Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ja si u pasqyrua vdekja e Enver Hoxhës në SHBA, amerikanët akuza se vrau Mehmet Shehun dhe gjysmën e anëtarëve të Komitetit Qendror

Postuar: 26/06/2019 - 07:07

Vdekja e Enver Hoxhës ka bërë bujë në shumë shtete të botës, përfshirë dhe SHBA. Gazeta po publikon sot një artikull të “Nju Jork Tajms”, e cila ka bërë shumë shkrime për periudhën komuniste. Gazeta amerikane ka treguar situatën në Shqipëri dhe sinjalet se pas vdekjes së Hoxhës pritej demokracia.

Një hapje për Shqipërinë?

Prill 1985

Për më shumë se 40 vjet, populli i Shqipërisë nuk njihte asnjë diktator tjetër përveç Enver Hoxhës. Në fakt ata nuk dinin asgjë nga bota, të izoluar nga fiksimi i Hoxhës me sekretin, besimin komunist dhe frikën nga influencat e huaja. Një shans për të thyer këtë izolim erdhi me vdekjen e Hoxhës në moshën 76 vjeçare. Nëse do të përfitojë nga kjo mundësi pasuesi i tij Ramiz Alia, i cili u emërua dje në krye të shtetit, kjo mbetet për t’u parë. Për funeralin nesër, reflekset e vjetra dukeshin pastër, teksa qeveria tha se nuk do të lejohen të marrin pjesë të huaj. Nuk dihet shumë për zotin Alia, që sinjalizon se misteri me të cilin rrethohej edhe Hoxha mund të vazhdojë akoma. Në stilet e tij të preferuara njihej eliminimi i kundërshtarëve dhe rivalëve të mundshëm, siç ishte kryeministri Mehmet Shehu, i cili vdiq në 1981. Hoxha tha se Shehu kreu vetëvrasje, ndërsa raportime të tjera thonë se është vrarë. Në fillim kur Hoxha doli si udhëheqës i rezistencës kundër pushtuesve italianë, kishte pasur lidhje me Bashkimin Sovjetik, por këto i prishën në 1961, kur Moska u nda nga stalinizmi. Më pas Hoxha u bë mbështetësi i vetëm i Kinës mes kombeve komuniste të Evropës por edhe kjo përfundoi me vdekjen e Mao Ce Dun. Në sytë e Hoxhës Shqipëria u bë i vetmi vend marksist dhe ateist i botës. Por vitet e fundit ai po përpiqej të hapej ndaj vendeve fqinje, duke ruajtur armiqësinë ndaj Bashkimit Sovjetik dhe SHBA. Një mesazh ngushëllimesh për vdekjen e Hoxhës nga Moska u refuzua si i papranueshëm.' Kjo mendësi kishte njëfarë vlere edhe për Perëndimin sepse të paktën mbante larg Adriatikut influencën sovjetike.

Veprimet e Hoxhës

Udhëheqësi shqiptar që vdiq dje në Tiranë e mbajti vendin e tij të izoluar rigorozisht për katër dekada. E konsideruar gjithë historisë si një pre për pushtuesit, Shqipëria ka arritur të ruajë pavarësinë me anë të një regjimi të ashpër Stalinist. Por politikat e Hoxhës gjithashtu e lanë vendin pa miq jashtë tij, teksa qeveria ndërpriste rregullisht lidhjet me aleatët e saj më të fuqishëm. Hoxha e merrte pushtetin e tij absolut nga postet e sekretarit të parë të Partisë së Punës (Partia Komuniste) dhe si komandant i forcave të armatosura. “Le ta dinë mirë të gjithë, se muret e fortesës sonë janë të patundshme si shkëmb graniti',' shkruan Hoxha në një nga volumet e kujtimeve të tij, shumë prej të cilave i ngjajnë shkrimeve të Stalinit. Më shumë se 40 volume me fjalime dhe kujtimet janë publikuar nga Hoxha. Shkrimet e tij kanë pjesë tingëlluese. Në vitin 1982, pasi deklaroi se ''imperialistët dhe zagarët e tyre thonë se ne jemi izoluar nga bota e civilizuar”, ai shton në një tjetër fjali të goditur: “Historia e dhimbsur e vendit tonë në të shkuarën dhe realiteti i botës që ‘ata’ reklamojnë, na kanë bindur se nuk janë fare një 'botë e civilizuar,' por një botë në të cilën më i madhi e më i forti shtyp më të voglin e më të dobëtin, një botë ku paraja e korrupsioni bëjnë ligjin, dhe ku mashtrimi, padrejtësia e intriga triumfojnë”.

