Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Lufta 9 vjeçare e Dibrës më 1912-1921, si u organizua kryengritja e përgjithshme, masakrat, gjenocidi serb dhe shpërngulja masive

Lufta 9 vjeçare e Dibrës më 1912-1921, si u organizua kryengritja e përgjithshme, masakrat, gjenocidi serb dhe shpërngulja masive

Postuar: 24/09/2013 - 08:38

Nga Fatos DACI*Luftërat heroike 9-vjeçare (1912-1921) e Dibrës dhe dibranëve me 5 krajla -Serbinë, Greqinë, Bullgarinë, Malin e Zi dhe Jugosllavinë e asaj kohe, mbretërinë serbo-kroate- sllovene, janë një kurorë lavdie, që Dibrës i rri kaq mirë përmbi krye. Kur shkatërrimi i Perandorisë Osmane kishte filluar realisht, në shkurt të vitit 1912, Porta e Lartë urdhëroi të gjithë ushtrinë të tërhiqej nga Rumelia, pra edhe nga Dibra. Sa e nuhatën shtetet ballkanike, të gjitha me orekse të shfrenuara për llokmën më të madhe për llogari të tyre dhe në dëm të Shqipërisë, largimin e Turqisë nga Shqipëria, që e kishte nën zaptim, në prag të Luftës Ballkanike, formuan Aleancën Ballkanike. Shtetet që e formuan Aleancën Ballkanike qenë: Greqia, Bullgaria, Serbia dhe Mali i Zi. Të gjitha këto shtete nisin bisedimet e fshehta dhe të drejtpërdrejta për ndarjen e Shqipërisë në copa midis tyre. Serbia dhe Mali i Zi, si njëra dhe tjetra, qenë militarizuar deri në dhëmbë, kishin mobilizuar nën armë rreth 1/7 e popullsisë së tyre, ose 14.5% e saj. Serbia me 2.9 milion banorë kishte nën armë 400 mijë burra, ndërsa Mali i Zi me 220 mijë banorë kishte nën armë 30 mijë burra. Në luftërat e vitit 1912 dhe 1913 ushtria serbe pati 70 mijë ushtarë të vrarë në luftime, ose 17.9% e ushtrisë, ndërsa Mali i Zi pati 11.2 mijë ushtarë të vrarë, ose 37.3% e ushtarëve. Në të tilla standarde ishin edhe Austria, Greqia e Bullgaria. Serbia, që më 1880 kishte uzina për shkrirje hekuri e çeliku, prodhonte pushkë shumë precize dhe kishte mundësi reale edhe për kompletimin e ushtrisë me armatimin modern të kohës, si me topa e mitraloz, fishekë e bomba etj. Ndërsa, shqiptarët luftonin me pushkë me gjalmë ruse, italiane, bullgare apo austriake, të cilat mezi i kishin gjetur dhe me një ballë fishekë të marrë andej këtej. Cili ishte kalendari i veprimeve luftarake, i fitoreve dhe humbjeve mes palëve ndërluftuese? Në këtë kuadër, më 8 tetor 1912, Mali i Zi i shpalli luftë zyrtarisht Turqisë. Një muaj më vonë, më 17 tetor 1912, Turqisë i shpallën luftë edhe Serbia e Bullgaria dhe një ditë më pas, më 18 tetor 1912, edhe Greqia i shpalli luftë zyrtarisht Turqisë. Më 1 shtator 1912, Pashiqi u zgjodh kryeministër i Serbisë dhe gjeneral Putniku ministër i Luftës.

