thotë se fabrika është ndërtuar nga kinezët e shqiptarët me paratë dhe makineritë kineze. Telat e bakrit tashmë eksportohen në vendet perëndimore dhe sjellin para të gatshme në vend. Sipas motivit kinez, Shqipëria ka anuluar gradat ushtarake në forcat e armatosura dhe ka nisur përdorimin e komisarëve politikë. Gjatë një periudhe të shkurtër revolucioni kulturor kinez është kopjuar edhe në Shqipëri me vendosjen e posterave antifetarë e pro-qeveritarë në mure. “Shqipëria është i vetmi vend në botë që ka anuluar me të vërtetë fenë”, informon Harri audiencën e tij. “të gjithë kishat e xhamitë janë kthyer në qendra kulturore ideologjike të partisë, në qendra rinore apo restorante”. Një kishë ortodokse në kodrat sipër Tiranës përdoret si restorant, ndërsa një nga xhamitë më të famshme në Ballkan, Xhamia e Plumbit është kthyer në stallë për fermën kolektive. Statuja e Stalinit ka vendin e saj të nderit në qytetet shqiptare. Shkolla e fabrika kanë marrë emrin e tij, ndërsa librat e tij përkthehen në shqip dhe shiten në librari. Emri i udhëheqësit Hoxha gjithashtu shihet në çdo cep të vendit, i gdhendur në faqe mali, në mure, në ndërtesa të partisë e në kooperativa. Sloganet nga fjalimet e tij nënshkruhen vetëm me “Enver”. Guida jonë Harri thotë se partia shqiptare është me të vërtetë marksiste-leniniste dhe nxit më shumë prodhim dhe efikasitet. Një nga sloganet e Hoxhës thotë: “Do ta kthejmë Shqipërinë në një kopsht të lulëzuar të socializmit”, por deri tani kopshti nuk po lulëzon dhe vendi është më i varfri e më i prapambeturi në Ballkan, që nuk mund të krahasohet as me rajonet më të varfra të Jugosllavisë e Bullgarisë. Megjithëse ndërtesa apartamentesh të reja janë ndërtuar vitet e fundit në Tiranë, Shkodër e Durrës me financat kineze, strehimi është ende problem. Kur vendet lindore prishën marrëdhëniet me Shqipërinë tërhoqën specialistët e tyre që po ndihmonin vendin në shfrytëzimin e burimeve të zinkut, bakrit, kromit, nikelit e naftës. Vendet e tyre u zunë nga ekspertët kinezë. Shqipëria ka marrë nga Kina kredi të shumta për të tejkaluar bllokadën e Moskës. Sipas vlerësimeve perëndimore në Shqipëri janë nga 3000 deri në 6000 ekspertë kinezë. Në rrugën e gjatë e me rërë të plazhit të Durrësit ku mblidheshin turistët nga Evropa Lindore para prishjes së vitit 1961, sovjetikët ndërtuan hotelin Adriatik, i cili sot rezervohet vetëm për turistët perëndimorë. Shqiptarët thonë se shumica e këtyre turistëve janë nga vende simpatizante Maoiste, dhe kalojnë pushimet në plazhin e vetëm në Evropë ku përshtypjet lihen në librin e kuq të Mao Ce Dung në tryezën e hotelit.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/11/2019 - 07:14

Amerikanët kanë hedhur të tjera detaje mbi zhvillimet gjatë regjimit komunist.

Postuar: 13/11/2019 - 07:11

Shërbimi amerikan i CIA ka deklasifikuar të tjera dokumente për Shqipërinë.

Postuar: 12/11/2019 - 07:10

Amerikanët kanë hedhur sërish dritë mbi zhvillimet në sistemin komunist.

Postuar: 09/11/2019 - 07:09

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 08/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit

Postuar: 05/11/2019 - 07:07

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi të tjera zhvillime gjatë pushtimit gjermano-italian dhe regjimit