BREAKING NEWS

Përplasje me armë zjarri në Vlorë/ Dalin emrat e të plagosurve, xhaxhai i 28-vjeçarit rrëfen si ndodhi ngjarja: Ishim duke pirë kafe, kur dëgjova...

x

Dossier

Ja si ndërkombëtarët e paralajmëruan që më 1945 se Hoxha po kthehej në diktator, përplasja me Aleatët për të njohur pushtetin dhe sulmet ndaj amerikanëve

Ndërkombëtarët e kanë paralajmëruar se në Shqipëri po lindte një diktator i frikshëm. Media të ndryshme ndërkombëtare kanë raportuar që në vitet e luftës dhe më pas për zhvillimet në Shqipëri. Gazeta po publikon një sërë shkrimesh nga media të huaja ndërkombëtare, mbi atë se si e shihnin të huajt Shqipërinë. Në dokumentet e sotme tregohet se si u dhanë sinjale se Hoxha po kthehej në një Tito të dytë.

31 mars 1945

Në Europë lindin dy “Tito” të rinj

Dy Tito të rinj duket se po nisin karrierën e tyre në skenën ndërkombëtare, një në Austri e një në Shqipëri. Në radion austriake që sipas kushteve të armëpushimit mbikëqyret nga Bullgaria, po bëhen thirrje për “t’u bashkuar rreth Titos tonë”. Thirrjet e bëra në gjermanisht nuk e identifikojnë “Titon” austriak, por thonë se selia e tij kryesore është në luginën Oetz. Ndërsa ekuivalenti shqiptar i Marshallit të komanduar nga Moska është një ish-mësues, Enver Hoxha, emri i të cilit po përmendej në radiot aleate. Kjo tregon se përfaqësuesit e fuqive kryesore, SHBA, Rusia, Kina e Britania kanë aprovuar nisjen e bisedimeve me autoritetet shqiptare të drejtuara nga Hoxha. Thuhet gjithashtu se autoritetet ushtarake anglo-amerikane po hyjnë pa shumë besim në negociata me Hoxhën, i cili i ka bërë peticion agjencisë aleate UNRRA për ndihma dhe fuqive për njohjen e qeverisë së tij. Por veprimet aktuale të UNRRA nuk përbëjnë njohje të qeverisë së Shqipërisë edhe pse ata kanë dërguar përfaqësues diplomatikë për të studiuar situatën sipas kërkesës së Enver Hoxhës para dhënies formale të njohjes. Hoxha ka luftuar për më shumë se një vit në krye të njësive të tij partizane për të shuar fraksionet rivale shqiptare dhe tashmë duket se ka vendosur regjimin e tij në të gjithë Shqipërinë. Kreu i fraksionit që mbështet ish-mbretin Zog u detyrua të largohet nga vendi me një barkë të thjeshtë, por u shpëtua nga një luftanije disa ditë më vonë në det të hapur. Ashtu si Tito në Jugosllavi që ka marrë gradën marshall edhe Hoxha në Shqipëri e ka bërë veten kolonel-gjeneral dhe komandant të asaj që ka quajtur “Ushtria Patriotike Nacional-Çlirimtare”. Tetorin e shkuar ai pretendoi formimin e partisë popullore anti-fashiste, ku komunistët shqiptarë kishin postet kryesore.

8 prill 1945

Aleatët dërgojnë vëzhgues në Shqipëri

Gazeta ka zbuluar se ndihmat aleate për Shqipërinë janë kushtëzuar me pranimin e vëzhguesve britanikë në Shqipëri për mbikëqyrjen e aktiviteteve të ndihmës. Guvernatori Lehman ka urdhëruar përfaqësuesit që të përfshihen në diskutime me zyrtarët shqiptarë për dërgimin e ndihmave. Lehman po vepron pas kërkesës direkte të Hoxhës. Kreu i qeverisë shqiptare Hoxha nuk ka qenë figurë publike para luftës, por ka dalë vitet e fundit si udhëheqës i lëvizjes guerile. Ai u zgjodh në krye të qeverisë patriotike në kongresin e fundit të guerilasve partizanë nga i gjithë vendi. Vitin e kaluar Hoxha u takua në Shqipëri me kolonelin britanik Warner, i cili kishte me vete një plan ndihmash. Por shqiptarët dyshojnë se rreth 1000 ushtarakët që britanikët kërkojnë të dërgojnë në Shqipëri për mbikëqyrjen e ndihmave mund të organizohen në formacione luftimi. Warner ka insistuar me Hoxhën se njësitë britanike për shpërndarjen e ndihmave do të punojnë vetëm me organet e qeverisë lokale, por teksa tragjedia greke po shpaloset disa kilometra larg tij, Hoxha e refuzoi planin britanik. Vetëm nëntë muaj më vonë çështja u rihap me përfaqësuesit amerikanë të drejtuar nga Roy Hendrikson.

