Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ja si vizita e Nikson në Kinë ashpërsoi përplasjet mes Shqipërisë dhe Pekinit, zbardhet letra e qeverisë së Hoxhës për homologët kinezë

Postuar: 13/08/2019 - 07:11

Amerikanët kanë hedhur dritë mbi përplasjet mes Shqipërisë dhe Kinës në vitet 1978. Sipas disa shkrimeve të “New York Times”, ajo që acaroi Hoxhën ishte vizita e presidentit amerikan Nikson në Pekin. Po ashtu, jepen dhe detajet e një letre të qeverisë shqiptare për Kinën.

31 korrik 1978

Shqipëria fajëson Kinën

Shqipëria ka bërë sot publike një letër të ashpër dërguar Pekinit duke u ankuar se prishja e kohëve të fundit mes të dyjave kishte disa vite që zhvillohej në një seri konfrontimesh, duke përfshirë dhe debatin për vizitën e presidentit amerikan Richard M. Nixson në Pekin në vitin 1972. Ky është deri tani shpjegimi më i detajuar nga ana shqiptare e çështjes që u bë me një letër të stërgjatë prej 56‐faqesh nga Komiteti Qendror i partisë, për Partinë Komuniste kineze, i cili iu shpërnda gazetarëve në Pekin e Beograd nga diplomatët shqiptarë. Mesazhi përshkruan debatet mes dy vendeve komuniste të cilat u ndanë nga Bashkimi Sovjetik në 1961, për arsye të diferencave ideologjike dhe atyre që u konsideruan si ndërhyrje të Moskës. Sipas letrës ajo qëe bezdisi më shumë Shqipërinë ishin tentativat e vazhdueshme të Kinës për të riparuar marrëdhëniet me BRSS, dhe nganjëherë tentativat e hapjes me Perëndimin. Letra diskutonte gjithashtu dëmin ekonomik ndaj Shqipërisë prej ndërprerjes së asistencës së zhvillimit ekonomik dy vjet më parë, pa përmendur ndihmën që Kina kishte dhënë deri atëherë. Kritika të ashpra shpreheshin ndaj dëshirës së Kinës për të pritur vizitorë nga Perëndimi, siç ishin udhëtimi i presidentit Nixson dhe këshilltarit të tij të sigurisë Henry A. Kissinger. “Në verën e vitit 1971, Shqipëria që ishte aleati më i ngushtë i Kinës, mësoi nga agjencitë e huaja të lajmeve se Kissinger kishte bërë një vizitë sekrete në Pekin,” ankohen komunistët shqiptarë në letër, duke shtuar se Pekini nuk e pa të arsyeshme ta bisedonte këtë fillimisht me Shqipërinë për të parë cili ishte opinioni i tyre. Në gusht të atij viti udhëheqja shqiptare u ankua gjatë për lëvizjet miqësore të Kinës drejt Perëndimit. “Udhëheqja kineze mori qëndrimin e saj të zakonshëm edhe ndaj kësaj letre dhe nuk denjoi të jepte një përgjigje”, thuhet në mesazh. Gjatë viteve Shqipëria duket se ka dërguar një rrjedhë të vazhdueshme për aleatin e saj aziatik, që ishte dhe i vetmi kudo, por të gjitha këto u injoruan dhe kjo rriti zemërimin e shqiptarëve, veçanërisht të kreut komunist Enver Hoxha. Kështu ndodhi për shembull në debatin kufitar sovjeto-kinez të vitit 1964 kur partia shqiptare këshillonte në një letër kryetarin Mau Ce Dung: “Ne besojmë se ngritja në këtë moment e problemeve territoriale me Bashkimin Sovjetik do të dëmtonte shumë përpjekjen tonë”. Letra nuk mori asnjë përgjigje dhe tashmë shqiptarët ankohen se udhëheqja kineze nuk i dha asnjë shpjegim për një çështje të rëndësisë së madhe si kjo. Më vonë gjatë atij viti, pas largimit nga pushteti të Nikita S. Khrushov, në kohën kur kryeministri kinez Chou En-lai tentoi të arrinte një akord me pasuesit e Khrushov, Komiteti Qendror i partisë kineze thërriti diplomatët shqiptarë dhe i nxiti ata të dërgonin një delegacion në Moskë. Letra shqiptare shpreh entuziazëm për dështimin e gjestit të Çu Enlai me Moskën. Më vonë në 1968, kryeministri kinez sugjeroi në një takim me delegacionin shqiptar të drejtuar nga ministri i Mbrojtjes Beqir Balluku, se Shqipëria, “si vend i vogël, nuk mund ta mbrojë veten e vetme nga një agresion i huaj”. Prandaj Çu sugjeroi që Shqipëria të realizojë një aleancë ushtarake me Jugosllavinë dhe me Rumaninë,” thuhet në letrën shqiptare. Këto dy vende kanë pasur mosmarrëveshje me Bashkimin Sovjetik dhe janë nga pikat e interesit të Kinës në Evropë. Kreu i Partisë Komuniste kineze Hua Kuo Feng, do të vizitojë Jugosllavinë e Rumaninë në fund të muajit në udhëtimine tij të parë në Perëndim. Shqipëria i trembet fqinjit të saj Jugosllavi, dhe disi më pak edhe Rumanisë, prandaj komentet e Çu Enlait ishin njëfarë herezie për shqiptarët. Ministri i Mbrojtjes Balluku u dëbua menjëherë pasi shprehu simpati për idenë, të cilët kryeministri kinez e përsëriti edhe ndaj një delegacioni të lartë shqiptar në Pekin në korrik 1975, sipas letrës së sotme të shqiptarëve. “Ne nuk e dimë nëse Jugosllavia e Rumania ishin informuar për planet e udhëheqjes kineze, por për momentin ne po shikojmë se udhëheqja kineze po tregon një zell të pazakontë për të ndërhyrë në çështjet e Ballkanit, për të përzierë letrat dhe të ndezë zjarrin e luftës,” përfundon letra shqiptare. Këto veprime reflektojnë tensione të ashpra në marrëdhëniet mes dy vendeve, edhe pse gjatë kësaj periudhe ato kanë prezantuar në botën e jashtme fasadën e miqësisë dhe përputhjes së ngushtë.