Luftëtarë të Veriut në vitin 1913

Prandaj, me largimin e pushtuesve turq, Greqia u sul në drejtim të Selanikut, Korçës, Gjirokastrës etj., ndërsa serbët dhe malazezët u lëshuan me tërbim drejt tokave shqiptare në anën e Shkodrës e të Lezhës dhe të Lumës e të Dibrës. Më 4 tetor 1912 ushtria e gjeneral Martinoviçit (Malit të Zi) pushtoi portin e Shëngjinit. Më 10 nëntor 1912 serbët morën Manastirin, ndërsa ushtria greke mori Selanikun, si dhe ushtria e gjeneral Vukoviçit hyri në Malësi të Shqipërisë dhe ushtria serbe në ndihmë të malazezëve arriti në lumin Kir. Më 15 nëntor 1912 njoftohet në mediet e kohës se ushtria serbe hyri pa asnjë problem e rezistencë në Durrës. Pas kësaj lufte, më 29 nëntor 1912, forcat serbe pushtuan Dibrën dhe menjëherë ngritën administratën e tyre, duke riorganizuar Qarkun e Dibrës, i cili, asokohe, pati në juridiksionin e tij Rrethin e Radomirës dhe Rrethin e Matit. Në krye të Dibrës u vu nallçanik Spiro Popoviç. Por, në rrethet e Radomirës dhe të Matit pushteti serb nuk arriti të vendosej. Pastaj, me heroizëm e me sulme trimërore, dibranët, arritën të hynë në qytetin e Dibrës së Madhe dhe përzunë serbët pushtues. Konfirmohet më datë 14 shtator 1913, se qyteti i Dibrës ra në duar të shqiptarëve. Më 16 nëntor 1912 , sipas medieve serbe ushtria serbe hyri në Dibër. Serbia mobilizoi dy divizione me ushtarë që t’u bjerë shqiptarëve... “Më 25 shtator 1913 shqiptarët (pra, dibranët) morën Dibrën. Më 26 shtator 1913 Struga, Ohri dhe Gostivari u morën prej shqiptarëve, të cilët morën nga serbët, si trofe lufte, 26 topa të përdorshëm. Më 27 shtator 1913 shqiptarët e dëbuan serbët dy orë larg Gostivarit. Më 29 shtator 1913 Starova u lirua nga ushtria serbe, por u zaptua prej grekëve. Ohri dhe Struga qenë të gjitha në duar të shqiptarëve. Sa morën vesh se dibranët morën qytetin e Dibrës, mobilizuan 40.000 ushtarë të tjerë. Më 30 tetor luftë u rreptë u bë në Resnje dhe Resnja gati u mor nga shqiptarët. Më 1 tetor njoftohet serbet hynë përsëri në Ohër dhe grekët nga Starova hynë në Pogradec, ndërsa më 2 tetor njoftimet thonë se serbët nuk kanë hyrë në Ohër dhe se në Pogradec valon flamuri shqiptar. Grekët, në vend që të lironin Korçën, tentuan të hynin më thellë në Shqipëri. Më 2 tetor 1913, njoftohet se ishin në duar të shqiptarëve Dibra, Struga, Ohri, Gostivari, Kërçova dhe Gjakova. Më 3 tetor (natën) flitet se mbas një lufte të rreptë Dibra ra prapë në duar të serbëve. Më 9 e 10 tetor 1913 malazezët sulmuan Pulian, Ana –Malin e Taraboshin shumë të fortifikuar nga turqit. Në këtë kohë malësorët nuk pranonin t’i hapnin rrugë ushtrisë turke të shkonte të luftonte me malazezët. Prandaj, qeveria dërgoi Avdi Beun në Mirditë dhe Dom Nikollën në Kthellë e Breg të Matës. Më 14 maj 1913, 2 sahati pasdite (0ra 14.00) Mali i Zi liroi Shkodrën.
    
Krerë shqiptarë nga Shqipëria e Sipërme

Më 24 tetor Armata e Tretë serbe, pasi theu turqit dhe mori Prishtinën, u nis në dy kolona në drejtim të Shkupit dhe të Kumanovës. Më 30 tetor, pasi Armata e Tretë u bashkua me Armatën e Parë. Serbia dha urdhër të pushtoheshin vise të Shqipërisë e të Maqedonisë. Dibra u vu në zjarrin e dy drejtimeve: Nga Prizreni dhe nga Shkupi. Prandaj, më 9 e 10 nëntor 1912 dy njësi të posaçme ushtarake serbe, njëra nga Prizreni historik e tjetra nga Gjakova, morën detyrën luftarake të pushtonin të gjithë Shqipërinë Veriore, të hynin në Lezhë e prej andej të zgjeronin zonën e pushtimit deri në Vlorë. Në fund të tetorit 1912, shqiptarët vendosën të mos e pritnin ushtrinë serbe në trojet e tyre, por t’i dilnin para së keqes. Prandaj, 4000 malësorë lumjanë dhe 600 forca dibrane nga Dibra e Poshtme i zunë pritë kësaj ushtrie në Caralevë e Qafë të Duhles. Në këtë betejë, forcat e qëndresës shqiptare, u thyen dhe kështu forcat serbe u lëshuan drejt Lumës. Plot 12 batalione të Armatës së Tretë të ushtrisë serbe hynë në Lumë. Kjo ushtria e madhe kishte 16 mijë ushtarë dhe mbështetej nga 14 topa. Në pritje të ushtrisë serbe, forcat patriotike lumjane e dibrane zunë Qafën e Kolesjenit dhe deri në malin e Pikllimës e te Uki i Vjerrë.

