BREAKING NEWS

Kush do jenë ministrat e ardhshëm të Ramës? Kreshnik Spahiu nxjerr për herë të parë EMRAT: Do ketë prurje të reja!

Kush do jenë ministrat e ardhshëm të Ramës? Kreshnik Spahiu
x

Dossier

Marrëdhëniet e Ali Pashë Tepelenës me rusët, masakra e Prevezës dhe rrethimi i Korfuzit

Marrëdhëniet e Ali Pashë Tepelenës me rusët, masakra e

(Vijon nga numri i kaluar)

...Konceptet te libri i historianit rus nuk përputhen me ato të autorëve tanë. Do t’i shtjelloj si më poshtë: Pika 2 e marrëveshjes nuk thotë “... Aliu angazhohej se nuk do t’i rëndonte banorët grekë me taksa më të shumta sesa shqiptarët, se grekët do të gëzonin të drejtën të merrnin pjesë në administratën civile dhe ushtarake ...”. Në marrëveshje është e shkruar se “ ... nga ana e tij (Aliu) detyrohet në atë pjesë (zotërimet e tij që do t’i mbeteshin) të mos rëndojë me taksa banorët grekë më shumë sesa turqit”. Pika 3 e marrëveshjes thotë: “Grekët njësoj si turqit mund të gëzojnë të gjitha gradat dhe titujt civilë dhe ushtarakë ...”. Në pikën 4 thuhet: “Ligjet dhe urdhrat do të shkruhen në gjuhën greke, e cila është gjuha më e përdorur në vendet që pashai dëshiron t’i shënohen në feudin e tij”. Pra, siç shihet, në marrëveshje përdoren fjalët “grekë” dhe turq”, që në atë kohë këto fjalë nuk kishin kuptimin e sotëm, për të treguar thjesht dy kombe. Në atë kohë me fjalën “grekë” kuptoheshin të gjithë të krishterët ortodoksë, ndërsa me fjalën “turq” kuptoheshin të gjithë myslimanët. Me “latinë” kuptoheshin të gjithë të krishterët katolikë. Nëse këtyre fjalëve u jep kuptimin që kanë sot, atëherë lë jashtë marrëveshjes të krishterët ortodoksë maqedonas, bullgarë dhe të kombësive të tjera që jetonin në zotërimet e Ali Pashës. Po ashtu, nëse thua shqiptarë, lë jashtë të gjithë myslimanët e kombësive të tjera. Por fakti është se fjala “shqiptarë” nuk përmendet në marrëveshje.

Në librin “Ali Pasha dhe fillesat e nacionalizmit shqiptar”, thuhet se “... shqipja do të jetë gjuha e dytë e shtetit”. Do na pëlqente shumë që të ishte kështu. Nuk do të arsyetojmë dhe të themi pse nuk është, pasi gjuha shqipe nuk shkruhej, se nuk kishte alfabet etj., si këto. Thjesht: nuk është e shkruar në marrëveshje.

Më saktë janë dhënë pikat e marrëveshjes në librin “Ali Pasha tiran apo reformator”. Lidhur me këtë marrëveshje, ka një detaj në artikullin e vitit 1957. Aty thuhet: “Gjatë bisedimeve, të dërguarit e Ali Pashës ranë shpejt dakord me propozimin e Tamarës, që peng i besnikërisë së pashait do të shërbejnë lënia për Rusinë e një ose dy kështjellave me limane, të cilat ndodheshin brenda zotërimeve feudale të kërkuara prej tij”. (Ky material ndodhet në Arkivin e flotës luftarako-detare, fondin Kancelaria Potjemkin-Tavriçskij”, dosja nr 70, fleta 173). Pra Ali Pasha ishte gati t’i lëshonte rusëve një ose dy kështjella, të cilat të kishin edhe porte. Ali pasha kishte aq shumë besim te princi Potjemkin, sa në vitin 1798 i tha oficerit rus: “Po të ishte gjallë Potjemkini, ju nuk do të flisnit kështu me mua”.