26 prill 1945

Kreu i Frontit Popullor Shqiptar kritikon SHBA

Qeveria e re e Frontit Popullor në Shqipërinë e vogël i shtoi sot zërin e saj thirrjeve sovjetike për njohjen e saj në konferencën ndërkombëtare në San Francisko. Radio Moska shërbeu si qendra e zërit për pretendimet shqiptare që u bënë nga kolonel Hoxha, i cili ka drejtuar Ushtrinë Çlirimtare që u kthye në “Fronti Popullor” tetorin e shkuar. Hoxha bëri të qartë se kërkesa për njohje ishte parashtruar ndaj SHBA. Deklarata vjen në një kohë kur federata sllave që Rusia ka propozuar për Europën Lindore po fillon të marrë formë konkrete. Çekosllovakia, Jugosllavia dhe regjimi polak i Lublin janë tashmë të lidhur me Bashkimin Sovjetik me anë të disa traktateve dhe Shqipëria pritet të bëjë si ato. Hoxha është cituar nga Moska të ketë thënë se ka besim pafund të Bashkimi Sovjetik.

14 maj 1945

Situata në Shqipëri

Gjashtë muaj më parë Shqipëria humbi mikeshën e saj të dyzet vjetëve; zonjusha Edit Durham vdiq dhe shqiptarët mbajtën zi. Sikur të ishte gjallë do të ishte ajo dhe jo ne që do ju shkruanim për nevojat e Shqipërisë. Gjashtë vitet e rezistencës ndaj armiqve të tyre e tanëve, shqiptarët kanë paguar dëmet e shumë jetëve të humbura, shtëpive të shkatërruara, të dobësimit nga uria e të ftohtët, vdekjet foshnjore. Kështu që dhe vuajtjet e Shqipërisë duhet të njihen ashtu si të vendeve të tjera aleate. Disa hapa janë marrë në lidhje me ndihmat për Shqipërinë. Më 17 prill u njoftua një marrëveshje mes agjencisë aleate UNRRA dhe shqiptarëve sipas nevojave të tyre dhe pa dallim ngjyrimesh politike. Nevojat ishin të mëdha. Zonjusha Durham pak para vdekjes së saj ndihmoi në krijimin e Shoqërisë për Ndihmën ndaj Shqipërisë dhe ishte një nga kontribuuesit kryesorë të saj. Ne po shkruajmë në emër të saj për të kërkuar kontributin e lexuesve, të cilat mund të dërgohen te sekretari i thesarit për Shqipërinë Edwin Cripwell 119 Finsbury Pavement, Londër.

 

6 tetor 1945

Shqipëria pretendon provokime nga Greqia

Kryeministri shqiptar Enver Hoxha tha sot se “provokimet greke” për jugun e Shqipërisë janë shumë më të rënda sesa ato të fashistëve italianë. Hoxha tha se ende nuk janë bërë protesta formale te Greqia për arsye të mungesës së marrëdhënieve diplomatike, por tha se kishte informuar fuqitë aleate për “listën e gjatë të provokimeve”. “Qeveria greke po bën agjitacion për kthimin e jugut të Shqipërisë”, tha kryeministri duke shtuar se kombi i tij është “miqësor ndaj Greqisë në tërësi... por nuk mund të ruajë marrëdhënie të mira me një qeveri që përpiqet të marrë tokën tonë”.