Beteja legjendare e Lumës kundër serbëve

Beteja e lumjano-dibrane e Qafës së Kolesjanit kundër ushtrisë serbe është një faqe e papërsëritshme lavdie e heroizmi, nga më unikalet që në historinë mijëvjeçare zhvilluan shqiptarët kundër pushtuesve të huaj. Kjo betejë është Termopile shqiptare dhe një Veterlo për serbët, të cilët, edhe pse në tetor të vitit 1912, në Shtimje, Caralevë e në Qafë - Duhël, morën goditje befasuese dhe të fortë nga luftëtarët patriotë shqiptarë lumjanë e dibranë, që luftuan si luanë në mbrojtje të tërësisë tokësore të vendit të tyre, nuk hoqën kurrë dorë nga synimet e tyre pushtuese, fillimisht për të bërë realitet idenë e çmendur të Çubriloviçit, që të shtinin në dorë të gjithë tokat shqiptare në krahun e djathtë të rrjedhjes së lumit Drini i Zi e pastaj për të shkuar edhe më tej, për të siguruar dalje të Serbisë në Detin Adriatik. Prandaj, ata aktivizuan sërish korparmatat e divizionet e tyre dhe u vërsulën drejt kufijve verilindor të Shqipërisë. Në zbatim të planeve të tyre pushtuese, në nëntor 1912, serbët pushtuan Morinin, Bardhocin, Pobregun, Gostilin, Nangën dhe Bicajt. Në radhë ishte Kolesjani, me vendet e tjera pas tij. Por lumjanët dhe dibranët ishin ngritur në këmbë, më shtatë e shtatëdhjetë, dhe u ishin afruar llogoreve të ushtrisë serbe. Lufta kundër armikut të përbashkët dhe interesat e Atdheut bashkuan edhe Cen Dacin me Elez Isufin, të cilët kishin qenë në hasmëri. Pajtimi, thuhet, se u bë në Kala të Dodës, kur po niseshin për në betejën e Kolesjanit. Beteja filloi më 19 nëntor 1912 dhe zgjati deri më 25 nëntor. Të parët që e filluan luftën kundër serbëve ishin forcat e bajrakut të Radomirës dhe i pari dëshmor i vrarë në këtë betejë është Ibrahim Haxhi Zeqiri po nga Radomira. Forcat dibrane në betejën e Lumës (Kolesjanit)) komandoheshin nga Baftjar Doda, Xhafer Doda, Selman Alia, Elez Isufi, Dali Meçi, Sufë Xhelili etj.. Ndërsa forcat lumjane komandoheshin nga Cen Daci, Ramadan Çajku, Ejup Topojani, Islam Spahia, Hasan Bajraktari (Can Rexha), Qazim Lika, Ramadan Zaskoci etj. etj. Forcat shqiptare, dibrane e lumjane korrën një fitore të shkëlqyer, duke asgjësuar plotësisht ushtrinë serbe, e cila la në fushën e betejës plot 12.000 të vrarë. Kjo betejë, unikale për nga përmasat, heroizmi dhe të vrarët qe një Termopile shqiptare dhe një Vaterlo për serbët. Është për të ardhur keq që historiografia zyrtare shqiptare e ka anashkaluar këtë betejë me përmasa kaq të mëdha e kaq heroike. Nuk gjen qoftë një rast në ndonjë tekst zyrtar të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të Institutit të Historisë apo në tekstet shkollore të të gjitha niveleve që t’i jenë kushtuar qoftë dy radhë kësaj beteje lumjano-dibrane të pashoqe në të gjithë historinë e rezistencës shqiptare, pas periudhës Skënderbejane.

Konferenca e Londrës nxiti Kryengritjen e Përgjithshme të Dibrës më 1913, kundër ushtrisë serbe