Në faqen 113 të librit “Ali Pasha midis historisë dhe legjendës”, shkruhet: “Marrëdhëniet e mira me rusët nuk patën jetë të gjatë për shkak të qëndrimit të dyanshëm që mbante Rusia ... Goditjen përfundimtare marrëdhënieve të Aliut me rusët ia dha veprimtaria e ushtarakëve rusë në ishujt e Jonit, duke pasur si bazë Korfuzin. Ata organizonin dhe veprimtari të fshehta kundër Aliut, nxisnin elementin kundërshtar”.

Megjithëse nuk jepet ndonjë referencë, sipas kreut IV bëhet fjalë për vitet 1789 – 1792, por kjo që thuhet më lart nuk korrespondon me realitetin për faktin se në vitin 1791, por deri në 1797, Korfuzin dhe ishujt e Jonit i kishte Venecia dhe jo Rusia, kështu që nuk kishte bazë në Korfuz për të organizuar veprimtari kundër Ali Pashës.

Po në librin “Aliu midis historisë dhe legjendës” jepen edhe detaje të ndryshme, të cilat duket se më shumë janë për të ngritur figurën e Ali Pashës, pasi citimet nga janë marrë nuk jepen të plota, por vetëm ato që e ngrenë figurën e pashait. Kështu për shembull, në fq. 126 shkruhet: “Aliu duhej të kryente mjaft detyra të tjera. Qysh në fillim të vitit 1796, Porta e Lartë qeverisjen e Durrësit (myselim) ia dha një të afërmi të Ali pashë Tepelenës. Kjo bëri të pakënaqur Mahmut pashën e Shkodrës, mbasi Durrësi ishte nën juridiksionin e tij”. Si referencë jepet libri i historianit rus G. Arsh, fq. 177.

Si episod ky është i vërtetë, por historiani rus shkruan: “... Në fillim të vitit 1796 Porta, ... emëroi në këtë post nipin e Ali Pashës. Kur mësoi për këtë, Mahmud – pasha i shkroi sundimtarit të Janinës se vetëm nga respekti për të, ai çdo vit do t’i dërgojë nipit të tij pagën që i takon në këtë detyrë, por që atij të mos i teket të shkojë në Durrës, “përderisa ai kurrë nuk do të lejojë që në provincat e tij të ketë ndonjë guvernator tjetër, përveç shqiptarëve të vet, të cilët ai vetë i zgjedh, i vendos në detyrë dhe te të cilët ai mund të ketë besim”. (Ky është një informacion i konsullit rus në Raguzë, A. Gjika, me origjinë shqiptare, datë 13 prill 1796).

Një nga problemet që trajtohet është dhe ai i çlirimit të ishujve të Jonit nga flota e përbashkët ruso-turke. Kjo aleancë ruso-turke ishte diçka që as mund të mendohej, nisur nga luftrat e vazhdueshme ndërmjet këtyre dy shteteve. Si kryekomandant i skuadriljes së përbashkët u caktua admirali rus F. F. Ushakov (në fakt, atëherë ishte nënadmiral) dhe zëvendës i tij ishte admirali turk Kadir – beu. Sulltani kishte urdhëruar të gjithë pashallarët që ndodheshin në afërsi të ishujve të Jonit që të ndihmonin skuadriljen me forca ushtarake dhe me ushqime. Në këtë kohë, Ali Pasha mori disa qytete bregdetare, që dikur i përkisnin Venecias, ndër to edhe qytetin e Prevezës.