6 gusht 1978

Hua Kuo Feng viziton këtë muaj Evropën

Kazani i politikave në Ballkan po zien përsëri, në një përzierje të rrezikshme nacionalizmi, armiqësie etnike dhe rivalitetesh ideologjike, që po nxehen nga forca të jashtme. Kohët e fundit Shqipëria e Kina i kanë dhënë fund miqësisë së tyre 20 vjeçare, Jugosllavia e Bullgaria kanë debatuar ashpër mes tyre, ndërsa Rumania e Jugosllavia kanë nisur përgatitjet për vizitën e kreut të partisë Hua KuoFeng, që është dhe vizita e tij e parë në Perëndim. Këto zhvendosje kanë krijuar boshllëqe pushteti, të cilët krijojnë kushte manovrimi për rrëmbim të pushtetit nga liderët e vjetër kombëtarë si Josip Tito i Jugosllavisë dhe Enver Hoxha i Shqipërisë. Ballkani nga vetë emri është sinonim i errësirës, luftërave për pushtet dhe konflikteve që shpeshherë janë gatuar shumë larg kryeqyteteve ku ndodhin në të vërtetë. Në Sarajevë, kryeqyteti i Bosnjës, tashmë pjesë e Jugosllavisë, vrasja e dukës austriak nga një fanatik serb nisi Luftën e I Botërore. Ndërsa Shqipëria ishte avancimi i parë i Mussolini në territore të huaja në Evropë. Sinjalet e tensioneve mes Shqipërisë dhe protektorit të saj të madh Kina, kanë kohë që përmenden, por pak diplomatë mendonin për ndarje të vërtetë derisa ajo u deklarua muajin e kaluar. Shqipëria shpjegonte arsyet e saj për ndarjen në një letër 56 faqe të gjatë, ku shpjegonte për tmerrin e afrimit të Kinës me Bashkimin Sovjetik e me SHBA, madje e akuzonte për “dëshirë të pazakontë për ndërhyrje në punët e Ballkanit”. Ndërhyrja është udhëtimi i parashikuar i udhëheqësit kinez Hua në Jugosllavi dhe Rumani. Portet e Adriatikut të Jugosllavisë e Shqipërisë i japin çdo flote një prezencë komanduese në Mesdhe, dhe BRSS sigurisht që do të dëshironte të rivendosej në bazën e nëndetëseve që ndërtoi 20 vjet më parë në Sazan. Gjatë viteve, Jugosllavia neutrale dhe disi më pak Rumania, kanë qenë mbrojtja e Shqipërisë nga Bashkimi Sovjetik, ndërsa nëntë vjet më parë pas pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë, Shqipëria arriti deri aty sa i ofroi ndihmë ushtarake Jugosllavisë në rast të një sulmi të sovjetikëve. Prej atëherë Shqipëria ka qenë e heshtur për çështjen. Kjo për arsye të minoritetit shqiptar në Jug të Jugosllavisë që është një nga problematikat kryesore në të gjithë Ballkanin. Prej vitesh Bullgaria përdor çështjen e minoritetit maqedonas në kufi me Jugosllavinë, si justifikim për të denoncuar qeverinë e Titos. Gjatë luftës civile greke, pas Luftës së Dytë Botërore, Bullgaria e Jugosllavia, më parë aleatë të Stalinit, shfrytëzuan çështjet etnike për të ndihmuar rebelët komunistë grekë përgjatë kufirit të Maqedonisë greke. Po ashtu javën e kaluar zyrtarët jugosllavë akuzuan Bullgarinë, aleate e ngushtë e BRSS, se po ringjall çështjen maqedonase për të koinciduar me vizitën e kreut kinez Hua në Jugosllavi, dhe me zhvendosjet në Shqipëri. Në mënyrë që kjo çështje të mos shuhej, Moska