Që në mars të vitit 1913 Fuqitë e Mëdha, për të kënaqur orekset e Serbisë, ranë në ujdi për t’i dhënë asaj troje shqiptare dhe qytetin e Dibrës së Madhe. Vendimet e Konferencës së Londrës, të datës 29 korrik 1913 ishin padrejtësia e shekullit kundër Shqipërisë dhe Dibrës. Kjo konferenca, sipas dokumenteve më të fundit të konsultuara, sidomos nga ditari i ministrit të Jashtëm të Anglisë, Eduard Grey, ishte një forum xhentelmenësh, e cila mori po vendime prej xhentelmenësh. Asokohe të 6 ministrat e 6 Fuqive të Mëdha, mblidheshin rregullisht çdo ditë në ora 18.00 dhe zhvillonin bisedime pa protokoll e pa procesverbal, me një lloj konsensusi, që bazohet në pazare të drejtpërdrejta “ti merr këtë e ti le atë”, për të vendosur një ekuilibër të ri forcash. Por, pavarësisht kushteve dhe mënyrës se si u zhvillua, ajo konferencë përgjysmoi Dibrën, dhe i mori Shqipërisë natyrale rreth 1 milion njerëz dhe i shkëputi qytetet e Dibrës, Prizrenit, Gjakovën, Prishtinën dhe Shkupin dhe i lanë Shqipërisë veriore malet dhe brigjet plote dushk dhe gurë, ndërsa qytetet e Jugut krejtësisht shqiptare, si Gjirokastra, Konica, Përmeti, Frashëri, Leskoviku e Kolonja i vuri në diskutim dhe i la të drejtë Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve që të vendoste se kujt do t’i mbetnin. Madje, caktoi dhe Komisionin Ndërkombëtar për Vendosjen e Kufijve të Veriut, i cili qe i përbërë, si më poshtë: Delegati i Rusisë- gjeneral N. M. Potapopaf, delegati i Austrisë-kolonel Mitseli, delegati i Italisë-kolonel Harofi, delegati i Anglisë-kolonel Granet, delegati i Francës-nënkolonel Furnie dhe delegati i Gjermanisë- major Fon Laffort. Ky komision punën e nisi nga Veriu për në Lindje. Pra, vendimet e padrejta të kësaj konference u zbatuan. Fakti që anëtari italian i Komisionit u vra pikërisht në Rrafshe të Korabit, nga anëtari francez i Komisionit, për shkak se italiani mendonte ta shtynte pak metra më tutje kufirin e sotëm shtetëror të Shqipërisë, sepse, sipas francezit, “ai na u paskësh dashur t’i merrte vetë ato toka e jo t’ia linte francezit”, flet shumë.