Lidhur me marrjen e Prevezës nga Ali Pasha dhe masakrën që është bërë atje, shkruhet vetëm në librin “Aliu midis historisë dhe legjendës”. Kështu, në faqen 173 shkruhet: “Thuhet se në fund të betejës qenka bërë një plaçkitje dhe kërdi e madhe deri në urdhrin e sulltanit të vogël, se xhelati preu aq koka sa nga lodhja ra i vdekur së bashku me viktimat, kurse Aliu bënte sehir ... Në Prevezë u masakruan burra, gra, fëmijë, se Aliu nuk tregoi aspak mëshirë, kapi shumë vajza dhe nuse. Mijëra të tjerë u nisën si skllevër në Shqipëri, të tjerë u shitën si skllevër në Janinë. Shumë francezë që kërkonin të iknin u mbytën në det. Kusarët grekë që ishin bashkuar me francezët, u rropën të gjallë”. Si referenca jepen Pukëvili, Liku, Aravantini, Remerandi, S. Mela.

Më tej, në faqen 176 ndër të tjera shkruhet: “Kokat e të vrarëve u rropën, francezët u dërguan në Kostandinopojë, kjo ngjarje është e vërtetë, por natyrisht nuk tregon ashpërsinë e pashait. Natyrisht ai nuk bëri asgjë më shumë nga ajo që të gjithë e dimë, se e bëjnë turqit sipas rregullit të tyre, një zakon apo rregull rutinë. Pra ky është një zakon, traditë normale turke dhe për më shumë një normë ligjore e cila kërkohet nga vetë Sulltani, i cili kërkon të sigurohet me sytë e tij për ekzekutimin e armiqve të tij”.

Në vazhdim, në fq. 178 të librit, lexojmë: “Admirali Ushakov reprezaljet i kufizon ndaj robërve: pleq, fëmijë, gra, ku ndaheshin nënat nga fëmijët dhe u shitën si bagëti. Me këtë reprezalje në Prevezë, Aliu synonte të terrorizonte popullsinë e rajoneve të tjera që ndodheshin nën francezët”. Referenca është libri i historianit rus Arsh, fq. 197.

Në faqen 197 të librit të G. Arshit, shkruhet tekstualisht: “... në Prevezë u therën të gjithë ata që u binin në dorë, pleq, djem dhe shumë gra, ndërsa të tjerët, gra dhe fëmijë që kapën, i shesin si bagëtitë ose i japin si dhuratë ...”. Kjo ndodhet edhe te dokumentet e Ushakovit, volumi II, dokumenti 177.

Më tej, libri i historianit rus vazhdon: “Në fillim të tetorit 1798, ushtria e Ali Pashës me në krye djalin e tij Myhtar – pashën u shfaq para Nikopolit, pozicion i përforcuar i francezëve në hyrje të Prevezës, ku ndodhej garnizoni francez me 700 vetë. Pas luftimesh të ashpra, francezët u thyen. Në vërtetim të fitores së korrur, korrierët e Ali – pashës urgjent i çuan Portës 4 thasë të mëdhenj me kokat e francezëve të vrarë. Këtu kishte dhe shumë koka të banorëve vendas, të fajësuar se ata vepronin bashkë me francezët”.

Nuk e dimë nëse Stambolli pranonte “kokat” e njerëzve të thjeshtë, por me sa dimë Ibrahim Pasha i Egjiptit nuk dërgoi kokat e vahabistëve të vrarë, por veshët e tyre, gjithashtu besohet se atje dërgoheshin kokat e komandantëve dhe pashallarëve rebelë, që ngrinin krye kundër sulltanit.

Lidhur me rrethimin e Korfuzit që administrohej nga francezët, në faqet 181 – 182 të librit “Aliu midis historisë dhe legjendës” shkruhet: “... Ushtria ruso – osmane nisi rrethimin e Korfuzit në nëntor 1798. Rrethimi kërkonte anije të shumta, të cilat Ushakovi nuk i kishte. Duhej ndihma e Aliut. Komanda ruse i shkroi disa herë Aliut, por ai heshtte ... Duke e ditur se po shkeli këmba e Aliut, nuk largohej prej andej, sulltani për bllokimin e Korfuzit dërgoi Kadir beun, kurse Aliu u urdhërua të ndihmojë me forca ushtarake”. Për këtë paragraf nuk jepet asnjë referencë.