nisi të dënonte Rumaninë për politikat e saj ndaj minoritetit Bes-arabian, me prejardhje nga Moldavia fqinje. Ndërkohë Bukureshti do të jetë ndalesa e parë e kryetarit kinez Hua. Por shumica e manovrave politike dhe propagandës përfshin Shqipërinë. Gjatë viteve qeveria e Hoxhës ka eliminuar fuqitë e mëdha njëra pas tjetrës, në fillim SHBA, BRSS e tani Kinën. Ndonjë ose disa vende duhet të mbushin këtë hapësirë të lënë nga largimi i këshilltarëve kinezë pasi me gjithë njëfarë rritjeje në bujqësi dhe afrim te vetëmjaftueshmëria, vendi është mbështetur prej kohësh në importet e ushqimit dhe të teknologjisë, në përpjekjet për të dalë nga ajo që në thelb është shoqëria e vetme mesjetare e Evropës. Tashmë duket se po krijohet radha për të zëvendësuar Kinën. Uashingtoni ka nisur diskutimet për fushatën e hapjes me Shqipërinë dhe besohet se së shpejti të njëjtën gjë do të tentojë dhe BRSS, edhe pse jo drejtpërdrejt por me anë të aleatëve të tij si Vietnami ose Kuba. Dy javë më parë në një konferencë në Beograd, zv. presidenti kuban Carlos Rafael Rodriguez shprehu “solidaritetin” e tij me Shqipërinë në sherrin me Kinën. Edhe vendet perëndimore, veçanërisht Greqia, Italia, Belgjika, Danimarka e Gjermania Perëndimore kanë lëvizur për krijimin e lidhjeve ekonomike me Shqipërinë. Qeveria e Hoxhës gjatë viteve të fundit qetësisht ka punuar për riparimin e lidhjeve komerciale me këto vende. Çështja e minoritetit grek në jug të Shqipërisë duket se është zgjidhur dhe vendi ka vendosur marrëdhëniet me Greqinë duke hapur dhe linjën ajrore Tiranë-Athinë. Edhe pse çështja e reparacioneve të luftës me Gjermaninë Perëndimore mbetet e hapur, mes dy vendeve kanë nisur kontakte tregtare në nivel jozyrtar. Por mbeten ende barriera, shumica e të cilave ideologjike, mes qeverisë staliniste të Tiranës dhe Lindjes ose Perëndimit. Duke zgjedhur apo refuzuar padronët e tyre, kreu komunist Hoxha, individualisti tipik i Ballkanit, nuk është nxituar kurrë dhe nuk besohet se do të ndryshojë mënyrat e tij.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/08/2019 - 18:00

 Gazeta amerikane “New York Times” ka zbardhur të tjera detaje nga vdekja e Mehmet Shehut. Sipas saj, dyshimet se ai ishte vrarë janë të larta.

Postuar: 16/08/2019 - 07:14

Amerikanët kanë zbardhur të tjera detaje sa i takon përplasjeve në Shqipërinë komuniste.

Postuar: 15/08/2019 - 07:14

Pasi prishi marrëdhëniet me Kinën, Hoxha humbi të gjitha ndihmat ekonomike.

Postuar: 14/08/2019 - 07:09

Amerikanët i kanë kushtuar rëndësi edhe Familjes Mbretërore.

Postuar: 11/08/2019 - 07:39

Amerikanët kanë zbardhur detaje sa i takon përfaqësimit të Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të

Postuar: 10/08/2019 - 07:07

 Amerikanët kanë hedhur dritë mbi spastrimet në qeverinë e drejtuar nga Enver Hoxha.

Postuar: 09/08/2019 - 07:13

Shtetet e Bashkuara nisën tentativat që të qetësojnë marrëdhëniet me Shqipërinë më 1973.