Anëtarët e Komisionit Ndërkombëtar të Kufijve, më 1913

Në kushtet kur ushtria serbe herë hynte e herë dilte nga Dibra, kur represione e lufta vazhdonte dhe pas marrjes së këtyre vendimeve fatale për Shqipërinë, nuk mund të ngrinte në këmbët të gjithë dibranët për t’i dalë zot Dibrës dhe Atdheut. Këto vendime të padrejta ngjallën urrejtje dhe zemërim. Prandaj, malësi e qytet vendosën të hidheshin në një kryengritje të përgjithshme të armatosur për të shporrur ushtrinë serbe jashtë kufijve të Dibrës dhe të Shqipërisë. Serbët bënë masakër e terror në të gjithë Dibrën, në Dibër të Epërme e në Dibër të Poshtme, nga Golloborda deri në Reç. Ka plot dokumente të kohës që e dëshmojnë një fakt të tillë dhe sjellin shifra rrëqethëse të masakrave serbe mbi popullsinë e pafajshme shqiptare. Kudo, që shkeli këmba e tyre, dogjën e shkatërruan fshatra, të cilat i bënë shkrumb e hi, ditën me diell vranë e therën burra e gra, hapur dhe pa e fshehur dorën vodhën bagëti dhe grabitën lira e para të tjera të fshatarëve dhe malësorëve. Dibranët rrokën armët. Ata i treguan gjoksin armikut në mbrojtje të tërësisë tokësore të vendit të tyre. Me luftë heroike arritën të çlirojnë pjesën më të madhe të Dibrës së Poshtme dhe Dibrës së Sipërme. Veprimet luftarake të dibranëve i motivuan edhe vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të 29 korrikut 1913 dhe vendosja e ushtrisë serbe në kufijtë e Dibrës. Për organizimin e një kryengritje të përgjithshme kundër serbëve u ngarkuan dhe punuan Bajram Curri, Isa Boletini, Cen Daci, Sefedin Pustina, Zija Dibra, Ramiz Daci, Fuat Dibra, Shaqir Beu, Elez Isufi, Dine Hoxha, Murat Kaloshi, Mersim Dema, Dan Cami, Selman Alia, Cen Leka, Xhafer dhe Baftjar Doda, Selman Alia, Liman Leka, Llan Kaloshi, Ismail Kotarja, Ramadan Cani, Selim Dema, Qamil Daci, Sadulla Strazimiri, Hasan Kaci, Bajram Buci etj. Kjo kryengritje u bë më e domosdoshme, kur qeveria e Beogradit vazhdonte t’i mbante forcat në kufijtë strategjikë me Shqipërinë dhe filloi të ndërtonte fortifikime e posta doganore në Okshtun e Qafë - Murrë. Kushtrimi i kryengritjes u dha dhe beteja nisi më 19 shtator 1913. (Sipas kujtimeve të Ismail Strazimirit kryengritja e përgjithshme filloi, kur më 21 shtator, një tregtar vllah i ra me shpullë Saledin (Selë) Xhedikut nga Dardha dhe katundari vrau tregtarin që e goditi. Kjo datë, pra, 21 shatori nuk përputhet me të vërtetën, pasi njoftimet konfirmojnë se më 20 shtator kryengritësit dibranë hynë dhe çliruan qytetin e Peshkopisë.) Për këtë shkak dibranët sulmuan postat serbe, të cilat, në mëngjesin e datës 20 shtator u gjetën përballë një sulmi të përgjithshëm. Forcat dibrane, pasi çliruan krahun perëndimor të Drinit të Zi, luftuan për të kapur lartësitë e Gjaricës, Ostushit, të Shkekës etj. Forcat dibrane sulmuan armikun në Kala të Dodës, në Shkeka të Shumbatit, në Qukë të Arrasit, në Skërtecë, Qenok e te Lisi i Trenës etj. Ata, më 20 shtator u çlirua qyteti i Peshkopisë. Armiku u detyrua të tërhiqet në drejtim të Qenokut dhe të Skërtecit. Një batalion i tërë serb u shpartallua gjatë luftimeve në grykën e përroit të Peshkopisë. Luftime të përgjakshme u zhvilluan edhe në kodrat e Popinarës, Pesjakës e Obokut. Ndërkohë, forca të Dibrës së Sipërme zhvillonin luftime për jetë a vdekje në Dibër të Epërme, në kodrat e Çerenecit, Vllabiçit e Maranicës. Pra, që nga Kalaja e Dodës deri në Trebisht ushtonte krisma e pushkës dibrane. Më 21 shtator 1913, mbi 6000 forca rrethuan garnizonin serb dhe çliruan qytetin e Dibrës së Madhe. Ushtria serbe, e përbërë prej 5000 ushtarëve, të cilët ishin inkuadruar në 38 tabor, pothuajse, dolën të gjithë jashtë luftimit dhe lëshuan qytetin e Dibrës së Madhe.
    
Hyrja e forcave shqiptare në Strugë, 1913

Më 22 shtator, forcat dibrane marshuan në drejtim të trojeve shqiptare të Mavrovës, Kërçovës, Gostivarit etj. për t’i çliruar edhe ata. Më 26 shtator forcat e grupimit dolën në Kërçovë. Luftime të ashpra zhvilluan në Ohër, Strugë, Zhupë, Rekë, Zavoj, Istok, Bakovë etj. Serbët për të shtypur kryengritjen e fuqishme dibrane organizuan 3 divizione me 20 mijë ushtarë. Në këtë kohë lajmet bëjnë me dije se serbëve u ishin vrarë shumë ushtarë dhe u ishin marrë 12 kanona (topa). Më 22 shtator, ushtria serbe u detyrua të tërhiqej nga presioni ndërkombëtar në kufijtë e përcaktuar nga Konferenca e Ambasadorëve. Kur forcat serbe (më 1913-shënim ynë) ndodheshin te Vorret e Pilafit, nën breshërinë e plumbave të mitralozit malësori i quajtur Mehmet Skepi, një burrë me mustaqe kapadai, u bën thirrje shokëve, se “ Ai që vdes sot asht i pavdekshëm” dhe thirret “Ta kapim hasmin të gjallë”, ndërsa Ibrahim Paci vret në rrugicë, kur u gjet ballë për ballë me ushtarët serb, 4 prej tyre, po plagoset edhe vetë. Kur shkojnë shokët ta ngrenë, u thotë të shkonin përpara dhe të mos kujdeseshin për të. Ndërsa, Maliq Popinara shkon në Kërçisht me 25-30 vetë dhe i thotë Ali Maliqit: “Pse pret më?. Më 23 shtator 1913 Malësia e Dibrës u lirua prej ushtarëve serb. Po më 23 shtator, ora tetë, qyteti i Dibrës së Madhe u mor përsëri prej malësorëve të Dibrës së Poshtme. Ushtria serbe ka zënë vend 8 sahat larg qytetit, tek Pylli i Zi. Më 25 shtator 1913 malësorët e qytetarët e Dibrës e shtynë serbin në Gostivar, Kërçovë e Strugë. Këta zaptuan 13 topa dhe morën ( çliruan) Mavrovën, Gostivarin, Lapushnikun dhe kaluan në Strugë. Deri tani serbëve iu morën 28 topa, shumica prej të cilëve janë të përdorshëm. Serbia, në tetor 1913 njofton Fuqitë e Mëdha se është tërheq prej viseve strategjike të Shqipërisë.
           
