Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ja si në vitin 1973 amerikanët nisën tentativat për të qetësuar marrëdhëniet me Shqipërinë, zbardhet deklarata e zyrtarit të DASH

Postuar: 09/08/2019 - 07:13

Shtetet e Bashkuara nisën tentativat që të qetësojnë marrëdhëniet me Shqipërinë më 1973. Pas një përplasje të fortë në distancë, Uashingtoni nis të kërkojë qetësimin e situatës. “The New York Times” ka zbardhur detajet.

13 nëntor 1972

Shqiptarët hapin xhaminë në SHBA

E vetmja gjë që mundonte ishin malet e ashpra të atdheut të tyre dhe myezini që thërret besimtarët për lutje nga minarja, teksa shqiptarët e Nju Jorkut hapën xhaminë e parë shqiptare këtu. Xhamia në rrugën Albemarle është një vilë e gjerë e konvertuar, në zonën e dominuar nga hebrenjtë dhe italianët. Besimtarët ishin shumë të lumtur kur Myftiu i Madh i botës së lirë, 80 vjeçari Sali Myftiu preu shiritin e përurimit. Ai shpjegoi se xhamia nuk është e nevojshme të ketë minare pasi hapësira e lutjes është e mjaftueshme. Pas vitesh që luteshin në xhamitë arabe të qytetit dhe duke u mësuar fenë fëmijëve në shtëpi apo ambiente të tjera, rreth 8000 shqiptarët myslimanë të zonës kanë një qendër të tyren ashtu si bashkatdhetarët e tyre në Chicago, Michigan, Connecticut etj. Imami Isa Hoxha shpjegon se feja e tyre ndryshon nga ajo e popujve arabë. “Arsyeja për ndërtimin e xhamisë sonë është për të bashkuar popullin shqiptar dhe për t’i treguar Enver Hoxhës se populli dëshiron ta mbajë gjallë fenë e tij”, tha imami, i cili drejton qendrën e re islamike. Ka gjithashtu një kishë shqiptare katolike në Bronx dhe një kishë ortodokse në Queens. Shumica e shqiptarëve nisën të emigronin në SHBA me ardhjen në pushtet të komunistëve në 1945, por ka pasur disa edhe më herët, në kohën e luftërave në Ballkan, para Luftës së I Botërore. Shumica e të ardhurve të fundit u pranuan sipas kuotave të emigracionit të administratës John F. Kennedy. Zona metropolitane e Nju Jork tashmë llogaritet se ka 20 000 shqiptarë nga një total prej rreth 80 000 në Shtetet e Bashkuara,sipas Mikael Dibra, kreu i komitetit Shqipëria e Lirë. Shumica e burrave shqiptarë, të cilët në vendin e tyre ishin fermerë, bëjnë punë të pakualifikuara, ose brigadierë ndërtimi. Disa nga gjenerata e dytë e të ardhurve kanë shkuar në universitet, por jo shumë. “Ne jemi popull shumë punëtor dhe nganjëherë e konsiderojmë universitetin si justifikim për shmangie nga puna”, thotë Remzi Barolli, kontrollor në një uzinë industriale, e cila ka ndihmuar në mbledhjen e 122 000 dollarëve për blerjen e xhamisë. Ceremonia e hapjes u bë Hotel McAlpin në Manhatan.