Shqipëria ishte një nga vendet komuniste që denoncoi revizionizmin e liderit jugosllav Josip Broz Tito, duke u bërë palë me Stalinin në 1948. Më pas Hoxha ndërpreu lidhjet dhe me Bashkimin Sovjetik, gjatë periudhës së de-Stalinizimit nën udhëheqjen e Nikita Hrushov në 1961, thuajse në kohë të njëjtë me ndarjen Kinë-BRSS. Hoxha nis më pas të mbështetej te Kina për ndihma materiale, sipas thënies së vjetër të Ballkanit “armiku i armikut tim, është miku im”.

Kështu Hoxha u bë mbështetësi më i zëshëm edhe pse gjithnjë e më i parëndësishëm i udhëheqësit kinez Mao Ce Dun kur e pa veten të izoluar nga Bashkimi Sovjetik.

Ftohja në lidhjet me Kinën

Por përsëri Hoxha nisi të bëhej i zhgënjyer. Ngrohja e marrëdhënieve mes Kinës e SHBA solli ngrirjen e miqësisë së Kinës me Shqipërinë, ndërsa mirësjellja mes tyre i kthye në polemika, të cilat ndaluan vetëm në 1982, para se të shpallej prishja. Shqipëria më tej nisi të kryente disa kontrata me Greqinë e Turqisë, edhe pse këto pengoheshin nga trajtimi i qeverisë së Hoxhës ndaj minoriteteve etnike, veçanërisht grekëve etnikë. Dhe në fakt vetëm Vietnami mbeti vendi i vetëm me të cilin Shqipëria kishte një marrëdhënie të ngushtë tregtare. Në politikën e brendshme, objektivi i Hoxhës ishte modernizimi dhe industrializimi i vendit, i cili konsiderohej si më i prapambeturi në Evropë. Udhëtarët në Tiranë raportonin vitet e fundit se rrugët prej kalldrëmi dhe mungesa e automjeteve të jepnin përshtypjen se ishte në shekullin e 19-të. Gjatë viteve, qeveria Hoxha ka meritën e zhdukjes së analfabetizmit, por ai gjithashtu ndaloi besimin fetar, duke arritur të bënte atë që quante “vendi i parë ateist në botë, feja e të cilit është shqiptaria''. Ndjekja e riteve fetare në publik ishte e ndaluar.

Problemet për grekët

Minoritetet etnike mes 3 milionë banorëve të Shqipërisë ishin të persekutuar aq sa grekët etnikë për shembull, ishin të detyruar të ndryshonin emrat e tyre që tingëllonin grekë. Kohët e fundit disa vizitorë, disa prej tyre mësues greqishteje që ishin lejuar të vizitonin shkollat në Shqipëri, thanë se është lejuar mësimi i greqishtes dhe njëfarë politike më e hapur ndaj Greqisë. Me këtë Hoxha ka ruajtur kapjen e tij ndaj pushtetit, duke eliminuar komplotet, duke u kujdesur për spastrimet nga postet e burgosjet dhe internimet masive të elementëve kundërshtarë apo atyre që nuk i nuhasnin shpejt ndryshimet në kursin politik. Pak pasi Shqipëria njoftoi në vitin 1981 për vetërvasjen Mehmet Shehu, kryeministri i vjetër komunist, kishte raportime të pakonfirmuara se ai është vrarë. Por Hoxha, në një libër të botuar në 1982, konfirmon se Shehu kreu vetëvrasje.