14 tetor 1945

Votuesit shqiptarë do të mbajnë liderët shtypës marksistë progresistë

Megjithëse “Fronti Demokratik” shqiptar duket një grup diktatorial e shtypës sipas standardeve anglo-amerikane, ai është gjithsesi një front “popullor” revolucionar që duket se plotëson nevojat aktuale të shumicës së votuesve shqiptarë. Disa vëzhgues në Tiranë thonë se besojnë se do të ushtrohet presion i madh për marrjen e votave nga Fronti Demokratik në zgjedhjet e 2 dhjetorit.

Opozita në Shqipëri është e kufizuar me pronarët e tokave që kanë kundërshtuar reformat e komunistëve dhe konfiskimet e pronave, tregtarë e dyqanxhinj të qytezave e fshatrave që kundërshtojnë taksimet e emergjencës. Por borgjezia shqiptare përbën më pak se 10 për qind të popullatës së vendit në një kohë kur 80 për qind janë fshatarë të varfëruar e të veshur me rrecka, që presin të përfitojnë standard më të mirë jetese me komunizmin. Për ta nuk kanë rëndësi formalitet parlamentare që as nuk i kuptojnë prej masës së lartë të analfabetizmit, por ajo me çka mund të mbushin barkun e të veshin trupin. Shumica analfabete shqiptare për herë të parë do të kenë një qeveri që do të bëjë shkollimin të detyrueshëm për bijtë e bijat e saj. Duke i mësuar shqiptarëve të shkruajnë e të lexojnë qeveria do të rrënjosë te ata dhe idetë e superioritetit të sistemit sovjetik. Shqiptarët mund të distancohen menjëherë në mënyrë arbitrare nga bota perëndimore, me qëllim të parandalojnë krahasimin e vërtetë të kushteve në Bashkimin Sovjetik me ato në Britani apo në Shtetet e Bashkuara. Gjithsesi deri tani nuk ka prova konkrete se kjo do të ndodhë. Shumë shqiptarë kanë mësuar shkrim e këndim në shkollat amerikane në Shqipëri dhe gjithashtu shumë emigrantë që jetojnë në Shtetet e Bashkuara do të kërkojnë kontakt me mënyrën amerikane të jetesës. Ndoshta shumica e shqiptarëve do të preferonte që qeveria e tyre të kërkojë frymëzimin te SHBA dhe jo te revolucioni rus, pasi SHBA është konsideruar si toka e premtuar. Por në fakt ishin rusët dhe jo SHBA që u treguan të aftë të frymëzojnë revolucionin partizan. Në Shqipëri ashtu si në Jugosllavi ylli komunist ka zëvendësuar tashmë kryqin dhe gjysmëhënën. Nuk ka ende persekutim të mirëfilltë fetar, por kishat ortodokse dhe xhamitë myslimane kanë humbur krerët e tyre. Udhëheqësit e Shqipërisë së re janë njerëz të rinj të mbushur me idetë marksiste dhe anëtarë të Partisë Komuniste. Disa prej tyre kanë luftuar në Spanjë me brigadat ndërkombëtare. Ata duket se besojnë me të vërtetë se revolucioni do të sjellë demokraci dhe bollëk, megjithëse përdorin metodat e propagandës dhe presionit siç udhëzon qeveria e tyre. Shqiptarët kanë bërë një punë të konsiderueshme për rindërtimin e vendit me ndihmën e vogël që kanë marrë nga Rusia apo dhe tre fuqitë aleate. Ata kanë rindërtuar shumicën e urave të shkatërruara nga gjermanët me materialet që u janë ndodhur. Me mënyrat e tyre ata kanë vënë përsëri në punë rafineritë e naftës edhe pse kanë refuzuar ndihmesa anglo-amerikane të vëzhgojnë punën e tyre. Ata kanë riparuar shumë shtëpi të dëmtuara dhe kanë ngritur qindra shkolla dhe “shtëpi kulture popullore”. Ndoshta ata do të kishin bërë një punë më të mirë nëse do të kishin pranuar ndihmën britaniko-amerikane dhe shumë nga arritjet e tyre janë njollosur nga fakti që çdo gjë është shoqëruar nga forca politike policore e Ministrisë së Brendshme që dominon si qeverinë dhe ushtrinë revolucionare. Por deri tani të paktën lëvizja gëzon ende mbështetjen e shumicës së popullsisë. Nëse kjo do të jetë përfundimisht në interes të popullsisë është ende herët për të thënë.