5 prill 1973

SHBA do të diskutojë afrimin me Shqipërinë

Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje sot për fundin e ngrirjes së gjatë në marrëdhëniet me Shqipërinë, në kuadër të strategjisë amerikane të përmirësimit të lidhjeve me të gjitha vendet komuniste të Evropës Lindore. Oferta për hapjen e dialogut me Shqipërinë, vend i cili nuk ka marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë, u bë sonte në fjalimin zv. sekretarit të shtetit Keneth Rush në Akademinë Detare në Anapolis. Departamenti i Shtetit shpërndau sot kopje të fjalimit për mediat. Pasi listoi hapat e marrë dhe të parashikuar për përmirësimin e marrëdhënieve me Evropën Lindore, Rush foli për Shqipërinë: “Vetëm me Shqipërinë nuk kemi bërë ende progres. Duke parë zgjerimin e lidhjeve tona me vendet e Evropës Lindore, duket disi anakronike që të vazhdojë të funksionojë në një izolim të tillë. Shqiptarët ende flasin për ne në retorikën armiqësore të një epoke të shkuar. Nëse ata duan të rinisim marrëdhëniet ne nuk e dimë. Kur ta dëshirojnë këtë ne do të jemi të përgatitur të përgjigjemi”. Më pas një zyrtar i Departamentit të Shtetit tha se referencat për Shqipërinë në fjalim ishin të përgatitura posaçërisht dhe kishin si qëllim të nxisnin një reagim prej tyre, edhe pse ata konsiderojnë Kinën si aleatin e vetëm dhe denoncojnë vazhdimisht Bashkimin Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara. Zyrtarët thanë se deri tani Shqipëria nuk ka treguar interes në marrëdhënie me Uashingtonin por disa të tjerë besojnë se mund ta bëjë këtë së shpejti. Ata kanë vënë re se në tre vitet e fundit Shqipëria ka krijuar lidhje thuajse me të gjitha vendet e Evropës Perëndimore dhe tashmë ka përfaqësues në 56 vende. Fjalimi i Rush ishte i pari nga zyrtar i lartë i administratës kushtuar tërësisht Evropës Lindore. Kjo bëhej jo vetëm për të sinjalizuar qeveritë e atyre vendeve por dhe për t’i treguar publikut amerikan për marrëdhëniet miqësore që SHBA kërkon të krijojë. Rush i bëri gjithashtu thirrje biznesmenëve amerikanë të kërkonin lidhje tregtare me Evropën Lindore. “Do të dëshiroja që më shumë biznese amerikane të kërkojnë marrëveshje të leverdishme në Hungari, Belgjikë, Bullgari apo Norvegji, në Poloni apo në Uruguai. Ne i inkurajojmë ato të shesin e të investojnë, të blejnë në këto vende dhe të bëjnë biznes sepse është në interesin e Shteteve të Bashkuara. Rush tha se mezi priste ditën kur tregtia me Evropën Lindore të bëhet po aq normale sa me vendet kapitaliste. SHBA nuk ka marrëdhënie me Shqipërinë e vogël që prej pushtimit të saj prej Italisë në 1939. Pas luftës në pushtet erdhën komunistët me në krye Enver Hoxhën dhe SHBA nuk rivendosi kurrë marrëdhëniet. SHBA nuk ka gjithashtu marrëdhënie me qeveritë komuniste të Kubës, Gjermanisë Lindore, KoresësëVeriut e Kinës, edhe pse në Pekin do të hapet një zyrë ndërlidhjeje. Marrëdhëniet me Gjermaninë Lindore pritet të vendosen në fund të vitit. Nuk ka sinjale për përmirësim të lidhjeve me Kubën dhe Korenë e Veriut.

 4 dhjetor 1972

Shqipëria thotë se sovjetikët kërkonin të ndërtonin baza në 1969

Bashkimi Sovjetik kishte marrë në konsideratë ndërtimin e bazave raketore në Shqipëri në 1959 gjatë epokës së Nikita Krushov, raporton agjencia kineze e lajmeve Xinhua. Ajo shtonte se shqiptarët kishin mësuar për planet e Krushov kur ai vizitoi Shqipërinë në 25 maj deri në 4 qershor të atij viti. Sipas kreut komunist shqiptar Hoxha, ministri sovjetik i Mbrojtjes Malinkovski në një fjalim në qytetin port të Vlorës duke parë habinë e Krushovit me gjirin e Vlorës, tha: “Ju e kuptoni Nikita Sergejeviç se me raketat në Berlin ne mund të godasim edhe Gjibraltarin, ndërsa nga gjiri i Vlorës kemi në pëllëmbë të dorës të gjithë Mesdheun”. Por plani nuk u zbatua asnjëherë pasi sipas Hoxhës, “partia dhe qeveria jonë i shkatërroi planet e tyre”. Gjatë vizitës së tij Krushovi kishte dënuar ashpër ndërtimin e bazave amerikane në Itali, ndërsa BRSS trembej se SHBA do të ndërtonte baza ushtarake dhe në Greqi. Pas kthimit në Moskë, Krushovi deklaroi publikisht se propozimi që kishte bërë për zonën pa raketa në Ballkan ishte refuzuar prandaj BRSS do të krijojë baza raketore në Shqipëri dhe në Bullgari.