Gjithashtu analistët perëndimorë i kanë dhënë rëndësi një fjalie të shfaqur në shtypin vendas ku Shehu quhej agjent sekret i amerikanëve, sovjetikëve dhe jugosllavëve. Sipas tyre ai mund të ishte ekzekutuar sepse ''kishte hapur unitetin e pathyeshëm të partisë me popullin”.

Dyshimet për vrasjen

Anëtarët e komunitetit shqiptar në Nju York pretendonin se përkthimi ishte keqinformues dhe se folja shqiptare e përdorur ''është likujduar'' është përdorur me sens figurativ, që do të thotë se Mehmet Shehu në fakt është vrarë. Në një artikull ata thoshin: “Historia e Mehmet Shehut është përshkruar në të gjitha aspektet në një libër të shokut Enver Hoxha”. Përveç përqendrimit të vëmendjes te siguria e brendshme, qeveria Hoxha vitet e fundit ka ndërmarrë hapa dhe për përmirësimin e lidhjeve të transportit me vendet fqinje si Greqia e Jugosllavia edhe pse marrëdhëniet diplomatike me to janë të ngrira. Deri vitin e shkuar kishte sinjalizime se Shqipëria po zbuste disi izolimin e saj dhe po kërkonte për lidhje të reja me vendet e tjera. Në mars 1984, ajo ka nënshkruar një akord tregtar me Italinë i cili gjithashtu zgjeron këmbimet kulturore.

Ja kush ishte Hoxha

Enver Hoxha ka lindur në 16 tetor 1908, në Gjirokastër, një qytezë tregtare në jug të Shqipërisë. Babai i tij ishte tregtar mysliman rrobash. Ai u arsimua me një bursë në shkollën franceze të Korçës dhe në moshën 22 vjeçare shkoi në Francë për të studiuar në Universitetin Montpellier.

Gjatë kohës që qëndroi në Francë shkroi për gazetën komuniste L'Humanite. Në vitin 1934 ai u emëruar sekretari i9 konsullatës shqiptare në Bruksel, ku kreu një kurs jurisprudence dhe vazhdoi të shkruante për të përditshmen franceze. Meqenëse artikujt e tij ishin kritikë ndaj qeverisë së Shqipërisë të drejtuar nga mbreti Ahmet Zogu, emërimi në konsullatë iu mbyll pas dy vjetësh.

Prandaj ai u kthye në Shqipëri dhe nisi punë si mësues frëngjishteje në ish-shkollën e tij në Korçë. Sulmet e tij të vazhdueshme ndaj qeverisë i sollën dhe një periudhë të shkurtër në burg në fillim të vitit 1939.

Klandestin gjatë regjimit italian

Ushtria italiane e Mussolini pushtoi Shqipërinë më vonë atë vit, duke larguar mbretin Zog dhe duke përfshirë vendin nën kurorën mbretërore të Italisë. Qeveria kukull shqiptare e zgjedhur prej italianëve u bashkua me Aksin italo-gjerman dhe i shpalli luftë Aleatëve në vitin 1940.

Ndërkohë Hoxha kishte nisur aktivitetin klandestin dhe u bë themeluesi i Partisë Komuniste shqiptare në 1941 dhe ishte gjithashtu kryeredaktor i gazetës së partisë, “Zëri i Popullit”.