Lufta e vitit 1915 në Sllovë kundër serbëve

Edhe në vitin 1915, kur Lufta e Dytë Botërore ishte në zhvillim e sipër, mes serbëve dhe dibranëve pati zhvillime luftarake të rëndësishme, të cilat duhen marrë në konsideratë. Megjithëse Konferenca e padrejtësisë e Ambasadorëve në Londër kishte venë, edhe pse në dëm të shqiptarëve, vijën e kuqe për të ndalur dorën gjakatare të serbëve, serbët herë hynin e herë dilnin nga Dibra e nga territori që ajo konferencë ia kishte lënë Shqipërisë. Më 1 qershor 1915, pikërisht atë kohë kur Serbia kishte dhënë garanci mossulmimin,batalionet e ushtrisë serbe marshonin drejt Peshkopisë. Sipas kujtimeve të botuara të Ismail Strazimirit, në Qenok kishin dalë ta pritnin ushtrinë serbe Rahman Lika prej Luznie, Dine Hoxha prej Muhurri, zv.prefekti i Dibrës Hysen Golja, komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë Mustafa bej Serdari, myfti Hafuz Raifi, Sheh Hasani nga Tomini, këshilltari besnik i Hysen bej Goles-Fatah Bajrami dhe Vehbi Dibra-Myftiu i Përgjithshëm i Shqipërisë. Gjithnjë sipas Strazimirit, patriotët ikën për në Mat. Elez Isufi u fsheh. Madje, po ky autor fshehjen e quan trimëri e zgjuarsi. Pas pushtimit, Hysen Golja u bë prefekt, ndërsa në komuna u emëruan kryetarë Sheh Hasani, Sheh Farullai, Rahman Lika, Zyber Hoxha, Osman Horasani, Kurt Spata, Sul Shehi, Sulë Marku, Hamit Tonuzi, Halit Lleshi, Osman Poljaku, Pëllumb Lleshi, Shermedin Koleci dhe Dikë Xhelili u emëruan krahinarë. E vetmja betejë që ndodhi mes shqiptarëve dhe serbëve në këtë vit ishte përpjekja me armë e Ujë e m’Ujasve me një kompanie serbe në udhëtim, te vendi i quajtur Guri i Gjatë në territorin mes Vleshës dhe Sllatinës, betejë e cila është hiperbolizuar aq shumë sa nuk mba më, duke shkruar e thënë kalmexhinjtë e sotëm, se në këtë luftë u vranë 1000 apo 2500 ushtarë serb, kur i gjithë formacioni serb ishte vetëm një kompani, e cila ka vetëm 100 ushtarë gjithsej. Për hir të së vërtetës dhe ushtria austro-hungareze u prit me qetësi dhe pa rezistencë. Madje Elez Isufi u bë dhe zv.ministër i Brendshëm i qeverise austro-hungareze dhe lidhi marrëveshje të rregullt bashkëpunimi me austriakët. Si i tillë ai është nderuar dhe me dekorata e pritje protokollare dhe në Vjenë. Bullgaria hyri edhe në Gollobordë, por nuk kreu masakra të llojit të Serbisë.
    
Masakra e pushtuesve austriakë në Lurë, në vitin 1916

Vetëm nga data 10-28 korrik 1916 austriakët vranë në Reç, Dardhë e Lurë 44 persona. Sipas të dhënave austriake, kjo ndodhi, sepse më 10 korrik 1916 një togë prej 10 vetash e komanduar nga Zugfureri, u qëllua në Gjurrë-Reç në një distancë prej 50 hapash. Për këtë shkak, ushtria austriake u hakmor dhe vrau shumë burra e gra nga këto krahina, bëhet fjalë për 44 veta, të cilët janë: Abaz Kolgjegja, Arif Haldeda, Abas Skana, Bibë Markola, Bajram Cuku, Can Vladi, Bajram Leka, Dan Kalia, Hasan Cuku, Hasan Kaci, Haxhi Gega, Hysen Kalia, Hasan Murati, Humë Murati, Hasan Hoti, Isuf Deda, Ymer Hoti, Mide Cuku, Met Haldeda, Muharrem Tollja, Osman Hoti, Sali Tollja, Vezë Cuku, Vesel Kalia dhe Xhemile Gjogjegja në Lurë; Sheh Abazin, Beglie Markun dhe Jusuf Laçin në Reç; Selim Canin në Dardhë dhe Ibrahim Malën në Çidhën.