13 shtator 1973

Shqipëria e shqetësuar nga afrimi Kinë-SHBA

Informacionet e fundit që sinjalizojnë politikat e administratës Nixon për afrimin e SHBA me Kinën duket se po shkaktojnëtrazira serioze në politikën e brendshme shqiptare, vendi i vetëm evropian aleat me Kinën. Burime të informuara për Shqipërinë thonë kjo vjen pasi shumë zyrtarë të vjetër të partisë shqiptare dhe shumë shqiptarë të rinj po nxisin që vendi të ndjekë shembullin e Kinës në afrimin me Shtetet e Bashkuara. Por kreu 64 vjeçar i partisë, Hoxha, dhe byroja e tij politike me 10 persona, raportohet se ka etiketuar politikën e zbutjes së tensioneve Lindje-Perëndim të rrezikshme për sigurinë e vendit. Hoxha thuhet se e ka përshkruar atë si një tentativë detyrimi për të pranuar dominimin e superfuqive nga vendet e vogla komuniste. Ai ka thënë se marrëdhëniet normale që kërkon SHBA me vendet e vogla do të thotë se kërkon që ato të ulin vigjilencën e tyre. Këto fraza kanë dalë që prej botimit të artikullit të Hoxhës në gazetën ideologjike Rruga e Partisë. Menjëherë për një mbledhjeje të byrosë politike në mars, zyrtarët kryesorë të propagandës u larguan nga postet e tyre dhe u dërguan në Koplik, në veri të vendit për të kryer punë krahu. Të dëbuarit ishin Fadil Pacrami, anëtar i Komiteti Qendror të partisë prej 20 vitesh, kryetar i Parlamentit, si dhe Todi Lubonja, drejtori i radio-televizionit që është rreth 48 vjeç. Spastrimet u bënë të ditura vetëm pas një mbledhjeje sekrete të Komitetit Qendror në qershor. Më 28 korrik Zëri i Popullit denoncoi Pacramin si “armik i partisë e i popullit” ndërsa Lubonjën si “devijacionist i djathtë dhe element anti-parti”. Në të njëjtën kohë gazeta Bashkimi shkruante për spastrime në grupet e të rinjve komunistë, ku sekretari i parë Rudi Monari dhe zëvendësi i tij Asim Bedalli ishin larguar nga postet. Në një takim të 29 korrikut të Lidhjes së Shkrimtarëve e artistëve shqiptarë, u votua për shkarkimin e kryetarit të organizatës Dhimitër Shuteriqi dhe sekretarit të përgjithshëm Vilson Kilica, të cilët bashkë me të tjerë u denoncuan si nxitës të revizionizmit borgjez dhe të tendencave dekadente. Sipas informatorëve spastrimet erdhën në një kohë me fushatën kundër atyre që dëgjonin stacionet e huaja radio e televizive. Vendi në fakt kap transmetime të thuaja, disa prej të cilave edhe në shqip, nga Bari, Italia, Shkupi, Prishtina në Jugosllavi dhe veriu i Greqisë. Fushata kundër transmetimeve të huaja nisi në janar dhe është tashmë në forcë të plotë, me grupe të rinjsh komunistë që dalin nëpër qytet dhe shkatërrojnë ato që mund të duken si antena të dyshimta televizioni. Parulla në mure dhe artikuj në shtyp vijojnë të denoncojnë ata që shikojnë programet e huaja duke i quajtur “armiq të maskuar të popullit”. Fushata është zgjeruar për të përfshirë dhe veshjet e stilit “ekstravagant, apo modelet e shëmtuara të flokëve të gjata dhe muzikës moderne”. Dënohen gjithashtu ‘barsoletat me fjalë të pista’. Është ironike që spastrimet dhe fushata anti-dekadencë po kryhen në Shqipëri në një kohë kur vendi po kërkon të zgjerojë kontaktet me jashtë. Shqipëria ka krijuar tashmë marrëdhënie diplomatike me 55 vende dhe ka rreth 100 studentë që studiojnë në Evropën Perëndimore. Zv. Sekretari i Shtetit Keneth Rush tha në fjalimin e 4 prillit se SHBA është e gatshme të përgjigjet ndaj një shprehjeje të Shqipërisë për hapjen e marrëdhënieve. Por tashmë duket se kjo ka ndodhur në kohën kur Hoxha nisi spastrimet e zyrtarëve të dyshuar për tendenca perëndimore.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/08/2019 - 07:35

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi zhvillimet në Shqipëri pas vdekjes së Enver Hoxhës. Ato kanë hedhur dritë mbi betejën që nisi mes Alisë dhe Nexhmije Hoxhës.

Postuar: 22/08/2019 - 07:13

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi zhvillimet në Shqipëri pas vdekjes së Enver Hoxhës.

Postuar: 21/08/2019 - 07:35

Amerikanët kanë dhënë detaje nga kalimi i pushteti te Ramiz Alia.

Postuar: 20/08/2019 - 07:12

Amerikanët kanë nxjerrë në pah detaje të tjera sa i takon zhvillimeve në sistemin komunist.

Postuar: 18/08/2019 - 14:44

Amerikanët kanë zbardhur të tjera detaje nga vdekja e Mehmet Shehut.

Postuar: 17/08/2019 - 18:00

 Gazeta amerikane “New York Times” ka zbardhur të tjera detaje nga vdekja e Mehm

Postuar: 16/08/2019 - 07:14

Amerikanët kanë zbardhur të tjera detaje sa i takon përplasjeve në Shqipërinë komuniste.