Fillimisht ai kishte një dyqan duhani në Tiranë që shërbente si fasadë për aktivitetin e tij komunist. Ai nuk u kap kurrë nga italianët por më pas u detyrua të dilte në mal, ku më tej mori asistencë nga ushtarakë sovjetikë, anglezë e amerikanë që dërgonin misione ndërlidhje me vendet aleate. Ish mësuesi i frëngjishtes organizoi një forcë guerrilase prej rreth 70,000 njerëzish që luftuan kundër italianëve dhe më vonë gjermanëve. Pas kapitullimit të Italisë ndaj Aleatëve, forcat e saj u tërhoqën nga Shqipëria dhe guerrilasit komunistë shpallën qeverinë e përkohshme në tetor 1944, nën drejtimin e Enver Hoxhës që kishte marrë gradën e gjeneralit, ishte kryeministër dhe ministër i mbrojtjes. Kjo qeveri u njoh nga vendet aleate perëndimore në 1945 me kushtin që të mbaheshin zgjedhje të lira.

Një listë kandidatësh

Por kur erdhi koha e zgjedhjeve, kishte vetëm një listë kandidatësh të hartuar nga komunistët. Vendi u shpall republikë Popullore në janar 1946, dhe Shtetet e Bashkuara dhe Britania tërhoqën njohjen e tyre dhe bllokuan aderimin e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara deri në vitin 1955.

Komunistët jugosllavë, të cilët kishin ndihmuar prej fillimit komunistët shqiptarë, kishin bashkim monetar e doganor më Shqipërinë e re. Por Hoxha, duke iu trembur supremacisë së Beogradit, ndërpreu të gjitha lidhjet me të në kohën e prishjes mes Titos e Stalinit në 1948. Ai ndryshoi gjithashtu emrin e partisë duke e quajtur partia e Punës. Në 1954, Hoxha i dha postin e kryeministrit Mehmet Shehu, por qëndroi vetë si shefi i partisë duke ndryshuar titullin nga sekretar i përgjithshëm në sekretar i parë. Pas prishjes së Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik në 1961, Hoxha doli fitimtar në një seri përplasjesh pushteti si dhe në tentativë grusht-shtetin ushtarak të vitit 1974, ku përfshihej dhe vet ministri i tij i Brendshëm, i cili bashkë me të tjerë u ekzekutuan.

Gjysma e Komitetit Qendror, të vrarë

Rreth gjysma e 31 anëtarëve të komitetit qendror të partisë komuniste që nga viti 1948 janë ekzekutuar në vitet në vijim. Kohet e fundit vështirësitë ekonomike kanë sjellë të tjera përplasje politike dhe sipas raportimeve qindra zyrtarë janë futur nëpër burgje për kundërshtim të politikave të prishjes me Kinën, e cila kishte shërbyer si bamirësja më e madhe e Shqipërisë në objektivin e saj për zhvillim ekonomik. Gjeneral Hoxha, është martuar me Nexhmije Hoxha, mësuese shkolle me të cilën u njoh gjatë lëvizjes guerile të kohës së luftës. Ajo u bë anëtare e komitetit qendror dhe pas vitit 1969 ka shërbyer si drejtoreshë e Institutit të Studimeve Marksiste-Leniniste në Tiranë.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/07/2019 - 07:13

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi spastrimet gjatë periudhës komuniste. Sipas “The New York Times”, Enver Hoxha spastroi 25 përqind të Partisë Komuniste deri në vitin 1952.

Postuar: 21/07/2019 - 07:29

Amerikanët kanë treguar se si Rusia mori në dorë qeverinë shqiptare gjatë regjimit komunist.

Postuar: 20/07/2019 - 08:27

Amerikanët kanë treguar të tjera detaje nga zhvillimet komuniste në Shqipëri.

Postuar: 19/07/2019 - 07:01

Amerikanët kanë dhënë detaje për përplasjet e Enver Hoxhës me Titon.

Postuar: 18/07/2019 - 08:08

Amerikanët kanë nxjerrë na pah të tjera zhvillime mbi periudhën komuniste në vendin tonë.

Postuar: 17/07/2019 - 07:06

Amerikanët kanë nxjerrë në dritë të tjera detaje sa i takon situatës në Shqipërinë komuniste.

Postuar: 16/07/2019 - 07:07

Gazeta amerikane “The New York Times” ka zbardhur të tjera detaje nga zhvillimet në S