Lufta e bulqizakëve kundër serbëve më 1919

Kur ushtria pushtuese italiane kishte ardhur në vijën strategjike Qafë-Buall dhe Qafë-Murrë, divizionet pushtuese të Serbisë kaluan Drinin e Zi dhe po marshuan në drejtim të Grykës së Vogël e të Grykës së Madhe për të dalë në Qafë të Buallit. Brenda ditës ushtria serbe arriti në Sopot dhe me shpejtësi po ecte në drejtim të Zerqanit, Peladhisë, Valikardhës e Bulqizës. Mehmet Duriçi, Hasan Alla, Sulë Kamberi e Hasan Pata vrapuan e shpërndanë lajmësit për këtë rrezik që u kanosej në fshatrave Vajkal, Koçaj, Dragu, Dushaj, Lepurakë, Valikardhë e Peladhi dhe dhanë kushtrimin luftarak për mobilizimin e luftëtarëve, që do t’i bënin ballë asaj ushtrie mizore që kishte mësy në vatrat bulqizake.
Për t’i gjunjëzuar këta luftëtarë me shpirt të madh serbët masakruan dhe gra e fëmijë. Në Dragu varën, në lisin para shtëpisë së tyre, shtatë anëtarë të familjes Shaba. Sulë Shaba me gjithë djem u masakruan barbarisht për të trembur e frikësuar pjesën tjetër të popullsisë.
Në atë luftë, gjatë luftimeve të përgjakshme e trimërore, u vranë trimat: Tahir Duriçi, Adem Duriçi, Hasan Alla, Hasan Duriçi, Tahir Hoxha dhe Bajram Zogu. Gruaja burrëreshë Tile Hysa zu pozicionin te një gur dhe vra me dorën e saj një skuadër serbësh.
Nga serbët u masakruan për vdekje edhe 35 trima të tjerë bulqizakë.
 

Lufta e vitit 1920

Më 13 gusht 1929 u mblodh Kuvendi i Arrasit, ose Qveria e përkohshme, siç u quajt nën drejtimin e Ramiz Dibrës dhe Ramiz Dacit, e cila u vendos në shtëpi të Riza Lushës. Pushka kundër serbëve krisi më 15 gusht 1920. Dibra e Vogël luftoi kundër serbëve. Golloborda e shtyu armikun jashtë kufijve të 1913-ës... U zunë rob e u vrarë mbi 2000 ushtarë e oficerë serbë, si dhe u mor shumë armatim, topa e mitraloz... Asokohe batalionet serbë qenë vendosur në Kala të Dodës, në Shumbat, në Kodër të Kabe dhe në Llasen të armatosur me topa e më mitraloz. Fuqia më e madhe qe vendosur në Llasen.    Komandantë prijës të rezistencës antiserbe ishin: Osman Lita, Sheh Halimi në Kala të Dodës, Dervish Lusha e Cen Elezi në Shumbat, Dine Hoxha, Dan Leka e Murat Kaloshi (i plagosur) në Brezhdan, Peshkopi e Llasen...Dan Cami në Gollobordë etj. Më ora 9 allaturka u ngreh flamuri shqiptar nga Haziz Muda-Pilafi, në qendër të Peshkopisë.
    
Në mbrojtje të Qeverisë së Lushnjës, shtator 1920

 Më 10 shtator 1920 komitët dhe serbët kërcënojnë Tiranën dhe qeverinë e shqiptare. Këta nisën drejt Grykës së Priskës, 3 orë larg Tiranës. Në mbrojtje të Tiranës dhe të qeverisë janë vu fuqitë vullnetare të ardhura nga Kavaja, Shijaku, Dibra etj., të cilët sulmojnë këto forca banditësh. Me këtë datë, në orën 2 allaturka (14.00) z.Dine Hoxha me dibranët iu ngjitën kodrës dhe sulmuan forcat që kërcënonin Tiranën e qeverinë kombëtare. Forcat vullnetare të udhëhequra nga prijës popullorë të veshur dhe me autoritetin qeveritar janë vënë në mbrojtje të qeverisë kombëtare. Një gazetë e kohës, citon: “Janë për t’u lavdëruar edhe major Shefkiu (mendojmë se bëhet fjalë për Shefki Shatkun) dhe oficeri Dine Hoxha etj.,që kryen detyrën e tyre si ushtarë besnik e kombëtar të atdheut”.