Në fakt, Kadir beu u nis bashkë me Ushakovin që në fillim të ekspeditës dhe nuk u dërgua më vonë, pasi ishte zëvendës i Ushakovit. Ndërsa në librin e historianit rus nuk bëhet fjalë për ta ndihmuar Ushakovin me anije, por me forca tokësore, e konkretisht shkruan: “... Operacionet e rrethimit kërkonin një sasi të madhe forcash tokësore, të cilat Ushakovi nuk i dispononte, sepse detyra e tij, sipas vetë fjalëve të tij, ishte të luftonte jo me kështjellat, por me anijet. Sipas marrëveshjes me qeverinë turke, forcat duhej t’i siguronte Ali pasha. Por ai nuk i siguroi siç duhej, gjë që pengoi vazhdimin e operacionit kundër francezëve”.

Më tej, në faqen 182 po të librit “Aliu midis historisë dhe legjendës”, thuhet: “Porta e Lartë kishte urdhëruar flotën e përbashkët osmano – ruse që të vinte dorë mbi Korfuzin, i cili kishte mbetur nën francezët. Më 7 dhjetor 1798 pushteti qendror i dërgoi një letër Ali Pashë Tepelenës lidhur me ceremoninë e pritjes së flotës së përbashkët osmano – ruse në More dhe në gjirin e Korfuzit”. Për këtë fragment jepen shumë burime në referencën nr 136: BOA (dokumenti turk datë 8.12.1798), M. Leake, F. Pouqueville për dy librat e tij, A. Mufid, Aravantini, Remerandi; Kronika mbi Mahmud pashën, në Hylli i Dritës, Shkodër, 1931, f. 26; G. L. Arsh, Albanijai ... fq. 201 – 202, I. Ushtelenca, Diplomacia ... fq. 55 ... dhe disa burime të tjera.

Sa më sipër, mund të themi me siguri se kjo gjë nuk pasqyrohet, qoftë edhe me fjalë të tjera, as në revistën “Hylli i Dritë”s dhe as në librin e historianit rus. Më poshtë do të japim se çfarë shkruhet tek “Hylli i Dritës”, në faqen 26, ndërsa tek akademiku rus flitet për luftrat e Aliut me pashallarët e tjerë, për Nelsonin etj. Një gjë e tillë nuk është as te libri “Diplomacia e Ali Pashë Tepelenës”, fq. 55. Se çfarë kanë burimet e tjera, nuk mund të flasim.

Marrëdhëniet me Ushakovin kanë qenë të tensionuara gjatë gjithë kohës së çlirimit të ishujve të Jonit. Në librin “Diplomacia e Ali Pashë Tepelenës”, në faqet 56 – 57, shkruhet: “Në majin e vitit 1798, Ushakovi iu drejtua admiralit osman Kadir beut dhe të plotfuqishmit të Portës pranë flotës ruso-turke, Mehmet efendiut, me kërkesën që me marrjen e Korfuzit të merrej vetëm Ushakovi ose “ndryshe – siç justifikohej ai – Korfuzi nuk mund të merret”. Referenca është libri Admirali Ushakov, 1952, vëll. 2, Nr 31. Ushakovi dërguar Tamarës më 21 mars 1798.

Edhe te libri “Aliu midis historisë dhe legjendës”, në faqen 182, thuhet e njëjta gjë, por me pak fjalë: “Qeveria ruse desh ta shmangte pjesëmarrjen e Aliut në pushtimin e ishullit, prandaj i kërkoi qeverisë osmane që pushtimin ta drejtonte Ushakovi, kurse forcat e Aliut të ishin nën komandën ruse. Ashtu u bë, por Aliu u përpoq me të gjitha mënyrat të mos dërgonte ushtarë, pa të cilët Ushakovi do ta kishte të vështirë ta merrte atë”. Referenca është libri i historianit rus G. Arsh, fq. 200 – 201.

Vijon në numrin e radhës...