 Lufta e vitit 1921 kundër serbëve

Betejën e fundit me ushtrinë pushtuese serbe, dibranët e zhvilluan me heroizëm të pashoq, në Lanë-Lurë, në vendin e quajtur Qafa e Gëlqeres, në vitin 1921.Qeveria serbe, në tentativë që të zinte vijën strategjike Qafë-Buall, Lanë-Lurë e Qafë-Murrë dërgoi në këtë rajon 5400 ushtarë, që rreshtoheshin në 12 regjimente me 31 topa. Ndërkohë, më parë në Reç-Dardhë ishin pozicionuar edhe 2000 mercenarë të Tafë Kaziut e të Halit Lleshit për synimin për t’i shkuar në ndihmë të ashtuquajturës Republikë serbe Mirditës të Gjon Marka Gjonit. Përballë tyre ishin rreth 400 vetë të forcave qeveritare të komanduar nga Ali Rizai dhe rreth 700 forca vullnetare të Reçit, Dardhës e Lurës. Prandaj, më 26 tetor 1921 serbët nisën përpunimin me artileri të zonës ku do të zhvilloheshin luftime me forcat qeveritare e vullnetare dibrane. Kjo situatë vazhdoi dhe më 27 tetor, ndërsa më 28 tetor shpërtheu lufta frontale mes dy palëve. Beteja u zhvillua shumë e ashpër. Lurasit e reç-dardhasit luftuan me heroizëm e trimëri të pashoqe. Lufta u bë dhe trup me trup. forcat dibrane dhe ato qeveritare e ndalën përparimin e ushtrisë serbe te Qafa e Gëlqeres. Lurasit në këtë luftë komandoheshin nga Selman Mena, Ibrahim Gjoçi, Gjon Doçi dhe Hakik Mena. Vetëm nga Lura, në këtë betejë morën pjesë 34 veta, si: Gjon B. Doçi (i cili dhe u palos), Kolë Mark Rajta, Ibrahim Gjoçi, Ahmet Gjoçi, Hasem Haldeda, Ali Vladi, Xhemë Vladi, Dullë Vladi, Osman Vladi, Liman Buci, Mehmet Ajazi, Islam Peka, Han Hoti, Demë Leka, Sulë Buci, Dan Kaçorri, Kolë Rajta, Liman Haldeda, Xhemë Haldeda, Riza Vladi, Musë Vladi, Xhafer Haldeda, Selman Haldeda, Bajram Haldeda, Ramadan Markola, Dan Haldeda, Rexhep Haldeda, Sulë Mena, Demë Mena, Bajram Vladi. Pikërisht këtu patrioti Haki Sharofi shkroi tekstin dhe Sami Gonxhja shkroi muzikën e këngës himn të Dibrës, e cila u këndua dorazi nga luftëtarët dibranë, e cila njihet si Marshi i Djelmnisë Dibrane. Vijon... *Historian, publicist, Anëtar i Përhershëm i Akademisë Amerikano-Shqiptare të Shkencave dhe Arteve

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 138

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/11/2018 - 16:33

Enver Hoxha është një prej figurave të politikës shqiptare që do të mbahet mend gjatë ndër breza.Figura e tij do të ngjallë gjithnjë kuriozitet ndër shqiptarë dhe çdo gjë që lidhet me të.

Postuar: 18/11/2018 - 07:27

Amerikanët kanë nxjerrë në dritë detaje se si ndikoi në Shqipëri përplasja mes Bashkimit Sovjetik

Postuar: 17/11/2018 - 07:09

Amerikanët kanë ecur me plane të detajuar për të rrëzuar regjimin komunist në vend.

Postuar: 16/11/2018 - 07:05

Amerikanët i kanë kushtuar një rëndësi shumë të madhe ish-Mbretit Zog.

Postuar: 15/11/2018 - 07:06

Mit’hat Frashëri është një figurë që ka zënë hapësirë dhe më arkivat amerikane.

Postuar: 14/11/2018 - 07:02

 Amerikanët kanë dhënë detaje mbi kosto e operacioneve të CIA për rrëzimin e regjimit komuni

Postuar: 13/11/2018 - 07:08

Aktivitetet e CIA gjatë regjimit komunist, por dhe Komitetit për Shqipërinë e Lirë për rrëzimin e